ATV

Author: G.O.

  • Bekim Jashari dhe Përparim Rama diskutojnë lokacionin për shtatoren e Adem Jasharit

    Bekim Jashari dhe Përparim Rama diskutojnë lokacionin për shtatoren e Adem Jasharit

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se kryeqyteti, së shpejti do ta ketë shtatoren e heroit të kombit Adem Jashari.

    Rama në Facebook ka bërë të ditur se sot ka takuar Bekim Jasharin, me të cilin kanë diskutuar për zgjedhjen e lokacionit për vendosjen e shtatores së heroit kombëtar.

    “Për kryeqytetin, është njëkohësisht një privilegj dhe përgjegjësi e madhe të kemi shtatoren e heroit tonë dhe të nderojmë sakrificën e familjes Jashari për lirinë që ne sot gëzojmë”, ka shkruar Rama në Facebook.

  • Të shtëna me armë zjarri në Dragash, një i plagosur

    Të shtëna me armë zjarri në Dragash, një i plagosur

    Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar sot në Dragash, ku një person ka mbetur i plagosur.

    Siç mëson Sinjali, viktima është dërguar për trajtim mjekësor me urgjencë, ndërsa i dyshuari tashmë është arrestuar.

    Akoma nuk dihen detajet e incidentit, por që tashmë Policia ndodhet në vendin e ngjarjes, ku po ndërmerren veprimet e nevojshme. Lajmin e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prizren.

  • ​11 vdekje dhe 330 aksidente në vendin e punës gjatë vitit 2023

    ​11 vdekje dhe 330 aksidente në vendin e punës gjatë vitit 2023

    Vetëm gjatë vitit 2023 kanë ndodhur 11 vdekje dhe 330 aksidente në vendin e punës, derisa janë bërë 8114 inspektime dhe janë trajtuar 53 mijë e 330 punëtorë në Republikën e Kosovës.

    Kështu u tha me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, ku është mbajtur një konferencë e organizuar nga Organizata Botërore e Punës, Inspektorati i Qendror i Punës, me ndihmën e ambasadës Suedeze dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Aty u tha se aktualisht janë mbi 60 inspektorë të punës në inspektoratin e punës.

    Ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati, ka thënë se kanë synuar fuqizimin e inspektoratit të punës, ashtu që ky i fundit të jetë dera e parë, ku punëmarrësit dhe punëdhënësit trokasin për të marrë përgjigje të nevojshme, ku adresohen ankesat e tyre për çështje të sigurisë dhe shëndetit në punë.

    “Kemi synuar fuqizimin e inspektoratit të punës, ashtu që ky i fundit të jetë dera e parë, ku punëmarrësit dhe punëdhënësit trokasin për të marrë përgjigje të nevojshme, ku adresohen ankesat e tyre për çështje të sigurisë dhe shëndetit në punë. Kemi dyfishuar buxhetin e apeluar për inspektoratin e punës, kemi siguruar hapësira të rinovuar dhe mjete të reja të punës si hapa thelbësor drejt forcimit të kapacitetit operacional dhe kemi rritur edhe numrin e inspektorëve, ku tashmë inspektorati i punës numëron edhe 41 inspektorë të rinj. Si rezultat, përgjatë vitit 2023 është trefishuar numri i inspektimeve të sigurisë dhe shëndetit në punë dhe së bashku me rritjen e numrit të inspektorëve kemi synuar rritjen edhe të cilësisë të inspektimeve.. Ne synojmë që roli i inspektoratit të jetë më aktiv po edhe reaktiv dhe këtë synojmë ta bëjmë përmes ndryshimeve ligjore të nevojshme,” ka thënë Murati.

    Ndërsa, Ambasadori Suedez në Kosovë, Jonas Westerlund, është shprehur se kjo është një temë e rëndësishme për mirëqenien e popullatës në Kosovë.

    “Rritja e aksidenteve në vendin e punës me fatalitet, kërkon veprim të menjëhershëm… Në 2022 ka pasur 15 vdekje dhe 394 lëndime, kjo është një temë e rëndësishme për mirëqenien e popullatës në Kosovë. Roli i inspektoratit të punës është i pazëvendësueshëm në këtë drejtim… Besojmë që është kërkuar ofrimi i sigurisë i punëdhënësve. Ka edhe përfitime monetare, që lidhen ngushtë me zvogëlimin e kostove dhe rritjen e proaktivitetit…Miratimin urgjent të programit qeveritar për siguri dhe shëndet në punë, meqë Qeveria po i trajton dhe tejkalon këto sfida”, është shprehur ai.

    Po ashtu, Johannes Madsen, shef i Operacioneve në Zyrën e BE-së në Kosovë ka theksuar se mbështesin Qeverinë për hartimin e legjislacionit të punës dhe pasi që të përgatiten draftet shpresojnë që të miratohen së shpejti nga Qeveria dhe Kuvendi.

    “Siguria dhe shëndeti në punë është e rëndësishme dhe prioritet i shteteve anëtare të BE-së… Ka korniza ligjore në mbarë botën. Ne e mbështesim qeverinë për hartimin e legjislacionit të punës dhe pasi që të draftet shpresojmë që ato të miratohen së shpejti nga qeveria dhe kuvendi. Fatalitetet në vendet e punës janë përkujtues i qartë për nevojën urgjente për veprim të menjëhershëm. Mbrapa çdo fataliteti qëndron një jetë…16:15 Pajisjet për punëtorë nuk janë opsionale, janë të domosdoshme dhe besojmë në parandalim”, ka theksuar ai.

    Ndërkaq, kryeinspektori i Inspektoratit Qendror të Punës, Hekuran Nikçi, ka vijuar se janë përmirësuar kushtet e punës duke avancuar në blerjen e veglave të punës, dhe duke përmirësuar ambientin e punës ku ata punojnë.

    “Inspektorati i Punës në qershor të vitit 2022, kishte një numër të vogël të inspektorëve, që ishte e pamundur të bëhet mbikëqyrja e zbatimi të ligjit për siguri dhe shëndet gjatë punës. Përgjatë vitit 2023 kemi vepruar, për të iniciuar procesin për inspektorë të rinjë, dhe nga ky proces kemi arritur të punësojmë 38 inspektorë të rinj…Kemi përmirësuar dhe kushtet e punës duke avancuar në blerjen e veglave të punës, dhe përmirësuar ambientet e punës ku ata punojnë. Numri i vdekjeve dhe lëndimeve gjatë vitit 2022 ka qenë 15 vdekje dhe lëndime 450, ndërsa gjatë vitit 2023, 11 vdekje dhe 330 aksidente. Kjo është si rezultat i shtuar të numrit të inspektimeve, ku janë arritur 8 mijë e 114 inspektime dhe të trajtohen 53 mijë e 330 punëtorë në të gjithë Republikën e Kosovës”, ka vijuar Nikqi.

    E në këtë konferencë u prezantuan edhe dy panele për ndikimet e ndryshimeve klimatike në sigurinë dhe shëndetin e punës.

  • Akil Gjakova mbetet pa medalje, mposhtet nga xhudisti bullgar

    Akil Gjakova mbetet pa medalje, mposhtet nga xhudisti bullgar

    Xhudisti kosovar, Akil Gjakova ka përfunduar garën në Kampionatin Evropian të xhudos që po mbahet në Zagreb të Kroacisë.

    Ai pësoi humbje nga xhudisti bullgar Mark Hristov më Waza-ari, në kategorinë deri në 73 kilogramë.

    Ndryshe edhe xhudisti Dardan Cena është eliminuar pasi pësoi humbje në luftën e parë nga Manuel Parlati, në kategorinë deri në 73 kilogramë.

     

  • Ndalohet 24-vjeçari kosovar në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

    Ndalohet 24-vjeçari kosovar në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

    Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se në vendkalimin kufitar “Bllacë” është ndaluar një shtetas i Kosovës.

    I njëjti, sipas njoftimit, po kërkohej nga Interpoli.

    “Dje në ora 17:20 në vendkalimin kufitarë “Bllacë” në hyrje të RMV-së, zyrtarët policorë kanë ndaluar 24-vjeçarin V.I. nga Kosova, pasi gjatë kontrollit të pasaportave dhe kontrollit në evidencat operative është konstatuar se është regjistruar me masën “arrest” me kërkesë të Interpolit të Suedisë”, njoftojnë nga MPB.

    Ai i është dorëzuar punonjësve të stacionit të policisë Kisella Vodë për procedim të mëtejshëm.

  • “Termokosi” përmbyll sezonin e ngrohjes

    “Termokosi” përmbyll sezonin e ngrohjes

    Ndërmarrja publike “Termokos” ka njoftuar se e ka përmbyllur sezonin e ngrohjes 2023-2024.

    Sipas njoftimit furnizimi me ngrohje ka zgjatur 195 ditë.

    “Në harmoni me parashikimet meteorologjike për përmirësimin e motit, NP “Termokos” SH.A. ka marrë vendim, që të përmbyllë sot sezonin ngrohës 2023/2024.Pas 195 ditësh furnizim të mjaftueshëm dhe cilësor me ngrohje për rreth 30 mijë konsumatorë, përfundon një nga sezonet më të suksesshme ngrohëse, në kuadër të cilës ndërmarrja ka shënuar një varg arritjesh në të gjitha fushat”, thuhet në njoftim.

    Sipas “Termokosit” në këtë sezon është prodhuar 7 për qind më shumë energji termike se në sezonin e kaluar.

    “Gjatë sezonit ngrohës 2023/2024 janë prodhuar rreth 328 mijë MWh energji termike apo 7% më shumë se sezonin e kaluar, nga KEK-u janë ekstraktuar 303.15 GWh energji, që në raport krahasues me sezonin ngrohës paraprak ka një rritje prej 14.6%, ashtu sikur edhe tek liferimi i energjisë termike, që ka qenë 270 GWh. Rrjeti i ngrohjes është zgjeruar edhe për 317 objekte banesore me 13.313 njësi banimi dhe me një sipërfaqe totale prej 1,122,538.00 m²”, thuhet në njoftim.

    Ky sezon ngrohës thuhet se ka qenë fazë testuese para fillimit të aplikimit të metodës së re të faturimit sipas konsumit.

    “Si rrjedhojë e testimeve, analizave e krahasimeve, që janë realizuar, tanimë mbi 1 mijë konsumatorë i kanë marrë faturat e para testuese sipas konsumit, bazuar në të cilat 33% e konsumatorëve si rezultat i kursimit të energjisë ngrohëse kanë pranuar fatura më të ulëta se ato që kanë marrë më parë”, thuhet në njoftim.

  • Dua Lipa shkëlqen me paraqitjen e saj në mbrëmjen gala “Time 100”, e ftuar si një nga 100 njerëzit më me ndikim në botë

    Dua Lipa shkëlqen me paraqitjen e saj në mbrëmjen gala “Time 100”, e ftuar si një nga 100 njerëzit më me ndikim në botë

    Dua Lipa tërhoqi vëmendjen të enjten në mbrëmje gala “Time 100” në qytetin e New Yorkut.

    Këngëtarja 28-vjeçare, e cila u pa më herët gjatë javës në qytet, mahniti të pranishmit teksa u paraqit e veshur me një fustan argjendi të me mëngë të gjata të markës “Chanel”.

    Fustani gjithashtu kishte në qendër një fjongo në formën e çelësit të zezë dhe një brosh në mes, shkruan DailyMail.

    Bukuroshja me origjinë nga Peja tregoi dekoltenë dhe nxori në pah mesin e saj të tonifikuar në këtë veshje glamuroze.

    Interpretuesja e hitit “Dance The Night” i kishte lënë gati të lirshme flokët e saj të gjatë me nuancë të kuqërremtë, të stiluar në një ndarje qendrore dhe me valë të thella.

    Për aksesorë, ajo vendosi një gjerdan të mbuluar me diamante. Ndërsa makijazhi i saj ishte i plotë duke përdorur nuancat lejla.

    Ylli i muzikës përndryshe zbuloi se ishte në kopertinën e “Time 100”, e përzgjedhur nga revista e famshme si një prej 100 njerëzve më me ndikim në botë.

    Në fotografinë e kopertinës, Dua shfaqej me flokët e lagura që binin rreth fytyrës së saj, ndërsa mbante një shprehje stoike.

    Në mbishkrimin e fotografisë në Instagram, ajo shkroi: “Faleminderit Time dhe faleminderit miqtë e mi të dashur për fjalët tuaja të mrekullueshme”.

    Postimi i saj u pëlqye më shumë se një milion herë. Ajo u fotografua nga fotografi Zhong Lin.

    Lipa u shoqërua në tapetin e kuq nga Fantasia Barrino, e cila shkëlqeu e veshur me një fustan me xixa dhe një mbulesë të përputhshme në kokë.

    Mbrëmja gala “Time 100” realizohet në kuadër të Samititi Time100, i cili u zhvillua më 24 prill. /Telegrafi/

     

     

     

     

  • Ky është efekti surprizë që ka televizori te cilësia e gjumit dhe hormonet tuaja

    Ky është efekti surprizë që ka televizori te cilësia e gjumit dhe hormonet tuaja

    Sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare në Mbretërinë e Bashkuar, një person sheh afërsisht dy orë e 17 minuta televizor në ditë. Por, pak e dinë efektin që ky zakon ka në tërësi, përtej argëtimit.

    Mike Kocsis, një ekspert i hormoneve paralajmëron se ky ritual ka ndikim të dëmshëm jo vetëm në aspektin hormonal, por edhe në cilësinë e gjumit.

    “Simptomat e ndjesisë së frikës ose emocioneve ndikojnë te njëra-tjetra. Si pasojë, trupi reagon ndaj filmave apo programeve që kanë dramë apo ngjarje, njësoj si të ishin të dashuruar,” thotë Kocsis.

    Sipas tij, rrahjet e zemrës rriten me 42%, presioni i gjakut gjithashtu, ndërsa trupi hyn në një modalitet përjetimi të jashtëzakonshëm. Sapo trupi kupton që jeni duke përjetuar diçka për shkak të asaj që po shihni në televizor, truri lëshon hormonin dopaminë.

    Dopamina është një neurotransmetues që sekretohet nga hipotalamusi i trurit. Në fakt, lëshimi i papritur i dopaminës është arsyeja pse ne ‘shikojmë me qejf’ prodhime të ndryshme televizive.

    Duket se ky zakon ndikon edhe në cilësinë e gjumit, pavarësisht asaj që shikoni në televizor.

    Kocsis thotë se: “Shumica e njerëzve janë joaktivë para televizorit, duke u fokusuar vetëm në dritën blu që lëshon nga ekrani. Drita blu shtyp prodhimin e melatoninës, pra hormonit të gjumit, duke e shtyrë trurin të besojë se është ende ditë dhe për këtë arsye gjumi vonohet”.

    Sipas ekspertëve të gjumit në Time4Sleep, mbi 50% (50.9%) e britanikëve kanë një televizor në dhomën e tyre të gjumit.

    Por, ky studim nuk fokusohet vetëm te britanikët, por njerëzit e të gjitha kombësive, duke u përqëndruar në efektet që televizori ka si në aspektin e hormoneve, por ashtu edhe në cilësinë e gjumit, citon Anabel.

    Nëse përjetoni lodhje, luhatje humori apo ankth pas shikimit për orë të gjata të televizorit, atëherë sigurohuni që të ulni orët e qëndrimit para ekranit./Telegrafi/

  • Anulohen mijëra fluturime për shkak të grevës të kontrollorëve ajrorë në Francë

    Anulohen mijëra fluturime për shkak të grevës të kontrollorëve ajrorë në Francë

    Mijëra fluturime në Francë dhe Evropë u anuluan më 25 prill, për shkak të grevës të kontrollorëve të trafikut ajror në Francë.

    Greva ka shkaktuar ndalesën më të madhe në trafikun ajror në dekada.

    Kompanitë e fluturimeve kanë përgjysmuar fluturimet në dy aeroportet kryesore në Paris, në Orly dhe Roissy Charles-de-Gaulle. Në Marsej, po ashtu, janë anuluar shumë fluturime.

    Më të prekurat janë fluturimet me destinacione të shkurtra, por edhe fluturimet e gjata janë përballur me pengesa.

    Ryanair ka raportuar se ka anuluar 300 fluturime më 25 prill, ndërkaq Easyjet dhe Transavia nga 200 secili.

    Në total, rreth 2.300 fluturime në aeroportet franceze pritet të realizohen të enjten, për dallim nga 5.200 sa ishin realizuar një ditë më parë, tha autoriteti i aviacionit civil, DGAC.

    Në mbarë Evropën, rreth 2.000 fluturime të tjera janë anuluar dhe rreth 1.000 të tjera kanë ndryshuar rrugën për të shmangur hapësirën ajrore franceze.

    Numri i fluturimeve të anuluara ishte më i larti “në 20 vjet”, sipas Augustin de Romanet, drejtor i Grupit ADP, që menaxhon aeroportet në kryeqytetin francez.

    Ai paralajmëroi se “dhjetëra mijëra dollarë” po rrezikohen nga anulimi i fluturimeve për shkak të grevës.

    Shoqata e trafikut ajror, IATA, akuzoi kontrollorët francezë se po “shantazhojnë” dhe po bëjnë kërkesa të parealiuiese.

    Greva në e kontrollerëve ajrorë vazhdoi, pavarësisht se një shoqatë e madhe e punëtorëve të trafikut ajror u tërhoq nga greva më 25 prill, për shkak se tha se do të vazhdonte negociatat me autoritetet shtetërore lidhur me kushtet e punës.

    Megjithatë, në grevë janë edhe tri shoqata të tjera./REL/

  • Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

    Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

    Në mungesë të dëshmitarëve Faton Gashi dhe Agim Hoti, është shtyrë seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Jeton dhe Nexhat Vllasaliu po akuzohen për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi. Për dy dëshmitarët, do të lëshohet urdhëresë për sjellje me shoqërim.

    Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi bëri të ditur se për dëshmitarët Gashi dhe Hoti gjykata ka dëshmi se të njëjtit nuk e kanë pranuar ftesat në mënyrë të rregullt për shkak të adresës së pasaktë.

    Gjykatësja Bytyqi tha se gjykata ka kontaktuar me dëshmitarët përmes telefonit, të cilët kanë kanë konfirmuar pjesëmarrjen, megjithatë sot nuk janë paraqitur në seancë dhe nuk kanë njoftuar për arsyen e mosprezencës së tyre.

    Në këto rrethana, seanca e sotme është shtyrë, kurse për dëshmitarët Gashi dhe Hoti, gjykata bëri të ditur se do të lëshohet urdhëresë për sjellje me shoqërim.

    Ndryshe, seancat 5 tetorit 2023 , ajo e 30 nëntorit 2023 dhe seanca e datës 23 janar 2024, ishin mbyllur me kërkesë të prokurorit Armend Hamiti.

    Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e 14 nëntorit 2022.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin, Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

    Sipas akuzës, ata fillimisht i kishin ndarë rolet dhe planifikuar veprimet dhe Jeton Vllasaliu duke shfrytëzuar besimin që i dëmtuari/i ndjeri Rexhepi kishte ndaj tij, e vë në lajthitje të njëjtin, ashtu që duke filluar nga 9 janar 2021, i kishte ofruar për shitje dy vetura, një “Range Rover” dhe një “BMW X3”, për vlerën prej 30 mijë euro.

    Tutje, thuhet se gjatë realizimit të planit te tyre, i pandehuri Jeton, më 8 prill 2021 të dëmtuarin Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali në shtëpinë e të pandehurit Nexhat ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

    Pas kësaj, aktakuza thotë se i pandehuri Jeton në mënyre tinëzare duke e ngufatur e privon nga jeta Rexhepin, duke menduar se ka me vete shumën e të hollave dhe atë në vlerë prej 30 mijë euro, siç edhe ishin marrë vesh për shitjen e veturave.

    Mirëpo, sipas aktit akuzues pas vrasjes tek viktima kishte gjetur vetëm shumën prej 8 mijë euro që i ka ndarë me të pandehurin Nexhat Vllasaliu. Pastaj, thuhet se kufomën e të ndjerit e dërgon në katin e tretë të shtëpisë dhe në pamundësi për ta varrosur e kishte mbështjellur kokën e tij me qese të zezë të najlonit, kurse tërë trupin me perden e shtëpisë së të pandehurit Nexhat dhe e kishte lidhur me një litar.

    Tutje, thuhet se veturën e të ndjerit Rexhepi e kishte dërguar në arat e fshatit Sushicë-Janjevë dhe nga aty, i pandehuri Jeton i kishte telefonuar të pandehurit Nexhat, i cili pastaj e kishte marrë me veturën e tij në rrugën që dërgon tek vendi ku e kishte lënë automjetin e të ndjerit.

    Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se në këtë mënyrë, i pandehuri Nexhat do të merrte pjesë në kryerjen e veprës dhe atë duke tentuar t’i humb gjurmët e kryerjes së veprës, ashtu siç edhe ishte planifikuar më herët.

    Sipas aktakuzës, të nesërmen herët në mëngjes më 9 prill 2021, së bashku shkojnë në shtëpinë e tyre në fshatin Vllasali tek vendi ku ishte kufoma dhe në bashkëkryerjeje e dërgojnë në vendin kodrinor-malor të quajtur Mali i Madh në Vllasali, ku i pandehuri Nexhat e kryen veprimin siç e kishin planifikuar më herët, për zhdukjen e kufomës duke e varrosur dhe duke i fshehur edhe gjurmët deri më 30 shtator 2022, kur janë gjetur mbetjet mortore që besohet se janë të të dëmtuarit Rexhepi.

    Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, të pandehurit Vllasaliu më 9 prill 2021, rreth orës 06:00 në fshatin Vllasali Novobërdë, në bashkëkryerjeje me qëllim të fshehjes së gjurmëve për veprën e kryer penale e kanë fshehur kufomën e tani të ndjerit Rexhepi, duke e varrosur në një vend që nuk është vendvarrim, gjegjësisht në vendin e quajtur Mali i Madh në Vllasali. /BetimipërDrejtësi