ATV

Author: G.O.

  • ​Haradinaj: Aleanca me ShBA-në nuk është vetëm partneritet, është zotim

    ​Haradinaj: Aleanca me ShBA-në nuk është vetëm partneritet, është zotim

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët e fshatrave Opterushë e Retijë të Rahovecit në përvjetorin e rënies.

    Haradinaj ka thënë se Rahoveci ishte vatër e rezistencës dhe organizimit të luftës për liri.

    “Rahoveci me rrethinë ishte vatër e rezistencës dhe e organizimit të luftës për liri. Në fshatrat si Opterushë e Retijë, shpirti i qëndresës është i përjetësuar. Ato mbesin në kujtesën historike si simbole të guximit dhe përkushtimit për Atdheun. Bashkë me Kryetarin Smajl Latifi, bashkëpunëtorë si dhe përfaqësues të OVL-së, kujtuam dëshmorët dhe martirët e këtyre fshatrave, që me sakrificën e tyre dëshmuan vullnetin e shqiptarëve për drejtësi dhe të drejtën për të jetuar të lirë nga shtypja”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se aleanca me ShBA-të dhe NATO-n, është zotim për të hapur rrugët e suksesit dhe përparimit për brezat e ardhshëm.

    “Aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera të NATO-s nuk është thjesht një partneritet strategjik; është një zotim për të hapur rrugët e suksesit dhe përparimit për brezat e ardhshëm. Në frymën e atyre që kanë shkuar para nesh, të ripërtërijmë përkushtimin tonë për Kosovën në NATO, Kosovën shtyllë të lirisë, drejtësisë dhe zhvillimit. Le të punojmë krah për krah, të rreshtuar dhe të bashkuar në synimet tona. Kjo është detyrë, privilegj dhe nder për ne.

    Lavdi e përjetshme të rënëve për liri. Heroizmi i tyre u trashëgoftë ndër breza!”, është shprehur Haradinaj.

  • Dy raste të grabitjes në Gjilan, hajnat hyjnë në dy shtëpi vjedhin stoli e para të gatshme

    Dy raste të grabitjes në Gjilan, hajnat hyjnë në dy shtëpi vjedhin stoli e para të gatshme

    Grabitjet e vjedhjet nëpër shtëpi e banesa përveç që po sjellin humbje të mëdha, po shkaktojnë edhe pasiguri e ankth te qytetarët.

    Mbrëmë fshati Zhegër i Gjilanit ishte pre e dy grabitje të rënda ku si pasojë u vodhën para të gatshme e stoli ari në vlerë mijëra euro.

    Dy qytetarë kanë njoftuar Policinë e Kosovës se hajnat i vodhën atyre gjësende si stoli dhe para të gatshme gjersa personat nuk ndodheshin në shtëpi.

    Te rasti i parë, hajnat vodhën 10 mijë franga para të gatshme dhe stoli me vlerë deri në 10 mijë euro.

    Kurse, tek shtëpia e personit tjetër, hajnat vodhën 6 mijë euro para të gatshme, stoli dhe një armë me leje.

  • IPK-ja rekomandon suspendimin e dy policëve, dyshohen se tejkaluan autorizimet gjatë përdorimit të forcës

    IPK-ja rekomandon suspendimin e dy policëve, dyshohen se tejkaluan autorizimet gjatë përdorimit të forcës

    Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarvëe policorë, me dyshimin për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës. Kjo pas një informacioni që ka pranuar dje nga Policia e Kosovës në Suharekë, lidhur me një ankesë nga një qytetar.

    Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur dje në orët e mbrëmjes kur policia kishin reaguar në një incident në Suharekë.

    Në njoftim thuhet se hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.

    “Pas konsultimeve fillestare me prokurorin kompetent, hetuesit e IPK-së janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore dhe duke dalë në vendin e ngjarjes. Përderisa hetimi është duke vazhduar ndaj dy zyrtarëve policorë, IPK bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tyre me dyshimin për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forces”, thuhet në njoftim.

  • “Krime kundër njerëzimit dhe të gjenocidit”, Kurti thotë se Kosova po përgatitet për ta paditur Serbinë

    “Krime kundër njerëzimit dhe të gjenocidit”, Kurti thotë se Kosova po përgatitet për ta paditur Serbinë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se po bëhen përgatitjet që të akuzohet Serbia si shtet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

    Këto komente Kurti i bëri gjatë homazheve në nderim të martirëve të familjes Mulliqi.

    “Janë duke u bërë përgatitjet që të akuzohet Serbia si shtet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e që janë krime kundër njerëzimit dhe gjenocidit”, tha Kurti.

    Kurti i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit që të angazhohen maksimalisht ditë e natë, në mënyrë që vrasësit, për të cilët ka dëshmitarë të gjallë, të ndiqen të akuzohen, të dënohen sepse pa drejtësi me vetëm të vërtetën plagët vazhdojnë të mbesin të hapura. /RTK/

  • Mosdënimi i Konjufcës për gazin lotsjellës, Gjykata konstaton se Prokuroria ofroi vetëm supozime

    Mosdënimi i Konjufcës për gazin lotsjellës, Gjykata konstaton se Prokuroria ofroi vetëm supozime

    Gjykata ka konstatuar se pretendimet e Prokurorisë se Glauk Konjufca ka hedh gazin lotsjellës janë në nivelin e supozimeve pasi që për t’u provuar fajësia e tij është dashur që organi i akuzës të prezantojë prova bindëse e që të njëjtat nuk janë paraqitur.

    Këto konstatime janë dhënë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila ka përpiluar aktgjykimi e plotë ndaj kryetari aktual të Kuvendit dhe ka sqaruar arsyet pse ai nuk është fajtor për hedhje të gazit lotsjellës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Pas vendimit të gjykatës, Konjufca kishte thënë të jetë befasuar nga vendimi për lirimin e tij nga akuza për hedhje të gazit lotsjellës. Ka deklaruar se ka pritur dënim me kusht ose me gjobë.

    Sidoqoftë, në aktgjykimin e plotë të gjykatës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet fillimisht kontestues ka dal të jetë fakti se kush e ka hedhur gazin lotsjellës pasi ka munguar raporti i konfiskimit nga Prokuroria.

    Andaj gjykata thuhet se ka vepruar në bazë të parimit “In Dubio Pro Reo” i cili parim thekson se askush nuk mund të shpallet fajtor pa prova bindëse dhe se supozimet e mëdyshje interpretohen në favor të të akuzuarit.

    “Në këtë kontekst, gjykata vlerëson se prokuroria nuk arriti të provojë lidhjen e qartë të akuzuarit me përdorimin e mjetit të kryerjes së veprës penale, prandaj, nuk e pranoi këtë si një fakt të konfirmuar, duke theksuar se në asnjë moment nuk u vërtetua se bombola e gazit ishte përdorur nga i akuzuari, qoftë edhe me anë të një konstatimi daktiloskopik”, thuhet në aktgjykim.

    Tutje, në vendimin e gjykatës thuhet se barra e të provuarit lidhur me fajësinë e të akuzuarve i përket Prokurorisë e që në rastin konkret Prokuroria ka dështuar të bëjë të njëjtën

    Po ashtu në vendimin e gjykatës thuhet se nga administrimi i provave materiale dhe dëgjimi i dëshmitarëve s’është arritur të bëhet ndërlidhja midis provave ta administruara me përshkrimin se si ka ndodhur rasti si në aktakuzë.

    Në vendimin e gjykatës gjithashtu thuhet se asnjëri nga dëshmitarët nuk e ka përfshirë të akuzuarin Konjufca në veprën penale që pretendohet se i njëjti ka kryer.

    Sipas vendimit të gjykatës thuhet se deklarimet e dëshmitarëve nuk janë në kundërshtim me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut pasi që edhe vet prokuroria ishte e njohur me dëshminë e dëshmitarëve.

    Tutje, në vendimin e gjykatës thuhet se prokuroria ka dështuar që përtej dyshimi të bazuar mirë të provojë fajësinë e të akuzuarit Konjufca kjo edhe konform standardëve të krijuara edhe nga Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    Në vendim po ashtu thuhet se nuk mund të vërtetohet fajësia e Konjufcës vetëm pse në ulësen e tij është gjetur gazi lotsjellës pasi që, sipas gjykatës, ky argument nuk ka mbështetje në prova materiale dhe se një pretendim i tillë mbetet në nivelin e dyshimit.

    Gjykata po ashtu ka sqaruar se Prokuroria ka dështuar të konstatojë se bombola e gazit ishte përdorur nga Konjufca.

    Sipas gjykatës këto janë arsyet përmes të cilave ka liruar Konjufcën nga vepra penale “përdorim i armës apo mjeti të rrezikshëm”.

    Kurse gjykata për veprën penale “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” ka konstatuar parashkrimin e absolut të veprës penale pasi që ka kaluar dyfishi i kohës për gjykim të kësaj vepre penale.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkonte me dy vepra penale.

    Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohej se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.

    Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.

    Me këtë, Konjufca akuzohej se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

    Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.

    Për këtë, Konjufca akuzohej se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” përcaktuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

  • Disa persona merren peng në një qytet holandez

    Disa persona merren peng në një qytet holandez

    Disa persona në qytetin holandez Ede janë marrë peng mëngjesin e së shtunës, përderisa autoritetet kanë evakuuar banorët në zonën përreth, tha policia.

    Situata e pengmarrjes po vazhdon, teksa policia tha se janë liruar tre persona.

    Është e paqartë se sa persona të tjerë janë ende duke u mbajtur peng.

    Policia tha se nuk ka tregues se ky incident ka motive terroriste.

    Disa njësi të policisë speciale janë dislokuar në vendngjarje, përkatësisht në një ndërtesë në qendër të qytetit, tha policia përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale. Autoritetet e sigurisë shtuan se 150 shtëpi janë evakuuar dhe policia u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë larg zonës.

    Pengjet po mbahen në klubin e natës, Petticoat, nga një person që ka armë dhe eksplozivë, raportoi gazeta kombëtare de Telegraf, duke cituar disa burime anonime të sigurisë.

    Ndërkaq, transmetuesi NOS, tha se një robot që kontrollohet me telekomandë është dislokuar në vendngjarje si dhe njësitë kundër eksplozivëve.

    Në qytetin Ede, për shkak të kësaj ngjarjeje, është anuluar transporti hekurudhor, tha operatori kombëtar i trenave, NS./REL/

  • Haradinaj kujton dëshmorët e martirët e Rahovecit: Dëshmuan vullnetin për drejtësi dhe për të jetuar të lirë

    Haradinaj kujton dëshmorët e martirët e Rahovecit: Dëshmuan vullnetin për drejtësi dhe për të jetuar të lirë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj së bashku me kryetarin e Rahovecit, Smajl Latifin dhe bashkëpunëtorë si dhe përfaqësues të OVL-së, kanë kujtuar dëshmorët e martirët e Rahovecit.

    Haradinaj thotë se Rahoveci me rrethinë ishte vatër e rezistencës dhe e organizimit të luftës për liri.

    “Rahoveci me rrethinë ishte vatër e rezistencës dhe e organizimit të luftës për liri. Në fshatrat si Opterushë e Retijë, shpirti i qëndresës është i përjetësuar. Ato mbesin në kujtesën historike si simbole të guximit dhe përkushtimit për Atdheun”, shkroi Haradinaj në Facebook.

    “Bashkë me Kryetarin Smajl Latifi, bashkëpunëtorë si dhe përfaqësues të OVL-së, kujtuam dëshmorët dhe martirët e këtyre fshatrave, që me sakrificën e tyre dëshmuan vullnetin e shqiptarëve për drejtësi dhe të drejtën për të jetuar të lirë nga shtypja”.

    Ndërkaq sa i përket partneritetit me ShBA-të dhe vendet e tjera të NATO-s, ish-kryeministri thotë se është një zotim për të hapur rrugët e suksesit dhe përparimit për brezat e ardhshëm.

    “Aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera të NATO-s nuk është thjesht një partneritet strategjik; është një zotim për të hapur rrugët e suksesit dhe përparimit për brezat e ardhshëm”.

    “Në frymën e atyre që kanë shkuar para nesh, të ripërtërijmë përkushtimin tonë për Kosovën në NATO, Kosovën shtyllë të lirisë, drejtësisë dhe zhvillimit. Le të punojmë krah për krah, të rreshtuar dhe të bashkuar në synimet tona. Kjo është detyrë, privilegj dhe nder për ne”.

    “Lavdi e përjetshme të rënëve për liri. Heroizmi i tyre u trashëgoftë ndër breza!”.

     

  • ​Ahmeti: Serbia është tërhequr nga marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit

    ​Ahmeti: Serbia është tërhequr nga marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit

    Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti akuzon Serbinë se është tërhequr nga Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit.

    Sipas tij, pas letrës së kryeministres, Ana Bërnabiq në Bashkimin Evropian në vitin e kaluar, Serbia praktikisht dhe formalisht tërhiqet nga ujdia. Ai për KosovaPress, thekson se tani është e nevojshme të dihet nëse tërhiqet letra ku theksohet se Serbia nuk do të zbatojë disa pjesë të marrëveshjes bazë dhe më pastaj të ketë nënshkrim dhe sekuencim të qartë e të balancuar të saj.

    “Serbia është tërhequr nga marrëveshja ta kemi të qartë. Ngërçi është nga letra e 13 dhjetorit që e ka dërguar kryeministrja e Serbisë në BE, ku praktikisht dhe formalisht tërheqet Serbinë nga marrëveshja e 27 shkurtit. Duhet të kemi të qartë a kemi marrëveshje? A tërhiqet ajo letër dhe të kemi përsëri marrëveshje. Duhet të kemi nënshkrim dhe sekeuncim të marrëveshjes. Pra, unë mendoj se pikëpamja juaj është më optimiste sesa realiteti, pasi realiteti është shumë i vështirë nga kjo qasje e Serbisë”, thotë ai.

    Ahmeti thekson se Serbia po të kishte qasje konstruktive, çështja e dinarit do të zgjidhej menjëherë, pasi do të mundësohej një formë e tranzicionit për mjetet e pagesës nga Serbia te qytetarët serbë të Kosovës.

    “Unë besoj se po të ketë një qasje konstruktive nga Beogradi, kjo çështje zgjidhet menjëherë. Kur të them zgjidhet e them le të mundësohet një formë e tranzicionit, pasi rregullorja e BQK-së, është e qartë se është e panegociueshme, por po flasim për një fazë tranzitore. E rëndësishme është se dinari në Kosovë nuk mund të përdoret si mjet pagese”, shton Ahmeti.

    Duke folur për sigurinë në veri, Ahmeti thekson se institucionet e vendit janë vigjilente, pasi mund të ketë rreziqe sikurse sulmi terrorist në Banjskë.

    “Ku shkojnë, çfarë ndodh me 600 milionë është e paqartë. Një gjë dihet se sulmet terroriste sikur ajo në Banjskë kërkojnë mjete monetare për të organizuar, furnizuar me armatim dhe mbajt ata njerëz. Mund të ketë rrezik të tillë po të vazhdohej ajo mënyrë e sjelljes së dinarëve kesh me thasë. Po ashtu mund të përdorej Kosova sikur është përdorur deri në të kaluarën si një vend ku bëhej një shpëlarje parash”, thekson ai.

    Në anën tjetër, Ahmeti është optimist se Kosova do të marrë dritën e gjelbër në Asamblenë Parlamentare dhe Komitetin e Ministrave për anëtarësim në Këshill të Evropës.

    Ai shton se letra e tre krerëve të shtetit drejtuar raportueses për Kosovën në KiE, është një procedurë e rregullt për anëtarësim dhe se zotimet që janë marrë përsipër janë përcaktuar si çështje që do të adresohen pas anëtarësimit në këtë institucion ndërkombëtar.

    Sipas tij, në ato zotime nuk thuhet ekskluzivisht për themelimin e Asociacionit, por kërkohet zhvillim i prekshëm në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.

    “Letrën që e kanë dërguar të tre krerët e shtetit është procedurë e rregullt përgjatë fazën së anëtarësimit, krerët e shtetit kanë marrë përsipër zotime që janë përcaktuar si çështje që duhet të adresohen pas anëtarësimit, të cilat janë përcaktuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Askund në ato pika nuk thuhet ekskluzivisht çështja e Asociacionit, kur të bëhet publik raporti do të bëhet e qartë. Pika 14.2.2 e asaj pjese thotë se duhet të ketë zhvillim të prekshëm në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, që përfshinë edhe Asociacionit. Është e qartë për të gjithë se kjo çështje ekziston që nga viti 2013 dhe se nuk ka asnjë zotim shtesë në këtë drejtim. Kjo përcakton se nuk është parakusht”, përfundon Ahmeti.

  • Në këto vende sot do të ketë ndërprerje të rrymës, shkak punimet në rrjet

    Në këto vende sot do të ketë ndërprerje të rrymës, shkak punimet në rrjet

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se të shtunën më 30.03.2024 do të kryhen punime të domosdoshme për siguri të sistemit energjetik.

    Si i rezultat në disa lokalitete do të ketë ndërprerje të rrymës.

    Ky është orari sipas rajoneve:

    Prizren

    Punime në projekte investive

    1.

    Nga TS 35/10[kV] Pirana do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Randobrava (kodi: 30034010) nga ora 09:00 dei 16:00.

    Vendet: Randobravë, Retije e Ulët, dhe Retije e Epërme.

    Arsyeja: Projekte investive, shtrirja e Bistekut të Tensionit të Mesme projektete Lot 16 në Randobravë.

    Ferizaj

    Punime në projekte investive

    1.

    Nga TS 110/35/10[kV] Ferizaj 1 do të ndërprehet:

    LP 10kV J09 Drejtimi i Komogllavës (kodi: 40000009) nga ora 09:00 deri 18:00.

    Vendet: fshatrat: Bibaj (4 konsumatorë), Fshati i Vjetër, Gërlicë, Komogllavë, Magjistralja Ferizaj-Kaçanik (një pjesë), Magjistralja Prishtinë – Ferizaj (1 konsumator) dhe Varosh.

    Arsyeja: Projekte investive, vendosja në punë e Transformatorit te Ri, Ormanit 0.4kV në Komogllavë Abazët TS i Ri.

    * * *

    Punime nga palët e treta

    1.

    Nga TS 110/35/10[kV] Ferizaj 1 do të ndërprehet:

    LP 10kV Fshatrat (kodi: 40000002) në dy termine nga ora 08:00 deri 09:00 dhe nga ora 16:00 deri në orën 17:00.

    Vendet: Fshati i Vjetër, Dardania, Sojeva, Mirosala, Bibaj dhe Zllatari.

    Arsyeja: Krijimi i kushteve të punës pa tension, largimi i urave të tensionit të mesëm.

    2.

    Nga TS 110/35/10[kV] Ferizaj 1 do të ndërprehet:

    NS 10/0.4kV TS Kema Sojeve (kodi: 40000002189 ) ora 08:00 deri 17:00

    Vendet: Fshati Sojevë.

    Arsyeja: zhvendosja e trafostacionit 10(20)/0.4kV, sipas zgjidhjes teknike.

    Mitrovicë

    Punime nga palët e treta

    1.

    Nga TS 110/10[kV] Vushtrria 2 do të ndërprehet:

    TS 10/04kV TS Shtruer (kodi: 73000004003) prej orës 09:00 deri në orën 14:00

    Vendet: fshati Shtruher.

    Arsyeja: Zhvendosja e rrjetit 0.4kV, sipas zgjidhjes teknike.

    Gjilan

    Punime nga palët e treta

    1.

    TS 35/10[kV] Lladovë do të ndërprehet:

    LP 10kV Parteshi (kodi: 61066004) nga ora 09:30 deri 15:00.

    Vendet: Parteshi, Budrika e Poshtme, Budrikë e Eperme, Nesale, Cerrnicë, Gumnishtë dhe Vrapqiq.

    Arsyeja: Punët qe duhet te kryhen sipas pëlqimit elektro-energjetik dhe projektit të aprovuar, si dhe rekomandimeve nga komisioni i pranimeve teknike.

  • Pas mesnatës ndërrohet ora, BIK-u del me një njoftim

    Pas mesnatës ndërrohet ora, BIK-u del me një njoftim

    Bashkësia Islame e Kosovës ka dalë me një njoftim për qytetarët, meqë sonte pas mesnatës do të ndryshohet ora për 60 minuta.

    Rrjedhimisht, do të ndryshohen edhe orari i syfyrit, iftarit dhe faljes së namazeve.

    Në faqen zyrtare, BIK ka publikuar kohët e namazit për ditën e nesërme.

    “Për kohët e syfyrit, iftarit dhe namazit ju lutem informohuni nga takvimi zyrtar i Bashkësisë Islame të Kosovës”, thuhet në njoftim.