ATV

Author: G.O.

  • Vdes Beqir Krasniqi, i mbijetuari i masakrës së Pastaselit dhe dëshmitari i Tribunalit të Hagës

    Vdes Beqir Krasniqi, i mbijetuari i masakrës së Pastaselit dhe dëshmitari i Tribunalit të Hagës

    Ka vdekur Beqir Krasniqi, i mbijetuari i masakrës së Pastaselit dhe dëshmitari i Tribunalit të Hagës.

    Kështu ka bërë të ditur kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi përmes një postimi në Facebook.

    Latifi ka ndarë ngushëllime për familjen e të ndjerit dhe ka kujtuar masakrën në Pastasel dhe se si shpëtoi Krasniqi.

    Ndërkaq Latifi tha se gjurmët e gjenocidit serb po shuhen dita ditës.

    “Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e njeriut të mirë e të respektuar, Beqir Krasniqit nga fshati Pastasel, i mbijetuari i masakrës së Pastaselit dhe dëshmitari i Tribunalit të Hagës. Në ditën kur forcat barbare serbe ekzekutuan dhe masakruan 106 qytetarë shqiptarë në fshatin Pastasel, bacën Beqir, vetëm një fije e hollë e ndante nga vdekja, por, për fatin e tij të mirë, shpëtoi për t’u bërë rrëfimtar dhe dëshmitar i gjallë i atij tmerri”, shkroi Latifi.

    “Nga dita në ditë po shuhen gjurmët e gjalla të gjenocidit serb mbi popullin shqiptar. U përulemi me nderim të veçantë veprës dhe kontributit jetësor të Beqir Krasniqit! Ngushëllime familjes Krasniqi! Qoftë i paharruar kujtimi për bacën Beqir e shpirti i tij pushoftë në paqe!”.

  • Sot mblidhet Kuvendi, në rend dite nëntë marrëveshje ndërkombëtare për t’u ratifikuar

    Sot mblidhet Kuvendi, në rend dite nëntë marrëveshje ndërkombëtare për t’u ratifikuar

    Kuvendi i Kosovës do të mblidhet edhe sot.

    Në këtë seancë parlamentare pritet të shqyrtohen tri propozim-amandamente Kushtetuese (28. 29, 30).

    Në rend të ditës po ashtu janë edhe 17 pika, brenda tyre ratifikimi i nëntë marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Rendi i ditës:

    1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
    2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
    3. Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
    4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
    5. Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,
    6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,
    7. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,
    8. Votimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,
    9. Votimi i Projektligjit nr.08/L-271 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”,
    10. Votimi i Projektligjit nr.08/L-273 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFW, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik,
    11. Votimi i Projektligjit nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian,
    12. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës,
    13. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,
    14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës,
    15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-289 për Komisionin e Pavarur të Mediave,
    16. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-277 për sport,
    17. Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfaqësues nga shoqëria civile.

  • Bislimi raporton për dialogun në Komisionin për Punë të Jashtme

    Bislimi raporton për dialogun në Komisionin për Punë të Jashtme

    Sot do të mblidhet Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

    Aty do të raportojë zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, në lidhje me dialogun e Kosovës me Serbinë.

    Ndryshe dje zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, përmes platformës ‘X’ ka kritikuar përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për qasje jo të drejtë në procesin e normalizimit ndërmjet dy vendeve.

  • Blinken sot në Tiranë, kjo është agjenda

    Blinken sot në Tiranë, kjo është agjenda

    Dy marrëveshje do të nënshkruhen mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë vizitës që do ta ketë sot në Tiranë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

    Këshilli i ministrave, ka miratuar në parim marrëveshjet të cilat kanë të bëjnë me një program të shkëmbimit akademik “Fullbright” si dhe memorandumi i bashkëpunimit Shqipëri-SHBA kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj, që ka të bëjë me bashkëpunimin në mbrojtjen nga sulmet kibernetike.

    Agjenda e Blinken

    Vizita e tij 10-orëshe pritet të startojë të enjten në orën 11:00 kur do të zbresë në aeroportin “Nënë Tereza” dhe nga ku do të nisë edhe turin e takimeve.

    Presidenti Bajram Begaj dhe Kryeministri Edi Rama pritet të jenë zyrtarët më të lartë shtetërorë, të cilët do të zhvillojnë takime kokë më kokë me kreun e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku mesazhet që do të përcillen do të jenë për të ardhmen e Shqipërisë, Ballkanit Perëndimor dhe Europës, gjatë një deklarate të përbashkët ndërmjet Ramës e Blinken.

    Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Blinken do të ketë pjesë të delegacionit edhe ish-ambasadoren amerikane Yuri Kim, e cila tashmë ka një detyrë më të lartë në DASH.

    Agjenda e Blinken në Tiranë do të mbyllet me një takim me rreth 100 të rinj që kanë qenë pjesë e programeve mbështetëse të ambasadës amerikane.

  • Posta e Kosovës nderon shtetin e Japonisë

    Posta e Kosovës nderon shtetin e Japonisë

    Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka vë në qarkullim postar emisionin e pullave postare “15-vjetori i marrëdhënieve diplomatike Japoni-Kosovë”.

    Në njoftim thuhet se përmes kësaj pulle postare nderojmë Japoninë, e cila është njëra ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës!

    “Me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në shkurt të vitit 2009, Republika e Kosovës në korrik të vitit 2010 hapi ambasadën në Tokio, e cila njëkohësisht ishte ambasada e parë e Kosovës në Azi. Me përkrahjen e Ministrisë së Ekonomisë, respektivisht të ministres, Artane Rizvanolli, si dhe në bashkëpunim me  Ambasadën e Japonisë, Komisioni i Pullës Postare në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, ka finalizuar përmbajtjen e  motivit të pullës postare”, thuhet në komunikatë.

    Posta e Kosovës vazhdon t’i promovojë të gjitha ngjarjet që shënojnë zhvillimin e vendit tonë, duke falënderuar dhe nderuar të gjitha vendet mike për përkrahjen e vazhdueshme.

  • Kolegji AAB boton librin e ish-presidentit Sejdiu, “Ora e Kosovës – Pavarësia dhe shtetndërtimi”

    Kolegji AAB boton librin e ish-presidentit Sejdiu, “Ora e Kosovës – Pavarësia dhe shtetndërtimi”

    Përgatiti: Armand Hoti

    Java e Pavarësisë filloi me promovimin e librit “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe Shtetndërtimi”, që ka autor ish-presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu.

    Libri i botuar nga Kolegji AAB, në përmbajtje trajton etapat drejt shtetformimit të republikës më të re në Evropë, e cila më 17 shkurt i bënë 16 vjet e pavarur.

    Vet autori pati një mesazh për gjeneratat që do e drejtojnë shtetin në të ardhmen.

    “Gjeneratat që vinë pas pavarësisë së Kosovë kanë përgjegjësinë që t’ia shtojnë miqtë Kosovës, inkorporimin dhe ngjitjen e saj kudo në botë”, tha Sejdiu.

    Presidentja Vjosa Osmani, vlerësoi lartë veprën dhe punën e paraardhësit të saj, ish-presidentit Sejdiu.

    “Në mitologjinë shqiptare, ora përfytyrohej si qenie e padukshme mbrojtëse që sjell fat të mirë. Rrjedhimisht secili njeri, familje apo grup etnik e ka orën e vet. Ora jonë ishte më 17 shkurt 2008…Ndaj në këtë proces presidenti Sejdiu paraqitet një kronikan i rëndësishëm i rrjedhave zhvillimeve që i dhanë formë përpjekjes sonë për shtet”, u shpreh presidentja Osmani.

    Ndërkohë, në fjalën e tij, Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa potencoi se autori i “Orës së Kosovës”, është personi që i jep peshë rreshtave të shkruar në këtë libër.

    “Këtë libër e rekomandoj jo vetëm për lexim se është një libër që lexohet lehtë por se autori i këtij libri, Fatmir Sejdiu nuk ka qenë vetëm një shikues ose vrojtues i orës së Kosovës por ishte pjesë e mekanizmit kryesor të punës së asaj ore”, tha Tafa.

    Në promovimin e librit, morën pjesë figura të shumta nga sfera publike vendore e ndërkombëtare./atvlive.tv/

  • Deputetja e LDK-së numëron dështimet e Qeverisë Kurti në periudhën 3-vjeçare

    Deputetja e LDK-së numëron dështimet e Qeverisë Kurti në periudhën 3-vjeçare

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se nën udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje, Kosova ka marrë mesazhe të rënda në histori nga ShBA-ja.

    Duke kritikuar Qeverinë në periudhën trevjeçare të Qeverisë Kurti, Krasniqi e ka quajtur shqetësuese gjendjen në marrëdhënien ndërkombëtare.

    “Në periudhën 3 vjeçare të Qeverisjes Kurti, Kosova ka marrë mesazhet me të rënda në historinë e saj nga SHBA-ja, situatë kjo e cila flet shumë gjendjen shqetësuese në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit”, ka shkruar ajo.

     

  • Polici dyshohet se në gjendje të dehur shkaktoi aksident në Pejë, suspendohet nga puna

    Polici dyshohet se në gjendje të dehur shkaktoi aksident në Pejë, suspendohet nga puna

    Është suspenduar nga puna dhe është ndaluar për 48 orë një zyrtar policor që shkaktoi aksident trafiku dje në Pejë.

    Sipas IPK-së, në momentin e aksidentit, polici ishte jashtë detyrës zyrtare, teksa konfirmuan se i njëjti ishte në gjendje të dehur.

    “Hetuesit e IPK-së me të pranuar informacionin kanë filluar të ndërmarrin veprimet fillestare hetimore në koordinim me prokurorin kujdestar. Sipas hetimeve fillestare, aksidenti është raportuar të ketë ndodhur dje në fshatin Novosellë të Pejës (në afërsi të terminalit doganor). Pas veprimeve hetimore dhe pas alkool testit me dyshimin se ka kryer veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur” nga IPK është arrestuar i dyshuari (zyrtari policor) ndaj të cilit prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim për 48 orë. Si pjesë e procedurës administrative hetimore zyrtari policor është suspenduar nga puna”, thuhet në njoftim.

    Tutje, në njoftim thuhet se do të ndërmerren masa tjera në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.

  • Kuvendi voton Remzie Zeqirajn komisionere parlamentare për FSK-në

    Kuvendi voton Remzie Zeqirajn komisionere parlamentare për FSK-në

    Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur komisionere parlamentare për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Remzie Zeqirajn. Pas dy raundeve të votimit, ajo ka marrë 49 vota, ndërkaq Fadil Hadergjonaj 43 vota.

    Mandati i komisioneres parlamentare është pesëvjeçar.

    Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha njoftoi për kandidatët e propozuar nga komisioni funksional.

    “Komisioni Funksional për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në pajtim me dispozitat e Ligjit numër 08L133 ka zhvilluar procedurat për zgjedhjen e komisionerit parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe në përfundim dhe sipas rezultatit vlerësues tre kandidatët më të suksesshëm për votim në seancën e kuvendit janë si në vijim: Sami Hajrullahu 89 pikë, Fadil Hadergjonaj 88 pikë, Remzie Zeqiraj 85 pikë”, tha ai.

    Deputetja Albana Bytyqi ka prezantuar numrin e votave për secilin kandidat për komision parlamentar të FSK-së.

    “Në votim kanë marrë pjesë 96 deputetë, të pavlefshme janë katër fletëvotime, ndërsa kandidatët Remzie Zeqiraj ka marrë 49 vota, ndërsa Fadil Hadergjonaj 43 vota”, ka njoftuar ajo.

  • Kurti pas deklaratës së O’Brien: Marrëdhëniet me ShBA-në nuk janë duke u rrezikuar

    Kurti pas deklaratës së O’Brien: Marrëdhëniet me ShBA-në nuk janë duke u rrezikuar

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë duke u rrezikuar. Ai ka theksuar se Kosova i është falënderuese ShBA-së për të gjithë kontributin tashmë e 25-vjet që e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë.

    Kurtit sot u pyet për deklaratën e ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, për Rregulloren e BQK-së, për të cilën tha se me këtë qëndrim, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

    “Republika e Kosovës nuk ka partner aleat edhe mik sikurse ShBA-të, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj si kryeministër i Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10-pikësh për zbatimin e rregullores së saj. Ne jemi një Republikë demokratike Qeveria nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura siç është BQK-ja”, tha Kurti para gazetarëve sot në Prizren.

    “Në mesin e këtyre 10 pikave si plan pune për zbatimin e rregullores BQK nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese, pra pa ndëshkim dhe pa incidente duam të ecim përpara. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë prioritet i uni, por njëkohësisht ne kujdesemi edhe paqe e siguri, kujdesemi edhe për mirëqenien e qytetarëve serbë”.

    “Unë jam kryeministër që nuk dëshiron që qytetarët të kenë më pak para por të kenë më shumë. BQK-ja ia ka dërguar një letër Bakës Tradicionale të Serbisë, shpresojmë që ata të përgjigjen. Nuk është ndaluar dinari në Kosovë bëhet fjalë vetëm për dinarin si mjet pagese, jo për dinarin që mund ta kenë qytetarët. Nuk dëshirojmë që të ndëshkojmë askënd, me kurrfarë masash mirëpo ta bëjmë këtë tranzicion ashtu që të legalizohet e formalizohet çdo transaksion”.

    “Nuk besoj që qytetarët serbë këtë e shohin si problem, por Beogradi zyrtar që nuk na e pranon as pavarësinë e as krimet e kryera para 25-vjetëve, është ai që sjellë këso alarmimesh para apokaliptike. Si për BQK-në, si për shtetndërtimin tonë demokratik, si për sistemin tonë financiar ne i jemi falënderues ShBA-së që kanë kontribuar për gjatë këtyre, 25 vjetëvet të Kosovës së çliruar”, ka thënë Kurti.