ATV

Author: G.O.

  • Thjerrëzat ulin në mënyrë natyrale hipertensionin

    Thjerrëzat ulin në mënyrë natyrale hipertensionin

    Sipas një studimi të ri, është një produkt natyral që mund të ndihmojë në uljen e hipertensionit. Hulumtuesit shkencorë nga Universiteti Manitoba në Kanada kanë kryer një studim për të përcaktuar ushqimet që lidhen me hipertensionin. Studimi, është prezantuar në një konferencë të Shoqatës Amerikane të Zemrës.

    Shkencëtarët kanë monitoruar minjtë me nivele të larta të tensionit të gjakut dhe probleme me zemrën. Ata i ushqyen minjtë me lloje të ndryshme bishtajoresh, si fasulet, thjerrëzat, bizelet dhe qiqrat, për një periudhë të caktuar kohe. Pasi analizuan rezultatet, ata zbuluan se konsumimi i bishtajoreve ndihmoi në përmirësimin e qarkullimit të gjakut tek këmbët e minjve që vuanin nga sëmundja arteriale periferike, që tkurr arteriet në gjymtyrë.

    Ata më pas zbuluan se thjerrëzat, sidomos ndihmuan në uljen e tensionit të lartë të gjakut dhe përmirësuan qarkullimin e gjakut.

    “Këto rezultate janë të jashtëzakonshme, duke qenë se sigurojnë një mënyrë jo-farmakologjike për të trajtuar sëmundjet e lidhura me çrregullimin e qarkullimit të gjakut”, deklaroi drejtuesi i studimit, dr. Peter Zahradka.

    Thjerrëzat sigurojnë fibra, antioksidues, folate dhe magnez, të gjitha këto lëndë ushqyese që lidhen me shëndetin e mirë të zemrës. Këto veti ndihmojnë gjithashtu në përmirësimin e qarkullimit të gjakut, oksigjenit dhe lëndëve ushqyese në të gjithë trupin.

  • Gërvalla në Fondacionin “Körber”, bashkëbisedon me shoqërinë civile, deputetë, diplomatë dhe gazetarë

    Gërvalla në Fondacionin “Körber”, bashkëbisedon me shoqërinë civile, deputetë, diplomatë dhe gazetarë

    Në përmbyllje të vizitës së punës në Gjermani, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla mori pjesë në diskutimin me përfaqësues të institucioneve gjermane, deputetë të Bundestagut gjerman dhe shoqërisë civile, të organizuar nga Fondacioni “Körber”, nën moderimin e znj. Nora Muller.

    Gjatë prezantimit të saj Ministrja Gërvalla foli për të arriturat e mëdha të Republikës së Kosovës gjatë vitit 2023, duke e cilësuar si vitin më të suksesshëm jo vetëm në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, por sidomos edhe zhvillimin ekonomik, duke shpalosur edhe proceset e saj integruese në mekanizmat ndërkombëtarë.

    Ministrja Gërvalla i informoi të pranishmit për veprimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe rajon, duke përmendur sulmet e vazhdueshme në veri të Kosovës, si ai i 29 majit ndaj ushtarëve të KFOR-it, rrëmbimin e policëve të Kosovës si dhe sulmin e 24 shtatorit, duke shprehur shqetësimin e saj që nga shtatori nuk ka një qëndrim të qartë dhe zyrtar të BE-së për aktin e hapur të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës.

    Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, dialogu Kosovë-Serbi, rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare ishin temat e tjera, rreth të cilave Ministrja Gërvalla bashkëbisedoi me të pranishmit në diskutimin e organizuar nga Fondacioni “Körber”.

    Ministrja Gërvalla gjatë qëndrimit të saj në Gjermani ka marrë pjesë edhe në takimin me gazetarë, si e ftuar nga Forumi “Korrespondenten.cafe”, ku morën pjesë korrespodentë të huaj, politikanë, gazetarë dhe diplomatë.

    Ky takim ishte një mundësi e mirë e bashkëbisedimit, ku gazetarë të mediave të ndryshme, në një takim prapa kamerave, patën mundësi të informohen rreth aktualitetit politik në Kosovë, politikën e jashtme dhe të ardhmen e saj euroatlantike.

  • PDK-ja diskuton mobilizimin e strukturave për zgjedhje nacionale

    PDK-ja diskuton mobilizimin e strukturave për zgjedhje nacionale

    Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës po mban një mbledhje ku po diskutohet për dëmin e madh që Qeveria e Albin Kurtit ia ka sjellë vendit, duke e pranuar draft-statutin e asociacionit që përmban kompetenca të qarta ekzekutive.

    Sipas PDK-së, ky draft-statut prish karakterin unitar të shtetit tonë dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe rrjedhimisht, Partia Demokratike e Kosovës nuk mund ta mbështesë një propozim të tillë.

    Këshilli Drejtues i PDK-së po diskuton edhe për mobilizimin e menjëhershëm të gjitha strukturave të partisë për zgjedhjet e ardhshme nacionale, për të rikthyer besimin e qytetarëve me një qeveri të re që e rikthen Kosovën në binarët e zhvillimit, integrimit dhe perspektivës për të gjithë.

  • Rrokulliset një veturë te ‘Kroni i Mbretit’, lëndohet një person

    Rrokulliset një veturë te ‘Kroni i Mbretit’, lëndohet një person

    Një veturë është rrokullisur sot në rrugën Prishtinë-Pejë më saktësisht te ‘Kroni i Mbretit’, ku një person ka pësuar lëndime trupore.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, i cili tha se aksidenti ka ndodhur rreth orës 13:40.

    “Rreth orës 13:40, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë (te Kroni i Mbretit). Njësia policore e trafikut njofton se në aksident është përfshirë vetëm një veturë (vet-aksident). Si pasojë e aksidentit një person është dërguar për tretman mjekësor”, tha ai.

    Ndryshe, në 24-orët e fundit në Kosovë kanë ndodhur 49 aksidente trafiku, ku 12 prej tyre ishin me persona të lënduar.

  • Imran Khan dhe gruaja e tij dënohen me burg për martesë të jashtëligjshme

    Imran Khan dhe gruaja e tij dënohen me burg për martesë të jashtëligjshme

    Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, dhe bashkëshortja e tij Bushra Khan, janë dënuar me nga shtatë vjet burgim secili të shtunën nga një gjykatë, për akuzat se kishin lidhur martesë në mënyrë të paligjshme.

    Ky është dënimi i tretë me burg brenda pak ditëve për ish-liderin pakistanez.

    Gjykata civile në Islamabad tha se Bushra nuk e kishte kryer kohën e pritjes së detyrueshme prej tre muajve nga shkurorëzimi prej burrit paraprak kur u martua me Khanin më 2018.

    Khan, 71 vjeç, i cili shërbeu si kryeministër nga viti 2018 deri më 2022, është dënuar tashmë me 24 vjet burgim në përgjithësi dhe i është ndaluar ta mbajë poste publike për një dekadë.

    Të dy Khanët u dënuan me 14 vjet burgim secili më 31 janar në një rast korrupsioni, një ditë pasi ai ishte dënuar me 10 vjet burgim për publikimin e sekreteve shtetërore në një rast tjetër, sipas partisë së tij, PTI.

    Gjykata Antikorrupsion në Islamabad i shpalli ata fajtorë për shitjen e jashtëligjshme të dhuratave shtetërore në vlerë prej më shumë se 500.000 dollarë gjatë kohës sa ishte kryeministër nga viti 2018 derisa u rrëzua nga pushteti në prill 2022 përmes një vote të mosbesimit.

    Gjykata ia ka ndaluar Khanit gjithashtu mbajtjen e posteve publike për 10 vjet, tha PTI. Bashkëshortja e tij Bushra u arrestua pak pasi gjykata e shpalli aktvendimin për ta.

    Khan ndodhet në burg tashmë, pasi në gusht u dënua me tri vjet burgim nga një gjykatë tjetër për shitjen e dhuratave që i kishte marrë gjatë kohë si kryeministër.

    Khanit i është ndaluar tashmë të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 8 shkurtit, për shkak të dënimeve të kaluara me burg, që kanë të bëjnë me zbulimin e një dokumenti konfidencial diplomatik gjatë një tubimi publik, pas rrëzimit të tij nga pushteti më 2022.

    Atëbotë, Khan pretendoi se dokumenti, të cilit i ishte referuar me termin “Cipher”, ishte dëshmi se rrëzimi i tij ishte orkestruar nga ushtria e fuqishme e Pakistanit në koordinim me Shtetet e Bashkuara. Si ushtria, ashtu edhe Uashingtoni, kishin mohuar këto akuza.

    Më 21 tetor 2023, ish-kryeministri Nawaz Sharif, që ka mbajtur këtë post për tri mandate dhe që është një rival i kamotshëm i Khanit, u kthye në Pakistan pasi për katër vjet kishte qëndruar në mërgim dhe nisi fushatën zgjedhore me partinë e tij Liga Myslimane e Pakistanit, duke mbajtur një tubim të madh në Lahore.

    Partia e Khanit dhe e Sharifit konsiderohen si partitë kryesore në zgjedhjet e ardhshme.

    Pakistani, shtet me 241 milionë banorë, është mbërthyer nga një krizë e rëndë ekonomike dhe ka përjetuar rënie të shpejtë të standardit të jetesës./REL/

  • Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë zbatimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën

    Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë zbatimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën

    Këshilli jozyrtar i Ministrave të Jashtëm të BE-së, i cili po zhvillohet sot në Bruksel, do të vazhdojë, ndër të tjera, diskutimin e situatës së Ukrainës dhe, në veçanti, çështjen e zbatimit të angazhimeve për rritjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, e deklaroi këtë sot në Bruksel përpara takimit të jashtëm, raporton Ukrinform.

    Këshilli Evropian i udhëzoi diplomatët që të diskutojnë çështjen dhe të arrijnë një marrëveshje, tha Borrell.

    Ai kujtoi se një marrëveshje e ngjashme u arrit në dimensionin civil, duke përfshirë sigurimin e 50 miliardë eurove gjatë viteve të ardhshme, që është “lajm i mirë”.

    Megjithatë, BE duhet të vendosë ende se si të zbatojë planet për ndihmën ushtarake për Ukrainën, si në mënyrë dypalëshe ashtu edhe përmes Mjetit Evropian të Paqes, vuri në dukje Borrell.

    Ambasadorja e BE-së në Ukrainë Katarina Mathernova tha në një intervistë për Ukrinform se ndihma ushtarake për Ukrainën do të diskutohet në Këshillin e ardhshëm Evropian.

    Më 1 shkurt në Bruksel, të 27 liderët e BE-së kanë rënë dakord për krijimin e një lehtësie prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën në buxhetin shumëvjeçar të BE-së për 2024-2027.

    Në takimin jo formal të ministrave të Jashtëm të BE-së do të diskutohet edhe mbi Lindjen e Mesme dhe Afrikën.

  • Lista Serbe: Rreth 100 mijë serbë në Kosovë janë prekur nga vendimi për dinarin

    Lista Serbe: Rreth 100 mijë serbë në Kosovë janë prekur nga vendimi për dinarin

    Kryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Zlatan Ellek, ka thënë të shtunën se ndalimi i përdorimit të dinarit “nënkupton dëbim të serbëve dhe të gjitha institucioneve serbe” nga territori i Kosovës.

    Duke folur në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut, Ellek theksoi se të gjithë ata që gëzojnë të hyra nga Serbia janë në rrezik dhe se rreth 100 mijë serbë në Kosovë do të preken drejtpërdrejt nga vendimi i autoriteteve kosovare për ta ndaluar përdorimin e dinarit serb.

    “Kjo vlen për të gjitha institucionet që funksionojnë në sistemin serb, pensionistët, përfituesit e përfitimeve sociale, studentët, bursistët. Pra, i gjithë populli serb”, tha Eleku.

    Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) – e cila përcakton që vetëm euroja të përdoret si valutë për pagesa me para të gatshme – hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për shtyrjen e zbatimit të saj.

    Kryetari i Listës Serbe thotë se largimi i dinarit nga sistemi i pagesave nënkupton vënien e serbëve në një “pozitë të padurueshme” dhe se është një “prelud i eksodit total të popullit serb” në territorin e Kosovës.

    Ai e cilësoi vendimin si “lëvizje përgatitore” nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti.

    “Vendimi për shfuqizimin e institucioneve serbe që kujdesen për arsimin, shëndetësinë, ekonominë dhe asistencën sociale, po ua shfuqizon jetën serbëve”, tha Elleku.

    Ai tregoi se në bisedimet me bashkësinë ndërkombëtare, Lista Serbe nënvizoi se “qëllimi përfundimtar i Qeverisë në Prishtinë është spastrimi etnik i serbëve”, dhe se në një takim me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, ata shprehën frikën e tyre që rrjedh nga vendimi për shfuqizimin e dinarit.

    Lista Serbe njoftoi se do t’ua dërgojë një letër ambasadorëve të vendeve të QUINT-it.

    Ellek tha se bashkësia ndërkombëtare dhe vendet e QUINT-it janë “drejtpërdrejt përgjegjëse për multietnicitetin” në Kosovë dhe “do të jenë bashkëpunëtore të drejtpërdrejta, nëse do të ketë një eksod të popullit serb nga Kosova”.

    Qeveria e Kosovës ka njoftuar se zbatimi i rregullores për transaksionet me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtë dhe se nuk do të ketë gjoba për posedimin e valutave të vendeve të tjera.

    Ky vendim i Kosovës u kundërshtua nga Serbia, ndërsa bashkësia ndërkombëtare kërkoi shtyrjen e zbatimit të tij me arsyetimin se ekziston shqetësimi se mund të ketë ndikim negativ tek serbët e Kosovës.

    Deri më tani, dinarët në Kosovë qarkullojnë përmes kompanisë publike serbe “Posta e Serbisë” e cila vepron në vendbanimet e banuara me serb në Kosovë. Llogari në dinarë ka edhe në bankat “Postanska stedionica” (Kursimore e Postës) dhe “NLB Komercijalna banka”.

    Dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit të parave “Henderson”.

    Në rregulloren e BQK-së u tha se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë është e drejtë ekzekutive e saj.

    Banka Qendrore e Kosovës ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se është e gatshme të marrë pjesë në bisedime për të lehtësuar procesin e transferimit të mjeteve në llogaritë bankare të përdoruesve në euro bazuar në praktikat ekzistuese rajonale.

    Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha të enjten se vendimi “i njëanshëm” i Kosovës për ta zbatuar rregulloren e BQK-së ia kufizon mundësitë SHBA-së për të avokuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

    DASH-i i bëri thirrje Kosovës ta shtyjë zbatimin e këtij vendimi “menjëherë”, derisa, siç tha, të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha e tranzicionit.

    “Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të zhgënjyera dhe i kundërshtojnë planet e tanishme të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë të dinarit serb”, theksoi DASH.

    Ndërkohë, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të ofrojë periudhë të gjatë tranzicioni për largimin nga përdorimi të dinarit serb./REL/

  • Posterët kundër Radojiçiqit, reagon zëvendësministri për Kthim dhe Komunitete

    Posterët kundër Radojiçiqit, reagon zëvendësministri për Kthim dhe Komunitete

    Rrugët në veri janë mbushur me pamflete kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radojiçiq, duke e quajtur atë vrasës dhe patriot të rrejshëm.

    Për këto pamflete ka reaguar edhe zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Radoica Radomiroviq.

    Ai ka shpërndarë fotografitë derisa ka shkruar se “Ja çfarë mendojnë serbët për kryebanditin e Listës Serbe”.

    LEXONI EDHE:

    “Kush është Radojiçiqi? Patriot i rrejshëm, terrorist dhe kriminel që keqpërdor rininë tonë”, në Leposaviq e Zubin Potok vendosen pamflete kundër Radojiçiqit

  • Ekskluzive: Ideatori Qëndrim Thaqi prezanton makinën e parë shqiptare

    Ekskluzive: Ideatori Qëndrim Thaqi prezanton makinën e parë shqiptare

    Sipërmarrësi shqiptar nga komuna e Drenasit i cili jeton dhe vepron në Itali, Qëndrim Thaqi ka prezantuar makinën e parë shqiptare gjatë një ekspozite në Torino, TREDITECH.

    I ftuar në emisionin e mëngjesit “ALARM” në ATV, Thaqi tha se kjo makinë do të jetë në mesin e pesë automjeteve më të shpejta në botë në kuadër të modeleve të hipermakinave.

    Supervetura e re “Ilyrian TSX” ka një motor 6.2 litërsh Twin Turbo me 650 kuaj/fuqi, derisa shpejtësia maksimale pritet të arrijë në 375 kilometra në orë.

    Tutje, Thaqi tregoi se kjo veturë momentalisht prodhohet në Torino, por që prodhimi i kësaj veture pritet të fillojë edhe në Kosovë, për të vazhduar pastaj edhe në Shqipëri.

    Çmimi i automjetit sportiv do të variojë nga 1.2 milionë euro deri në 1.7 milionë euro.

    Kjo makinë pritet të jetë një rivale e fortë e Lamborghin Aventador apo Ferrari 812 Superfast.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • ​Lëndohen dy punëtorë derisa punonin në ndërtimin e një shtëpie në Rahovec

    ​Lëndohen dy punëtorë derisa punonin në ndërtimin e një shtëpie në Rahovec

    Dy persona kanë pësuar lëndime trupore derisa kanë qenë duke punuar në ndërtimin e një shtëpie në Rahovec.

    Sipas Policisë, ata janë lënduar kur vinçi është shkëputur nga pllaka dhe ka rënë në tokë.

    Viktimat janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse dhe inspektori i punës. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori.