ATV

Author: G.O.

  • Ylli i Liverpoolit shpallet lojtari më i mirë i muajit në Premier Ligë

    Ylli i Liverpoolit shpallet lojtari më i mirë i muajit në Premier Ligë

    Diogo Jota e ka fituar çmimin e lojtarit më të mirë të muajit në Premier Ligë, për të parën herë në karrierën e tij.

    Ylli i Liverpoolit e fiton çmimin në fjalë pas kontributit me tri gola e dy asistime në vetëm tri paraqitje, duke e udhëhequr Liverpoolin drejt tri fitoreve në po aq ndeshje, raporton KosovaPress.

    Pasi që u rikuperua nga lëndimi në fund të muajit dhjetor, Jota u inkuadrua nga banka rezervë për të asistuar në fitoren 4:2 kundër Newcastle, para se të shënonte dy gola dhe të asistonte një në fitoren 4:0 kundër Bournemouthit.

    Më pas, ai shënoi edhe në fitoren 4:1 kundër Chelseat, kështu duke regjistruar përfshirjen në pesë gola gjatë muajit, më shumë se cilido lojtar në Premier Ligë, duke e ndihmuar Liverpoolin ta merr kreun e tabelës para Manchester Cityt e Arsenalit.

    Jota fitoi çmimin në fjalë duke e mposhtur në garë Elijah Adebayo, Kevin De Bruynen, Gabriel Magalhaes, Richarlison dhe shokun e skuadrës, Connor Bradley.

  • ​Guvernatori i BQK-së pret në takim ambasadorin francez

    ​Guvernatori i BQK-së pret në takim ambasadorin francez

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili së bashku me Zëvendësguvernatorin Fusha priti në takim Ambasadorin e Republikës së Francës në vendin tonë, Olivier Guérot i shoqëruar nga z. Pierre Grandjouan.

    Guvernatori Ismaili ka njoftuar Ambasadorin Guérot lidhur me aktualitetet në sistemin financiar të vendit, zhvillimet makroekonomike, perspektivën, objektivat dhe Planin Strategjik të BQK-së, nismat për avancimin e sistemit financiar, përfshirë projektin për modernizimin e sistemit të pagesave dhe synimin për anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave Euro të Bashkimit Evropian, i njohur si SEPA.

    Me këtë rast, Guvernatori i BQK-së shprehi vlerësimet dhe konsideratat më të larta për mbështetjen nga Banka e Francës, e cila ka kontribuar në projekte te ndryshme në ngritjen e kapaciteteve profesionale, dhe ndihmën e popullit francez për popullin e Kosovës.

    Në takim u diskutua edhe për avancimin e kornizës rregullative dhe ligjore, duke përfshirë Ligjin për Bankat, Ligjin për Shërbimin e Pagesave dhe ligje tjera, të cilat kanë si synim përafrimin me direktiva të BE-së.

    Po ashtu, është biseduar lidhur me veprimet e ndërmarra ndaj parave të falsifikuara, si dhe planet tjera për fuqizimin e integritetit të sistemit financiar, me praktikat më të mira ndërkombëtare.

    Guvernatori Ismaili e informoi Ambasadorin Guérot mbi Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme, duke sqaruar aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për pozicionin e saj. U sqarua se Rregullorja avancon integritetin e sistemit financiar dhe përafron Republikën e Kosovën me standardet e BE-së.

    Ambasadori francez u njoftua edhe për Planin e BQK-së për zbatimin e kësaj Rregulloreje në praktikë, si dhe veprimet për lehtësimin e efekteve të saj, krahas angazhimit konstruktiv të BQK-së për lehtësimin e transferimit të mjeteve sipas modelit të propozuar dhe gatishmërisë për të diskutuar opsionet e mundshme ligjore.

    Sa i përket shqetësimeve të ngritura lidhur me ndikimet e saj në një komunitet të caktuar, u sqarua se Rregullorja në fjalë nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro dhe as nuk kufizon aktivitetin këmbimor që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK.

    Në fund, u tha se BQK në mënyrë aktive po vazhdon me aktivitete të informimit dhe sensibilizimit, përfshirë lëshimin e linjës pa pagesë të dedikuar për qytetarët tanë dhe materiale tjera informuese, duke ftuar ata që ende nuk kanë llogari të hapin një të tillë te secila bankë, e cila për grupe të cenueshme nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024 me Rregulloren e BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike.

  • Limaj: Një grup individësh janë ngritur në këmbë për të rrënuar këtë shtet, të ndërtuar me shumë sakrifica

    Limaj: Një grup individësh janë ngritur në këmbë për të rrënuar këtë shtet, të ndërtuar me shumë sakrifica

    Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar për Ekonomia Online, e ka quajtur populiste veprimet e Qeverisë  karshi faktorit ndërkombëtar. Kreu i Nismas tha se një Qeveri normale do duhej t’i vazhdonte punët ku kanë mbetur e jo për t’i “përmbysur krejt se çka është bërë”.

    Sipas Limajt, veprimet eksperimentale po i kushtojnë Kosovës në raport me zhvillimet e brendshme dhe jashtë. Limaj i sheh këto veprime si tendencë për ta rrënuar shtetin nga një “grup individësh”.

    “Besoj që të gjithë tashmë jemi të qartë çka do të thotë politika populiste kur politikën e jashtme e përdorni për përfitime të brendshme. Kur nuk dini me dallu interesin strategjik me poteza të përditshëm politike ato i kushtojnë vendit. Kjo vazhdimisht ka qenë apeli im që Kosova duhet ta ruajë kursin e vetë properëndimor. Kosova duhet të bëjë hapa të sigurt në rrumbullaksimin e shtetësisë së vetë. Kjo fatkeqësisht po ndodh tash e tri vite. Këto janë veprime eksperimentale që po i kushtojnë dhe do t’i kushtojnë vendit tonë mënyra të ndryshme dhe sjellja që ka kjo Qeveri në raport me zhvillimet e brendshme por edhe me pozicionin e Kosovës jashtë”, tha Limaj për EO.

    Duke komentuar deklaratat e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, për dëmtimin e partneritetit të SHBA-së me Kosovën, Limaj tha se janë dëshmitarë të shkatërrimit të “shtetit të ndërtuar me shumë sakrifica e mund”.

    “Qeveria është duke bërë gabime që nga fillimi sepse tash e ka ndërrua kursin, kursin e drejtimit të vendit. Mentaliteti për të filluar çdo gjë prej zeros duke përmbysur të arriturat është mentalitet që e përmbys vendin. Një vend i qytetëruar, një Qeveri normale e pjekur vazhdon aty ku ka mbetur për ta bërë edhe më mirë saqë është për ta ndryshuar më mirë  por jo për ta përmbysur krejt se çka është bërë. Fatkeqësisht ne jemi dëshmitarë që grupe individësh janë ngritur në këmbë për të rrënuar këtë shtet të ndërtuar me shumë sakrifica dhe mund tash e 20 vite”, tha Limaj.

  • 16-vjetori i Pavarësisë, Arkiva e Kosovës hap ekspozitën “Vdes kur dua vet” në përkujtim të Adem Demaçit

    16-vjetori i Pavarësisë, Arkiva e Kosovës hap ekspozitën “Vdes kur dua vet” në përkujtim të Adem Demaçit

    Në kuadër të shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë, Agjencia Shtetërore të Arkivave të Kosovës,ka hapur ekspozitë me dokumente arkivore “Adem Demaçi: Vdes kur dua vetë”, raporton Ekonomia Online.

    Të prezantuara në këtë ekspozitë ishin pjesët e para të romaneve të shkruara nga Adem Demaçi në kohën kur ishte në burg, si dhe disa të tjera jashtë burgut.

    Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bislim Bislimi, ka përmendur hapat e jetës së Adem Demaçit tha se sot detyra e Agjencisë është që të mbajë historinë e tij të gjallë.

    “Për jetën dhe veprën e heroit të pavdekshëm të Kosovës është folur, flitet dhe do të flitet gjithmonë, sepse gjithë kjo do të këtë horizonte të reja të shpjegimit dhe të mashtrimit të gjithë asaj sakrifice që mbrese rezistence frymëzues për lirinë që Adem Demaqi e mbolli e mirëmbajti e rriti dhe e la të gatshme për të vazhduar më pas bashkë më e mijëra e mijëra heronj deri të pushka deri te Pavarësia e  Kosovës”, tha ai.

    Bislimi tha se Agjencia ka hulumtuar dhe sot po ri-sjell dosjen Demaçi për të gjithë aktin e tij me Serbinë dhe ish-Jugosllavinë.

    “Megjithëkëtë, sot Agjencia e Arkivave të Kosovës një ndër detyrat e ka të mbledh, dhe të ruajt dhe mbajë kujtesën historike për një hap të vogël, duke risjell e përmbledhur dosjen Demaqi për të demonstruar në mënyrë  aktet e përballjes së Adem Demaqi me Serbinë dhe ish-Jugosllavinë”, tha tutje ai.

    E bashkëveprimtari i Adem Demaqit, Selatin Novesella, pati një porosi për të pranishëm. Kërkoi që manifestime të tilla të ketë më shpesh.

    “Të bëjmë ne diçka që të jem bashkë me bacin Adem. Unë kam thënë për çdo personalitet cilido qoftë ajo mos të shënohet me data të rrumbullakuara. Vetëm për Adem Demaqin duhet së paku të bëhen dy manifestime. Unë  jam e sigurt që sa më shumë të kemi pranë nesh Adem Demaqi jemi më të fortë. Trashëgimia e Adem Demaqit është diçka që është vërtet që i bën nder të gjithë kombit”, u shpreh ai.

  • Pësoi një lëndim, Nora Gjakova nuk do të luajë në finale e Grand Slamit

    Pësoi një lëndim, Nora Gjakova nuk do të luajë në finale e Grand Slamit

    Edhe pse e siguroi finalen e Grand Slam Baku të Azerbajxhanit, xhudistja jonë, Nora Gjakova nuk do të mund të garojë në finale, dhe lajmin e ka konfirmuar trajneri i saj, Driton Kuka.

    Kuka shkroi në “Facebook” që Gjakova pësoi një lëndim në muskulin e saj gjatë gjysmëfinales, lëndim ky që e penalizon nga medalja e artë.

    “Nora zgjati një muskul pas 2 minuta luftë dhe me shumë mund e ruajti epërsinë. Por, ja doli të hyjë në finale, ku për fat të keq s’do garoj me sugjerimin e mjekut dhe timin”, shkroi Kuka.

  • Raportohet se ka vdekur në burg politikani opozitar rus, Aleksei Navalny

    Raportohet se ka vdekur në burg politikani opozitar rus, Aleksei Navalny

    Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, ka vdekur në burg, u tha në një deklaratë të lëshuar nga një departament lokal i Shërbimit Federal të Burgjeve.

    Në deklaratën e Shërbimit Federal të Burgjeve u tha se Navalny u ndje keq, pas ecjes më 16 shkurt dhe më pas humbi vetëdijen.

    Një autoambulancë shkoi në teNtim për ta trajtuar, por ai vdiq, u tha në deklaratë.

    “Të gjitha masat për ta kthyer në jetë u ndërmorën, por ato nuk prodhuan rezultate pozitive. Mjekët e autoambulancës e shpallën të vdekur të burgosurin. Shkaku i vdekjes është duke u përcaktuar”, u tha në deklaratën e Shërbimit rus, njoftim që nuk ka qenë e mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

    Mediat e kontrolluara nga shteti rus po ashtu kanë cituar këtë deklaratë, duke raportuar se Navalny, 47 vjeç, ka vdekur.

    Media shtetërore, TASS, citoi zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, të ketë thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, është informuar për raportimet lidhur me vdekjen e Navalnyt dhe se ai nuk kishte informacione për shkakun e vdekjes së tij./REL/

  • Deputetët e LV-së kërkojnë sërish shkarkimin e bordit të KPM-së

    Deputetët e LV-së kërkojnë sërish shkarkimin e bordit të KPM-së

    Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje edhe një herë kanë kërkuar shkarkimin e bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave. Teksa komentuan shfuqizimin e vendimit për pezullimin e kanaleve sportive të “Arena Sport”, ata thanë se bordi nuk ka kredibilitet për të vazhduar më shumë në udhëheqje. Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Media kanë pyetur bordin e KPM-së edhe për presionet. Të njëjtit kanë kërkuar hetim, meqë deklaruan se kanë pasur takime me “Devollët”.

    Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Valon Ramadani tha se ka pranuar letër nga Digitalb dhe Premier Liga, ku thuhet se “Art Motion” nuk ka të drejtë të transmetojë ligën angleze të futbollit.

    “Unë kam pranuar disa email-a prej Digitalb, në këtë rast edhe prej Premier Ligës që mund t’i publikojë sot ose t’i ofrojë për KPM-në dhe deputetët dhe ata që kanë interes të shohin se çka kanë marrë mundin ata të shkruajnë, në këtë rast për mua është shumë me rëndësi se çfarë ka shkruar Premier Liga që të lidhet me të njëjtën qysh e ka edhe KPM. Kjo email ju ka dërguar edhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca por edhe mua si kryetar i këtij komisioni. Janë disa fleta, unë po shpresoj që këto kanë pasur mundësi që këto të diskutohen në fund pasi të kryhen këto diskutime tjera që kanë filluar në fillim të kësaj mbledhje. Një që e kam vërejtur në shkresën e Premier Ligës është që Art Motion nuk ka të drejtë të transmetojë Premier Ligën në Kosovë”, tha ai.

    Shkresat e pranuara, Ramadani tha se kanë ardhur pas diskutimit që është bërë në mbledhjen e Komisionit për Mediat.

    Nënkryetari i komisionit, Isak Shabani shprehi pakënaqësitë e tij me mos-informimin paraprak për shkresat që ka pranuar kryetari i komisionit.

    “Unë menjëherë po shprehi pakënaqësinë me mënyrën e udhëheqjes së kësaj mbledhje, një ndër arsyet tregon që po vazhdon avazi i pa përgatitjes së mbledhjes paraprake. Apo paraprakisht të kemi materiale të cilat sot thotë ‘i disponoj disa emaila’ kryetari i komisionit, kurse ne anëtarët e komisionit nuk e kemi asnjë email dhe nuk është shpërndarë me anëtarët e komisionit. Kjo nënkupton, në moment që vjen diçka si kryetar i komisionit, kryetari i komisionit e ka obligim ta shpërndarë tek anëtarët e komisionit. Kështu që ne jemi të hendikepuar dhe nuk e dimë se çfarë shkruhet në ato emaila”, u shpreh ai.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Njazi Isaku lexoi vendimin e 3 tetorit dhe atë të 7 shkurtit për rikthimin e kanaleve të “Arena Sport”.

    “Pse po e trajtojmë ne si komision mbikëqyrës i KPM-së, pse? Po dëgjojmë zëra se po preket pavarësia e juaj. A keni parë deri më tani që ne kemi trajtuar ndonjë vendim tuajin, asnjëherë nuk ka ndodhur deri më tani. Por kjo thirrje e jona ka qenë si pasojë e vendimit tuaj për shfuqizim të vendimit të parë ku ishte cenuar interesi nacional dhe siguria e përgjithshme. Nuk kemi shqyrtuar asnjë vendim tjetër, përveç këtij vendimi ku është cenuar interesi nacional dhe siguria e përgjithshme…Pyetja ime për Mehmetin, a na tregon se ku shkruan në vendimin e 3 tetorit se ka qenë vendim pezullues, ky është vendimi mundësisht me na tregu se kur ka qenë pezullues…Ky bord nuk ka kredibilitet për të vazhduar më shumë në udhëheqje me këtë bord të KPM-së. Shkarkim dhe vetëm shkarkim, shkarkimi i bën mirë KPM-së”, tha Isaku.

    Në arsyetimin e tij, kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti tha se është vendosur masa proporcionale karshi shkeljes që i është bërë nga ana e operatorit të shpërndarjes.

    “E dyta që nuk u përmend është se ky vendim hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit dhe mbetet në fuqi deri në një vendim tjetër të KPM-së. Pra, mbetet në fuqi deri kur KPM e sheh se ka një ndryshim të situatës, të rrethanave, të shkeljes e cila ka quar deri tek vendimi i parë. Dhe për sqarim të deputetëve, KPM me 6 shkurt ka bërë shfuqizim të vendimit të tij të parë, pra ka pezulluar vendimin e tij të parë. Fjala pezullim është një nga sanksionet të cilat Ligji për KPM-në i jep të drejt këtij organi që të vendos aty ku e sheh të nevojshme. Pra, Ligji dhe neni 30 tek sanksionet, KPM kur e sheh dhe gjykon në bazë të shkeljes mund të vendos një gjobë, jo më të vogël se një mijë euro dhe jo më të madhe se 100 mijë për një operator të licensuar”, u përgjigj Mehmeti.

    Më pas ka reaguar deputeti Isaku, duke thënë se në vendim nuk përmendet “pezullimi”.

    Kryetari i KPM-së theksoi se para shfuqizimit të vendimit u është garantuar që mesazhe të tilla politike në kanalet sportive nuk do të përsëriten. Këto shkresa, ai shtoi se i janë dërguar edhe ambasadave në Kosovë.

    “Jemi ballafaquar me kërkesa, lutje nga vet operatorët e shpërndarjes që të rishqyrtohet vendimi jonë dhe kjo është bërë dy ose tri herë nga operatorët e shpërndarjes. Jemi ballafaquar me vendim të gjykatave, në fund jemi ballafaquar me kërkesa direkte të cilat ‘Arena Sport’ i ka dërguar tek neve me lutjen ‘aman rishqyrtojeni vendimin se po cenohet e drejta e një komuniteti të caktuar nga ngjarjet sportive’. Kemi mekanizma të rinj të cilët garantojnë se mesazhet e tilla politike në kanalet sportive kurrë më nuk do të përsëriten, jep siguri që në plotëni do të respektohen rregulloret e KPM-së. Kjo letër, e njëjta i është dërguar edhe ambasadave në Kosovë”, u shpreh ai.

    Përfaqësuesit e Komisionit të Pavarur të Mediave janë pyetur nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nëse kanë pasur presion për këtë vendim. Të njëjtit janë shprehur se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, por vetëm kërkesa për rishqyrtim.

    Sipas deputetit të shumicës, Besim Muzaqi, KPM duhet të jetë e pavarur edhe nga ambasadat dhe shoqëria civile. Ai pyeti kryesuesin nëse janë takuar me “Devollët”.

    Mehmeti: Unë i kam vizituar gati të gjitha televizionet të cilat janë të licensuara në Kosovë, me qëllim që t’i njoftojë me rregulloret e reja që po vijnë, me qëllim që t’i ftojë që të vijnë në diskutime edhe dëgjime publike që të ofrohen perspektivat e tyre. Me qëllim që të dëgjojnë hallet e industrisë të cilat ne i rregullojmë. Unë nuk i fshehi takimet e mia nga mediat të cilat i vizitojë dhe i rregulloj. Unë nuk jam që të fshihem prapa tavolinës aty dhe vetëm të shqiptojmë gjoba e sanksione, sepse jemi për ngritjen e cilësisë së mediave…. Nuk e di pse po e ngritni këtë çështje, unë i kam vizituar të gjitha mediat, duke përfshirë edhe Klan Kosovën”, u përgjigj ai.

    Për këtë reagoi edhe anëtarja e KPM-së, Luljeta Aliu, e cila tha se duhet të ketë hetim nëse vërtetohet që ka pasur ndikim në vendime.

    “Edhe unë do të doja ta di prej dy kolegëve të mi, të nderuarit kryetar edhe kryeshefit se më kë saktësisht janë takuar edhe çka kanë diskutuar. Për këtë arsye edhe kam kërkuar i nderuar kryetar që kur të bëhen takimet me palë të treta, të jemi edhe ne, dikush prej neve bordit dhe jo të jeni vetëm ju sepse kështu ndodhë pastaj. Unë nuk po them që ju keni bërë ndonjë shkelje, kjo duhet të vërtetohet. Mirëpo nëse ka pasur tentativa prej jashtë që ju të ndikoheni në vendimet në të cilat na keni përfshirë edhe neve, atëherë ju e meritoni me të vërtetë që të hetoheni”, deklaroi.

    Më pas, deputeti Muzaqi i ka bërë thirrje prokurorisë që të hetojë këtë çështje.

  • Krasniqi takohet me ambasadorin amerikan: Thelbësore ruajtja dhe thellimi i partneritetit me ShBA-në – kryealeatin strategjik të Kosovës

    Krasniqi takohet me ambasadorin amerikan: Thelbësore ruajtja dhe thellimi i partneritetit me ShBA-në – kryealeatin strategjik të Kosovës

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka pritur në takim ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier.

    Krasniqi theksoi se me Hovenierin ka biseduar për zhvillimet e fundit politike në vend.

    “Në prag të shënimit të 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke vlerësuar lart mbështetjen e pakusht e të parezervë të SHBA-ve në rrugëtimin e gjatë të vendit tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit, theksova se është thelbësore ruajtja dhe thellimi i partneritetit me SHBA-të – kryealeatin strategjik të Kosovës”, shkroi Krasniqi në rrjetin social Facebook.

    “Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet në këtë drejtim, të luaj rol konstruktiv në avancimin e raporteve të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar mes tjerash Krasniqi.

  • Një person goditet nga vetura te ‘Lesna’ në Prishtinë, shoferi i makinës ikë nga vendi i ngjarjes

    Një person goditet nga vetura te ‘Lesna’ në Prishtinë, shoferi i makinës ikë nga vendi i ngjarjes

    Një burrë i moshuar është goditur nga një veturë te ‘Lesna’ në Prishtinë.

    ATV-ja raporton se i lënduari është dërguar në QKUK për tretman mjekësor, ndërkaq sipas burimeve të ATV-së, shoferi i veturës ka ikur nga vendi i ngjarjes.

    Në pamjet e siguruara nga vendi i ngjarjes, shihet se Policia po kryen ekzaminimet e nevojshme.

    ATV-ja do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja nga Policia e Kosovës.

  • Ministrja Gërvalla në Konferencën e Sigurisë në Mynih, takon Sekretarin e Vatikanit për Marrëdhënie me Shtetet

    Ministrja Gërvalla në Konferencën e Sigurisë në Mynih, takon Sekretarin e Vatikanit për Marrëdhënie me Shtetet

    Në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka mbajtur një takim bilateral me Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet në Sekretariatin e Shtetit të Selisë së Shenjtë të Vatikanit, Imzot Paul Richard Gallagher.

    Përparimi i dukshëm në marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Vatikanit dhe bashkëpunimi në fushat me interes të përbashkët ishin temat kyçe të takimit mes Ministres Gërvalla dhe Sekretarit, Imzot Gallagher.

    Gjatë këtij takimi Ministrja Gërvalla e njoftoi Sekretarin Gallahgher rreth progresit të Kosovës në zhvillimin e demokracisë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, zhvillimin ekonomik, situatën në Ballkanin Perëndimor si dhe proceset integruese nepër të cilat po kalon Republika e Kosovës.