ATV

Author: G.O.

  • Mbi 830 milionë euro arrin shkëmbime tregtare mes Kosovës dhe Gjermanisë

    Mbi 830 milionë euro arrin shkëmbime tregtare mes Kosovës dhe Gjermanisë

    AKB-ja ka bërë një studim hulumtues lidhur me shkëmbimet tregtare dhe ekonomike, që Kosova ka më së shumti eksport-import për gjatë vitit 2023 me tri shtete të fuqishme siç janë: Gjermania, Turqia dhe Kina.

    Të gjeturat statistikore e renditin se Gjermania është partneri më i madh i Kosovës dhe zë vendin e parë me shkëmbime tregtare me vlerë 832.5 milionë €, kurse në vendin e dytë është Turqia me shkëmbime tregtare me 802.5 milionë € dhe në vendin e tretë është Kina me 648 milionë € importe që Kosova ka nga ky vend.

    Agim Shahini kryetari i AKB-s thotë se qeveris i mungon strategjia për të mbështetë prodhuesin vendor kurse neve na mungon vetëdija konsumuese të prodhimeve Made in Kosova dhe jemi të orientuar shoqëri drejtë konsumit të prodhimeve të huaja.

  • Osmani: Edhe sot Serbia vazhdon të fle mbi varreza masive

    Osmani: Edhe sot Serbia vazhdon të fle mbi varreza masive

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në shënim të Ditës së Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës në Kosovë ka thënë se Serbia vazhdon të bëjë krim të dyfishta, “njëherë e kreu krimin dhe pastaj bëri çmos që ta fshehë atë duke i fshehur gjurmët e krimit edhe 25 vite pas”, raporton Ekonomia Online.

    Në një deklaratë për media, Osmani tha se sot shënohet një nga ditët më të dhimbshme në historinë e Kosovës.

    “Sot është një nder ditët më të dhimbshme në historinë e Kosovës, sepse përveç që shënojmë 25 vjetorin e masakrës më të madhe të kryer kundër shqiptarëve në Kosovë në luftën e fundit, pra masakrën e Mejës, po ashtu edhe i bashkohemi dhimbjes së gjithë familjarëve të të zhdukurve me dhunë të cilët edhe 25 vitet pas akoma e kanë dhimbjen dhe mungesën e pa përshkueshme me fjalë”, tha Osmani.

    “Është një dhimbje që ta shpon shpirtin sepse për dallim nga shumë tjerë që kanë humbur më të dashurit, familjet e të zhdukurve akoma nuk kanë ku ta vendosin një lule për t’i përkujtuar familjarët e tyre. Siç po e shohim edhe nga shoqata e familjareve të të zhdukurve me dhunë që janë sot me në një numër i madh i tyre janë fëmijë të vegjël edhe sot Serbia vazhdon të fle mbi varreza masive edhe sot Serbia vazhdon të bëjë krim të dyfishtë sepse njëherë e kreu krimin dhe pastaj bëri çmos që ta fshehë atë duke i fshehur gjurmët e krimit edhe 25 vite pas përkundër faktit që kryetari i komisionit qeveritar Andin Hoti disa herë i ka drejtuar letra Serbisë, duke kërkuar që në përputhje me marrëveshjen në Bruksel të hapën arkivat për të dhënat e brigadave edhe policore edhe ushtarake për të cilat ka dëshmi të qarta se kanë marrë pjesë në masakra por po ashtu edhe në operacionin e pasluftës për fshehjen e trupave Serbia akoma nuk bëhet e gjallë në përgjigjen ndaj këtyre kërkesave dhe akoma vazhdon që ta shkelë këtë marrëveshje kaq të rëndësishme të arritur në Bruksel”, shtoi presidentja.

    “Si institucione të Republikës do vazhdojmë të jemi pranë familjes që ta ndajmë dhimbjen sepse të gjithë 1 mijë  e 600 të zhdukur janë familjarë të të gjithë Kosovës janë më të dashurit të të gjithë Kosovës por plaga jonë plaga e Kosovës do të mbetet e hapur përderisa nuk kthehen që të gjithë dhe liria do jetë kuptim plotë vetëm atëherë kur na kthehen të gjithë të dashurit tanë”, tha Osmani.

  • Sara Hoxha befason me deklaratën: S’kam qenë kurrë bashkëshortja e Ledri Vulës

    Sara Hoxha befason me deklaratën: S’kam qenë kurrë bashkëshortja e Ledri Vulës

    Blogerja Sara Hoxha, e njohur për lidhjen e saj me reperin e famshëm Ledri Vula, ka dhënë një deklaratë të papritur mbrëmjen e sotme që ka ndriçuar statusin e marrëdhënies së tyre.

    Pas spekulimeve të shumta dhe fjalëve që kanë qarkulluar rreth krisjes së marrëdhënies me partnerin e saj, Sara ka sqaruar pozicionin e saj në një intervistë në emisionin televiziv “Në Kurthin e Piter Pan”.

    “S’kam qenë kurrë bashkëshortja e Ledri Vulës! Kam qenë partnerja e tij”, deklaroi Sara, duke hedhur dritë mbi një çështje që duket se ka shkaktuar keqkuptim në mesin e publikut dhe fansave të çiftit. Kjo deklaratë e prerë shënon një ndarje të qartë nga titujt zyrtarë dhe të njohur publikisht që zakonisht i shoqërojnë çiftet në jetën e tyre të përbashkët.

    Muajt e kaluar kanë qenë të mbushur me zëra dhe thashetheme mbi situatën e tyre sentimentale, ku u përfol se Sara dhe Ledri kishin vendosur të ndaheshin dhe të merrnin rrugë të veçanta. Të dy janë prindër të një vajze, e cila ka qenë qendra e botëve të tyre që prej lindjes së saj.

    Ndërkohë që fansat dhe ndjekësit kanë shprehur habinë dhe mbështetjen e tyre në rrjete sociale, Sara ka treguar qëndrueshmërinë dhe fortesën e saj duke folur haptas për jetën e saj personale.

    Në një kohë ku linjat ndërmjet jetës private dhe asaj publike shpesh herë sfumohen, Sara ka zgjedhur të mbrojë të vërtetën e saj dhe të sqarojë çdo pasiguri që mund të ketë lindur. /Telegrafi/

     

  • Si ta dallojmë mungesën e kaliumit

    Si ta dallojmë mungesën e kaliumit

    Kaliumi është një nga mineralet më thelbësore, i cili merr pjesë në rregullimin e ritmit të zemrës dhe ruajtjen e sistemit nervor.

    Kaliumi e rregullon funksionin e muskujve dhe e ndihmon trupin për ta përdorur glukozën si një burim të energjisë.

    Pa një konsum adekuat të kaliumit, trupi juaj nuk mund ta ruajë shëndetin e zemrës dhe enëve të gjakut, muskujve, nervave, lëkurës apo veshkave.

    Edhe pse shumë njerëz besojnë se patatet dhe bananet janë burimi më i mirë i kaliumit, ekzistojnë burime shumë më të mira, si perimet me gjethe të gjelbra, frutat agrume, domatet, farat e lulediellit dhe drithërat.

    Kaliumi është një mineral thelbësor për organizmin. Ai është i domosdoshëm për shëndetin e zemrës, veshkave dhe organeve të tjera.

    Kaliumi i lejon muskujt të lëvizin, nervat të transmetojnë mesazhet e trurit dhe veshkat të filtrojnë gjak.

    Trupi duhet të ketë ekuilibrat e duhur të kaliumit që zemra të jetë e shëndetshme.

    Ekzistojnë simptoma të ndryshme të mungesës së kaliumit në trup. Nëse keni vërejtur se ndonjë nga këto simptoma zgjat më shumë se një javë, atëherë konsultohuni me mjekun tuaj:

    • Kapsllëku;
    • Lëkura e thatë;
    • Etja ekstreme;
    • Mbajtja e ujit, veçanërisht në pjesën e krahëve apo këmbëve;
    • Rrahja e çrregullt e zemrës;
    • Tensioni i lartë i gjakut;
    • Nervozizmi;
    • Plogështia në muskuj.

    Shumicës së të rriturve të shëndoshë u nevojiten rreth 4.700 miligramë kalium në ditë, që është relativisht e lehtë për t’u konsumuar nëpërmjet një diete të ekuilibruar.

    Megjithatë, studimet statistikore kanë treguar se një përqindje e madhe e njerëzve nuk marrin mjaft kalium, sepse nuk i ndjekin udhëzimet për një dietë të shëndetshme, që është arsyeja kryesore se pse mjekët shpesh rekomandojnë marrje të suplementeve. /Telegrafi/

  • Zhduket një burrë në Prishtinë

    Zhduket një burrë në Prishtinë

    Një grua ka raportuar në Policinë e Kosovës se një burrë ka dalë nga shtëpia në Prishtinë dhe nuk dihet për vendndodhjen e tij.

    Siç thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, viktima është larguar nga shtëpia me datën 24 prill të këtij muaji, teksa rasti është paraqitur dy ditë më vonë.

    Policia bën me dije se rasti është nën hetime, teksa shton se është njoftuar dhe prokurori.

    “Më 26.04.2024 ankuesja femer kosovare ka raportuar se viktima mashkull kosovar ka dalur nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e tij. Lidhur me rastin është njoftuar prokurorit dhe rasti mbetet në hetime”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Kurti për Asociacionin: Ahtisaari parasheh një bashkëpunim ndërkomunal, por larg asaj që kërkon Beogradi

    Kurti për Asociacionin: Ahtisaari parasheh një bashkëpunim ndërkomunal, por larg asaj që kërkon Beogradi

    Kryeministri Albin Kurti është shprehur optimist për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Në një intervistë me DW, ai shpjegon se si do ta menaxhojë sfidën aktuale drejt këtij anëtarësimi.

    Në ndërkohë, duke folur për të drejtat e pakicës serbe dhe Asociacionin, ai “i bën me faj” paraardhësit e tij, kryeministrat Hashim Thaçi e Isa Mustafa, për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.

    “Pra, nuk i reduktojmë ne të drejtat e pakicës serbe në një formulim të Asociacionit, por në të njëjtën kohë nuk mohojmë se këtë asociacion e kanë nënshkruar paraardhësit e mi, Thaçi dhe Mustafa, njëri para 11 vjetëve dhe tjetri para 9 vjetëve”, ka deklaruar Kurti në këtë intervistë.

    DW: Zoti Kryeministër, sa optimist jeni se Kosova do të pranohet në maj në Këshillin e Evropës?

    Albin Kurti: Sipas renditjes së organizatave prestigjioze ndërkombëtare, ne kemi bërë progres. Kësaj i shtojmë edhe faktin që kemi kaluar me sukses në mbledhjen e ambasadorëve më 24 prill të vitit të kaluar dhe mbledhjen e parlamentarëve më 16 prill të këtij viti, dhe raporti nuk ka parashikuar parakushte apo kushte që nuk i kemi plotësuar. Unë jam optimist edhe për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës në mes të muajit maj për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Megjithatë ka ende dyshime, se vendimi do të shtyhet. Çfarë kontributi mund të japë Gjermania konkretisht sipas mendimit tuaj?

    Së pari, më duhet të falënderoj deputetët gjermanë që na kanë ndihmuar aq shumë dhe kanë punuar pa kursim e pa rezerva, e në veçanti do të kisha theksuar Frank Schwabe dhe Knut Abraham, të cilët mbajtën fjalim në seancën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill. Por kjo mbështetje e madhe për Republikën e Kosovës me 131 vota për, krahasuar me 29 kundër, 82 përqind në mbështetje të vendit tonë, do të duhej që të reflektohej edhe në Këshillin e Ministrave. Prandaj po punojmë që edhe Gjermania në Këshillin e Ministrave të reflektojë vullnetin e saj pozitiv edhe te të tjerët. Ne po e ndihmojmë Gjermaninë që të na ndihmojë neve dhe në këtë mënyrë Kosova të bëhet anëtare e 47-të e Këshillit të Evropës.

    Nga ana tjetër, nga kancelaritë evropiane ju kërkohet krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Si po e menaxhoni ju këtë presion?

    Ne dëshirojmë të eliminojmë disa skepticizma, që mund të ekzistojnë eventualisht deri në mes të muajit maj, por jemi në të drejtën tonë. Mos të harrojmë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ofron të drejta të gjera për pakicat, e në veçanti për atë serbe. Dhe nuk e mohojmë që paraardhësit tanë kanë bërë një marrëveshje për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por gjithçka duhet të jetë në përputhje me ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, interesin publik të republikës dhe në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve serbë. Pra, edhe plani i Ahtisaarit e ka paraparë një lloj bashkëpunimi ndërkomunal, por larg asaj që ka kërkuar Beogradi, si në Bosnjë, që tash edhe faktori ndërkombëtar, evropianët dhe amerikanët, natyrisht që e kundërshtojnë duke pasur parasysh se çfarë pasojash shkaktoi ajo në Bosnjë. Pra, nuk i reduktojmë ne të drejtat e pakicës serbe në një formulim të Asociacionit, por në të njëjtën kohë nuk mohojmë se këtë asociacion e kanë nënshkruar paraardhësit e mi, Thaçi dhe Mustafa, njëri para 11 vjetëve dhe tjetri para 9 vjetëve.

    Gerald Knaus, nga European Stability Initiative, e quan realizimin e Asociacionit në kushtet aktuale të pamundur, sepse mungon dëshira e komunave serbe për ta realizuar. A është kjo që po komunikoni edhe ju në Evropë?

    Zoti Knaus niset nga parimi demokratik se demokracia vjen nga poshtë. Nuk mund t’ua imponosh asociacionin komunave. Çka nëse komunat nuk e duan asociacionin? Pra, mendimi i tij është shumë i shëndoshë, por mendimi i tyre (i pakicës serbe, shën i red.) është ende i panjohur. Pra, ai ka të drejtë në këtë aspekt, por të gjitha këto jemi duke i trajtuar. Besoj që ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës te Kosova e kanë një partner që nuk synon vetëm të përfitojë nga Këshilli i Evropës, por të kontribuojë. Sepse sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, demokracia në Kosovë janë jo vetëm më të mirat në rajon, por edhe më të mira se në disa vende anëtare të Këshillit të Evropës.

    Megjithatë, kërkesa e perëndimorëve për Asociacionin mbetet. A keni ju një draft?

    Unë kam propozuar që ta shkruaj draftin më 18 mars në Ohër, por nuk është pranuar një gjë e tillë. Kjo është refuzuar nga Serbia. Tash, Asociacioni i komunave me shumicë serbe është në kuadër të nenit 10 të 39 marrëveshjeve që i kanë bërë paraardhësit e mi, të marrëveshjes bazike. Nuk konsideroj që është në rregull që Asociacioni të nxirret nga marrëveshja bazike, të vendoset në qendër si prioritet, dhe që marrëveshja bazike të spostohet në prapavijë. Të gjitha këto janë pjesë të diskutimeve që po i bëjmë. Ne e mbështesim raportin e zonjës Dora Bakoyannis, e cila ka qenë ministre e punëve të jashtme të Greqisë, të një shteti që vazhdon të jetë mosnjohës, dhe e cila e ka thënë qartë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që ka një marrëveshje që po shkelet nga Serbia, nuk duhet të ngatërrohet me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilin ne i kemi plotësuar të gjitha parakushtet.

    Një çështje aktuale e trajtuar edhe gjatë javës në Bruksel është ajo e dinarit. Si po e zgjidhni këtë problem?

    Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës është një rregullore e një institucioni të pavarur. Serbia nuk e ka hall që po ndalohet dinari, sepse dinari nuk po ndalohet por po ndalohet dinari si mjet pagese dhe kjo është kërkesë e nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës: Ajo ka hall që po ndalohet cash-i, paraja e gatshme. Dhe ne, për të pasur transparencë se kush kujt i dërgoi para me çfarë qëllimi, e mbështesim plotësisht këtë rregullore të BQK-së që është institucion i pavarur i Republikës së Kosovës, ndërkohë për modalitetet se si ajo të zbatohet dhe të funksionalizohet pa kurrfarë pasojash janë duke dialoguar në Bruksel dhe unë mendoj që janë në rrugë të mbarë për të gjetur një zgjidhje e cila e mundëson tranzicionin e lëmuar drejt kësaj rregulloreje, e cila jo vetëm që është e drejtë e Bankës Qendrore të Kosovës, por është rregullore e drejtë për të mirën e qytetarëve.

    Ju thatë se Kosova është një nga vendet ku të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë më të përparuarat në rajon. Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, megjithatë, flitet për probleme serioze të pavarësisë së institucioneve juridike dhe intimidim të medias. Si e komentoni raportin?

    Natyrisht që ka edhe kritika për ne, por nëse shikoni raportin e vitit 2019, sot Kosova ka progres të jashtëzakonshëm dhe ajo që mua më çudit është që në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit nuk citohet për shembull “Freedom House”, nuk citohet “Transparency International”, dhe po të citoheshin, do të duhej të lëvdohej Kosova. /DW

  • LV-ja e LDK-ja e shohin provokim stërvitjet e ushtrisë serbe afër Kosovës, kërkojnë angazhim të mos përsëritet rasti i Banjskës

    LV-ja e LDK-ja e shohin provokim stërvitjet e ushtrisë serbe afër Kosovës, kërkojnë angazhim të mos përsëritet rasti i Banjskës

    Stërvitja e ushtrisë serbe pranë kufirit të Kosovës, po shihet me shqetësim të madh nga mazhoranca e partitë opozitare. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, thonë për Ekonomia Online se stërvitje të tilla janë për konsum të brendshëm politik, teksa Serbinë e quajnë destruktive.

    Nga mazhoranca thonë se edhe shtimi i trupave të KFOR-it ndërlidhet me këto stërvitje, ndërsa nga LDK konsiderojnë se stërvitje të tilla janë si synim për të shpërfaqur “brengën” që ka Serbia për komunitetin serb në Kosovë.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, thotë për Ekonomia Online se edhe bashkësia ndërkombëtare e sheh Serbinë si faktor destabiluzues në Ballkan.

    Ai thotë se edhe shtimi i forcave të KFOR-it ndërlidhet me stërvitjet e Serbisë dhe po i marrin seriozisht këto “lëvizje provokuese të Serbisë”.

    “Është e vërtetë që Serbia ka zhvilluar një manovër, stërvitje të madhe edhe ka demonstruar forcë, ka demonstruar një lloj superioriteti që pretendon ta ketë në Ballkan. Ka testuar disa lloj armatimesh, disa lloj dronësh të cilët janë të destinuar kryesisht për sulm edhe kjo është një lëvizje e radhës pra e Serbisë e cila tani po konsiderohet edhe nga shtetet e NATO-së si faktor me potencial për të shkaktuar destabilitet. Pra vetë rritja e prezencës së NATO-së në Ballkan pra në Kosovë përreth tregon se ata po i marrin seriozisht këto lëvizje provokuese të Serbisë të cilat kryesisht janë të drejtuar drejtë demonstrimit të atyre potencialeve sulmuese të ushtrisë serbe”, thotë Dugolli.

    Në mënyrë që të mos përsëritet sulmi i 24 shtatorit në Banjskë, Dugolli thekson se institucionet kosovare janë duke punuar ngushtë me ndërkombëtarët, duke shkëmbyer edhe informata. Thotë se janë të gatshëm të përballen me çfarëdo provokimi nga Serbia.

    “Ne si institucione vendore pra Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes, Forca e Sigurisë së Kosovës, Agjencia e Inteligjencës, e kështu më radhë po bashkëpunojnë ngushtë edhe me prezencën e NATO-së këtu në Kosovë, KFOR-in EULEX-in e kështu më radhë po bashkëpunojmë ngushtë me faktorët ndërkombëtar me miqtë tanë të cilët janë këtu dhe po shkëmbejmë informacione në mënyrë që  të mos jemi të befasuar siç ndodhi pra në vitin e kaluar që e kishim një sulm me 24 shtator direkt të ardhur nga Serbia. Po punojmë në atë drejtim që të jemi të gatshëm të përballemi me çfarëdo provokimesh të llojit të tillë”, thotë Dugolli.

    E deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, thotë për Ekonomia Online se stërvitje të tilla ka pasur edhe në të kaluarën por që kërkon nga institucionet të jenë të vëmendshme dhe të jenë në koordinim me partnerët ndërkombëtar.

    Ai thotë se këto stërvitje kanë si mesazh se kinse institucionet e Serbisë po brengosën për komunitetin serb që jeton në Kosovë.

    “Është një fushë që çdo ditë evoluohet, çdo ditë ka risi, ka zhvillime të reja, por në fakt është ripërsëritje e situatave e proceseve më të cilën kemi kaluar, kur Serbia për çështje politike për konsum të brendshëm kohë pas kohë demonstron forcën e saj ushtarake policore me të cilën jep mesazh qytetareve të saj kinse për brengën që e kanë për komunitetin serb që e kanë brenda territorit të Kosovës, përkundër asaj që ata fare nuk janë të rrezikuar nga askush”, thotë Quni, teksa apelon tek institucionet kosovare që çdo veprim ta bëjnë me partnerët ndërkombëtar.

    “Të vetme çështjen që unë e kisha ngritur që Qeveria duhet të ketë në konsideratë që çdo veprim çdo aktivitet duhet të jetë mirë i bashkërenduar me partnerët tanë strategjikë. Ne jemi dëshmitarë se për disa situata, ka pas do të thotë vërejtje Kryeministri Kurti përderisa veprime që partnereve tanë i ka sjell para disa akteve të kryera”, thotë Quni.

  • Rreth 40 mijë përdorues aktiv të drogave, mosha mesatare e tyre rreth 30 vjeç

    Rreth 40 mijë përdorues aktiv të drogave, mosha mesatare e tyre rreth 30 vjeç

    Rreth 40 mijë përdorues të drogës konsiderohet se janë në Kosovë, prej tyre afër 10 mijë janë në kategorinë e përdoruesve problematikë. Kështu thonë për Ekonomia Online nga Qendra Rehabilituese “Labiyrinth” në Prishtinë. Ndërsa nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës thonë se prej vitit 2019, nuk kanë vende të lira për arsye të numrit të madh të përdoruesve.

    Sipas tyre, mosha mesatare e përdoruesve sillet rreth 30 vjeç ndërsa mosha mesatare e atyre që fillojnë të përdorin narkotikë është 16 vjeç.

    Muharrem Ademi nga Qendra Rehabilituese “Labiyrinth” në Prishtinë, ka thënë për Ekonomia Online se kjo qendër ka prezantuar situatën aktuale mbi përdorimin e drogave, ofrimin e shërbimeve dhe trajtimit të përdoruesve të drogave në Kosovë.

    “Në bazë të statistikave në bazë të punës tonë të përditshme në terren edhe kërkesave për trajtim ne aktualisht besojmë dhe vlerësojmë se në Kosovë janë diku rreth 30 mijë përdorues aktiv të drogave prej tyre janë rreth 10 mijë përdorues problematikë të drogave. Ne përdorues problematikë i quajmë personat të cilët përdorin së paku tri herë brenda javës, apo personat të cilët janë të varur prej substancave narkotike”, ka thënë Ademi.

    Ademi ka treguar se mosha mesatare e përdoruesve sillet rreth 30 vjeç ndërsa mosha mesatare e atyre që fillojnë të përdorin narkotikë është 16 vjeç.

    “Na e kemi një data bazë  ku secili person që kërkon ndihmë në qendrën tonë ne i regjistrojmë mirëpo jo secilin person ne e regjistrojmë, ne e regjistrojmë persona të cilët kërkojnë ndihmë ma të thellë edhe mjekësore ose që marrin shërbime pak më të thella jo çdo person edhe dëshiron të identifikohet. Ne aktualisht i kemi 2850 persona në databazën tonë ku prej tyre rreth 91% janë meshkuj dhe rreth 9 % janë gra dhe vajza. Mosha mesatare e gjithë këtyre përdoruesve sillet rreth 30 vjeç, ndërsa mosha mesatare e fillimet të përdorimit të drogave është 16 vjeç”, ka thënë Ademi.

    Ai ka përmendur edhe sfidat me të cilat përballen çdo ditë duke theksuar se financat janë ato të cilat u sjellin problemet më të mëdha, sepse sipas tij pasi që nuk po arrijnë të sigurojnë fonde nuk po arrijnë as t’i mbajnë profesionistët që i duhen qendrës për trajtimin e rasteve.

    “Ne sfida kemi gjithmonë. Ne si qendër punojmë si një ekip multidisiplinar, përbëhen prej psikologut punëtorëve socialë, doktorit, psikiatrit, infermierit. Jena një ekip i gjerë që kryen detyra të ndryshme. Sa i përket trajtimeve ka shumë raste që trajtohen suksesshëm. Gjithmonë ka sfida, për me braktis përdorimin e drogave nuk është edhe lehtë. Sfida ka si në aspektin  e fondeve, aktualisht ne e kemi një projekt që na financon fondi global, i marrur ky fond prej CDF-it ku detyrat kryesore janë parandalimi i Hiv-it dhe i sëmundjeve infektuese që do të thotë direkt për përdorim të drogave apo për parandalim, trajtim të drogave aktualisht nuk kemi ndonjë projekt konkret. Domethënë sfida më e madhja është financat se për shkak që me i mbajt profesionistët patjetër që duhesh me pas një fond të sigurte edhe kjo është sfidë goxha e madhe për neve”.

    “Problemet më të mëdha që i kemi janë financat. Për t’ i mbajtur profesionistët duhesh edhe me i pagu. Vitin e kaluar komuna  e Prishtinës na ka ndihmu me një projekt gjithashtu edhe ministria e Shëndetësisë na ka ndihmu me një projekt të vogël po janë projekte afatshkurta jo të qëndrueshme dhe përderisa nuk bëhet një rregullore apo një ligj i cili kishte mundësu financimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm ka me pas sfida. Aktualisht droga më e përdorur në Kosovë është kanabisi apo marihuana. Pas kanabisit vjen kokaina dhe pas kokainës vijnë këto drogat e club që quhen droga trekrative qysh janë ekstazia amfitamina. Javën e kaluar e patëm një rast ku ka disa droga të reja sintentike që për neve kenë goxha shqetësuese siç ke tusi shembull ajo drogë është kogja in nëpër Evropë dhe shtetet kryesisht në Amerikën Latine ndërsa te ne është hera e parë që është nxanë ajo lloje droge dhe është kogja shqetësuese”, ka thënë në fund Ademi.

    Nga ana tjetër Ass.Dr.sc. Shpend Haxhibeqiri drejtor i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka thënë për Ekonomia Online se prej viti 2019 Instituti i Psikiatrisë së Forenzikës së Kosovës nuk ka vende të lira për arsye të numrit të madh te personave që kanë kryer vepra penale nën ndikimin e substancave dhe nën ndikimin e ndonjë çrregullimi mendor.

    “Siç kemi thënë edhe më herët prej viti 2019 Instituti i Psikiatrisë së Forenzikës së Kosovës nuk ka vende të lira për arsye të numrit të madh te personave që kanë kryer vepra penale nën ndikimin e substancave dhe nën ndikimin e ndonjë çrregullimi mendor. Situata aktuale është bukur e vështirë për arsye se duhet të themi se nuk ka preventiva adekuate nuk janë duke punuar qendrat në mënyrë siç është dashur të punojnë andaj dhe po vijmë deri të dhuna në familje po vijmë deri te recidivizmat edhe pastaj personi me çrregullime mendore ose si pasojë e përdorimit të substancave psikoaktive po e kryejnë ndonjë vepër penale por po bjen në konflikt me ligjin dhe po përfundon në Institutin e Psikiatrisë së Forenzikës, ku tek ne për trajtim të detyrueshëm me ndalim mesatarisht pacienti qëndron nëntë muaj dhe natyrisht se pas nëntë muajsh gjendja e tij shëndetësore është shumë më e mirë është risocializu është riintegru dhe faktikisht kthehet në familje si një person jashtëzakonisht me gjendje më të përmirësuar se çka qenë dhe ai nëse ka përdorur substanca psikoaktive pas një abstinencë bukur të gjatë 6 deri në 9 muaj ka mundësi që i njëjti edhe të nxirret prej vazhdimit të përdorimit të substancave psikoaktive”, ka thënë ai.

    Specialisti Haxhibeqiri ka thesuar se asnjë pacient nuk lirohet nuk shkon në shtëpi pa u pastruar mirë.

    “Asnjë rast nuk lirohet nuk shkon në shtëpi nuk u rekomandohet gjykatave të Kosovës pa u pastru pacienti mirë dhe pa e arrit një besueshmëri se i njëjti nuk do të gabojë pra faktikisht tek ne nuk ka rast që nuk zgjidhet por është me rëndësi përkrahja motivimi i familjes një kohezion familjar dhe i njëjti që të mos motivohet dhe mos të bie ndesh me  njerëz të cilët kanë probleme të njëjta faktikisht rrjetet sociale duhet të privohen në takimin e personave që kanë problematikë të njëjtë”, është shprehur ai.

    Haxhibeqiri thënë se është një alarm jashtëzakonisht i madh sepse sipas tij janë të regjistruar rreth 40 mijë abuzues të substancave psikoaktive por këto shifra ai thotë se janë dyfish më shumë pasi që  nuk janë të regjistruar.

    “Për ne është një alarm jashtëzakonisht i madhe sipas disa informatave që ne i kem zyrtare ose jo zyrtare diku të regjistruar janë 40 mijë abuzues të substancave psikoaktive por këto shifra ne mendojmë se janë dyfish më shumë sepse normalisht të gjithë nuk janë të regjistruar dhe të gjithë nuk kanë kërkuar ende ndihmë shëndetësore ose profesionale psikiatrike psikologjike dhe një argument të iu them se para disa viteve rastet e para të cilat kemi pas dhunë në familje si pasojë e përdorimit të substancave psikoaktive ka qenë 16 vjet ndërsa tani rastet po vijnë edhe të moshës 12 vjeçare pra ai pragu i përdorimit të substancave që ka qenë ndonjëherë 16 17 apo 18 tash ka ra në moshën ende më poshtë 11 dhe 12 vjet që do të thotë se është alarmante jo vetëm për ne që punojmë në sistemin publik ose shëndetësor por për gjithë popullatën. E shoh jashtëzakonisht të rrezikshme sepse Kosovës fillimisht i mungon një institucion i veçantë për trajtimin e sëmundjeve të vartësisë ai ka filluar si një projekt në vitin 2008 është nda edhe një lokacion për trajtimin e këtyre sëmundjeve ne nuk kemi një institucion të tipit të tillë dhe faktikisht barra momentalisht në Kosovë më e madhe na bjen neve pastaj edhe institucioneve tjera si klinika ose edhe reparte edhe qendra të njohura në Kosovë si “Labirinth”, ka thënë Haxhibeqiri.

    Haxhibeqiri ka treguar edhe për bashkëpunimet që kanë me institucione e organizata duke treguar edhe për mbështetjet që kanë herë pas here.

    “Po na kemi mbështetje institucionale. Me kapacitetet të cilat i kemi ne kemi bërë kërkesë të vazhdueshme që kapacitet tona duhet të rriten por për institucion të specializuar të sëmundjeve të vartësisë ai duhet të krijohet si nga aspekti legjislativ ashtu edhe nga aspekti i ndërtesës, objektit e tjera. Ne momentalisht me 36 shtretër jemi me listë të pritjes sepse nuk kemi mundësi të pranojmë më shumë persona se që kemi shtretër. Për momentin ne kemi sfidën prioritare, është mungesa e vendeve të lira dhe e dyta mungesa e infermierëve. Vetëm këtë muaj 4 infermierë e kanë lëshuar Kosovën e kanë paraqitur kërkesën ose tërheqjen dhe kanë kërkuar të lirohen nga obligimet prej vitit 2019 ne jemi mangu 10 infermierë dhe nuk na janë zëvendësuar”, ka thënë Haxhibeqiri për Ekonomia Online.

  • Mirëpritet vendimi i BE-së që kushtëzon integrimin e Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën

    Mirëpritet vendimi i BE-së që kushtëzon integrimin e Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën

    Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë mirëpritur vendimin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian (BE) i cili ka marr vendimin përfundimtar për të ndryshuar kornizën negociuese për anëtarësim me Serbinë, duke e kushtëzuar pranimin e saj me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, raporton Ekonomia Online.

    Ata kanë thënë se ky vendim ka ardhur si rezultat i presionit që Serbia ka ushtruar mbi serbet e veriut të Kosovës që të mos marrin pjesë në procesin e votimit për shkarkimin ose jo të kryetrarëve në veri me 21 prill. Ndërkaq, njohës të politikës kanë thënë se BE-ja është duke ushtruar një politik kontradiktore, ku në njërën anë bënë presion mbi Serbinë dhe në anën tjetër, sipas tyre, Serbia është njëri nga vendet ku investojnë më së shumit BE-ja.

    Deputeti i VV-së, Driton Hyseni, ka thënë për Ekonomia Online se pavarësisht që institucionet e Kosovës kanë marr të gjitha hapat e nevojshme në përmbushjen e kërkesave të BE-së sa i përket veriut të Kosovës, BE-ja e ka parë qasjen racionale të Kosovës në këtë çështje dhe e ka parë në mënyrë të qarët qasjen shumë jo racionale të Serbisë.

    “Ju e keni parë që institucionet e Kosovës bënë të gjitha hapat e nevojshme, le të themi në përmbushjen e atyre kërkesave që zyrtarët e BE-së i vunë Kosovës sa i takon qasjes në pjesën veriore të vendit. Sidomos atij klasifikimit që zyrtarët e BE-së i bënë lë të themi situatës në veri se është e tensionuar dhe ka nevojë për masat që do ta shtensionim situatën. Institucionet e Kosovës bënë maksimumin që një gjë e tillë të ndodh. Kemi një situatë jashtëzakonisht të qetë, kemi një punë shumë të mirë te mekanizmave shtetëror, të sigurisë në pjesën veriore. Mendoj që edhe BE-ja e ka parë qasjen racionale të Kosovës sa i takon kësaj çështje, por edhe e ka parë në mënyrë të qarët qasjen shumë jo racionale të Serbisë karshi Kosovës”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se që hapa të tillë të ngjashëm duhet të ndërmerr BE-ja ne të ardhmen edhe sa i takon përfshirjes së Serbisë në përfitimin e fondeve që ka BE-ja për Ballkanin Perëndimor.

    “Do të donim që hapat të tillë BE-ja të ndërmerr vazhdimisht me qëllim që Serbisë e cila është shumë e pozicionuar kundër Kosovës, ka ambicie armiqësore ndaj Kosovës ti vazhdoj hapat e tillë dhe hapat të tillë të bëjnë trysnin dhe të arrijnë deri tekë pika ku Serbia duhet ta kuptoj qartësi se pa një fqinjësi të mirë pa një qasje racionale ndaj fqinjëve, në këtë rast ndaj Kosovës ajo nuk mund të ec përpara në rrugën integruese drejt BE-së. Konsideroj që hapa të tillë të ngjashëm duhet të ndërmerr BE-ja ne të ardhmen edhe sa i takon përfshirjes së Serbisë në përfitimin e fondeve që ka BE-ja për Ballkanin Perëndimor, për arsye se mendoj që Serbia nuk njeh këtë gjuhen e deklaratave të buta por njehë gjuhen e masave të plota”, ka thënë ai.

    Deputetja e LDK, Rrezarta Krasniqi, ka thënë për Ekonomia Online se e kanë mirëpritur këtë vendim i cili sipas saj është i vonuar dhe se do të duhej që të merrej qysh nga sulmi i 24 shtatori që bëri Serbia në Kosovë.

    Sipas saj, BE-ja këtë qëndrim e ka marr pas presionit që Serbia bëri në pjesën veriore duke dështuar procesin e votimit të 21 prillit.

    “Unë mendoj që është dashur më herët të merret ky vendim, për arsye sepse ju e dini se çfarë ka ndodhur me datën 24 shtator, se çfarë ka bërë Serbia në shtetin e Kosovës. Tash është një lajm i mirë, është dashur që edhe qeveria të punoj më shumë sepse i gjithë fokusi i datës 24 shtator është harruar. Po shpresojmë që tani BE-ja po e kupton Serbinë dhe shpresoj që edhe të hiqen masat nga BE-ja dhe të sanksionohet Serbia dhe të mos ketë integrim në proceset që ka mbetur Serbia”.

    “Gjendja ndryshoj pas mos daljes në votime në pjesën veriore dhe po shpresoj që edhe datën 24 shtatorit ta fusin aty dhe të ndëshkohet Serbia”, ka thënë ajo.

    Profesori universitar Milazim Krasniqi, ka thënë për Ekonomia Online, se BE-ja ka një politikë të pa qartë ndaj Kosovës për faktin që pesë shtet të saj ende nuk e njohin pavarësinë e saj.

    Sipas tij, BE-ja ka një politik kontradiktore pasi në njërën anë ajo “kinse” bënë presion ndaj Serbisë dhe në anën tjetër vetëm vitin e kaluar në Serbi BE-ja ka investuar katër miliard e gjysmë investime direkte.

    “BE-ja nuk ka një politik të qartë në këtë proces për vetë faktin që BE-ja në tërësinë e vetë nuk e njeh Kosovën si shtet, ka qëndrim të pa barabarte dhe kjo është njëra nga pasojat të kësaj që është prodhuar deri me tash. Kjo mënyrë jo proporcionale e raporteve në fakt e ka nxitur Serbinë që të jetë me agresive ndaj Kosovës. Unë besoj që BE-ja është jo realist në politikën e vetë që po mendon se përmes kushtëzimit të integrimit në BE mund ta nxitë Serbinë në proces sepse e vërtete është që Serbia nuk është e interesuar për pranim në BE. Vitin e kaluar ka pasur katër miliard e gjysmë investime direkte, kryesisht nga Gjermani edhe shtetet e BE-së. Pra është një politikë kontradiktore, në njërën anë shpallen se gjoja mund ti bëjnë presion, dhe në anën tjetër Serbia është njëri nga vendet ku investojnë më së shumit BE. Prandaj po them që është një politik konfuze”, ka thënë Krasniqi.

     

  • Aliu për kundërshtimin e punimeve të rrugës Kijevë-Dollc: Devijimi i rrugës është çështje teknike jo politike

    Aliu për kundërshtimin e punimeve të rrugës Kijevë-Dollc: Devijimi i rrugës është çështje teknike jo politike

    Ministri i Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka deklaruar për Ekonomia Online se kundërshtitë e banorëve të fshatrave Rixhevë, Gllarevë dhe Stapanicë të Klinës, nuk mund t’i ndalin punimet.

    Ministri i MMPHI-së, ka thënë se diskutimet për devijimin e kësaj rruge me banorët e kanë bërë para se projekti të vendoset në prokurim dhe se Ministria ka pasur takime të vazhdueshme me ta duke shqyrtuar variantet edhe problemet që dalin nga devijimi i rrugës.

    Ai ka thënë se varianti i cili është marr për bazë është më optimali dhe se ky devijim nuk është bërë për çështje politike, por sipas tij, për çështje teknike.

    “Të gjitha diskutimet gjatë kohës sa është vendos, para se të vendoset prokurimi janë kryer, ka pasur takime të vazhdueshme tek Ministria Infrastrukturës me zv.ministrin i cili aspektin teknik e njehë shumë mirë të situatës edhe i ka shqyrtuar edhe variantet edhe problemet që dalin nga devijimet e rrugëve. Varianti cili është marr për baze është konsideruar varianti më optimal dhe kjo është çështje teknike nuk është çështje politike”, ka thënë ai.

    Aliu ka thënë se me banorët tani mund të bisedohet se çka mund të kihet parasysh gjatë ndërtimit të rrugës dhe se tani punimet kanë filluar dhe se ato nuk mund të ndalen.

    “Unë mendoj se çështja e ndërtimit të rrugës është vendos edhe laborati i shpronësimit edhe rregullat e shpronësimit edhe krejt, marrëdhëniet me ta mbase mund të diskutohet se çka mund të kihet parasysh gjatë ndërtimit. Po kontratat janë nënshkruar punimet kanë filluar, ato nuk mund të ndalen”, ka thënë ai.

    Gjatë kësaj javë tre persona janë arrestuar gjatë protestave në kundërshtim të këtyre punimeve, e lëndime trupore kanë pësuar dy zyrtarë policorë dhe dy të dyshuar.