ATV

Author: G.O.

  • Erdogan do të vizitojë ShBA-në në maj

    Erdogan do të vizitojë ShBA-në në maj

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të vizitojë Shtetet e Bashkuara më 9 maj, tha një zyrtar turk i sigurisë, duke i hapur rrugë takimit të parë të udhëheqësit turk në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së presidentit amerikan, Joe Biden.

    Vizita në Uashington do të jetë e para që Erdogan do të zhvillojë që nga viti 2019, kur u takua me presidentin e atëhershëm amerikan, Donald Trump, me të cilin ka raporte të mira personale. Që kur është zgjedhur Bideni në postin e presidentit më 2020, Ankaraja ka kërkuar që dy udhëheqësit të zhvillojnë një takim kokë më kokë.

    Raportet mes dy aleatëve të NATO-s, që përshkruhen me dallime të mëdha në një sërë çështjesh, janë përmirësuar pasi Ankaraja ratifikoi pranimin e Suedisë në NATO në muajin janar, pas 20 muajsh vonesë që kishte shkaktuar frustrim në Uashington.

    Megjithatë, mes Uashingtonit dhe Ankarasë vazhdon të ketë mospajtime për çështje të tjera, përfshirë veriun e Sirisë, ku forcat amerikane mbështesin militantët kurdë që Turqia i konsideron terroristë. Uashingtoni po ashtu po i bën presion Ankarasë që të bëjë më shumë për të ndaluar transitin e mallrave për në Rusi, pasi argumenton se të ardhurat nga to Moska po i përdor për luftën kundër Ukrainës.

    Zyrtari turk i sigurisë nuk dha informacione të tjera për vizitën, por tha se zyrtari më i lartë i inteligjencës turke, Ibrahim Kalin, do të takohet me anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së për të biseduar për vizitën e planifikuar dhe për çështje të tjera dypalëshe.

    Ende nuk ka ndonjë koment nga Uashingtoni apo nga Ambasada amerikane në Ankara lidhur me këtë vizitë.

    Analistët thanë se Bideni dhe Erdogani ka të ngjarë që do të bisedojnë për luftën mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Erdogan është një kritik i zëshëm i veprimeve ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës. Analistët parashikuan po ashtu se temë e diskutimeve në Shtëpinë e Bardhë mund të jetë bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes, përfshirë edhe blerjen e avionëve amerikanë F-16 nga Ankaraja./REL/

  • ​Gorçeviq: Mali i Zi do ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në KiE

    ​Gorçeviq: Mali i Zi do ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Ministrja për Çështje Evropiane të Malit të Zi, Maida Gorçeviq, e cila e ka vizituar Kosovën, ndër të tjera ka thënë se Mali i Zi nuk është kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

    Gorçeviq tha se Mali i Zi në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Ministror në maj, do të votojë pro Kosovës që të anëtarësohet në KiE.

    Ajo tha se vota kundër e një deputeteje nuk e shpreh qëndrimin e Qeverisë së Malit të Zi, por vetëm të partisë që ajo përfaqëson.

    “Në këtë rast dua të përkujtoj se pavarësisht për drejtat e subjektit politik, por shumica e parlamenteve kanë nënshkruar marrëveshje koalicioni. Me këtë marrëveshje parashihet përkrahja e Kosovës. Dua të nënvizoj Mali i Zi në këshillin ministror, në maj, do të përkrahë Kosovën”, tha ajo.

  • Kosova dhe Mali i Zi nënshkruajnë marrëveshjen e Programit Ndërkufitar IPA III, përfitojnë mbi 8 milionë euro

    Kosova dhe Mali i Zi nënshkruajnë marrëveshjen e Programit Ndërkufitar IPA III, përfitojnë mbi 8 milionë euro

    Republika e Kosovës dhe Mali i Zi, kanë nënshkruar të premten marrëveshjen dypalëshe për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III për vitet 2021-2027.

    Marrëveshja është nënshkruar nga Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ministrja për Çështje Evropiane të Malit të Zi, Maida Gorçeviq.

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tha se nga kjo marrëveshje, Kosova dhe Mali i Zi përfitojnë 8.4 milionë euro.

    “Ky bashkëpunim do të avancohet dukshëm duke u kujdesur për zbatim të plotë të marrëveshjes. Marrëveshja i mundëson Kosovës dhe Malit të Zi të përfitojnë 8.4 milion euro. Qëlimi është peomovimi i fqinjësisë së mirë, zhvillimi social dhe ekonomik… Është planifikuar themelim i një task-force të përbashkët, që do të mbikëqyrë zbatimin e programit. Kjo marrëveshje i kontribuon bashkëpunimit të mirë mes dy vendeve”, tha ai.

  • Kuvendi me tri seanca plenare në javën e ardhshme

    Kuvendi me tri seanca plenare në javën e ardhshme

    Tri seanca plenare do të mbahen në javën e ardhshme në Kuvendin e Kosovës. Kështu ka bërë të ditur shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila theksoi se dy do të mbahen ditën e enjte dhe një tjetër të premten, raporton Ekonomia Online.

    Më 4 prill do të mbahet seancë e veçantë për 25-vjetorin e betejës së Koshares, ndërsa të nesërmen më 5 prill mbahet seancë për themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të testeve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët për vitin 2023-24”.

    “Seancat e radhës me datën 4 dhe 5 prill. Me datën 4 prill do t’i kemi dy seanca, është dakorduar sot në kryesi, që seanca e veçantë për 25-vjetorin e betejës së Koshares të mbahet me 4 prill, me fillim nga ora 10:00 ndërsa seanca e rregullt të fillojë në orën 11, me diskutimin së opozitës dhe themelimin e një komisioni hetimor parlamentar ai për procesin e subvencionimit të testeve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët për vitin 2023-24”, u shpreh Kusari-Lila.

    “Me këtë do të fillohet seanca e re plenare, ndërsa seancë tjetër, vetëm pyetjet parlamente do të mbahet me 5 prill në orën 11, në mënyrë që të adresohen pyejet e mbledhura ndër javë, janë marrëveshjet ndërkombëtare, për të cilat s’ka pasur një diskutim përmbajtjesor në raport me konsesin politik për votimin e tyre, pastaj vijnë projektligje, disa janë në lexim të parë e dytë”.

  • Haradinaj kujton masakrën e Deçanit e Klinës: U ekzekutuan pa mëshirë dhjetëra shqiptarë të paarmatosur

    Haradinaj kujton masakrën e Deçanit e Klinës: U ekzekutuan pa mëshirë dhjetëra shqiptarë të paarmatosur

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka përkujtuar masakrën e Belegut e Irzniqit të Deçanit si dhe të Poterqit të Klinës, ku u ekzekutuan dhjetëra shqiptarë. Ndër ta, edhe 14 bashkëluftëtarë të Haradinajt.

    “Dita e sotme, na rikthen kujtimin e 29 marsit të kobshëm të vitit 1999. Atë ditë në Beleg e Irzniq të Deçanit dhe Poterq të Klinës, nga sistemi kriminal shtetëror i Serbisë, u ekzekutuan pa mëshirë dhjetëra shqiptarë të paarmatosur, pa i kursyer as të miturit dhe pleqtë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

    “Po atë ditë, mora lajmin e hidhur për rënien e 14 bashkëluftëtarëve, në një përballje heroike me pushtuesin në Shishman të Bokës. Djem të zotë, luftëtarë të dalluar, një pjesë të të cilëve i njoha në frontet e luftës”.

    Ish-kryeministri më tutje tha se Kosova në rresht me ushtritë e tjera të NATO-s, është nderimi më i madh që mund të bëhet për të rënët.

    “Shumë breza sakrifikuan për liri e çlirim, për fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo liri e fituar me shumë dhembje e humbje, do të jetë e plotë atëherë kur Atdheu është i sigurt.  Kosova në rresht me ushtritë e tjera të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është dhurata më e mirë për brezin e sotëm dhe ata qe vijnë. Është nderimi më i madh që mund të bëjmë për të rënët.  Lavdi e përjetshme atyre që me gjak e shkruan historinë tonë”.

  • Konjufca: Shumica s’ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje me dorëheqje të Qeverisë

    Konjufca: Shumica s’ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje me dorëheqje të Qeverisë

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se shumicës parlamentare i mungon vullneti që vendi të shkojë në zgjedhje përmes dorëheqjes së Qeverisë.

    Në deklarimin për media, pas mbledhjes së Kryesisë, Konjufca ka thënë se deri më tani nuk është zhvilluar ndonjë takim në mes të partive politike për të diskutuar për datën e mundshme të zgjedhjeve, edhe pse sipas tij të gjitha partitë pajtohen që vendi të shkojë në zgjedhje.

    “Ky është një rast i rrallë ku të gjitha partitë pajtohen që të shkojnë në zgjedhje por nuk po arrin që kjo gjë të bëhet. Nuk po duket që është punë e frikës, por mungon vullneti i mazhorancës që kjo të ndodhë përmes një dorëheqje të Qeverisë, sepse nuk ka një arsye që të japë dorëheqje Qeveria. Qeveritë japin dorëheqje vetëm kur diçka nuk është duke funksionuar”, është shprehur ai.

    Ai ka thënë se i pengon fakti që Kuvendi e ka humbur fuqinë që t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare.

    “Shumica mund të votojë ligje, por mua më pengon që Kuvendi i Republikës së Kosovës që disa muaj e ka humbur kapacitetin e vet për të ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare”, ka deklaruar Konjufca.

  • IKShPK: Rriten rastet e pacientëve me kollë të mirë, konfirmohen tetë raste tek moshat e reja

    IKShPK: Rriten rastet e pacientëve me kollë të mirë, konfirmohen tetë raste tek moshat e reja

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se gjatë mbikëqyrjes permanente të situatës epidemiologjike në vend ka konstatuar një rritje të lehtë të rasteve të Kollës së mirë (Pertussis), krahasuar me vitet e fundit.

    Gjatë vitit 2024, IKShPK ka regjistruar 8 raste të konfirmuara me laborator të Pertusisit, kryesisht te moshat e reja.

    “Pertusis që ndryshe njihet edhe si Kolla e mirë, është një sëmundje ngjitëse bakteriale që përfshin traktin e frymëmarrjes. Shkaktohet nga bakteria Bordetella pertussis që gjendet në gojën, hundën dhe fytin e personit të infektuar. Kjo sëmundje ngjitëse mund të shfaqet në çdo moshë, por më shpesh i prek fëmijët dhe adoleshentët. Më të rrezikuar janë fëmijët nën moshën 1 vjeçare. Sëmundja përhapet lehtësisht nga personi në person, kryesisht përmes pikave/spërklave nga kollitja ose teshtitja e personit të infektuar. Simptomat zakonisht shfaqen 7 deri në 10 ditë pas infektimit, por mund të shfaqen edhe deri në 21 ditë më vonë”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.

    Sipas njoftimit të IKShPK-së komplikimet më të shpeshta janë pneumonia dytësore bakteriale, komplikimet neurologjike, infeksioni i veshit të mesëm, dehidrimi, konvulsionet, etj.

    “Kujdesi është veçanërisht i rëndësishëm për foshnjat, ndërsa mbrojtja më e mirë është parandalimi përmes vaksinimit të fëmijëve. Në Kosovë vaksinimi kundër Pertusisit bëhet sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit, ku vaksina kundër Pertusisit jepet në moshën 2, 4 dhe 6 muajshe, ndërsa ri-vaksinimi në moshën 18 muajshe”, thuhet në njoftim.

    Sipas IKShPK-së thuhet se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) kanë raportuar për rritje të numrit të rasteve të Pertusisit në shumë vende të rajonit evropian gjatë pjesës së dytë të vitit 2023 dhe gjatë vitit 2024.

    IKShPK u bën thirrje prindërve që t’i përmbahen kalendarit të rregullt të vaksinimit dhe t’i vaksinojnë fëmijët, sipas orareve të përcaktuara në kalendar.

  • Maqedonci pas takimit me homologun italian: E nënvizova qëllimin tonë për t’iu bashkuar NATO-s

    Maqedonci pas takimit me homologun italian: E nënvizova qëllimin tonë për t’iu bashkuar NATO-s

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim homologun e tij italian, Guido Crosetton, i cili është duke qëndruar për vizitë në Kosovë.

    Maqedonci, mes tjerash theksoi se temë e diskutimit ka qenë rritja e bashkëpunimit dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO.

     “Rikonfirmuam angazhimin e përbashkët të të Kosovës dhe Italisë, për të vazhduar partneritetin tonë dypalësh në fushën e mbrojtjes”, shkroi Maqedonci në platformën X.

    “Ministrin e falenderova për mbështetjen që Italia i ka ofruar Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes duke qenë shteti me pjesëmarrjen më të madhe të trupave në kuadër të misionit të KFOR-it. Ndërsa po ashtu e njoftova rreth mbështetjes që jemi duke i ofruar Ukrainës përmes ofrimit të trajnimeve dhe dhurimit të automjeteve taktive e municioneve që pritet të dërgohen së shpejti.Kërkova mbështetjen e Italisë në proceset për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO, për të cilën pranova dhe konfirmin nga ministri Crosetto se do të kemi mbështetjen e pakursyer të Italisë. Integrimi i Ballkanit në BE dhe në NATO të dy ishim dakord se do të krijonte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme”, ka shkruar mes tjerash Maqedonci.

  • ​Martin Berishaj po intervistohet nga Prokuroria Speciale

    ​Martin Berishaj po intervistohet nga Prokuroria Speciale

    Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është duke u intervistuar nga Prokuroria Speciale në Prishtinë.

    Arsyeje e intervistimit të Berishaj nga Prokuroria Speciale vjen pas dyshimeve për një aferë financiare të tij në Slloveni. Në këtë aferë dyshohej për shpëlarje parash.

    Ndërsa, një televizion slloven kishte raportuar se mbi gjysmë milionë euro kesh, janë bartur nga Mali i zi për në Slloveni, kurse rolin e transportuesit e ka pasur ambasadori Berishaj.

  • Tahiri: S’do të heqim dorë nga Komisioni Hetimor për kontratat njëburimore

    Tahiri: S’do të heqim dorë nga Komisioni Hetimor për kontratat njëburimore

    Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se kjo parti nuk do të heqë dorë nga themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për kontratat njëburimore, komision ky i cili nuk u votua në seancën e djeshme për shkak të mungesës së kuorumit, raporton Ekonomia Online.

    “Pushteti vazhdon të refuzojë themelimin e këtij komisioni i cili është shumë i rëndësishëm sepse po flasim për rreth 220 milionë eurove që janë shpenzuar për dy vjet”, tha Tahiri.

    “Ne ua kemi bërë me dije që nuk do të heqim dorë nga ky proces edhe në seancat e tjera do ta propozojmë sërish themelimin e këtij komisioni”, tha më tej ai.