ATV

Author: G.O.

  • Kardiologët këshillojnë njerëzit të gatuajnë më shpesh ushqim në shtëpi

    Kardiologët këshillojnë njerëzit të gatuajnë më shpesh ushqim në shtëpi

    Kardiologët po u bëjnë thirrje njerëzve të gatuajnë më shpesh në shtëpi për të ulur konsumimin e ushqimeve të shumëpërpunuara, të njohura si UPF, të cilat lidhen me rreziqe serioze për shëndetin.

    Sipas një deklarate të re klinike të publikuar nga European Society of Cardiology dhe European Association of Preventive Cardiology, mjekët duhet t’i këshillojnë pacientët të shmangin ushqimin vonë gjatë natës, të përtypin ushqimin më ngadalë dhe të konsumojnë më shumë ushqime të freskëta dhe sa më pak të përpunuara, ka shkruar The Guardian, transmeton Koha.net.

    Ekspertët rekomandojnë gjithashtu konsumimin e jogurtit natyral në vend të atij me shije frutash apo me sheqer, zëvendësimin e pijeve me sheqer me ujë, si dhe leximin e etiketave ushqyese dhe listës së përbërësve para blerjes së produkteve ushqimore.

    Këto këshilla synojnë veçanërisht personat që kanë sëmundje të zemrës ose janë të rrezikuar t’i zhvillojnë ato.

    Sipas të dhënave, rreth 8 milionë persona në Britani jetojnë me sëmundje kardiovaskulare, të cilat shkaktojnë afërsisht 170 mijë vdekje çdo vit.

    Deklarata u bën thirrje kardiologëve që të flasin më shpesh me pacientët për ushqimet e shumëpërpunuara dhe t’i pyesin rregullisht se sa shpesh i konsumojnë ato.

    Ekspertët thonë se mjekët duhet t’i inkurajojnë pacientët të gatuajnë më shpesh në shtëpi, të shmangin konsumimin e ushqimit vonë në mbrëmje, të hanë më ngadalë dhe me kujdes dhe të zgjedhin ushqime me shumë fibra dhe pak të përpunuara.

    Sipas dokumentit, përdorimi i fotografive të ushqimeve të shumëpërpunuara gjatë konsultave mund t’i ndihmojë pacientët t’i identifikojnë më mirë ato, pasi vetëm shpjegimet verbale shpesh nuk mjaftojnë.

    “Mjekët duhet të bëjnë biseda shumë më praktike me pacientët që kanë probleme me zemrën për ushqimin që konsumojnë çdo ditë”, ka thënë Kawther Hashem nga Queen Mary University of London.

    Ajo ka shtuar se njerëzit duhet të reduktojnë ushqime si pijet me sheqer, biskotat, patatinat e shkopinjtë e paketuar, mishrat e përpunuar, ushqimet e gatshme dhe ushqimin e shpejtë, sepse ato përmbajnë sasi të larta kripe, sheqeri dhe yndyrash të pashëndetshme.

    Sipas saj, ulja e konsumit të kripës është e rëndësishme sidomos për personat me probleme të zemrës, pasi kripa rrit tensionin e gjakut, një nga faktorët kryesorë të sëmundjeve të zemrës, sulmit në tru dhe sëmundjeve të veshkave.

    “Reduktimi i ushqimeve dhe pijeve me sheqer ndihmon gjithashtu në uljen e kalorive të tepërta, shtimit në peshë dhe rrezikut për diabet të tipit 2”, ka thënë ajo.

    Një nga autoret e studimit, Luigina Guasti, ka thënë se njerëzit që gatuajnë më shpesh në shtëpi zakonisht kanë dietë më të shëndetshme dhe konsumojnë më pak ushqime të shumëpërpunuara.

    “Edhe ndryshimet e vogla dhe graduale në gatimin në shtëpi mund të përmirësojnë shëndetin me kalimin e kohës”, ka thënë ajo.

    Studimi konfirmon se konsumimi i shpeshtë i ushqimeve të shumëpërpunuara rrit rrezikun për obezitet, diabet, tension të lartë të gjakut, sëmundje kronike të veshkave dhe vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare.

    Ndërkohë, Tracy Parker nga British Heart Foundation ka thënë se individët nuk mund ta zgjidhin të vetëm këtë problem dhe se qeveritë duhet të bëjnë më shumë për të krijuar një ambient ushqimor më të shëndetshëm për qytetarët.

  • Muric vendos për të ardhmen: Largohet nga Sassuolo në fund të sezonit

    Muric vendos për të ardhmen: Largohet nga Sassuolo në fund të sezonit

    Portieri i Kosovës, Arijanet Muric, duket se do të rikthehet te Ipswich Town pas përfundimit të aventurës së tij te Sassuolo në Serie A.

    Gardiani kosovar iu bashkua skuadrës italiane verën e kaluar në formë huazimi, ndërsa marrëveshja përfshinte edhe mundësinë e blerjes për shumën prej 10 milionë eurosh në fund të sezonit.

    Gjatë kohës së kaluar në Itali, Muric pati disa paraqitje të mira, ku spikati sidomos në sfidën ndaj Juventus, e mbyllur 1:1, në të cilën ai ndali një penallti në minutat e fundit të takimit.

    Deri tani, 27-vjeçari ka zhvilluar 32 ndeshje me Sassuolon dhe në gjashtë prej tyre ka arritur ta mbajë portën të paprekur.

    Megjithatë, portieri ka bërë të ditur se nuk planifikon të vazhdojë me klubin italian pas përfundimit të kampionatit, ku Sassuolo ka edhe dy ndeshje ndaj Lecce dhe Parma.

    Muric kishte mbetur jashtë formacionit për tri takime me radhë, por u rikthye në portë në sfidën kundër Torino javën e kaluar.

    “Jam mirënjohës për këtë sezon, por nuk kam ndërmend të luaj për Sassuolon sezonin e ardhshëm. Me përfundimin e huazimit, përfundon edhe koha ime këtu”.

    “Ishte një vit pozitiv dhe e shijova, por e kam njoftuar klubin se nuk dua të qëndroj këtu pas këtij sezoni, për arsye personale”, ka thënë portieri kosovar për Gianluca Di Marzio.

    Sipas raportimeve, Muric mund të largohet edhe nga Ipswich gjatë afatit veror, ndërsa më herët ishte përmendur interesimi i Juventusit për shërbimet e tij.

  • Papa Leo XIV dekoron ambasadorin iranian në Vatikan me një nga nderimet më të larta papnore

    Papa Leo XIV dekoron ambasadorin iranian në Vatikan me një nga nderimet më të larta papnore

    Papa Leo i XIV i ka akorduar Mohammad Hossein Mokhtarit, ambasadorit të Iranit pranë Selisë së Shenjtë, dekoratën kalorësiake “Kryqi i Madh i Urdhrit Papnor të Piut IX”, sipas certifikatës së datës 8 maj.

    Bëhet fjalë për një nga nivelet më të larta të një prej dekoratave më të larta aktive papnore, e cila është themeluar në vitin 1847 nga Papa Piu IX dhe sot u jepet kryesisht diplomatëve të lartë dhe krerëve të shteteve.

    Në tekst theksohet se një çmim i tillë nuk është i pazakontë, pasi sipas praktikës së Vatikanit, ambasadorëve rezidentë pranë Selisë së Shenjtë shpesh u jepet pas rreth dy vitesh shërbimi.

    Mokhtari i kishte dorëzuar letrat kredenciale Papa Françeskut në dhjetor të vitit 2023, ndërsa certifikata e 8 majit është nënshkruar nga kardinali Pietro Parolin, sekretari i shtetit i Vatikanit.

    Mediat shtetërore iraniane, përfshirë PressTV dhe West Asia News Agency, këtë veprim nuk e paraqesin si një vlerësim rutinë diplomatik, por si një sinjal politik nga papa amerikan për presidentin amerikan, Donal Trump në kohë lufte dhe tensionesh mes Uashingtonit dhe Teheranit.

    Autori thekson se disa konservatorë amerikanë e kanë kritikuar vendimin në rrjetet sociale. Në të njëjtën kohë, përmendet se Trump më herët ka ashpërsuar retorikën ndaj Iranit, duke e vlerësuar armëpushimin me këtë vend si të paqëndrueshëm dhe duke lënë të hapur mundësinë e veprimeve të reja ushtarake.

    Në tekst gjithashtu theksohet se Vatikani nuk po jep mbështetje politike apo morale për Republikën Islamike. Papa Leoni i XIV më herët ka dënuar vrasjen e protestuesve në Iran dhe ka deklaruar: “Kur një regjim, kur një vend, merr vendime që u marrin jetën padrejtësisht njerëzve, atëherë kjo është diçka që duhet dënuar”.

    Sipas të njëjtit burim, diplomacia e Vatikanit e interpreton këtë dekoratë si pjesë të gjuhës së dialogut dhe ruajtjes së kanaleve të hapura të komunikimit, dhe jo si miratim të politikave të Teheranit. /Telegrafi/

  • Ukraina rifillon sulmet me dronë ndaj rafinerive dhe porteve ruse të naftës

    Ukraina rifillon sulmet me dronë ndaj rafinerive dhe porteve ruse të naftës

    Ukraina ka rifilluar sulmet me dronë ndaj rafinerive dhe porteve të naftës në Rusi të mërkurën, dy ditë pasi ka skaduar armëpushimi tre-ditor i propozuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

    Kievi ka synuar infrastrukturën ruse të naftës me qëllim të uljes së të ardhurave të Moskës nga sektori i energjisë dhe dëmtimit të kapaciteteve të saj ushtarake, ndërsa lufta katërvjeçare vazhdon.

    Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka bërë të ditur të mërkurën se 286 dronë ukrainas janë kapur dhe shkatërruar mbi rajonet ruse gjatë natës.

    Në rajonin jugor të Krasnodarit, fragmente të një droni kanë rënë pranë një objekti industrial, duke shkaktuar zjarr në fshatin Volna, ku ndodhen produktet e naftës të portit Taman dhe terminale të tjera, kanë bërë të ditur autoritetet rajonale.

    Ndërkohë, mbetjet nga një sulm tjetër me dron ukrainas kanë shkaktuar zjarr në një fabrikë përpunimi gazi, e cila prodhon edhe karburant, në rajonin jugor të Astrakhanit në Rusi, sipas autoriteteve lokale.

    “Të gjithë avionët armik u rrëzuan ose u neutralizuan nga sistemet e luftës elektronike”, ka shkruar në Telegram guvernatori lokal, Igor Babushkin.

    Fabrika ndodhet pranë Detit Kaspik, rreth 1,675 kilometra nga kufiri ukrainas.

  • Zgjedhjet e 7 qershorit, publikohet lista e PDK-së

    Zgjedhjet e 7 qershorit, publikohet lista e PDK-së

    Partia Demokratike e Kosovës ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë me të cilën do të garojë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

    Kandidati për kryeministër, Bedri Hamza ka thënë se lista e partisë ku ai e udhëheq, është e përbërë me profesionistë të dëshmuar në punë, në angazhim publik dhe në shërbim ndaj qytetarëve.

    Përveç listës, Hamza tha se në ditët në vijim PDK do ta prezantojë edhe programin më serioz dhe më të përgjegjshëm për shtetin dhe qytetarët.

    “Kjo është lista jonë. Profesionistë të dëshmuar në punë, në angazhim publik dhe në shërbim ndaj qytetarëve.

    Në këtë listë ka energji të re, por edhe përvojë. Njerëz që besojnë se Kosova meriton më shumë dhe më mirë. Mbi 50% e listës së kandidatëve janë prurje të reja, si pjesë e përkushtimit të PDK-së për t’u dhënë hapësirë kuadrove të rinj.

    Përveç listës, në ditët në vijim PDK do ta prezantojë edhe programin më serioz dhe më të përgjegjshëm për shtetin dhe qytetarët.

    Më 7 qershor, ju do ta keni edhe një mundësi për të vendosur për të ardhmen e vendit, ndërsa thirrja ime është e përzemërt: Besoni në Kosovë!”, ka shkruar Hamza në Facebook.

  • Uria në mes të natës, arsyet pse ndodh

    Uria në mes të natës, arsyet pse ndodh

    Urisë nuk i shpëton dot, pavarësisht vetëkontrollit apo regjimeve strikte. Por, ushqyerja në orët e vona sipas ekspertëve është një nga faktorët që nxit edhe shtimin në peshë.

    Arsyet përse uria bëhet më e fortë gjatë natës janë të ndryshme.

    Nivelet e sheqerit në gjak

    Ekspertët shpjegojnë se luhatja e menjëhershme e niveleve të sheqerit në gjak është e dëmshme. Ato duhet të jenë të qëndrueshme sa më gjatë që të jetë e mundur. Luhatja e niveleve të sheqerit në gjak nxitet më së shumti nga konsumi i karbohidrateve të thjeshta siç është mielli i bardhë dhe sheqeri.

    Në reagim të tyre, trupi prodhon insulinë të shpejtë që të përpunojë sheqerin. Kur niveli i glukozës në gjak është i ulët, njeriu ndihet i acaruar dhe në ankth.

    Rrahjet e zemrës janë të çrregullta dhe uria është e madhe. Nivelet e ulëta të glukozës gjatë natës mund të ndikohen edhe nga aktiviteti i tepruar fizik gjatë ditës.

    Ushqyerja e çrregullt

    Nëse i përmbaheni orareve të rregullta të ngrënies gjatë ditës, do të jeni më pak të uritur gjatë natës. Ekspertët këshillojnë që ta nisni ditën me një mëngjes të bollshëm, fruta në mes vakteve, dhe në darkë të konsumoni një vakt modest.

    Dy orë përpara gjumit mund të konsumoni disa feta molle ose karrote. Kësisoj, nuk do të zgjoheni gjatë natës të uritur.

    Kequshqyerja

    Ushqyerja e keqe është shkaktar i urisë në orët e vona. Nëse gjatë ditës nuk konsumoni fibër, proteinë apo yndyrna të shëndetshme, niveli i sheqerit në gjak do të bjerë dhe gjatë natës do të jeni të uritur.

    Luhatjet e humorit

    Uria dhe ndjesia e ngopjes rregullohen falë disa hormoneve të ndryshme, ekuilibrat e të cilave prishen si pasojë e disa problemeve psikologjike. Këto probleme më pas nxisin nevojën e paarsyeshme për sheqer, yndyrna dhe kripë.

    Këtu përfshihet: stresi, mungesa e gjumit e të tjerë. Uria e tepruar mund të shkaktohet edhe nga ankthi, depresioni apo frustrimi.

    Sindroma e ushqyerjes gjatë natës

    Kjo sindromë ka të bëjë me nivelet e ulëta të urisë gjatë mëngjesit dhe tepër të larta në mbrëmje. Ajo shoqërohet edhe me vështirësi në fjetje sepse ushqyerja e rëndë gjatë natës prish gjumin.

    Ky problem më pas pason tek mbipesha dhe simptomat bëhen më të ashpra. Nëse ju merr shpesh uria gjatë natës, duhet patjetër të ndryshoni regjimin e ushqimit gjatë ditës, pasi dëmtoni shëndetin tuaj.

  • Hantavirusi, Macron thotë se situata është ‘nën kontroll’ në Francë dhe bën thirrje për koordinim evropian

    Hantavirusi, Macron thotë se situata është ‘nën kontroll’ në Francë dhe bën thirrje për koordinim evropian

    Presidenti francez Emmanuel Macron tha të martën se situata në lidhje me hantavirusin është “nën kontroll” në Francë, dhe bëri thirrje për një koordinim të fortë evropian në një përpjekje për të përmbajtur virusin.

    “Qeveria ka marrë vendimet e duhura. Situata është nën kontroll nën autoritetin e saj, falë punonjësve tanë të kujdesit shëndetësor”, tha Macron gjatë një konference për shtyp në Nairobi në mbyllje të samitit Africa Forward.

    Parisi – së bashku me Madridin dhe disa vende të tjera – kishte vënë në vend “një nga protokollet më të rrepta”, bazuar në rekomandimet e ekspertëve dhe përvojën e kaluar, pohoi kreu i shtetit francez, transmeton Telegrafi.

    “Tani, është e rëndësishme të ketë një koordinim të vërtetë evropian, që do të thotë se protokollet duhet të lëvizin drejt standardeve më të kërkuara që janë përcaktuar në një afat shumë të shkurtër dhe se Organizata Botërore e Shëndetësisë duhet të jetë në gjendje të koordinojë të gjitha këto siç duhet në fazat e ardhshme”, shtoi ai.

    Duke folur në Asamblenë Kombëtare të martën, Ministrja e Shëndetësisë e Francës, Stéphanie Rist tha se nuk kishte “asnjë provë” të qarkullimit të gjerë të llojit të Andeve të hantavirusit në territorin kombëtar dhe se zyrtarët ishin relativisht të sigurt se virusi nuk kishte pësuar mutacion.

    Të gjitha rastet pozitive të identifikuara deri më tani kanë qenë ekskluzivisht pasagjerë të anijes turistike, shtoi Rist.

    Në Francë, të 22 rastet e kontaktit janë kontaktuar, testuar, shtruar në spital ose janë “në proces” të shtrimit në spital, sipas qeverisë.

    Megjithatë, një grua franceze e infektuar në shpërthimin vdekjeprurës të hantavirusit në anijen turistike, mbetet në gjendje kritike dhe po trajtohet në Paris me një mushkëri artificiale.

    Gruaja ka një formë të rëndë të sëmundjes që shkaktoi probleme kërcënuese për jetën në mushkëri dhe në zemër, tha Dr. Xavier Lescure, një specialist i sëmundjeve infektive në spitalin Bichat.

    Pacientja është në një pajisje mbështetëse për jetën që pompon gjak përmes një mushkërie artificiale, duke i siguruar asaj oksigjen dhe duke e kthyer atë në trup, shtoi Lescure.

    “Situata është mjaft e pazakontë dhe e pashembullt”, vërejti epidemiologu Antoine Flahault, “prandaj autoritetet shëndetësore po marrin masa shumë të forta” përballë pasigurisë që rrethon virusin.

    Në të kaluarën, disa viruse janë përhapur nga vende shumë të largëta ku ka infrastrukturë të kufizuar të mbikëqyrjes shëndetësore, në vend që të përhapen nga një “anije që transporton 147 persona”, ku autoritetet mund të identifikojnë rastet pozitive dhe të gjurmojnë kontaktet në mënyrë efektive.

    Epidemiologu e karakterizoi virusin si një “sëmundje tropikale të lënë pas dore”. /Telegrafi/

  • 917 kandidatë për deputetë, Elezi: 23 subjekte politike dorëzuan listat, 4 parti jo

    917 kandidatë për deputetë, Elezi: 23 subjekte politike dorëzuan listat, 4 parti jo

    KQZ-ja ka pranuar listat me 917 kandidatë për deputetë nga 23 subjekte politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, ndërsa katër parti politike që kishin njoftuar pjesëmarrjen nuk kanë dorëzuar listat e kandidatëve, raporton Ekonomia Online.

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha për Ekonomia Online se më 12 maj është përmbyllur afati për dorëzimin online të listave të kandidatëve për deputetë nga subjektet politike që synojnë certifikimin për pjesëmarrje në zgjedhje.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se më 12 maj 2026 është përmbyllur afati për subjektet politike për të dorëzuar online listën me emrat e kandidatëve për deputetë për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

    Elezi bëri të ditur se gjatë periudhës 2-12 maj, KQZ-ja ka pranuar listat nga 23 subjekte politike.

    “Gjatë periudhës 11-ditore (2 maj – 12 maj 2026) KQZ ka pranuar listat e kandidatëve për deputetë nga: 23 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. 4 parti politike, të cilat më herët kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje, nuk kanë dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë”, tha ai.

    Sipas tij, numri total i kandidatëve të propozuar është 917, prej tyre 603 burra dhe 314 gra, ndërsa procesi i certifikimit pritet të përfundojë deri më 15 maj.

    “Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto 23 subjekte politike, është 917, prej të cilëve 603 burra dhe 314 gra. Sipas planit të miratuar më herët nga KQZ, procesi i certifikimit të kandidatëve për deputetë, pritet të përmbyllet deri më 15 maj, por paraprakisht, do të shqyrtohet nëse kandidatët përmbushin detyrimet”, tha ai.

    Në kuadër të përmbushjes së obligimeve ligjore që kanë të bëjnë me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për certifikim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do t’u dërgojë institucioneve relevante kërkesat për verifikim, së bashku me listën e kandidatëve që synojnë të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të vlerësimit nëse ata janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

  • Mbretëria e Bashkuar premton avionë, dronë dhe anije për misionin në Ngushticën e Hormuzit

    Mbretëria e Bashkuar premton avionë, dronë dhe anije për misionin në Ngushticën e Hormuzit

    Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do të kontribuojë me dronë, aeroplanë luftarakë dhe një anije luftarake në një mision të përbashkët që synon mbrojtjen e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit.

    Ministri i Mbrojtjes, John Healey, ka bërë të ditur paketën e re të masave gjatë një samiti virtual të ministrave të mbrojtjes të martën.

    Ajo përfshin sisteme autonome për zbulimin dhe pastrimin e minave detare, anije me dronë dhe aeroplanë Typhoon për patrullime ajrore.

    Më shumë se 40 vende të tjera janë të përfshira në mision, i cili, sipas Healey, do të fillojë kur të krijohen kushtet.

    Për muaj të tërë, Irani ka kontrolluar Ngushticën e Hormuzit, një nga kanalet më të ngarkuara të transportit të naftës në botë, në hakmarrje për sulmet e SHBA-së dhe Izraelit.

    SHBA-të, nga ana e tyre, kanë zbatuar një bllokadë të porteve iraniane për të ushtruar presion mbi Teheranin që të pranojë kushtet e tyre, një veprim që ka zemëruar Iranin.

    Rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë kalon përmes kësaj rruge ujore, bllokimi i së cilës ka ndikuar në rritjen e çmimeve globale.

    Një armëpushim mes SHBA-së dhe Iranit është në fuqi që nga prilli, por presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se ai është në “mbështetje masive të jetës”.

    Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për nisjen e sulmeve në ngushticë.

    SHBA-ja ka përdorur armë në vlerë prej 24 miliardë dollarësh në luftën me Iranin.

    Më shumë se 1,000 personel britanik janë vendosur tashmë në rajon si pjesë e operacioneve ekzistuese mbrojtëse, përfshirë ekipe kundër dronëve dhe skuadrilje aeroplanësh të shpejtë, ka bërë të ditur ministria.

    Ministria e Mbrojtjes ka thënë se misioni shumëkombësh, i cili u njoftua muajin e kaluar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, është rreptësisht mbrojtës dhe synon të rivendosë besimin për anijet tregtare përgjatë Ngushticës së Hormuzit.

    Ajo ka bërë të ditur se kontributi mbështetet nga 115 milionë funte fonde të reja për dronë gjuetie minash dhe sisteme kundër dronëve.

    “Me aleatët tanë, ky mision shumëkombësh do të jetë mbrojtës, i pavarur dhe i besueshëm”, ka thënë Healey në një deklaratë.

    Sipas planit, HMS Dragon, shkatërruesi i mbrojtjes ajrore që është tashmë në rrugën e tij drejt Lindjes së Mesme, gjithashtu do të “jetë gati për çdo mision” për të siguruar ngushticën, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes.

    Ajo shton se një anije tjetër britanike, RFA Lyme Bay, po pajiset me pajisje të reja në rast se kërkohet për operacionet në ngushticë.

    Njoftimi vjen ndërsa Healey i ofroi mbështetje Keir Starmer, në një kohë kur dhjetëra deputetë laburistë i kanë bërë thirrje kryeministrit të japë dorëheqjen.

  • Peter Magyar refuzon të jetojë në rezidencën qeveritare dhe nuk do të përdor automjetet qeveritare

    Peter Magyar refuzon të jetojë në rezidencën qeveritare dhe nuk do të përdor automjetet qeveritare

    Peter Magyar, kryeministri i ri i Hungarisë, bëri të ditur se do të përdorë si automjet qeveritar një “Skoda Superb” ngjyrë blu, me të cilën ka udhëtuar edhe gjatë fushatës elektorale.

    Kreu i ri i qeverisë hungareze deklaroi gjithashtu se nuk do të zhvendoset për të jetuar në rezidencën qeveritare, duke preferuar të vijojë jetën në banesën e tij në zonën e Budës, së bashku me fëmijët.

    Magyar është baba i tre djemve dhe, sipas mediave hungareze, ka zgjedhur të ruajë një stil jetese më pranë qytetarëve edhe pas marrjes së detyrës si kryeministër.