ATV

Author: G.O.

  • Qeveria emëron anëtarët e Bordit të KRU “Drini i Bardhë”

    Qeveria emëron anëtarët e Bordit të KRU “Drini i Bardhë”

    Qeveria e Kosovës ka emëruar sot anëtarët e Bordit të Kompanisë Rajonale të Ujitjes Drini i Bardhë, raporton Ekonomia Online.

    Arjeta Zeka është zgjedhur kryesuese, ndërsa Ilaz Halili anëtar, Shkodran Gaxherri anëtarë, Zamire Deçani-Beqiri anëtare, Rina Sylafeta-Kumnova anëtare dhe Besim Kajabegolli anëtar.

    Mandati i tyre është trevjeçar.

    Emërimi i tyre është votuar me shumicë votash në Qeveri.

  • Kryeministri Kurti tregon prioritetet e qeverisë gjatë këtij viti

    Kryeministri Kurti tregon prioritetet e qeverisë gjatë këtij viti

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar prioritetet e qeverisë gjatë këtij viti. Kurti para kabinetit qeveritar, tha se prioritet në mandatin e fundit qeverisës do të jetë ngritja e kapaciteteve mbrojtëse, reforma në drejtësi, reforma pensionale dhe finalizimi i autostradës Gjilan-Prishtinë.

    Krahas kësaj, ai në mbledhjen e sotme të ekzekutivit, tha se në politikën e jashtme, prioritet është anëtarësimi në Këshill të Evropës.

    “Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve këtë vit do të vazhdojë me reformën pensionale. Rikujtojmë se vitin e kaluar krijuam skemën pensionale parciale, kontributive për pensionistët të cilët u patën përjashtuar nga puna gjatë viteve të 90-ta. Prioritet do të ketë edhe sa i përket procesit të fiskalizimit, përmes të cilës do të rrisim formalizmin e ekonomisë dhe reformën në prokurimin publik për të rritur transparencën dhe efikasitetin e shpenzimeve publike. Për MINT-in angazhim prioritet do të jetë përmirësimi i ambientit për të bërë biznes përmes shërbimeve më të mira për biznese, mbrojtjes së pronësisë industriale dhe rritjen e mbikëqyrjes së tregut…Reforma në drejtësi është prioritet i qeverisë, andaj ajo do të vazhdojë të jetë prioritet. Vetingu po merr rrugë, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ky proces është domosdoshmëri që po na dëshmohet çdo ditë, krahas tij dhe teksa presim tash e 11 muaj për vendim të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, luftën kundër korrupsionit këtë vit do të bëjmë edhe përmes themelimit të byrosë për konfiskimin civil dhe funksionalizimit të task-forcës antikorrupsion”, tha ai.

    Sipas tij, krahas blerjes dhe investimeve në fushën e mbrojtjes, prioritet do të jetë edhe bashkëpunimi me aleatë.

    “Në këtë vit, rritja e kapaciteteve mbrojtëse do të jetë prioritet i parë i ministrisë së Mbrojtës. Për një fillim të mbarë, në fillim të këtij viti ne morëm konfirmimin nga DASh se ka pranuar kërkesën tonë për të blerë sistemin anti-tank Javelin. Për gjatë vitit krahas blerjes dhe investimeve të tjera, në fushën e mbrojtjes do të jetë prioritet edhe bashkëpunimi me aleatë”, theksoi Kurti.

  • Qeveria ia propozon Kuvendit dy emra për anëtarë të bordit të OShP-së

    Qeveria ia propozon Kuvendit dy emra për anëtarë të bordit të OShP-së

    Qeveria ka miratuar vendimin për t’ia propozuar Kuvendit dy kandidatë për anëtarë të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurorimit Publik.

    Kryeministri Albin Kurti tha se Batisha Ibrahimi dhe Meriton Zika janë kandidatët e përzgjedhur, të cilët i paralajmëroi se mund të shkarkohen në rast se “veprojnë në kundërshtim me normat ligjore e parimet e integritetit profesional e moral”.

    “Anëtarët e votuar nga Kuvendi do ta kenë përkrahjen e Qeverisë derisa të tregojnë profesionalizëm, përkushtim dhe integritet”, tha Kurti.

    “Nuk do të hezitojmë të veprojmë ndryshe, për aq sa na lejon ligji, kur këta anëtarë veprojnë në kundërshtim me normat ligjore e parimet e integritetit profesional e moral”, shtoi ai.

  • Dvorak thotë se Çekia e përkrah Kosovën për anëtarësim në BE: Integrimi i Kosovës në BE është i lidhur me dialogun

    Dvorak thotë se Çekia e përkrah Kosovën për anëtarësim në BE: Integrimi i Kosovës në BE është i lidhur me dialogun

    Ministri për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak, pas takimit me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, në një konferencë për media ka thënë se integrimi i Kosovës drejt BE-së është i lidhur me dialogun me Serbinë.

    Sipas tij, raportet ndër-fqinjësore mes dy vendeve që synojnë anëtarësimin në BE janë çështje kruciale jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por për secilin shtet tjetër.

    “Do të doja të them se integrimi i Kosovës në BE është fuqishëm i lidhur me dialogun me Serbinë. Çështja e fqinjësisë së mirë dhe integrimit është çështje që aplikohet për të gjitha shtetet e Ballkanit”, tha ai.

    Dvorak tutje tha se Çekia në afatgjatë ka qenë mbështetëse e përpjekjeve euroatlantike të Kosovës, teksa përmendi edhe liberalizimin e vizave.

    “Më vjen mirë që konfirmoj se mbështetja e vazhdueshme e Çekisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe anëtarësimin në KiE. Unë besoj që anëtarësimi në BE do të jetë sa më shpejt që është e mundur të gjithë anëtaret e Çekisë ne parlament do të ju votojnë”, ka thënë ai.

    Bislimi kërkon që procesi i dialogut të ndahet nga procesi i integrimit të Kosovës në BE

  • Bislimi kërkon që procesi i dialogut të ndahet nga procesi i integrimit të Kosovës në BE

    Bislimi kërkon që procesi i dialogut të ndahet nga procesi i integrimit të Kosovës në BE

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë thirrje që procesit i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë të ndahet nga procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, raporton Ekonomia Online.

    Ai këto deklarata i bëri në një konferencë të përbashkët me ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak, ku po ashtu potencoi nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës.

    Bislimi theksoi se në procesin e dialogut, Kosova është palë dhe për aq kohë sa mendojnë që në proces diçka nuk ka shkuar sipas dinamikave që janë menduar që janë të rregullta, ai thotë se do të shprehen publikisht për këtë.

    “Kemi ndarë shumë momente historike dhe suksese me qeverinë çeke. Më 15 dhjetor të vitit 2022, kryeministri Kurti në Pragë paraqiti aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Puna jonë me Republikën Çeke ka sjellë rezultate. Për shkak të këtij bashkëpunimi të shkëlqyeshëm ne kemi ngritur bashkëpunimin në nivelin e ambasadorëve me të drejta të plotë. Ne po ashtu kemi biseduar për masat aktuale kundër Kosovës. Pozita jonë është që masat duhet të hiqen, por më e rëndësishme është që procesi i dialogut të ndahet nga procesi i integrimit në BE”.

    “Nuk jemi agjentë të BE-së por përfaqësues të institucioneve të Kosovës. Marrëveshja bazike ka 11 paragrafe, dhe asnjëra nga to nuk e mbizotëron paragrafin tjetër. Aneksi implementues kërkon që të gjitha prej tyre të zbatohen në tërësi, pa shtyrje, pa parakushte. Në këtë kontekst hapi i parë që po punon Kosova është dizajnimi i planit të sekuencimit të zbatimit”, tha ai.

  • Osmani pas takimit me Dvorak: Anëtarësimi i Kosovës në KiE, NATO e BE janë domosdoshmëri

    Osmani pas takimit me Dvorak: Anëtarësimi i Kosovës në KiE, NATO e BE janë domosdoshmëri

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvořák.

    Në fokus të diskutimit ndërmjet Presidentes Osmani dhe ministrit Dvořák, ishte situata aktuale politike dhe e sigurisë, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe stabiliteti rajonal, raporton Ekonomia Online.

    “Presidentja Osmani, nënvizoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës në rrugëtimin euroatlantik, duke theksuar domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim,  përfshirjen në Partneritetin për Paqe, anëtarësimin në NATO, BE dhe organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin zyrtar.

    Tutje, Presidentja Osmani i ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

    Duke nënvizuar vazhdimin e mbështetjes së Republikës Çeke në këtë rrugëtim, thuhet se Presidentja Osmani potencoi rëndësinë strategjike të përfshirjes së Kosovës në PfP, e më pas në NATO, si një garanci për stabilitet jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit.

    Gjatë këtij takimi, presidentja Osmani theksoi se sulmi terrorist dhe agresioni i 24 shtatorit në Banjskë, i mbështetur dhe sponzorizuar nga Serbia ishte përpjekje për ta minuar paqen dhe stabilitetin si dhe nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës.

  • Parlamenti turk miraton anëtarësimin e Suedisë në NATO

    Parlamenti turk miraton anëtarësimin e Suedisë në NATO

    Deputetët turq kanë ratifikuar kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO, duke e bërë edhe më të afërt hyrjen e këtij vendi në aleancë.

    Suedia, bashkë me Finlandën, u kanë dhënë fund disa dekadave neutralitet më 2022, dhe kanë vendosur t’i bashkohen NATO-s, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

    Teksa Finlanda është pranuar, Suedisë i është penguar rruga nga Turqia, e ka pasur disa mospajtime me Suedinë lidhur me atë që e ka konsideruar përkrahje të Stokholmit për separatistët kurdë, duke përmendur pjesëtarë të Partisë Popullore të Kurdistanit (PKK).

    Turqia, bashkë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, e konsiderojnë PKK-në si organizatë terroriste.

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tani pritet ta nënshkruajë legjislacionin për Suedinë brenda ditëve.

    Kjo nënkupton që Hungaria do të jetë anëtarja e vetme e NATO-s, që do të duhet të miratojë kërkesën e Suedisë, ashtu që të finalizohet procesi.

    Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, ka thënë pas votimit në Turqi se vendi i tij tani është një hap afër NATO-s.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka mirëpritur lajmin nga Turqia, duke thënë se pret që edhe Hungaria t’iu japë fund procedurave sa më shpejt që është e mundur.

    Hungaria e ka akuzuar Suedinë se ka qasje armiqësore.

    Në mars të vitit të kaluar, zëdhënësi i Qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, i ka akuzuar zyrtarët në Suedi se po qëndrojnë në fronin e superioritetit moral.

    Kjo pasi Stokholmi e ka akuzuar më parë Qeverinë hungareze se po rrëshqet kundër parimeve demokratike të BE-së.

    Megjithatë, ditëve të fundit ka pasur përparim.

    Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë të martën se e ka ftuar homologun e tij suedez në Budapest, për të biseduar për anëtarësimin e Suedisë në NATO./REL

  • Një tërmet me magnitudë rreth 5.3 ballë ka goditur Kilin verior

    Një tërmet me magnitudë rreth 5.3 ballë ka goditur Kilin verior

    Një tërmet me magnitudë 5.3 goditi rajonin verior të Kilit të Tarapaca me një thellësi 118 kilometra të mërkurën, sipas Qendrës Sizmologjike Euro-Mesdhetare.

    Qendra Kombëtare Sizmologjike e Kilit tha se tërmeti goditi me magnitudë 5.4 ballë dhe ndodhej 37 km në veri-lindje të Calama.

    Shërbimi Hidrografik dhe Oqeanografik i Marinës Kiliane tha se karakteristikat e tërmetit nuk plotësojnë kushtet e nevojshme për të gjeneruar një cunami në bregdetin kilian.

  • Tejkaloi shpejtësinë, Policia gjobit 28-vjeçarin me 300 euro dhe heqje të patentës për 3 muaj

    Tejkaloi shpejtësinë, Policia gjobit 28-vjeçarin me 300 euro dhe heqje të patentës për 3 muaj

    Policia e Kosovës ka njoftuar se me datën 24.01.2024 rreth orës 02:20 në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, saktësisht në fshatin Prelez i Muhaxherëve të Ferizajt kanë ndaluar shoferin A.B (M/K) i moshës 28-vjeçar, i cili me veturë ka bërë tejkalimin e shpejtësisë, ku në zonën e kufizimit 50 km/h ka zhvilluar shpejtësi 162 km/h.

    Ndaj tij policia i shqiptoi një gjobë kundërvajtëse sipas ligjit të komunikacionit rrugor me dënim 300 euro, 3 pikë negative dhe 3 muaj masë mbrojtëse, heqje e patentë shoferit.

    “Me këtë rast, Policia Rajonale në Ferizaj apelon tek shoferët e automjeteve që të respektojnë shpejtësinë dhe shenjat e komunikacionit rrugor. Veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën e tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë”, njofton policia.

    “Për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406”, përfundon komunikata.

  • ShBA-ja i kërkon Kosovës të rishqyrtojë vendimin për dinarin

    ShBA-ja i kërkon Kosovës të rishqyrtojë vendimin për dinarin

    Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e autoriteteve financiare për paratë e gatshme, ku është përmendur edhe dinari serb.

    Ditë më parë, Banka Qendrore e Kosovës, e ka miratuar një rregullore për operacionet me para të gatshme që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e transaksioneve.

    Kjo rregullore parashihet të hyjë në fuqi më 1 shkurt.

    Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

    Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

    Në katër komunat me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – valuta serbe përdoret edhe në objektet tregtare.

    Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se Qeveria e Kosovës duhet të konsultohet me komunitetet e prekura nga ky vendim, t’i adresojë shqetësimet e shprehura prej komunitetit ndërkombëtar, dhe të ofrojë kohë për zbatim të vendimit, për të zbutur ndikimin që mund të ketë ai te banorët për të cilët vlen.

    “Ne jemi të shqetësuar që rregullorja e miratuar më 27 dhjetor, do të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë. Sipas ligjeve të Kosovës, si dhe në bazë të zotimeve që ka marrë Kosova me Planin e Ahtisarit, Serbia ka të drejtë t’iu dërgojë ndihmë financiare pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë”.

    Dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit të parave “Henderson”.

    Në rregulloren e BQK-së është thënë se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë janë e drejtë ekzekutive e saj.

    Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – pati thënë se ky vendim i “regjimit të Albin Kurtit” është “vendim për dëbimin e serbëve nga këto zona pa përdorimin e armëve”.

    Mes tjerash në reagim, Ambasada amerikane ka rikujtuar pse Kosova duhet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    “Asociacioni është mekanizmi primar, përmes së cilit Serbia do të mund të ofronte ndihmë financiare për institucionet dhe individët, nën kornizën ligjore të Kosovës”.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

    Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

    Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.