ATV

Author: G.O.

  • Gazeta “AS” me artikull special për Edon Zhegrovën

    Gazeta “AS” me artikull special për Edon Zhegrovën

    Gazeta spanjolle, AS i ka kushtuar një artikull special gjatë së enjtes, yllit të Kombëtares së Kosovës dhe Lille, Edon Zhegrovës.

    Në 26 ndeshje të luajtura në të gjitha garat, Zhegrova ka kontribuar me 7 gola dhe 7 asistime, por përveç tyre prishtinasi ka edhe një aftësi tjetër që e bën të përfolët shumë.

    Bëhet fjalë për driblimin të cilin ylli i Kosovës e ka dhunti dhe ka përfunduar gjithmonë në vendet e larta në listën e dribluesve më të mirë në futbollin evropian.

    Dhe, pikërisht për driblimet e tij, gazeta spanjolle AS ka bërë një artikull ku i ka dhënë jehonë duke e cilësuar si një sensacion dhe driblues zbavitës.

    “Kështu luan dribluesi më zbavitës në ligat e mëdha. Edon Zhegrova është sulmuesi anësor i djathtë kosovar, i cili luan për Lille në Ligue 1 dhe është një nga sensacionet në Francë”.
    “Aftësia e tij në driblim po lë figura rrëqethëse”, thuhet në përshkrimin e videos nga gazeta AS.

    Ndryshe, Zhegrova ka qenë njëri nga emrat më të përfolur javëve të fundit pas një forme fantastike me klubin francez, Lille, por edhe në gjithë sezonin vjeshtor.

  • Kapiteni i Kosovës U17, Art Morina transferohet te Ballkani

    Kapiteni i Kosovës U17, Art Morina transferohet te Ballkani

    Gjakova njihet si vatër e talenteve dhe nga qytet kanë dalë gjithmonë lojtarë të mëdhenj.Dhe, një karrierë të suksesshme pritet ta ketë edhe Art Morina.

    Futbollisti i rritur tek klubi i futbollit Gjakova e kaloi një periudhë të shkurtër në Ramiz Sadik, ku bëri paraqitje të shkëlqyeshme.

    E si rezultat i kësaj forme, 16 vjeçari sot u bë me ekip të ri.

    Në fakt, kapiteni i Kombëtares U-17 të Kosovës ka nënshkruar kontratë trevjeçare me kampionin e Kosovës, Ballkani.

    Qendërmbrojtësi gjakovar synon t’i shfaq vlerat e tij tek ekipi Portokalli, ndërsa ai shihet si e ardhme e futbollit kosovar.

  • Musliu: Në ditët e para të këtij viti mbi 20 ushtarë e lanë FSK-në, kjo qeveri meriton të rrëzohet me dhunë

    Musliu: Në ditët e para të këtij viti mbi 20 ushtarë e lanë FSK-në, kjo qeveri meriton të rrëzohet me dhunë

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha se Qeveria që “s’po mund ta ngopë me bukë” popullit”, s’mund t’i bind ata për t’i mobilizuar për luftë.

    Musliu tha në Kuvend se në ditët e para të këtij viti, mbi 20 ushtarë e kanë lënë FSK-në.

    “Një popull që s’po mund ta ngopë me bukë, nuk do të mund t’i mobilizojë, ashtu siç po thërret, për luftë. Sot kur po flasë në këtë foltore, për 17 ditë që kanë kaluar të këtij viti, mbi 20 ushtarë të FSK-së janë demobilizuar. Dhe numri është në rritje çdo ditë”, tha ajo, pasi lexoi mesazhin e një qytetari i cili ajo tha se ankohej se s’po mund t’i ushqejë familjarët, e lëre më t’i paguajë faturat e energjisë elektrike.

    Musliu iu kërkoi qytetarëve që ta marrin guximin të protestojnë, ndërsa tha se kjo qeveri e meriton të rrëzohet “me dhunë”.

    “Qytetarë të Republikës së Kosovës, nëse qytetarët e Gjermanisë marrin guximin, kurajon të dalin dhe të protestojnë për të drejtat e tyre, pse ju nuk guxoni të dilni t’i kërkoni të drejtat tuaja. Kjo qeveri e meriton me dhunë, qysh ka ardhë në pushtet, me dhunë të shkojë te shtëpia”, tha ajo.

  • ShBA-ja nis rundin e katërt të sulmeve ndaj objektivave Houthi në Jemen

    ShBA-ja nis rundin e katërt të sulmeve ndaj objektivave Houthi në Jemen

    Shtetet e Bashkuara kanë kryer një raund të katërt sulmesh ndaj Houthi-ve të mbështetur nga Irani në Jemen, konfirmuan zyrtarët e Pentagonit të mërkurën mbrëma.

    Rreth 14 raketa Houthi, për të cilat SHBA thotë se mund të kenë qenë të destinuara për sulme ndaj anijeve në Detin e Kuq, u vunë në shënjestër të forcave amerikane.

    Sulmet vijnë pasi SHBA i cilësoi Houthi-t si “terroristë globalë”.

    Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan tha se masa, e cila anuloi një vendim për të hequr përcaktimin në ditët e para të administratës së Biden, ishte në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme të militantëve ndaj anijeve tregtare në rajon.

    Houthi-t filluan të sulmojnë anijet tregtare në nëntor, duke thënë se po i përgjigjeshin operacionit ushtarak të Izraelit në Gaza. Që atëherë, grupi ka nisur dhjetëra sulme ndaj cisternave komerciale që kalojnë nëpër Detin e Kuq, një nga korsitë më të ngarkuara të anijeve në botë.

    Si përgjigje, SHBA dhe Britania e Madhe nisën një valë sulmesh ajrore kundër dhjetëra objektivave Houthi më 11 janar. Sulmet – të mbështetura nga Australia, Bahreini, Holanda dhe Kanadaja – filluan pasi forcat Houthi injoruan një ultimatum për të ndërprerë sulmet e tyre në rajon, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Jemeni është shkatërruar nga një luftë civile që u përshkallëzua në vitin 2015, kur Houthi-t morën kontrollin e pjesëve të mëdha të perëndimit të vendit nga qeveria e njohur ndërkombëtarisht dhe një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërhyri në një përpjekje për të rivendosur sundimin e tij.

    Luftimet thuhet se kanë lënë më shumë se 160.000 njerëz të vdekur dhe kanë shkaktuar një nga krizat më të këqija humanitare në botë, me dy të tretat e popullsisë – 21 milionë njerëz – në nevojë për një formë ndihme.

  • Shtrenjtohet nafta

    Shtrenjtohet nafta

    Çmimet e naftës u rritën për shkak të disa faktorëve, duke përfshirë mundësinë e ndërprerjeve të prodhimit në SHBA nga të ftohtit ekstrem, nënvlerësim i dollarit amerikan, parashikimet e ngritura të kërkesës së OPEC-ut dhe përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme.

    Nafta e papërpunuar standarde ndërkombëtare Brent u tregtua me 78.35 dollarë për fuçi, një rritje prej 0.60% nga çmimi i mbylljes prej 77.88 dollarësh për fuçi në seancën e mëparshme tregtare të mërkurën.

    Standardi amerikan, West Texas Intermediate (WTI), tregtohej në të njëjtën kohë me 73.13 dollarë për fuçi, 0.89% më pak nga mbyllja e së mërkurës prej 72.48 dollarësh për fuçi. Të dy standardet shënuan rritje margjinale pasi OPEC parashikoi kërkesë më të lartë për naftë në vitin 2025. /AA

  • Vdes ish-volejbollistja Vlora Hyseni

    Vdes ish-volejbollistja Vlora Hyseni

    Ka ndërruar jetë papritmas ish-volejbollistja kosovare, Vlora Hyseni. Kështu ka bëtë të ditur Federata e Volejbollit të Kosovës në një komunikatë zyrtare.

    “Me dhimbje e morëm lajmin e hidhur për kalimin në amshim të ish-volejbollistes Vlora Hyseni. Vlora, që kontribuoi drejtpërdrejt në sportin kryeqytetas duke qenë pjesë e klubit Mabetex e më vonë edhe Kolegji AAB, do të kujtohet përherë për pozitivitetin dhe profesionalizmin.”, thuhet në njoftimin e FVK-së, përcjellë KosovaPress.

    Humbja e Vlorës, lë boshllëk në komunitetin e gjerë të volejbollit.

  • Zyrtare: Arbër Zeneli largohet nga Adana Demirspor

    Zyrtare: Arbër Zeneli largohet nga Adana Demirspor

    Klubi turk, Adana Demirspor ka njoftuar zyrtarisht se sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Arbër Zeneli është larguar nga skuadra e tyre.

    Zeneli u transferua në verë te Adana Demirspor në tentim për të rigjetur formën pas një sezoni katastrofik në Ligue 1 me Reims, ku pati edhe disa lëndime të renda.

    Megjithatë, pa i mbushur mirë gjashtë muaj, sulmuesi anësor i Kosovës është larguar nga klubi turk.

    Është vet klubi që ka njoftuar se 28-vjeçari ka shkëputur njëanshem kontratën dhe tani është lojtar i lirë.

    “Arbër Zeneli ka shkëputur në mënyrë të njëanshme kontratën me Adana Demirspor”, thuhet në njoftimin e klubit turk.

    Gjatë sezonit vjeshtor te Adana Demirspor, Zeneli luajti 13 ndeshje në të gjitha garat, ku pati vetëm një asistim.

  • Shkarkohet drejtori i “Trepçës”, emërohet tjetri

    Shkarkohet drejtori i “Trepçës”, emërohet tjetri

    Drejtori i deritanishëm i minierës së Trepçës, Bahri Karaça është shkarkuar nga pozita e drejtorit, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it brenda minierës.

    I njëjti burim ka thënë se në vend të tij është emëruar Shyqri Sadiku.

    Kujtojmë se dje janë lënduar 13 minatorë në minierën e Trepçës, pas rrjedhjes së acidit sulfurik.

  • Laporta viziton lojtarët e Barcelonës pas humbjes nga Real Madridi

    Laporta viziton lojtarët e Barcelonës pas humbjes nga Real Madridi

    Barcelona sigurisht që është në modalitetin e menaxhimit të krizave pasi u mposht rehat nga rivalët e mëdhenj të Real Madridit, pas disa muajsh paraqitjesh të turpshme.

    Përpara ndeshjes së tyre ndaj Unionistas de Salamanca në Kupën e Mbretit, presidenti Joan Laporta është përpjekur të ndalojë problemin moral në Can Barca.

    Sipas Relevo, një ditë pasi Xavi zhvilloi një bisedë të gjatë me lojtarët dhe stafin e tij përpara se të stërvitej në kthimin e tyre në punë, Laporta zbriti në zhveshtore në Ciutat Esportiva.

    Laporta u bëri thirrje lojtarëve për unitet dhe përkushtim mes problemeve të tyre dhe u shoqërua nga zëvendës-presidenti Rafael Yuste dhe drejtori sportiv Deco gjithashtu.

    Menaxheri nën presion Xavi Hernandez ishte gjithashtu i pranishëm në takimin e drejtuesve me ekipin.

    Lajmi i fundit nga kryeqyteti katalanas është se Deco po kërkon alternativa të mundshme për Xavin për sezonin e ardhshëm, por mesazhi është se ai do të qëndrojë në klub deri në fund të sezonit.

  • BE-ja i kërkon Serbisë të lejojë vizitat e zyrtarëve të Kosovës në Luginë të Preshevës

    BE-ja i kërkon Serbisë të lejojë vizitat e zyrtarëve të Kosovës në Luginë të Preshevës

    Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Serbia që të lejojë vizitat e zyrtarëve të Kosovës në tri komunat në jug të Serbisë, të cilat paralajmërohen në përputhje me marrëveshjen e arritur në dialogu rreth vizitave të ndërsjella. Blloku ka kërkuar që Kosova të respektojë në të njëjtën mënyrë këtë marrëveshje.

    Reagimi i BE-së vjen pasi ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në fillim të janarit iu refuzua leja për të vizituar Luginën e Preshevës – komunat jugore në Serbi: Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

    “Vizita e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Serbi ishte paralajmëruar në përputhje me marrëveshjen e dialogut rreth vizitave zyrtare. Prandaj, Serbia është dashur ta lejojë dhe ajo [vizit;] të realizohej”, u tha në një përgjigje të Peter Stano, zëdhënës i BE-së për punë të jashtme dhe siguri.

    Stano tha po ashtu se “BE-ja vazhdon të bëjë ftesë për të dyja palët që në tërësi, dhe pa kushtëzime, të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe marrëveshjet për vizitat zyrtare dhe lirinë e lëvizjes”.

    “Të gjitha mospajtimet duhet të zgjidhen përmes dialogut. BE-ja mbetet e gatshme t’ua lehtësojë palëve diskutimet për të gjetur zgjidhje”, tha zëdhënësi i BE-së.

    Kamberi e dënon vendimin e Serbisë për t’ia ndaluar ministrit Sveçla vizitën në Preshevë
    Më 4 janar, Sveçla kishte planifikuar që të vizitonte Luginën e Preshevës. Por, vizita nuk u lejua që të zhvillohej nga autoritetet e Serbisë.

    Edhe në të kaluarën ka pasur raste kur Serbia, por edhe Kosova, kanë refuzuar që të japin leje për vizita zyrtare në shtetet përkatëse.

    Më 27 nëntor të vitit 2021 autoritetet në Serbi kishin refuzuar kërkesën e katër ministrave për vizitë dyditore në Luginë të Preshevës.

    Më herët, Kosova po ashtu kishte refuzuar vizitën në Kosovë e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

    Në të gjitha këto raste, BE-ja gjithmonë i kishte kritikuar palët për refuzimin e dhënies së lejeve për vizita, duke u kërkuar atyre që të lejojnë vizita të tilla në bazë të marrëveshjes së arritur për vizita të ndërsjella zyrtare.

    Sipas aranzhimeve mes Kosovës dhe Serbisë për vizitat zyrtare, të arritura nën ndërmjetësimin e BE-së, këto vizita duhet të paralajmërohen përmes zyrtarëve ndërlidhës. Ndërkaq, autoritetet e shteteve përkatëse duhet t’i autorizojnë ato./REL/