ATV

Author: G.O.

  • Krasniqi: Përpjekja e Qeverisë për ta paraqitur Kushtetuesen si rivale e dëmton demokracinë në vend

    Krasniqi: Përpjekja e Qeverisë për ta paraqitur Kushtetuesen si rivale e dëmton demokracinë në vend

    Gjatë raportimit në Komisionin për Administratë Publike, numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar ashpër kur nga deputetët e opozitës i është përmendur mundësia e çuarjes në Kushtetuese të Ligjit për KPM-në.

    Bislimi ka thënë se Gjykata Kushtetuese s’mund të shihet si një institucion paralel me Qeverinë dhe se dihet që rolet i kanë të ndara. Bislimi tutje ka thënë se Kushtetuesja për të marrë vendime sa i përket koeficientit të pagave dhe rreth asaj se sa anëtarë duhet t’i ketë KMP, atëherë duhet të dalë të kërkojë vota si Gjykatë Kushtetuese për ta bërë pastaj qeverinë.

    Ndaj kësaj gjuhet të zëvendëskryeministrit Bislimi ka reaguar anëtari i shoqërisë civile, Albert Krasniqi. Ai ka thënë se këto sulmet të zyrtarëve të Qeverisë ndaj Kushtetuese duhet të ndalen menjëherë.

    Sipas Krasniqit, përpjekja e Bislimit për ta paraqitur Kushtetuesen si një rival të Qeverisë është e dëmshme për demokracinë dhe për rendin kushtetues në vend.

    Ai në fund ka thënë se Kushtetuesja është institucion mbrojtës i Kushtetutës nga vendimet e gabuara të Qeverisë dhe nganjëherë edhe qëllimkëqija.

    “Sulmet e organizuara ndaj Gjykatës Kushtetuese nga zyrtarët e Qeverisë duhet të ndalen menjëherë!

    Përpjekjet për të dëmtuar kredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese dhe për ta paraqitur atë si një rival të Qeverisë janë të dëmshme për demokracinë dhe për rendin kushtetues të Republikës. Gjykata nuk është parti politike opozitare që synon të fitojë vota, por është institucion mbrojtës i Kushtetutës nga vendimet e gabuara të Qeverisë dhe, ndonjëherë, qëllimkëqija”, ka shkruar Krasniqi.

  • Stano: Kosova rrezikon të mbetet prapa në rrugën drejt BE-së për shkak të veprimeve të njëanshme

    Stano: Kosova rrezikon të mbetet prapa në rrugën drejt BE-së për shkak të veprimeve të njëanshme

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka thënë të mërkurën se Kosova rrezikon të mbetet prapa në rrugën e saj drejt anëtarësimit në bllok, për shkak të, siç i quajti ai, veprimeve në njëanshme të saj.

    Ai i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të përqendrohen në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga marrëveshjet për të cilat janë pajtuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

    Kosova është kritikuar vazhdimisht së fundmi nga BE-ja, për shkak të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ta ndaluar përdorimin e dinarit serb për transaksione me para ta gatshme në gjithë vendin, si dhe për mbylljen e disa komunave paralele serbe në Dragash dhe Pejë.

    BE-ja i ka quajtur të njëanshme këto vendime dhe ka kërkuar që Kosova t’i zgjidhë këto çështje në bisedime me Serbinë në dialogun e ndërmjetësuar nga ajo.

    “Po shohim shumë gjëra për të cilat kemi reaguar, sidomos në rastin e Kosovës, me veprime të njëanshme që kanë krijuar shqetësim për ne. Kjo krijon frikë në anën tonë se Kosova mund të mbetet jashtë dhe të mbetet prapa“, tha Stano.

    Rregullorja e BQK-së, e cila kërkon që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 1 shkurt, me gjithë trysnin e madhe ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj.

    Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha të mërkurën se gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, janë pajtuar se rregullorja e BQK-së për ndalimin e dinarit është në një periudhë tranzicioni.

    Vendimi për heqjen e dinarit në Kosovë përkon me mbylljen e komunave paralele që punojnë në sistemin serb dhe janë të paligjshme për Kosovën.

    Në dy javët e fundit janë mbyllur katër komuna paralele serbe në Dragash dhe në Pejë.

    Stano tha se nuk sheh rrezik për bllokim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Stano, pavarësisht mungesës së përparimit në disa takimet e fundit.

    “Dialogu po vazhdon dhe puna jonë po vazhdojmë për t’u ndihmojmë palëve që më në fund të fillojnë të sillen në mënyrë konstruktive dhe ato të lëvizin përpara. Nuk kemi frikë nga ndonjë bllokadë, në fakt ne nuk kemi frikë nga asgjë. Por, vetëm kem frikë që njerëzit në Kosovë dhe në Serbi të mbesin jashtë asaj që është për ta e rëndësishme, procesi i integrimit”, theksoi Stano.

    Ai shtoi se “ne vazhdojmë punën tonë dhe përfaqësuesi i posaçëm Mirosllav Lajçak, si dhe përfaqësuesi i lartë Joseph Borrell janë duke vazhduar punën me partnerët, si me ata në rajon ashtu edhe me ata në skenën ndërkombëtare, për të mundësuar të dyja palëve që të nisin të bëjnë hapa të cilat do t’u mundësonin avancimin në të gjitha çështjet në dialog… sidomos në zbatimin e gjithë asaj që është arritur vitin e shkuar si në Bruksel, ashtu edhe në Ohër”.

    Sipas BE-së, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe Aneksit për zbatimin e saj në fillim të vitit 2023. Por, ato nuk janë duke u zbatuar, pavarësisht trysnisë ndërkombëtare./REL/

  • Bebe Rexha përshëndet me “Selam Aleykum” publikun në Arabinë Saudite: Jam shqiptare e lindur në New York nga prindër myslimanë

    Bebe Rexha përshëndet me “Selam Aleykum” publikun në Arabinë Saudite: Jam shqiptare e lindur në New York nga prindër myslimanë

    Artistja shqiptare me renome ndërkombëtare, Bebe Rexha, ditë më parë ka performuar në festivalin e famshëm “Beast Balas” në Arabinë Saudite.

    Ajo ka dhuruar spektakël teksa ka interpretuar një sërë hitesh nga karriera e saj, para një turme të madhe fansash në Jeddah.

    E teksa po bënte një pauzë të shkurtër, 34-vjeçarja, në një moment entuziazmoi audiencën, duke thënë disa fjalë në gjuhën arabe si “Selam Alejkum” dhe “Mashallah”.

    “Selam Aleykum, si po ia çoni? Mashallah, Mashalla. Unë jam rritur në New York City, jam lindur në Brooklyn nga prindër shqiptarë myslimanë”, tha Bebe Rexha në skenë.

    Në atë moment, turma e madhe shpërtheu me brohoritje dhe duartrokitje të shumta për këngëtaren shqiptare, e cila ka kapur majat e suksesit në muzikën botërore.

    Kjo nuk është hera e parë që Rexha performoi në Arabinë Saudite, pasi në dhjetor ajo ishte prezente edhe në stadiumin “King Abdullah Sport City” në Jeddah, për të kënduar himnin zyrtar të Kampionatit Botëror për klube. /Telegrafi/

     

  • 2 Ton publikon dy këngë të reja, “Trëndafil” dhe “Njo si ti”

    2 Ton publikon dy këngë të reja, “Trëndafil” dhe “Njo si ti”

    Rap-artisti i njohur shqiptar, 2 Ton, është në përgatitje të një albumi të ri.

    Ai tashmë ka sjell dy këngë nga EP, “Trëndafil” dhe “Njo si ti”, të cilat ndodhen në platformën YouTube.

    Producimi i këtyre projekteve është bërë nga Nego me tekst të shkruar nga vet këngëtari në bashkëpunim me Ghulon.

    Për vijën melodike është përkujdesur gjithashtu 2 Ton dhe Nego me masterizim të këtij të fundit.

    Këto këngë besoj që do të priten mirë edhe nga fansat e tij e publiku pasi pati reagime të shumta që në fillim.

    2 Ton ndryshe ka të njëjtin stil muzikor që nga fillimi, por që numëron fansa të shumtë gjithandej trojeve shqiptare. /Telegrafi/

  • Aksident trafiku në rrugën Gjakovë-Prizren, lëndohen tre persona

    Aksident trafiku në rrugën Gjakovë-Prizren, lëndohen tre persona

    Një aksident ka ndodhur sot në rrugën Gjakovë-Prizren, tek vendi i quajtur” fshati slloven”.

    Aty janë përfshirë dy automjete dhe lëndime kanë marrë tre persona, të cilët më pas janë dërguar në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovës.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

    “Në rrugën Gjakovë-Prizren, tek vendi i quajtur “fshati Slloven”, rreth orës 12:20 është pranuar informatë për aksident trafiku”.

    “Menjëherë policia ju ka përgjigjur rastit dhe ka dalë në vendin e ngjarjes. Në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete udhëtarësh, ku përveç dëmeve materiale tre persona janë dërguar në Spitalin e Përgjithëshme në Gjakovë për trajtim mjekësor. Njësia e trafikut rajonal është duke trajtuar rastin”.

  • Haxhiu takohet me homologun britanik: U rikonfirmua mbështetja e bashkëpunimin në fushën e drejtësisë

    Haxhiu takohet me homologun britanik: U rikonfirmua mbështetja e bashkëpunimin në fushën e drejtësisë

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është takuar me homologun e saj britanik, Alex Chalk.

    Haxhiu tha se gjatë takimit me Chalk u rikonfirmua mbështetja dhe fuqizimi i bashkëpunimit në fushën e drejtësisë.

    Ndërsa, dje, Haxhiu ka takuar edhe kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns.

    Gjatë takimit, Haxhiu e Kearns, folën për forcimin e sundimit të ligjit, situatën politike dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

  • Rushiti: Në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, kemi arritur t’i identifikojmë dy persona të dyshuar për dhunim gjatë luftës

    Rushiti: Në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, kemi arritur t’i identifikojmë dy persona të dyshuar për dhunim gjatë luftës

    Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), të mërkurën ka lansuar projektin “4CRSVsurvivors” Rrugët drejt fuqizimit: Promovimi i drejtësisë, shërimit dhe gjithë përfshirjes për të mbijetuarit e dhunës seksuale lidhur me konfliktin, raporton Ekonomia Online.

    Feride Rushiti, drejtore ekzekutive e kësaj qendre deklaroi se procesi i përkrahjes fillon që nga momenti kur gratë dhe burrat paraqitën, janë të obliguar t’i informojnë në mënyrë të drejtë se si do shkon procesi e deri tek çështja me familjarët.

    “Pasi ajo do kalon në proces jo te lehtë andaj ne kërkojmë që edhe familjarët t’i mbështetin të mbijetuarit e dhunës seksuale”, deklaroi Rushiti.

    Rushiti tha se në momentin kur e mbijetuara gjen forcë, realizimi i intervistës bëhet në organizatat joqeveritare cilat janë të licencuara për këtë drejtim, me prezencë të psikologut.

    Sipas saj mbyllja e një sekreti për më shumë se 25 vite nuk është e lehtë, andaj kërkoi më shumë kujdes e vëmendje.

    “Vitin e kaluar kemi arritur bashkërisht me Prokurorinë Speciale, të punojmë me 6 raste ku dy prej tyre i njohin kryesit e veprës. Po ashtu gjatë 2023-ës për herë të parë Gjykata Supreme vërtetoi rastin e Apelit për dënimin e njërit nga të arrestuarit për krime lufte dhe pas 24 vitesh është vendos drejtësia në vend”, u shpreh ajo.

    Rushiti shtoi se shumica  e grave të burrave dhe grave që shkojnë  në seanca thonë qe pa drejtësi s’ka paqe e as qetësi në vend.

  • Dogana zbulon mbi 13 mijë euro të padeklaruara në një veturë në Bërnjak

    Dogana zbulon mbi 13 mijë euro të padeklaruara në një veturë në Bërnjak

    Dogana e Kosovës njofton se në pikë kalimin kufitar në Bërnjak u ndalua një automjeti ku edhe u zbulua një sasi e konsiderueshme e mjeteve monetare të padeklaruara, mbi 13 mijë euro.

    “Pas ndaljes së automjetit nga oficerët doganorë, të cilët në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kryen kontrollin e hollësishëm të automjetit. Gjatë këtij kontrolli, në çantën e drejtuesit të mjetit u zbulua një shumë e mjeteve monetare të padeklaruara në lartësinë prej 13,350 euro”, thuhet në njoftim.

    Sipas Doganës në përputhje me procedurat, 25 për qind e kësaj shume do të konfiskohet, që do të thotë një shumë prej 3,337.50 euro.

    “Kjo masë është ndërmarrë si pasoje e shkeljes së rregullave të deklarimit monetar, derisa shuma e mbetur do të nënshtrohet një verifikimi të mëtejshëm në lidhje me origjinën e këtyre mjeteve monetare, në bashkëpunim me sektorët kompetentë dhe në koordinim me prokurorinë”, thuhet në njoftim.

    Dogana e Kosovës ka aplikacionin eDogana për pajisjet e mençura android dhe ios, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi.

  • Digjitalizimi i arsimit dhe vështirësitë e mësimdhënësve

    Digjitalizimi i arsimit dhe vështirësitë e mësimdhënësve

    Viti i ri shkollor në Kosovë, prej kohësh, nuk nis pa ndonjë sfidë – sivjet ishte sigurimi i teksteve shkollore, vjet ishte greva e mësimdhënësve.

    Por, ajo që tani viteve të fundit i është shtuar arsimit është digjitalizimi i shkollave.

    Një nga shkollat në të cilën është zhvilluar digjitalizimi është Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Tefik Çanga” në të cilën ka tabela digjitale përmes të cilave nxënësit po i kryejnë prezantimet e tyre.

    Një nga nxënëset, Anila Alija e cila bëri prezantimin e saj përmes tabelës digjitale tha se në fillim ka qenë vështirë ta praktikojnë atë.

    Megjithatë, nga menaxhmenti drejtues thonë se praktikimi i tabelave digjitale nuk është i vështirë por kanë nevojë për rritjen e numrit të tabelave digjitale.

    Por jo në të gjitha shkollat në vend digjitalizimi ka shënuar avancim, si rrjedhojë prindërit thonë se digjitalizimi i arsimit është një proces i domosdoshëm, meqë mësimnxënia aktuale nuk përkon me epokën digjitale./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • Projektligji për KPM-në – Qeveria thotë se rritet transparenca e pronësisë së mediave, opozita e sheh si tendencë për kontroll

    Projektligji për KPM-në – Qeveria thotë se rritet transparenca e pronësisë së mediave, opozita e sheh si tendencë për kontroll

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Beslimi, ka deklaruar se projektligji i ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) do të rrisë transparencën e pronësisë së mediave, ndërsa opozita e sheh si tendencë për t’i kontrolluar ato, raporton Ekonomia Online.

    Në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal të mërkurën u shqyrtua në parim projektligjin për KPM-në. Tani pritet të përcillet në Kuvend, mes shumë kritikave.

    Bislimi tha se ky projektligj ka 60 nene dhe ka për qëllim t’i jap përgjegjësi KPM të mbikëqyrë dhe sigurojë transmetimin e programeve cilësore në dobi të interesit të përgjithshëm. I njëjti, tha se është në përputhje me direktivat evropiane.

    “Pra, kushtet e njëjta për secilin ofrues të shërbimeve mediale kushte këto që caktohen nga një organ i pavarur kushtetues dhe larg nga çfarëdo ndikimi politik. Nga ndikimi i jashtëzakonshëm që kanë televizionet, por edhe platformat me përmbajtje audio-vizuele te publiku, duke ndikuar në formimin e opinionit publik, e në veçanti tek gjeneratat e reja është e qartë se duhet të krijohen rregulla që mbrojnë të miturit dhe fëmijët, që sigurojnë menaxhim të standardizuar, që sigurojnë transparencë pronësore të mediave dhe më e rëndësishmja një datatabazë të mediave që operojnë në treg”, tha ai.

    Por deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani, ka rekomanduar që ky projektligj të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venecias.

    “Kam disa vërejtje për të cilat nuk do të flas në grupe punuese. Mediat nuk janë të lira me këtë projektligj. Do të ketë mundësi që t’i cungohen disa liri dhe kësaj i vjen era diktaturë”, tha ai.

    Por në kundërpërgjigje, Bislimi ka ironizuar duke thënë se “ose nuk qëndron ajo që nuk kemi transpozuar direktivën evropiane ose direktivat evropiane janë kundër lirisë së mediave”.

    “Askush nuk e cungon të drejtën për të dhënë komente, por askush nuk jep siguri që komentet të jenë të sakta… një ekonomi që synon t’i përafrohet Komisionit Evropian synon formalitet e jo informalitet”, ka deklaruar zëvendëskryeministri, duke iu referuar obligimit për regjistrim në KPM të mediave online që publikojnë video siç parashihet në projektligj.

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se ky projektligj po shihet si tendencë e Qeverisë për t’i kontrolluar mediat.

    “E them me kompetencë që projektligj i përgatitur nga zyra e kryeministrit ka pasë mostransparencë të madhe sa i përket konsultimeve publike”, tha Tahiri.