ATV

Author: G.O.

  • Arrestohet shoferi i cili e goditi për vdekje një këmbësor në Bresje

    Arrestohet shoferi i cili e goditi për vdekje një këmbësor në Bresje

    Është arrestuar shoferi i cili dyshohet se shkaktoi dje aksidentin fatal në hyrje të Fushë Kosovës, ku mbeti i vdekur këmbësori F.A.

    F.A., ishte një i burgosur i cili në kohën e aksidentit tragjik ishte duke punuar jashtë institucionit korrektues.

    Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur në mes dy veturave dhe një këmbësori, i cili ishte i burgosur në Qendrën Korrektuese të Smrekonicës por që i lejohej të punonte gjatë ditës.

    “Si pasojë e aksidentit që ka ndodhur mëngjesin e së martës në Fushë Kosovë, këmbësori nga lëndimet e marra ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa njëri nga vozitësit mashkull kosovar është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Parandalohen tri raste të kontrabandës me mallra në Gjilan, kapen rreth 900 shishe birra

    Parandalohen tri raste të kontrabandës me mallra në Gjilan, kapen rreth 900 shishe birra

    Policia e Kosovës ka arritur që gjatë ditës së sotme të parandalojë tri raste të kontrabandës me mallra në fshatin Pogragjë të Gjilanit.

    Sipas njoftimit të Policisë, Njësia e Task Forcës ka ndalur për kontroll një automjet me targa të Serbisë, ku janë gjetur dhe sekuestruar 287 shishe me birra, të cilat s’kishin dokumentacion përcjellës mbi transportin dhe prejardhjen e tyre.

    “Sot më 30.01.2024, rreth orës 16:35, në kuadër të luftës për parandalim dhe luftim të veprave të kundërligjshme, e në veçanti kontrabandës, në hyrje të fshatit Pogragjë të Gjilanit, ka ndalur për kontroll automjetin Passat me targa të Serbisë, i cili drejtohej nga i dyshuari S.B., (viti i lindjes 1994, mashkull serb kosovar). Në veturë ka qenë edhe një pasagjer tjetër. Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur dhe janë sekuestruar një sasi prej 287 copë shishe me nga 0.5 litra birra, për të cilat i dyshuari nuk kishte poseduar dokumentacion përcjellës mbi transportin dhe prejardhjen e tyre. Dyshohet që birrat janë sjell përmes rrugëve ilegale nga Serbia duke iu shmangur kontrollit doganor”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu në automjetin e dytë që ishte gjithashtu me targa serbe, janë gjetur dhe sekuestruar 297 copë shishe birra.

    “Sot më 30.01.2024 rreth orës 16:35, në hyrje të fshatit Pogragjë të Gjilanit ka ndalur për kontroll automjetin Audi me targa të Serbisë drejtuar nga i dyshuari M.S., (viti I lindjes 1993, mashkull serb kosovar). Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur dhe janë sekuestruar një sasi prej 297 copë shishe me nga 0.5 litra birra për të cilat i dyshuari nuk posedonte dokumentacion përcjellës mbi transportin dhe prejardhjen e tyre dhe dyshohet që birrat janë sjell rrugëve ilegale nga Serbia duke iu shmangur kontrollit doganor”, njoftoi Policia.

    300 shishe birra pa dokumentacion përcjellës mbi transportin dhe prejardhjen e tyre u gjetën edhe në veturën e tretë.

    “Sot më 30.01.2024 rreth orës 16:35, në hyrje të fshatit Pogragjë të Gjilanit ka ndalur për kontroll automjetin e markës Mercedes, me targa të Serbisë, drejtuar nga i dyshuari S.D., (viti i lindjes 1994, mashkull serb kosovar). Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur dhe janë sekuestruar një sasi prej 300 copë shishe me nga 0.5 litra birra të cilat i dyshuari nuk kishte dokumentacion përcjellës mbi transportin dhe prejardhjen e tyre dhe dyshohet që birrat janë sjell rrugëve ilegale nga Serbia duke iu shmangur kontrollit doganor”, thuhet më tej në komunikatën e Policisë.

    Me urdhër të prokurorit, janë iniciuar raste për kontrabandim mallrash, ndërsa malli i sekuestruar së bashku me automjetet i dorëzohen Doganës së Kosovës.

     

  • Musliu: Synojmë zgjerimin e ndriçimit të mençur në Prishtinë, monitorimi do të bëhet nga dhoma e kontrollit

    Musliu: Synojmë zgjerimin e ndriçimit të mençur në Prishtinë, monitorimi do të bëhet nga dhoma e kontrollit

    Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ka thënë për Ekonomia Online se sfidë për drejtorinë e tij ka qenë ndriçimi publik, ndërsa synim e kanë që ta zgjerojnë në gjithë Prishtinën infrastrukturën e ndriçimit të mençur.

    Ndonëse kontratat e mirëmbajtjes i kanë të përfunduar, synojnë që t’i përfundojnë edhe ato për zgjerim.

    “Një prej sfidave kryesore të cilën e kam trashëguar Drejtorinë e Shërbimeve Publike ka qenë ndriçimi publikë për faktin që nuk ka pasur kontrata aktive, as të mirëmbajtjes e as të zgjerimit të ndriçimit publik. E mira është që në kohë rekord kemi arritur me i bë kontratën edhe për mirëmbajtje edhe për zgjerim. Ajo me zgjerim veç ka përfundu faza e parë tani hymë në fazën e dytë ndërsa sa i përket mirëmbajtjes veç e kemi”, u shpreh Musliu.

    Shkaku i vjetërsisë së ndriçimit, prishjet po janë të shpeshta. Për këtë, Musliu ka kërkuar nga qytetarët që t’i raportojnë ato.

    “Nëpër zonat e ndryshme rrugë të ndryshme kemi pasur edhe prishje për faktin se po flasim për një ndriçim që është shumë i vjetër, andaj me këto kontratat e mirëmbajtjes po kujdesimi që në kohë rekord me reagu edhe me bë intervenime të tilla që më qëllim që ndriçimi me qenë në funksional, andaj edhe këtë rast e shfrytëzoj pra me i bë thirrje qytetarëve që rasti ku vërejnë ndonjë prishje apo kanë prishje në lagjen e tyre me njoftu, me e shkru në email, dhe në numrat kujdestar, të cilët i kemi në komunë për arsye se kontratat i kemi aktive dhe mundemi me reagu”, deklaroi Musliu.

    Musliu ka folur edhe për zgjerimin e ndriçimit “smart”, teksa synim thotë se e kanë shtrirjen edhe në lagjet tjera. Ky projekt, thotë Musliu mundëson intervenimin në kohë rekord, me monitorim nga dhoma e kontrollit.

    “E mira është që në këtë vit, vitin 2024 kemi paraparë edhe një projekt me të cilën mendojmë që me  ndryshu komplet rrjetin e ndriçimit në kryeqytet. Pra me pas një ndriçim modern, një ndriçim ‘smart’ e që më pas nuk kemi nevojë me prit thirrje e njoftim të qytetarëve, mirëpo me automatizëm në dhomën e kontrollit na vjen informata që kemi prishje në zonë të caktuar. Shembull flasim rrugën ‘Agim Ramadani’, shtylla pestë krahu djathtë ka problem, ajo është e ndërlidhur edhe me operatorët e mirëmbajtës të cilën edhe ata kanë informata në kohë reale dhe munden menjëherë me dal me reagu”, u shpreh ai.

  • Vjosa Osmani sot bën homazhe pranë shtatores së Zahir Pajazitit

    Vjosa Osmani sot bën homazhe pranë shtatores së Zahir Pajazitit

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot do të bëjë homazhe me rastin e 27-vjetorit të rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

    Ngjarja do të zhvillohet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, duke filluar në orën 10:30.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të dalin përsëri para trupit gjykues në Gjykatën Speciale, ku do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj tyre.

    Seanca e ish-krerëve të UÇK-së pritet të nisë në orën 09:00.

    Dje ka filluar dëshminë dëshmitari i 44-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin 04325.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

    Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

  • Ahmeti: Na duhet pajtimi Kosovë-Serbi për një Ballkan të qetë e në paqe

    Ahmeti: Na duhet pajtimi Kosovë-Serbi për një Ballkan të qetë e në paqe

    Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti ka thënë se pa pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë Ballkan të qetë e në paqe.

    “Që Ballkani të jetë i qetë e në paqe të qëndrueshme janë të interesuar të gjithë partnerët tanë strategjikë, të cilët edhe na kanë ndihmuar që Ballkani të hyjë në rrjedhja të përhershme dhe historike për të instaluar paqe e ardhmëri. Që të mos kemi një Ballkan të qetë, por të trazuar e në flakë është vetëm Kremlini”, ka theksuar Ahmeti në RTK.

    Ai ka thënë se Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s dëshiron të bëhet pjesë e BE-së dhe dëshiron të ketë një Ballkan të pastër. “E për të ardhur deri te Ballkani i pastër na duhet pajtimi. A e dini se si ka filluar procesi i pajtimit ndërmjet Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Iniciativa u mor nga korporatat e qymyrgurit dhe çelikut, këtu filloi por në substancë nuk ishin që të bashkoheshin korporatat, por në substancë ishte pajtimi. Pa pajtim, çdo marrëveshje tjetër që do të bëhet është jo e qëndrueshme, e destinuar për dështim. Shqiptarët dhe serbët duhet të pajtohen, ose të vendosin a do të luftojnë”, ka shtuar Ahmeti.

    Ai ka thënë se shqiptarët duhet të jenë të zgjuar në këtë periudhë dhe t’i besojnë faktorit ndërkombëtar.

    “Ne duhet të jemi aq të zgjuar që t’i japim hapësirë pleqnarit në rastin tonë pleqnarët janë Uashingtoni, Brukseli dhe NATO, sepse SHBA dhe NATO pa vendim të Këshillit të Sigurimit janë rreshtuar në anën tonë dhe e kanë bombarduar Serbinë. Unë asnjëherë nuk jam zhgënjyer për 23 vjet nga fjala e dhënë e Uashingtonit, Brukselit dhe NATO-s dhe ju besoj. A ka dallim nuancash besimi ndërmjet Brukselit dhe Uashingtonit? Sigurisht që ka sepse në Bruksel vendosin 27 vende, e në Uashington vendos Uashingtoni”, ka theksuar Ahmeti.

  • Përfitimet shëndetësore nga konsumimi i ujit të kokosit

    Përfitimet shëndetësore nga konsumimi i ujit të kokosit

    I mbushur me karbohidrate lehtësisht të tretshme në formën e sheqerit dhe elektroliteve, uji i kokosit ofron përfitime për lëkurën, zemrën, flokët, presionin e gjakut dhe tretjen.

    “Uji i kokosit është një pije e shijshme, ushqyese, freskuese dhe natyrale që është jashtëzakonisht e mirë për shëndetin tuaj. Është një pije alternative e mirë në vend të sodës ose pijeve të gazuara. Është një burim i shkëlqyer i vitaminave (A, C) dhe mineraleve ( Ca, K, Mg, Mn), “thotë dietologia, Garima Goyal.

    Goyal gjithashtu shtjellon përfitimet e ujit të kokosit:

    Ndihmon në ruajtjen e shkëlqimit natyral të lëkurës

    Uji i kokosit zvogëlon rrudhat dhe vijat e holla dhe ndihmon në ruajtjen e hidratimit dhe elasticitetit të lëkurës. Pirja e ujit të kokosit çdo ditë jo vetëm që ushqen trupin tuaj me lëndë ushqyese vitale, por gjithashtu mban sëmundjet larg. Ajo funksionon si një ilaç kundër akneve dhe problemeve të tjera të lëkurës gjithashtu.

    Një tonik për flokët

    Nëse jeni të shqetësuar me rënien e flokëve, ndoshta është një ide e mirë të konsumoni ujë kokosi për të nxitur rritjen e qelizave pasi i mban flokët të fortë duke stimuluar lëkurën e kokës.

    Përmirëson tretjen

    Uji i kokosit është natyrisht freskues dhe zvogëlon sasinë e natriumit të pranishëm në trupat tanë që është përgjegjës për fryrjen dhe gazrat. Duke qenë i pasur me fibra, ai gjithashtu i jep një nxitje sistemit tonë tretës.

    4. Forcon kockat

    Uji i kokosit ndihmon në forcimin dhe dendësinë e kockave dhe kështu është i shkëlqyeshëm për të parandaluar shfaqjen e hershme të sëmundjeve si osteoporoza, artriti, osteopenia, etj.

    5. Ul presionin e gjakut

    Konsumimi i ujit të kokosit parandalon mpiksjen e gjakut dhe ndihmon në kontrollin e niveleve të kolesterolit, raporton Hindustantimes.

  • Bajraktari: MD-ja ndryshoi udhëzimin administrativ në 2022-ën, caktoi limite për kompensim të avokatëve për ish-krerët e UÇK-së

    Bajraktari: MD-ja ndryshoi udhëzimin administrativ në 2022-ën, caktoi limite për kompensim të avokatëve për ish-krerët e UÇK-së

    Ish-sekretari i Ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari, tani avokat ka thënë për Ekonomia Online se dikasteri i udhëhequr nga Albulena Haxhiu ka ndryshuar udhëzimin administrativ që cakton limite për kompensim të avokatëve për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

    Gjatë së martës, avokatë kryesor të mbrojtjes së Hashim Thaçit, pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, Gregory Kehoe, Joe Reeder, “Greenberg Legal Associates” dhe anëtarët e kësaj kompanie, kanë kërkuar të tërhiqen në rastin e tij në Gjykatën Speciale në Hagë

    Në kërkesën e tyre ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë thuhet se moskryerja e obligimeve ndaj tyre është arsyeja e kësaj kërkese.

    Avokati Bajraktari ka thënë se ndryshimet janë bërë me rekomandim të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe se limiti më i lartë i lejuar është deri në 110 mijë euro në muaj.

    “Sa i përket ndryshimeve, dua të them se në dhjetor të vitit 2022 është ndryshuar Udhëzimi Administrativ që përcakton çështjen e mbështetjes financiare të personave të akuzuar potencial në kuadër të kësaj, pas një procesi që është bërë vlerësim nga ana e Zyrës Kombëtare të Auditimit, që është konstatuar e nevojshme që të përcaktohen disa pragje dhe në rrjedh të kësaj udhëzimi aktual administrativ, ka përcaktuar që katër lloje përkatësisht katër nivele të kompleksitetit të çështjeve që trajtohen nga ana e dhomave të specializuara, duke filluar nga niveli  më  i lehtë kompleksiteti 1, pastaj është standard kompleksiteti 2, është i vështir kompleksiteti i nivelit 3, dhe është shumë i veshtirë niveli më i lartë më Kompleks në kuadër të cilit natyrisht që hyn edhe ish-krerët e UÇK-së dhe në kuadër të kësaj varësisht prej stadit të procedurës janë ndarë në katër stade”, deklaroi Bajraktari për EO.

    “Procedura paraprake e shqyrtimit gjyqësorë faza e apelit dhe mjeteve të jashtëzakonshme janë përcaktuar edhe limitet brenda secilave që do të mund bëheshin kompensime, dhe kur jemi tek limitet sa i përket shqyrtimit gjyqësorë, për shembull niveli më i lehtë është 50 mijë euro, vlera më e lartë në muaj ndërsa te komplesiteti më i lartë është deri në 110 mijë euro maksimumi që mund të kompensohet një ekip mbrojtës nga ana e personave të cilët po ballafaqohen me drejtësinë në Hagë”, deklaroi tutje ai.

    Ndonëse e konsideron të mangët Ligjin aktual, Bajraktari që dikur ka udhëhequr me Komisionin për shqyrtim dhe vendosje për kërkesat, ka thënë se aspekti financiar nuk duhet të jetë problem. Për këtë, kërkon gatishmëri edhe të Kuvendit.

    “Në bindjen time është relativisht i mangët (Ligji) mirëpo megjithatë ka dhënë një bazë të mirë ligjore për rregullimin e kësaj çështje, dhe në  rrjedhë të kësaj pas një procesi të mirë sfidues, janë miratuar edhe aktet jo ligjore që e rregullojnë këtë çështje. Sa i përket mbrojtjes juridike dhe mbështetjes financiare, unë vlerësoj që aspekti financiar nuk duhet me qenë problem për faktin që është obligim ligjor edhe në vlerë të kësaj edhe ligji përkatës përcakton që në momentin që nuk ka mjete të mjaftueshme buxhetore është Kuvendi i Republikës së Kosovës ai i cili duhet të ndaj mjete për mbulime për shpenzime”, ka thënë ai, teksa e konsideron atë sfiduese atë kohë

    “Sa i përket çështjes të akteve nën ligjore kanë qenë jo pak sfidues vet për faktin që jemi ballafaquar le të themi asaj kohe me mungesë të theksuar të akteve të ngjashme. Edhe në praktikën vendore por edhe vendet e rajonit. Kroacia ka pasur afërsisht një praktik të ngjashme, mirëpo nuk është që kanë ofruar ndonjë gatishmëri për të bashkëpunuar”, u shpreh Bajraktari.

  • “AS” raporton se Modric mund të largohet nga Real Madrid

    “AS” raporton se Modric mund të largohet nga Real Madrid

    Kapiteni i kombëtares kroate, Luka Modric, mund të largohet nga gjiganti spanjoll, Real Madrid, në ditët e fundit të afatit kalimtar të janarit.

    E përditshmja spanjolle AS, në tekstin kushtuar Modricit ka paraqitur të dhëna të caktuara që janë shumë shqetësuese për kroatin, por ajo që pa dyshim tërhoqi gjithë vëmendjen ishte largimi i mundshëm.

    Modric ishte zëvendësues në 17 nga 32 ndeshjet e Real Madridit këtë sezon, gjë që nuk i ka ndodhur kurrë më parë.

    Gazetarët e AS theksojnë se mesfushori me eksperiencë ka rënë në hierarki për sa i përket skuadrës së Carlo Ancelottit, për të cilën ka inat serioz.

    Në ndeshjen e fundit ndaj Las Palmasit, Modric nuk pati mundësi të luajë dhe është veçanërisht i mërzitur që Ancelotti nuk e dërgoi as në ngrohje.

    Kroati dyshohet se është zemëruar me drejtuesit e klubit mbretëror dhe i ka inat që nuk reagojnë ndaj injorimit të Ancelottit, ndaj situata është shumë e tensionuar dhe çdo gjë mund të përshkallëzohet këto ditë.

    Sauditët janë shumë të interesuar për shërbimet e tij, kështu që Modric shumë shpejt mund të kalojë në Al-Hilal, i cili tashmë ka sjellë një seri të tërë yjesh.

  • Kombëtarja e Kosovës pritet të luajë një ndeshje miqësore me Hungarinë

    Kombëtarja e Kosovës pritet të luajë një ndeshje miqësore me Hungarinë

    Kombëtarja e Kosovës pritet që ta zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj një skuadre e cila është pjesë e “EURO 2024”.

    Kundërshtari i “Dardanëve” do të jetë Hungaria, ku edhe njoftimi u bë I ditur nga Federata e Futbollit e kësaj të fundit.

    Përveç Kosovës, në fazën përgatitore Hungaria do të luajë edhe ndaj Turqisë që po ashtu është pjesë e kampionatit evropian, Irlandës dhe Maltës.

    Ende nuk janë bërë të ditura datat se kur do të luhen këto ndeshje.

    Sipas Federatës hungareze, ende nuk janë nënshkruar kontratat për këto lojë, pasi që kanë mbetur të sqarohen edhe disa detaje.

    Por, në njoftim thuhet se sapo kjo të ndodhë, do të bëhet i ditur edhe orari i këtyre lojëve.