ATV

Author: G.O.

  • Zhduket një vajzë e mitur në Fushë Kosovë

    Zhduket një vajzë e mitur në Fushë Kosovë

    Një person ka raportuar në polici zhdukjen e vajzës së tij të mitur në Fushë Kosovë.

    Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar dje, ndërsa bëhet e ditur se e mitura ishte larguar nga shtëpia një ditë më parë, më 12 maj, rreth orës 19:21, në rrugën “Bedri Pejani” në Fushë Kosovë.

    Ankuesi, mashkull kosovar, ka deklaruar se familja nuk ka njohuri për vendndodhjen e vajzës së tij.

    Policia ka iniciuar rastin dhe po vazhdon hetimet për gjetjen e të miturës.

    “Rr. Bedri Pejani, Fushë Kosovë 12.05.2026-19:21. Me 13.05.2026 një mashkull kosovar, ka raportuar se vajza e tij e mitur është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vend ndodhjen e saj. Rasti në procedurë hetimore”.

  • Arrestohen dy të mitur në Gjakovë, u kapen duke vjedhur

    Arrestohen dy të mitur në Gjakovë, u kapen duke vjedhur

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy të mitur në Gjakovë, pasi që të njëjti janë kapur në flagrancë duke vjedhur.

    Sipas Policisë, gjatë kontrollit tek i dyshuari është gjetur dhe sekuestruar një thikë.

    Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Njoftimi i plotë:

    Rr. UÇK, Gjakovë  13.05.2026 – 13:40. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë (të mitur) për arsye se të njëjtit janë kapur në flagrancë duke vjedhur. Gjatë kontrollit tek i dyshuari është gjetur dhe sekuestruar një thikë. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

  • Arrestohet zyrtari i pyjeve në Kamenicë, legalizoi transport ilegal të druve

    Arrestohet zyrtari i pyjeve në Kamenicë, legalizoi transport ilegal të druve

    Një person është arrestuar në fshatin Shahiq të komunës së Kamenicës, nën dyshimin për përfshirje në rastin e “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” të mërkurën.

    Policia gjatë patrullimit kanë ndaluar një kamion të drejtuar nga një mashkull kosovar, i cili ishte i ngarkuar me dru. Dyshohet se drutë po transportoheshin ilegalisht nga territori i Serbisë drejt Republikës së Kosovës.

    Gjatë verifikimit e dokumentacionit  përcjellës, dyshohet se zyrtari i Agjencisë së Pyjeve në mënyrë të kundërligjshme ka bërë damkosjen e druve dhe lëshimin e fletë përcjelljes.

    Me vendim të prokurorit drutë i janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

    Njoftimi i plotë:

    “KEQPËRDORIM I POZITËS APO AUTORITETIT ZYRTAR

    Fsh.  Shahiq, Kamenicë 13.05.2026-NN. Policia gjatë patrullimit kanë ndaluar kamionin drejtuar nga një mashkull kosovar, të ngarkuara  me dru-dyshohet se transportonte nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës. Gjatë verifikimit e dokumentacionit  përcjellës, dyshohet se zyrtari i Agjencisë së Pyjeve në mënyrë të kundërligjshme ka bërë damkosjen e druve dhe lëshimin e  fletë përcjelljes. Me vendim të prokurorit drutë i janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

  • ASK: Çmimet në Kosovë u rritën për 7.5% krahasuar me prillin e vitit të kaluar

    ASK: Çmimet në Kosovë u rritën për 7.5% krahasuar me prillin e vitit të kaluar

    Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK] ka njoftuar se shkalla e rritjes së çmimeve të konsumit në muajin prill 2026 ishte mesatarisht 7,5 % më e lartë krahasuar me muajin prill 2025. Ndërkohë, inflacioni mujor ishte 1,1 % në muajin prill 2026.

    Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur me 7,5 % në muajin prill 2026, krahasuar me muajin prill 2025.

    Kontribuuesit kryesor në ketë rritje janë transporti, strehimi, rryma, gazi dhe lëndët djegëse

    “Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të ndikuara te grupet kryesore të COICOP-it: transport (16,1 %); strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (15,2 %); restorante dhe shërbime akomodimi (5,8 %); ushqim dhe pije joalkoolike (5,6 %); pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (5,1 %); shëndetësi (4,7 %); kujdes personal, mbrojtje sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3,6 %); mobile dhe pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore (3,1 %); rekreacion, sport dhe kulturë (3,0 %); dhe veshje dhe këpucë (2,3 %)”-tregon ASK.

    Ndërkohë, rënie e çmimeve është regjistruar në grupin e informacionit dhe komunikimit (-0,2 %) dhe të arsimit -0,6 %.

    Në anën tjetër, në krahasim me muajin paraprak [mars 2026] rritja ishte mbi 1%,

    “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur për 1,1% në muajin prill 2026, krahasuar me muajin mars 2026. Rritja është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it: transport (4,9 %); pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (1,2 %); rekreacion, sport dhe kulturë (0,4 %); mobilje dhe pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore (0,3 %); ushqim dhe pije joalkoolike (0,1 %);  dhe veshje dhe këpucë (0,1 %)”-tregon ASK.

    Ndërkohë, rënie e çmimeve është regjistruar te grupi i kujdesit personal, mbrojtjes sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme -0,2 %.

    Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK]
    Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK]

    Këto të dhëna u bën të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me rastin e publikimit të “Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin prill 2026”.

  • Trump mbërrin në Pekin për takimin me Xi Jinping

    Trump mbërrin në Pekin për takimin me Xi Jinping

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbërritur në Pekin të Kinës, ku do të zhvillojë bisedime me homologun e tij kinez, Xi Jinping, gjatë dy ditëve të ardhshme.

    Ai mbërriti i shoqëruar nga një bandë frymore që luante dhe flamuj që valëviteshin duke performuar një rutinë, ndërsa brohoriste “mirë se vini, mirë se vini, një mirëseardhje të ngrohtë” ndërsa hipte në automjetin e tij presidencial, shkruan BBC.

    Grupi i Trump përfshin drejtorë ekzekutivë të teknologjisë, përfshirë shefin e Tesla-s, Elon Musk, i cili u pa në pistë.

  • Aktakuzë ndaj një personi dhe një kompanie në Dragash, ngarkohen se dërguan aparate të vjetra të fotokopjimit në shkolla në vend të pajisjeve të reja

    Aktakuzë ndaj një personi dhe një kompanie në Dragash, ngarkohen se dërguan aparate të vjetra të fotokopjimit në shkolla në vend të pajisjeve të reja

    Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.P., dhe personit juridik “B. Sh.P.K.”, të cilët ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”.

    B.P., ngarkohet se si person i autorizuar i operatorit ekonomik, ka shkelur rregullat e prokurimit në kontratën publike me titull “Furnizimi me gjashtëmbëdhjetë copë aparate fotokopjuese për shkolla KK Dragash”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Sipas aktakuzës, me datë 22.12.2023 në Dragash, i pandehuri B.P., në cilësinë e personit të autorizuar të operatorit ekonomik “B. Sh.P.K.”, dyshohet se me qëllim ka shkelur rregullat e prokurimit publik duke mos i zbatuar detyrimet që rrjedhin nga kontrata publike me titull “Furnizimi me gjashtëmbëdhjetë copë aparate fotokopjuese për shkolla KK Dragash”, thuhet në njoftim.

    Sipas Prokurorisë, në vend të dorëzimit të 16 aparateve të reja të fotokopjimit sikurse ishte paraparë me kontratë, janë dorëzuar 16 aparate të ri-fabrikuara.

    “Gjatë realizimit të kontratës, në vend të dorëzimit të 16 aparateve të reja të fotokopjimit, siç ishte paraparë me kontratë, janë dorëzuar 16 aparate të ri-fabrikuara, përkatësisht aparate të vjetra të servisuara në të cilat janë vendosur pajisje të reja shpenzuese. Me këto veprime, Komunës së Dragashit i është shkaktuar dëm ekonomik dhe buxhetor, pasi pajisjet e ri-fabrikuara kanë qëndrueshmëri më të ulët përdorimi, kërkojnë më shumë mirëmbajtje dhe mund të krijojnë kosto shtesë krahasuar me pajisjet e reja”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj personit juridik “B. Sh.P.K.”, si operator ekonomik fitues i kontratës së lartcekur.

    Me veprimet e tyre, B.P., dhe operatori ekonomik ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik” nga neni 415, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    “Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

  • Gucati: Ballkani mund të destabilizohet nëse dënohen ish-krerët e UÇK-së

    Gucati: Ballkani mund të destabilizohet nëse dënohen ish-krerët e UÇK-së

    Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se nuk beson që ish-krerët e UÇK-së do të dënohen nga Gjykata Speciale, duke thënë se një vendim i tillë mund të sjellë destabilizim në Kosovë dhe në Ballkan, raporton Ekonomia Online.

    Pas një takimi që zhvilloj me prefektin e Tiranës, Gucati tha se ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së nuk ka bazë materiale për dënim dhe se, sipas tij, përgjegjësia për krimet gjatë luftës bie mbi forcat serbe.

    “Nuk ka bazë materiale dënimi i tyre. 10 milionë shqiptarë, unë jam i bindur që Evropa nuk dëshiron të ketë trazira në Ballkan, sidomos në këtë vend, nëse dënohen. Edhe nuk e besoj atë fare që do dënohen ata, por nuk e besoj se vetë evropianët, apo ndërkombëtaret, kanë dëshirë të ketë destabilizim të vendit. Se nëse drejtësia evropiane gabon dhe dënon pafajësisht këta njerëz duke e ditur se ne s’jemi kriminelë. Ne s’kemi bë krime, këtu krime ka bë ushtria, policia edhe para-militarët serbë në 1998-99-tën. 13 mijë e 500 qytetarë të vrarë, 1 mijë e 324 fëmijë të vrarë prej moshës 7 ditë deri në moshën 15 vjeçare”, tha ai.

    Gucati tha se UÇK-ja nuk ka kryer spastrim ndaj qytetarëve në Kosovë dhe kërkoi që përgjegjësit për krimet të dalin para drejtësisë.

    “Kjo do të thotë kush asht agresori, kush asht xhelati. Ne s’kemi qenë xhelatë, ne s’kemi bë, s’kemi spastru Kosovën nga asnjë qytetar. Çdo qytetar i Kosovës ka të drejtë të jetojë, të punojë, të veprojë këtu. Ata të cilët i kanë duart me gjak, ata të cilët i kanë duart me gjak të ecin mbi Kosovën si prej gjyqi. I presin gjykatat tona. Nëse ka drejtësi në Kosovë duhet të merren të gjithë ata kriminelë e të dënohen para drejtësisë”, tha ai.

    Ai shtoi se një vendim dënues mund të pasohet me reagime qytetare, por tha se deklaratat e tij nuk duhet të interpretohen si kërcënim.

    “Mund të jetë protesta, mund të jetë demonstrata, po simbas meje vendi mund të destabilizohet, mbarë Ballkani mund të destabilizohet. Kjo është frika, jo që ne po bëjmë kërcënim, mos të më marrë këtë që po e thonë, mund ta kapë dikush për fjale e mund ta mbajë si kërcënim. Ne s’po kërcënojmë, po ne po thonë që mund të jetë protesta, mund të jetë demonstrata dhe kjo nuk është e mirë as për ndërkombëtarët as për asnjë person”, tha ai.

  • Gërvalla-Schwarz: Dokumentimi i helmimeve në Kosovë është zotim për të vërtetën dhe dinjitetin e viktimave

    Gërvalla-Schwarz: Dokumentimi i helmimeve në Kosovë është zotim për të vërtetën dhe dinjitetin e viktimave

    Ministrja në detyrë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitës “Helmimet në Kosovë (1990–1992)” në Dyseldorf, ku ka theksuar rëndësinë e dokumentimit të një prej kapitujve më të rëndë dhe ende të pazbardhur të historisë së Kosovës.

    Sipas saj, ekspozita të tilla nuk janë vetëm akte kujtese, por edhe përpjekje të domosdoshme për dokumentim dhe përballje me të vërtetën historike.

    Gërvalla ka rikujtuar se gjatë viteve 1990–1992 mijëra nxënës, studentë dhe qytetarë të Kosovës u prekën nga helmimet masive të kryera nga regjimi i atëhershëm serb i udhëhequr nga Slobodan Milošević, ngjarje që, sipas saj, tronditën thellë shoqërinë dhe lanë pasoja afatgjata në kujtesën kolektive.

    Ajo ka theksuar se përvoja e Kosovës me dhunën dhe shtypjen sistematike ka ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si vendi e kupton shtetin, lirinë dhe orientimin euroatlantik.

    “Mbështetja jonë për NATO-n dhe Bashkimin Evropian nuk është vetëm zgjedhje politike, por reflektim i një historie të jetuar”, është shprehur ajo, duke shtuar se paqja dhe stabiliteti në Evropë kërkojnë vigjilencë dhe angazhim të vazhdueshëm për të mos lejuar relativizimin apo harresën e së kaluarës.

    Në fund, ministrja në detyrë ka falënderuar drejtorin Atdhe Hetemi, Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Konsullin e Kosovës në Dyseldorf Behar Isma, partnerët akademikë dhe organizatat studentore për realizimin e kësaj ekspozite.

  • Ambasada e ShBA-së falënderon Kosovën për pjesëmarrjen në “Kosovo Sings Freedom 250”

    Ambasada e ShBA-së falënderon Kosovën për pjesëmarrjen në “Kosovo Sings Freedom 250”

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka falënderuar të gjithë qytetarët që morën pjesë në iniciativën “Kosovo Sings Freedom 250”, në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të pavarësisë amerikane.

    Në një mesazh në Facebook, ambasada vlerësoi kontributin e pjesëmarrësve, duke theksuar se muzika e tyre ndihmoi që ky përvjetor të shndërrohej në një festë mbarëkombëtare.

    “Faleminderit, Kosovë! Faleminderit të gjithëve në mbarë Kosovën që morën pjesë në #KosovoSingsFreedom250. Muzika juaj ndihmoi në shndërrimin e 250-vjetorit të Amerikës në një festë mbarëkombëtare”, thuhet në mesazh.

    Tutje, ambasada theksoi se përmes performancave dhe materialeve të dërguara është parë fuqia e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së, e shprehur përmes muzikës.

    “Përmes aplikimeve tuaja, ne pamë forcën e partneritetit ShBA-Kosovë të shprehur në një mënyrë unikisht të fuqishme – përmes muzikës. Së bashku, ne festojmë 250 vjet të lirisë amerikane – dhe miqësinë e qëndrueshme ndërmjet dy kombeve tona”, thuhet më tej.

    Ambasada gjithashtu bëri të ditur se mund të ketë aktivitete të tjera në vazhdim të kësaj nisme.

    “Ju lutemi, vazhdoni të ndiqni njoftimet tona, pasi mund t’ju kontaktojmë për mundësi të tjera për ta vazhduar këtë festë”, përfundon mesazhi.

  • Rama publikon fotografinë e drejtorëve të rinj të komunës së Prishtinës

    Rama publikon fotografinë e drejtorëve të rinj të komunës së Prishtinës

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar fotografinë e përbashkët të drejtorëve që do të udhëheqin drejtoritë komunale.

    Rama përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se me përgjegjësi të përbashkët dhe përkushtim të plotë, do të funksionojnë si një ekip i vetëm.

    “Profesionistë të përkushtuar, të bashkuar në shërbim të së mirës publike dhe mirëqenies së çdo qytetari të Kryeqytetit. Me përgjegjësi të përbashkët dhe përkushtim të plotë, do të funksionojmë si një ekip i vetëm për t’i vazhduar projektet madhore të Prishtinës dhe për t’i dhënë Kryeqytetit drejtimin që meriton.Vizioni për Prishtinën e së ardhmes është i qartë, një kryeqytet modern, funksional dhe dinjitoz për të gjithë. Së bashku me këtë ekip, do të vazhdojmë ta shndërrojmë këtë vizion në punë konkrete dhe rezultate të prekshme”, ka shkruar Rama.

    Siç ka shkruar ai, përtej dallimeve politike, qëllimi dhe angazhimi i tyre i përbashkët është që të punojnë me përgjegjësi, unitet dhe vizion për zhvillimin e kryeqytetit dhe për të ardhmen që meritojnë qytetarët e këtij vendi. /Telegrafi/