ATV

Author: G.O.

  • Kurti: Opozita po bllokon reformat, po rrezikon miliona euro nga BE-ja

    Kurti: Opozita po bllokon reformat, po rrezikon miliona euro nga BE-ja

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e parë të Këshillit ministror për integrim evropian, ku është diskutuar zbatimi i Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor ka folur edhe për opozitën, të cilën e ka akuzuar se po e pengon punën institucionale dhe procesin e reformave, raporton Ekonomia Online.

    Kurti tha se mungesa e një opozite funksionale në Kuvend po ndikon drejtpërdrejt në ritmin e reformave dhe zbatimin e afateve të përcaktuara.

    “Numri më i madh i reformave do të raportoheshin të kryera deri në fund të qershorit, në qoftë se krahas vullnetit të madh e të mirë e punës serioze të qeverisë sonë, do të kishim edhe një opozitë parlamentare serioze që merr përgjegjësinë e cila i takon në Kuvend. Ne jemi në një situatë ku e kemi një opozitë e cila zgjedh për të mos ardhë në Kuvend, edhe kur vjen shikon cilat ligje me i blloku. Kjo është vërtet sfidë për neve si qeveri dhe është humbje e kohës dhe e mjeteve për neve si shtet.

    Pikërisht për këtë shkak që nuk kemi Kuvend, e kemi zgjedhje, një numër i konsiderueshëm reformash nga plani i rritjes nuk do të arrijë të përmbyllen me sukses brenda afatit të paraparë e të paralajmëruar. Konkretisht kemi 10 reforma që skadojnë me 30 qershor, nëntë prej të cilave tashmë janë të rrezikuara duke shkaktuar humbje të miliona eurove. Bëhet fjalë për 12 projektligje, për hartimin e të cilave ministritë përkatëse kanë bërë punë të jashtëzakonshme duke i parafruar ato me ligjet në Bashkimin Europian dhe me standardet europiane”, tha ai.

    Ai shtoi se bllokadat në Kuvend po sjellin pasoja financiare dhe po ngadalësojnë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

    “Pra, sikur kuvendi ta kryente punën për çfarë i kanë votuar deputetët qytetarët e Republikës së Kosovës, asnjë hap nuk do të humbej. Të nderuar ministra e ministër, zëvendësministre e zëvendësministra, të nderuar përfaqësues nga institucionet e pavarura të Republikës së Kosovës, zgjedhjet ishin të panevojshme sepse ofruam zgjidhje të shumta. Sot do të kishim një president të propozuar nga opozita. Nuk deshën, pasi qartazi donin zgjedhje me çdo kusht. Ky veprim i papërgjegjshëm po na kushton jo vetëm me humbje të miliona eurove nga Bashkimi Evropian, por edhe me humbje të kohës e ngadalësim të procesit të integrimit. Reformat nga Plani i Rritjes janë për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, por fatkeqësisht bllokada me të cilën po ballafaqohemi ne është për ta ngadalësuar atë”, u shpreh Kurti.

    Ai theksoi se qytetarët dhe institucionet do të vazhdojnë procesin e reformave pavarësisht pengesave politike.

    “Por qytetarët, si çdoherë, do ta zhbllokojnë edhe kuvendin e do t’i përshpejtojnë reformat. Ne po punojmë që çdo hap që mund të bëhet nga qeveria të kryhet. Pra, jemi në krye të detyrës. E çdo hap që kërkon miratim në kuvend të jetë gati për seancën e radhës pas zgjedhjeve, ashtu që afati i dhjetorit të mos rezultojë me humbje të mëtutjeshme. Janë gjithsej 79 hapa të reformave që përfshijnë periudhën 2024-2026 me vlerë financiare prej mbi 579 milionë euro”, thekson ai.

  • REL: ShBA-ja i jep dritën e gjelbër armatimit për Kosovën me vlerë prej 14 milionë dollarësh

    REL: ShBA-ja i jep dritën e gjelbër armatimit për Kosovën me vlerë prej 14 milionë dollarësh

    Departamenti amerikan i Shtetit e ka njoftuar Kongresin amerikan për një leje të propozuar për eksportimin e artikujve të mbrojtjes, të dhënave teknike dhe shërbimeve të mbrojtjes drejt Kosovës, në vlerë prej 14 milionë dollarësh apo më shumë, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë disa burime brenda Kongresit.

    Njoftimi është dërguar nga Byroja për Çështje Legjislative e Departamentit amerikan të Shtetit, në përputhje me nenin 36(c) të Ligjit për Kontrollin e Eksportit të Armëve.

    I njëjti i është përcjellë Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit.

    Neni 36(c) kërkon që administrata amerikane ta njoftojë Kongresin për disa shitje apo leje të propozuara të artikujve dhe shërbimeve të mbrojtjes për shtete të huaja.

    Në dokumentin e Kongresit nuk jepen hollësi publike për llojin e pajisjeve apo shërbimeve që përfshihen në këtë leje.

    Kosova edhe në të kaluarën ka blerë pajisje ushtarake nga Uashingtoni.

    Në shkurtin e vitit 2025, Kosova pranoi dronë të blerë nga SHBA-ja. Muaj më vonë, Kosova u furnizua me autoblinda të blera në SHBA.

    Në vitin 2024, Kosova bëri kërkesë për blerjen e 200 raketave kundërtanke “Javelin”.

    Më 2018, nga SHBA-ja, në Kosovë kishin ardhur automjete ushtarake, të tipit Humvee. Për furnizimin me 51 automjete të këtij tipi, Qeveria e Kosovës në vitin 2018 kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General.

    Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikane i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) aktualisht është në proces të shndërrimit në ushtri. Procesi i transformimit të FSK-së në forca të armatosura nisi më 2018, pas miratimit të ndryshimeve ligjore. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet.

    Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur nga fillimi transformimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), e cila insiston që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile./REL

  • “U godit me grusht e pastaj me gotë në kokë” – Lëvizja Vetëvendosje reagon ashpër pas sulmit të Mehanit në Skenderaj

    “U godit me grusht e pastaj me gotë në kokë” – Lëvizja Vetëvendosje reagon ashpër pas sulmit të Mehanit në Skenderaj

    Hysni Mehani u sulmua fizikisht sot në kafeterinë “Solo” në qendër të Skenderajt, ku sipas reagimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ai është sulmuar nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, së bashku me truprojat e tij.

    Sipas VV-së, në momentin e incidentit Mehani ndodhej duke pirë kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe disa aktivistë të partisë.

    Në reagimin e tyre thuhet se fillimisht Hysni Mehani është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë. Po ashtu, sipas VV-së, gjatë përpjekjes për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, është sulmuar edhe Sekretari i Qendrës së LVV-së në Skenderaj, Bahri Zabeli, i cili ka pësuar goditje të rënda nga shoqëruesit e Lushtakut.

    Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë të ditur se Mehani aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor, ndërsa e ka cilësuar rastin si “sulm fizik banditesk”, duke kërkuar nga organet kompetente që të trajtojnë rastin me urgjencë dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore ndaj përgjegjësve.

    Në reagimin e saj, VV-ja ka kërkuar gjithashtu edhe nga Partia Demokratike e Kosovës që ta dënojë këtë akt dhune.

    “Hysni Mehani u sulmua fizikisht nga Sami Lushtaku dhe shoqëruesit e tij, por askush nuk mund t’i frikësojë aktivistët dhe qytetarët e Republikës”, thuhet në reagimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

    Nga ana tjetër, persona të afërt me Sami Lushtakun kanë deklaruar se incidenti ka ndodhur pasi, sipas tyre, Mehani iu drejtua kryetarit të Skenderajt me fjalën “kriminel”.

    Vetë Hysni Mehani ka konfirmuar se është sulmuar fizikisht dhe i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të “mbrojë familjen” e tij.

  • “Trepça” del me njoftim për minatorët e ngujuar, tregon gjendjen e tyre

    “Trepça” del me njoftim për minatorët e ngujuar, tregon gjendjen e tyre

    Ndërmarrja “Trepça” ka reaguar lidhur me bllokimin e rreth 50 minatorëve në minierë.

    Sipas njoftimit zyrtar, 29 punëtorë kanë dalë nga miniera, ndërsa 18 ende kanë mbetur të ngujuar.

    Tutje, theksohet se kjo ndodhi për shkak të një ndërprerjeje të furnizimit me energji elektrike në Njësisë Biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stan Tërg, si pasojë e një defekti në linjën 35 kV Stan Tërg.

    “Sipas informatave nga terreni, në hyrje të trafostacionit në flotacion është shkëputur një përcjellës i linjës, ndërsa si pasojë janë dëmtuar izolatorët përcjellës, duke shkaktuar djegie në trafon që furnizon flotacionin me energji elektrike. Po ashtu janë evidentuar dëmtime edhe në stabilimentet tjera përcjellëse në trafostacion”, thuhet në njoftim.

    Trepça ka deklaruar tutje se pjesa e mbetur e punëtorëve pritet të evakuohet në mënyrë të sigurt brenda një intervali kohor prej rreth dy orësh.

    “Të gjithë punëtorët janë në gjendje të sigurt, ndërsa ekipet teknike dhe skuadrat e shpëtimit janë mobilizuar dhe ndodhen në terren për sanimin e gjendjes dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike sa më shpejt që të jetë e mundur. Trepça Sh.A. do të vazhdojë të mbajë të informuar opinionin lidhur me zhvillimet e mëtejshme”.

  • Haxhiu: Drejtësia për Qyshkun, Zahaqin dhe Pavlanin është detyrim shtetëror

    Haxhiu: Drejtësia për Qyshkun, Zahaqin dhe Pavlanin është detyrim shtetëror

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu në 27-vjetorin e Masakrës së Qyshkut, ka kujtuar martirët e Qyshkut, Zahaqit dhe Pavlanit, 82 civilë shqiptarë të vrarë më 14 maj 1999 nga forcat serbe.

    Përmed një postimi në Facebook, Haxhiu thotë se në këto fshatra u goditën njerëz të paarmatosur, banorë e mysafirë që lufta i kishte gjetur aty.

    “Qyshku, Zahaqi dhe Pavlani mbeten dëshmi e një mizorie të planifikuar, e një aparati shtetëror që e ktheu vrasjen e shqiptarëve në metodë lufte dhe dëbimin në qëllim politik”, ka shkruar ajo.

    Ndër të tjera, Haxhi tha se drejtësia për këto masakra është detyrim ndaj familjeve, ndaj të mbijetuarve dhe ndaj Republikës sonë.

  • Madonna, Shakira dhe BTS do të performojnë në finalen e Kupës së Botës

    Madonna, Shakira dhe BTS do të performojnë në finalen e Kupës së Botës

    Madonna, Shakira dhe grupi koreano-jugor BTS do të jenë emrat kryesorë që do të performojnë në Kupën e Botës.

    Turneu, i cili do të organizohet bashkërisht nga SHBA-ja, Kanadaja dhe Meksika, do të përmbyllet me finalen që zhvillohet në New Jersey më 19 korrik.

    Performancat para ndeshjeve në ngjarje të mëdha sportive, si finalja e UEFA Champions League Final, tashmë janë bërë të zakonshme, por kjo do të jetë hera e parë që një finale e Kupës së Botës do të ketë një spektakël gjatë pushimit mes pjesëve.

    Ylli kolumbian i muzikës pop, Shakira, do të publikojë të enjten këngën zyrtare të Kupës së Botës “Dai Dai” — një shprehje italiane që do të thotë “hajde” ose “forca” — në bashkëpunim me këngëtarin nigerian Burna Boy.

    Këngëtarja 49-vjeçare, e njohur për hitin “Hips Don’t Lie”, kishte publikuar edhe këngën “Waka Waka (This Time for Africa)” për Kupën e Botës 2010 në Afrikë të Jugut.

    Ndërkohë, “Mbretëresha e Pop-it”, Madonna po përgatitet të publikojë albumin e saj të 15-të, “Confessions II”, më 3 korrik.

    Në prill, 67-vjeçarja bëri një paraqitje surprizë gjatë performancës kryesore të Sabrina Carpenter në festivalin Coachella, ku interpretuan së bashku këngët “Vogue” dhe “Like A Prayer”.

    Nga ana tjetër, shtatë anëtarët e BTS kanë mbi 45 milionë albume të shitura. Ata dhe grupi Coldplay patën hitin “My Universe”, i cili arriti vendin e tretë në toplistat britanike në vitin 2021.

    BTS po rikthehet në skenën muzikore pas një pauze trevjeçare, gjatë së cilës anëtarët përfunduan shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Grupi aktualisht ndodhet në mes të një turneu botëror me 85 koncerte, ndërsa do të performojë edhe në finalen e Kupës së Botës.

    Në mars, presidenti i FIFA, Gianni Infantino, deklaroi se spektakli “do të jetë një moment historik për Kupën e Botës FIFA, në nivelin që meriton ngjarja më e madhe sportive në botë”.

     

  • Ekipet e shpëtimit kërkojnë në rrënojat e apartamenteve në Kiev, pasi sulmet masive ruse vranë dy persona

    Ekipet e shpëtimit kërkojnë në rrënojat e apartamenteve në Kiev, pasi sulmet masive ruse vranë dy persona

    Dy persona janë vrarë dhe 40 të tjerë janë plagosur pasi Rusia nisi një valë masive sulmesh kundër Ukrainës gjatë natës, thanë zyrtarët.

    Kryeministrja ukrainase, Yulia Svyrydenko, tha se ishte një “natë veçanërisht e vështirë për Kievin”, ku ekipet e shpëtimit po kërkojnë në rrënojat e një ndërtese banimi pas një sulmi të kombinuar me raketa dhe dronë në kryeqytet, shkruan BBC.

    Breshëria e natës pasoi një sulm të madh të mërkurën një nga më të mëdhenjtë që Rusia ka organizuar që nga fillimi i pushtimit të saj në shkallë të plotë në vitin 2022, me 892 dronë të lëshuar, transmeton Sinjali.

    Kjo shënon ditën e tretë radhazi që Ukraina ka raportuar vdekje, ndërsa Moska rrit sulmet e saj pasi një armëpushim tre-ditor skadoi të hënën.

    Në kryeqytet, një operacion kërkim-shpëtimi filloi herët të enjten për të kërkuar njerëz nën rrënojat e një blloku apartamentesh nëntëkatësh që ishte goditur gjatë natës.

    Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaliy Klychko, i cili vizitoi ndërtesën, tha se 18 apartamente ishin shkatërruar. Ai tha gjithashtu se sulmi kishte ndërprerë furnizimin me ujë të qytetit.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se dhjetëra persona ishin shpëtuar nga ndërtesa deri më tani.

    Dëme ishin shkaktuar edhe në ndërtesa të tjera banimi, një shkollë, një klinikë veterinare dhe infrastrukturë tjetër, shtoi ai.

    Zelensky tha se sulmi i madh i Rusisë “definitivisht nuk ishte veprim i atyre që besojnë se lufta po i vjen fundi”.

    Ai u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës që të mos heshtin për sulmin.

    Sulmi në shkallë të gjerë pa dronë rusë të fluturonin në pjesën më të madhe të Ukrainës, me rajonet e Kremençukut, Bila Tserkvës, Kharkivit, Sumit dhe Odesës që u vunë gjithashtu nën zjarr, tha kryeministri Svyrydenko.

    “Ukraina ka nevojë për ndihmë në forcimin e mbrojtjes së saj ajrore”, shkroi ajo në rrjetet sociale. “Kjo është e vetmja mënyrë për të shpëtuar njerëzit dhe qytetet tona”.

    Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, e dënoi presidentin rus Vladimir Putin për “sulmin barbar”, i cili sipas tij tregonte se Moska po ndiqte “agresionin dhe terrorin” në vend të paqes.

    Ai vuri në dukje se sulmi kishte ndodhur gjatë një samiti të rëndësishëm midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe atij të Kinës Xi Jinping dhe u bëri thirrje të dy udhëheqësve të ushtrojnë presion mbi Rusinë.

    “Jam i sigurt se udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe Kinës kanë mjaftueshëm ndikim mbi Moskën për t’i thënë Putinit që më në fund t’i japë fund luftës”, tha ai.

    Sulmet e fundit ndodhën menjëherë pasi një armëpushim tre-ditor i ndërmjetësuar nga SHBA-të skadoi vonë të hënën.

    Si Rusia ashtu edhe Ukraina raportuan shkelje të shumta gjatë armëpushimit – kryesisht përgjatë vijës së gjerë të frontit por jo sulme të mëdha ajrore.

    Rusia rifilloi sulmet e saj të martën, duke vrarë nëntë persona në Ukrainë. Gjashtë të tjerë u vranë në të gjithë vendin të mërkurën, tre prej tyre në qytetin perëndimor të Rivne.

    Në një zhvillim të veçantë në Kiev, një gjykatë ka urdhëruar 60 ditë paraburgim për ish-krahun e djathtë të Zelensky-t, Andriy Yermak, për një skandal korrupsioni.

    Gjykata tha se ai mund të lirohet me një garanci prej 2.35 milionë paundësh (3.2 milionë dollarë) me një etiketë elektronike.

    Yermak është emëruar nga agjencitë antikorrupsion të Ukrainës si i dyshuar në një skemë pastrimi parash që përfshin një projekt ndërtimi luksoz me vlerë 7.5 milionë paund jashtë Kievit.

    Avokati i tij i ka përshkruar akuzat si “të pabaza”.

    Pas seancës dëgjimore, Yermak i mohoi akuzat kundër tij dhe tha se do të apelonte: “Unë do të qëndroj në Ukrainë. Nuk kam asgjë për të fshehur”.

    Yermak deklaroi gjithashtu se “nuk kishte atë lloj parash” për lirimin me kusht, por do të kërkonte fonde “midis miqve dhe të njohurve“.

  • Instagrami bën ndryshimin e madh, prezanton funksionin “Instants”

    Instagrami bën ndryshimin e madh, prezanton funksionin “Instants”

    Instagrami ka prezantuar zyrtarisht “Instants”, një funksion të ri që u mundëson përdoruesve të ndajnë momente spontane dhe të pafiltruara me persona të caktuar.

    “Instants” përshkruhet si një mënyrë e re për të shpërndarë fotografi të çastit me miqtë, ku fotot zhduken pasi shihen nga marrësit. Megjithatë, ato ruhen në arkivin privat të përdoruesit deri në një vit dhe më pas mund të rishpërndahen në formë përmbledhjeje në Stories.

    Përdoruesit mund të reagojnë dhe t’u përgjigjen fotove, ndërsa përgjigjet dërgohen drejtpërdrejt në mesazhet private (DM), shkruan KOHA.net.

    Krahas funksionit të ri, Instagrami ka lansuar edhe aplikacionin shoqërues “Instants”, i cili ofron qasje më të shpejtë në kamerë. Aktualisht, po shpërndahet për pajisjet iOS dhe Android vetëm në disa shtete të përzgjedhura.

    Si funksionon “Instants”? (VIDEO)

    Funksioni “Instants” gjendet në këndin e poshtëm të djathtë të mesazheve direkte (DM) në Instagram dhe paraqitet si një grumbull i vogël fotografish.

    Kur përdoruesi ndan një foto përmes “Instants”, mund të shtojë një përshkrim, por pas publikimit nuk mund të bëhen ndryshime të tjera. Po ashtu, përdoruesit mund të zgjedhin gjithmonë se me kë dëshirojnë t’i ndajnë fotografitë dhe kanë mundësinë e anulimit në rast se ndryshojnë mendim.

    Në pjesën e sipërme të djathtë të “Instants” ndodhet edhe arkivi privat, i cili është i dukshëm vetëm për përdoruesin.

  • Nën kërcënimin e armës hajnat u grabisin rreth 600 € dy të moshuarve në Malishevë

    Nën kërcënimin e armës hajnat u grabisin rreth 600 € dy të moshuarve në Malishevë

    Një rast i vjedhjes grabitqare ka ndodhur të mërkurën në fshatin Rudë të Malishevës.

    Sipas njoftimit të policisë, dy hajdutë dyshohen se kanë hyrë në shtëpinë e dy të moshuarve, ku nën kërcënimin e armës u kanë grabitur rreth 600 euro.

    Njoftimi:

    “Është raportuar se dy të moshuar, derisa kanë qenë në shtëpi, aty kanë hyrë dy të dyshuar të maskuar dhe  nën kërcënimin e armës u kanë grabitur rreth 600 € dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Nuk ka të lënduar, ndërsa rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raportin e policisë.

  • I shkaktoi nënës dhunë psiqike, arrestohet i dyshuari në Gjakovë

    I shkaktoi nënës dhunë psiqike, arrestohet i dyshuari në Gjakovë

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se një person është arrestuar në Gjakovë, nën dyshimin se i ka shkaktuar dhunë psiqike nënës së tij.

    Sipas policisë, i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për arsye se kishte shkaktuar dhunë psikike ndaj nënës së tij. Me vendim të prokurorit pas inicimit të rastit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e PK-së.