ATV

Author: G.O.

  • Përurohet shtatorja e Skënderbeut në Gjakovë

    Përurohet shtatorja e Skënderbeut në Gjakovë

    Në prag të ditëlindjes së Gjergj Kastriot – Skënderbeu, por edhe në vigjilje të 25-vjetorit të çlirimit të Gjakovës, në këtë qytet, u përurua shtatorja e Skënderbeut.

    Me këtë rast në një ceremoni të organizuar në Gjakovë, deputetë, zv.ministra e kryetarë të komunave, vlerësuan lartë veprën dhe figurën e heroit kombëtar, Skënderbeu.

    Skulptor i kësaj vepre është Tal Istrefi, ndërkaq ideator dhe financues Gjergj Prenkoqaj.

  • ​Festimi madhështor i ditëlindjes së Skënderbeut në Prishtinë më 6 maj

    ​Festimi madhështor i ditëlindjes së Skënderbeut në Prishtinë më 6 maj

    Organizata Shqiptaria dhe Korporata Kryeziu, në bashkëpunim me shoqatat simotra Kufijtë e Arbrit, Lëvizja e Deçanit, dhe mbështetur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe Shoqata Artistët për Artistë, do të organizojnë festimet për datëlindjen e heroit të madh kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeu, duke filluar nga ora 11:00 deri në orët e vona të natës në sheshin që mban emrin e heroit tonë të madh në Prishtinë.

    Eventi do të nisë me një simpozium shkencor në Instituti Albanologjik, ku studiues të ndryshëm do të prezantojnë kumtesa rreth gjetjeve të reja për jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit. Ky simpozium do të ndiqet nga hapja e një ekspozite arti, ku artistët shqiptarë do të paraqesin veprat e tyre të dedikuara heronjve kombëtarë.

    Programi vazhdon me një varg aktivitetesh festive dhe artistike që përfshijnë arritjen e maratonistëve me pishtarin e lirisë nga Prekazi, performancat e aktorit të madh shqiptar Xhevat Limani si Skënderbeu, si dhe prezantime nga klubi i pilotëve me paragllajd.

    Pasdite do të ketë paraqitje të këngëtarëve dhe ansambleve tradicionale shqiptare, duke përfshirë emra të njohur si Shkurte Fejza dhe Nikollë Nikprelaj, e shume këngëtarë të tjerë, si dhe performancat e grupeve të muzikës rock dhe pop deri në orët e vona të natës.

    Ky festim është një rast për të nderuar trashëgiminë dhe kontributin e Skënderbeut në historinë dhe kulturën shqiptare, si dhe për të festuar unitetin e popullit shqiptar.

    Skënderbeu (1405-1468) konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës dhe si modeli i rezistencës së krishterë ndaj otomanëve myslimanë.

  • Ministri Aliu zotohet se punimet në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë do të përfundojnë brenda afateve

    Ministri Aliu zotohet se punimet në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë do të përfundojnë brenda afateve

    Për më shumë se 10 vite, kanë nisur punimet në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.

    Punimet në këtë rrugë, shpesh herë janë ndërprerë, ndërsa ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, thotë për Ekonomia Online se punimet po vazhdojnë me intensitet të lartë.

    “Aktualisht jemi në proces të mirë të punimeve. Punimet po vazhdojnë me një intensitet të lartë, pra pasi është nënshkruar kontrata e re punët po ecin mirë”, thotë Aliu.

    Tutje ai bëri të ditur se rezultatet e punimeve do të shihen shumë shpejt.

    “Shpronësimet janë kryer të gjitha. Të gjitha problemet teknike janë eliminuar, nuk ka ndonjë pengesë që do mund të bënte që të ngecin punët. Kështu që presim edhe rezultate të shpejta por besoj që brenda një kohe shumë të shpejtë pjesën e segmentit që e lidhë pjesën e Vushtrrisë me Prishtinën do ti kemi të përfunduara e pastaj edhe pjesën tjetër deri në Gojbulë e që gjithçka do realizohet brenda afateve”, thotë Aliu.

    Afati kohor që i është dhënë kompanisë ndërtuese për këtë magjistrale është 25 muaj ndërkaq projekti i saj ka kosto në vlerë prej 25 milionë euro, si fond i siguruar me huamarrje nga fondi ndërkombëtar OPEC për zhvillim ndërkombëtar dhe Fondi Saudit për Zhvillim.

  • Gashi në Ditën e Botërore të Zjarrfikësve: Kërkojmë plotësimin e kërkesave

    Gashi në Ditën e Botërore të Zjarrfikësve: Kërkojmë plotësimin e kërkesave

    4 Maj njihet si Dita Ndërkombëtare  e Zjarrfikësve, e cila nderon zjarrfikësit për shërbimin e tyre në këtë profesion të rrezikshëm duke u dalë në ndihmë qytetarëve.

    Në Kosovë kjo ditë po shënohet me disa aktivitete nga Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë, duke parakaluar me automjete e tyre nëpër rrugët e kryeqytetit.

    Në shënimin e ditës së zjarrfikësve, ka marrë pjesë edhe drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica.

    “ Jemi mbledhur për të nderuar juve rojtësit e sigurisë, ju jeni model i përkushtimit, guximit për brezat të tërë. Zotohemi të mbështesim misionin dhe mirëqenien e zjarrfikësve.  Edhe kryetari Rama ka dhënë përkrahje të palëkundur ndaj zjarrfikësve”, ka thënë ai.

    Komandanti i Brigadës në Prishtine,  Malë Gashi tha se pavarësisht sfidave, zjarrfikësit nuk do të ndaen në misionin e tyre për shpëtim.

    “Jemi këtu për të nderuar të gjithë zjarrfikësit që çdo herë janë  në krye të detyrës dhe janë në rrezik për jetë. Ne duhet të jemi me krye të detyrës pavarësisht kushteve sepse ky mbi gjitha është misioni ynë. Por, ne nuk do të ndalemi për t’i adresuar kërkesat tona për shumë çështje  për këtë shërbim”

    Ndërsa Kryetar i sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka, theksoi se kjo ditë ata i gjen me probleme sikurse statusi i padefinuar i zjarrfikësve.

  • Ish-deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku aderon në Nismën e Fatmir Limajt

    Ish-deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku aderon në Nismën e Fatmir Limajt

    Ish-deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku sot zyrtarizoi aderimin në Nismën e Fatmir Limajt.

    Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se sot këtij subjekti po i bashkohet një grua, profesoreshë e Universitetit, një poete, anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe aktiviste e hershme, humaniste, Xhevahire Izmaku.

    “Kemi një lajm të jashtëzakonshëm, sot për NISMËN për aktivistët tanë, dashamirët e miqtë e NISMA, sot NISM-ës po i bashkohet një grua, proferoreshë e Universitëtit, një poete, anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe aktiviste e hershme, humaniste, Xhevahire Izmaku. Unë kam pas fatin që të punoj shumë me këtë zonjë të nderuar sidomos në paralment e qeveri. Fal saj në një kohë kur patëm nisur rindëritmin e Kosovës  me maininë për ta nxjerru Kosovën nga balata, profesoresha e ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si detyrë që e ka pasur edhe në zonën e Vushtrrisë dhe Mitrovicës gjatë vitetve 2008-2010”, ka thënë Limaj.

    Ai ka shtuar se nuk e kanë ndryshuar pasionin për ndërtimin e vendit dhe se e ruajnë fuqishëm atë ide për ta shtyer më tutje.

    “Ne jemi me pasion, me ideale e ëndrra për ta ndërtuar e zhvilluar vendin tonë. Nuk e kemi ndryshuar pasionin tonë për ndërtimin e vendit. Ne ruajmë fuqishëm atë ide për ta shtyer më tutje sepse ne besojmë që Kosova duhet të ketë njerëzit e vetë profesionalisht të përgatitur me përvojë dhe që e duan vendin e tyre”, ka thënë ai.

    Ndërsa e sapo aderuara në NISMA Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku ka thënë se po e rifillon aktivitetin e saj politik aty ku e ka lënë dhe e ka filluar para 25 vitesh.

    “Unë po ndihem shumë e vlerësuar, unë vetëm po e rifilloj aktivitetin tim politik aty ku e kam lënë dhe e kam filluar para 25 vitesh. Ne ishim bashkë në nismat politike, në organizimet politike që kishte të bënte me një koncept politik që lidh një ADN të përbashkët me të cilën sot po e vazhdoj aktivitetin politik. Do ta përdor energjinë time, energjinë e akumuluar dhe potencialin profesional dhe politik që kam për ta fuqizuar NISME Socialdemokrate. Politika  Socialdemokrate kanë qenë edhe angazhimi im si deputete”, ka thënë ajo.

    Izmaku ka shtuar se energjia e saj përputhet komplet me energjinë e Limajt.

    “Veçanërisht te Limaj e shohë ADN-ën e vërtetë të konceptit politik si trashëgimi të luftës çlirimtare, ky është qëllimi kryesor që unë edhe energjia ime përputhet komplet me energjinë e Limaj”,  ka thënë Izmaku.

  • Gjashtë të plagosur nga sulmet ruse me dronë në Ukrainë

    Gjashtë të plagosur nga sulmet ruse me dronë në Ukrainë

    Të paktën gjashtë persona janë plagosur si rezultat i sulmeve me dronë që Rusia kreu gjatë natës në rajonin verilindor ukrainas të Harkivit dhe atë qendror të Dnipropetrovskit, thanë zyrtarët rajonalë.

    Forcat ajrore ukrainase thanë më 4 maj se 13 dronë të lëshuar nga Rusia janë rrëzuar, por zyrtarët rajonalë thanë se nga fragmentet e dronëve të rrëzuar u plagosën qytetarë dhe u dëmtua infrastruktura kritike, si dhe ndërtesat tregtare dhe rezidenciale.

    Guvernatori i Harkivit, Oleh Synyehubov, shkroi në Telegram, se një fëmijë 13 vjeç dhe një grua janë dërguar në spital për trajtim pas plagëve të marra gjatë sulmeve.

    Ekipet emergjente kanë shuar zjarrin në një ndërtesë të goditur nga fragmentet e dronëve të rrëzuar, por situata është nën kontroll, shtoi Synyehubov.

    Dy persona janë plagosur në rajonin e Dnipropetrovskit, sipas guvernatorit, Serhiy Lysak. Ai tha se tri shtëpia po ashtu janë dëmtuar.

    Së fundi, Rusia ka intensifikuar sulmet e saj në rajonin e Harkivit, kryeqyteti i të cilit gjendet 30 kilometra nga kufiri rus. Trupat ukrainase rimorën pjesë të mëdha të territorit të këtij rajoni vjeshtën e vitit 2022.

    Harkivi është shënjestruar nga dronët dhe raketat ruse pothuajse çdo ditë për muaj të tërë, duke rritur frikën se Moska është duke planifikuar që të nisë një fushatë për ta rimarrë këtë territor.

  • Tërmet në Shkup, kaq ishte magnituda

    Tërmet në Shkup, kaq ishte magnituda

    Një tërmet është raportuar në Shkup pas mesnatës rreth orës 01:39.

    Rrjeti telemetrik sizmologjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut bën të ditur se tëmeti me magnitudë 1.9 shkallë të Rihterit epiqendrën e kishte në zonën e epiqendrës së Shkupit.

    Sipas të dhënave të deritanishme, tërmeti është ndjerë nga popullata e qytetit të Shkupit dhe rrethinës.

  • Kosova pa institucion të veçantë për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, shqetësuese devijimi social

    Kosova pa institucion të veçantë për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, shqetësuese devijimi social

    Kosova nuk ka institucion të veçantë për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale. Viktimat marrin shërbime të përkohshme, por pa trajtim adekuat. Njohës të shërbimeve sociale thonë se të miturat mund të kalojnë edhe në prostitucion meqë nuk arrijnë të rehabilitohen e as riintegrohen. Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë zotohet se brenda vitit do të themelohet qendra e parë për trajtimin e këtyre rasteve.

    Vetëm gjatë vitit të kaluar janë dhunuar seksualisht 90 persona, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

    “Gjatë vitit 2023 janë ngacmuar seksualisht 76 persona. Ka pasur tentativë për dhunim ndaj shtatë personave, të kryera 90 raste. Janë sulmuar seksualisht 65 persona, ndërkaq ka qenë një rast i tentativës”, thuhet në përgjigjen së Policisë së Kosovës.

    Vebi Mujku, i cili udhëheq Institutin për Zhvillimin e Politikave Sociale thotë se shteti ende nuk e ka kuptuar rëndësinë e trajtimit të këtyre rasteve.

    “Qasja ndaj viktimave të dhunës seksuale, me theks të veçantë, ende nuk është kuptuar mirë nga institucionet përgjegjëse të shtetit. Sepse, shumë herë përzihen me viktimat e trafikimit, viktimat e dhunës në familje dhe në forma të tjera të dhunës. Mirëpo, dhuna seksuale, me theks të veçantë dhunimi seksual tek të miturat është një dukuri jashtëzakonisht shqetësuese në shoqërinë tonë sepse kemi devijim social në shoqëri, sidomos viteve të fundit ku kemi një numër të madh të rasteve, nuk është kuptuar ende”, deklaron Mujku.

    Njohësi i politikave sociale dhe shërbimeve sociale shton se Kosova ka nevojë për themelimin e qendrës për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.

    “Kosova ka nevojë që ta ketë një qendër, e cila qendër do të trajtojë në mënyrë të specializuar. Aktualisht as institucioni si Qendër për Punë Sociale, as strehimoret aktuale nuk janë të përgatitura që të trajtojnë këto raste në shtigje afatgjate. Kryesisht ofrohen disa shërbime disa ditore ose javore, mirëpo rehabilitimi i këtyre rasteve kërkon një kohë shumë më të gjatë dhe një përkushtim profesional shumë të gjatë. Pse e themi këtë? Pikërisht për shkak të faktit që në shumicën e rasteve viktimat e dhunës seksuale, me theks të veçantë të miturat mund të kalojnë edhe në prostitucion në mungesë të trajtimit adekuat”, shton ai.

    Qendra për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) për më shumë se dy dekada trajton rastet e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Po ashtu, ofrojnë shërbime direkte për fëmijët e atakuar nga ngacmimet apo dhuna seksuale. Feride Rushiti, e cila udhëheq këtë qendër thotë se viktimat e dhunës seksuale po kalojnë nga një derë në tjetrën.

    “Është shumë e rëndësishme me qenë një institucion i tillë ku i përmban gjitha profilet e mundshme të shërbimeve, për faktin që kur ndonjë një krim i tillë sidomos kur flasim për mosha të tilla, për vajza të reja, ne kemi moshë shtatë vjeçe, nëntë vjeçe, 11 vjet, 16 vjet e raste të tjera, familjarët e kanë të vështirë për të ditur ku të referohen edhe ku të kërkojnë ndihmë. Duke e pasur një qendër referente, vetëm për viktimat e dhunës seksuale në rrethana aktuale, natyrisht e dinë edhe institucionet përcjellëse, qoftë policia, qoftë Qendra për Punë Sociale, qoftë mbrojtësit e viktimave, por edhe familjarët ku ta dërgojnë rastin, ekzaminimet e nevojshme, ekzaminimet forenzike dhe referimi për institucionet e tjera. Derisa në këto rrethana qysh mund të ndodhë që rasti kalon prej një dere në derën tjetër”, shprehet Rushiti.

    E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu zotohet se këtë vit do të themelohet qendra për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.

    “Kjo është në planin tonë të punës për vitin 2024. Ne e kemi diskutuar këtë çështje edhe në grupin ndërministror kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Dhe një nga aktivitetet e këtij viti do të jetë themelimi i kësaj qendre që del nga strategjia për parandalim dhe adresim të dhunës në familje, dhunës mbi bazë gjinore, por sikur edhe nga Konventa e Stambollit. Në këtë drejtim do të mbështetemi nga OSBE dhe nga EULEX-i si dy partnerë kyç të Ministrisë së Drejtësisë. Ekspertët e këtyre dy organizatave do të merren me rastin ose me hulumtime se si e kanë të rregulluar vendet tjera në mënyrë që të përshtaten me Republikën e Kosovës. Por unë jam shumë optimiste që kjo qendër do të krijohet gjatë këtij viti”, deklaron ajo.

    Ajo shton se vitin e kaluar janë ndërmarrë disa veprime në këtë drejtim dhe një nga ndryshimet më të rëndësishme që kanë bërë, siç thekson ajo, është protokolli për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.

  • Dueli përcaktues për finalistin e dytë, Peja dhe Ylli përballen sonte në “Karagaçi”

    Dueli përcaktues për finalistin e dytë, Peja dhe Ylli përballen sonte në “Karagaçi”

    Sot do të zhvillohet dueli i pestë dhe përcaktues për fatin e finalistit të dytë të Play-Off për sezonin 2023-24.

    KB Peja do ta mirëpret në Karagaçi skuadrën e KB Golden Eagle, ku të dyja skuadrat do të kërkojnë biletën për në finale.

    KB Ylli kishte avanazhin prej 2-0 ndaj KB Pejës, megjithatë pejanët e barazuan serinë me dy fitore të njëpasnjëshme, një në terrenin e saj dhe më të fundit të arritur në Suharekë pas një drame në fund të ndeshjes.

    Kujtojmë që finalen e ka siguruar tashmë KB Trepça, e cila triumfoi ndaj KB Prishtinës me rezultat të pastër 3-0.

    Dueli fillon nga ora 19:00.

  • Podujevë: Policia konfiskon sasi të substancës narkotike dhe një thikë

    Podujevë: Policia konfiskon sasi të substancës narkotike dhe një thikë

    Të premten, Policia e Kosovës u ka gjetur armëmbajtje pa leje dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve dy personave në fshatin Obranq të Podujvës.

    Policia e Kosovës ka konfiskuar një sasi substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë në peshë 0.37 gram dhe një thikë.

    Të dyshuarit janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit janë liruar.

    “Gjatë kontrollit te dy të dyshuarit meshkuj  kosovarë, të cilit ishin në një veturë, si prova materiale u janë gjetur dhe konfiskuar: një sasi substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë në peshë 0.37 gram dhe një thikë. Të dyshuarit janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit  janë liruar”, shkruhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.