ATV

Author: G.O.

  • Rama: Për kombe të vogla si ne duhet mbështetur Ukraina, që të mos kthehemi në ushqim për Rusinë

    Rama: Për kombe të vogla si ne duhet mbështetur Ukraina, që të mos kthehemi në ushqim për Rusinë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se Ballkani Perëndimor duhet të vazhdojë të jenë së bashku në mobilizimin e të gjitha kapaciteteve e përforcimit të lidhjeve që mos të lënë të ardhmen, peng të dëshirave të shfrenuara të Rusisë.

    Kryeministri Rama, në fjalën e tij në nisje të Samitit Ukrainë-Evropa Juglindore në Tiranë, theksoi nevojën për të mbështetur Ukrainën dhe për të ndalur agresionin rus.

    “Hedh sytë rreth kësaj tryeze, shoh fytyra të njohura. Jemi bërë bashkë për të diskutuar sfidat tona. Për të para para, në vend të shohim pas historinë e ndasive që na kanë mbajtur peng. E ardhmja që ne shohim është e ardhmja e përbashkët. E njëjta shpresë që na ka bërë bashkë, na bashkon tani me popullin ukrainas.Jemi këtu për të shprehur mbështetjen për Ukrainën, për ju zoti president dhe për të shprehur kërkojë që Rusia të ndalet. Jemi të vendosur krah Ukrainës, që është pe cenuar.Më lini t’i kërkoj gjithkujt këtu të bashkohen me thirrjen time për të njohur rolin e tyre. Jetesa e Ukrainës si një popull i lirë, varet nga mbështetja financiare që ata ofrojnë. Ukraina nuk po lufton vetëm për vete.Ka disa cinikë që thonë se të ndihmosh Ukrainën, pengon kauzën e paqes. Por, nuk sjell paqe, duke çarmatosur viktimën e agresionit.Në rajonin tonë, pas më shumë se çerek shekulli, plagët e lëna nga shembja e ish-Jugosllavisë janë të dukshme. Vizioni që çoi në krijimin e BE na udhëzon sot drejt të ardhmes, për të zgjidhur problemet tona në mënyrë paqësore, konstruktive.Orekset e vjetra për dominim po hapen më tej, e gjitha kjo mbjell frikë. E vetmja zgjedhja që kemi është të rezistojmë në mënyrë të përbashkët. Të bëjmë gjithçka mundemi për mos ta lënë agresionin të shpërblehet. Nuk duhet ta lëmë Rusinë të fitojë. Ëndrra jonë e përbashkët për një paqe me prosperitet, do të çohej në buzën e një të ardhmeje të errët.Kjo luftë është edhe për lirinë dhe dinjitetin tonë. Shqipëria ka bërë atë që mundet dhe do të vijojë ta bëjë një gjë të tillë. Jemi të vendosur për të qëndruar krah Ukrainës. Për kombe të vogla si ne, që nuk duhet të kthehen në ushqim për Rusinë, duhet mbështetur Ukraina“, u shpreh kryeministri.

  • Lëvizja FOL: Qeveria realizoi vetëm 36 % të aktiviteteve të parapara të përfundojnë gjatë 2023

    Lëvizja FOL: Qeveria realizoi vetëm 36 % të aktiviteteve të parapara të përfundojnë gjatë 2023

    Vetëm 36 për qind e aktiviteteve të parapara gjatë vitit 2023 janë përfunduar nga Qeveria e Kosovës. Kështu u tha në konferencën për media nga Lëvizja FOL, ku u publikuan të dhënat nga monitorimi i Planit Vjetor të Punës së Qeverisë, tashmë i quajtur Plani Kombëtar për Zhvillim, raporton Ekonomia Online.

    Në vitin 2022, niveli i zbatimit të Planit të Punës së Qeverisë ka rezultuar të jetë 49 për qind, ndërsa në vitin 2021, realizimi i Planit të Punës së Qeverisë ishte 56 për qind.

    Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL, tha se edhe këtë vit FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara në Planin Kombëtar për Zhvillim.

    “Qeveria e Kosovës nga 655 aktivitete të parapara të realizohen brenda periudhës janar-dhjetor 2023 ka arritur të realizoj vetëm 234 apo 36%, nuk i ka realizuar 151 apo 23 %, dhe nuk kanë kthyer përgjigje për 270 aktivitete apo 41 %”, tha Kastrati duke shtuar se numrin e madh të aktiviteteve pa përgjigje e kanë shtuar edhe tri ministritë që nuk janë përgjigjur fare e që kanë pasur një numër të madh të aktiviteteve të parapara.

    Kastrati theksoi gjithashtu se Zyra e Kryeministrit, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk janë përgjigjur fare në pyetësorin e dërguar nga ne, dhe gjithashtu një numër i madh i ministrive kanë lënë pyetje pa përgjigje.

    Gjitashtu, Kastrati shpjegoj se të gjitha aktivitetet e parapara të përfundojnë brenda periudhës janar-dhjetor 2023 përmes pyetësorëve i’u janë dërguar sekretarëve të përgjithshëm të ministrive. Pra, sipas saj, të dhënat e prezantuara sot, janë të dhëna të marra direkt nga personat përgjegjës për realizimin e këtyre aktiviteteve.

    Ndërkaq Viona Bunjaku, monitoruese në Lëvizjen FOL, prezantoi të dhënat për secilën ministri sa i përket realizimit të aktiviteteve të parapara të përfundojnë brenda vitit 2023.

    Këto të dhëna ishin:

    1. Zyra e Kryeministrit

    ZKM kishte paraparë 74 aktivitete të realizohen gjatë periudhës janar – dhjetor 2023 në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, mirëpo nuk ka kthyer asnjë përgjigje për realizimin e tyre. Në lidhje me këtë, FOL ka dërguar ankesë në AIP dhe presim afatet ligjore që të kemi të dhëna për realizimin apo jo të këtyre aktiviteteve.

    1. Ministria për Komunitete dhe Kthim

    MKK për periudhën janar – dhjetor 2023 ka paraparë realizimin e 4 aktiviteteve prej të cilave ka realizuar vetëm 2, ndërkaq 1 aktivitetet nuk është përfunduar dhe për realizimin e 1 aktiviteti nuk kanë kthyer përgjigje.

    • Ministria e Shëndetësisë

    MSH në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 32 aktivitetet brenda periudhës janar- dhjetor 2023, prej të cilave 14 i ka realizuar, 14 nuk i kanë realizuar dhe për 4 aktivitete nuk kanë kthyer përgjigje.

    • Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

    MKRS në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të realizoj 41 aktivitetet brenda periudhës janar – dhjetor 2023. Përgjigje kemi marrë vetëm për 1 aktivitet të realizuar, 1 të pa realizuar dhe për 39 aktivitete të tjera nuk kemi pranuar përgjigje.

    • Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

    MBPZHR në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 22 aktivitete brenda periudhës janar – dhjetor 2023. Prej tyre kanë realizuar 10 ndërkaq 9 janë të parealizuara dhe 3 janë pa përgjigjje.  Vlen të theksohet se kjo ministri ka dërguar përgjigje edhe për 24 aktivitete tjera realizimi i të cilave shtrihet përtej vitit 2023, dhe 6 aktivitete të tjera të cilat nuk ishin pjesë e PKZH-së.

    • Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve

    MFPT në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 32 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2023. Vetëm 23 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 8 janë të pa realizuara dhe 1 është pa përgjigje.

    • Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës

    MMPHI në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 61 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2023. Vetëm 7 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 6 janë të parealizuara, ndërkaq 48 janë pa përgjigje.

    • Ministria  e Drejtësisë

    MD në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 77 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2023. Vetëm 43 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 31 janë të parealizuara dhe 3 janë pa përgjigje.

    • Ministria e Zhvillimit Rajonal

    MZHR nuk ka paraparë asnjë aktivitet, realizimi i të cilave fillon në janar dhe përfundon në dhjetor 2023.

    • Ministria e Arsimit, Shkencës,  Teknologjisë dhe Inovacionit

    MASHTI në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 32 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2023, prej të cilave ka realizuar 16 dhe 16 të tjera janë të parealizuara.

    1. Ministria  e Ekonomisë

    ME në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 25 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2023. Vetëm 14 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 9 janë të parealizuara dhe 2 janë përgjigje.

    1. Ministria e Punëve të Brendshme

    MPB në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, ka paraparë të përfundoj 93 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2023. Vetëm 46 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 43 janë të parealizuara dhe 4 janë pa përgjigje.

    1. Ministria e Mbrojtjes

    MM nga 9 aktivitete të parapara të realizohen gjatë periudhës janar – dhjetor 2023 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor, nuk ka kthyer përgjigje. Andaj nuk dihet se sa prej tyre janë realizuar dhe sa jo.

    1. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë  dhe Tregtisë

    MINT nga 80 aktivitete të parapara të realizohen gjatë periudhës janar – dhjetor 2023 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor, nuk ka kthyer përgjigje. Andaj nuk dihet se sa prej tyre janë realizuar dhe sa jo.

    1. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal

    MPJD në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 15 aktivitete brenda periudhës janar – dhjetor 2023. Prej tyre 9 prej tyre janë të realizuara, 5 të pa realizuara dhe 1 pa përgjigje.

    1. Ministra e Punëve të Jashtme  dhe Diasporës

    MPJD në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 58 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2023. Prej tyre 49 prej tyre janë të realizuara, 8 të pa realizuara dhe 1 pa përgjigje.

    Sipas Bunjakut, ajo çka duhet theksuar është se shumë nga ministritë kanë dërguar dhe informacione shtesë sa i përket realizimit të planit, mirëpo FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara të përfundojnë gjatë vitit 2023 dhe jo ato që kanë filluar në vitin 2023 dhe janë paraparë të përfundojnë përgjatë tri viteve pra deri në vitin 2025.

  • Osmani: Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët në masakrat në Likoshan e Qirez

    Osmani: Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët në masakrat në Likoshan e Qirez

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar masakrën në Likoshan dhe Qirez të Drenicës.

    Osmani theksoi se kjo ditë tragjike është një dëshmi e brutalitetit të ushtruar mbi popullin tonë nga regjimi kriminal i Serbisë në zemrën e rezistencës, në Drenicë.

    “Më 28 shkurt 1998, regjimi gjenocidal i Millosheviqit kreu mizori të papërshkrueshme, duke marrë jetën e 24 shqiptarëve të pafajshëm në Likoshan dhe Qirez të Drenicës.Kjo ditë tragjike është një dëshmi e brutalitetit të ushtruar mbi popullin tonë nga regjimi kriminal i Serbisë në zemrën e rezistencës, në Drenicë. Përballë një tmerri të tillë, vendosmëria për të luftuar për çlirim vetëm sa u forcua. Vajzat dhe djemtë e UÇK-së, sakrifikuan gjithçka për lirinë e vendit tonë. Në këtë 26 vjetor, nderojmë kujtimin e atyre që humbëm. Trashëgimia e tyre jeton në zemrat tona, ndërkaq sakrifica e tyre na nxit për të vazhduar kërkimin e drejtësisë. Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët në masakrat në Likoshan e Qirez!”, shkroi Osmani.

  • Alexei Navalny do të varroset të premten në Moskë

    Alexei Navalny do të varroset të premten në Moskë

    Alexei Navalny do të varroset në një varrezë në Moskë të premten, ka konfirmuar një zëdhënës.

    Varrimi do të bëhet në varrezat e Borisovskoye, pas një ceremonie lamtumire në rrethin Maryino.

    Të martën, zëdhënësja e liderit të opozitës tha se ekipi i tij po përpiqej të gjente një shtëpi funerali – me disa që refuzuan të mbanin shërbimin kur zbuluan se për kë ishte.

    Alexei Navalny vdiq papritur në një burg të Arktikut në fillim të këtij muaji.

    Për vite, ai ishte kritiku më i madh i Vladimir Putinit. E veja e Navalny, Yulia Navalnaya, si dhe disa liderë botërorë, kanë fajësuar drejtpërdrejt presidentin rus për vdekjen e tij.

    Ekipi i Navalny fillimisht kishte dashur të mbante funeralin më 29 shkurt, por “shpejt u bë e qartë se nuk kishte asnjë person të vetëm përreth që mund të gërmonte një varr atë ditë”, Ivan Zhdanov, drejtori i Fondacionit Kundër Korrupsionit të Alexei Navalny shkroi në X.

    Z. Zhdanov la të kuptohej se arsyeja për këtë ishte se presidenti rus Vladimir Putin do të mbajë fjalimin e tij vjetor në Asamblenë Federale në të njëjtën ditë.

    Kremlini e kupton se askush nuk do të kujdeset për Putinin dhe adresimin e tij në ditën e lamtumirës së Alexeit”, shkroi ai.

    Ai gjithashtu inkurajoi njerëzit që të mbërrinin herët “për të pasur një shans për t’i thënë lamtumirë Alexeit”./ BBC

  • “Ne nuk harrojmë”, protestohet kundër vendimit të Apelit për ta kthyer në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit

    “Ne nuk harrojmë”, protestohet kundër vendimit të Apelit për ta kthyer në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit

    Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, ka protestuar para Pallatit të Drejtësisë për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit për ta kthyer në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tyre vendimi i Gjykatës së Apelit është i pa qartë dhe jo të plotë.

    Protestuesit mbanin në duar pankarta ku kanë shkruar “Poshtë gjykatat patriarkale”, “Femicidin ta ndëshkojmë, jo ta rigjykojmë”, “Siguri dhe drejtësi për gratë”.

  • Zelensky jep detaje nga biseda me Ramën

    Zelensky jep detaje nga biseda me Ramën

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka dhënë pak detaje nga biseda e tij me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

    Përmes një postimi në Facebook, ai thotë se pos tjerash, kanë folur për nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe mundësinë e prodhimit të përbashkët të armëve.

    Zelensky po ashtu shkruan se falë qeverisë dhe popullit të Shqipërisë, nuk do ta harrojnë kurrë qëndrimin e ngrohtë të shoqërisë shqiptare ndaj ukrainasve.

    “Që në ditët e para të pushtimit, Shqipëria mbështeti Ukrainën, luftën tonë për liri dhe integritet territorial. Gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama, nënshkruam Marrëveshjen e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë. Ky dokument do të kontribuojë në zhvillimin e bashkëpunimit tonë dhe forcimin e pozitave të Ukrainës në rajonin e Ballkanit. Sot folëm edhe për nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe mundësinë e prodhimit të përbashkët të armëve. Falë qeverisë dhe popullit të Shqipërisë, ne nuk do ta harrojmë kurrë qëndrimin e ngrohtë të shoqërisë suaj ndaj ukrainasve!”, ka shkruar Zelensky.

  • Specialja merr vendim për kërkesën e Selimit lidhur me vizitat dhe komunikimin e tij në paraburgim

    Specialja merr vendim për kërkesën e Selimit lidhur me vizitat dhe komunikimin e tij në paraburgim

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është marrë vendim lidhur me kërkesën e të akuzuarit Rexhep Selimi lidhur me vizitat dhe komunikimin e tij në paraburgim.

    Sipas vendimit të 27 shkurtit 2024 të kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, është refuzuar kërkesa e Selimit për anulimin e vendimit të Administratores lidhur me monitorimin aktiv të thirrjeve në mes atij dhe një personi tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Për arsyet e lartpërmendura, Paneli: (a) REFUZON kërkesat e Mbrojtjes së Selimit për anulimin e vendimit të Sekretarit në lidhje me monitorimin aktiv të thirrjeve ndërmjet z. Selimi dhe [REDAKTUAR]”, thuhet në vendim.

    Ndërsa, është pranuar kërkesa e tij për anulimin e një vendimi të Administratores lidhur me refuzimin e një telefonate ndërmjet Selimit dhe një personi tjetër

    “PRANON kërkesat e Mbrojtjes së Selimit për anulimin e vendimit të Sekretarit në lidhje me refuzimin e një telefonate ndërmjet z. Selimi dhe [REDAKTUAR] dhe URDHËRON Sekretarin që të mos refuzojë thirrje të tilla, përveç nëse rrethanat e reja e kërkojnë këtë”, thuhet në vendim.

    Ndërsa, është rrëzuar kërkesën e Selimit për të anuluar vendimin e Administratores për të monitoruar në mënyrë aktive videolidhjet dhe vizitat ndërmjet Selimit dhe një personi tjetër.

    “HEDHË si të diskutueshme kërkesën e Mbrojtjes së Selimit për të anuluar vendimin e Sekretarit për të monitoruar në mënyrë aktive video-vizitat ndërmjet z. Selimi dhe [REDAKTUAR]; (d) HEDHË si të diskutueshme kërkesën e Mbrojtjes së Selimit për të anuluar refuzimin efektiv të pretenduar të Sekretarit të një Vizite Private ndërmjet z. Selimi dhe [REDAKTUAR]; dhe (e) UDHËZON Mbrojtjen Selimi dhe Sekretarinë të paraqesin versionet e redaktuara publike të dosjeve të tyre përkatëse ose një kërkesë që dosjet e tyre të mëparshme të riklasifikohen si publike deri të enjten, 7 mars 2024”, thuhet tutje në vendim.

    Në arsyetimin të këtij vendimi thuhet se lidhur me monitorimin aktiv të thirrjeve telefonike ndërmjet Selimit dhe dikujt tjetër për të cilin DhSK-ja ka vendosur redaktime, trupi gjykues ka konstatuar se Administratorja ka vepruar brenda autorizimeve ligjore.

    “Lidhur me monitorimin aktiv të thirrjeve telefonike ndërmjet z. Selimi dhe [REDAKTUAR], Paneli konstaton se Sekretari ka vepruar brenda autorizimeve të parapara me ligj, rregullore dhe vendime të këtij Paneli. Paneli përcaktoi, për më tepër, se Sekretarja nuk ka abuzuar me diskrecionin e saj në këtë çështje, se masa është e nevojshme dhe proporcionale, është në përputhje me mbrojtjen efektive të të drejtave të të interesuarve, nuk ka shkelur parimet themelore të drejtësisë natyrore dhe drejtësisë procedurale”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

    Ndërsa, lidhur me refuzimin e thirrjes ndërmjet Selimit dhe një personi për të cilin DhSK ka vendosur redaktime, trupi gjykues ka konstatuar se Administratorja ka gabuar në përcaktimin e saj se masat ishin të nevojshme dhe proporcionale me rrethanat.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • ​Osmani: Njohja e pavarësisë nga Ukraina do të vjen bashkë me fitoren e saj

    ​Osmani: Njohja e pavarësisë nga Ukraina do të vjen bashkë me fitoren e saj

    Presidentja, Vjosa Osmani, ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Ukraina do të vjen bashkë me fitoren e saj në luftën ndaj Rusisë.

    Osmani, në margjinat e Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore”, që po mbahet në Tiranë të Shqipërisë, tha para mediave se Kosova do të vazhdojë mbështetjen ndaj Ukrainës, kundër agresionit ushtarak rus.

    Ajo iu përgjigj pyetjeve, nëse do të kërkojë që Ukraina të njohë Kosovën.

    “Këto janë çështje bilaterale. Ne gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë dhe do të vazhdojmë të bëjmë. Me mirëkuptimin e plotë se Ukraina është në një gjendje të jashtëzakonshme, gjendje lufte, duke luftuar për lirinë dhe pavarësinë e saj dhe vlerat demokratike. Jam e bindur se ai moment do të vjen bashkë me fitoren e Ukrainës”, tha ajo.

    Osmani bëri të ditur se në Samit do të flas për hapat konkret që Kosova po i merr në mbështetje të Ukrainës.

    “Sot në Samit do të flas për hapat konkret që Kosova po i merr në këtë drejtim, së bashku me aleatë dhe partnerë. Do të jemi këtu deri në fitoren e Ukrainës”, tha Osmani.

    E pyetur për mundësitë e një ballafaqimi me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në këtë Samit, Osmani tha se gjithmonë do të ketë të tilla, pasi sipas saj Vuçiq jeton me të kaluarën.

    “Gjithmonë do të kemi ballafaqime me ta pasi ata jetojnë me të kaluarën”, theksoi Osmani.

  • Presidentja Osmani pritet në Tiranë nga Rama e Zelensky

    Presidentja Osmani pritet në Tiranë nga Rama e Zelensky

    Liderët e shteteve të Evropës Juglindore kanë filluar të mbërrijnë në Samitin Ukrainë – Europa Juglindore”, që po mbahet në Tiranë të Shqipërisë.

    Fillimisht kanë mbërritur dy nikoqirët e samitit, kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të cilët po mirëpresin homologët e tyre.

    E para që arriti ishte presidentja e Moldavisë, e pasuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Osmani, iu përgjigj pyetjeve, nëse do të kërkojë që Ukraina të njohë Kosovën.

    “Ne gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë, do ta vazhdojmë ta bëjmë, por me mirëkuptimin e plotë për situatën ku është Ukraina. Jam e bindur se ai moment do të vijë, bashkë me fitoren e Ukrainës”, theksoi ajo.

  • Kurti mori pjesë në përurimin e nismës “Labour Friends of Kosova”

    Kurti mori pjesë në përurimin e nismës “Labour Friends of Kosova”

    Gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, mori pjesë mbrëmë në përurimin e nismës “Labour Friends of Kosova” (Miqtë Laburistë të Kosovës).

    “Labour Friends of Kosova” është një grup i Parlamentarëve Laburistë në Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim promovimin e marrëdhënieve të forta dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    Në fjalën e tij, kryeministri tha se është i bindur që kjo nismë do t’i fuqizojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    Duke folur për raportet dhe lidhjet ndërmjet dy vendeve, ai veçoi personalitetet e shquara nga kultura dhe sporti, si Dua Lipa e Rita Ora, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri gjatë kohës sa luanin në Premier Ligën e Futbollit britanik, por edhe personalitete të tjera veprimtaria e të cilëve ka luajtur rol të rëndësishëm në marrëdhëniet tona.

    Ndër ta është Esat Kryeziu i cili ka shërbyer në Forcat Ajrore Mbretërore gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe i cili pas vdekjes së tij, është nderuar nga tanimë e ndjera Mbretëresha Elizabeth me pesë medalje për shërbimin e tij ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe forcave aleate. Një tjetër personalitet është ai i heroit kombëtar shqiptar nga Kosova, Gani beg Kryeziu që luftoi kundër fashizmit përkrah ushtarëve britanikë, në po të njëjtën Luftë, dhe që ishte anëtar i Ekzekutivit të Operacioneve Speciale të formuar nga ministri i atëhershëm i Punës për Luftën Ekonomike dhe më vonë kancelari, Hugh Dalton.

    Diaspora jonë, e cila u largua nga vendi si rezultat i fushatës gjenocidiale të Serbisë gjatë viteve të 90-ta, është integruar me sukses në Mbretërinë e Bashkuar, tha kryeministri. Ai shtoi se ky komunitet përfshin jo vetëm emrat e famshëm, por edhe njerëz të suksesshëm në shumë sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe shoqërisë.

    Ai theksoi rolin e rëndësishëm që Partia Laburiste ka luajtur në momente kritike për popullin dhe shtetin e Kosovës, duke kujtuar që si në rastin e intervenimit të NATO-s në vitin 1999 të mbështetur fuqishëm nga Mbretëria e Bashkuar ashtu edhe me rastin e njohjes së pavarësisë të shpallur në vitin 2008 nga Kosova, qeveria britanike udhëhiqej nga laburistët, përkatësisht nga ish-kryeministri Tony Blair dhe ish-kryeministri Gordon Brown.

    “Kur mendoj për Mbretërinë e Bashkuar, mendoj për vlerat tuaja: tolerancën, modestinë, guximin dhe më e rëndësishmja, nderin. Britania është një vend që nuk ua kthen shpinën miqve dhe aleatëve të saj. Një vend që nuk rri duarkryq dhe nuk shikon përballë agresionit, dhunës dhe terrorit. Ne e dimë shumë mirë këtë dhe vazhdojmë ta ndiejmë dhe ta vlerësojmë atë mbështetje”, u shpreh kryeministri Kurti.

    Të pranishëm në këtë ngjarje mes shumë personalitetesh ishin edhe baronesha Catherine Ashton, deputetët Laburistë David Lammy, Christian Wakeford, Stephen Doughty, Luke Pollard, Nia Griffith, Wayne David, Dan Jarvis, Shabana Mahmood, Liz Twist, Gill Furniss, Anneliese Dodds e cila është dhe Sekretare në Hije e Shtetit për Gratë dhe Barazitë, dhe ish-sekretari i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar dhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson.