ATV

Author: G.O.

  • Policia arreston në Bërnjak dhe e ndalon për 48 orë, serbin Sreçko Sofronijeviq

    Policia arreston në Bërnjak dhe e ndalon për 48 orë, serbin Sreçko Sofronijeviq

    Policia e Kosovës ka arrestuar sot serbin, Sreçko Sofronijeviq.

    Rastin e ka konfirmuar Komandanti i Policisë për rajonin e Mitrovicësë së veriut, Veton Elshani.

    Arrestimi i tij është bërë në Bërnjak, dhe të njëjtit i është caktuar masë ndalimi prej 48 orësh.

    Sofronijeviq ishte në kërkim nga autoritetet e Kosovës, si pjesëmarrës në përplasjet e serbëve kundër aksionit të Policisë së Kosovës në parandalimin e mallrave kontrabandë.

  • Voziti 140 km/h në zonën 80, Policia e gjobit shoferin me 300 euro e ia merr patentën për 3 muaj

    Voziti 140 km/h në zonën 80, Policia e gjobit shoferin me 300 euro e ia merr patentën për 3 muaj

    Policia e Kosovës ka gjobitur një shofer në rrugën Mitrovicë-Prishtinë, i cili në zonën e kufizimit 80 km/h, po drejtonte veturën me shpejtësi 144 km/h.

    Policia e Kosovës njoftoi se shoferi ishte duke drejtuar makinën segmentin rrugor në fshatin Stanoc.

    “Njësia e Trafikut Rajonal gjatë kontrollit të trafikut rrugor dhe matjes së shpejtësisë me radar në rrugën nacionale Mitrovicë –Prishtinë në segmentin rrugor në fshatin Stanoc kanë identifikuar kundërvajtësin, i cili në zonën e kufizimit 80 km/h, po zhvillonte shpejtësi prej 144 km/h”.

    Shoferi është gjobitur me 300 euro, tre pikë negative, dhe i është ndaluar drejtimi i automjetit për tre muaj në territorin e Kosovës.

    “Ndaj kundërvajtësit është shqiptuar gjobë prej treqind (300) euro, tre (3) pikë negative si dhe masa mbrojtëse-ndalimi i drejtimit të mjetit motorik prej tre (3) muajve në territorin e Republikës së Kosovës”.

  • Podujevë: Një person sulmon ekipin e infermierëve në QKMF

    Podujevë: Një person sulmon ekipin e infermierëve në QKMF

    Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Komunën e Podujevës ka njoftuar se të premten në mbrëmje derisa ekipi emergjent ishte në detyrë një person ka penguar mbarëvajtjen e punës.

    Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, QKMF në Podujevë ka bërë të ditur se një person kishte fyer e kanosur një infermiere dhe kishte ushtruar dhunë ndaj një infermieri.

    “Si staf menaxhues në emër të QKMF-së shprehim indinjatë dhe dënojmë ashpër fyerjet dhe sulmin ndaj punëtorëve shëndetësor. Mbrëmë rreth mesnatës derisa ekipi emergjent ishte në detyrë duke kryer si gjithmonë me përgjegjësi të lartë shërbimin ndaj qytetarëve një person i papërgjegjshëm pengon mbarëvajtjen e punës duke filluar me fyerje e kanosje ndaj infermieres derisa eskalon edhe me dhunë fizike ndaj infermierit tjetër të ekipit” – shkruhet në njoftim.

    QKMF potencon se tolerimi i rasteve të tilla krijon precedent të rrezikshëm për të ardhmen duke nxitur pasiguri në punë në mesin e komunitetit shëndetësor.

    “Sulmet e tilla ndaj punëtorëve shëndetësorë në vendet e tyre të punës janë shqetësuese dhe të papranueshme, ndërsa tolerimi i tyre krijon precedentë të rrezikshëm për të ardhmen, duke nxitur pasiguri në punë në mesin e komunitetit shëndetësor” – shkruhej tutje.

  • Valon Aliu thotë se së pari gjuajti në drejtim të vëllait të viktimës, pastaj vrau 21-vjeçaren e në fund ia drejtoi armën vetes

    Valon Aliu thotë se së pari gjuajti në drejtim të vëllait të viktimës, pastaj vrau 21-vjeçaren e në fund ia drejtoi armën vetes

    I dyshuari për vrasjen e ish-gruas, Valon Aliu tha se pas një konflikti e qëlloi fillimisht vëllain e ish-gruas, pastaj 21 vjeçare dy-tri herë, e më pas i kishte drejtuar armën vetes në kokë por që sipas tij kishte qenë e zbrazur.

    Këtë deklarim i dyshuari për vrasje Valon Aliu e bërë të shtunën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku u mbajt seanca dëgjimore për caktimin e paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Revolen e kam pas me vete në kuk, fillimisht nëse nuk gaboj e kam rrok vllaun e saj, e më pas ish-bashkëshorten, nuk e di por nja dy herë kam shtënë në drejtim të saj, tani ja kam drejtu vetit armën në kokë por s’kish pasë plumba e pastaj kam ik te shtëpia”, deklaroi i dyshuari Valon Aliu.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj më 13 prill 2024, ka dorëzuar në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për vrasje, Valon Aliu.

    Gjykata Themelore në Ferizaj, këtë të shtunë mbajti seancën dëgjimore ndaj të dyshuarit Valon Aliu, i cili vrau ish-gruan e tij pas një konflikti në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se më 12 prill 2024, rreth orës 14:40, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E.C, me të cilën ka bashkëjetuar duke e goditur me armë disa herë në kokë, ka plagosur në krah vëllain e të ndjerës të miturin A.C

    Me çka kreu veprën penale vrasje e rëndë nga neni 173 par 1 nën par 1.3 dhe 1.5 dhe 1.11 të KPRK-së.

    Poashtu, Në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi pistoleta me një karikator të zbrazur e cila më 12 prill 2024,iu është konfiskuar nga policia.

    Me çka kreu veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par 1 të KPRK-së.

  • Fundoset varka me emigrantë në detin Mesdhe, raportohet për 45 të zhdukur

    Fundoset varka me emigrantë në detin Mesdhe, raportohet për 45 të zhdukur

    Të paktën 45 emigrantë janë të zhdukur pas fundosjes së varkës së tyre në Mesdhe teksa po përpiqeshin të mbërrinin në Europë nga Tunizia, tha agjencia e migracionit e Kombeve të Bashkuara, duke cituar të mbijetuarit.

    Roja bregdetare italiane tha të mërkurën se pas fundosjes së një varke tjetër, ka nxjerrë trupat e nëntë personave dhe ka shpëtuar 22 prej tyre, ndërsa 15 janë të zhdukur.

    Të mbijetuarit u dërguan në Lampedusa, destinacioni i parë për shumë emigrantë që kërkojnë të arrijnë në Bashkimin Europian.

    Rikujtojmë se më shumë se 90 njerëz vdiqën dje kur një varkë peshkimi  u fundos javën e kaluar. Sipas informacioneve, në mesin e viktimave kishte edhe fëmijë.

    Më shumë se 400 emigrantë kanë vdekur në detin Mesdhe në fillim të vitit 2023, duke tentuar ta kalojnë Mesdheun qendror nga Afrika Veriore për në Europë. Sipas një deklarate të Kombeve të Bashkuara, ky është tremujori i parë me më së shumti raste të vdekjeve në gjashtë vjet.

    Organizata Ndërkombëtare për Migracion ka regjistruar 441 vdekje në muajt janar-mars, për rrugën më vdekjeprurëse të migrimit në botë, ku është theksuar se numri i vdekje mundet të jetë më i madh sesa është dokumentuar.

    Sipas raportit, rreth gjysma e këtyre viktimave lidheshin me operacionet e ngadalta të shpëtimit të udhëhequra nga shtetet dhe ose nuk kishte fare mision shpëtimi.

  • Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 900 gjoba në trafik brenda 24 orëve

    Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 900 gjoba në trafik brenda 24 orëve

    Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1936 gjoba në trafik.

    Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, ku 15 aksidente kanë qenë me lëndime, ndërsa 35 me dëme materiale.

    Po ashtu, policia njofton se janë arrestuar 15 persona, ndërkaq 9 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

  • Sarrazin: Gjermania kurrë nuk do të përkrah ndonjë formë të Asociacionit që minon integritetin e Kosovës

    Sarrazin: Gjermania kurrë nuk do të përkrah ndonjë formë të Asociacionit që minon integritetin e Kosovës

    I ngarkuari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin e ka vizituar dy herë Prishtinën brenda tre javëve për të diskutuar me autoritetet kosovare Procesin e Berlinit dhe zhvillimet rreth dialogut Kosovë-Serbi.

    Pas takimeve në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësuesit politikë të Listës Srpska, emisari gjerman tha se Gjermania kurrë nuk përkrah ndonjë formë të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që minon integritetin e Kosovës. Por sipas tij, moskrijimi i Asociacionit nuk e çon Kosovën drejt BE-së.

    “Jemi të bindur se kjo është gjëja e duhur të bëhet”

    Politikani gjerman, theksoi, se “tani është koha e duhur që të vazhdohen më tej hapat për krijimin e Asociacionit”.

    “Të gjithë e dinë se shumë vende mosnjohëse brenda BE-së shikojnë nga Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, por unë nuk mund t’iu them se çfarë do të bëjnë ata, nëse kjo kryhet ose jo, sepse nuk është puna ime. Gjermania njeh Kosovën, por, edhe ne jemi të bindur se kjo është gjëja e duhur të bëhet, veçanërisht tani dhe të shkohet më tej. Mund të keni besim tek Gjermania, ne kurrë nuk do të përkrahim ndonjë formë të Asociacionit që minon integritetin e Kosovës, por, moskrijimi i Asociacionit nuk çon drejt BE-së”, deklaroi shkurt Sarrazin.

    Kusht shtesë për Kosovën?

    Në fund të muajit prill, Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës pritet të votojë raportin e raportueses, Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KE. Ndonëse jo zyrtarisht, në medie në Prishtinë ka debat, se diplomatët perëndimorë kanë përmendur mundësinë që krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të jetë “kusht” shtesë që Kosova duhet ta përmbushë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

    Gjermania nuk ka ende qëndrim për raportin e Bakoyannis

    Sipas diplomatit gjerman Manuel Sarrazin, Gjermania ende nuk ka një qëndrim të tillë. “Qeveria gjermane nuk ka ende qëndrim për raportin e Bakoyannis, është procedura më tej e votimit të Këshillit dhe pastaj do t’i marrim të gjitha në konsideratë”, tha Sarrazin.

    Lisa Srpska nuk tërhiqet nga bojkoti

    I dërguari i qeverisë gjermane për Ballkanin, tha se zhvillimet e fundit në veri, sidomos vendimi i Listës Srpska që të bojkotojë votimet e 21 prillit për shkarkimin ose jo të katër kryetarëve shqiptar në komunat veriore, e sollën atë në Kosovë. Sarrazin pati takim edhe me përfaqësues të Listës Srpska, dhe tha se nuk kishte ndonjë sinjal se ata do të tërhiqen nga vendimi i tyre. “Nga ky takim nuk më dhanë shenja të qarta të cilat do të më jepnin idenë se cili do të ishte kompromisi”, tha emisari gjerman.

    Edhe ambasadorët e vendeve më të industrializuara QUINT-it, ku bëjnë pjesë Franca, Gjermania, Italia, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe zyra e BE-së i kërkuan Listës Srpska që të tërhiqet nga vendimi për bojkotim të zgjedhjeve të 21 prillit në veri të Kosovës me të cilat parashihet shkarkimi i kryetarëve shqiptarë. “Na vjen keq për deklaratat e Listës Serbe dhe aktorëve të tjerë politikë serbë të Kosovës që bëjnë thirrje për tërheqje nga pjesëmarrja në këtë votim për tërheqjen e kryetarëve. Pjesëmarrja demokratike është thelbësore për të siguruar që institucionet e zgjedhura të jenë përfaqësuese të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”, thuhet në deklaratën e Quint. Me tej thuhet se zgjedhjet e 23 prillit të vitit 2023,ë kur me një pjesëmarrje të ulët në votime u zgjodhën kryetarët shqiptar, “nuk dhanë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna dhe se qeverisja përfaqësuese në veri do të rikthehet kur të mbahen zgjedhjet për kryetarë komunash me pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve”.

    Pavarësisht thirrjeve të Listës Srpska për bojkotim të zgjedhjeve votimi për shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptarë do të mbahet më 21 prill, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Në këtë kuadër QUINT i bën thirrje Qeverisë së Kosovës “që të jetë e përgjegjshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj dhe të veprojë me profesionalizëm gjatë gjithë këtij procesi”./DW

  • Tri ndeshje interesante sot në Superligë: Ballkani dhe Drita synojnë fitoret e radhës, Prishtina këndelljen

    Tri ndeshje interesante sot në Superligë: Ballkani dhe Drita synojnë fitoret e radhës, Prishtina këndelljen

    Superliga e Kosovës vazhdon këtë vikend me ndeshjet e javës së 30-të, që hapet sot me tri ndeshje në program për t’u zhvilluar.

    Lideri i tabelës dhe kampioni në fuqi, Ballkani, do të luajë ndaj Feronikelit ’74 në “Rexhep Rexhepi”.

    Therandasit, që po luftojnë për titullin e tretë radhazi të kampionit, hyjnë në këtë ndeshje pas fitores ndaj Lirisë javën e kaluar. Ballkani ka 56 pikë.

    Në anën tjetër, “Nikli” po synon që të largohet nga pozita e barazhit, në të cilën ndodhet momentalisht me 30 pikë të grumbulluara. Skuadra nga Drenasi luajti baras javën e kaluar me Prishtinën.

    Skuadra tjetër që po synon titullin e kampionit këtë sezon, Drita, do të jetë nikoqire e Lirisë. Gjilanasit kanë 54 pikë dhe ndodhen në pozitën e tretë në tabelë.

    “Intelektualët” do të hyjnë në këtë ndeshje edhe më të motivuar, duke marrë parasysh fitoren xhiron e kaluar ndaj Llapit.

    Në anën tjetër, Liria veç është e përshendetur nga elita – duke u renditur e fundit në tabelë me vetëm 10 pikë të grumbulluara.

    Përballja tjetër për ditën e sotme do të luhet në stadiumin “Sami Kelmendi” të Lipjanit, mes Prishtinës dhe Gjilanit.

    Prishtinasit nuk dinë për fitore që tri ndeshje radhazi në Superligë, ku kanë regjistruar tri barazime. Skuadra “bardhekaltër” është e pesta në tabelë me 40 pikë.

    Në anën tjetër, gjilanasit po synojnë që t’i ikin edhe më tëj pozitës së barazhit dhe të vazhdojnë me rezultate pozitive, pas fitores ndaj Fushë Kosovës javën e kaluar.

    Gjilani është i shtati në tabelë me 30 pikë të grumbulluara.

    Kujtojmë se të tri ndeshjet janë të planifikuara për t’u zhvilluar nga ora 15:00.

  • Sot varroset 21-vjeçarja që u vra dje në Ferizaj

    Sot varroset 21-vjeçarja që u vra dje në Ferizaj

    Sot varroset 21-vjeçarja, Erona Cokli që u vra ditën e premte në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

    E ndjera do të varroset në varrezat e fshatit Bablak, në orën 16:30.

    Kështu bën të ditur familjarët e 21-vjeçares.

    Ndërkaq, i dyshuar për vrasjen e Erona Coklit është ish-bashkëshorti i së ndjerës.

     

  • Gërvalla përkujton masakrën e Studenicës: U masakruan edhe vajza të mitura

    Gërvalla përkujton masakrën e Studenicës: U masakruan edhe vajza të mitura

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka përkujtuar Masakrën e Studenicës së Istogut, ku forcat serbe masakruan gjashtë të moshuar dhe katër vajza të mitura 25 vjet më parë.

    Ajo theksoi se Masakra e Studenicës është një dëshmi rrëqethëse e gjenocidit dhe krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës së fundit.

    “25 vite me parë, forcat serbe masakruan në Studenicë të Istogut 6 të moshuar dhe 4 vajza të mitura. Qëndresa Lipaj 15-vjeçare, Njomza Lipaj 14-vjeçare, Mirdona Lipaj 13-vjeçare dhe Lindihana Lipaj 12-vjeçare nga Kamenica e Istogut, kishin shkuar për t’u strehuar tek familjarët e tyre në Studenicë”, shkroi Gërvalla.

    “Enver Lipaj, babai i dy prej vajzave të masakruara, nuk i mban dot lotët ndërkohë që tregon se pas ekzekutimit dhe masakrimit të tyre, këta katër engjëj, së bashku me të moshuarit u hodhën në bunarin e shtëpisë, ku u mbuluan me plot gjësende, para se bunari të hidhej në erë me dinamit”.

    “Masakra e Studenicës është një dëshmi rrënqethëse e gjenocidit dhe krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës së fundit. Deri sot, asnjë nga autorët e këtij krimi as nuk është dënuar dhe as nuk është gjykuar”.

    Ajo theksoi se për të nderuar sakrificën e dhimbshme të tyre, gjakun e derdhur për liri, vizituan familjen Lipaj dhe bashkë me ta bënë nderime pranë pllakës përkujtimore.