ATV

Author: G.O.

  • PDK-ja propozon themelimin e Komisionit Hetimor për financimin e teksteve shkollore

    PDK-ja propozon themelimin e Komisionit Hetimor për financimin e teksteve shkollore

    Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se kanë propozuar themelimin e një Komisioni Hetimor për financimin e teksteve shkollore, raporton Ekonomia Online.

    Tahiri ka thënë se nuk kanë shumë informata se çfarë ka ndodhur me këtë proces. Ai ka thënë se nuk kanë ifmormata as për shumën e mjeteve të ndara nga MASHTI për blerjen e pajisjeve shkollore.

    “PDK në  kuadër të angazhimit të tij në parlamentin e Kosovës, kemi propozuar themelimin e Komisionit Hetimor që do të ndodhte një hetim parlamentar  në lidhje me financimin  e librave  që ka ndodhur gjatë kësaj periudhe,  pra ende nuk e kemi një pasqyrë të qartë të kësaj periudhe dhe ju e dini që ky është viti i parë nga shpallja e Pavarësisë që nxënësit e Kosovës nuk furnizohen me libra falas nga qeveria e Kosovës”, u shpreh Tahiri.

    “Ende nuk kemi një pasqyrë të qartë nëse të gjithë nxënësit janë të pajisur me libra, a kanë shkuar në adresë të duhura. Nuk e kem të qartë ende sa është  shuma e shpenzuar  në kompensimin e librave a e ka tejkaluar kjo shumë e paraparë nga Ministria Arsimit të cilat do t’i shpërndajnë nxënësve, pra një proces jotransaprent shumë i madh. Nuk kemi transparencë për ndarjen e këtyre mjeteve sa ka mbërri totali i tyre a është më e madhe se shuma që bliheshin librat dhe do të shpërndaheshin falas dhe mendoj që është e rëndësishme që mos të lejojmë që vitet në vazhdim ndodhin propozime të tilla. Është e rëndesishme të vijmë me një raport dhe të shohim si ka ec epilogu i kësaj çështjeje”, u shpreh Tahiri.

  • Sveçla e Balla dakordohen që Policia e Kosovës t’i bashkohet Taskforcës së Përbashkët të Migracionit

    Sveçla e Balla dakordohen që Policia e Kosovës t’i bashkohet Taskforcës së Përbashkët të Migracionit

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe homologu i tij nga Shqipëria, Taulant Balla, janë pajtuar që Policia e Kosovës t’i bashkohet Taskforcës së Përbashkët të Migracionit.

    Në njoftimin e MPB-së thuhet se ky bashkëpunim do të realizohet nëpërmjet koordinimit të autoriteteve ligjzbatuese të Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    “Ministri Svela, në këtë takim, ka shprehur gatishmërinë e plotë të Republikës së Kosovës për të bashkuar forcat në Taskforcë të Përbashkët të Migracionit. Qëllimi i kësaj nisme është koordinimi i veprimeve në kontrollin e migracionit, ndërtimi i baza të të dhënave dhe zhvillimi i hetimeve të perbashkëta për të reduktuar lëvizjet e paligjshme dhe krimin e organizuar në këtë fushë”, thuhet në njoftimin ku është bërë e ditur vizita e Sveçlës në Tiranë.

    Më tej thuhet se pjesëmarrja e Kosovës në këtë taskforcë të përbashkët dëshmon përkushtimin për sigurinë rajonale dhe për adresimin e sfidave të kriminale të migracionit.

  • Rizvanolli: Prioriteti i yni është investimi në kapacitet të reja gjeneruese nga burimet e ripërtritshme

    Rizvanolli: Prioriteti i yni është investimi në kapacitet të reja gjeneruese nga burimet e ripërtritshme

    Ministria e Ekonomisë ka përmbyllur me sukses procesin ofertues për Ankandin Solar Fotovoltaik (FV) prej 100 megavatëve, me ç’rast kanë ofertuar pesë kompani vendore e ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.

    Kompanitë që kanë ofertuar në këtë Ankand janë nga Franca, Turqia, Egjipti dhe Zvicra e Kosova.

    Me këtë rast, ministrja e Ekonomisë, Artan Rizvanolli, tha se prioriteti i dikasterit që ajo e udhëheq është investimi në kapacitet të reja gjeneruese nga burimet e ripërtritshme të energjisë.

    “Që nga fillimi i mandatit kemi theksuar e pastaj e kemi konfirmuar edhe në strategjinë se investimi në kapacitet të reja gjeneruese nga burimet e ripërtritshme të energjisë do të jetë prioritet dhe se ky do të mbështet në procese konkurruese ferr e transparente që përfundimisht sjellin çmime më të ulëta. Kështu ne sigurojmë përballueshmerinë për qytetarët, përderisa forcojmë sigurinë e furnizimit dhe qëndrueshmërinë e sektorit me përfshirjen e sektorit privat. Qëllimi ynë ishte që të kemi një projekt të madh që të sigurohemi se ekonomia e shkallës garanton një çmim sa më të volitshëm për qytetarët tanë. Insistuam që ankandi të bëhet në një tokë publike, një lokacion specifik të paracaktuar ashtu që secilit t’i jepet mundësia e barabartë, dhe te sigurohemi që shfrytëzimi i pronave të jetë sa më efikas, pra për prodhimin e energjisë të pastër, të mos e bëjë në kurriz të humbjes së tokave bujqësore, ose që mund të përdoret për aktivitete tjera”, u shpreh Rizvanolli.

    E ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Misionit të USAID-it, Kerry Monaghan Higler, tha se lansimin e këtij ankandi tregon zotimin e Kosovës drejt një sistemi energjetik të qëndrueshëm.

    “Një e ardhme ku ajri është më i pastër, energjia më e besueshme dhe ekonomia vazhdon të rritet. Ky ankand 100MW historik tregon zotimin e Kosovës drejt një sistemi energjetik të qëndrueshëm. Gjithashtu do të ofrojë përfitime të tjera, siç është edhe krijimi i vendeve të punës. Derisa janë këto kompani, vërehet se ka një interesim të rritur të investitorëve në Kosovë, që urojmë të rritet në të ardhmen”, deklaroi ajo.

  • Polonia aktivizon avionët luftarakë pas sulmeve në Ukrainë

    Polonia aktivizon avionët luftarakë pas sulmeve në Ukrainë

    Avionët luftarakë të Polonisë dhe të aleatëve u aktivizuan mëngjesin e 29 marsit, pasi Rusia kreu sulme me raketa në Ukrainë.

    Kështu njoftoi Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura të Polonisë.

    “Avionët polakë dhe të aleatëve po operojnë në hapësirën polake, gjë që mund të rezultojë në rritjen e nivele të zhurmës, veçmas në pjesën jugperëndimore të shtetit”, tha Komanda përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.

    Pjesa juglindore e Polonisë është në kufi me Ukrainën. Kievi, ndërkaq, të premten njoftoi se është përballur gjatë natës me sulmet ruse me raketa dhe dronë që kanë shënjestruar infrastrukturën energjetike të shtetit.

    Aktivizimi i forcave ajrore polake vjen disa ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, tha se nuk do të sulmojë asnjë shtet të NATO-s, as Poloninë, shtetet e Baltikut apo Republikën Çeke.

    Megjithatë, udhëheqësi rus paralajmëroi se nëse avionët luftarakë F-16 – të prodhimit amerikan – përdoren në Ukrainë, atëherë ato do të rrëzohen nga ushtria ruse.

    “Sigurisht, nëse këta avionë do të përdoren nga bazat ajrore nga një shtet i tretë, për ne do të bëhen caqe legjitime”, tha Putin.

    Ukraina, që po përballet me luftën e nisur nga Rusia më 2022, po kërkon nga aleatët e saj perëndimorë që t’i dërgojnë avionët F-16, në mënyrë që të përballet me forcat pushtuese ruse.

    Belgjika, Danimarka, Norvegjia dhe Holanda janë në mesin e shteteve që janë zotuar se do t’i japin Kievit fluturake të tilla. Ndërkaq, një grup shtetesh kanë premtuar se do të ndihmojnë në trajnimin e pilotëve ukrainas./REL/

  • Takimi në Bruksel, Bislimi nuk deklarohet për propozimet për dinarin

    Takimi në Bruksel, Bislimi nuk deklarohet për propozimet për dinarin

    Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi nuk është deklaruar për media për propozimet që kanë bërë për dinarin në takimet e mbajtura së fundi në Bruksel.

    I pyetur nga mediat se cilat kanë qenë propozimet që i kanë dhënë në takimin e mbajtur të hënën në Bruksel, ai nuk ka dhënë përgjigje.

    Ndryshe Kosova dhe Serbia ende nuk kanë arritur përparim për çështjen e dinarit serb ndonëse është paralajmëruar edhe një takim i ri për javën e ardhshme për këtë çështje.

  • Kultivonte kanabis në banesën e tij në Pejë i sekuestrohen narkotikë dhe mbi 34 mijë euro

    Kultivonte kanabis në banesën e tij në Pejë i sekuestrohen narkotikë dhe mbi 34 mijë euro

    Një person është arrestuar dje në Pejë, pasi i njëjti është kapur me tri cigare të mbështjella me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

    Përmes një komunikate për media, Policia njofton se i dyshuari u kap në flagrancë me ‘joint’-a, pasi u ndal për kontroll nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.

    Po ashtu, Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në banesën e të dyshuarit ku kanë gjetur dhe sekuestruar marihuanë, fara kanabisi e vazo ku dyshohet se ishin të mbjellura farat e kanabisit, si dhe mbi 34 mijë euro para të gatshme.

    “Në konsultim me prokurorin është kontrolluar edhe banesa e të dyshuarit të lartcekur në prani të avokatit të tij, ku gjatë kontrollit në banesë i janë gjetur:

    Një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit Marihuanë në peshë prej 28.01 gram,

    Një grinder për përgatitje/bluarje të mariahunës,

    Gjashtëmbëdhjetë (16) fara të llojit Kanabis Sativa,

    Dy gota qelqi me një lëngë që dyshohet të jetë i llojit Kanabis Sativa me peshë rreth 50ml secila prej tyre, nëntë (9) vazo të vogla të dyshuara si të mbjellura me fara të Kanabis Sativa dhe të holla në vlerë prej 34.752 Euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë. Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor.

  • U hetuan për një kohë të gjatë, arrestohen dy të dyshuar për drogë e armë në Prizren

    U hetuan për një kohë të gjatë, arrestohen dy të dyshuar për drogë e armë në Prizren

    Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prizren ka njoftuar se, pas një pune të gjatë hetimore, me urdhër të saj dhe në koordinim me Policinë e Kosovës, pas aplikimit të masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, me datë 28.03.2024 ka arrestuar personat e dyshuar K.B., dhe E.Sh.

    Sipas Prokurorisë, ata dy dyshohen për kryerje të veprave penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    “Pas zhvillimit të urdhër – kontrollit në shtëpitë dhe pjesët përcjellëse të tyre, pronë e të dyshuarve, K.B., E.Sh., dhe S.F., në shtëpinë e të dyshuarit E.Sh., policia ka gjetur dhe sekuestruar sasi të narkotikëve të llojit Kokainë me peshë rreth 500 gr. Ndërsa në lokalin e të pandehurit K.B., është gjetur dhe sekuestruar një (1) pistoletë e llojit TT dhe rreth pesëdhjetë (50) fishekë”.

    “Me urdhër të prokurorit personat e dyshuar K.B., E.Sh., gjenden në ndalim 48 orësh, ndërsa i dyshuari S.F., gjendet në arrati”, ka njoftuar Prokuroria.

    Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit ndaj të dyshuarve K.B. dhe E.Sh., do të parashtrojë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.

    Ndërsa, thuhet se për të dyshuarin S.F., prokuroria në bashkëpunim me policinë, janë duke kryer hetime intensive për kapjen e tij.

  • Kroacia nis procedurat për njohjen e patentë shoferëve të Kosovës

    Kroacia nis procedurat për njohjen e patentë shoferëve të Kosovës

    Qeveria e Kroacisë ka nisur procedurat për njohjen e ndërsjellë të patentë shoferëve mes Zagrebit dhe Prishtinës.

    Kjo u bë e ditur nga zëvendëskryeministri kroat, njëherësh ministër i Brendshëm, Davor Bozhinoviq, i cili edhe prezantoi para kabinetit qeveritar në mbledhjen e djeshme propozimin e Vendimit për fillimin e procedurës për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kroacisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për njohjen reciproke dhe zëvendësimin e patentë shoferëve.

    “Kjo është një marrëveshje që synon përmirësimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e lehtësimit të sigurisë rrugore në territorin e Palëve. Një marrëveshje e tillë tashmë është lidhur nga Republika e Kosovës me disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Bisedimet dhe negociatat për lidhjen e një marrëveshjeje ekuivalente me disa anëtarë të tjerë janë duke u zhvilluar”, tha ministri Bozhinoviq, duke shtuar se miratimi i Vendimit do të mundësonte fillimin e negociatave për draft marrëveshjen.

    Aktualisht, në Kroaci, 590 shtetas të Kosovës kanë marrë qëndrim të përhershëm, dhe 8082 prej tyre kanë marrë qëndrim të përkohshëm. Në Kosovë janë të regjistruar 1497 shtetas kroatë, ndërsa 60 shtetas kroatë me vendbanim në Kroaci janë të regjistruar për zhvendosje të përkohshme për në Kosovë.

    “Projektmarrëveshja përcakton procedurën e njohjes dhe zëvendësimit, si dhe mënyrën e verifikimit të vlefshmërisë dhe autenticitetit të patentë shoferëve, dhe pas përfundimit të negociatave, Ministria e Punëve të Brendshme do të dorëzojë në Qeveri një raport për negociatat e zhvilluara dhe rezultatin e tyre. Zbatimi i kësaj Marrëveshjeje nuk do të kërkojë mjete shtesë financiare nga Buxheti i Shtetit”, përfundoi ministri Bozhinoviq.

    Qeveria e Republikës së Kroacisë, me propozim të MPB-së, ka miratuar Vendimin për fillimin e procedurës për lidhjen e marrëveshjes në fjalë.

  • Kurti thotë se Kosova po përforcohet si destinacion i preferuar për investime në energji

    Kurti thotë se Kosova po përforcohet si destinacion i preferuar për investime në energji

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas përmbylljes së procesit ofertues për Ankandin Solar Fotovoltaik prej 100 megavatëve, ka deklaruar se Kosova po përforcohet si destinacion i preferuar për të investuar në energji elektrike, raporton Ekonomia Online.

    I pari i ekzekutivit, theksoi se kapacitetet e energjisë elektrike përkojnë me zhvillimin ekonomik të një shteti dhe se çdo megavat i ri i instaluar paraqet një potencial më të madh të prodhimit e të rritjes ekonomike.

    Në ankandin elektronik për projektin e parë solar prej 100 megavateve, ai tutje tha se si qeveri synojnë të punojnë dhe të krijojnë një sektor energjetik që është i sigurt e që vendos qytetarin e Kosovës në qendër.

    “Pesë kompani nga Franca, Turqia, Egjipti dhe Zvicra e Kosova, të gjitha lidere të sektorit, asnjëra këtu nuk është rastësisht. Përgjatë më se një viti, institucionet e Kosovës të udhëhequra nga Ministria e Ekonomisë, kanë punuar me mund dhe nder për të zhvilluar një proces transparent dhe të barabartë. Rezultatet e kësaj pune tashmë po i gëzojmë jo vetëm me përmbylljen e ankandit tonë të parë, por me përforcimin e statusit të vendit tonë si destinacion i preferuar për investime në energji, falë politikave stabile të ambientit të sigurtë për të bërë biznes. Kapacitetet e energjisë elektrike përkojnë me zhvillimin ekonomik të një shteti. Çdo megavat i ri i instaluar paraqet një potencial më të madh të prodhimit e të rritjes ekonomike si dhe të përmirësimit të mirëqenies sociale. Për ne, zhvillimi i megavatëve është edhe pasqyrë e parimeve të qeverisjes. Si qeveri synojmëe të punojmë e të krijojmë një sektor energjetik që është i sigurt, që e vendos qytetarin e Kosovës në qendër e që ec në hap me zhvillimet botërore. Ankandi solar 100 megavatësh është pasqyrim i këtyre synimeve”, u shpreh Kurti.

    Kryeministri tutje tha se Parkun Solar kanë vendosur ta ndërtojnë në tokë publike, pasi siç tha ai, publikes do t’i shërbejë.

    “Themi për një sektor energjik të sigurt sepse po i shtojmë 100 megavatë të ri në prodhimin tonë të energjisë. Themi për një sektor energjetik që vendos qytetarin në qendër të tij, sepse me zgjedhjen e procedurës konkurruese jemi siguruar që do të nxjerrim çmimin më të ulët për blerjen e energjisë. Kjo energji do të jetë e pastër e do të mbrojë mjedisin dhe shëndetin e secilit. Parkun Solar kemi vendosur ta ndërtojmë në tokë publike sepse publikës do t’i shërbejë. Për herë të parë në rajonin tonë po zhvillojmë një proces si ky i sotmi ku çmimet do të jepen në kohë reale e transparencë të plorë. E gjithë kjo nuk do të ishte e mundur pa përkushtimin e Ministrisë së Ekonomisë, institucioneve të tjera të përfshira dhe bashkëpunimin me asistencë nga USAID-i”, tha Kurti.

  • ​Lajçak me post të ri nga shtatori

    ​Lajçak me post të ri nga shtatori

    Në kuadër të rotacionit të madh në postet diplomatike të Bashkimit Evropian nëpër botë, Mirosllav Lajçak, që aktualisht është i dërguari i posaçëm i bllokut për dialogun Kosovë-Serbi, pritet të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër.

    Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet diplomatike se Lajçak do të nisë mandatin në kryeqytetin zviceran, Bern, më 1 shtator të këtij viti.

    Ende nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Lajçakun në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Të njëjtat burime i thanë REL-it se ambasadori aktual i BE-së në Estoni, Aivo Orav, është zgjedhur që të jetë shefi i ri i Zyrës së bllokut evropian në Kosovë. Ky post po ashtu ka rangun e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së.

    Kur të konfirmohet edhe zyrtarisht, Orav do ta zëvendësojë në këtë post në Prishtinë ambasadorin aktual, Tomas Szunyog.