ATV

Author: G.O.

  • Nga nesër fillon llogaritja verore e kohës, akrepat do të zhvendosen një orë përpara

    Nga nesër fillon llogaritja verore e kohës, akrepat do të zhvendosen një orë përpara

    Nga e diela, më 31 mars 2024 fillon llogaritja verore e orës.

    Akrepat e orës do të zhvendosen një orë përpara, pra nga ora 02:00 e mëngjesit, në orën 03:00 të mëngjesit.

    Ndryshimi i orës bëhet dy herë gjatë vitit, të dielën e fundit të marsit dhe të dielën e fundit të tetorit, me qëllim të shfrytëzohet sa më mirë energjia diellore.

    Nga llogaritja verore e orës i bie që të flemë më pak, por nga ana tjetër do të mundësojë të përfitojmë nga ditët më të gjata dhe rrezet e diellit.

    Pas mesnatës ndërrohet ora, BIK-u del me një njoftim

  • Gjakovë: Në gjendje të dehur babai sulmoi vajzën, arrestohet nga policia

    Gjakovë: Në gjendje të dehur babai sulmoi vajzën, arrestohet nga policia

    Është arrestuar një burrë në Gjakovë, i cili dyshohet që në gjendje të dehur ka sulmuar vajzën e tij.

    Viktima nuk e ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se në gjendje të dehur kishte sulmuar vajzën e tij. Viktima e ka refuzuar trajtimin mjekësor, ndërsa i dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton policia.

  • Rafuna: Miliona euro të humbura nga sanksionet e BE-së, qeveria të koordinohet me aleatët

    Rafuna: Miliona euro të humbura nga sanksionet e BE-së, qeveria të koordinohet me aleatët

    Masat e Bashkimit Evropian, rënia e eksporteve, zbehja e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë disa nga faktorët që kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë në dëmtimin e ekonomisë së Kosovës. Kështu vlerëson kryetari i Odës Ekonomike (OEK), Lulzim Rafuna, i cili i bën thirrje Qeverisë së Kosovës të punojë në këtë drejtim, dhe të koordinohet me miqtë ndërkombëtarë për çdo vendim që merr, në të kundërtën vendi po humb miliona euro.

    Rafuna konsideron se moskoordinimi me komunitetin ndërkombëtar lë gjurmë për vendin dhe dëmton imazhin e Kosovës.

    “Nuk është mirë që nuk jemi të harmonizuar me komunitetin ndërkombëtar, për imazhin e Kosovës kjo nuk është e mirë. Pa dyshim që lë gjurmë dhe nuk është mesazh i mirë moskoordinimi me miqtë tanë ndërkombëtar, sidomos me ata që kanë qenë pjesë e historisë së suksesit të zhvillimit të shtetit tonë të Kosovës. Kërkesa jonë si odë është që para çdo vendimi që merret të ketë koordinim dhe bashkëveprim me gjithë miqtë tanë ndërkombëtar, duke filluar me ShBA-të dhe ato të BE-së. Kemi nevojë të ndryshojmë imazhin e Kosovës, dhe nuk mund ta bëjmë këtë duke kundërshtuar, por vetëm duke qenë të harmonizuar me miqtë tanë, të cilët janë edhe më meritoret që Kosova ka arritur deri në këtë zhvillim”, thotë Rafuna.

    Në anën tjetër, sfidë për vendin, Rafuna thotë se përveç projekteve kapitale të cilat janë paraparë me ligjin e buxhetit, është edhe pengesa shumë e madhe me pezullimin e projekteve, shuma e të cilave ka shkuar mbi 300 milionë, që kanë ardhë si rezultat i masave ndëshkuese që ka marrë Kosova.

    “Përveç projekteve kapitale të cilat janë paraparë me ligjin e buxhetit, ne kemi edhe një pengesë shumë të madhe, e cila është bllokimi ose pezullimi i projekteve që ka shkuar vlera tani mbi 300 milionë, që kanë ardhë si rezultat i masave ndëshkuese që ka marrë Kosova. Ne po jemi të goditur jo vetëm nga ana e projekteve ndërkombëtare që kanë qenë të parapara për investime kapitale dhe për ngritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, por ne po jemi biznesi, sektori privat edhe nga qeveria për shkak të mos shpenzimit të së paku atyre projekteve që janë të parapara në ligjin e buxhetit dhe të cilat kanë kaluar me ligj nëpërmjet Kuvendit. Kjo kish me qenë infuzion i madh për sektorin privat, për bizneset tona. Kështu, duhet Qeveria me urgjencë së paku projektet të cilat janë të parapara në buxhet të vitit 2024, t’i implementojë në mënyrë sa më efikase dhe në përputhje me gjitha dispozitat ligjore”, thotë Rafuna.

    Për t’i ndihmuar bizneseve, Rafuna thotë se si odë po punojnë që të sjellin sa më shumë tregje të huaja në vend. Ai thotë se për këtë, janë përqendruar edhe tek vendet arabe dhe me tregun e ShBA-ve. Nëpërmjet këtyre vizitave, ai thotë se po mundohen të përçojnë mesazh te investitorët që duan të investojnë këtu, që Kosova nuk është vend i luftës, por i paqes.

    “Kishim delegacionin nga Arabia Saudite, jemi përqendruar edhe nga vendet arabe sepse është një treg i cili është duke u hapur më të madhe dhe tani do ta kemi shumë shpejtë edhe një delegacion prej Katarit, Bahrain, por do të kemi edhe prej Dubai që do t’i sjellim në Kosovë. Qëllimi i vetëm nuk është t’i takojmë me biznesin, ai është strategjik dhe primar, por qëllimi është edhe ta promovojmë Kosovën, të vinë të shohin që në Kosovë nuk është një vend ku zhvillohet luftë, por një vend i qetë, e stabil dhe i sigurtë për të bërë investime. Nëpërmjet kësaj edhe po përçojmë mesazh te investitorët tjerë që nuk kanë mundësi me qenë prezent këtu, mirëpo mund të vinë dhe të investojnë…13:50 Përveç me tregun e vendeve arabe, jemi duke punuar edhe me ShBA-të, dhe tani së fundmi kemi lidhur një marrëveshje me Odën e Richengemit, ku do ta kemi një delegacion në muajin qershor të bizneseve prej ShBA-ve, që do vinë për të parë mundësinë që të investojnë në Kosovë, por edhe për të bashkëpunuar me bizneset tona”, vijon Rafuna.

    Ndërsa, sa i përket rënies së eksportit, Rafuna thotë se duhet të merren masa që të ndihmohet prodhimtaria. Ai kërkon nga institucionet përgjegjëse që të ngrisin zërin si në rajon, por edhe në tregun e BE-së, në mënyrë që produktet të depërtojnë sa më shumë.

    “Duhet të merren masa që të ndihmohet prodhimtaria, duhet të ndihmohet edhe nëpërmjet ministrave, dikastereve të ndryshme që të lobojnë por edhe të ngrisin zërin si në rajon, po ashtu edhe në tregun e BE-së, në mënyrë që produktet tona të depërtojnë sa më shumë. Duhet Kiesa, Ministria e Punëve të Jashtme, edhe Agjencioni për promovimin e investimeve, që ende nuk është bërë i plotë, funksional, duhet të bëjnë punën e tyre sa më mirë që është e mundur në mënyrë që të promovohen sa më shumë produktet tona, por edhe të lobojmë që të gjejmë treg të ri”, thotë Rafuna.

    Sipas statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksporti i mallrave në muajin janar 2024, kishte vlerën 60.3 milionë euro, ndërsa importi 380.0 milionë euro, që është një rënie prej -3.0 për qind për eksport, si dhe një rritje prej 7.4 për qind për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.

  • ​Doli për të shkuar në shkollë, zhduket një vajzë në Gjilan

    ​Doli për të shkuar në shkollë, zhduket një vajzë në Gjilan

    Një burrë nga Gjilani ka raportuar në Polici se i është zhdukur vajza e tij e mitur.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, ai ka njoftuar se vajza e tij ka dalë nga shtëpia për të shkuar në shkollë dhe se nuk dihet për vendndodhjen e saj

    “Fsh. Vërbicë e Zhegocit, Gjilan 29.03.2024 – 07:00. Ankuesi mashkull kosovar, ka njoftuar policinë se vajza e tij e mitur ka dalë nga shtëpia për të shkuar në shkollë dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj. Rasti në hetime”, thuhet në raport.

  • Pas pushimit dyjavor, Superliga vazhdon me dy derbi

    Pas pushimit dyjavor, Superliga vazhdon me dy derbi

    Pas pushimit dyjavor për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve, Superliga e Kosovës në futboll do të vazhdojë të shtunën me dy takime derbi.

    Vëmendja do të jetë në Lipjan, ku do të përballet Ballkani me Prishtinën që nuk është duke kaluar në momente të mira.

    Suharekasit janë në vendin e parë me 52 pikë të grumbulluara me një më shumë se Llapi dhe dy më shumë se Drita dhe do të synojnë fitoren ndaj prishtinasve për të mbajtur primatin.

    Teksa Prishtina renditet në pozitën e pestë me 38 sosh.

    Një tjetër takim interesant do të jetë edhe ai në mes Malishevës dhe Dritës.

    Dy skuadrat janë në formë të mirë dhe do tentojnë fitoren për të qëndruar me një hap me pretendentët për titull.

    Dy ndeshjet e ditës së sotme do të luhen duke filluar nga ora 13:00.

  • Hill: Kosova t’i përmbushë obligimet e Brukselit, përndryshe e komplikon rrugën drejt BE-së

    Hill: Kosova t’i përmbushë obligimet e Brukselit, përndryshe e komplikon rrugën drejt BE-së

    Ambasadori i ShBA-së në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se qeveria e ShBA-së pret që Kosova t’i përmbushë të gjitha obligimet e dala nga marrëveshjet e Brukselit.

    Në një intervistë për gazetën serbe “Blic”, Hill ka thënë po ashtu se Kosova dëshiron të anëtarësohet në BE, mirëpo për ta bërë këtë, duhet “ta kalojë gjithë procesin”.

    “Sa i përket dëshirës së Kosovës dhe aplikimit të saj në Këshillin e Evropës, do të flitet shumë, do të ketë një debat të gjallë dhe në një farë mënyre e gjitha është e lidhur me Marrëveshjen e Ohrit. Marrëveshja e Ohrit vendos disa detyrime e kërkesa nga të dyja palët, kështu që ne duhet të shohim se si do të shkojë, por sigurisht që ata duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, mendoj se kjo është e qartë për të gjithë ne, por ata duhet ta kalojnë të gjithë procesin”.

    “Sa i përket Kosovës, unë mund të flas vetëm në emër të Qeverisë sime, sepse ka shumë diskutime për këtë temë në Quint. Por qëndrimi i Qeverisë sime është se Kosova duhet t’i përmbushë obligimet e saj nga Marrëveshja e Brukselit dhe nëse nuk e bën, sigurisht që komplikon interesin e saj për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera”, tha Hill në këtë intervistë.

    Duke u ndalur te Asociacioni, diplomati amerikan tha se kjo do të ndodhë. Ky organizëm, tha Hill, do është i nevojshëm si për të ardhmen e Serbisë, ashtu edhe të Kosovës.

    “Mendoj se do të ndodhë, se Asociacioni i Komunave (me Shumicë, shën.red.) Serbe është shumë i arsyeshëm – një zgjidhje për të gjithë. AKS-ja do të ndihmonte në tejkalimin e shumë problemeve dhe vështirësive aktuale që ka komuniteti serb në Kosovë. Mendoj se AKS-ja është e nevojshme për të ardhmen e Serbisë, dhe mendoj për të ardhmen e Kosovës, kështu që besoj se do të ndodhë. Është një proces negociues që është i vështirë. Shumë lëvizje luajnë rol në këtë, por mendoj se ajo që është thelbësore, e kam thënë tashmë shumë herë, është se është e rëndësishme për komunitetin serb në Kosovë se cila do të jetë e ardhmja e tyre dhe cila do të jetë e ardhmja e fëmijëve të tyre, dhe mendoj se AKS është mënyra më e mirë për ta arritur atë”, theksoi ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

  • Avokati i Popullit: Qytetarët u ankuan më së shumti për zvarritje në procedurat gjyqësore

    Avokati i Popullit: Qytetarët u ankuan më së shumti për zvarritje në procedurat gjyqësore

    Zvarritjet në procedurat gjyqësore përbëjnë numrin më të madh të ankesave të pranuara duke u mohuar qytetarëve të drejtën për gjykim të drejtë.

    Kështu thuhet në raportin e Avokatit të Popullit për vitin 2023, dërguar Kuvendit të Kosovës.

    Raporti paraqet gjendjen e të drejtave të njeriut në vend dhe punën e Institucionit të Avokatit të Popullit, si dhe ofron një analizë dhe vlerësim të situatës në lidhje me forma të caktuara të shkeljes së të drejtave të individëve apo të grupeve të caktuara shoqërore.

    “Në vitin 2023, Avokati i Popullit ka pranuar 1660 ankesa nga qytetarët e Republikës së Kosovës, me pohime ankimore për shkelje të të drejtave dhe të lirive të njeriut nga autoritetet publike në Republikën e Kosovës. Nga rastet e shqyrtuara gjatë këtij viti, autoriteteve u janë adresuar 836 rekomandime, nga të cilat 300 janë rekomandime nga hetimet e përfunduara në këtë vit, ndërsa 536 janë rekomandime janë të bartura nga viti paraprak, me afat zbatimi në vitin për të cilin raportohet.

    Zvarritjet në procedurat gjyqësore përbëjnë numrin më të madh të ankesave të pranuara duke u mohuar qytetarëve të drejtën për gjykim të drejtë. Ankesat tjera kanë të bëjnë me të drejtën për mjete juridike, me të drejtën e punës dhe ushtrimit të profesionit, me mbrojtjen shëndetësore dhe sociale, me mbrojtjen e pronës, me barazinë para ligjit, me të drejtat e të akuzuarit, me të drejtat e fëmijës etj”, thuhet në njoftim.

    Gjithashtu raporti përmban rekomandime për autoritetet përgjegjëse për çështjet që janë trajtuar nga Avokati i Popullit por edhe opinione dhe propozime për ndërmarrjen e masave për të kontribuar dhe vetëdijesuar në ngritjen e respektimit të të drejtave të njeriut.

    “Sa i përket zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e autoriteteve, raporti gjen se niveli i zbatimit është 28 për qind, dukshëm më i lartë se sa në vitet e kaluara, por megjithatë kërkohet më shumë angazhim dhe përkushtim për rritjen e zbatimit deri në arritjen e nivelit kur zbatohen të gjitha rekomandimet.

    Avokati i Popullit mirëpret shqyrtimin e Raportit vjetor nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në një seancë plenare sikurse është e paraparë në nenin 29, paragrafi 3, të Ligjit nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit”, thuhet më tej në njoftim.

  • Arrestohet në flagrancë një  maqedonas për futjen e parave false në Kosovë, i konfiskohen 96 mijë dollarë amerikanë

    Arrestohet në flagrancë një maqedonas për futjen e parave false në Kosovë, i konfiskohen 96 mijë dollarë amerikanë

    Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka realizuar mbrëmë operacion policor për parandalimin e futjes së parave të falsifikuara në Kosovë, ku ka arrestuar një 54 vjeçar me inicialet I.D, shtetas i Maqedonisë së Veriut.

    Ai është arrestuar në flagrancë nga hetuesit policor gjatë tentimit të tij për të vënë në qarkullim një sasi të madhe të dollarëve amerikan që dyshohet se janë të falsifikuara. Sipas Policisë, i dyshuari 100 $ dollarë të falsifikuara, i shiste për 40 euro, raporton Express.

    Gjatë realizimit të operacionit policor, janë konfiskuar: 960 copë kartëmonedha nga 100 $ në total 96 mijë dollarë amerikan, një automjet i përdorur në rast nga i dyshuari dhe një telefon celular.

    “Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është pjesë e operacionit ndërkombëtar të udhëhequr nga EUROPOL-i për luftimin e dukurisë së prodhimit dhe shpërndarjes së parave të falsifikuara. Të gjitha veprimet hetimore janë ndërmarr në koordinim me prokurorin nga Prokuroria Speciale e Kosovës. I dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare. Me aktvendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë”, thuhet në komunikatë.

    Komunikata e plotë:

    Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, më 29.03.2024, në orët e mbrëmjes, në bashkëpunim me institucionet e tjera të sigurisë, kanë realizuar me sukses Plani Operativ për parandalimin e futjes në Republikën e Kosovës të parave të falsifikuara.

    Pas një pune operative-hetimore, rreth orës 23:00 (29.03.2024) është zhvilluar një operacion policor në Han të Elezit. Paraprakisht ishin siguruar informata konkrete se personi I dyshuar I. D., (viti i lindjes 1970, shtetas i Maqedonisë së Veriut), është duke futur në Kosovë para të falsifikuara, konkretisht dollar amerikan. I dyshuari është arrestuar në flagrancë nga hetuesit policor gjatë tentimit të tij për të vënë në qarkullim një sasi të madhe të dollarëve amerikan që dyshohet se janë të falsifikuara. I dyshuari 100 $ dollarë të falsifikuara, i shiste për 40 euro.

    Gjatë realizimit të operacionit policor, janë konfiskuar: 960 copë kartëmonedha nga 100 $ në total 96,000.00 (nëntëdhjetë e gjashtë mijë) dollarë amerikan, një automjet i përdorur në rast nga i dyshuari dhe një telefon celular. Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është pjesë e operacionit ndërkombëtar të udhëhequr nga EUROPOL-i për luftimin e dukurisë së prodhimit dhe shpërndarjes së parave të falsifikuara.

    Të gjitha veprimet hetimore janë ndërmarr në koordinim me prokurorin nga Prokuroria Speciale e Kosovës. I dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.

    Me aktvendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë.

  • Dyshohet për tri vepra penale, çka deklaruan Prokuroria e avokati pas intervistimit rreth shtatë orësh të Martin Berishaj

    Dyshohet për tri vepra penale, çka deklaruan Prokuroria e avokati pas intervistimit rreth shtatë orësh të Martin Berishaj

    Për rreth shtatë orë, Prokuroria Speciale ka intervistuar dje Ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn, pas dyshimeve për një aferë financiare të Berishajt në Slloveni, për të cilën është raportuar në media.

    Intervistimi i tij ka filluar rreth orës 08:30 në mëngjes, e pasdite rreth orës 15:30, avokati i tij ka konfirmuar se ka përfunduar intervistimi.

    Pas interesimit të madh të mediave për këtë rast, Prokuroria ka dalë me një njoftim ku ka konfirmuar se ambasadori është intervistuar nën dyshimet për tri vepra penale: ’Shpëlarja e parave’’, ‘’Shmangia nga tatimi’’ dhe ‘’Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’’.

    Nga ky institucion kanë deklaruar se Berishaj është ftuar edhe më herët për intervistim, por i njëjti kishte kërkuar që të shtyhet shkaku i angazhimit si ambasador.

    “Pas interesimit të mediave, Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se ambasadori, i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot me ftesë të Prokurorisë Speciale, me dyshimet për veprat penale ‘’Shpëlarja e parave’’, ‘’Shmangia nga tatimi’’ dhe ‘’Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’’. Po ashtu, ju njoftojmë se ambasadori Martin Berishaj, edhe më herët është ftuar për intervistim, por vet Berisha kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale që të shtyhet intervistimi, për shkak të angazhimit të tij si ambasador”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.

    Paraprakisht, zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu, tha se nuk ka aktakuzë ndaj të njëjtit.

    “Nëse do të kishte aktakuzë, do t’iu kishim informuar, si zakonisht që informojmë, përderisa s’ka , s’e kemi informu”, deklaroi Lutfiu para gazetarëve.

    Pas përfundimit të intervistimit, ka reaguar edhe avokati i Berishajt, Tomë Gashi.

    Ai tha se Berishaj ka dhënë deklaratë sqaruese në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës lidhur me pretendimet që kanë dalë në media.

    “Martini tashmë ka dhënë deklaratë në PSRK. Deklarata e tij është konfidenciale. Unë për shkak të kësaj situate si avokat i Martinit nuk mund te ju them asgjë për përmbajtjen e kësaj deklarate”, shkroi Gashi në llogarinë e tij në Facebook.

  • Jasharaj: Kurti me ministra të tij fajtor për gjendjen në arsim, ministri Murati synoi t’i shuaj sindikatat

    Jasharaj: Kurti me ministra të tij fajtor për gjendjen në arsim, ministri Murati synoi t’i shuaj sindikatat

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, në intervistë për Ekonomia Online, ka hedhur kritika në drejtim të kryeministrit Kurti e ministrave të tij.

    Sipas Jasharajt, kryeministri Albin Kurti e ministrat Arbërie Nagavci e Hekuran Murati, janë fajtor për gjendjen në të cilën gjendet arsimi.

    “Nga përvoja që kam sindikale shumë e gjatë, ministri Hekuran Murati e them publikisht se është njëri nga fajtorët kyç, sepse ai po harron që përveç se është ministër i Financave dhe Trasnfereve është edhe i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga vet ky fakt ai duhet të jetë flamurtar, ta nxis dialogun, të krijoj kushte edhe kur Qeveria thotë jo, të insistoj që të ketë dialog me sindikatën. Këtë detyrë e ka ministri. E në vend të kësaj ai e ka bllokuar edhe punën e këshillit ekonomik-social, ku ulen me ligj tri palët: Sindikatat, Qeveria dhe përfaqësuesit e bizneseve dhe merren vesh për kërkesat”, u shpreh Jasharaj.

    Madje, kryesindikalisti akuzon ministrin Murati për përpjekje për t’i shuar sindikatat në vend. Thotë se ka gënjyer e ka shpifur ndaj sindikatave në vend. Fajtor e konsideron edhe për vlerën e koeficientit të pagave.

    “Ai (Hekuran Murati) bëri çmos edhe 5, 6 muaj pas vendimit për koeficientin. Ai u deklarua që në qershorin e vitit të kaluar se ngritja e koeficientit do jetë vetëm pesë euro nga 105 në 110 euro dhe konsiderojmë si njërin nga faktorët kyç, edhe për ligjin e pagave, edhe për koeficientin e ulët edhe për deklaratat e tij kundër SBAShK-ut, deklarata shpifëse, gënjeshtra e pa asnjë argument. E konsiderojmë fajtor edhe për tendencën për t’i shuar sindikatat ngase tërë anëtarësinë qe e kishim të regjistruar në bazë të ligjit për arsimin sindikal ai e ka shlyer në tërësi për t’i zhdukur dhe shpiku platformën E-Kosova duke i obliguar njerëzit se nëse duan të jenë në sindikatë të regjistrohen në E-Kosova, i cili bie që është portal i shtetit dhe paramendojeni njerëzit regjistrohen për të mos u shuar sindikata në një portal të shteti në vend që të jetë ajo që e thotë ligji se një anëtar regjistrohet për sindikatën e vet e jo në një portal shtetëror”, deklaroi Jasharaj.

    Krahas problemeve me shtetin, Jasharaj e sheh problematike edhe një fakt tjetër. Atë të largimit të mësimdhënësve nga Kosova. Jasharaj thotë se tash e sa kohë, mësimdhënësit kanë filluar t’i marrin pushimet njëvjeçare pa pagesë, duke u larguar në vendet perëndimore për një jetë më të mirë.

    “Te ne zakonisht mësimdhënësit në të kaluarën më shumë të vogël e kanë shfrytëzuar një të drejtë që u takon me ligj të punës por me mirëkuptimin e DKA-ve për shkaqet e natyrave të ndryshme u është lejuar pushimi një vjet, mirëpo ky numër na shqetësoi sepse kishim informacione se është shtuar ky numër. 300 mësimdhënës para liberalizmit të vizave (kanë marrë pushim pa pagesë njëvjeçare) dhe konsiderojmë se ky numër është rritur por neve na habit dhe na ka habitur në atë kohë se pse Drejtoritë e Arsimit dhe MASHTI nuk thanë asnjë fjalë. Së paku të na demantojnë neve, urojmë që as numri 300 e as numri 600 të mos jetë i tillë sepse ne këto informacione nuk i kemi zyrtare, ngase ata nuk kërkojnë leje tek ne por në DKA-të dhe unë mendoj se ministrja Nagavci ish dashtë me i mbledh DKA-të të dhe të na demantoj dhe ne do të gëzoheshim nëse thotë se nuk është as 300 as 600 por një numër më i vogël”, deklaroi tutje Jasharaj.