ATV

Author: G.O.

  • “Hyp se t’vrava, zhdryp se t’vrava”, Jimmy Kimmel lexon disa shprehje në shqip, Dua Lipa ia përkthen dhe ia tregon kuptimin e tyre

    “Hyp se t’vrava, zhdryp se t’vrava”, Jimmy Kimmel lexon disa shprehje në shqip, Dua Lipa ia përkthen dhe ia tregon kuptimin e tyre

    Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, ka qenë mbrëmë e ftuar në emisionin “Jimmy Kimmel Live”.

    Gjatë emisionit, moderatori i njohur Jimmy Kimmel ka zgjedhur disa shprehje në gjuhën shqipe, të cilat i ka shqiptuar në shqip, e më pas Dua Lipa i ka përkthyer në gjuhën angleze dhe ka sqaruar kuptimin e tyre.

    Shprehjet që ai i lexoi janë: “I ka ba rush e kumlla”, “E kish një dërrasë mangu”, “Sa për sy e faqe”, “Hyp se t’vrava, zhdryp se t’vrava”.

    Pas secilës prej tyre, ata kanë qeshur.

  • Biden thotë se Izraeli e ka “tepruar” në luftën në Gazë, kërkon pauzë në luftime

    Biden thotë se Izraeli e ka “tepruar” në luftën në Gazë, kërkon pauzë në luftime

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të enjten vonë se Izraeli e ka “tepruar” në fushatën e tij ushtarake në Rripin e Gazës dhe shtoi se është duke punuar me këmbëngulësi për t’i shtyrë Izraelin dhe Hamasin të pajtohen për nja armëpushim afatgjatë.

    “Unë jam i mendimit, siç e dini, se [Izraeli] e ka tepruar në përgjigjen e tij në Rripin e Gazës”, tha Biden për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë të enjten.

    Shtetet e Bashkuara e cilësojnë Hamasin organizatë terroriste.

    Këto janë ndër kritikat më të ashpra publike që Bideni ia ka bërë deri më sot Qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe vijnë pas rritjes së trysnisë së brendshme për ta bindur Izraelin t’i ndalë sulmet.

    Së paku nëntë njerëz, përfshirë fëmijë dhe gra, u vranë nga sulmet ajrore izraelite gjatë natës dhe mëngjesit të së premtes në qendër të Rripit të Gazës dhe në qytetin jugor, Rafah, i cili ndodhet në kufi me Egjiptin, thanë dëshmitarët dhe zyrtarët spitalorë, raporton Associated Press.

    Më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorë është detyruar të zhvendoset në kufi me Egjiptin si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit. Duke mos qenë në gjendje të ikin nga territori i vogël palestinez, shumë prej tyre po jetojnë në tenda të improvizuara, apo në strehimore të mbipopulluara të Kombeve të Bashkuara.

    Palestinezët e Gazës shpresojnë dëshpërimisht se një armëpushim mund të arrihet në kohë për ta shmangur një sulm të mundshëm izraelit në Rafah.

    Por, Netanyahu thotë se Izraeli do të vazhdojë të luftojë derisa ta arrijë një “fitore të plotë” kundër Hamasit.

    Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta përkrahnin një sulm në Rafah dhe se sulmi atje do të ishte një “katastrofë”.

    Numri i palestinezëve të vrarë nga kjo luftë katërmujore në Gazë ka arritur në 27.840, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Ndërsa, një çerek i banorëve të Gazës vuajnë nga uria.

    Lufta nisi më 7 tetor, kur militantët e Hamasit u futën në qytetet jugore të Izraelit dhe kryen një sulm befasues, duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen 250 të tjerë.

    Hamasi po i mban ende mbi 130 pengje, por rreth 30 prej tyre besohet se kanë vdekur./REL/

  • Kanosi ish të fejuarën e tij, arrestohet i dyshuari në Podujevë

    Kanosi ish të fejuarën e tij, arrestohet i dyshuari në Podujevë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Podujevë pasi i njëjti ka ushtruar presion psikik dhe ka kërcënuar ish-të fejuarën e tij.

    Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

    “Ankuesja femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ish i fejuari i saj i kishte bërë presion psikik si dhe e kishte kanosur me fjalë të ndryshme. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, njofton policia.

  • Zëvendëskryeministri Bislimi priti në takim deputetë nga Bundestagu gjerman

    Zëvendëskryeministri Bislimi priti në takim deputetë nga Bundestagu gjerman

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim një delegacion të përbërë nga deputetë të Bundestagut gjerman. Deputetët gjermanë u shoqëruan në këtë takim dhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

    Gjatë bashkëbisedimit, zëvendëskryeministri Bislimi i falënderoi deputetët gjermanë për vizitën në Kosovë, duke shprehur mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në shtetndërtimin e Kosovës, progresin dhe zhvillimin e vendit.

    Ai i prezantoi më tej deputetët me situatën në vend dhe objektivat e synimet e qeverisë, duke veçuar ato në integrimin evropian si proces me prioritet të lartë për vendin tonë, si dhe të arriturat në rrafshin ekonomik në indikatorë relevantë dhe atë të sundimit të ligjit. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se secilën politikë të cilën po e zbatojmë, e ka vetëm një qëllim, e atë në përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve të vendit.

    Më tej u cekën dhe tema si arritja e liberalizimit të vizave, bashkëpunimi rajonal, procesi i dialogut dhe akti i agresionit të Banjskës. Mbi këtë të fundit, deputetët Josip Juratovic dhe Thomas Hacker, përgëzuan Policinë e Kosovës për reagimin e matur dhe shfaqën shqetësimin për arsenalin e madh të armatimit të gjetur.

    Në përfundim, zëvendëskryeministri Bislimi i falënderoi përsëri deputetët për vizitën si dhe për bisedën e zhvilluar dhe pikëpamjet e ndara.

  • ​5 marinsa amerikanë humbën jetën në rrëzimin e helikopterit në Kaliforni

    ​5 marinsa amerikanë humbën jetën në rrëzimin e helikopterit në Kaliforni

    Pesë marinsa amerikanë u vranë kur helikopteri i tyre CH-53E Super Stallion u rrëzua në një zonë malore të Kalifornisë jugore gjatë një fluturimi stërvitor.

    “Me zemër të rëndë dhe pikëllim të thellë ndaj humbjen e pesë marinsave të shquar nga krahu 3d i avionëve detarë dhe “Tigrat fluturues” gjatë kryerjes së një fluturimi stërvitor mbrëmë,” tha sot gjeneralmajor Michael J. Borgschulte, komandant gjeneral i Krahut të Tretë të Avionëve Detarë.

    Identiteti i viktimave nuk u publikua për shkak të një politike të Pentagonit që urdhëron publikun të njoftohet 24 orë pas të afërmit.

    Helikopteri u “raportua i vonuar” të mërkurën pasi u nis nga baza e Forcave Ajrore Creech pranë Las Vegas, Nevada në rrugë për në Stacionin Ajror të Trupave Detare Miramar në San Diego. Ajo u lokalizua atë pasdite nga autoritetet civile në një rajon malor në lindje të instalimit ushtarak Miramar të njohur si Lugina e Pishave.

    Presidenti i SHBA-së Joe Biden tha se është “zemërthyer” nga vdekjet dhe tha se ai është “thellësisht mirënjohës ndaj Departamentit të Sherifit të Qarkut San Diego, Patrullës Ajrore Ndihmëse-Civile të Forcave Ajrore të SHBA-së dhe agjencive të tjera federale, shtetërore dhe lokale për profesionalizmin e tyre. dhe përkushtim në mbështetjen e përpjekjeve të kërkimit dhe rimëkëmbjes.”

    “Anëtarët tanë të shërbimit përfaqësojnë më të mirën e kombit tonë – dhe këta pesë marinsa nuk ishin përjashtim,” tha ai në një deklaratë.

    Sikorsky CH-53E është një shtyllë e Trupave Detare të SHBA, e përdorur kryesisht si një avion transporti me ngritje të rëndë. Përdoret nga ushtritë amerikane dhe japoneze dhe ka qenë në shërbim për më shumë se katër dekada. /AA

  • Parlamenti Evropian: S’pati zgjedhje të drejta në Serbi, të hetohen parregullsitë

    Parlamenti Evropian: S’pati zgjedhje të drejta në Serbi, të hetohen parregullsitë

    Deputetët e Parlamentit Evropian të enjten kanë miratuar një rezolutë që kërkon hetim të pavarur ndërkombëtar për parregullsitë në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të dhjetorit në Serbi, me fokus të veçantë në zgjedhjet e Beogradit.

    Për rezolutën votuan 461 eurodeputetë, kundër 53 deputetë dhe 43 abstenuan.

    Në rezolutë është thënë që të pezullohen ndihmat financiare të Bashkimit Evropian për Serbinë në rast se hetimi gjen se autoritetet serbe kanë qenë të përfshira në mashtrimin me vota.

    Tutje, në rezolutë janë përmendur një varg parregullsish gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit, si fryrja e listave të votuesve, përfshirja e emrave të personave të vdekur, shkeljet gjatë votimit, votime në grup, sulme fizike, votuesit që me autobusë u dërguan në Serbi nga vendet fqinje, blerja e votës, që kryeministrja Ana Bërnabiq publikisht e ka falënderuar shërbimin inteligjent të Rusisë për informacionet mbi aktivitetet e opozitës.

    Zgjedhjet në Serbi i fitoi me shumicë votash partia e presidentit Aleksandar Vuçiq.

  • Gjatë vitit 2023, IPK-ja pranoi 1697 ankesa ndërsa u arrestuan 21 punonjës policorë

    Gjatë vitit 2023, IPK-ja pranoi 1697 ankesa ndërsa u arrestuan 21 punonjës policorë

    Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë vitit 2023 ka pranuar dhe menaxhuar 1697 ankesa, prej të cilave 1145 janë klasifikuar si shkelje disiplinore.

    Në vitin 2023, IPK-ja ka arrestuar 35 të dyshuar, prej tyre 21 punonjës policorë dhe 14 qytetarë.

    Ka lëshuar 71 rekomandime për suspendim, janë dorëzuar 74 kallëzime penale, është thënë nga IPK-ja.

    Është thënë se janë lëshuar 54 raporte të veçanta e 56 raporte informuese. Po ashtu janë realizuar 13 inspektime dhe janë dhënë 126 rekomandime për të përmirësuar performancën.

  • Qytetarët e Shtimes raportojnë për probleme me ndriçimin publik, flet drejtori i Urbanizmit

    Qytetarët e Shtimes raportojnë për probleme me ndriçimin publik, flet drejtori i Urbanizmit

    Qytetarët e Shtimes janë ankuar për mungesë të ndriçimit publik në disa nga rrugët e Shtimes, madje në ato vende ku ndriçimi është i rregulluar, ka prishje të llambave të cilat nuk janë riparuar.

    Lidhur me këtë, në një intervistë për emisionin “A LIVE”, u deklarua drejtori për planifikim urban, mjedis dhe kadastër, Grejtalb Emini, i cili tha se janë duke punuar në rregullimin e kësaj problematike.

    “Është e vërtetë që ka probleme të tilla në disa pjesë të qytetit, më konkret në afërsi të shtatores “Adem Jashari” dhe shkak për këtë, janë kabllot lidhëse në mes dy rrugëve, mirëpo kompania e kontraktuar për rregullimin e ndriçimit publik është duke punuar në këtë drejtim dhe besoj që shumë shpejt do të funksionalizohet ndriçimi në atë pjesë, tha ai.

    Tutje, ai tha se që nga marrja e mandatit, intervenime në ndriçimin publik janë kryer në më shumë se 12 fshatra të komunës së Shtimes./ATVLIVE.TV/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Gërvalla pret në takim lamtumirës ambasadorin Abbott, vlerëson lart rolin e tij në bashkëpunimin mes dy vendeve

    Gërvalla pret në takim lamtumirës ambasadorin Abbott, vlerëson lart rolin e tij në bashkëpunimin mes dy vendeve

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e ka pritur në takim lamtumirës Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

    Sipas njoftimit zyrtar , Gërvalla e ka falënderuar Abbott për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës, “që nga çlirimi, pavarësia, shtetndërtimi dhe integrimi euroatlantik si dhe rolin e rëndësishëm që e luan sot në përballje me situatën gjeopolitike dhe të sigurisë në rajon, Evropë dhe në botë”.

    “Ministrja Gërvalla vlerësoi lart rolin e Ambasadorit Abbott në thellimin e bashkëpunimit dhe miqësisë mes dy vendeve dhe i uroi Ambasadorit suksese në misionet e tij të ardhshme”, thuhet në njoftim.

  • Dështon gjykimi ndaj ish-kryetarit të Malishevës dhe të tjerëve

    Dështon gjykimi ndaj ish-kryetarit të Malishevës dhe të tjerëve

    Për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Hasani, avokati Ymer Huruglica ishte i angazhuar në një rast tjetër, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj ish-kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj dhe të tjerëve.

    Një gjë të tillë e bëri të ditur për “Betimi për Drejtësi”, gjykatësi i rastit, Vesel Ismaili.“Për shkak se avokati Huruglica është në një rast tjetër, sot dhe nesër nuk do të mbahet gjykimi” tha gjykatësi Veseli.

    Në këtë rast, për korrupsion për shkak të shpronësimeve dhe shpalljes së “Zonës ekonomike” të Malishevës po akuzohen ish-kryetari i Malishevës, Ragip Begaj bashkë me ish-ministrin Bajram Hasani e zëvendësministrin Faton Thaqi.

    Pjesë e aktakuzës për korrupsion janë edhe Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi.Ndërsa, Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje parave” dhe Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 1 korrik 2021, Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje e parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.

    Ata po ngarkohen se duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tyre zyrtar, kanë krijuar Zonën Ekonomike në Malishevë, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik me qëllim të shpronësimit të tokave të blera me çmim të ulët, me një çmim shumë më të lartë.