ATV

Author: G.O.

  • Komuna e Gjilanit ndalon ekskursionet e nxënësve jashtë shtetit

    Komuna e Gjilanit ndalon ekskursionet e nxënësve jashtë shtetit

    Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka marrë vendim për ndalimin e ekskursioneve të nxënësve jashtë shtetit.

    Këtë vendim, kreu i Gjilanit tha se e ka marrë në bashkërendim të plotë me këshillin e prindërve të komunës.

    “Substancat narkotike, pijet alkoolike, lëndimet e rastet e ndryshme si dukuri negative, si dhe shpenzimet e mëdha familjare ishin disa nga arsyet e konkluzionet e përbashkëta mes nesh dhe këshillit të prindërve. Do të shohim alternativat e aktiviteteve të tjera edukative e kulturore, në të mirë për të gjithë maturantët tanë!”, ka thënë kryetari Hyseni.

    Postimi i plotë:

    “Në bashkërendim të plotë me këshillin e prindërve të komunës, kemi marrë vendim për ndalimin e ekskursioneve jashtë shtetit. Substancat narkotike, pijet alkoolike, lëndimet e rastet e ndryshme si dukuri negative, si dhe shpenzimet e mëdha familjare ishin disa nga arsyet e konkluzionet e përbashkëta mes nesh dhe këshillit të prindërve. Do të shohim alternativat e aktiviteteve të tjera edukative e kulturore, në të mirë për të gjithë maturantët tanë!

  • Kurti e Murati në ASK, flasin për regjistrimin e popullsisë që fillon në prill

    Kurti e Murati në ASK, flasin për regjistrimin e popullsisë që fillon në prill

    Kryeministri Albin Kurti bashkë me Ministrin e Financave, Hekuran Muratin, kanë vizituar sot Agjencinë e Statistikave të Kosovës.

    Sipas njoftimit të ZKM-së, Kurti është njoftuar me punën e cila po zhvillohet në kuadër të regjistrimit të popullsisë i cili nis në muajin prill.

    “Kryeministri Kurti ritheksoi mbështetjen e plotë të Qeverisë ndaj ASK-së, në realizimin e procesit me standardet e kushtet teknike të nevojshme, duke ofruar dhe gatishmëri të plotë të ndihmojë sa i përket sfidave e nevojave të ndryshme”, thuhet në njoftim.

    Njoftimi i plotë:

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizituan Agjencinë e Statistikave të Kosovës, ku bashkëbiseduan me ushtruesin e detyrës Avni Kastrati dhe ekipin e drejtorëve të këtij institucioni.

    Pas vizitës së fundit në ASK në muajin dhjetor, kryeministri pati mundësinë të njoftohej e përditësohej me punën e cila po zhvillohet në kuadër të regjistrimit të popullsisë i cili nis në muajin prill.

    Rreth dy muaj na ndajnë nga nisja e regjistrimit të popullsisë. Statistikat e sakta janë të rëndësishme e të nevojshme për shtetin, për zhvillimin e vendit dhe targetimin e duhur të politikave e strategjive të Qeverisë.

    Përkushtim i lartë, energji dhe vullnet nevojiten për ta planifikuar e zhvilluar me sukses regjistrimin e popullsisë, në mënyrë gjithëpërfshirëse e të qasshme për të gjithë qytetarët tanë, nga të gjitha komunitetet e në secilin lokalitet

    Kryeministri Kurti ritheksoi mbështetjen e plotë të Qeverisë ndaj ASK-së, në realizimin e procesit me standardet e kushtet teknike të nevojshme, duke ofruar dhe gatishmëri të plotë të ndihmojë sa i përket sfidave e nevojave të ndryshme.

  • Zgjerohet platforma “Superpuna” – Subvencionimi do të bëhet edhe për të rinjtë deri 29 vjeç

    Zgjerohet platforma “Superpuna” – Subvencionimi do të bëhet edhe për të rinjtë deri 29 vjeç

    Më shumë se 9 mijë të rinj janë punësuar në kuadër të platformës “Superpuna”, nga bizneset e sektorit privat e cila që nga sot përfitues mund t’i punësojnë edhe grupmoshat deri në 29 vjeç, nga 25 sa ishte, raporton Ekonomia Online.

    Gjatë zgjerimit të kësaj platforme, kryeministri Albin Kurti, tha se grupmoshat që kanë përfituar më herët ka qenë nga 18 deri 25 vjeçare, ndërsa përfitues mund të jenë edhe personat deri 29 vjeç.

    “Punë dhe drejtësia është togfjalëshi që është dëgjuar më së shpeshti në prezantimet tona. Kjo platformë për bizneset e bëri më të lehtë angazhimin e punëtorëve pasi garantoi subvencionim e pagës së punëtoreve. Platforma ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm, ku u punësuan 9394 të rinj dhe të reja. Jam shumë i lumtur që disa prej përfituesve i kemi në mesin tonë për t’u dhënë edhe një lajm të mirë. Kemi vendosur që t’i zgjerojmë grupmoshat që mund të përfitojnë nga kjo platformë, tani nga 18 vjeç deri në 29 vjeç mund të përfitojnë për t’u punësuar”, tha ai.

    E ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se synimi ka qenë që të punësohen 10 mijë të rinj e të reja.

    Ai tha se 67 për qind e të rinjve që janë punësuar përmes kësaj platforme, u janë vazhduar kontratat nga punëdhënësi.

    “Duke parë suksesin e grupmoshës së parë, kemi vendosur të zgjerohet grupmosha për ata që janë më shumë se 25 vjeç. Pra nga ata që kanë përmbushur gjashtë mujorin, janë 67 për qind e tyre që kanë përfituar punësim. Ndryshimet, do të vazhdojnë kushte dhe kriteret e tjera siç kanë qenë”, tha ai.

  • GjND-ja vendos për juridiksionin në rastin e ngritur nga Ukraina kundër Rusisë

    GjND-ja vendos për juridiksionin në rastin e ngritur nga Ukraina kundër Rusisë

    Gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara më 2 shkurt do të vendosë nëse ka juridiksion në rastin e ngritur nga Ukraina kundër Rusisë pak pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të fqinjit të saj pothuajse dy vjet më parë.

    Rasti i ngritur nga Kievi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë, akuzon Rusinë se ka shkelur Konventën e Gjenocidit të vitit 1948, duke pretenduar rrejshëm se pushtimi i 24 shkurtit të vitit 2022, u nis në mënyrë që të frenojë një gjenocid të supozuar ndaj rusishtfolësve në lindje të Ukrainës.

    Në vendimin paraprak, gjykatësit e GJND-së urdhëruan Rusinë në mars të vitit 2022 që të ndalte pushtimin, por Moska e refuzoi vendimin, duke argumentuar se gjykata, që zgjidh mosmarrëveshjet ligjore të ngritura nga shtetet lidhur me pretendimet për shkelje të së drejtës ndërkombëtare, nuk kishte të drejtë ligjore për të vendosur për këtë rast.

    Në shtatorin e vitit të kaluar, avokatët e Rusisë i kërkuan gjykatës që ta hidhte poshtë rastin, duke përsëritur qëndrimin se GJND-ja nuk ka juridiksion.

    Gjatë asaj seance dëgjimore, Ukraina tha se injorimi i vendimit të gjykatës nga Rusia përbën sulm ndaj autoritetit të GJND-së.

    “Çdo raketë që Rusia gjuan ndaj qyteteve tona, e lëshon me kundërshtim me këtë gjykatë”, tha Anton Korynevych, përfaqësues i Ukrainës në këtë gjykatë.

    Përderisa vendimet e GJND-së janë ligjërisht të obligueshme, gjykata nuk ka mjete që ato të zbatohen.

    Në një rast të ndarë më herët gjatë kësaj jave, GJND-ja publikoi një vendim për një rast të ngritur nga Ukraina kundër Rusisë për financim të terrorizmit, rast që kishte të bënte me aktivitetet e Moskës dhe për “diskriminim racor” nga Rusia pasi Kremlini aneksoi paligjshëm Gadishullin e Krimesë më 2014.

    Në vendimin e publikuar më 31 janar, gjykata tha se përderisa Moska ka shkelur traktatet kundër diskriminimit të OKB-së, duke dështuar që të mbrojë arsimin në gjuhën ukrainase në Krime, GJND-ja nuk u pajtua me pretendimin e Ukrainës se Rusia duhet ta kompensojë atë.

    Gjykata po ashtu hodhi poshtë pretendimet e Ukrainës se Rusia ka diskriminuar tatarët etnikë dhe ukrainasit pas aneksimit të Krimesë.

    Në përgjithësi, GJND-ja u pajtua me Ukrainën se Moska kishte shkelur dy nene të traktateve, por refuzoi të tjerat./REL

     

  • Bie numri i lindjeve në Kosovë, rreth tre mijë fëmijë më pak se në vitin 2021

    Bie numri i lindjeve në Kosovë, rreth tre mijë fëmijë më pak se në vitin 2021

    Numri i lindjeve në Kosovë ka pësuar rënie nga viti në vit. Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë vitit 2023 në Kosovë janë regjistruar gjithsej 25 mijë e 586 lindje. Prej tyre 13 mijë e 229 meshkuj si dhe 12 mijë e 357 femra.

    Por numri i lindjeve gjatë vitit 2023 është më i vogël krahasuar me një vit më parë. Pasi që në vitin 2022 në Kosovë kanë lindur 26 mijë 118 fëmijë. Prej tyre 13 mijë e 317 meshkuj dhe 12 mijë e 801 femra.

    Por dallim më i madh sa i përket numrit të lindjeve vërehet nëse ato i krahasojmë me lindjet e vitit 2021. Sipas ASK-së në vitin 2021 në Kosovë linden 28 mijë e 549 fëmijë, 14 mijë 836 meshkuj dhe 13 mijë e 713 femra. E nëse i krahasojmë me lindjet e vitit 2023 del të jenë rreth 3 mijë fëmijë më pak.

     

  • Dua Lipa mundohet t’iu shmanget paparacëve, ndërsa fotografohet me të dashurin e ri në Los Angeles

    Dua Lipa mundohet t’iu shmanget paparacëve, ndërsa fotografohet me të dashurin e ri në Los Angeles

    Dua Lipa dhe i dashuri i saj i ri Callum Turner u panë duke shijuar një darkë në Los Angeles këtë javë.

    Këngëtarja 28-vjeçare ishte e mbështjellë me një pallto të gjatë të bardhë, me flokët e saj të lyer ngjyrë vjollce të lëna të lira për të kornizuar makijazhin e saj.

    Ajo mund të shihej teksa mbante mbetjet e ushqimit të saj në një enë për ushqim, teksa doli nga restoranti me të dashurin e saj që ecte pas saj, shkruan DailyMail.

    Callum, 33 vjeç, ndërkohë kishte veshur një xhaketë bomber ngjyrë jeshile-ulliri mbi një bluzë dhe një palë xhinse që ishin shumë në modë.

    Lajmi për romancën e tyre “shpërtheu” këtë muaj kur dyshja u panë duke u ndjerë komodë pranë njëri-tjetrit në një festë në Beverly Hills, në promovimin e serialit më të ri “Masters Of The Air” ku aktori ka një rol kryesor.

    Në pamjet e siguruara nga tabloidi amerikan TMZ, superylli i popit mund të shihet për një kohë të shkurtër duke kërcyer ngadalë me Callumin në ambientin e mbushur me yje të Hollywoodit.

    Dyshja u panë me fytyrat e tyre afër njëra-tjetrës, megjithëse ishte e paqartë nëse ata shkëmbyen puthje gjatë këtij momenti romantik mes tyre.

    Një burim i brendshëm më pas konfirmoi lidhjen për tabloidin Page Six, duke thënë: “Është diçka e re, por ata janë të dashuruar me njëri-tjetrin. Ajo ishte në premierë për ta mbështetur”.

    Romanca e fundit e Duas vjen pak kohë pas ndarjes së saj nga ish-i dashuri i mëparshëm, regjisori francez Romain Gavras.

    Ndërkohë Callum vitin e kaluar ka qenë në një lidhje të shkurtër me modelen angleze Mathilda Lowther, mbesa e Earl-it të 7-të të Lonsdale.

    Para kësaj, ai pati një lidhje katër vjeçare me Vanessa Kirby, e cila fitoi famë ndërkombëtare si Princesha Margaret në dy sezonet e para të serialit “The Crown”. /Telegrafi/

  • Policia kryen bastisje në Suharekë, Malishevë dhe Vushtrri, sekuestron armë zjarri

    Policia kryen bastisje në Suharekë, Malishevë dhe Vushtrri, sekuestron armë zjarri

    Policia e Kosovës ka kryer bastisje në Suharekë, Malishevë dhe në Prizren.

    Gjatë këtyre bastisjeve të dyshuarve iu kanë gjetur dhe sekuestruar armë zjarri, fishekë dhe gëzhoja.

    “Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit kosovar është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjysmë automatike. Në konsultim me prokurorin, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.

    “Në koordinim me prokurorinë është kryer bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse pronë e të dyshuarit kosovar ku janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me katër fishekë si dhe 12 gëzhoja. I dyshuari është intervistuar dhe në konsultim me prokurorin rasti shkon në procedurë të rregullt”, njofton raporti i policisë.

    “Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit kosovar është gjetur dhe sekuestruar një armë dhe 18 fishekë. Lidhur me rastin, meqenëse i dyshuari nuk ka qenë në shtëpi, të njëjtit i është lënë ftesa për paraqitje në stacion policor. Rasti nën hetime”, sipas raportit 24 orësh të policisë.

  • Arrestohet një burrë në Suharekë, dyshohet për dhunë në familje

    Arrestohet një burrë në Suharekë, dyshohet për dhunë në familje

    Një burrë është arrestuar dje në Suharekë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”.

    Siç njoftoi Policia, i dyshuari ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje dhe ka dëmtuar orenditë shtëpiake.

    Tutje, Policia njoftoi se pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Suharekë 26.01.2024 – 13:30. Me 01.02.2024 është arrestuar i dyshuari kosovar që dyshohet se ka probleme psikike, nën dyshimin se i njëjti me datën e cekur kishte ushtruar dhunë fizike, duke e goditur viktimën femër kosovare dhe kishte dëmtuar orenditë shtëpiake”, ka njoftuar Policia.

  • Zhduket një grua nga Prishtina

    Zhduket një grua nga Prishtina

    Policia e Kosovës njoftoi se dje një burrë ka raportuar se një grua është larguar që tri ditë nga shtëpia dhe se nuk dihet për vendndodhjen e saj.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se rasti është duke u hetuar.

    “Prishtinë 01.02.2024. Ankuesi kosovar ka njoftuar se viktima femër është larguar qe tri ditë nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj. Rasti nën hetime”, thuhet në raport.

  • Persona të panjohur largojnë tabelën e vendosur nga Ministria e Pushtetit Lokal në Zubin Potok

    Persona të panjohur largojnë tabelën e vendosur nga Ministria e Pushtetit Lokal në Zubin Potok

    Në Zubin Potok një grua ka raportuar se nga persona të panjohur është larguar tabela nga objekti i qendrës, të cilën e kishte vendosur Ministria e Pushtetit Lokal.

    Dëmtime ka pësuar vendi se ku ishte e vendosur tabela.

    Sipas raportit të policisë, rasti ka shkuar nën hetime.

    “Ankuesja kosovare ka njoftuar policinë se nga persona të panjohur është larguar nga objekti i qendrës tabela të cilën e kishte vendosur Ministria e Pushtetit Lokal. Po ashtu ishte dëmtuar edhe vendi (fasada) ku ishte e vendosur tabela. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.