ATV

Author: G.O.

  • MPJD-ja hap edicionin e parë të shkollës për diplomaci të diasporës

    MPJD-ja hap edicionin e parë të shkollës për diplomaci të diasporës

    Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, sot hap edicionin e parë të shkollës për diplomaci të diasporës.

    Hapja do të bëhet në Prizren, në objektin e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve.

    Ky event fillon nga ora 17:00.

  • Në FSK organizohet “Java Ndërkombëtare e Kadetëve”

    Në FSK organizohet “Java Ndërkombëtare e Kadetëve”

    Sot mbahet aktiviteti ‘Java Ndërkombëtare e Kadetëve” në objektin e Akademisë së Mbrojtjes në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

    Përveç kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës pjesë e këtij aktiviteti gjatë kësaj jave do jenë edhe kadetë nga Kanada, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia.

    “Përveç kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës pjesë e këtij aktiviteti gjatë kësaj jave do jenë edhe kadetë nga: Kanada, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia, me ç ‘rast do të shkëmbejnë eksperiencat dhe përvojat ushtarake të shteteve të tyre”, thuhet në njoftimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

  • Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm

    Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm

    Mëngjesi është vakti kryesor për të filluar dietën tuaj në një mënyrë të shëndetshme.

    Problemi qëndron se ne shpesh bëjmë gabime duke e kthyer këtë vakt në një formë të paekuilibruar, sepse mund të përfshijmë shumë sheqer, yndyrë dhe shumë kalori. Ja se si mund t’i rregullojmë këto gabime:

    1.Merrni ushqime të pasura në proteina

    Nuk duhet ta filloni ditën tuaj me shumë sheqer. Më mirë do të ishte të konsumonit ushqime me shumë fibra dhe proteina, sepse ato mund t’ju ndihmojnë në uljen e sheqerit në gjak, si dhe largimin e rrezikut të prekjes nga sëmundje të ndryshme kardiovaskulare. Ju nuk duhet ta ngarkoni trupin tuaj me shumë lëng. Një gotë me lëng nuk është e njëjtë si një copë e frutave. Një portokall përmban vetëm 62 kalori dhe 3 gram fibra, ndërsa një filxhan mesatar me lëng ka 112 kalori dhe 0 fibra. Të gjithë ju që keni menduar se lëngu është shumë i mirë për mëngjes jeni duke i dhënë trupit tuaj një sasi të konsiderueshme sheqeri.

    2.Qumësht pa sheqer

    Sheqeri në qumësht mund të rrisë balancën e baktereve në zorrë, të cilat mund të shkaktojnë intolerancë të glukozës dhe deri në shfaqjen e rrezikut për sëmundje të ndryshme metabolike. Ju mund të ndiheni të kënaqur kur qumështit tuaj i fusni pak sheqer. Kombinimi i qumështit që konsumoni në mëngjes me pak vanilje, me pak kanellë, mund të rrisin shijen dhe përmbajnë zero kalori dhe sheqer.

    3. Mos e konsumoni mëngjesin sapo të zgjoheni

    Duhet të dini gjithashtu se konsumimi i mëngjesit tuaj nuk duhet të kryhet menjëherë sapo të jeni ngritur. Do të bënit shumë mirë që të qëndroni dy orë pa ngrënë dhe pastaj të hani mëngjes. Kështu trupi juaj do të marr vlerat e duhura ushqimore, por edhe ju nuk do të shtoni në peshë.

    4.Jo vetëm fruta në mëngjes

    Pothuajse të gjithë mendojnë se po të hanë vetëm fruta në mëngjes ata kanë konsumuar një mëngjes të shëndetshëm. E vërteta nuk qëndron kështu, sepse frutat nuk do t’ju furnizojnë juve me energji të mjaftueshme për një kohë të gjatë. Gjithashtu në këtë mënyrë ju dëmtoni edhe stomakun tuaj. Prandaj e mira është që të konsumoni gjithmonë mëngjesin në mënyrën e duhur, me ushqimet e duhura dhe në kohën e duhur.

  • Pas mbledhjes me tensione, sot pritet të shqyrtohet Projektligji për tekste shkollore

    Pas mbledhjes me tensione, sot pritet të shqyrtohet Projektligji për tekste shkollore

    Sot duke filluar nga ora 10:00 mblidhet Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.

    Deputetët në këtë komision pritet të shqyrtojnë Projektligjin për tekste shkollore.

    Kujtojmë se në mbledhjen e kaluar ka pasur tensione.

    Pretendimet e disa deputetëve të Vetëvendosjes, se gjatë seancës plenare të mbajtur më 7 mars nuk ka pasur kuorum për t’u votuar në parim Projektligji, kanë shkaktuar debat të ashpër në mbledhjen e Grupit punues të Komisionit për arsim.

    Deputetët e LVV-së, Visar Korenica dhe Eman Rrahmani pretendonin se atë ditë në sallë nuk kanë qenë 62 deputetë por vetëm 60, dhe rrjedhimisht projektligji nuk kishte kaluar.

  • Edhe sot temperaturat maksimale deri në 26 gradë, pasdite paralajmërohet shi

    Edhe sot temperaturat maksimale deri në 26 gradë, pasdite paralajmërohet shi

    Ditën e sotme parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pjesshme gjatë ditës. Vonë pasdite mund të ketë reshje të izoluara në verilindje të vendit, kryesisht në viset kodrinoro-malore.

    Meteo Kosova njofton se era do fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut, e cila kohë pas kohe pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 14-42 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 7 deri në 9°C, ndërsa ato maksimale prej 23 deri në 26°C.

  • ​Ndërpritet greva e minatorëve në “Trepçë”, kjo është marrëveshja e arritur

    ​Ndërpritet greva e minatorëve në “Trepçë”, kjo është marrëveshja e arritur

    Kryetari i sindikatës së minatorëve të “Trepçës” në Stantërg, Ibrahim Januzi ka konfirmuar se është ndalur greva e minatorëve pas një marrëveshje me menaxhmentin e kësaj ndërmarrje.

    Sipas Januzit nëse nuk përmbushen kërkesat, protestat dhe grevat do të vazhdojnë. Ai ka treguar nëpërmjet telefonit për kushtet të cilat i kanë pranuar për ndërprerjen e grevës, pas një takimi me kryeshefin e “Trepçës”, Bashkim Kurti.

    “Minatorët në ndërrimin e parë rreth 2 orë kanë protestuar për mos realizmin e pagës, mirëpo pas ftesës së kryeshefit për të ardhur për të dhënë sqarime dhe informata të hollësishme, është arritur të dakordohen mes minatorëve dhe kryeshefi. 40 për qind e pagës veçse është realizuar edhe 30 për qind, del sot eventualisht nesër dhe deri në javën e ardhshme të përmbyllen të gjitha obligimet ndaj minatorëve. Në rast se nuk përmbushen, protestat dhe grevat do të vazhdojnë…Kanë filluar minatorët, janë kthyer në vendin e punës, kanë filluar të punojnë. Pas dakordim me shefin për t’i dhënë hapësirë, për të gjetur zgjidhje t’i kryej të gjitha obligimet ndaj minatorëve…Presim deri në javën e ardhshme, kur besojmë fundi i javës së ardhshme është afati kohor dhe nëse nuk realizohen nuk na mbete asgjë tjetër, vetëm të punojnë 800 metra në thellësi të tokës dhe në fund mos ta gëzosh pagën e cila është obligim ligjor i ndërmarrjes për t’i kryer të gjitha obligimet ndaj minatorëve, nuk mbetet gjë tjetër përveçse protestë, grevë”, ka thënë ai.

    Ndërrimi i parë i minatorëve në ndërmarrjen “Trepça” kanë bojkotuar punën të enjten, për shkak që ende nuk i kanë marrë pagat e plota.

  • Bulliqi në takim me komandantin e KFOR-it në Podujevë, flasin për sigurinë

    Bulliqi në takim me komandantin e KFOR-it në Podujevë, flasin për sigurinë

    Sot gjatë ditës kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka pritur në takim komandantin e ri të KFOR-it në Podujevë, Balint Molnar dhe bashkëpunëtorët e tij.

    Kështu bëri të ditur komuna përmes një postimi në Facebook.

    Bulliqi e uroj për detyrën e re komandantin e ri si dhe u shpreh i gatshëm për bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in në interes të ruajtjes dhe sigurisë publike.

    Në këtë takim u diskutua për situatën e përgjithshme të Podujevës, si dhe për projektet që po zhvillohen gjatë kësaj kohe të cilat po e transformojnë qytetin.

  • Vriten 3 djem të liderit të Hamasit nga një sulm izraelit në Gazë

    Vriten 3 djem të liderit të Hamasit nga një sulm izraelit në Gazë

    Tre djem të liderit politik të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – janë vrarë nga një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës të mërkurën.

    Hamasi tha se në këtë sulm u vranë edhe katër nipër e mbesa të liderit të vet.

    Djemtë e Ismail Haniyeh janë në mesin e figurave të profilit më të lartë që janë vrarë deri tani në këtë luftë.

    Izraeli tha se djemtë e tij ishin operativë të Hamasit, ndërsa Haniyeh e akuzoi Izraelin se veproi “në frymën e hakmarrjes dhe vrasjes”.

    Vrasja e tyre rrezikon të ndikojë në bisedimet e ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët për armëpushim në Gazë, të cilat filluan të shënojnë përparim në ditët e fundit, pavarësisht se mes palëve ka ende goxha dallime në çështjet kryesore.

    Po ashtu, ata u vranë në një kohë kur Izraeli po përballet me trysni të madhe – posaçërisht nga aleati i vet kryesor, SHBA – për ta ndryshuar mënyrën se si po e kryen luftën në Gazë, në veçanti kur bëhet fjalë për ndihmat humanitare për të cilat kanë aq shumë nevojë palestinezët.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se beson se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, po bën “gabim” në mënyrën se si po e trajton Gazën.

    “Unë mendoj se kjo që po bën ai, është gabim. Nuk jam dakord me qasjen e tij”, tha Biden në një intervistë për Univision – një rrjet televiziv në gjuhën spanjolle.

    Haniyeh ka thënë se Hamasi nuk do të dorëzohet para trysnisë pas sulmit kundër familjes së tij.

    “Armiku beson se, duke i sulmuar familjet e liderëve, do t’i shtyjë ata të heqin dorë nga kërkesat e popullit tonë”, tha Haniyeh për Al Jazeera.

    “Kushdo që beson se sulmi ndaj djemve të mi do ta shtyjë Hamasin ta ndryshojë qëndrimin e vet, e gënjen veten”, shtoi ai.

    Izraeli tha se djemtë e Haniyeh kanë kryer veprimtari militante në qendër të Rripit të Gazës, por nuk dha hollësi të tjera.

    Izraeli nuk komentoi fare për vrasjen e nipërve dhe mbesave të tij.

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do të arrijë “fitore të plotë”, dhe se do t’ia shkatërrojë Hamasit aftësitë qeverisëse dhe ushtarake për ta parandaluar përsëritjen e sulmit të 7 tetorit.

    Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje për sulmin e Hamasit në jug të Izraelit, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen 250 të tjerë, sipas autoriteteve izraelite.

    Më shumë se 33.400 palestinezë janë vrarë në luftimet e pareshtura në Gazë, sipas zyrtarëve shëndetësorë në enklavën palestineze, të cilët nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve kur i llogarisin viktimat. Por, sipas tyre, shumica e të vrarëve janë gra dhe fëmijë.

    Izraeli thotë se i ka vrarë 12.000 militantë, por nuk ka dhënë dëshmi për këtë./REL/

  • Memli Krasniqi për Agim Ramadanin: Përmes luftës dhe vargjeve të tij, ai jeton në zemrat e secilit shqiptar

    Memli Krasniqi për Agim Ramadanin: Përmes luftës dhe vargjeve të tij, ai jeton në zemrat e secilit shqiptar

    Në 25-vjetorin e rënies heroike të Agim Ramadanit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kujtuar disa vargje të një poezie të tij.

    Krasniqi po ashtu tha se Ramadani përmes luftës dhe vargjeve të tij, jeton në zemrat e secilit shqiptar.

    “Lavdi heroit të Kosovës,i cili edhe sot, në 25-vjetorin e rënies së tij heroike, përmes luftës dhe vargjeve të tij, jeton në zemrat e secilit shqiptar atdhedashës. Respekt, mirënjohje dhe lavdi luftëtarëve dhe dëshmorëve të betejës së Koshares, të cilët, me brigadën e tyre të pagëzuar me emrin e Agimit, vazhduan luftën për çlirim deri në fund”, ka shkruar Krasniqi.

  • Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve të fundit

    Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve të fundit

    Katër raste të dhunës në familje kanë ndodhur brenda 24 orëve të fundit në Kosovë.

    Kështu bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, teksa njoftohet se rastet kanë ndodhur në Podujevë, Fushë Kosovë, Klinë dhe Gjakovë.

    Në katër rastet, tre nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje kurse i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

    Në Podujevë, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar nga një burrë, teksa e njëjta ka pranuar tretman mjekësor.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Podujevë / 10.04.2024 – 02:00. Ankuesja femër shtetase e huaj ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

    Ngjashëm ka ndodhur edhe në Fushë-Kosovë, teksa rastet raportohet të kenë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së martës.

    “Fushë Kosovë / 10.04.2024 – 04:00. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, është sulmuar nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

    Ngjashëm “Dhunë në familje” raportohet edhe në Klinë teksa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    “Klinë / 10.04.2024 – 20:30. Viktima femer kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet tutje në raport.

    Ndërkaq në Gjakovë, një burrë ka fyer verbalisht një grua dhe të njëjtën ka tentuar ta sulmojë fizikisht.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Gjakovë / 10.04.2024 – 20:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për arsye se e kishte fyer verbalisht si dhe kishte tentuar ta sulmojë fizikisht viktimen femer kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.