ATV

Author: G.O.

  • Shenjat e çrregullimeve hormonale që nuk duhen injoruar

    Shenjat e çrregullimeve hormonale që nuk duhen injoruar

    Çdo mjek thotë se me hormonet nuk bën dot shaka, sepse janë ato që na rregullojnë humorin, emocionet, sjelljen, paraqitjen dhe marrëdhëniet me të tjerët.

    Kjo është arsyeja përse çrregullimet hormonale shkaktojnë një sërë ndryshimesh thelbësore në organizëm dhe në shëndetin tonë.

    Më poshtë do të gjeni 8 simptomat më të zakonshme të çrregullimeve hormonale dhe dëmit në shëndet:

    Shtimi në peshë
    Çrregullimet hormonale shkaktojnë shtim në peshë, pavarësisht përpjekjeve tuaja për t’u ushqyer shëndetshëm dhe për të kryer aktivitet të rregullt fizik.

    Rënie të flokëve
    Rënia e flokëve është një nga simptomat më të zakonta të çrregullimeve hormonale dhe nuk duhet injoruar.

    Djersitja e tepërt
    Nëse djersitni më tepër seç duhet, atëherë me siguri jeni të prekur nga çrregullimet hormonale dhe duhet të vizitoheni tek një mjek.

    Ndryshimet në përmasat e gjirit tek femrat.

    Niveli i pakët i estrogjenit, pakëson dendësinë e indeve të gjirit. Nivelet e rritura të estrogjenit mund të shkaktojnë gjendra ose ciste në gjoks.

    Lodhje dhe plogështi
    Kur hormonet nuk janë në nivelet e duhura, atëherë do të prekeni nga lodhja dhe plogështia kronike e pazakontë.

    Në këto raste duhet të konsultoheni me një mjek për të kontrolluar nivelet e progesteronit në gjak.

    Fytyrë me akne
    Kujdesi i mangët për lëkurën, ushqyerja e keqe dhe çrregullimet hormonale janë tre prej shkaktarëve të akneve në fytyrë.

    Nëse trajtimet kundër akneve nuk kanë rezultat, atëherë me siguri bëhet fjalë për çrregullim hormonal.

    Rrathët e zinj të syve
    Çrregullimet hormonale shkaktojnë pagjumësi dhe probleme me gjumin.

    Një gjë e tillë rezulton në rrathë të zinj të syve.

    Rrathët e zinj vijnë si pasojë e nivelit të ulët të testosteronit tek meshkujt dhe progesteronit tek femrat.

    Depresion dhe ankth
    Depresioni dhe ankthi janë rezultat i çrregullimeve hormonale.

    Ato janë të ndërlidhur me shtatzëninë, menopauzën dhe ciklin menstrual si pasojë e çrregullimeve hormonale.

    Ushqimet e shpejta nxisin çrregullime hormonale
    Një raport i fundit, të cilit i referohet AgroWeb.org, njerëzit që konsumojnë ushqime të shpejta kanë në trupin e tyre një nivel më të lartë kimikatesh të rrezikshme.

    Këto kimikate kanë pasoja të rënda dhe afatgjata tek njeriu.

    Tek meshkujt ato rrisin nivelin e estrogjenit që sigurisht është shumë i dëmshëm.

    Për femrat, konsumimi i tyre çon në rritjen e mundësisë së zhvillimit të qelizave të dëmshme.

    Përveç konsultave me mjekun, ekspertët këshillojnë konsumin e më shumë frutave dhe perimeve dhe sa më pak ushqime të shpejta dhe të paketuara./AgroWeb.org

  • Dua Lipa publikon albumin e tretë në karrierë “Radical Optimism”

    Dua Lipa publikon albumin e tretë në karrierë “Radical Optimism”

    Ylli i muzikës me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, ka shënuar sot (e premte) një tjetër kapitull të rëndësishëm në karrierën e saj muzikore me lansimin e albumit të saj më të ri me titull “Radical Optimism”.

    Ky album vazhdon rrugëtimin e saj të mbresëlënëshëm pas suksesit të jashtëzakonshëm të dy albumeve të para, “Future Nostalgia” (2020) dhe albumit debutues të saj në vitin 2017, me titull “Dua Lipa”.

    “Radical Optimism” përmban një koleksion prej 11 këngësh, përfshirë edhe hitet që tashmë kanë bërë jehonë si “Houdini”, “Training Season” dhe “Illusion”, të cilat janë të njohura nga publiku pasi u publikuan disa muaj më parë.

    Në një postim në llogarinë e saj zyrtare në Instagram, Dua Lipa ka shpërndarë disa fotografi ekskluzive nga prapaskenat e përgatitjes së albumit, duke ndarë emocionet e saj me ndjekësit.

    Ajo shprehu ndjenjat e saj në mbishkrimin e fotografive duke shkruar: “RADICAL OPTIMISM ËSHTË I JUAJI! Shumë e mirënjohur për atë që ky album më ka dhuruar gjatë kohës së shkrimit dhe jam kaq e lumtur/e lehtësuar/e entuziazmuar/e trembur/po qaj/po vërshëlloj që më në fund është i juaji. Ju dua dhe faleminderit për gjithë mbështetjen në çdo hap të rrugës”.

    Me këto fjalë, Dua Lipa thekson lidhjen e saj të ngushtë me fansat dhe falënderon secilin prej tyre për mbështetjen e pandërprerë. Albumi i ri “Radical Optimism” pritet të sjellë një përmbledhje të mahnitshme të zërave dhe tekstshkrimit të Dua Lipës dhe të vazhdojë të forcojë praninë e saj në skenën botërore të muzikës pop. /Telegrafi/

     

  • Enver Sekiraqa dënohet me 25 vite burgim

    Enver Sekiraqa dënohet me 25 vite burgim

    Gjykata e ka dënuar Enver Sekiraqën me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, , por ai lihet ne liri deri ne plotfuqishmërinë e vendimit. Gjykata ia ndërprenë masën e arrestit shtëpiak.

    Në seancën e fundit, më 29 prill, Prokuroria kishte kërkuar dënimin e Sekiraqës derisa ky i fundit kishte deklaruar se me ish-policin s’kishte pasur probleme më herët.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

    Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

    Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

    Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

    Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

    Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthejë në paraburgim Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

    Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

    Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

    E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

    Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

    Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

    Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

    Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

    Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim. /BetimipërDrejtësi

  • ​Hoti: Në tri vitet e fundit shënohet regres në zhvillimin ekonomik e social

    ​Hoti: Në tri vitet e fundit shënohet regres në zhvillimin ekonomik e social

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se lufta e Qeverisë në tri vitet e fundit ndaj mediave, sindikatave, bizneseve dhe ndaj çdokujt që ka qenë kritik ka degraduar demokracinë në vend, zhvillimin ekonomik dhe për barazinë sociale.

    Reagimi i Hotit, vjen pasi Organizata “Reporterët Pa Kufij” ka publikuar Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit me ç’rast Kosova ka zënë vendin e 75 për dallim nga viti i kaluar që ishte në të 56-të, duke shënuar kështu rënie për 19 vende.

    “E kemi ngritur këtë shqetësim në vazhdimësi. Tani po dëshmohet nga tri raporte ndërkombëtare, të cilat i pranuam këto ditë: nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nga Freedom House dhe së fundmi nga “Reporterët pa Kufij”. Secili raport më negativ se tjetri. Ky i fundit, që merret me lirinë e mediave, na rendit për 19 pozita më poshtë. E vërteta është se që nga shpallja e pavarësisë, Kosova është ballafaquar me sfida në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, në luftimin e korrupsionit, në fuqizimin e mediave dhe shoqërisë civile dhe në avancimin e dialogut social”, ka shkruar Hoti.

    Sipas tij nga viti në vit është shënuar progres dhe Kosova ka qenë e renditur ndër vendet me demokracinë më funksionale në rajon. Derisa sipas Hotit në tri vitet e fundit, është shënuar regres në çdo dimension të zhvillimit ekonomik e social.

  • Ambasada amerikane: Një demokraci e fortë inkurajon një shtyp të lirë

    Ambasada amerikane: Një demokraci e fortë inkurajon një shtyp të lirë

    Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ambasada amerikane në Prishtinë thotë se demokracia e fortë e inkurajon shtypin e lirë, i cili mban përgjegjës udhëheqësit.

    “Një demokraci e fortë inkurajon një shtyp të lirë – atë që e mban publikun të informuar, mundëson një shumëllojshmëri zërash dhe i mban udhëheqësit përgjegjës”, ka shkruar ambasada në X.

  • Osmani: Liria e shtypit është e drejtë themelore e njeriut

    Osmani: Liria e shtypit është e drejtë themelore e njeriut

    Presidentja Vjosa Osmani në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ka thënë se mbështet dhe inkurajon gazetarët.

    “Lajmet e rreme minojnë demokracinë e paqen e në raste të caktuara edhe sigurinë e qytetarëve dhe sigurinë nacionale, ndaj nevoja për t`iu kundërvënë atyre është më e madhe se kurrë dhe në funksion të mbrojtjes së të vërtetës”, ka thënë Osmani.

    “Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit mbështesim dhe inkurajojmë gazetarët, sikurse edhe riafirmojmë angazhimin tonë për ta mbrojtur të drejtën e tyre për të raportuar pa frikë dhe censurë, si dhe për ta mbrojtur sigurinë e tyre kur ata raportojnë nga vende ku ka mungesë sigurie. Siç u dëshmua edhe pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator 2023 dhe ditët që pasuan, roli dhe raportimi i mediave ka qenë kyç në mënyrë që institucionet e Kosovës të mund ta dëshmojnë para botës të vërtetën rreth atij sulmi.

    Në një periudhë të mbingarkesës me informacione dhe kur po kërcënohen paqja e stabiliteti në botë dhe në rajonin tonë, beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave nuk ka qenë kurrë më urgjente.

    Lajmet e rreme minojnë demokracinë e paqen e në raste të caktuara edhe sigurinë e qytetarëve dhe sigurinë nacionale, ndaj nevoja për t`iu kundërvënë atyre është më e madhe se kurrë dhe në funksion të mbrojtjes së të vërtetës.

    Këtë betejë duhet ta bëjmë bashkë, institucionet, gazetarët dhe shoqëria civile, ngase vetëm bashkërisht mund ta mirëmbajmë një ambient ku e vërteta mbizotëron ndaj lajmeve të rreme dhe ku media është e lirë ta përmbushë rolin e saj si mbrojtëse e demokracisë dhe e të drejtës së qytetarëve për të qenë të mirinformuar”, ka thënë ajo.

  • Franca vlerëson se 150.000 ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë

    Franca vlerëson se 150.000 ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë

    Franca vlerëson se 150.000 ushtarë rusë janë vrarë gjatë pushtimit të Ukrainës, të nisur nga Moska, tha ministri i Jashtëm, Stephane Sejourne.

    Në një intervistë për gazetën e pavarur, Novaya Gazeta Europe, Sejourne tha se sipas vlerësimit të Parisit numri i përgjithshëm i viktimave ruse gjatë luftës, përfshirë të plagosurit, është 500.000.

    Pushtimi rus i Ukrainës tashmë ka hyrë në vitin e tretë.

    “Evropa dhe partnerët e saj do të vazhdojnë të jenë të bashkuar dhe të vendosur për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Veçse është i dukshëm dështimi i ushtrisë ruse. Ne vlerësojmë se ushtria ruse ka humbje prej 500.000, përfshirë 150.000 të vdekur”, tha ai.

    “E gjithë kjo për çfarë?”, pyeti Sejourne. “E gjithë kjo mund të përmblidhet shkurt: për asgjë”, tha ai.

    Rusia nuk i ka bërë publike humbjet e pësuara gjatë luftës kundër Ukrainës.

    Në muajin shkurt, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se 180.000 trupa ruse janë vrarë gjatë luftës.

    Britania ka vlerësuar se afër 450.000 rusë janë vrarë ose plagosur në Ukrainë.

    Në prill, transmetuesi publik britanik, BBC, ka raportuar se më shumë se 50.000 pjesëtarë të ushtrisë ruse kanë vdekur. Këtë shifër, kjo media e ka bazuar në gazetarët e saj, vullnetarët dhe në grupin e pavarur medial, Mediazona.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi për nisjen e “operacionin e posaçëm ushtarak” më 24 shkurt 2022, dhe që atëherë, lufta është shndërruar në një mizori të përgjakshme që e ka izoluar Rusinë nga Perëndimi.

    Disa analistë ushtarakë besojnë se Rusia mund të jetë në prag të nisjes së një ofensive të re të madhe në Ukrainë.

    Novaya Gazeta Europe u themelua nga gazetarët e gazetës kryesore të pavarur të Rusisë, Novaya Gazeta, pak pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës./REL/

  • Mrekullia e shushunjave për rigjenerimin e lëkurës

    Mrekullia e shushunjave për rigjenerimin e lëkurës

    Nuk është më sekret që bukuria e yjeve, prej vitesh është pasojë e produkteve natyrore. Një nga terapitë më të mira, më të shtrenjta e më të pazakonta është terapia e shushunjave.

    Historia e trajtimit të tyre është shumë e gjatë, fillimet i ka në mjekësinë popullore të Indisë, rreth 1000 vite para erës sonë. Ekzistojnë rreth 600 lloje shushunjash, por vetëm 15 prej tyre përdoren në mjekësi për kurime të ndryshme.

    Shushunjat mjekësore përmbajnë rreth 60 proteina të ndryshme dhe ditët e sotme është një terapi që po gjen përdorim të gjerë, sidomos nga të famshmit.

    Demi Moore është shembulli më i mirë që i nënshtrohet kësaj terapie dhe që nuk do të dijë për vitet që ikin.

    Jo të gjitha shushunjat janë thithëse gjaku. Shumë prej tyre janë mishngrënëse, të cilat hanë krimba toke. Këta të fundit janë zëvendësuesit e shushunjave.

    Shushunjat kanë veti të të injektojnë nëpërmjet pickimit një serum anti-mpikës në trup për të parandaluar koagulimin e gjakut.

    Në fakt, pickimi i tyre është pa dhimbje, pasi më parë lëshon enzima, njëlloj sikur mpihesh nga një anestezi natyrale.

    Pështyma e shushunjave përmban një mori lipidesh (yndyrash), të cilat janë përbërësit kryesorë aktivë në një gamë të gjerë të produkteve të kujdesit të lëkurës.

    Acidet fosfatidike dhe acidet yndyrore përfaqësojnë përqindjen më të madhe të lipideve në pështymën e shushunjave. Në veçanti, aplikimi gjatë ditës është shumë rezultues për rigjenerimin e lëkurës.

    Enzimat e shumta që përmbajnë shushunjat (Hirudo medicinalis) ndihmojnë në shërimin e shumë sëmundjeve që kanë lidhje me gjakun.

    Nëpërmjet këtyre specieve kurohen sëmundje të ndryshme si: trombozat, reumatizmat, dhimbjet e pjesshme të trupit, suadhet dhe gjëndrat e ndryshme në trup që papritur infektohen apo shfaqen tek njerëzit.

    E testuar shkencërisht, terapia me shushunja mbetet mënyra më e mirë për trajtimin e tyre pa efekte anësore. Shushunjat lëshojnë sekrecione që përmbajnë antioksidantë, hollues gjaku (Hirudinë) dhe katalizatorë biologjikë, që përshpejtojnë shërimin e lëkurës.

    Të gjithë këta elementë ndihmojnë në qarkullimin e gjakut në fytyrë dhe kurimin e gjëndrave yndyrore të dëmtuara, të cilat janë dy ndër shkaqet kryesore që nxisin dhe rëndojnë gjendjen e akneve në lëkurë.

    Një tjetër element që gjendet në sekrecionet e tyre është antibiotiku natyral, një element që shkenca është përpjekur ta riprodhojë në kushte laboratorike dhe thuajse gjithmonë ka dështuar.

    Për më tepër, terapia me shushunjat është mjaft e thjeshtë dhe nuk shoqërohet me dhimbje, por vetëm me hemorragji të lehta që shërbejnë për qarkullimin e gjakut dhe stimulojnë prodhimin e tij. /Telegrafi/

  • Përfaqësues të PDK-së takojnë strukturat në Ferizaj, bisedojnë rreth qeverisjes në vend

    Përfaqësues të PDK-së takojnë strukturat në Ferizaj, bisedojnë rreth qeverisjes në vend

    Agim Aliu kryetar i komunës së Ferizajt ka takuar strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë.

    Aliu ka thënë se janë takuar edhe me kolegët drejtues të nivelit qendror të PDK-së me të cilët kanë  biseduar rreth mobilizimit dhe angazhimit për alternativën e qeverisjes me vendin.

    “Në takim me strukturat drejtuese të familjes sonë politike – Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj, ku mirëpritëm kolegët drejtues të nivelit qendror të Partisë e bashkëbiseduam për mobilizimin, angazhimin tonë të drejtpërdrejt për alternativën e qeverisjes me vendin”, ka shkruar kryetari Aliu.

  • Sot shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit

    Sot shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit

    3 Maji është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit që nga viti 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

    Me këtë rast Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës bashkë me Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Komisionin e Pavarur për Medie, do të mbajë një diskutim për sfidat e ruajtjes së standardeve profesionale dhe kodit të etikës gjatë raportimit duke filluar nga ora 11:00.

    Diskutimi mbahet në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar, ku aktualisht është edhe e hapur ekspozita e karikaturave për Lirinë e Medias të Ambasadës holandeze në Kosovë.

    Në raportin vjetor të Organizatës Botërore “Reporterët pa Kufij” për vitin 2023, Kosova është ngritur për pesë vende (56) në krahasim me vitin 2022, kur renditej në pozitën 61.