ATV

Author: G.O.

  • Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë pengje lufte

    Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë pengje lufte

    Rusia dhe Ukraina kanë kryer shkëmbim të pengjeve me ndërmjetësimin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).

    Në një deklaratë të bërë nga Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe, thuhet se ndërmjetësimi lidhur me bisedimet për shkëmbimin e pengjeve mes Rusisë dhe Ukrainës ka treguar sukses.

    Rusia dhe Ukraina kanë liruar 100 ushtarë në mënyrë reciproke, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se ky është shkëmbimi i tretë i pengjeve që është kryer mes dy vendeve që nga fillimi i vitit.

    Më tej në deklaratë vihet në dukje se mbështeten përpjekjet për të zgjidhur krizën me rrugë paqësore mes dy vendeve.

    Ministria e Jashtme e EBA-së në një deklaratë të bërë më 4 janar njoftoi se mes Rusisë dhe Ukrainës është realizuar një prej shkëmbimeve më të mëdha të pengjeve që nga fillimi i luftës.

    Emiratet e Bashkuara Arabe më 31 janar njoftuan edhe shkëmbimin e dytë të pengjeve të kryer mes Rusisë dhe Ukrainës falë përpjekjeve të ndërmjetësimit.

  • Të paktën 22 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

    Të paktën 22 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

    Të paktën 22 persona janë vrarë, përfshirë gra dhe fëmijë, në katër sulme ajrore izraelite më 9 shkurt në pjesën qendrore të Rripit të Gazës dhe në qytezën jugore, Rafah, që gjendet në kufi me Egjiptin, thanë dëshmitarët dhe zyrtarët spitalorë.

    Sulmet goditën një ndërtesë banimi në Rafah, duke vrarë tetë persona, dhe një çerdhe të shndërruar në strehimore për personat e zhvendosur në qytetin Zuvaida – në Gazën qendrore – ku u vranë pesë persona të tjerë. Ndërkaq, në një sulm në Deir al-Bala u vranë nëntë njerëz.

    Mbi gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh e Gazës kanë ikur për në Rafah, duke respektuar urdhrat për evakuim të lëshuar nga Izraeli, para zgjerimit të ofensivës së tij tokësore. Urdhrat për evakuim tani mbulojnë dy të tretën e territorit të enklavës së vogël, e cila është rrethuar.

    Edhe në zonat ku strehohen banorët, sikurse është Rafah, Izraeli vazhdimisht ka kryer sulme ajrore, pasi ka argumentuar se po sulmon caqet e Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Izraeli mban përgjegjës grupin radikal palestinez për numrin e lartë të viktimave civile, duke thënë se Hamasi operon brenda zonave civile. Të enjten, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Izraeli po kryen një luftë “të tepruar”.

    Trupat tokësore izraelite ende janë të përqendruara në qytetin e Han Junisit, që gjendet në veri të Rafahut, por kryeministri Benjamin Netanyahu, vazhdimisht ka paralajmëruar gjatë kësaj jave se Rafahu do të jetë synimi i radhës, duke krijuar panik në mesin e qindra mijëra personave të zhvendosur.

    Paralajmërimet e Netanyahut kanë alarmuar po ashtu Egjiptin, i cili ka thënë se çdo operacion tokësore në zonën e Rafahut, apo ndonjë zhvendosje e madhe përtej kufirit, do të minonte traktatin 40-vjeçar të paqes që ka me Izraelin.

    Lufta mes Izraelit dhe Hamasit u nxit pasi grupi radikal palestinez kreu sulm në jug të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Në Gazë, si pasojë e ofensivës izraelite, janë vrarë mbi 27.000 palestinezë, janë zhvendosur shumë të tjerë dhe çereku i popullsisë është në prag të urisë./rel/

  • Rohde kërkon që periudha kalimtare e vendimit të BQK-së për dinarin të zgjatet në 4 muaj

    Rohde kërkon që periudha kalimtare e vendimit të BQK-së për dinarin të zgjatet në 4 muaj

    Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka thënë se Kosova duhet ta zgjasë periudhën e tranzicionit për vendimin e BQK-së për katër muaj, njëjtë sikur kishte ndodhur me kampanjën për liberalizimin e vizave.

    Rohde në një postim në X, ka thënë se Kosova ka treguar se di se si të komunikojë në mënyrën e duhur dhe se kjo është ajo çfarë duhet tani.

    “Kolegu im nga Bashkim Evropian Tomas Szunyog e thotë qartë pse na duhet një periudhë mjaft e gjatë tranzicioni dhe informimi për rregulloren e BQK-së. Me fushatën e saj 4 mujore përpara liberalizimit të vizave, qeveria e Kosovës ka treguar se di të komunikojë siç duhet. Ne kemi nevojë për atë përsëri tani!”, ka shkruar ambasadori gjerman.

    Qeveria e Kosovës si përgjigje për presionin ndërkombëtar ka mundësuar 1 muaj periudhë tranzicioni, ku qytetarët më shumë do të informohen dhe s’do të ketë ndëshkime.

  • Konjufca takoi një delegacion të Bundestagut gjerman

    Konjufca takoi një delegacion të Bundestagut gjerman

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim një delegacion të Grupit të Evropës Juglindore të Parlamentit të Gjermanisë, të drejtuar nga Josip Juratoviq.

    Sipas komunikatës për medie të Kuvendit, në takim u diskutua për proceset aktuale në Kosovë, për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror në fusha të ndryshme.

    “Kreu i Kuvendit e njoftoi delegacionin parlamentar gjerman me proceset nëpër të cilat po kalon vendi dhe punën e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e detyrave që dalin para tyre në këto procese, me theks të veçantë, në rrugëtimin për t’u bërë pjesë e strukturave euro-atlantike.Kryetari Konjufca vlerësoi se Gjermania ishte në krah të Kosovës dhe qytetarëve të saj në çdo fazë të shtetndërtimit e të zhvillimit dhe potencoi rëndësinë e kësaj përkrahjeje në sfidat dhe objektivat që vendi ynë ka para vetes, në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar”, thuhet në komunikatë.

    Udhëheqësi i delegacionit të Bundestagut, Josip Juratoviq, duke falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen, vlerësoi miqësinë midis dy vendeve derisa konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së vendit të tij për Kosovën edhe në të ardhmen.

  • ​Granit Rugova nuk do të jetë më drejtor i sportit në Komunën e Prishtinës

    ​Granit Rugova nuk do të jetë më drejtor i sportit në Komunën e Prishtinës

    Drejtori i Drejtorisë për Sport në Komunë e Prishtinës, Granit Rugova ka dhënë dorëheqje nga ky post.

    Ai këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në ‘Facebook’ duke thënë se punoi me përkushtim maksimal në këtë detyrë.

    Posti i plotë i Rugovës:

    Ishte nder dhe krenari jetësore ti shërbej qytetin tim të dashur dhe sportit të Prishtinës

    Për dy vite, i udhëhequr nga përkushtimi maksimal dhe pasioni i thellë për sportin dhe qytetin, së bashku me kolegët, sportistët, klubet dhe gjithë komunitetin e sportit, për herë të parë ngritëm sportin e Prishtinës në nivel ndërkombëtar.

    Nën udhëheqjen time si Drejtor për Sport, për herë të parë fituam titullin e “Prishtina Qytet Evropian i Sportit 2024” dhe po ashtu për herë të parë e bëmë Prishtinën nikoqire te Lojërave Mesdhetare 2030.

    Falënderoj përzemrërsisht çdo person që më mbështeti në këtë rrugëtim të rëndësishëm, duke ndërtuar së bashku rrugën drejt suksesit.

    Së bashku punuam me vendosmëri të palëkundur, duke qëndruar pranë sportistëve dhe duke punuar pa pushim për të avancuar sportin në qytetin tonë.

    Tani, ndërsa ky kapitull i jashtëzakonshëm mbyllet, marr me vete kujtime të paharrueshme dhe një zemër të mbushur plot me mirënjohje.

    Prishtinë, faleminderit për besimin, herën tjetër do të kthehemi edhe më të fortë.

  • Deputetët kosovarë takohen me delegacionin e Gjermanisë, diskutojnë për sigurinë në Ballkan

    Deputetët kosovarë takohen me delegacionin e Gjermanisë, diskutojnë për sigurinë në Ballkan

    Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka pritur në takimin delegacionin e Grupit të Evropës Juglindore të Parlamentit të Gjermanisë. Kryetarja e komisionit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni tha se në këtë takim është diskutuar për zhvillimet aktuale, siguria në Ballkanin Perëndimor dhe dezinformimi nga mediat në Serbi.

    Ajo tha se delegacioni nga Gjermania ka nisur një vizitë në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku marrin pjesë deputetë të partive të ndryshme politike.

    “Ideja është që të takohen me parlamentarët, me deputetët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar për zhvillimet aktuale që sigurisht përfshijnë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe ideja është që të synohet drejt krijimit të një stabiliteti dhe një paqeje të vendeve që janë pjesë e Ballkanit Perëndimor. Ne sot me këta përfaqësues të Bundestagut kemi diskutuar për situatën aktuale në të cilën është Republika e Kosovës. Dhe më vjen mirë që edhe një herë tjetër prej përfaqësuesve të Gjermanisë dëgjojmë për mbështetjen dhe përkrahjen që ata e kanë për Republikën e Kosovës, në veçanti për proceset në të cilat Kosova po kalon, e sidomos për situatën që është krijuar pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit”, deklaroi ajo.

    Ajo shtoi se edhe në takimin e sotëm kanë marrë mbështetje për procesin e Berlinit, i cili është dizajnuar siç tha ajo, për trasimin e rrugës drejt integrimit evropian shteteve të Ballkanit Perëndimor.

    “Kemi diskutuar edhe për situatën e krijuar së fundmi, sigurisht që besojmë që dialogu është e vetmja mënyrë që çon drejt normalizimit të raporteve të të dyja vendeve. Këtu kërkohet përpjekje e Serbisë që ta marrin seriozisht këtë proces të dialogut dhe të qasen seriozisht këtij procesi, në mënyrë që të arrihet ajo çfarë po synojmë ne bashkërisht. Po ashtu kemi ndarë çështje të ndryshme, të cilët këta deputetë mund t’i diskutojnë me deputetët e opozitës me të cilët do të takohen në Beograd, pas takimit në Kosovë dhe kemi marrë përkrahjen e mbështetjen”, shtoi ajo.

    Me deputetët nga Gjermania, deputetja e LVV-së shtoi se kanë diskutuar edhe për dezinformimin e mediave nga Serbia.

    “Një çështje tjetër që u përmend në këtë takim ishte dezinfomimi sidomos prej mediave në Serbi, i cili gjithmonë krijon propagandë dhe nxjerr situatën të atillë siç në realitet nuk është. Këto takimet sy më sy mes deputetëve të këtyre parlamenteve ndihmojnë shumë që të merret vesh e vërteta dhe të mos lihet hapësirë që këto lloj propagandash dhe këto dezinformatash të zënë vend në këto procese që janë shumë të rëndësishme për vendin tonë”, përfundoi deputetja e LVV-së.

  • Ndalimi i dinarit, BQK-ja lëshon në funksion linjën telefonike pa pagesë dedikuar komunitetit serb

    Ndalimi i dinarit, BQK-ja lëshon në funksion linjën telefonike pa pagesë dedikuar komunitetit serb

    Banka Qendrore e Kosovës me qëllim të ofrimit të informatave plotësuese në mënyrë të thjeshte dhe të kuptueshme, për qytetarët e Kosovës, ka lëshuar në funksion linjën pa pagesë 0800 222-55.

    Në njoftim thuhet se kjo linjë është e dedikuar për qytetarët nga komuniteti serb që jetojnë në Republikën e Kosovës dhe kanë nevojë të informohen drejt dhe konkretisht.

    “Përkujtojmë se Rregullorja për Operacione për Para të Gatshme: Nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në euro në bankat e licencuara; Nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK; Nuk ndalon transferet nga asnjë shtet; dhe nuk ndalon posedimin dhe kursimin ne asnjë valute jo-euro (përfshirë dinarin)”, thuhet në njoftim.

    Sipas komunikatës të gjithë individët, kanë qasje në llogari bankare dhe mund të pranojnë mjete në llogaritë e tyre në Euro.

    “Qytetarët që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë tek secila bankë, sipas Rregullores së BQK-së për qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024”, thuhet në komunikatë.

    Sipas njoftimit vetëm në katër komunat veriore, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikro-financiare (kredidhënëse) si dhe mbi 15 institucione financiare jo-bankare për pagesa dhe këmbimore. Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së.

  • Hoti: Mbrëmë ishte hera e parë që aleatët kryesorë na kritikojnë në një diskutim të Këshillit të Sigurimit

    Hoti: Mbrëmë ishte hera e parë që aleatët kryesorë na kritikojnë në një diskutim të Këshillit të Sigurimit

    Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se ballafaqimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ishte i panevojshëm, joproduktiv dhe i dëmshëm për Kosovën.

    Hoti ka thënë se mbrëmë ishte hera e parë që aleatët kryesorë kritikuan Kosovën në një diskutim të Këshillit të Sigurimit dhe se u dëshmua se mungesa e bashkërendimit të veprimeve me ta, ka pasoja për vendin.

    “Kjo qaje e Qeverisë Kurti nuk i shërben integrimit euro-atlantik të Kosovës. Është për keqardhje që veprimet e drejta të Kosovës, të cilat asnjë aleat nuk i konteston në aspektin kushtetues, të na kthehen si bumerang për shkak të politikës së mbrapshtë ku çdo veprim shtetëror i nënshtrohet interesit elektoral momental të partisë në pushtet”, ka shkruar Hoti.

    Anëtarët e Këshillit të Sigurimit kërkuan që Kosova dhe Serbia të përkushtohen në dialog dhe të zbatojnë marrëveshjet, si dhe të përmbahen nga veprime të njëanshme që mund të rrisin tensionet. Serbisë po ashtu iu kërkua që të mbajë përgjegjës të përfshirët në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.

    Në mbledhjen në OKB, të thirrur nga Serbia, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrojti vendimin e BQK-së, që parasheh që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa – duke ndaluar përdorimin e dinarit. Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi këtë vendim si “sulm” ndaj popullatës serbe në Kosovë.

    Kurti tha se rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme, që hyri në fuqi më 1 shkurt, nuk ndalon dinarin serb, por bën që euroja të jetë valuta e vetme për pagesa.

    Ai tha se ky vendim, po ashtu, nuk ndalon Qeverinë serbe që të ofrojë mbështetje financiare për serbët në Kosovë.

    “Çdo sugjerim tjetër, nuk është asgjë tjetër pos propagandë e rreme që ka për synim të nxisë tensione etnike”, tha Kurti.

  • AAK-ja njofton SBAShK-un për nismën e amandamentimit të Ligjit të Pagave

    AAK-ja njofton SBAShK-un për nismën e amandamentimit të Ligjit të Pagave

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka pritur në takim kreun e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.

    Kështu ka bërë të ditur vetë Tahiri pas takimit përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

    “Në takim me kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), z. Rrahman Jasharaj, diskutuam edhe njëherë Ligjin për Skemat Pensionale, i cili diskriminon pensionistët kontributdhënës e më së shumti mësimdhënësit”, shkroi Tahiri.

    Ai ka njoftuar SBAShKU-n për iniciativën e AAK-së për të filluar amandamentimin e Ligjit të Pagave në Sektorin Publik.

    “Lidershipin e SBAShK-ut e njoftova se Grupi Parlamentar i AAK-së, ka dorëzuar tek Avokati i Popullit ankesën rreth këtij diskriminimi dhe se jemi në mbështetje të plotë të ndalimit të këtij diskriminimi, duke përfshirë edhe kontestimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese”.

    “Po ashtu, SBAShK-un e informova edhe për iniciativën tonë për të filluar amandamentimin e Ligjit të Pagave në Sektorin Publik, si veprim për të bërë pagë të dinjitetshme për të punësuarit në administratën shtetërore”, ka përfunduar Tahiri.

  • Ukraina i rrëzon 10 prej 16 dronëve me të cilët e sulmoi Rusia të premten

    Ukraina i rrëzon 10 prej 16 dronëve me të cilët e sulmoi Rusia të premten

    Forcat e Mbrojtjes Ajrore të Ukrainës i kanë rrëzuar 10 nga 16 dronët me të cilët Rusia i sulmoi tri rajone të saj, Mikolain, Hersonin dhe Harkivin, mëngjesin e së premtes, thanë zyrtarët ukrainas.

    Një person u plagos dhe u dëmtua infrastruktura civile gjatë sulmit në Harkiv, tha guvernatori rajonal, Oleh Synyehubov në Telegram.

    “Ekipet e shpëtimit e shuan zjarrin në një ndërtesë hoteli. Një roje sigurie civile u plagos, ai mori tretman mjekësor në vendin e ngjarjes”, tha ai.

    Ai shtoi s ndërtesat e banimit, një kompleks rekreativ trekatësh dhe një restorant u dëmtuan nga sulmi.

    Ushtria ruse i sulmon rregullisht rajonet e Ukrainës me lloje të ndryshme armësh, posaçërisht me dronë dhe raketa. Në janar, Rusia intensifikoi sulmet e saj, si rezultat i të cilave dhjetëra njerëz u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën./REL/