ATV

Author: G.O.

  • Shaban Gogaj: Krejt jetën e jepi veç Agonisi me qenë gjallë, kurrgjë s’ka ndodhur me dëshirë dhe vullnetin tim

    Shaban Gogaj: Krejt jetën e jepi veç Agonisi me qenë gjallë, kurrgjë s’ka ndodhur me dëshirë dhe vullnetin tim

    Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Pejë, Shaban Gogaj në mbrojtjen e tij tha se çdo gjë kishte ndodhur pa vullnetin dhe dëshirën e tij, andaj edhe jetën do e jepte që të ishte gjallë Agonis Tetaj.

    Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetajn dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve A.H dhe F.Z., Kurse, Isuf Cacaj akuzohet për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Jam deklaru edhe një herë se krejt jeten e jep veç Agonisi me qenë gjallë, e vërteta qekjo ma ndryshe s’ka qysh me dalë, unë jam qetu s’kam me dalë”, tha Gogaj.

    Ai tha se e vëreta është siç ka deklaruar edhe herën e parë dhe mbetet pranë asaj deklarate, ndërsa shtoi se është penduar tërë jetën për atë që ka ndodhur dhe se atë kohë kishte qenë vetëm 18-vjeçar.

    “Nuk ka ndodhur kurrgjë me dëshirë dhe vullnetin tem, krejt çka ka ndodh, ka ndodh pahiri t’u bo hajgare. Të gjithë familjes Tetaj, bacit Isuf dhe gjithë të tjerëve ju shprehi ngushëllime dhe le ta dinë edhe ata se unë e kam edhe 100 herë ma të ron se ata. Kam jetu, e kam me dek tanahere me Agonisin edhe më vjen keq për gjithçka çka ka ndodh nuk kam bo kurrgjë me dashje”, tha Gogaj në mbrojtjen e tij.

    Ai në fund kërkoi falje dhe tha se është duke e ndarë dhimbjen me të dëmtuarit sikur t’i kishte ndodhur edhe atij e njëjta.

    Pas pyetjeve të mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha, i akuzuari nuk vazhdoi të deklarohet më dhe e shfrytëzoi të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.

    Më pas, meqenëse Gogaj zgjodhi të mbrohet në heshtje e të mos përgjigjet në pyetjet e palëve tjera, atëherë trupi gjykues i kryesuar nga Violeta Husaj-Rugova tha se nuk mund ta detyrojnë atë t’iu përgjigjet palëve tjera dhe konstatoi se mbrojtja e të akuzuarit ka përfunduar.

    Në mungesë të të dëmtuarës Albesa Cacaj dhe me propozim të mbrojtësit të viktimave, Luan Mehmetaj, seanca e sotme është ndërprerë.

    Ndryshe, më 14 tetor 2022, Gjykata Themelore në Pejë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, duke e dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia të Agonis Tetajt.

    Gjykata e Apelit më 23 mars 2023 kishte shqyrtuar ankesat e mbrojtësit të Gogajt, avokatit Besnik Berisha, palës së dëmtuar, avokatit Berat Tmava dhe ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan. Kurse, pas shqyrtimit të ankesave, Apeli më 23 mars 2023 e ka kthyer lëndën në rigjykim.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetajn dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve A.H dhe F.Z. Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, në dyqanin “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armën, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.

  • “Edhe pse psikologu në shkollë thotë mos me konsumu, shumë nxënës nuk dëgjojnë”- I riu flet për përdorimin e cigareve elektronike në shkolla

    “Edhe pse psikologu në shkollë thotë mos me konsumu, shumë nxënës nuk dëgjojnë”- I riu flet për përdorimin e cigareve elektronike në shkolla

    Rrezikshmëria që vjen nga konsumi i cigareve elektronike është i lartë, shumë afër me rrezikun e njëjtë që e përmban cigarja normale. Edhe pse shumë prej konsumueseve kanë menduar dhe janë ndjerë më të sigurt për përdorimin e këtyre cigareve elektronike qofshin me avull, qofshin me lëng, ato po rezultojnë shumë të përafërta.

    Viteve të fundit konsumimi i cigareve elektronike është rritur në vend, e kjo dukuri ka filluar të jetë shqetësuese edhe më shumë për faktin se po përdoret nga të miturit nëpër shkolla.

    Gazetarja e ATV-së ka përgatitur një material, ky qytetarë të shumtë kanë apeluar se përdorimi i tyre duhet të ndalet totalisht.

    Madje, një i ri duke u prononcuar për ATV-në tregoi se si në shkolla, shumë nxënës e konsumojnë cigareN elektronike, pavarësisht këshillimeve që ajo të mos përdoret nga të rinjtë.

    “Unë për vete nuk e pi dhe as nuk rri me shoqni ku konsumohet cigarja, por ka në shkollë shumë nxënës që e pinë edhe gjatë pushimit të shkurtë sidomos, ani pse psikologu thotë që nuk bën me pi, ata prapë nuk dëgjojnë”, tha një i ri për ATV-në.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

     

  • Ministrja Gërvalla takon Ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, diskutojnë për sigurinë në Kosovë

    Ministrja Gërvalla takon Ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, diskutojnë për sigurinë në Kosovë

    Bashkëpunimi mes dy shteteve në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, harmonizimi i politikave të mbrojtjes dhe sigurisë dhe integrimi i Kosovës në NATO, ishin temat kyçe të takimit të punës që sot Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, pati me Ministrin Federal të Mbrojtjes të Gjermanisë,  Boris Pistorious, në prag të vizitës së tij në Republikën e Kosovës.

    Në kuadër të këtij takimi, Ministrja Gërvalla e njoftoi ministrin Pistorius rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon, veprimeve të vazhdueshme kërcënuese të Serbisë dhe nevojën e ndërmarrjes së hapave të shpejtë dhe të vendosur për ruajtjen e paqes së brishtë në rajon.

    Ministrja Gërvalla falënderoi Ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, në veçanti për mbështetjen e madhe që Gjermania i ka dhënë FSK-së në ngritjen e kapaciteteve si dhe kontributin e Gjermanisë të dhënë prej vitesh në kuadër të KFOR-it. Në këtë drejtim Ministrja Gërvalla kërkoi një rritje dhe përforcim të rolit të Gjermanisë në rajon.

    Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit në mes të dy shteteve, duke krijuar mundësi për një të ardhme të sigurtë dhe prosperuese në rajon.

  • Krasniqi bën homazhe te lapidari i Zahir Pajazitit

    Krasniqi bën homazhe te lapidari i Zahir Pajazitit

    Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK), Memli Krasniqi, së bashku me zyrtarë të tjerë të partisë, kanë bërë homazhe tek lapidari i heroit Zahir Pajaziti, në Prishtinë, në 27-vjetorin e rënies së tij, së bashku me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën.

    “Duke e ditur se asgjë ska më shtrenjtë se liria, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha u organizuan kundër pushtuesit dhe robërisë, sepse, ata, lirinë që kishin në zemrat dhe mendjet e tyre, e donin për të gjithë Kosovën”, ka shkruar Krasniqi, në Facebook.

    “Për këtë ideal, ndër pushkët e para të lirisë, dhanë edhe jetën më 31 janar të vitit 1997, duke u shndërruar në shembull dhe frymëzim për gjeneratën e artë të burrave dhe grave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lavdi e përjetshme për heronjtë e Kosovës!”, ka theksuar kreu i PDK-së.

  • Nis takimi me delegacionin serb, diskutohet çështja e të zhdukurve gjatë luftës

    Nis takimi me delegacionin serb, diskutohet çështja e të zhdukurve gjatë luftës

    Në Gjenevë po mbahet takimi i radhës midis Kosovës dhe Serbisë.

    Në këtë takim po diskutohet lidhur me çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Kjo është konfirmuar nga ana e kryetarit të delegacionit të Kosovës, Andin Hoti.

    Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 rreth 13.000 njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800.000 u zhvendosën dhe rreth 1.600 janë të zhdukur.

  • Avokati i Lekajt e quan skandaloz vendimin e Gjykatës, njofton se do e apelojnë

    Avokati i Lekajt e quan skandaloz vendimin e Gjykatës, njofton se do e apelojnë

    Avokati i ish-ministrit Pal Lekaj, Musa Damati, e ka quajtur skandaloz vendimin e Gjykatës Themelore, e cila shpalli aktgjykimin e saj dënues ndaj Lekajt në rastin e njohur si “53 milionëshi”, raporton Ekonomia Online.

    Damati njofton se do të apelojnë këtë vendim në Gjykatën e Shkallës së Dytë.

    “Nuk mund ta konsiderojmë ndryshe veçse skandaloz, bindja jonë është se do të pasoje ndryshime në favorin tonë”, tha Damati.

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të akuzuar në rastin e njohur i “53 milionëshi”, duke i dënuar me 10 vjet e 3 muaj burgim.

    Sipas aktgjykimiti, ish- ministri, Pal Lekaj është dënuar me 3 vite e 8 muaj burgim, këshilltari i tij politik, Eset Berishën është dënuar me mbi 3 vite, sekretari i përgjithshëm, Nebih Shatrin dhe drejtori i prokurimit publik, Besim Tahiri janë dënuar me nga një vit e 8 muaj.

    Afera “53-milionëshi”: Gjykata dënon Pal Lekajn me 3 vjet e 8 muaj burgim

  • Arrestohet një 23-vjeçar në Gjilan, po transportonte rreth 11 kg marihuanë

    Arrestohet një 23-vjeçar në Gjilan, po transportonte rreth 11 kg marihuanë

    Një 23-vjeçar është arrestuar dje në fshatin Llovcë të Gjilanit, pasi i njëjti është kapur me 11 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

    Përmes një komunikate për media, Policia njofton se njësia patrulluese e Policisë Kufitare në Gjilan, kanë vërejtur lëvizje të dyshimta të veturës që po drejtohej nga i dyshuari. I njëjti posa ka vërejtur zyrtarët policorë, ka tentuar të shmanget, me ç’rast ka goditur njërin prej policëve.

    “Policia e Kosovës, konkretisht njësia patrulluese e Policisë Kufitare në Gjilan, në kuadër të luftës për parandalim dhe luftim të veprave të kundërligjshme, më datën 30.01.2024, rreth orës 14:30 gjatë patrullimit rutinë në fshatin Llovcë, kanë vërejtur lëvizje të dyshuara të një veture VË ngjyrë hiri me targa vendore. Vetura me të vërejtur zyrtarët policorë ka tentuar të shmanget, ku gjatë largimit ka goditur njërin prej zyrtarëve policor, duke i shkaktuar lëndime trupore. Nga zyrtarët e njësisë kufitare është arritur të ndalohet vetura, të cilën e ngiste i dyshuari E.A., m/k (viti I lindjes 2001). Gjatë kontrollit në veturë janë gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë të përgjithshme rreth 11 kg“, thuhet në komunikatë.

    Tutje, Policia njoftoi se i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë, teksa është identifikuar edhe një person tjetër i dyshuar, mirëpo i njëjti s’është arrestuar ende.

    Me urdhër të prokurorit, 23-vjeçari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shitja ose shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

  • Kryetari i Bordit të BQK-së për REL-in: Shtyrja e zbatimit të rregullores po diskutohet, pezullimi në asnjë mënyrë

    Kryetari i Bordit të BQK-së për REL-in: Shtyrja e zbatimit të rregullores po diskutohet, pezullimi në asnjë mënyrë

    Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, Bashkim Nurboja, ka thënë se shumë persona nuk e kanë kuptuar mirë rregulloren që pritet të hyjë në fuqi nga nesër, e që me anë të saj ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë.

    Në një intervistë për REL-in, Nurboja ka thënë se kërkesë e ambasadave të QUINT-it ka qenë pezullimi i saj, por sipas tij më pas e kanë kuptuar se rregullorja është në të drejtën e BQK-së dhe kërkesa është ndërruar në shtyrje të zbatimit.

    “Faktikisht, në fillim, është parë se shumë njerëz nuk e kanë kuptuar mirë rregulloren dhe kërkesë e ambasadave të QUINIT-it ka qenë pezullimi i saj. Por, pas informimit të duhur e kanë kuptuar se rregullorja është në të drejtën e BQK-së dhe në të drejtën e rregullimit të institucioneve financiare dhe qarkullimit të parasë. Pasi e kanë pranuar këtë, ka ardhur kërkesa për shtyrjen e zbatimit.

    Në përgjithësi, zbatimin e bëjnë institucionet e drejtësisë, nuk e bën BQK-ja.

    Ne vetëm e kemi obligim ligjor ta rregullojmë sistemin financiar dhe e kemi bërë këtë rregullore si instrument shtesë për rregullimin e një çështjeje që ka mbetur e parregulluar për një kohë shumë të gjatë, e cila është interes shtetëror, e cila ka të bëjë me valutën. Është edhe e drejtë kushtetuese – Neni 11 e përmend që Kosova duhet ta ketë një valutë. Po ashtu, ka të bëjë me qarkullimin e parasë brenda vendit; është shumë me rëndësi për BQK-në që të dijë për qarkullimin e parasë, sepse është në mandatin e saj.

    Kjo rregullore i rregullon këto dhe precizon edhe disa gjëra të ligjit… Tash, institucionet tjera, si Doganat, e fuqizojnë ligjin”, ka thënë Nurboja.

  • Ambasadorja izraelite: Heqja e vizave për Kosovën është hap i rëndësishëm për marrëdhëniet e dy vendeve

    Ambasadorja izraelite: Heqja e vizave për Kosovën është hap i rëndësishëm për marrëdhëniet e dy vendeve

    Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamara Ziv thotë se heqja e vizave për qytetarët nga Kosova është hap i rëndësishëm për të dy vendet. Sipas saj, udhëtimi pa barriera do të mundësojë marrëdhëniet diplomatike, ekonomike e kulturore. Ambasadorja nga Izraeli në intervistën për KosovaPress thekson se kjo tashmë është procedurë e dy ministrive të jashtme, por që pret që shumë shpejt vendimi të hyjë në fuqi. Sa i përket gjendjes pas shpërthimit të luftës në Gaza, diplomatja hebreje thekson se Izraeli është në situatë të vështirë, e që sipas saj fajtor është Hamasi.

    Izraeli hoqi vizat për Kosovën, për çka qytetarëve u mundësohet lëvizja e lirë gjatë udhëtimit në këtë shtet, e për këtë ajo thotë se është hap i rëndësishëm për marrëdhëniet e të dyja vendeve.

    “Mendoj se marrëdhënia midis një vendi bazohet në faktin që njerëzit e secilit vend të takohen me tjetrin lehtësisht dhe sa më shumë që të jetë e mundur. Pra, heqja e nevojës për vizë dhe mundësimi i qytetarëve të Kosovës që të vijnë dhe të vizitojnë lehtësisht Izraelin është një hap shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet që do të mundësojë më shumë shkëmbim ndërmjet njerëzve, turizmit, marrëdhënieve ekonomike, marrëdhënieve kulturore. Çdo lloj shkëmbimi mes popujve të Izraelit dhe Kosovës tani do të bëhet shumë i lehtë”, deklaron ajo për KosovaPress.

    Kurse sa i përket asaj se kur do të fillojë së zbatuari ky vendim, diplomatja hebreje pret se një gjë e tillë të ndodh muajve në vijim.

    “Tani po hyjmë në proces, ka një marrëveshje që duhet të nënshkruhet midis vendeve. Pra, kjo është një çështje ligjore mes dy ministrive të punëve të jashtme. Ata duhet të finalizojnë tekstin e marrëveshjes dhe të vendosin datën në të cilën ajo do të hyjë në fuqi. Besoj se do të ndodhë në muajt e ardhshëm”, shton Ziv për KosovaPress.

    Në tre-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, ambasadorja Ziv foli për raportet me Kosovën dhe vizitat gjatë kësaj kohe. Ajo tha se gjatë 3 viteve prej se kur janë vendosur marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, ka pasuar shumë vizita në të dy shtetet, përfshirë fushat e ekonomisë, kulturës e artit.

    “Në thelb, unë mendoj se ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer. Ne kemi vendosur marrëdhënie diplomatike gati tre vjet më parë. Në shkurt, ne do të festojmë përvjetorin e tretë të marrëdhënieve dhe jam shumë e lumtur që për këtë përvjetor të tretë arritëm në marrëveshjen për të hequr dorë nga nevoja për viza… Kemi pasur shumë vizita dypalëshe të nivelit të lartë në Izrael, në Kosovë, të ministrave të fushave të ndryshme. Kemi pasur disa delegacione ekonomike nga Kosova që kanë vizituar Izraelin. Kemi pasur jo pak shkëmbim kulturor të artistëve nga të dyja palët që kanë ardhur, kanë përformuar, kemi pasur trajnime në fusha të ndryshme. Kështu që unë mendoj se për tre vjet ne kemi bërë vërtet shumë, kemi arritur shumë dhe ne mezi presim të arrijmë shumë më tepër”, thekson ambasadorja e Izraelit në Kosovë.

    Duke folur për gjendjen pas fillimit të luftës në Gaza, ambasadorja izraelite thotë se Kosova po mbështet vendin e saj edhe në situatën e vështirë që po kalon nga viti i kaluar. Ziv tha ushtria e Izraelit ka vendosur t’i kundërpërgjigjet sulmit terrorist të Hamasit të 7 tetorit, ku kishin mbetur të vrarë 1200 persona e mbi 5000 të tjerë të plagosur.

    “Situata aktuale është e vështirë. Siç e dini të gjithë, më 7 tetor, organizata terroriste Hamas filloi një sulm të tmerrshëm terrorist kundër Izraelit. Një sulm në të cilin në një ditë u vranë më shumë se 1200 njerëz, 5000 njerëz u plagosën, 240 njerëz u rrëmbyen dhe u morën peng në Rripin e Gazës, po flasim për foshnjat duke filluar nga nëntë muajsh deri te të moshuarit dhe të mbijetuarit e Holokaustit që janë 85 vjeç, 86 vjeç. Më 27 janar ne përkujtuam Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit dhe fakti që të mbijetuarit e Holokaustit duhej të kalonin këtë tmerr, dhe u rrëmbyen dhe u morën peng në Rripin e Gazës, vuajtën dhe po vuajnë, është i tmerrshëm. Pra, si rezultat i kësaj në fakt shkakton luftën që Hamasi i shpalli Izraelit. Ushtria izraelite është kundërpërgjigjur. Ka qenë vendimi i Qeverisë së Izraelit që të punojë për të çmontuar aftësitë ushtarake të Hamasit dhe për të liruar pengjet tona, me shpresë për të krijuar një situatë në të cilën të gjithë qytetarët izraelitë të zhvendosur, që janë më shumë se 200.000 izraelitë, të cilët janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre si rezultat i kësaj situate, si në Rripin e Gazës ashtu edhe në Veri, i cili kufizohet me Libanin në Hizbullah, të mund të kthehen në shtëpi dhe të jenë të sigurt”, deklaron ajo.

    Teksa shpreson se do të mund të rikthehet qetësia për të jetuar, ajo fajëson Hamasin për luftë. Ziv tha se deri para 7 tetorit, ka pasur afër 18 mijë punëtorë palestinezë që hynin çdo ditë në Izrael e që kontribuonin në ekonominë e Rripit të Gazës.

    “Mendoj se është 100% e qartë se është 100% përgjegjësi e Hamasit. Më duhet të them se para 7 tetorit, Izraeli gabimisht mendoi se ne mund të jetojmë në një lloj situate armëpushimi me Hamasin. Ne kishim 18.000 punëtorë palestinezë që hynin në Izrael çdo ditë, që është një kontribut i jashtëzakonshëm për ekonominë e Rripit të Gazës. Ne ishim të angazhuar në përpjekjet për të avancuar projekte për të përmirësuar ekonominë brenda Rripit të Gazës për mirëqenien e njerëzve atje. Ne po merrnim pacientë për të marrë trajtim mjekësor në Izrael dhe vërtet gabuam plotësisht për qëllimet e tyre dhe shpresojmë të krijojmë një lloj situate të të jetuarit krah për krah në qetësi”, thekson më tej ajo.

    Diplomatja hebreje në intervistën KosovaPress thotë se Hamasi është zotuar ta përsërisë 7 tetorin, për çka shton se bashkëjetesa në paqe është zgjidhja më e mirë.

    “Idealisht, ne do të ishim të lumtur të jetonim në një situatë në të cilën Rripi i Gazës është i çmilitarizuar dhe nuk përbën kërcënim për Izraelin, sepse Hamasi është zotuar të përsërisë 7 tetorin vazhdimisht, kështu që t’u mundësohet atyre çdo lloj aftësie për ta bërë këtë është e pamundur nga këndvështrimi ynë. Por duke supozuar se Hamasi është i çmilitarizuar dhe ka një lloj menaxhimi civil i Rripit të Gazës nga palestinezët që kërkojnë bashkëjetesë, së bashku me komunitetin ndërkombëtar mendoj se do të ishte një zgjidhje e mirë, sepse ne do të donim të bashkëjetojmë krah për krah në paqe pa u kërcënuar asnjëra nga tjetra”, përfundon Ziv.

    Lufta në mes të Izraelit dhe Hamasit ka nisur më 7 tetor 2023 pas sulmeve të grupit Hamasit ku mbetën të vrarë rreth 1 mijë e 300 njerëz ndërsa u morën peng 250 të tjerë. Ndërsa sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, lufta në Rripin e Gazës ka vrarë mbi 26 mijë palestinezë.

  • Vuçiq mban takim urgjent me ministrat serbë për vendimin e BQK-së

    Vuçiq mban takim urgjent me ministrat serbë për vendimin e BQK-së

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mbajtur një takim urgjent me disa ministra të Qeverisë serbe mbrëmjen e së martës, lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që vetëm valuta euro të përdoret në Kosovë për operacione me para të gatshme, raportoi Tanjug.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe shtetet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores së BQK-së, që është paraparë të hyjë në fuqi më 1 shkurt.

    Serbët në Kosovë e kanë kundërshtuar këtë vendim, duke thënë se ai do të pamundësojë që ata të përdorin dinarin serb për të kryer pagesa me para të gatshme.

    Në takimin që u mbajt në Presidencës serbe, Vuçiq dhe ministrat serbë kanë diskutuar për hapat e mëtejmë që do të ndërmarrë Beogradi lidhur me vendimin e BQK-së.

    Më 29 janar, Vuçiq gjatë një takimi në Beograd me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kërkoi anulimin e vendimit të BQK-së.

    Qeveria Kosovës ka argumentuar se vendimi i BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të QUINT-it – Italia, Gjermania, Britania dhe Franca – kanë thënë se ky vendim “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.

    Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Serbisë – ka thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

    Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

    Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

    Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari./REL/