ATV

Author: G.O.

  • Kryesia e Kuvendit të Kosovës mban sot mbledhje

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës mban sot mbledhje

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë sot mbledhje me fillim nga ora 11:00, në sallën C-301.

    Sipas rendit të ditës, në këtë mbledhje parashihet:

    – Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit;
    – Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave.

    Mbledhja mbahet në një periudhë kur Kuvendi i Kosovës tashmë është shpërbërë, pas vendimit të 28 prillit për shkuarje në zgjedhje të parakohshme. Shpërbërja e legjislaturës erdhi si rezultat i mosarritjes së një marrëveshjeje ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit të vendit, çka çoi në përfundimin e mandatit të Kuvendit dhe hapjen e rrugës për proces të ri zgjedhor.

    Megjithatë, edhe pas shpërbërjes së Kuvendit, Kryesia mund të zhvillojë mbledhje që lidhen me çështje administrative dhe procedurale deri në konstituimin e legjislaturës së re.

  • Ushtarët e KFOR-it testohen për aftësi fizike dhe luftim në distancë të afërt në Bondsteel

    Ushtarët e KFOR-it testohen për aftësi fizike dhe luftim në distancë të afërt në Bondsteel

    KFOR-i ka bërë të ditur se ushtarët e caktuar në Komandën Rajonale-Lindje (RC-E), pjesë e misionit të NATO-s në Kosovë, kanë realizuar një vlerësim të Ekipit të Reagimit Special në Kampin Bondsteel, raporton Gazeta Sinjali.

    Sipas njoftimit, vlerësimi ka përfshirë testimin e aftësisë fizike dhe shkathtësive në luftimin në distanca të afërta (CQC), me qëllim identifikimin e kandidatëve për trajnim të avancuar në zbatimin e ligjit në situata me rrezik të lartë, si dhe forcimin e gatishmërisë së përgjithshme të njësisë.

    I fokusuar në skenarë të reagimit emergjent, trajnimi synon të ndihmojë personelin e KFOR-it të mbajë nivel të lartë të vetëdijes situacionale dhe gatishmërisë operacionale, duke përforcuar angazhimin e misionit për një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.

  • Britania e Madhe dërgon anije luftarake në Lindjen e Mesme

    Britania e Madhe dërgon anije luftarake në Lindjen e Mesme

    Një anije luftarake e Marinës Mbretërore Britanike do të dërgohet në Lindjen e Mesme për t’iu bashkuar një misioni ndërkombëtar që synon garantimin e sigurisë detare në Ngushticën e Hormuzit. Lajmi është konfirmuar nga një zëdhënës i Ministrisë britanike të Mbrojtjes.

    Sipas deklaratës, shkatërruesi HMS Dragon do të vendoset paraprakisht në rajon përpara çdo misioni të ardhshëm shumëkombësh që synon mbrojtjen e anijeve ndërkombëtare gjatë kalimit nëpër Hormuz, sapo kushtet e sigurisë ta lejojnë.

    Ministria e Mbrojtjes theksoi se vendosja e HMS Dragon është pjesë e një planifikimi të kujdesshëm për të garantuar gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar në kuadër të një koalicioni shumëkombësh të udhëhequr së bashku me Francën.

    Koalicioni synon të sigurojë lirinë e lundrimit dhe mbrojtjen e transportit ndërkombëtar në një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë.

  • Të dyshuarve për korrupsion iu ndalohet t’i afrohen Komunës së Prishtinës dhe Agjencisë Kadastrale

    Të dyshuarve për korrupsion iu ndalohet t’i afrohen Komunës së Prishtinës dhe Agjencisë Kadastrale

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve F.S., L.R., dhe N.S., që dyshohen për korrupsion dhe vepra të tjera penale.

    “Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit F.S. për shkak të veprave penale, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, Keqpërdorimi i informatës zyrtare dhe veprës penale Marrja e ryshfetit, ndaj të pandehurit L.R. për shkak të veprave penale Mashtrimi dhe Falsifikimi i dokumentit si dhe ndaj të pandehurit N.S. për shkak të veprave penale Falsifikim i dokumenteve, Legalizim i përmbajtës së rrem dhe veprës penale Deklarim i rrem nën betim”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, përmes Aktvendimit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit si të pa bazuar dhe ndaj të pandehurve F.S., L.R. dhe N.S. ka caktuar masën Ndalimi për të iu ofruar vendit apo personit të caktuar, e cila masë të pandehurve iu është caktuar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin, duke u llogaritur nga data 07.05.2026 deri më datë 07.06.2026”.

    Sidoqoftë, gjykata po ashtu ka urdhëruar masën Paraqitje në stacionin policor të të pandehurve.

    “Gjykata ka urdhëruar masën Paraqitja në stacionin policor ndaj të pandehurve F.S., L.R. dhe N.S., e cila masë do të llogaritet në kohëzgjatje prej një (1) muaji, duke filluar nga data 07.05.2026 deri më datë 07.06.2026. Gjykata mund të caktoj masën e paraburgimit, nëse të pandehurit nuk respektojnë masën e shqiptuar. Me rastin e vendosjes gjykata konstatoi se me masat e lartcekura tani për tani do të arrihet që procedura penale të zhvillohet e pa penguar”.

    Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

  • Bahreini arreston 41 persona të lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit

    Bahreini arreston 41 persona të lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit

    Ministria e Brendshme e Bahreinit tha të shtunën se ka arrestuar 41 persona, për të cilët pretendon se janë të lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve e vendit.

    Ministria bëri të ditur se hetimet nga prokuroria publike kanë përfshirë gjithashtu raste që lidhen me simpati ndaj sulmeve iraniane, raporton skynews .

    Irani ka ndërmarrë në mënyrë të përsëritur sulme që kanë në shënjestër Bahreinin dhe shtete të tjera arabe të Gjirit që nga shpërthimi i konfliktit në shkurt.

  • Kurti kujton Ilir Konushevcin dhe Hazir Malajn: U flijuan për çlirimin dhe lirinë e Kosovës

    Kurti kujton Ilir Konushevcin dhe Hazir Malajn: U flijuan për çlirimin dhe lirinë e Kosovës

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, në shënim të 28-vjetorit të rënies së heronjve të kombit, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj.

    Me këtë rast, Kurti tha se Konushevci dhe Malaj kishin ideal të përbashkët dhe ishin të përkushtuar deri në flijim për çlirimin e Kosovës.

    “Njëri nga Kosova, tjetri nga Shqipëria të pandashëm për çlirim e për bashkim, Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj, nuk u ndanë asnjëherë nga njëri tjetri, e kishin idealin e njëjtë, e kishin punën e përbashkët dhe ishin të angazhuar deri në flijim për çlirimin e Kosovës, për lirinë e popullit dhe për Republikën e pavarur e sovrane, të cilën e gëzojmë sot”, tha Kurti.

    Ai vlerësoi veçanërisht rolin e Ilir Konushevcit në organizimin logjistik të luftës çlirimtare, duke e lidhur sakrificën e tij me zhvillimin aktual të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    “Ilir Konushevci si shpirti i logjistikës, i furnizimit, i ngritjes së luftës çlirimtare, punoi shumë kohë para luftës në mënyrë që të mund të luftojmë e të çlirohemi, andaj sot kur e shohim Forcën e Sigurisë së Kosovës, me armatimin e municionin modern e të shumtë që ka, me radhët e saj që sa vijnë e shtohen, ndjejmë se po e lajmë një pjesë të vogël të borxhit të madh që kemi ndaj gjithë dëshmorëve të kombit, ndaj të gjithë martirëve të luftës së fundit e në veçanti ndaj njerëzve si Ilir Konushevci e Dr. Hazir Mala, të cilët aq shumë u angazhuan e kontribuan që të mund të luftojmë e të çlirohemi”, tha ai.

    Kurti kujtoi edhe barrën që, sipas tij, Konushevci kishte marrë pas vrasjes së komandantit Zahir Pajaziti.

    “Ilir Konushevci pati një barrë të madhe pas vrasjes së komandantit Zahir Pajaziti, sepse në kohën kur ne ishim me humbje të mëdha në radhët tona, ai kishte barrën e dyfishtë, andaj edhe sakrifica e tij, lufta e paepur që bëri duhet të mësohet nga brezat e rinj se si duhet atdheu dhe se si duhet të bëhemi shembull për ata të cilët do të vijnë pas nesh”, deklaroi Kurti.

    Ai bëri homazhe për të gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit shqiptar.

    “Lavdi komandantit Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malajt, si dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar të të gjitha etapave të përparimit të vendit e të kombit mbarë”, tha Kurti.

  • Peter Magyar betohet si kryeministër i Hungarisë, përfundon epoka 16-vjeçare e Orbanit

    Peter Magyar betohet si kryeministër i Hungarisë, përfundon epoka 16-vjeçare e Orbanit

    Lideri pro-evropian i qendrës së djathtë, Péter Magyar, është betuar si kryeministër i Hungarisë, duke shënuar përfundimin zyrtar të 16 viteve në pushtet të Viktor Orbán-it.

    Ceremonia e së shtunës – gjatë së cilës Magyar i kishte ftuar njerëzit t’i bashkoheshin për të “shkruar së bashku historinë hungareze” dhe për të “kaluar portën e ndryshimit të regjimit” – vjen një muaj pasi partia e tij opozitare Tisza fitoi një fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare.

    Rezultati shkaktoi festime në Budapest dhe më gjerë, pasi Orbán dhe lëvizja e tij populiste e nacionaliste prej kohësh ishin konsideruar nga e djathta ekstreme globale si një model për t’u ndjekur.

  • ShBA vendos sanksione ndaj kompanive kineze për lidhjet me Iranin

    ShBA vendos sanksione ndaj kompanive kineze për lidhjet me Iranin

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione të reja ndaj disa kompanive kineze, të cilat akuzohen se kanë ndihmuar Irani në zhvillimin e kapaciteteve ushtarake dhe teknologjike.

    Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, masa ndëshkuese përfshijnë katër kompani, tre prej tyre me seli në Kinë, të cilat dyshohet se kanë ofruar imazhe satelitore që janë përdorur në sulme ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme.

    Paralelisht, Departamenti amerikan i Thesarit ka sanksionuar edhe 10 individë dhe kompani të tjera, përfshirë subjekte kineze, të cilat akuzohen për furnizim të materialeve dhe teknologjisë së përdorur në prodhimin e raketave balistike dhe dronëve.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ndaj çdo subjekti që, sipas tij, mbështet industrinë ushtarake të Iranit.

    “Do të kërkojmë llogaridhënie nga çdo subjekt që ndihmon kapacitetet ushtarake të Iranit”, u shpreh Rubio.

    Nga ana tjetër, Kina ka reaguar duke kundërshtuar sanksionet e njëanshme, duke i cilësuar ato si të pabazuara në të drejtën ndërkombëtare dhe duke theksuar se do të mbrojë kompanitë e saj.

    Vendimi vjen vetëm pak ditë para takimit të paralajmëruar mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit kinez Xi Jinping në Pekin, duke shtuar tensionet diplomatike mes dy fuqive botërore.

  • Marta Kos pritet në Kosovë për vizitën e parë si komisionere për Zgjerim

    Marta Kos pritet në Kosovë për vizitën e parë si komisionere për Zgjerim

    Marta Kos pritet të realizojë vizitën e saj të parë në Kosovë më 15 maj, duke shënuar një moment të rëndësishëm në angazhimin e saj me vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Sipas rel-it vizita pritet të konfirmohet zyrtarisht në ditët në vijim. Kjo do të jetë hera e parë që Kos viziton Prishtinën që nga marrja e detyrës si komisionere për Zgjerim më 1 dhjetor 2024.

    Që prej fillimit të mandatit, ajo ka vizituar të gjitha vendet e përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe Partneritetin Lindor, disa prej tyre më shumë se një herë.

    Sipas zyrtarëve evropianë, mungesa e mëhershme e vizitës në Kosovë është ndikuar nga situata politike dhe mungesa e institucioneve funksionale në vend gjatë krizës së fundit politike.

    Një vizitë e planifikuar më herët për 12 mars ishte anuluar, pas vendimit për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke shtyrë kështu kontaktet e drejtpërdrejta të nivelit të lartë mes BE-së dhe Kosovës.

  • Whitaker: Ka përfunduar epoka kur ShBA paguante më shumë për mbrojtjen e Evropës

    Whitaker: Ka përfunduar epoka kur ShBA paguante më shumë për mbrojtjen e Evropës

    Ambasadori i Shtetet e Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker, ka deklaruar se ka përfunduar periudha kur SHBA mbulonte pjesën më të madhe të shpenzimeve për mbrojtjen e Evropës.

    Përmes një reagimi publik lidhur me takimin e kësaj jave ndërmjet SHBA-së dhe NATO-s, ai theksoi se tashmë aleatët duhet të tregojnë më shumë angazhim konkret në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

    Whitaker u shpreh se qasja e re amerikane bazohet në politikën “America First” të presidentit Donald Trump, duke kërkuar veprime dhe përgjegjësi më të mëdha nga vendet aleate.

    “Epoka kur Amerika paguante një faturë të jashtëzakonshme për mbrojtjen e Evropës ka mbaruar”, deklaroi ai, duke shtuar se SHBA pret angazhim më të madh nga partnerët e NATO-s në përballje me sfidat globale të sigurisë.