ATV

Author: G.O.

  • Xabi Alonso: Është kënaqësi të punosh me lojtarë si Xhaka

    Xabi Alonso: Është kënaqësi të punosh me lojtarë si Xhaka

    Bayer Leverkusen do të presë Bayern Munich sonte, në sfidën e javës së 21-të në Bundesliga, në një ndeshje që vlen më shumë se 90 minuta.

    Për kryesuesit e kampionatit gjerman kjo do të jetë një provë e rëndësishme drejt misionit, titull.

    Në prag të kësaj sfide, trajneri Xabi Alonso theksoi se skuadra e tij është gati dhe ai beson te një rezultat pozitiv.

    “Të shtunën ne kemi mundësinë të përjetojmë një atmosferë unike në stadium. Është një moment i veçantë për të gjithë ne dhe po e shijojmë këtë moment. Ndaj Bayern-it nuk duhet të mendojmë për klasifikimin, sepse do ndikonte për keq. Na duhet një ndeshje perfekte sepse kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë, të gjithë e dimë këtë. Titulli? Unë dua që skuadra të luajë lojën e saj, besojmë te një rezultat pozitiv, por personalisht nuk mendoj se kjo sfidë vendos titullin sepse ka ende ndeshje përpara. Patjetër që është një ndeshje shumë e rëndësishme, por jo totalisht vendimtare”, tha fillimisht spanjolli.

  • Halimi thotë se gjuha e deputetëve të VV-së përballë KPM-së ngjasonte me komitetet e Enver Hoxhës

    Halimi thotë se gjuha e deputetëve të VV-së përballë KPM-së ngjasonte me komitetet e Enver Hoxhës

    Zyrtarja e lartë e LDK-së, Sibel Halimi, ka kritikuar qasjen e deputetëve të Vetëvendosjes përballë anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.

    Halimi ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur në atë Komision ngjanë me komitetet e Enver Hoxhës dhe shton se e gjithë ajo ka ndodhur në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    Anëtarja e Kryesisë së LDK-së ka thënë se Vetëvendosje denigron integritetin e secilit dhe sipas saj kjo është mënyra e tyre e vetme për të kapur gjithçka.

    Reagimi i plotë:

    Deri në fund të mandatit të këtij pushteti, rezultati i vetëm i arritshëm do të jetë, kapja e të gjitha institucioneve të pavarura. E fatkeqësisht askujt nuk po i bëhet vonë, se si ky vend është duke rrëshqit komplet drejt një diktature, pasojat e së cilës ende s’i kemi ballafaquar e do t’i shohim më vonë, kur edhe mendimi do të jetë i kontrolluar!

    Veprimet e pushtetit janë më shumë se ndërhyrje politike, janë veprime diktatoriale.

    Gjuha e qasja e deputetëve të partisë në pushtet drejtuar anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave i ngjasonte komiteteve të Enver Hoxhës. E gjithë kjo dramë ndodhë si për ironi, në shtëpinë e demokracisë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    Hiç më pak se katër orë, një mbledhje e thirrur si e jashtëzakonshme nga disa deputetë të LVV-së nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, është alarm që duhet të zgjojë vetëdijen e të gjithëve për tendencën e rrezikshme të partisë në pushtet që nëpërmjet fyerjes e atakimit të dinjitetit të individëve të disiplinojë dhe kontrollojë çdo lëvizje që nuk i përshtatet diktatit të tyre.

    Ky pushtet denigron integritetin e gjithësecilit, kjo është mënyra e vetme për të kap gjithçka, mbase të vetmen gjë që dinë ta bëjnë e erdhën në pushtet dhe tani po e mirëmbajnë atë!

  • Arrestohet një person në Kaçanik, po drejtonte veturën i dehur dhe kanosi zyrtarët policorë

    Arrestohet një person në Kaçanik, po drejtonte veturën i dehur dhe kanosi zyrtarët policorë

    Një person arrestuar i dyshuari për shkak se i njëjti është ndaluar nga patrulla policore duke drejtuar veturën e tij të gjendje të dehur.

    I dyshuari, gjatë ndërmarrjes së veprimeve policore i ka kanosur dhe fyer zyrtarët policorë.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur dje në Rahovec, me vendim të prokurorit, pas inicimit të rastit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Kurti pasdite viziton Shkupin, merr pjesë në një konferencë me figurat politike të RMV-së

    Kurti pasdite viziton Shkupin, merr pjesë në një konferencë me figurat politike të RMV-së

    Kryeministri Albin Kurti pasditen e sotme pritet të vizitojë Maqedonin e Veriut. Për këtë arsye Policia e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar që komunikacioni në Shkup do të organizohet me kufizime.

    “Me rastin e vizitës së paralajmëruar të kryetarit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Njësiti për Siguri në Komunikacionin Rrugor pranë SPB Shkup do të ndërmerr masa për regjim të posaçëm të trafikut nëpër rrugët në rajonin më të gjerë të qendrës së qytetit të Shkupit”, ka njoftuar Ministria për Punë të Brendshme e këtij shteti.

    Mediat në Maqedonin e Veriut raportojnë se Kurti do të jetë panelist në një konferencë me temë “Politikat progresive – përgjigje ndaj sfidave të vendeve të Ballkanit Perëndimor” do të mbahet në orën 18:30, në Hamam Daut Pasha, organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert.

    Përveç Kurtit, raportohet se në panel do të flasin kryetari i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë Lars Klingbeil, kreu i LSDM-së Dimitar Kovaçevski, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Serbisë, Dragana Rakiq, lideri i Partisë për liri dhe drejtësi, Dragan Gjilas, pastaj i pari i Partisë Socialdemokrate të Malit të Zi, Ivan Vujoviq, nënkryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve të Malit të Zi, Ivan Vukoviq.

  • 28 palestinezë të vrarë në sulmet izraelite në Rafah

    28 palestinezë të vrarë në sulmet izraelite në Rafah

    Një zyrtar i spitalit dhe gazetarët e Associated Press (AP) thonë se sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën 28 palestinezë në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Secili sulm vrau anëtarë të shumtë të tre familjeve, duke përfshirë 10 fëmijë, më i vogli vetëm tre muajsh, thotë AP.

    Sulmet herët të shtunën erdhën disa orë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se i kërkoi ushtrisë të planifikonte evakuimin e qindra mijëra njerëzve nga qyteti jugor i Gazës përpara një pushtimi tokësor.

    Ai nuk dha detaje apo një afat kohor, por njoftimi shkaktoi panik të gjerë. Më shumë se gjysma e 2.3 milionë banorëve të Gazës janë grumbulluar në Rafah, shumë pasi u shkulën vazhdimisht nga urdhrat e evakuimit të Izraelit që tani mbulojnë dy të tretat e territorit të Gazës.

    Zyrtarët amerikanë kanë thënë se një pushtim i Rafahut pa një plan për popullatën civile do të çonte në katastrofë.

    Izraeli ka kryer sulme ajrore në Rafah pothuajse çdo ditë, edhe pasi u tha civilëve në javët e fundit që të kërkonin strehim atje nga luftimet tokësore në qytetin Khan Younis, vetëm në veri, thotë AP.

    Në Khan Younis, fokusi i luftimeve aktuale tokësore, forcat izraelite hapën zjarr në spitalin Nasser, më i madhi i zonës, duke vrarë të paktën një person dhe duke plagosur disa, tha Ashraf al-Qidra, një zëdhënës i ministrisë së shëndetësisë të Gazës të drejtuar nga Hamasi.

    Ai tha se stafi mjekësor nuk është më në gjendje të lëvizë ndërmjet ndërtesave të objektit për shkak të zjarrit intensiv. Ai tha se 300 personel mjekësor, 450 pacientë dhe 10,000 njerëz të zhvendosur janë strehuar në spital.

  • Telashe me mbeturinat, nga e hëna 300 kontejnerë të rinj vendosen në kryeqytet

    Telashe me mbeturinat, nga e hëna 300 kontejnerë të rinj vendosen në kryeqytet

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se në kryeqytet do të vendosën 300 kontejnerë të rinj që nga e hëna.

    Rama tha se kjo është falë përkushtimit të punëtorëve të ndërmarrjeve publike dhe tha se këta kontejnerë do të reduktojnë mbeturinat dhe do t’ua lehtësojnë punën e punëtorëve të pastrimit.

    “Angazhimi serioz e përkushtimi profesional i punëtorëve plot vullnet e të palodhshëm të ndërmarrjeve tona publike dhe potenciali i madh që kanë ndërmarrjet tona të kryeqytetit, siç është Ndërmarrja Publike Banesore, sjellin efektin e vet praktik e të prekshëm. Ata, të prirë nga dedikimi e dashuria për qytetin kanë arritur të bëjnë një punë të vlefshme për të gjithë, kanë filluar vetë me prodhimin e kontejnerëve, të cilët do të reduktojnë mbeturinat në kryeqytet dhe lehtësojnë punën e kushtet e punëtorëve të pastrimit”, ka shkruar Rama.

    Ky njoftim i tij vjen pas vendimit që mori për shkarkimin e drejtorit të Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, pikërisht për arsyen e menaxhimit të mbeturinave, të cilën Rama e konsideroi “alarmante”.

    Shkarkimi i Musliut, i cili vinte nga radhët e PDK-së, çoi edhe në prishjen e koalicionit LDK-PDK në Prishtinë.

  • 58 aksidente brenda 24 orëve në Kosovë

    58 aksidente brenda 24 orëve në Kosovë

    58 aksidente janë raportuar brenda 24 orëve në vendin tonë, njoftoi Policia e Kosovës.

    15 nga to janë me të lënduar, ndërsa 43 me dëme materiale.

    Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar 2 mijë e 315 gjoba trafiku, bën të ditur raporti 24-orësh policor.

  • Kryesindikalisti i Policisë: S’ka përgjigje për kërkesat tona, prioritet është pensionimi i parakohshëm

    Kryesindikalisti i Policisë: S’ka përgjigje për kërkesat tona, prioritet është pensionimi i parakohshëm

    Kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se ende nuk janë takuar me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për t’i vendosur prioritetet se cila nga 14 kërkesat e tyre mund të realizohen nga qeveria në një kohë të shkurtër.

    Kjo pasi më 20 dhjetor të viti të kaluar, pas protestave të Njësiteve Speciale të Policisë së Kosovës, zyrtarët të Sindikatës së PK-së kishin zhvilluar takim me ministrin Xhelal Sveçla dhe drejtorin e PK-së, Gazmend Hoxha, për të diskutuar se cilat kërkesat mund t’i realizoj qeveria.

    Zeqiri ka thënë se pavarësisht se në atë takim ishin koordinuar që në fillim të këtij viti të takoheshin dhe të vendosin prioritetet se cila nga kërkesat mund të realizohen, ende nuk ka ndodhur një takim i tillë dhe pse Sindikata i ka dërguar kërkesë përsëri ministrit për ti rikujtuar se duhet të takohen.

    Ai ka theksuar se ata do të jenë insistues që ky takim të ndodhë dhe të plotësohen kërkesat e tyre.

    “Për takimin që ka ndodhur në dhjetor të viti të kaluar me ministrin u dakorduam që kërkesat të cilat i dorëzuam edhe i paraqitem edhe gjatë bisedimeve në takimin e dhjetorit u dakorduam që në takimin e ardhshëm të ulemi të bisedojmë, ti vendosim prioritetet se cila nga kërkesat mund të realizohet një kohë më të shkurtër, e cilat mund të mbesin më vonë. Ky takim nuk ka ndodhur ende, nuk e dimë pse nuk ka ndodhur takimi edhe pse ne kemi adresuar një kërkesë për ti rikujtuar ministrit se duhet të takohemi. Pritem që të kryejmë edhe paraqitjen para Komisionit për peticione dhe definitivisht jemi në pritje të një caktimi të takimit nga ministri. Ende nuk e ka caktuar nuk kemi ndonjë informacion arsyet pse. Po shpresojmë që do të realizohet së shpejti dhe ne do të jemi insistues që ky takim të ndodhë dhe të shohim se cilat do të jenë prioritet për t’u realizuar kërkesat të cilat veç i kemi dorëzuar tekë ministri i Punëve të Brendshme”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se si prioritet për ta është ligji për pensionim mbi moshën 55 vjeçare, shujta ditore, shpenzimet e udhëtimit e paga e 13-të.

    “Në realitet unë më shumë do të doja që kur të ulemi që të bisedojmë të marrim një pasqyrë një mendim nga vetë ministri se cilat qeveri mund ti realizoj të parat e cilat pak më vonë. Si prioritet mbi prioritete është ligji për pensionim mbi moshën 55 vjeçare, ligji është hartuar që disa vite dhe që duhet të behte, mandej shujta ditore, shpenzimet e udhëtimit, paga e 13-të të cilën jemi duke e realizuar me padi që të mos dëmtohemi edhe si fond i policisë dhe si fond i qeverisë, të bëhen me kohët këto. Mirëpo pa hequr dorë edhe nga kërkesat e tjera”, ka thënë ai për EO.

    Zeqiri ka thënë se nëse nuk plotësohen këto kërkesa që ata kanë, dorëheqjet e zyrtarëve policorë do të rriten edhe më shumë, tani edhe pas liberalizimit të vizave.

    “Sa për fillim që nga liberalizimi i vizave nga një janari nuk kemi ndonjë lëvizje të dukshme, ndonjë lëvizje të jashtëzakonshme qoftë të dorëheqjeve. Mirëpo nëse vërtet qëndrojmë në këto kushte dhe nuk realizohet as njëra nga këto kërkesa ose nuk fillojnë që të realizohen kërkesat dyshoj shumë që deri ka mesi i viti mos do të kemi ndonjë fluks apo ndonjë dorëheqje më shumë se zakonisht. Për shkak se dorëheqjen në PK ka pasur edhe para se të liberalizohen vizat. Vitin e kaluar kemi pasur mbi 100 dorëheqje vullnetare, këtë vit kemi filluar vetëm muajin e parë diku me rreth 10 dorëheqje vullnetare e që këto varen prej kushteve. I vetëmi parandalim për dorëheqje në PK është plotësimi i kushteve dhe mirëqenies”, ka thënë ai

    Protesta e PK-së vitin e kaluar kishin ndodhur pasi qeveria kishte miratuar pako të re për shtesat për njësitë elitare dhe njësitë e tjera policore.

    Sipas kësaj pako, për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat janë 150 euro mbi pagën bazë.

    Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria ka thënë se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

    Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj.

    Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, përkatësisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë.

  • Vdes Robert Badinter, juristi francez që “legalizoi” ndarjen e Jugosllavisë

    Vdes Robert Badinter, juristi francez që “legalizoi” ndarjen e Jugosllavisë

    Robert Badinter, i cili udhëhoqi përpjekjet për të shfuqizuar dënimin me vdekje në Francë, bëri fushatë kundër mohimit të Holokaustit dhe drejtoi një organizëm evropian që trajtonte pasojat ligjore të shpërbërjes së Jugosllavisë, vdiq në moshën 95 vjeçare.

    Presidenti francez Emmanuel Macron e cilësoi Robert Badinter, një mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe ish-ministër i drejtësisë, si “figurë e shekullit”.

    Ministria franceze e Drejtësisë konfirmoi të premten vdekjen e 95-vjeçarit, pa dhënë detaje.

    Një avokat dhe mendimtar, Robert Badinter njihej për përpjekjet e tij të vazhdueshme për t’i dhënë fund dënimit me vdekje.

    Si ministër i drejtësisë gjatë drejtimit të Presidentit të atëhershëm Francois Mitterrand, zoti Badinter mposhti kundërshtitë në radhët e opinionit publik dhe fitoi mbështetjen parlamentare për heqjen e dënimit me vdekje në 1981.

    I lindur në Paris në vitin 1928 në një familje hebreje, zoti Badinter ishte dëshmitar krimeve të nazizmit dhe humbi babanë e tij në kampin e vdekjes Sobibor, sipas zyrës së Presidentit Macron.

    Zoti Badinter drejtoi Gjykatën Kushtetuese të Francës, shërbeu si senator për 16 vjet dhe konsiderohej nga shumë francezë si një pikë referimi, falë mbrojtjes së tij ndaj të drejtave të njeriut.

    Në vitin 1991, zoti Badinter udhëhoqi një organizëm arbitrazhi të krijuar nga Komuniteti Ekonomik Evropian për t’i ofruar Konferencës së Paqes mbi Jugosllavinë këshilla ligjore pasi Sllovenia dhe Kroacia, kishin shpallur pavarësinë.

    Ky organizëm u bë i njihur si Komisioni i Badinterit.

    Komisioni i Badinterit lëshoi 15 opinione ligjore mes viteve 1991 dhe 1993, mes të cilave një që thoshte se Republika Federative Popullore e Jugosllavisë ishte shpërbërë. Kjo hapi i hapi udhë njohjes ndërkombëtare të Sllovenisë dhe Kroacisë si shtete sovrane në 1992.

    Komisioni i Badinterit gjithashtu i shpalli kufijtë midis ish-republikave jugosllave si kufij ndërkombëtarë midis vendeve të reja të pavarura që mund të ndryshoheshin vetëm me diplomaci dhe jo me forcë.

    Pavarësisht kësaj, luftërat shpërthyen në vitet 1990 në Kroaci dhe më vonë në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, duke shkaktuar vdekjen e qindra mijëra njerëzve.

    Në deklaratën e tij, Presidenti Macron nderoi kujtimin e një “burri të urtë të Republikës”, i cili, “pasi përjetoi tragjedinë e shekullit, mishëroi shpresën”./VOA

  • Qytetarët në veri ende nuk i kanë pranuar faturat e rrymës, shumë nga ata nuk kanë as orëmatës

    Qytetarët në veri ende nuk i kanë pranuar faturat e rrymës, shumë nga ata nuk kanë as orëmatës

    Qytetarët e veriut të vendit ende s’kanë pranuar faturat e para për energjinë elektrike që kanë shpenzuar gjatë muajit janar, ndonëse faturimi pas më shumë se dy dekada pritej të nisë nga muaj i kaluar i këtij viti. Derisa nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), thonë se së shpejti pritet të shpërndahen faturat e energjisë në katër komunat veriore. Megjithatë, një javë më parë zëvendëskryeministri parë në Qeverinë e Kosovës, Besnik Bislimi ka theksuar se në fund të muajit janar janë shpërndarë mbi 20 mijë fatura tek konsumatorët e energjisë në veri.

    KosovaPress ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga kompania “Elektrosever”, e cila është licencuar për furnizimin dhe faturimin me energji elektrike të Komunave me shumicë serbe, por që nuk kanë qenë të qasshëm.

    Qytetarët të cilët tregojnë se nuk i kanë pranuar ende faturat, shumë prej tyre nuk kanë as orëmatës. Teksa ata janë shprehur të gatshëm të paguajnë për rrymën që shpenzojnë.

    Milloshi, një qytetar nga veriu i Mitrovicës, ka bërë të ditur për KosovaPress, se nuk ka pranuar ende faturë të rrymës, nuk ka as njehsor, por tha se do ta paguan sepse është obligim qytetar.

    “Për rrymë nuk kam marrë kurrfarë faturash… Jo (nuk kam njehsor)… Ky është një obligim civilizues çdo kund, do ta paguajmë normalisht”, ka thënë Milloshi.

    Edhe Gordana Vllajiq, një qytetare tjetër nga kjo pjesë e qytetit të Mitrovicës, tha se nuk ka marrë faturë dhe nuk ka njehsor, por do ta paguaj rrymën.

    “Jo, akoma nuk kam marrë (faturë për rrymë)… Me sa di unë jo, akoma jo (nuk më kanë vënë njehsorë)… natyrisht (do ta paguaj rrymën)”, theksoi Vllajiq.

    Svetomir Boshkoviq, theksoi se faturë të rrymës ende nuk ka pranuar, por njehsorin e ka në shtëpinë e tij, i cili është i vjetër më shumë se 30 vjet.

    Ai shtoi se do të paguaj rrymën pasi t’i marrin faturat.

    “Nuk kam pranuar (faturë të rrymës)… Kam njehsorin e rrymës, është që 30 – 40 vjet… Nëse vijnë faturat duhet të paguhen, të gjitha duhet të paguhen”, thekson Boshkoviq.

    Ndërkaq, Ymer Fejzullahu, kryetar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), tha se leximi i njehsorëve është në proces e sipër dhe pritet që së shpejti të shpërndahen faturat.

    Sipas tij, në bazë të të dhënave preliminare, janë gjithsej rreth 22 mijë konsumatorë në pjesën veriore, të cilët gjatë këtij muaji duhet t’i shlyejnë borxhet për muajin janar.

    Ai nuk ka dhënë detaje rreth mënyrës së faturimit, sidomos të atyre që janë pa njehsorë, dhe as për çmimin e kW nëse do të jetë i njëjtë sikurse në pjesët tjera të Kosovës, duke thënë se pret një raport nga Elektrosever-i, KEDS, dhe KOSTT rreth kësaj çështjeje.

    “Gjatë këtij viti Elektroseveri ka filluar me nominimin e energjisë për pjesën veriore. Leximi është në proces e sipër dhe pritet që të shpërndahen edhe faturat… Sipas të dhënave preliminare janë rreth 20 mijë deri në 22 mijë konsumatorë në pjesën veriore… Një pjesë e tyre (njehsorëve) besoj se janë në rregull, por ata që nuk janë në rregull do të zëvendësohen me njehsorë të rinj… Këto detaje ende nuk i kemi (rreth mënyrës dhe çmimit të pagesës), mirëpo presim një raport nga Elektroseveri, KEDS-i dhe KOSTT-i…. Po gjatë këtij muaji ata duhet veç t’i shlyejnë detyrimet për muajin janar”, thotë Fejzullahu.

    Zëvendëskryeministri parë në Qeverinë e Kosovës, Besnik Bislimi ka theksuar se në fund të muajit janar janë shpërndarë mbi 20 mijë fatura tek përdoruesit e energjisë elektrike në veri të vendit.

    “Kemi disktuar si temë të tretë problemet ende të pazgjidhura nga udhërrëfyesi i zbatimit të marrëveshjes së energjisë. Në fund të muajit janar janë shpërndarë mbi 20 mijë fatura tek përdoruesit apo konsumatorët e energjisë në veri, por ende janë disa çështje që presin për t’u zgjidhur. Tema e parë që është shumë e rëndësishme për Kosovën është lëshimi në funksion i linjave të interkonjeksionit mes Kosovës dhe Serbisë… tema e dytë e cila është po aq e rëndësishme ka të bëjë me vendosjen e matësve digjital te konsumatorët në veri, ka pasur një gatishmëri të BE-së që të financojë projektin e vendosjes së matësve digjital, por ka pasur pastaj paqartësi se në çmasë një projekt i tillë mund të ndikohet nga masat e vendosura ndaj Kosovës. Dhe problemi i tretë janë borxhet e akumuluara të KOSTT-it si rezultat i devijimeve për konsumin e energjisë pas tetorit të vitit 2022, për të cilin ne presim që Bashkimi Evropian duhet të gjejë një zgjidhje për financimin e tyre”, ka thënë Bislimi.

    Që nga viti 1999, banorët e komunave me shumicë serbe në veri të vendit nuk kanë paguar për energjinë elektrike të cilën e kanë shpenzuar.