ATV

Author: G.O.

  • Ministria e Mbrojtjes shpërblen me tender kompaninë, bashkëpronari i të cilës ka aktakuzë

    Ministria e Mbrojtjes shpërblen me tender kompaninë, bashkëpronari i të cilës ka aktakuzë

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Tenderin 1.8 milionësh “Për furnizim me çizme ushtarake për nevoja të FSK-së” Ministria e Mbrojtjes ia dha grupit të operatorëve ekonomikë, që udhëhiqen nga kompania RUNWAY SH.P.K.

    Bashkëpronar i kësaj kompanie e regjistruar në ARBK, vetëm tre muaj para hapjes së tenderit, është Sabit Makiqi, i dyshuar për falsifikim me dokumente në një tender të Policisë së Kosovës, në vitin 2022. Për këtë vepër, ai ishte futur edhe në Listën e Zezë të OSHP-së.

    Por, jo vetëm kaq, ndaj Makiqit, ka edhe aktakuzë të ngritur, konfirmoi Prokuroria Themelore e Prishtinës.

    “Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 03.10.2023, ka ngritur aktakuzë ndaj subjektit si në kërkesë, për çështje të prokurimit. Aktakuza është ekspedituar në gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë themelore të Prishtinës.

    Deri në realizimin e kronikës, Gjykata Themelore nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me fazën në të cilën ndodhet rasti. Përgjigje nuk ktheu as Ministria e Mbrojtjes.
    Sidoqoftë, për Diana Metushin nga KDI, ky fakt është dashur të merret parasysh nga kjo ministri.

    Ndërkohë, tenderi afër 2 milionësh, mund të përfundojë në Gjykatën Komerciale, meqë disa nga kompanitë pjesëmarrëse nuk janë të kënaqura me procesin e tenderimit, teksa e fajësuan OSHP-në për siç thanë: mostrajtimin e duhur të ankesave./atvlive.tv/

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/live/OwPn47VaVYc?si=xvs37mHiwKAJzWYm

  • Në muajin e pranverës, nënshkruhet tenderi 138 mijë euro për heqje të borës

    Në muajin e pranverës, nënshkruhet tenderi 138 mijë euro për heqje të borës

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Marsi njihet edhe si muaji i Pranverës.
    Por, siç duket jo edhe për Ministrinë e Infrastrukturës, që në fillim të muajit nënshkroi kontratë për “Mirëmbajtje dimërore të rrugëve lokale në katër komunat e veriut”.

    Ndonëse kohëzgjatja e kontratës është katër muaj, respektivisht deri në qershor, në dosje të tenderit, sidomos te specifikat, bora është përmendur mbi 100 herë.

    Për më tepër, kjo kontratë është nënshkruar me procedurë të negociuar me një operator ekonomik që punë primare e ka ndërtimin e objekteve banesore.

    Në anën tjetër, Ministria e Infrastrukturës paraqiti arsyeshmërinë e nënshkrimit të kontratës.

    “Inicimi i procedurave të Prokurimit për projektin: “Mirëmbajtjen dimërore të Rrugëve Lokale – Mitrovica 2a1.” Është rezultat i Memorandumit te Mirëkuptimit me katër komunat veriore të datës 19.12.2023. dhe se ky inicim është filluar me date 20.12.2023. Arsyeja e kërkesës për inicim procedurë të përshpejtuar dhe me negocim ka qenë fakti se sezoni dimëror kishte filluar.” , thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

    Tenderi që kap vlerën prej 138 mijë eurosh parasheh mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. /atvlive.tv/

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/live/OwPn47VaVYc?si=6z0YJuUf5LCkyk9a

     

  • Kosova U19 pëson humbje nga Spanja U19

    Kosova U19 pëson humbje nga Spanja U19

    Kombëtarja U19 e Kosovës ka pësuar humbje në kuadër të turneut kualifikues për Kampionatin Evropian 2024.

    Pas fitores ndaj Austrisë U19, të përzgjedhurit e Adil Maliqit sonte pësuan ndaj Spanjës U19.

    Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “TSC Trate Gornja Radgona” të Sllovenisë përfundoi me rezultatin 2:1.

    Spanjollët krijuan epërsi të dyfishtë me golat e Daniel Munoz (34′) dhe Pol Fortuny (50′).

    “Dardanët” ia dolën të ngushtonin rezultatin përmes anëtarit të Stuttgartit, Eliot Bujupi, i cili shënoi një gol mjaft të bukur nga gjuajtja e lirë në minutën e 77-të.

    Kosova U19 mbetet në kuotën e tri pikëve dhe renditet e dyta në Grupin 1, me vetëm një pikë më pak se Spanja U19.

  • Vdes një i burgosur, po trajtohej në Spitalin Rajonal të Pejës

    Vdes një i burgosur, po trajtohej në Spitalin Rajonal të Pejës

    Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetsor i Burgjeve, ka njoftuar se sot rreth orës 13:40 në Spitalin Rajonal të Pejës ka ndërruar jetë një i burgosur.

    I burgosuri nga fillimi i mbajtjes së dënimit ishte pranuar me probleme të rënda shendetësore, si pasojë tërë kohën ishte trajtuar në Stacionarin e burgut sipas rekomandimeve të specialistëve përkatës të ShSKUK-së.

    Siç thonë nga SHKK, kohëve të fundit viktima ka qenë i shtrirë duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Pejës, ku edhe ka ndërruar jetë në Kujdesin Intensiv të këtij spitali.

    Organet kompetente janë duke u zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikoi shkakun e vdekjes.

  • Putin e konsideron dhunën në sallën e koncerteve si “sulm terrorist të përgjakshëm dhe barbar”

    Putin e konsideron dhunën në sallën e koncerteve si “sulm terrorist të përgjakshëm dhe barbar”

    Presidenti rus, Vladimir Putin e ka dënuar ashpër sulmin e së premtes në një sallë koncertesh në rajonin e Moskës, në të cilin janë vrarë të paktën 133 persona, dhe e ka shpallur 24 marsin si ditë zie kombëtare.

    Ai është zotuar se kryesit e sulmit do të ndëshkohen.

    Përmes një fjalimi të incizuar paraprakisht, të lëshuar prej Kremlinit rreth 18 orë pas sulmit të 22 marsit, Putin e ka përshkruar dhunën si “sulm terrorist i përgjakshëm dhe barbar”.

    “Gjëja kryesore tani është që të parandalojmë ata që janë mbrapa kësaj gjakderdhjeje nga kryerja e një krimi tjetër”, ka thënë ai.

    Ky sulm, për të cilin e ka marrë përgjegjësinë grupit ekstremist Shteti Islamik, është më i rëndi në Rusi në gati dy dekada.

    Putin ka thënë, po ashtu, se katër të dyshuarit, që zyrtarët i kanë arrestuar më herët gjatë ditës, “kanë lëvizur drejt Ukrainës, ku… pala ukrainase u ka përgatitur një dritare që ta kalojnë kufirin”.

    Presidenti rus nuk ka ofruar dëshmi për këtë pretendim.

    Zyrtarët rusë kanë thënë se 11 persona janë ndaluar, përfshirë katër sulmuesit e dyshuar.

    Disa janë arrestuar në rajonin perëndimor Brajansk, i cili gjendet në kufirin mes Bjellorusisë dhe Ukrainës.

    Zyrtarët ukrainas e kanë mohuar çfarëdo përfshirjeje me sulmin, edhe para se zyrtarët rusë të supozonin për lidhje ukrainase.

    Komiteti Hetues në Rusi ka thënë se pret që do të rritet numri i viktimave./REL/

  • ​Rusia anulon miqësoren me Paraguain pas sulmit terrorist në Moskë

    ​Rusia anulon miqësoren me Paraguain pas sulmit terrorist në Moskë

    Rusia ka anuluar miqësoren e së hënës kundër Paraguait në Moskë pas sulmit me armë mbrëmë pranë kryeqytetit, tha të shtunën Unioni Rus i Futbollit (RFU).

    Të paktën 115 persona u vranë pasi persona të armatosur hapën zjarr me armë automatike në një sallë koncertesh pranë Moskës, ndërsa grupi militant ISIS mori përgjegjësinë, raporton KosovaPress.

    Rusia, e përjashtuar nga garat e FIFA-s dhe UEFA-s në shkurt të vitit 2022 pas pushtimit të vendit ndaj Ukrainës, mund të luajë vetëm lojëra miqësore dhe mundi Serbinë 4:0 të enjten në “VTB Arena të Moskës” dhe do të luante me Paraguain në të njëjtin vend të hënën.

    “Në lidhje me sulmin terrorist që ndodhi në Krasnogorsk, Unioni Rus i Futbollit dhe Shoqata e Futbollit të Paraguait vendosën të anulojnë një ndeshje miqësore midis ekipeve kombëtare të Rusisë dhe Paraguait”, thuhet në një deklaratë të RFU.

    Të gjitha ngjarjet argëtuese dhe masive në Rusi ishin anuluar të premten nga Ministria Ruse e Kulturës dhe RFU njoftoi të shtunën se ata i kanë shtyrë të gjitha ndeshjet në garat e tyre të planifikuara për këtë fundjavë.

  • ​“Dardanët” e rinj përballen me Spanjën, këto janë formacionet zyrtare

    ​“Dardanët” e rinj përballen me Spanjën, këto janë formacionet zyrtare

    Kombëtarja e Kosovës në grupmoshat U19 do të përballet sot me Spanjën, ndeshje kjo në kuadër të raundit të dytë të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian Euro 2024.

    Përballja e sotme do të zhvillohet me fillim nga ora 16:00 në stadiumin “TSC Trate Gornja Radgona” në Slloveni, raporton KosovaPress.

    “Dardanët” e rinj e nisën këtë aventurë me fitore kundër Austrisë U19, të cilën e mposhtën 1:0, kurse Spanja U19 barazoi 1:1 me Slloveninë U19.

    Momentalisht, Kosova është lidere e Grupit 1 të këtyre kualifikimeve me tri pikë të arkëtuara, krahas Spanjës që ka një pikë në vendin e tretë.

    Sa i përket ndeshjes së sotme, të dy trajnerët kanë publikuar formacionet zyrtare, dhe ato i gjeni më poshtë.

    Spanja U19 (4-3-3): Fran; Munoz, Dominguez, Simo, Fort; Belaid, Hernandez, Fortuny; Mella, Senhadjli, Sanchez

    Kosova U19 (4-3-3): Avdija; Lleshi, Sylaj, Zeqiraj, Dobruna; Gerbovci, Lokaj, Gashi; Gashijan, Bujupi, Jashari

  • Haradinaj bashkë me veteranë të UÇK-së në Garën e Shenjtarisë, në nderim të Epopesë së Dukagjinit

    Haradinaj bashkë me veteranë të UÇK-së në Garën e Shenjtarisë, në nderim të Epopesë së Dukagjinit

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka marrë sot pjesë në Garën e Shenjtarisë, bashkë me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Haradinaj ka publikuar fotografi nga ky event, derisa ka treguar se po mbahet në nderim të Epopesë së Dukagjinit.

    “Me veteranët e UÇK-së, në Garën e Shenjtarisë e cila mbahet në nderim të Epopesë së Dukagjinit”, ka shkruar Haradinaj.

  • Von Cramon i reagon Vuçiqit: KiE vendos vet se kë do të pranojnë

    Von Cramon i reagon Vuçiqit: KiE vendos vet se kë do të pranojnë

    Raportuesja në Parlamentin Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon, të shtunën ka reaguar pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për deklaratën lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

    Vuciq të premten ka deklaruar se Serbia mund të dalë nga kjo organizatë, në rast se Kosova pranohet në KiE.

    Lidhur me këtë deklaratë ka reaguar sot euro deputetja, Viola von Cramon, e cila në postimin e saj në X, ka shkruar se sigurisht që Serbia nuk do të largohet nga ky Këshill.

    “Sigurisht që Serbia nuk do të largohet. Biseda nuk duhet t’i bëjë përshtypje askujt. Anëtarët e Këshillit të Evropës do të vendosin vetë se kë do të pranojnë. Nuk e di se çfarë flet kundër anëtarësimit të Kosovës”, ka shkruar Von Cramon në X.

    Ndërsa, Këshilli i Evropës ka konfirmuar se më 27 mars, në mbledhjen e Komisionit për Politikë dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare, në rend dite do të jetë raporti për Kosovën.

  • Kusari-Lila: Legjislatura jonë ka shënuar suksesin më të madh nga gjitha legjislaturat paraprake

    Kusari-Lila: Legjislatura jonë ka shënuar suksesin më të madh nga gjitha legjislaturat paraprake

    Shefja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se legjislatura e tyre  ka shënuar suksesin më të madh nga gjitha legjislaturat paraprake të Kuvendit të Kosovës.

    Ajo këto deklarime i bëri në një konferencë për media me rastin e tre vjetorit të kësaj  legjislature, ku tha se nga marsi i viti 2021 deri në marsin të 2024, Kuvendi i Kosovës ka miratuar gjithsej 220 ligje, prej të cilave 57 janë marrëveshje ndërkombëtare.

    Ajo ka thënë se karakteristik e veçante e legjislaturës së tetë është që për here të parë është llogaridhënie nga përfaqësuesit e përzgjedhur.

    “Në legjislaturën e tete në periudhën kohore prej marsit 2021 deri në marsin 2024 Kuvendi i Kosovës ka miratuar gjithsej 220 ligje, prej të cilave 57 janë marrëveshje ndërkombëtare. Sa i përket legjislaturave të mëparshme, tashmë pa dyshim kjo legjislaturë ka shënuar suksesin më të madh nga gjitha legjislaturat paraprake të Kuvendit të Kosovës përkundrejt sfidave me të cilat jemi ballafaquar. Nga gjitha seancat që i ka mbajtur Kuvendi për këto tri vite janë 151 seanca. Karakteristik e veçantë që ndodh për herë të parë është llogaridhënie nga përfaqësuesit e përzgjedhur”, ka thënë ajo.