ATV

Author: G.O.

  • Takimi i së enjtes në Bruksel, Stano: Asociacioni s’është temë kryesore por si çështje është prezente

    Takimi i së enjtes në Bruksel, Stano: Asociacioni s’është temë kryesore por si çështje është prezente

    Të enjten në Bruksel pritet që të zhvillohet takimi i radhës drejt gjetjes së një zgjidhjeje për çështjen e dinarit në mes të kryenegociatorëve, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit.

    Në lidhje me këtë takim nga Bashkimi Evropian kanë thënë se çështja e dinarit do të jetë tema kryesore e bisedimeve dhe jo ajo e Asociacionit.

    Megjithatë sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano Asociacioni si çështje është prezent në secilin takim dhe se Kosova e ka obligim që ta formojë.

    “Krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është një obligim tash e një kohë për Kosovën, kështu që duhet të përmbushet urgjentisht. Kjo është përsëritur disa herë nga Bashkimi Evropian, në nivelin më të lartë, atë të liderëve evropianë. Kështu që nëse Kosova nuk arrin që ta përmbush këtë, atëherë kjo nuk do të jetë shenjë pozitive e vullnetit për të ecur drejt normalizimit, që tani është i lidhur me rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit.  Kjo është e para. Tjetra është që takimi i kryenegociatorëve këtë të enjte, është e përqendruar në çështje të tjera, që janë diskutuar edhe në javën e kaluar dhe atë paraprake në Bruksel, për të gjetur një zgjidhje kryesisht për çështjen, implikimet ose pasojat e vendimit të BQK-së për përdorimin e dinarit. Pra, Asociacioni si i tillë nuk është një prej temave kryesore por si çështje është prezente në secilin takim, dhe të gjitha ndërveprimet tona me partnerët në Kosovë, pasi që është një prej kushteve që urgjentisht duhet përmbushur sa më shpejt, pa vonesa të tjera”, ka thënë Stano.

    Ndryshe, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dje ka thënë se në takimin e kësaj jave mes palëve në Bruksel pret të gjendet një zgjidhje për çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

  • Grupi i bamirësisë thotë se Izraeli ia vrau 7 punëtorë

    Grupi i bamirësisë thotë se Izraeli ia vrau 7 punëtorë

    Një grup i bamirësisë ka thënë të martën se ushtria izraelite kreu një sulm ajror ndaj punëtorëve të tij në Gazë, duke i vrarë së paku shtatë persona, përfshirë disa të huaj.

    Kuzhina Qendrore Botërore, një grup i bamirësisë i themeluar nga kuzhinieri i famshëm Jose Andres, tha të martën se shtatë punëtorët e vrarë janë nga vende si, Australia, Polonia, Britania e Madhe, si dhe një me shtetësi amerikano-kanadeze.

    Ky grup tha se do ta pezullojë menjëherë punën në këtë rajon.

    Sipas tij, punëtorët ishin duke i shpërndarë ndihmat e nevojshme ushqimore që kishin mbërritur në Gazë përmes detit të hënën, kur u goditën në mbrëmje.

    Izraeli ka thënë se është duke e hetuar këtë incident.

    Ushtria izraelite shprehu “pikëllim të sinqertë” për vdekjen e punëtorëve, por nuk e pranoi përgjegjësinë.

    Vende të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë filluar këtë muaj të dërgojnë ndihma humanitare edhe përmes detit në Gazën e rrënuar nga lufta.

    Kombet e Bashkuara dhe partnerët kanë paralajmëruar se uria mund të prek pjesën e shkatërruar, të izoluar të veriut të Gazës gjatë këtij muaji.

    Zyrtarët humanitarë kanë thënë se dërgesat nga deti dhe ajri nuk janë të mjaftueshme dhe se Izraeli duhet të lejojë që më shumë ndihmë të hyjë përmes rrugëve tokësore.

    Një gjykatë e lartë e OKB-së ka urdhëruar Izraelin që të hapë më shumë pikëkalime tokësore dhe të ndërmarrë masa për të adresuar krizën humanitare.

    Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë 1.200 civilë dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.

    Sulmet ajrore dhe tokësore izraelite kanë lënë të vrarë më shumë se 33.000 palestinezë, sipas autoriteteve lokale në Rripin e Gazës.

    Luftimet kanë detyruar mbi 80 për qind të popullsisë së Gazës të zhvendoset dhe qindra mijëra janë buzë urisë, kanë thënë Kombet e Bashkuara dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmës./REL/

  • Qeveria hap thirrjen për ndihmë financiare për nxënësit dhe familjet në nevojë në Luginë të Preshevës

    Qeveria hap thirrjen për ndihmë financiare për nxënësit dhe familjet në nevojë në Luginë të Preshevës

    Qeveria e Kosovës ka hapur thirrjen për ndihmë financiare për nxënësit dhe familjet në nevojë në Luginën e Preshevës.

    Kjo thirrje është hapur për t’i ndihmuar fëmijët pa asnjë prind ose ata që kanë vetëm një prind, si dhe për familjet me 3 ose më shumë fëmijë në procesin edukativo-arsimor.

    Kështu ka bërë të ditur këshilltarja politike e Kryeministrit për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, Ardita Sinani.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, është në një mision për të ndihmuar nxënësit që përballen me sfida të mëdha financiare. Këtë herë, drejtohemi drejtpërdrejtë te të gjithë nxënësit e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës pa prindër, si dhe te ata që kanë vetëm një prind. Po ashtu, ofrojmë ndihmë financiare të menjëhershme për familjet me 3 ose më shumë fëmijë në procesin edukativo-arsimor, për të siguruar që të gjithë kenë mundësi të barabarta”, ka shkruar Sinani.

  • Kurti homazhe në Gjakovë: Vrasja e fëmijëve e pleqve dëshmon gjenocidin serb

    Kurti homazhe në Gjakovë: Vrasja e fëmijëve e pleqve dëshmon gjenocidin serb

    Në 25 vjetorin e masakrave të kryera nga forcat e armatosura të Serbisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Kralan të Gjakovës përkujtoi të vrarët në masakrën ndaj popullsisë civile në këtë fshat.
    Duke bërë homazhe fillimisht të varrezat e dëshmorëve në afërsi të shkollës së emëruar “8 Dëshmorët”, kryeministri Kurti theksoi se shumica dërrmuese e të vrarëve nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët në Serbi, gjatë luftës së fundit në Kosovë, ishin civilë të pambrojtur dhe janë po ata çmimi ynë i paguar për lirinë që sot e gëzojmë.
    “Më vjen shumë mirë që shkolla e mban emrin “8 Dëshmorët”, sepse duhet t’ua kujtojmë të gjithë brezave, edhe atyre aktual edhe atyre që vijnë pas nesh, edhe fëmijëve që nuk kanë lindur ende, do të bëhen nxënës në këtë shkollë një ditë, se liria të cilën ne e gëzojmë, shteti të cilin e ndërtojmë dhe e zhvillojmë i ka rrënjët pikërisht te ky çmim i lartë që e kemi paguar me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit”, tha kryeministri.
    Kryeministri Kurti vendosi lule te lapidari në të cilën janë të shkruar 88 emra të shqiptarëve, të cilët siç tha, u vranë sepse ishin shqiptarë dhe dëshironin të jetojnë të lirë në tokën e tyre stërgjyshore. Nga mijëra banorë nga rajoni të grumbulluar në Kralan, të ndarë burrat prej grave dhunshëm nga forcat serbe, u vranë 86 civilë të paarmatosur, derisa rrugës për deportim në Shqipëri u vranë dy të tjerë. 11 nga viktimat e këtij krimi kanë qenë fëmijë, ndërkaq 18 prej të vrarëve janë gjetur në afërsi të liqenit Peruçac në Bajina Bashta të Serbisë.
    Fakti që kriminelët i kanë vrarë shqiptarët dhe ua kanë rrëmbyer kufomat, tregon se sa shumë ata janë përgjegjës për këtë krim të dyfishtë, andaj Kryeministri theksoi se përgjegjësia dhe e vërteta ndodhet në arkivat e Beogradit zyrtar të cilët duhet t’i kthejnë mbi 1600 trupat e më të dashurve tanë, të cilët vazhdojnë të mungojnë edhe 25 vjet më vonë.
    “Ju bëjmë thirrje edhe faktorit ndërkombëtar që të bëjnë trysni mbi Beogradin, në mënyrë që të ketë drejtësi për Kosovën, për viktimat e shumta gjithandej, të pranverës së vitit 1999, meqenëse pa drejtësi, plaga vazhdon të kullojë e familjet e martirëve vazhdojnë që të kenë ankth e vuajtje, meqenëse shumë prej tyre nuk e dinë se ku i kanë trupat e pajetë e më të dashurve të tyre”, përfundoi kryeministri Kurti.
    Dëshmitarët kanë rrëfyer se si mes 2 dhe 4 prillit të vitit 1999, forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, torturuan qindra burra dhe djem shqiptarë, të rrethuar me tanke në një fushë në Kralan. Pas dy ditësh rrahje e keqtrajtimi, më 4 prill, nga grupi i djemve dhe burrave, të cilët janë mbajtur në livadh, gjatë gjithë kohës të rrethuar me tanke, pa ujë dhe pa ushqim, një numër i madh i tyre është liruar. Janë mbajtur 86 prej tyre, ndër të cilët edhe 11 të mitur. Që nga ajo ditë, askush nga ta më nuk është parë i gjallë.
    Në këto homazhe, kryeministri shoqërohej nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, deputët e Kuvendit të Republikës së Kosovës,  Mimoza Kusari Lila dhe  Agon Batusha, si dhe zyrtarë të nivelit qendror e lokal.
  • Tre fëmijë plagosen në një sulm në një shkollë në Finlandë

    Tre fëmijë plagosen në një sulm në një shkollë në Finlandë

    Tre fëmijë janë plagosur si pasojë e një sulmi me armë në një shkollë fillore në Finlandë të martën, njoftoi Policia finlandeze.

    I dyshuari, një i mitur po ashtu, u arrestua nga policia.

    Të plagosurit janë dërguar në spital, tha një zëdhënës i Policisë për agjencinë e lajmeve Reuters.

    Sulmi ndodhi në shkollën fillore “Viertola” në Vanta, një rrethinë e kryeqytetit Helsinki.

    Kjo shkolla i ka rreth 800 nxënës nga klasa e parë deri të e nënta, si dhe një staf prej 90 njerëzve, sipas autoriteteve lokale.

    “Rreziku i menjëhershëm ka përfunduar”, tha kryetari i shkollës “Viertola”, Sari Laasila për Reuters, duke mos dashur të komentojë më shumë rreth incidentit./REL/

  • Koreja e Veriut e teston një raketë balistike me rreze të mesme veprimi

    Koreja e Veriut e teston një raketë balistike me rreze të mesme veprimi

    Koreja e Veriut e ka shkrepur dhe testuar një raketë balistike me rreze të mesme veprimi në ujërat e bregdetit të vet lindor të martën, tha ushtria e Koresë së Jugut.

    Lideri verikorean, Kim Jong Un, është duke bërë përpjekje ta avancojë armatimin që ka për qëllim arritjen e caqeve të largëta amerikane në Paqësor.

    Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut tha se raketa u lëshua nga një zonë afër kryeqytetit të Koresë së Veriut, Penian, dhe fluturoi rreth 600 kilometra para së të binte në det mes Gadishullit Korean dhe Japonisë.

    Lee Sung Joon, zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm, tha se shkrepja e raketës me gjasë e pason testimin që Koreja e Veriut ia bëri një motori me lëndë djegëse të ngurtë, i ndërtuar për një raketë të re hipersonike me rreze të mesme veprimi.

    Nëse përsoset, një raketë e tillë mund ta arrijë bazën ushtarake amerikane në Paqësor, Guam, por edhe më larg, thonë ekspertët.

    Ministria e Mbrojtjes e Japonisë dha më shumë hollësi në vlerësimin e saj, duke thënë se raketa fluturoi rreth 650 kilometra dhe e arriti lartësinë maksimale prej 100 kilometrave, para se të binte në ujërat jashtë zonës ekonomike ekskluzive të Japonisë.

    Disa orë pas lëshimit të raketës, Ministria e Mbrojtjes jugkoreane tha se Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia kryen stërvitje të kombinuara ajrore mbi ujërat afër ishujve Jeju, në të cilat u përfshi së paku një bombardues bërthamor amerikan, B-52.

    Muajt e fundit, Shtetet e Bashkuara e kanë rritur zhvendosjen e mjeteve strategjike në rajon, përfshirë aeroplanmbajtës dhe nëndetëse raketore, duke treguar forcën kundër Koresë së Veriut.

    Ministria e Koresë së Jugut tha se stërvitja e së martës kishte për qëllim përforcimin e përgjigjes së tyre ushtarake kundër kërcënimeve raketore dhe bërthamore nga Veriu.

    Kjo ishte shkrepja e parë e një rakete nga Veriu për të cilën dihet prej 18 marsit, kur lideri verikorean, Kim Jong Un, e udhëhoqi një stërvitje të sistemeve të artilerisë së dizajnuar për ta goditur kryeqytetin e Koresë së Jugut.

    Koreja e Veriut e ka shtuar testimin e armëve prej fillimit të vitit 2022, në përpjekje për ta modernizuar dhe rritur arsenalin e vet bërthamor dhe raketor.

    Si përgjigje ndaj saj, SHBA-ja dhe Koreja e Jugut i kanë zgjeruar stërvitjet dhe ushtrimet tripalëshe, duke e përfshirë edhe Japoninë në to.

    Ekspertët thonë se me gjasë Kimi dëshiron ta përdorë arsenalin e vet të rritur bërthamor për të siguruar koncensione nga SHBA-ja, si për shembull, lehtësira të mëdha nga sanksionet ndërkombëtare kundër Koresë së Veriut.

    Ata thonë se Koreja e Veriut pritet ta zgjerojë veprimtarinë e testimeve dhe ta shpeshtojë retorikën luftëdashëse këtë vit, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut mbajnë zgjedhje të rëndësishme./REL/

  • Leposaviq, dy serbë ndalohen duke kaluar ilegalisht kufirin

    Leposaviq, dy serbë ndalohen duke kaluar ilegalisht kufirin

    Dy serbë janë ndaluar në Koshuticë të Leposaviqit, pasi që të njëjtit janë takuar duke kaluar kufirin ilegalisht nga Kosova për në Serbi duke shfrytëzuar rrugët dytësore.

    Policia ka njoftuar se me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar.

    “Rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • Të shtëna me armë zjarri në Pejë, policia arreston të dyshuarin

    Të shtëna me armë zjarri në Pejë, policia arreston të dyshuarin

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Pejë, pasi i njëjti kishte shtënë me armë zjarri.

    Në njoftimin e bërë për media, Drejtoria Rajonale e Policisё nё Pejё, Stacioni Policor Pejё, thotë se më datë 29 mars 2024 rreth orës 09:00, ka pranuar njё informacion se me datё 23.03.2024 rreth orёs 17:00, nё fshatin Vitomiricё njё person i dyshuar kishte shtёnё me armё zjarri.

    Njёsiti i hetimeve pranё Stacionit Policor nё Pejё, ka ndёrmarrё veprime hetimore ёshtё arritur qё tё gjinden dy (2) gёzhoja ne vendin e ngjarjes, e mё pas edhe personi i dyshuar ёshtё arrestuar dhe nё veturën e tij janё gjetur dhe sekuestruar:

    • Njё (1) armё (pistoletё) e tipit M57 kal: 7.62mm

    • Dy (2) gёzhoja kal: 7.62X 25mm.

    Tutje, Policia njoftoi se i dyshuari pas intervistimit nga hetuesit, me vendim tё Prokurorit tё shtetit rasti shkon nё procedurё te rregullt.

  • Aksident në Shqipëri, dyshohet për tetë të vdekur

    Aksident në Shqipëri, dyshohet për tetë të vdekur

    Tetë person dyshohet të kenë vdekur si pasojë i një aksidenti të rëndë që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martes.

    Siç raporton Abcnews.al, aksidenti ka ndodhur në rrugën Këlcyrë-Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar.

    Automjeti i tipit Mercedes Benz, ka dalur nga rruga dhe ka përfunduar në lumin Vjosa.

    Raportohet se shtatë viktima janë shtetas të huaj, po ashtu edhe shoferi i automjetit, nga Shkodra.

    Në vendin e ngjarjes ka dalur policia dhe Prokurori, që po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

    Gjithashtu në vendin e ngjarjes ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik, si dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë.

  • Qeveria e Kosovës sot mban mbledhje

    Qeveria e Kosovës sot mban mbledhje

    Qeveria e Kosovës të martën do të mbajë mbledhje ku në rend dite janë një sërë pikash për shqyrtim e miratim.

    Mbledhja do të mbahet nga ora 14:30.

    Në mesin e tyre është edhe shqyrtimi i ratifikimi të marrëveshjes kornizë ushtarake ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

    Ekzekutivi do të shqyrtojë Projektligjin për Provimin e Maturës Shtetërore, kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal për ndarjen e mjeteve për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për pjesëtarët e komunitetit pakicë në katër komunat veriore, e disa pika të tjera.