ATV

Author: G.O.

  • ​Kushti 15 vite punë, AAK kërkon nga Avokati i Popullit ta ndryshojë Ligjin për skemat pensionale

    ​Kushti 15 vite punë, AAK kërkon nga Avokati i Popullit ta ndryshojë Ligjin për skemat pensionale

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka dorëzuar tek Avokati i Popullit kërkesën për ndryshimin e Ligjit të skemave pensionale.

    Deputeti i kësaj partie, Shemsedin Dreshaj tha se kërkesa kryesore është që të largohet kushti 15 vite si masë diskriminuese kundrejt kontributdhënësve.

    Dreshaj theksoi se nga Avokati i Popullit presin që këtë çështje ta adresojnë tek Gjykata Kushtetuese dhe se ajo ta largojë kushtin për 15 vite të skemës së pensioneve.

    Ai tha se personat që nuk e plotësojnë këtë kusht, shkojnë me skemën bazike të pensioneve bazike 100 euro, prandaj si i tillë ky ligj nuk duhet të ekzistojë fare.

    “Kemi dorëzuar tek Avokati i Popullit një iniciativë tonën lidhur me largimin e 15 viteve, pra diskriminimi që është duke iu bërë disa vite popullatës tonë në raport me skemat e pensioneve kontribut dhënësve. Ky ligj nënkupton që ai person i cili pas datës një janar të vitit 1984 ka krijuar marrëdhënie pune me shtetin nuk gëzon të drejtën e pensionit kontributdhënës, çka do të thotë për një ditë ose për nja javë ju e humbni kontributin që e keni bërë vite të tëra. Kërkesa jonë kryesore është që të largohet 15 vite si masë diskriminuese dhe njëkohësisht që të largohet data një janar e vitit 1999 që nënkupton kur juve ju numërohet stazhi pensional. Avokati i Popullit do të marrë këtë çështje dhe do të procedojë në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese do të eliminojë këtë masë ndëshkimore për individët të cilët nuk e plotësojnë 15 vjetshin. Këta që nuk e plotësojnë kushtin 15 vite punë shkojnë me skemën bazike të pensioneve me 100 euro që e ka instaluar Kosova disa vite më herët. Ky ligj për opinionin është që nga viti i kaluar askush nuk përfiton nga ky ligj, për shkak asnjë nuk i plotëson 15 vite punë, ky ligj është jo funksional, nuk ka nevojë të ekzistojë fare, nëse nuk largohet 15 vite mund të shpallet si i vdekur”, tha Dreshaj.

  • Dy bombardues rusë fluturojnë në afërsi të Alaskës

    Dy bombardues rusë fluturojnë në afërsi të Alaskës

    Rusia tha të mërkurën se dy bombardues të saj strategjikë, Tu-95MC, fluturuan mbi ujërat pranë shtetit amerikan, Alaskë, por shtoi se ata qëndruan brenda hapësirës ndërkombëtare.

    Tu-95, të njohur si arinjtë nga NATO-ja, fluturuan për rreth 9 orë, të shoqëruar nga avionët luftarakë SU-30SM. Ata fluturuan mbi Detin Bering, sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë.

    “Fluturimi u krye në përputhje të plotë me rregullat ndërkombëtare për përdorimin e hapësirës ajrore”, tha gjenerali Sergei Jobylash, komandant i aviacionit rus.

    Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut (NORDA) tha se i ka vërejtur katër avionë luftarakë rusë duke fluturuar në Zonën e Identifikimit të Mbrojtës Ajrore të Alaskës (ADIZ).

    “Avioni rus qëndroi brenda hapësirës ajrore ndërkombëtare dhe nuk u fut në hapësirën sovrane amerikane apo kanadeze”, tha NORAD në një komunikatë.

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, më 2007 e riktheu praktikën e epokës sovjetike për të dërguar bombardues strategjik rregullisht për patrullim përtej kufijve të Rusisë./REL/

  • Toney largohet nga Brentfordi këtë verë

    Toney largohet nga Brentfordi këtë verë

    Trajneri i Brentfordit, Thomas Frank e ka konfirmuar se ylli i skuadrës, Ivan Toney do të largohet këtë verë nga klubi.

    Si duket Brentfordi nuk ka arritur ta bind Toneyn që ta vazhdojë të ardhmen me klubin, lajm i mirë ky për Chelsean dhe Arsenalin, raporton KosovaPress.

    Në një intervistë me “Tipsbladet”, Frank e konfirmoi se Toney do të shitet gjatë verës.

    “Është shumë e qartë se Ivan Toney do të shitet gjatë verë. Është normale pasi që ai ka vetëm një vit të mbetur në kontratën e tij me ne. Por, ne gjithashtu e dimë se sa vlen ai, kështu që mbetet të shihet”, tha Frank.

    “Këtë dimër, ne nuk kishim asnjë ofertë për të, por do të më befasonte mua nëse nuk ka shumë klube në korrik. Nuk mendoj se ka shumë sulmues në botë që janë më të mirë se Ivan Toney momentalisht”, shtoi më tej Frank.

    Në garë për shërbimet e Toneyt janë Chelsea dhe Arsenali.

  • ​Krimet e luftës, vetëm 23 aktakuza të ngritura në periudhën 2020-2023

    ​Krimet e luftës, vetëm 23 aktakuza të ngritura në periudhën 2020-2023

    23 aktakuza për krime lufte janë ngritur nga viti 2020 deri në vitin 2023.

    Kështu u tha në diskutimin “Ngritja e kapaciteteve në hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë”, të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare tha se rekomandim i vazhdueshëm mbetet ngritja e kapaciteteve për hetimin e krimeve të luftës.

    Prokurori special, Ilir Morina, deklaroi se ngritja e kapaciteteve të institucioneve paraqet sfidë të vazhdueshme. Ai u shpreh se aktualisht po punojnë me tre prokurorë, pas pensionimit të prokurores speciale, Drita Hajdari.

    “Ne po mundohemi që t’i rrisim kapacitetet. Nga viti 2018 deri në vitin 2020 ka qenë një periudhë tranzitore për pranimin e lëndëve. Në vitin 2020 ka qenë pandemi. Ne vitin 2020 ështe miratuar strategjia per hetimin e krimeve të luftës, ku janë caktuar katër prokurorë për hetimin e krimeve të luftës. Kemi filluar të pranojmë lëndë të reja. Sfida e parë ka qenë që përveç transferimit të lëndëve, nuk ka pasur transferim të praktikave, ka munguar përvoja dhe tani me ndihmën edhe të partnerëve ndërkombëtarë, kemi arritur që të krijojmë një kapacitet të konsolidueshëm”, tha ai.

    Ai tregoi edhe numrin e aktakuzave që janë ngritur nga periudha që kanë marrë kompetencat për hetimin e krimeve te luftës.

    “Nga viti 2016 deri në vitin 2019 janë ngritur 12 aktakuza ndaj 13 personave. Nga viti 2020 deri në fund të vitit 2023 janë ngritur 23 aktakuza ndaj 76 personave”, shtoi ai.

    Edhe gjyqtari Valon Kurtaj nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë tha se sfidë është ngritja e kapaciteteve. Ai përmendi gjykimin në mungesë për të cilin tha se është hap i rëndësishëm pozitiv.

    Ndërkaq, Bashkim Spahiu nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës theksoi se janë 32 zyrtarë që merren me raste hetimore. Ai teksa foli për sfidat, u shpreh se ka kaluar kohë e gjatë prej luftës së fundit në Kosovë dhe shumë gjurmë kanë humbur.

  • ​Gërvalla takon deputetë italianë, i njofton për agresionin e Serbisë të 24 shtatorit në Banjskë

    ​Gërvalla takon deputetë italianë, i njofton për agresionin e Serbisë të 24 shtatorit në Banjskë

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka zhvilluar takim me deputetë nga komisioni i jashtëm parlamentar i Italisë.

    Ndër temat e folura me kryetarin e këtij komisioni, Giuliuo Tremonti, kanë qenë siguria, zhvillimi ekonomik dhe integrimi euroatlantik i Kosovës.

    Gjithashtu Gërvalla para ligjvënësve italianë ka folur edhe për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

    “Ministrja Gërvalla e njoftoi Kryetarin Tremonti dhe deputetët edhe për aktin e agresionit serb të 24 shtatorit në Banjskë dhe ritheksoi nevojën imediate për ndërmarrjen e veprimeve kundër atyre që në vazhdimësi po rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.

    “Deputetët italianë shprehen interesimin e tyre rreth proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova, sfidat dhe vizionin e qeverisë së Kosovës për të ardhmen e saj integruese”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

  • Arrestohet në Klinë një shtetas i huaj, ishte në kërkim ndërkombëtar

    Arrestohet në Klinë një shtetas i huaj, ishte në kërkim ndërkombëtar

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një shtetas të huaj i cili thuhet se ishte në kërkim ndërkombëtar për një vepër penale të kryer në Shqipëri.

    Sipas Policisë ai është arrestuar në Klinë.

    “Bazuar në urdhër-arrestin ndërkombëtar është arrestuar një i dyshuar shtetas i huaj për një vepër penale të cilën i dyshuari e kishte kryer në Shqipëri”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

     

  • ​Kosova pritet të jetë pjesë e programit “Evropa digjitale”

    ​Kosova pritet të jetë pjesë e programit “Evropa digjitale”

    Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ky program do të ndihmojë transformimin digjital dhe rritjen e përdorimit të teknologjive digjitale për bizneset dhe qytetarët në Kosovë.

    “Ky program është i ri i krijuar dhe financuar nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që të ndihmojë transformimin digjital dhe rritjen e përdorimit të teknologjive digjitale për bizneset dhe qytetarët. Me këtë rast pritet të ketë ndikime në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës në vendin tonë. Bizneset, administrata publike dhe OJQ-të nga vendet nënshkruese të kësaj marrëveshje do të kenë mundësi të aplikojnë në projekte që ndërlidhen në fusha specifike, si inteligjenca artificiale dhe aftësitë të avancuara digjitale. Ky program ka për qëllim të rritë qasjen e digjitalizimit te qytetarët, bizneset dhe institucionet. Përmes granteve strategjike të avancojë në katër fusha veçanërisht, resurset kompjuterike me performancë të lartë, inteligjenca artificiale, shkathtësitë e avancuara digjitale si dhe përshpejtimi dhe shfrytëzimi më i mirë i kapaciteteve digjitale”, theksoi ajo.

    Megjithatë, kryetari i komisionit, deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, pyeti ministren se pjesëmarrja në këtë program a do të ndikohet nga masat ndëshkuese që Kosova ka nga Bashkimi Evropian.

    “E dimë se jemi nën sanksione dhe bllokimeve të Bashkimit Evropian, njëkohësisht kemi nisma ligjore për nënshkrim të marrëveshjeve të reja. A mund të na thoni se a kemi ndonjë sinjal se kjo punë do të zhbllokohet në raport me marrëveshjet ndërkombëtare me Bashkimin Evropian, pasi kemi disa fonde dhe marrëveshje që janë të bllokuara. A është edhe kjo pjesë e asaj pakete të sanksioneve që i ka Kosova”, pyeti ai.

    Por, ministrja Rizvanolli tha se e njëjta është nënshkruar brenda periudhës që i janë vendosur masat ndëshkuese Kosovës dhe se nuk pret që të ketë ndikim në aplikimet në këtë program.

    “Kjo marrëveshje është nënshkruar brenda periudhës që kemi qenë nën masa. Nuk ka ndikim dhe nuk presim të ketë ndikim në aplikimet e ardhshme në këtë program”, deklaroi ministrja Rizvanolli.

    Komisioni, po ashtu vendosi që kjo marrëveshje t’i propozohet nesër seancës plenare për miratim në lexim të parë.

  • Një ditë para zgjedhjeve në Pakistan, rreth 14 të vrarë nga një shpërthim afër zyrës së një kandidati

    Një ditë para zgjedhjeve në Pakistan, rreth 14 të vrarë nga një shpërthim afër zyrës së një kandidati

    Një bombë ka shpërthyer pranë një zyre të një kandidati të pavarur në jugperëndim të Pakistanit të mërkurën, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, duke i vrarë së paku 14 njerëz dhe duke i lënduar dhjetëra të tjerë, njoftuan zyrtarët.

    Sulmi ndodhi në Pashin, një qark në provincën Baluchistan, tha një zëdhënës i Qeverisë provinciale.

    Ai shtoi se të lënduarit po dërgohen në një spital të afërt dhe policia tha se disa prej tyre janë në gjendje kritike.

    Pakistani mban zgjedhje në një kohë kur sulmet militante janë në rritje dhe pas burgosjes së Imran Khan, fituesit të zgjedhjeve të fundit nacionale, i cili i ka mbizotëruar ballinat, pavarësisht krizës ekonomike dhe hallet me të cilat përballet vendi i armatosur me armë bërthamore.

    Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin deri tani. Disa grupe, përfshirë militantët islamistë të grupit taliban pakistanez dhe grupet separatiste nga Balochistan, e kundërshtojnë shtetin pakistanez dhe kanë kryer sulme në këtë vend muajt e fundit.

  • ​Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së i bëjnë thirrje Rusisë që të tërheqë forcat nga Ukraina

    ​Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së i bëjnë thirrje Rusisë që të tërheqë forcat nga Ukraina

    Disa vende anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së i bënë thirrje të martën Rusisë që të tërheqë forcat e saj nga Ukraina, pasi lufta do të hyjë në vitin e tretë më vonë këtë muaj.

    “Ne ripërtërijmë thirrjet tona për Rusinë që të tërheqë menjëherë forcat e saj nga kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës”, tha Robert Wood, zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i SHBA-së në OKB, në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

    “Ne e dimë këtë: Kremlini mban përgjegjësinë e plotë për vdekjen dhe shkatërrimin e pandërgjegjshëm të shkaktuar si pasojë e luftës së agresioni të Putinit (presidentit rus Vladimir) kundër Ukrainës, në kundërshtim me Kartën e OKB-së”, tha ai.

    Rusia kërkoi mbledhjen e këshillit pasi 28 persona u vranë në sulmin e së shtunës në një furrë buke në rajonin e Luhanskut të kontrolluar nga Rusia. Moska e përshkroi bombardimin si një “sulm terrorist” nga Forcat e Armatosura të Ukrainës.

    Duke theksuar se Rusia vazhdon “sulmet e saj të pamëshirshme” kundër Ukrainës, Wood tha se “agresioni i Moskës kundër Ukrainës është një shkelje e hapur” e Kartës së OKB-së dhe e integritetit territorial të Ukrainës.

    Koordinatori politik i Mbretërisë së Bashkuar në OKB Fergus Eckersley tha se mijëra njerëz janë vrarë në 700 ditët që nga fillimi i “pushtimit barbar” të Rusisë në Ukrainë.

    “Është vetëm Rusia që është përgjegjëse për shkatërrimin e shkaktuar nga kjo luftë”, tha Eckersley, duke akuzuar Moskën për shkeljen e Kartës së OKB-së.

    “Rruga më e shpejtë drejt paqes është që Presidenti Putin t’i japë fund pushtimit të tij të paligjshëm. Ne përsërisim thirrjen tonë për Rusinë që të respektojë Kartën e OKB-së dhe të tërheqë forcat e saj nga Ukraina”, shtoi ai. Më 24 shkurt, konflikti do të hyjë në vitin e tretë.

  • Dinari serb – Rashiqi i shkon në zyrë Guvernatorit të BQK-së, pajtohen për informimin e komunitet serb

    Dinari serb – Rashiqi i shkon në zyrë Guvernatorit të BQK-së, pajtohen për informimin e komunitet serb

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, priti në takim Ministrin për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Republikën e Kosovës, Nenad Rashiq.

    Guvernatori Ismaili gjatë këtij takimi e ka njoftuar Ministrin Rashiq për ndryshimet e fundit në Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme, duke sqaruar aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për pozicionin e saj.

    Përmes një komunikate për media nga BQK thuhet se gjatë takimit po ashtu është diskutuar edhe për mundësitë ekzistuese, alternativat dhe qasjen në financa përmes kanaleve të ndryshme financiare të licencuara për operim në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

    “Për më tepër, u sqarua se Rregullorja në fjalë nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara dhe as nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK. Andaj, të gjithë individët, kanë qasje në llogari bankare dhe mund të pranojnë mjete në llogaritë e tyre në Euro, përmes kanaleve të ndryshme ligjore”, thuhet në komunikatë.

    Tutje thuhet se të gjithë qytetarët që tashmë kanë një llogari bankare në Euro, në cilëndo bankë të licencuar në Kosovë, mund ta përdorin të njëjtën për të pranuar mjetet nga çdo shtet. Ndërsa, ata që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë tek secila bankë, sipas Rregullores së BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024.

    Ndërsa Ismaili e njoftoi Rashiqin se vetëm në katër komunat veriore, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikro-financiare (kredidhënëse) si dhe mbi 15 institucione financiare jo-bankare për pagesa dhe këmbimore. Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së.

    Guvernatori Ismaili tha se BQK-ja mbetet e vendosur për avancimin e kornizës ligjore dhe mbikëqyrëse në zbatimin e mandatit të saj kushtetues dhe se mbetet e përkushtuar që të vazhdojë me aktivitete informuese dhe vetëdijësuese për publikun.

    Ministri Rashiq vlerësoi lartë rolin e BQK-së dhe angazhimin e saj, duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar brenda kapacitetit të tij, më qëllim rritjes së përfshirjes financiare dhe zgjerimit të mundësive për qasje financiare për të gjitha komunitetet. Guvernatori Ismaili dhe Ministri Rashiq shprehen gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit në funksion të informimit sa më të plotë dhe adekuat për të lehtësuar zbatimin me sukses të kërkesave.

    Ndërsa sot Rashiq mban sot konferencë për media lidhur me Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës mbi dinarin serb.

    Konferenca do të mbahet në orën 12:00, te Ministria për Komunitete dhe Kthim, Fushë-Kosovë.