ATV

Author: G.O.

  • Një rregull i ri në futboll, do të ketë karton të kuq të përkohshëm

    Një rregull i ri në futboll, do të ketë karton të kuq të përkohshëm

    Një tjetër ndryshim në rregullat e futbollit së shpejti pritet të futet në funksion.

    Pas VAR-it, bota e futbollit bëhet gati për një tjetër risi, që me gjasë do të marrë dritën e gjelbër për t’u eksperimentuar në muajin mars, në mbledhjen e IFAB.

    Bëhet fjalë për përjashtimin e përkohshëm të futbollistëve, një rregull i ri që pritet të testohet në FA Cup duke nisur që nga sezoni i ardhshëm.

    Përjashtimi i përkohshëm parashikon lënien jashtë të një futbollisti për një kohë maksimale prej 10 minutash, megjithatë mbetet ende të përcaktohet kohëzgjatja.

    Në kategorinë e faulleve që pritet të ndëshkohen me përjashtim të përkohshëm janë faulle taktikë, por edhe protesta të ashpra të futbollistëve ndaj vendimeve të gjyqtarëve.

    Bashkë me këtë risi, pritet të diskutohet edhe një ide tjetër, ajo e komunikimit me arbitrin vetëm nga ana e kapitenëve të skuadrave, ashtu si ndodh edhe në disa sporte tjera.

  • Rrihen punëtorët në Spitalin e Pejës, rasti është iniciuar si lëndim i lehtë trupor

    Rrihen punëtorët në Spitalin e Pejës, rasti është iniciuar si lëndim i lehtë trupor

    Dy punonjës të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës janë përleshur fizikisht të hënën, ka konfirmuar Policia e Kosovës, derisa rasti është iniciuar si lëndim i lehtë trupor.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë se incidenti ka ndodhur dje rreth orës 09:30, ku pas intervistimit të të dyshuarve, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

    Spitali i Pejës nëpërmjet një reagimi, ka thënë se shpreh keqardhjen për rastin, duke theksuar se është në proces të mbledhjes së të dhënave për ndodhinë.

    “Dje ky proces nuk ka mundur të kryhet, sepse dy të punësuarit tanë, të përfshirët në këtë rast, kanë qenë në organet e hetuesisë dhe ne nuk i kemi ende të gjitha informacionet e duhura”, thuhet në reagimin e Spitalit.

    Ky institucion ka thënë se pas mbledhjes së informacioneve, rasti do të trajtohet sipas akteve normative.

  • Shtyhet seanca fillestare ndaj anëtarëve të LV-së për gazin në Kuvend

    Shtyhet seanca fillestare ndaj anëtarëve të LV-së për gazin në Kuvend

    Është shtyrë seanca e shqyrtimit fillestar në rastin ndaj katër zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, më 21 mars 2018. Seanca është shtyrë për 28 shkurt.

    Xhelal Sveçla, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, gjatë periudhës si deputetë të LV-së, akuzohen se me hedhjen e gazit lotsjellës kanë kryer veprën penale të “përdorimit të armës ose mjetit të rrezikshëm” dhe “pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.

    Aktakuza ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 korrik 2019.

    Në arsyetimin e shtyrjes, gjyqtari Sabit Sadikaj ka thënë se po pret përgjigje nga Drita Millaku për shkak të gjendjes shëndetësore. Nëse nuk përmirësohet, gjykata pritet ta veçojë procedurën ndaj saj dhe të tjerëve.

  • Përmirësohet gjendja e 23-vjeçares që u zu nga çatia e komunës së Prishtinës

    Përmirësohet gjendja e 23-vjeçares që u zu nga çatia e komunës së Prishtinës

    Elza Ujkani, vajza e cila u lëndua rëndë si pasojë e rënies së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës para rreth dy javësh, është në gjendje stabile shëndetësore.

    Lajmin për këtë e dha deputeti i Listës Guxo, Haxhi Avdyli, i cili tha se nga dje ajo është transferuar në Klinikën e Neurokirurgjisë për trajtim të mëtutjeshëm, duke thënë se është e vetëdijshme, komunikative dhe e lëvizshme.

    Shkrimi i plotë:

    Lajme të mira për Elza Ujkani. Lajme të mira nga Neurokirurgjia

    Ngjarja tragjike e shembjes së kulmit të Komunës së Prishtinë mbi të renë Elzen, e ka prek çdo qytetarë të Kosovës.

    Pas qëndrimit në mjekim intenziv dhe pas operacionit gadi 4 orë për të evakuar e ndalur gjakderdhjen intrakraniale, Elza ia doli.

    Nga dje ajo është transferuar në Klinikën e Neurokirurgjisë për trajtim të metutjeshëm.

    Ajo është e vetëdijshme, komunikative , e lëvizshme me të gjitha ekstremitetet, përkundër që ka thyerje në para krah dhe ne vertebrën cervikale C7.

    Falë punës dhe profesionalizmit të lartë të kolegëve të mi nga Neurokirurgjia Dr Faik Qosja si operator, e asistentëve të tij, dhe tërë kolegevë tjerë në krye me drejtorin dr Besnik Elshani të cilët po kujdesen që edhe këtë fazë postoperatore ta kaloj sa më lehtë.

    Mos ta harrojmë punën madhe që kanë bërë anesteziologet në Kujdes intenziv për ta mbajtur në aparate reanimuese pas operimit , pastaj për ta zgjuar dhe rehabilituar pas zgjimit nga koma.

    Tani Elza ka nevojë për qetësi dhe rehabilitim disa ditor deri në transferim në shtëpi.

    Falenderojmë të gjithë miqtë, kolegët e tanë për interesimin e përditshëm nga Presidenca e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, ministri Arben Vitia, zv M Arsim Berisha, kolegut kirurgut Dr Mirsad Shkreta e të gjithë që janë interesuar që rasti i Elzës të përfundoi në mënyrën sa më të mirë.

  • Sulmoi fizikisht bashkëshorten e tij, arrestohet një burrë në Prishtinë

    Sulmoi fizikisht bashkëshorten e tij, arrestohet një burrë në Prishtinë

    Policia e Kosovës njoftoi se dje është arrestuar një burrë në Prishtinë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Dhunë në familje.

    Siç njoftoi Policia, i dyshuari pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

    Tutje, bëhet e ditur se viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje./atvlive.tv/

     

     

  • Ushtria izraelite thotë se ka vrarë dhjetëra persona të armatosur në Gazë

    Ushtria izraelite thotë se ka vrarë dhjetëra persona të armatosur në Gazë

    Forcat izraelite kanë vrarë dhjetëra sulmues palestinezë dhe kanë ndaluar shumë të tjerë në operacionet e zhvilluara në 24 orët e fundit në Han Junis – qytetin që ndodhet në jug të Gazës, tha ushtria në një deklaratë të martën.

    Qytetin jugor, ushtria e ka përshkruar si fokus të luftimeve, derisa ka bërë të ditur se ka ndaluar rreth 80 persona.

    Sipas ushtrisë izraelite, në mesin e të ndaluarve ka persona të cilët akuzohen për pjesëmarrje në vrasjet dhe rrëmbimet e 7 tetorit në jug të Izraelit.

    Më 7 tetor 2023 grupi palestinez Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ka sulmuar Izraelin duke vrarë 1.200 persona – shumë prej tyre civilë, dhe duke rrëmbyer rreth 250 të tjerë.

    Si pasojë e ofensivës izraelite, në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 27.000 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi. Kjo ministri, që nuk bën dallimin mes luftëtarëve dhe civilëve të vrarë, ka thënë se shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë.

    Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij në jug të Gazës edhe gjatë fundjavës, duke paralajmëruar se forcat tokësore mund të përparojnë drejt qytetit Rafah, si pjesë e fushatës së tyre për të zhdukur Hamasin.

    Në përpjekje për të arritur një marrëveshje të re armëpushimi në luftën mes Izraelit dhe Hamasit, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka udhëtuar të hënën për në Lindjen e Mesme.

    Ai pritet të vizitojë Arabinë Saudite, Izraelin, Egjiptin dhe Katarin gjatë turneut të tij të pestë në rajon, prej kur nisi lufta.

    Një armëpushim ishte propozuar gjatë një takimi në janar, të mbajtur në Paris, mes zyrtarëve të lartë të SHBA-së, Izraelit, Egjiptit dhe Katarit.

    Armëpushimi i propozuar parasheh një pauzë të luftimeve fillimisht për gjashtë javë që Hamasi të lirojë pengje në këmbim të të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli./REL/

  • Rizvanolli: Investimet në Trepçë do të jenë prioritet

    Rizvanolli: Investimet në Trepçë do të jenë prioritet

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se bashkë me zëvendësministrat, Getoar Mjeku e Nenad Stanojević dhe deputeten Arjeta Fejza të hënën kanë vizituam ndërmarrjen e Trepçës dhe Minierën e Stan Tërgut.

    Ajo ka thënë se ishte përjetim i veçantë të flasim me ta për së afërmi e të përjetosh ambientin e vështirë të punës që për minatorët është përditshmëri, por ishte edhe frymëzuese të shohim vullnetin dhe zellin e tyre për punë.

    “Në Horizontin X takuam Fisnikun, Naserin e kolegët e tyre që punonin në nxjerrje të mineralit e mirëmbajtje të makinave të stërvjetruara. Ishte përjetim i veçantë të flasim me ta për së afërmi e të përjetojmë ambientin e vështirë të punës që për minatorët është përditshmëri, por ishte edhe frymëzuese të shohim vullnetin dhe zellin e tyre për punë”.

    Tutje ajo ka thënë se së bashku me Kryesuesen e Bordit të Ndërmarrjes, Rrezarta Pllana, Kryeshefin Ekzekutiv, Bashkim Kurti dhe Drejtorin e Njësisë, Shyqri Sadiku i siguruan ata që në investmet e planifikuara në Trepçë, pajisjet e mjetet e punës, sigurisë e mbrojtjes për minatorët do të jenë prioritet.

    “Përkundër sfidave, Trepça ka nevojë që të gjithë të punojmë të unifikuar për të mirën e ndërmarrjes për ta sjellë Trepçën aty ku e meriton, si bosht i zhvillimit ekonomik e shoqëror të Mitrovicës dhe tërë atij rajoni. Bordin dhe të gjithë ata që kontribuan në këtë periudhë të vështirë për ndërmarrjen i falënderova, e menaxhmentit të ri u urova sukses”, ka shkruar ministrja.

  • ​25 vjet nga konferenca e Rambujesë

    ​25 vjet nga konferenca e Rambujesë

    Para 25 viteve, më 6 shkurt të vitit 1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.

    Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christopher Hill nga SHBA-të, Boris Maiorsky, Rusi dhe Wolfgang Petritsch nga BE.

    Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

    Edhe rrethi i dytë i bisedime që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike – marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

    As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Holbrooke nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bind presidentin e atëhershëm të RSFJ, Sllobodan Millosheviq që të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

    Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.

    Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovës, UNMIK-ut si mision civil dhe KFOR-it, mision ushtarak.

    Ndërkaq, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

  • “The Guardian”: Kosova akuzohet për nxitje tensionesh pas vendimit të ndalimit të përdorimit të dinarit

    “The Guardian”: Kosova akuzohet për nxitje tensionesh pas vendimit të ndalimit të përdorimit të dinarit

    Bordi i BQK-së ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme, e cila do të hyjë në fuqi që nga 1 shkurti. Sipas saj, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë është euro.

    Lidhur me këtë temë, mediumi prestigjioz “The Guardian” ka shkruar duke thënë se “Kosova akuzohet për rritje të tensioneve ndëretnike duke ndaluar përdorimin e dinarit serb” , tutje duke përmendur akuzat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian kundër rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës.

    “Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar autoritetet e Kosovës se ‘po rrisin tensione ndëretnike’ pa nevojë pasi Qeveria vendosi masën e ndalimit ndaj valutës serbe dhe udhëzoi komunitetin serb të pranojë euron. Bastisjet policore të urdhëruara nga ministri i Punëve të Brendshme në katër organizata që punojnë në zonat e populluara me serbë, që erdhën disa ditë pas vendimit për valutë, kanë shtuar frikë për përshkallëzim të situatës së sigurisë”, ka shkruar “The Guardian”.

    Aty janë përmendur edhe akuzat e zyrtarëve serbë se vendimi i BQK-së do të ndikojë në jetën e përditshme të serbëve që varen nga asistenca sociale e Serbisë.

    Bashkimi Evropian ka kritikuar Kosovën për hapa “të njëanshëm” duke shtuar se frikësohet që do të nxisin përshkallëzim të raporteve me Serbinë.

    “Këta janë hapa shqetësues sepse nuk kontribuojnë në shtensionim të situatës”, ka thënë Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme i Bashkimit Evropian. “Nuk janë të koordinuara, janë të njëanshme pa nivelin e duhur të konsultimit paraprak në mënyrë që të parandalohet ndikimi negativ që mund të kenë në terren”.

    Zyrtarët evropianë kanë thënë se statusi i organizatave që u mbyllën nga Policia – strukturat paralele të krijuara nga Beogradi – duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. “The Guardian” ka kujtuar sulmin e 24 shtatorit në Banjskë nga serbë të uniformuar. Ishte vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues të grupit terrorist.

    Euroja ka qenë valuta e vetme në Kosovë që nga paslufta. Por serbët, me rreth 5 për qind të popullatës, vazhdojnë ta përdorin dinarin, e sipas “The Guardian”, ky është reflektim i refuzimit të shtetësisë së Kosovës. Ata marrin pensione, paga e përfitime tjera sociale nga Beogradi.

    Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova ta shtyjë rregulloren, duke shtuar se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për informim. Kosova është pajtuar me tranzicion, por s’ka treguar se sa do të zgjasë.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, politikën ndaj dinarit e ka cilësuar “vazhdim të spastrimit etnik”, ndërsa ka paralajmëruar thirrjen e një seance urgjente të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

    “The Guardian” ka shkruar po ashtu në burime se vendimi i Kosovës s’ka të bëjë me dëshirën për provokim, por për të luftuar krimet ekonomike e paratë false. E për strukturat paralele, Beogradi ishte pajtuar t’i hiqte me marrëveshjen e 2013-s.

  • Mbreti Charles III diagnostikohet me kancer, Presidentja Osmani i uron shërim të shpejtë

    Mbreti Charles III diagnostikohet me kancer, Presidentja Osmani i uron shërim të shpejtë

    Mbreti Charles është diagnostikuar me një formë kanceri, ka njoftuar pallati mbretëror Buckingham.

    Lloji i kancerit nuk është zbuluar, por sipas një deklarate të pallatit, Mbreti filloi “trajtimet e rregullta”.

    E pas këtij lajmi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një postim në X i uron shërim të shpejtë dhe të plotë.

    “….Populli i Kosovës u bashkohet me shpresë dhe solidaritet, duke i uruar Madhërisë së Tij shërim të shpejtë dhe të plotë”, shkruan presidentja.