ATV

Author: G.O.

  • Liga e Kampionëve vazhdon sot me përballje tejet interesante

    Liga e Kampionëve vazhdon sot me përballje tejet interesante

    Mbrëmë u hap faza e 1/16-ës së Ligës së Kampionëve, ku Real Madridi dhe Manchester City gjete rrugën drejt fitores.

    Reali e mposhti RB Leipzigun 1:0, kurse Manchester City fitoi 3:1 kundër Copenhages.

    Ndërkaq, edhe sot do të kemi përballje tejet interesante në kuadër të 1/16-ës së kësaj gare.

    Kampioni gjerman, Bayern Munich luan si mysafir i Lazios, kurse Paris Saint-Germain pret në shtëpi Real Sociedadin.

    21:00 Lazio – Bayern Munich

    21:00 Paris Saint-Germain – Real Sociedad

  • Vrasje në tentativë në Prizren

    Vrasje në tentativë në Prizren

    Dy të dyshuar janë paraqitur dje në polici, në Prizren, pasi një ditë më parë u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore dy të dyshuarve të tjerë.

    Rasti është duke u trajtuar si vrasje në tentativë.

    “Janë paraqitur në stacion dy të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore dy viktimave meshkuj kosovarë”, thuhet në raportin e Policisë.

    Njoftohet se të dyshuarit pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

  • 14 shkurti – Dita Ndërkombëtare e Epilepsisë

    14 shkurti – Dita Ndërkombëtare e Epilepsisë

    14 Shkurti është Dita Ndërkombëtare e Epilepsisë. Ditë e shënuar e cila promovon vetëdijësimin dhe ndërgjegjësimin pёr epilepsinë nё mё shumё se 130 vende tё ndryshme tё botёs duke llogaritur edhe Kosovën.

    Çdo vit nё tё hёnёn e dytё tё muajit shkurt njerëzit mblidhen sё bashku tё njoftohen mbi problemet me tё cilat ballafaqohen personat qё vuajnë nga epilepsia dhe anëtarët e familjeve tё tyre.

    Qëllimi kryesor i shënimit të kësaj dite është ngritja e vetëdijes për nevojën e përmirësimit të tretmanit dhe kujdesin për 6 milionë njerëz në Evropë të cilët konsiderohen se e kanë epilepsinë.

    Arsyeja e shënimit të kësaj dite në Kosovë është thirrje për aksion për të gjithë ata që me kontributin e tyre do te përkrahin luftën kundër epilepsisë.

    Në botë janë të prekur më shumë se 50 milionë njerëz, e kjo e bënë këtë një problem të rëndësishëm në shëndetin publik. Në të kaluarën kanë ekzistuar shumë paragjykime dhe dogma për epilepsinë. Sot, qëndrimet bashkëkohore të ILAE tregojnë se personat me epilepsi mund të jetojnë dhe punojnë normalisht, sikurse çdo individ tjetër i shëndoshë.

    Kriza epileptike shkaktohet nga zbrazja enorme e qelizave te eksituara nervore. Një sulm epileptik nuk do të thotë epilepsi. Meshkujt vuajnë pak më shumë se femrat. Epilepsia mund të fillojë në çdo moshë por më e zakonshme është në fëmijëri dhe në moshat e shtyra mbi 65-vjeç.

    Deri në 70% e personave me epilepsi kanë kontrolle të plotë të krizave me përdorimin e terapisë antiepileptikë. Terapia për epilepsinë doemos duhet të merret me rregull, ashtu si është udhëzuar nga neurologu/epileptologu, me kontrolle të rregullta, si dhe kontrolli i ilaçit në gjak dhe EEG.

    Ngasja e automjetit kërkon një qasje individuale, edhe pse nuk rekomandohet vozitje profesionale. Në më shumë vende të botës, personave që s’kanë pasur sulm në periudhë prej 1-3 vjet, u lejohet ngasja e automjetit nën kontroll.

    Shtatzënia tek femrat me epilepsi duhet të jetë e planifikuar dhe në konsultim me epileptologun. Personat me epilepsi duhet të jetojnë dhe të punojnë në një atmosferë normale e të shëndoshë, me përkrahje të familjes dhe mjedisit shoqëror.

  • Blinken qëndron sot në Tiranë

    Blinken qëndron sot në Tiranë

    Sekretari i Shtetit amerikan, Antony Blinken, do të qëndrojë në Tiranë për një vizitë disaorëshe gjatë ditës së enjte.

    Në Tiranë, sipas njoftimit të DASh-it, “Blinkeni do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i fortë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.

    Ndërkaq, në njoftim bëhet e ditur se pas përfundimit të qëndrimit në Tiranë, Sekretari Blinken do të vazhdojë rrugën në Munih, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Munihut si pjesë e delegacionit të ShBA-së të kryesuar nga Zëvendës Presidentja Kamala Harris.

    “Sekretari do të zhvillojë takime dypalëshe për të nënvizuar mbështetjen e qëndrueshme të Shteteve të Bashkuara për popullin e Ukrainës, për të vazhduar diskutimet me partnerët se si të arrihet paqe dhe siguri e qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe për të theksuar angazhimin tonë të palëkundur për sigurinë transatlantike”.

    Sekretari Blinken do t’ bashkohet një forumi publik mbi multilateralizmin me partnerët ndërkombëtarë.

  • Vdekje e dyshimtë në Prishtinë, një burrë dërgohet pa shenja jete në QKUK

    Vdekje e dyshimtë në Prishtinë, një burrë dërgohet pa shenja jete në QKUK

    Policia ka njoftuar se një mashkull në Prishtinë është dërguar pas shenja jete në QKUK.

    Sipas tyre, vdekjen e viktimës e kanë konstatuar mjekët, ndërsa nuk dihen rrethanat e vdekjes.

    “Viktima mashkull kosovar është sjellë në QKUK pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa nuk dihen rrethanat e vdekjes. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Biden i quan “joamerikane” deklaratat e Trumpit për NATO-n

    Biden i quan “joamerikane” deklaratat e Trumpit për NATO-n

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë të martën se deklaratat e ish-presidentit Donald Trump, që e vunë në dyshim përkushtimin amerikan për t’i mbrojtur nga sulmet aleatët e vet në NATO, janë “joamerikane” dhe “të rrezikshme”.

    Trump tha të shtunën se dikur kishte paralajmëruar se do ta lejonte Rusinë të bëjë çfarë të dojë me vendet anëtare të NATO-s të cilat nuk e përmbushin zotimin për t’i shpenzuar 2 për qind të bruto produktit të brendshëm për mbrojtjen.

    Duke folur në Shtëpinë e Bardhë të martën, Bideni tha se komentet e Trumpit – i cili i prin garës së republikanëve për t’u nominuar për president në zgjedhjet e nëntorit në SHBA – ishin “tronditëse” po ashtu.

    “E tërë bota e dëgjoi këtë dhe më e keqja është se ai e ka me gjithë mend”, tha Biden.

    Bideni tha se “kur Amerika e jep fjalën, kjo është diçka e rëndësishme”, si dhe tha komentet e Trumpit që e vunë në dyshim përkushtimin e SHBA-së janë “joamerikane”.

    “Ai nuk e kupton se përkushtimi i shenjtë që e kemi bërë, është edhe në dobinë tonë”, tha Biden.

    Çfarë tha Trumpi për NATO-n?
    Si president amerikan nga viti 2017 deri më 2021, Trumpi shpesh i kritikonte NATO-n dhe anëtarët e saj si, Gjermaninë, duke i akuzuar se nuk po paguanin mjaftueshëm për mbrojtjen e vet dhe se po mbështeteshin në Uashingtonin për t’i mbrojtur.

    Ai e vuri në dyshim haptazi parimin e mbrojtjes së përbashkët.

    Edhe administratat e tjera amerikane i kanë akuzuar evropianët për shpenzime të pamjaftueshme në mbrojtje, por me ton më të butë.

    Kritikat e Trumpit arritën në një shkallë tjetër gjatë një fushate zgjedhore të shtunën në Karolinën e Jugut, kur ai kujtoi, siç tha, një bisedë me “një president të një vendi të madh”.

    “Epo, zotëri, nëse ne nuk paguajmë dhe na sulmon Rusia – a do të na mbroni ju?” Trumpi e citoi liderin anonim të ketë thënë.

    “Unë i thashë: ‘Ju nuk keni paguar? Ju jeni fajtor?’ Ndërsa, ai më tha: ‘Po, të themi se ndodhi ajo.’ Jo, unë nuk do t’ju mbroja juve. Në fakt, unë do t’i nxisja ata [Rusinë] të bëjnë çfarë dreqin duan. Ju duhet të paguani”, tha Trump.

    Sipas vlerësimeve të NATO-s nga korriku i vitit të kaluar, 11 vende anëtare pritej ta arrinin synimin e 2 përqindëshit më 2023. Ato ishin: Polonia, Shtetet e Bashkuara, Greqia, Estonia, Lituania, Finlanda, Rumania, Hungaria, Letonia, Britani e Madhe dhe Sllovakia.

    Gjermania, e cila ka ndër ekonomitë më të mira në Evropë, shpenzoi rreth 1.75 për qind të GDP-së për mbrojtjen. Por, zyrtarët gjermanë kanë thënë se presin se do ta arrijnë cakun prej 2 për qind këtë vit, kryesisht falë një fondi të veçantë prej 1 miliard eurove të themeluar si përgjigje ndaj luftës ruse në Ukrainë.

    Vendet që shpenzuan më së paku nga GDP-ja e brendshme ishin: Spanja, Belgjika dhe Luksemburgu, sipas të dhënave të NATO-s./REL/

  • Bajraktari: Qeveria të ketë kujdes në Projektligjin për KPM-në, mund të konsiderohet si cenim i lirisë së medias

    Bajraktari: Qeveria të ketë kujdes në Projektligjin për KPM-në, mund të konsiderohet si cenim i lirisë së medias

    Avokati Ardian Bajraktari, ka kërkuar më shumë konsultime kur bëhet fjalë për institucione të pavarura. Duke folur për Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, Bajraktari për Ekonomia Online ka kërkuar që i njëjti të mos konsiderohet si cenim i lirisë së medias.

    Lirinë e Mediave, Bajraktari e konsideron se është në pajtim të plotë me standardet e avancuara ndërkombëtare dhe si e tillë ajo duhet ruajtur.

    “Procesi i harkimit dhe finalizimit të legjislacionit këtë rast aq më tepër kur kemi të bëjmë me institucione të pavarura, dhe të  kategorisë kushtetuese duhet të shoqërohet me konsultime, e debate diskutime shteruese, në administrim të sfidave, dhe përgjithësive, që gjithë secilit institucion, natyrisht kur kemi te çështja e mediave tek çështja e lirisë së mediave, kjo është e përcaktuar edhe me kapitullin 2 të Kushtetutës në kuadër cilës bënë pjesë edhe liria e medias si njëra prej lirive të garantuara me kushtetutën tonë”, u shpreh Bajraktari.

    “Në rast se ka diçka që është në pajtim jashtëzakonisht të madh me standardet me të avancuara ndërkombëtare, natyrisht që është kapitulli 2 përkatësisht të drejtave dhe liritë e njeriut, andaj vlerësoj që edhe Qeveria me rastin e hartimit të projektligjeve, edhe kuvendi me rastin e miratimit të këtyre veçmas kur kemi të bëjmë me institucione të kësaj natyre, duhet të jenë të kujdesshëm në drejtim të adresimit të sfidave mirëpo  të mos ndërmarrin hapa e veprime që mund të konsiderohen si cenim i lirisë së medias”,

    Duke folur për këtë Projektligj, Bajraktari thekson se përbën shkelje të nenit 6 të Komisionit të Pavarur për Media. Për këtë, kërkon më shumë kujdes.

    “Komisioni i Pavarur për Media është institucioni i pavarur i kategorisë kushtetuese dhe në rrjedh të kësaj përveç që është i tillë punën dhe veprimtarin e tij e rregullon me ligjin përkatës me ligjin për Komisionin e Pavarur për Media, dhe janë autonom në punën dhe vendimmarrjen e tyre, dhe ushtrimin e përgjithësive të tyre kushtetuese dhe ligjore dhe në këtë drejtim ata kushdo qoftë deputet apo kushdo tjetër nuk mund të interferoj në punën dhe veprimtarinë e KPM-së për faktin se bënë veprime që bien ndesh me dispozitat e Ligjit për Komisionin e Pavarur për Media, përkatësisht nenit 6 të këtij Ligji. Andaj deputetët apo kushdo tjetër nuk mund të interferoj në punën dhe veprimtarinë e KPM-së për faktin se bënë veprime që bien ndesh me dispozitat e ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave”, u shpreh ai.

  • Kuvendi vazhdon sot seancën plenare

    Kuvendi vazhdon sot seancën plenare

    Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen sot për të vazhduar seancën plenare të mbetur në gjysmë.

    Përmes një komunikate për media, Kuvendi njofton se në seancën që pritet të fillojë në orën 11:00, në rend dite janë katër pika.

    Rendi i ditës:

    18. Votimi për emërimin e 3 (tre) anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,
    19. Propozimi për përzgjedhjen e një (1) kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës,
    20. Zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës,
    21. Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e fakulteteve juridike të Republikës se Kosovës.

  • Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin Nicholas Abbott

    Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin Nicholas Abbott

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur mbrëmë në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, të cilin e ka falënderuar për bashkëpunimin dhe kontributin  e vazhdueshëm në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy shteteve.

    Në takim, Osmani  vlerësoi lart angazhimin personal të ambasadorit Abott, i cili përveç rolit në promovimin e marrëdhënieve reciproke, mbështeti edhe shumë kauza të rëndësishme për shoqërinë kosovare.

    “Ambasadori Abbott, për ne ju jeni më shumë se një përfaqësues diplomatik. Ju jeni një mik i vërtetë i Kosovës, një bashkëpunëtor i çmuar dhe një mbështetës i palëkundshëm i aspiratave tona për një shoqëri të lirë, të hapur dhe të drejtë. Përkrahja juaj e vazhdueshme për të drejtat e njeriut, paqen dhe integrimin e Kosovës në familjen euroatlantike, si dhe fuqizimin e përgjithshëm ndërkombëtar të saj tregon përkushtimin tuaj ndaj Kosovës”, është shprehur Osmani.

    Presidentja Osmani i ka uruar ambasadorit Abbott sukses në angazhimet e mëtejme, duke e konsideruar një mik të Kosovës, i cili do të jetë gjithnjë i mirëseardhur në shtetin tonë.

    Në takim, u shpreh gatishmëria e të dy bashkëbiseduesve që Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar të vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin në fusha të ndryshme, duke përfshirë çështjet e sigurisë, zhvillimin ekonomik, arsimin, kulturën dhe përforcimin e lidhjeve njerëzore ndërmjet qytetarëve të dy shteteve.

  • Gjendja me mbeturina në Prishtinë, drejtori i ri premton shtimin e 3000 kontejnerëve në Prishtinë

    Gjendja me mbeturina në Prishtinë, drejtori i ri premton shtimin e 3000 kontejnerëve në Prishtinë

    Pamje si kjo është e shpeshtë në Prishtinë.

    Kontejnerët janë pak metra larg. Megjithatë, mbeturinat u lanë në cepa të rrugëve. Sipas qytetarëve numri i kontejnerëve është i vogël.

    “Pe shihni edhe vet këtu sa ka arrit lartësia e bërllokut, përreth këtej në tokë, nuk është që nuk po i largojnë por krahas numrit të banorëve këta kontejnerë janë shaka veç të vijnë për çdo ditë t’ a largojnë…”

    Qytetarët madje u frikësohen edhe epidemive.

    “Këtu mundet me pas kafshë të ngordhura, baktere, mish, shumë problem duhet të reagojnë komuna e institucionet për këtë problem që kaq shumë vite…”, thotë një banor.

    “Gjendje alarmante me menaxhimin e mbeturinave” dhe “mungesa e rezultateve” sipas kryetarit Përparim Rama ishin arsyet për shkarkimin e Ilirik Musliut nga detyra e drejtorit të shërbimeve publike. Tashmë pasardhësi i tij, Bekim Brestovci, thotë se ka nisur punën për shtimin e kontejnerëve.

    “Për 3 muaj jam optimist se do të fillojmë me vendosjen e kontejnerëve të ri në shumë lagje të kryeqytetit…”, u shpreh Brestovci.

    Dyshime në kohën që caktoi Brestovci për zgjidhjen e çështjes së mbeturinave ka asamblisti i PDK-së Leutrim Retkoceri. Mes tjerash ai thotë se shumicën e punëve veçse i ka përfunduar udhëheqësia e shkuar e kësaj drejtorie.

    “Kam dyshimet e mia meqë kjo është një problematikë si e qenve endacak, që sa kohë, nuk është mirë të jepen afate vetëm për fillim të mandatit, meqë edhe Iliriku ka punuar shumë…”, thotë Retkoceri.

    1370 kontejnerët, sa janë paraparë të vijnë në lagjet e kryeqytetit në tre muajt e ardhshëm, komunës së Prishtinës do t’i kushtojnë rreth 380 mijë euro./ATVLIVE.TV/