ATV

Author: G.O.

  • Osmani në 25-vjetorin e rënies së Agim Ramadanit: I dha jetë ëndrrave të popullit për të qenë të lirë

    Osmani në 25-vjetorin e rënies së Agim Ramadanit: I dha jetë ëndrrave të popullit për të qenë të lirë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kujtoi 25-vjetorin e rënies së heroit, Agim Ramadani.

    E para e shtetit, tha se Agim Ramadani u dha jetë ëndrrave dhe aspiratave të popullit të Kosovës për të qenë të lirë.

    “Agim Ramadani nuk ishte thjesht vetëm ushtarak, por një gërshetim i luftëtarit, poetit e piktorit, respektivisht një personalitet poliedrik i shndërruar në hero”, shkroi Osmani në Facebook.

    “Ai është njeriu i mërgatës, patrioti e guximtari që ëndrrën për lirinë e bëri realitet duke iu bashkuar UÇK-së dhe duke u përjetësuar në heroin emblematik të shembjes së kufirit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë”.

    “Ai dhe bashkëluftëtarët i dhanë jetë ëndrrave dhe aspiratave të popullit tonë për të qenë i lirë”.

    “Heroizmi dhe trashëgimia e Agimit do të vazhdojnë t`i frymëzojë brezat që do të vijnë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin Agim Ramadanin!”.

  • Sot mbahet seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahu

    Sot mbahet seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahu

    Sot do të mbahet seanca gjyqësore për 18-vjeçarin, Lulzim Fejzullahu i cili u rrah për vdekje nga dy të mitur më 14 janar.

    Më 1 prill, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e Fejzullahut.

    Dy të dyshuarve u është ngarkuar vepra penale “Vrasje e Rëndë” në aktakuzë.

    Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë e kishin konfirmuar se më 25 mars është paraqitur propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për të miturit për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë”.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 25.03.2024, ka paraqitur Propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për të miturit, ndaj dy personave (të mitur), për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë” në bashkëkryerje, pranë gjykatës kompetente”, kështu ka thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Deri më tani, dy të akuzuarit janë duke qëndruar në paraburgim deri në një vendim tjetër të Gjykatës.

    18-vjeçari kishte vdekur në Emergjencën e QKUK-së disa ditë pasi ishte rrahur.

    Policia fillimisht e raportoi vrasje në tentativë dhe therje me thikë, e në Emergjencë konstatuan vdekjen e tij nga lëndimet në kokën e viktimës, të marra nga shkopi i bejsbollit.

    Për këtë raportim Inspektorati Policor i Kosovës kishte iniciuar hetim.

  • Gjermania sot dorëzon automjete donacion për FSK-në

    Gjermania sot dorëzon automjete donacion për FSK-në

    Në kazermën “Adem Jashari”, sot nga ora 10:30 do të mbahet ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit të automjeteve nga Gjermania për FSK-në.

    Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

     

  • Presidentja Osmani pret në takim kryesuesin e OSBE-së

    Presidentja Osmani pret në takim kryesuesin e OSBE-së

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot pret në takim ministrin për Punët e Jashtme, Evropë dhe për Tregtinë të Maltës, njëherësh kryesues i OSBE-së, Ian Borg.

    Takimi pritet të zhvillohet në ora 10:00.

    Ai gjithashtu do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schëarz.

    Po ashtu Borg do të mbajë takime me Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, dhe stafin e misionit, dhe do të takojë pjesëmarrëse nga Akademia e Dialogut e OSBE-së.

    Sipas njoftimit, kryesuesi Borg do të udhëtojë në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Gjilan për t’u takuar me organizatat lokale të shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e komuniteteve nga komuna të ndryshme për të diskutuar rreth të drejtave të komuniteteve, angazhimin e të rinjve dhe fuqizimin e grave.

    Ai do të takohet edhe me kryetarët e komunave që përfaqësojnë komunitete të ndryshme për të diskutuar lidhur me bashkëpunimin ndër-komunal të mbështetur nga OSBE.

    Ministri Borg do të takohet edhe me Peshkopin Teodosije nga Kisha Ortodokse Serbe.

  • 25 vjet nga rënia e Agim Ramadanit

    25 vjet nga rënia e Agim Ramadanit

    Sot bëhen 25 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

    Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën e bëri bashkë me shokët.

    Agim Ramadani u lind në Zhegër të Gjilanit më 3 maj 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.

    Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak e në Zvicër, ku jetoi si emigrant politik, meqë me fillimin e luftës në Kroaci ai braktisi ish-armatën jugosllave ku punonte si oficer.

    Në vitin 1998 pranohet anëtar nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.

    Ndonëse kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998 iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në Zvicër tre fëmijë dhe gruan.

    Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare. Pas thyerjes së kufirit, në pjesën e Kosovës, te vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai ra heroikisht duke mos vdekur kurrë. Njihet me emrin konspirativ-Katana.

    Llogaritet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare.

    Në Gjilan para Teatrit Kombëtar i është ngritur një shtatore, në të cilën janë komponuar të gjitha elementet artistike dhe luftarake të Agim Ramadanit – Katanës.

    Është përfaqësuar në disa leksikone dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë, të botuara pas vitit 2000.

  • Sot luhen dy ndeshje interesante në Ligën e Kampionëve, vëmendja në Paris

    Sot luhen dy ndeshje interesante në Ligën e Kampionëve, vëmendja në Paris

    Sot do të zhvillohen dy ndeshje në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve.

    Kryepërballja kryesore e natës së mërkurës pritet të jetë ajo në mes Paris Saint-Germainit dhe Barcelonës.

    Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin Parc des Princes, duke filluar nga ora 21:00.

    Një tjetër sfidë interesante do të jetë edhe ballafaqimi në mes Atletico Madridit dhe Borussia Dortmundit.

    Loja do të luhet në stadiumin “Civitas Metropolitano”, duke nisur nga ora 21:00.

    Përndryshe, të martën u zhvilluan dy ndeshjet e para çerekfinale ku pati super paraqitje si në takimin e Real Madridit me Manchester Cityn, që u mbyll me rezultat 3-3.

    Njashtu edhe në takimin në mes Arsenalit dhe Bayernit, që u mbyll gjithashtu në barazim 2-2.

  • Haradinaj kujton heronjtë Beat Coli e Valenton Spahiu: Ishin 17-vjeçarë por të vetëdijshëm se liria nuk do të vinte pa sakrificë

    Haradinaj kujton heronjtë Beat Coli e Valenton Spahiu: Ishin 17-vjeçarë por të vetëdijshëm se liria nuk do të vinte pa sakrificë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar dëshmorët Beat Coli dhe Valenton Spahiu në përvjetorin e rënies.

    Haradinaj ka thënë se ata ranë që bashkëmoshatarët e tyre sot të jetojnë të lirë.

    “Beat Coli e Valenton Spahiu, ishin të rinj në moshë, vetëm 17-vjeçarë, por të pjekur e të vetëdijshëm se liria nuk do të vinte pa sakrificë dhe vetëflijim. Trimat e Dukagjinit fituan përjetësinë në Irzniq të Deçanit, 25 vjet më parë. Ata ranë që bashkëmoshatarët e tyre sot të jetojnë të lirë. Heroizmi i dy heronjve do të kujtohet nder breza”, ka thënë Haradinaj.

  • Dy të vdekur nga aksidenti i mbrëmshëm në Leposaviq, një tjetër në gjendje të rëndë

    Dy të vdekur nga aksidenti i mbrëmshëm në Leposaviq, një tjetër në gjendje të rëndë

    Dy 25-vjeçarë kanë humbur jetën në një përplasje kokë më kokë që ka ndodhur mbrëmë në Leposaviq.

    Të dy drejtonin automjetet që u përplasën dhe në gjendje të rëndë ndodhet edhe një person tjetër.

    Pesë minuta pas mesnate, ky aksident ka ndodhur, siç dyshohet sipas rezultateve paraprake të hetimeve, kur një automjet Audi 6 me targa të Beogradit ka kaluar në shiritin e kundërt të trafikut dhe është përplasur drejtpërdrejt me një automjet Peugeot, i cili po lëvizte në korsinë e tij, ka sqaruar për KoSS, Munish Avdija, shef i njësitit të komunikacionit në rajonin e PK-së Veri.

    Drejtuesit e të dy makinave kanë ndërruar jetë si pasojë e plagëve të rënda.

    Bëhet fjalë për personat me iniciale M.B. (1999) dhe Gj.M. (1999), kurse trupat e tyre janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Lëndime të rënda ka pësuar edhe një burrë tjetër, i cili ndodhej në sediljen e pasagjerit të njërës prej makinave.

    Bëhet fjalë për M.L. edhe ai mbrëmë është transferuar me urgjencë në spitalin e Mitrovicës dhe siç thotë sot policia ishte në gjendje të rëndë.

  • Bideni uron Fitër Bajramin, bashkëndjen me myslimanët në zonat e luftës

    Bideni uron Fitër Bajramin, bashkëndjen me myslimanët në zonat e luftës

    Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, në llogarinë e tij në platformën X postoi një fotografi urimi për festën e Fitër Bajramit.

    Aty ai po ashtu shkroi se teksa familjet dhe komunitetet myslimane mblidhen për Fitër Bajram, ata gjithashtu reflektojnë lidhur me dhimbjen e ndjerë nga shumë të tjerë.

    “Mendja ime është me ata në mbarë botën që janë duke e përjetuar konfliktin, urinë dhe zhvendosjen, duke përfshirë vende si Gaza dhe Sudani. Tani është koha për t’iu përkushtuar punës për të ndërtuar paqen dhe për të mbrojtur dinjitetin e të gjithëve”, shkroi Biden.

  • Abdixhiku në BIK, uron Fitër Bajramin

    Abdixhiku në BIK, uron Fitër Bajramin

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, me rastin e festës së Fitër Bajramit, raporton Ekonomia Online.

    “Atëherë sot me bashkëpunëtor të LDK-së vizituam myftiun Tërnava dhe nëpërmjet tij uruam të gjithë komunitetit mysliman në Kosovë festën e Fitër Bajramit. Le të shpresojmë që lutjet e sakrificat dhe veprat e mira gjatë muajit të Ramazanit të jenë pranuar nga Krijuesi por mbi të gjitha të punojmë që këto vlera të jenë të përditshme, që lidhja me njëri-tjetrin, me familjet dhe kontributin për vendin të jenë pjesë normale”, u shpreh Abdixhiku.