ATV

Author: G.O.

  • Plagoset një polic në Klinë

    Plagoset një polic në Klinë

    Një zyrtar policor është plagosur sot në fshatin Zllakuqan të Klinës, gjatë një aksioni për të kapur hajnat që kishin hyrë për të vjedhur në shtëpinë e një prifti të këtij fshati.

    Rasti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, teksa polici që mori lëndime nga arma e zjarrit është jashtë rrezikut për jetë.

    Rastin e ka konfirmuar për media zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    “Sot në orët e mëngjesit, rreth orës 03:56 stacioni policor në Klinë është njoftuar se në fshatin Zllakuqan në shtëpinë e banimit të priftit kanë hy disa persona. Policia menjëherë ka dalë në vend të ngjarjes dhe me të arritur aty, afër objektit kanë hasur në rezistencë me çrast një zyrtar policor është lënduar nga arma e zjarrit. Zyrtari i lënduar është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë dhe sipas mjekut kujdestar ai është jashtë rrezikut për jetë”, tha Gashi.

  • KFOR-i gjen një pushkë të varur në një pemë në Zveçan, policia jep detaje

    KFOR-i gjen një pushkë të varur në një pemë në Zveçan, policia jep detaje

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një njësi e KFOR-it ka gjetur në një pemë në pushkë me 13 fishekë në Zveçan.

    Sipas raportit 24 orësh të PK-së, arma dhe municioni është sekuestruar.

    Nuk raportohet për të arrestuar.

    Raporti i plotë:

    Raportohet se nga një njësi e KFOR-it, në një pemë është gjetur e vendosur/varur një pushkë me 13 fishekë kalibrash të ndryshëm dhe një gëzhojë. Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet relevante policore, përfshirë forenzikën, të cilët kanë sekuestruar armën dhe municionin. Nuk raportohet për të arrestuar, përderisa rasti vazhdon të hetohet.

  • Presidentja Osmani kujton heroin Ilir Konushevci në 26-vjetorin e rënies së tij

    Presidentja Osmani kujton heroin Ilir Konushevci në 26-vjetorin e rënies së tij

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar heroin Ilir Konushevci në 26-vjetorin e rënies së tij.

    Presidentja Osmani ka thënë se heroi Ilir Konushevci me veprimtarinë unike për kauzën e luftës çlirimtare është ndër figurat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si njëri ndër themeluesit dhe udhëheqësit e sektorit të logjistikës.

    “Vrasja e tij së bashku me mjekun Hazir Mala në pritë të organizuar, ishin humbje e rëndë për UÇK-në, pikërisht në kohën e organizimit dhe shtrirjes së madhe të saj. Besnikëria, ndershmëria, guximi dhe vendosmëria ishin virtytet e Ilirit, i cili ra për lirinë e popullit të tij. Falë atij dhe bashkëluftëtarëve, ne jemi të lirë, ndaj drejtësia për të është domosdoshmëri dhe respekt për sakrificën sublime. Qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin Ilir Konushevci dhe mjekun Hazir Mala”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

  • 26 vjet nga vrasja e gjeneral Ilir Konushevcit

    26 vjet nga vrasja e gjeneral Ilir Konushevcit

    Sot mbushen 26 vjet nga vrasja e njërit ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe njërit ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në, Ilir Konushevci.

    Ilir Konushevci është lindur më 20 qershor 1969 në Llugë të Podujevës. Fëmijërinë e kaloi në fshatin e lindjes. Shkollën fillore e kreu në fshatin Lluzhan, të mesmen në Podujevë dhe u regjistrua në Shkollën e Lartë në Ferizaj, të cilën nuk arriti ta përfundojë për shkak të aktiviteteve.

    Më 13 maj 1992 , Iliri, së bashku me shokët Rexhep Uka, Selim Haziri, Naim Hyseni, Lulëzim Podvorica, Naim Haziri, Bejtush Llugaliu dhe Shaip Haziri, themelojnë grupin ilegal apolitik me emrin “Shqiponjat“, i cili do të organizohej për t’iu kundërvënë secilit që drejtpërsëdrejti rrezikonte pasurinë dhe gjërat e njerëzve në Kosovë, por duke mos lënë anash as strategjinë luftarake.

    Kjo vërehet në betimin e dhënë, ku thuhet: “Betohem para flamurit dhe para shokëve se detyrat, të cilat i parashtron grupi, do t`i kryej me besnikëri dhe nëse është nevoja edhe jetën do ta jap për realizimin e idealit tonë”.

    Ky grup, në vitin 1993, bie në kontakt me LKÇK-në. Edhe pse në mes tyre kishte disa dallime të vogla sa i përket mënyrës së organizimit, megjithatë gjendet mënyra për bashkëpunim, sepse të dy palët mendonin se çlirimi i Kosovës mund të realizohej përmes luftës së armatosur.

    Njësiti “Shqiponjat“ pranon që t`i ndihmojë ata në shpërndarjen e organit të LKÇK-së “Çlirimi”. Ky bashkëpunim zgjati gjer nga fundi i vitit 1993 dhe fillimi i vitit 1994.

    Në qershor të vitit 1996 ky njësit bie në kontakt përmes Rrustem Mustafës – Remit, me komandant Zahir Pajazitin dhe nga ajo kohë ishte vazhdimisht krah për krah me të.

    Pas vrasjes se Zahirit, Hakifit dhe Edmondit më 31 janar 1997, në fshatin Pestovë afër Vushtrrisë, me sugjerimin e shokëve Selim Haziri, Naim Hyseni dhe Naim Hazir), kalojnë në ilegalitet në një banesë në Prishtinë për disa ditë dhe nga këtu vendosin që të kalojnë në Shqipëri.

    Nga ajo kohë, Iliri, në rrethanat e krijuara në Shqipëri, ndryshoi formën e veprimit të tij, por duke mos u larguar asnjëherë nga betimi i dhënë për të luftuar gjer në fund për çlirimin e Kosovës. Atje filloi të bashkëpunojë me bashkëluftëtarët e Zahirit, si me Adrian Krasniqin, me të cilin ishte i pandarë deri në vdekjen e Adrianit, Qerim Kelmendin, Mujë Krasniqin, Ismet Abdullahun, Murat Ajetin etj.

    Iliri në Shqipëri punoi në furnizimin me armatim në nivel të vendit, detyrë e cila ishte shumë e vështirë. Këtë detyrë e kryente kryesisht me Ardian Krasniqin,pas vrasjes së Luan Haradinajt.

    Pasi formuan rrjetin e bashkëpunëtorëve, Iliri dhe Ardiani disa herë erdhën në Kosovë, me qëllim të riorganizimit të radhëve të UÇK-së, si dhe koordinimit të punëve me rrethet e tjera, sepse pas vrasjes së Zahir Pajazitit shumë çka nuk ishte si më parë.

    Pas vdekjes së Zahirit, Iliri e përfaqësonte ZOLL-in në Shtabin Qendror.

    Më 16 tetor 1997 vritet dhe Ardian, gjatë një sulmi të Stacionit të policisë serbe në Kliqinë të Pejës. Vrasja e tij ishte një humbje e madhe për shokët, për UÇK-në e veçanërisht për Ilirin, sepse ata pos të tjerash ishin edhe shokë të pandarë të aksioneve. Pas këtij rasti, Iliri ngarkohet nga shokët me rolin kryesor për sjelljen e armatimit në Kosovë. Gjatë gjithë kohës sa punoi në këtë detyrë, ai hyri në Kosovë mbi tridhjetë herë, duke sjellë armatim të llojllojshëm, nga armët e brezit e deri tek armatimi kundërtank. Iliri, pos që punoi rreth furnizimit me armatim, kontribuoi shumë edhe në sjelljen e eprorëve profesionistë në radhët e luftëtarëve të lirisë.

    Kur pritej që përmes Ilirit në Kosovë të futeshin oficerë të lartë për në UÇK, kur në Kosovë zhvilloheshin ofensiva të ashpra dhe të cilat paralajmëronin një luftë frontale, atëherë kur pritej dhe kërkohej më së tepërmi sjellje e armatimit, derisa ishte duke kryer si çdo herë detyrën e tij me përkushtimin më të madh, u vra në mëngjesin e hershëm të datës 9 maj 1998, atje ku me se paku pritej, në një pritë të organizuar nga dora e zgjatur e pushtuesit serb, së bashku me mjekun Hazir Mala, derisa udhëtonin për në Bajram Curr, me një kamion të ngarkuar me armatim.

    Vrasja e Ilirit shkaktoi një humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe shtabin e saj qendror.

    Ilir Konushevci në radhët e UÇK-së shkroi rreshta të pashlyer në historinë tonë kombëtare, ishte ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe është njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në.

  • Zyrtarët e një banke në Prizren raportojnë se në bankomatin e tyre janë deponuar 705 euro fals

    Zyrtarët e një banke në Prizren raportojnë se në bankomatin e tyre janë deponuar 705 euro fals

    Zyrtarët e një banke kanë njoftuar se në bankomatin e tyre janë deponuar 705 euro që dyshohet se janë të falsifikuara.

    Monedhat janë konfiskuar nga forenzika dhe rasti po hetohet.

    “MONEDHË E FALSIFIKUAR- Prizren / 26.03.2024. Zyrtarët e një banke kanë njoftuar se në bankomatin e tyre ishin deponuar 705 € të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Monedhat janë konfiskuar nga forenzika. Rasti  është duke u hetuar.”

  • Sot shënohet Dita e Evropës

    Sot shënohet Dita e Evropës

    Sot shënohet 9 Maji – Dita e Evropës. Deklarata e 9 majit e vitit 1950 është koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian.

    Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për t`i bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut, që do të ishte themeli i parë konkret për një federatë të ardhshme evropiane. Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën. Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbi kombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.

    Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si Dita e Evropës.

    Kjo ditë tashmë ka vite që festohet edhe në Kosovë, ku për nder të saj, do të organizohen aktivitete të ndryshme nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë./KosovaPress/

  • Punimet në rrjet, KEDS-i njofton se ku do të ketë sot ndërprerje të rrymës

    Punimet në rrjet, KEDS-i njofton se ku do të ketë sot ndërprerje të rrymës

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) njofton se sot më 09.05.2024, do të kryhen punime të domosdoshme për siguri të sistemit energjetik.

    Si rezultat, në disa lokalitete do të ketë ndërprerje të rrymës.

    Ky është orari sipas rajoneve:

    Prishtinë

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga TS 35/10kV Batllava do të ndërpritet:

    Dalja 10kV Orllani (kodi: 14015002) prej orës 10:00 deri në ora 15:00.

    Vendet: Kushevit, Shkolla e Vjetër, Xhamia e Vjetër, Kalatica, Braina, Berveniku, Bllata, Metergovci 1 dhe 2, Orllani, Vikendicat, Te Zahir Pajaziti.

    Arsyeja: Mirëmbajtje preventive, ndërrimi i shtyllave/izolatorëve të dëmtuar, shtrëngimi i përçuesve dhe pastrimi i trasesë.

    2.

    Nga TS 220/35/10(20)kV Podujeva do të ndërpritet:

    Dalja 10kV Fshatrat 2 (kodi: 14000010) prej orës 09:00 deri në ora 14:00.

    Vendet: Fshatrat: Sibofc, Lluzhan, Penuhë, Lupç i Epërm, Llugë, Majac dhe Popovë.

    Arsyeja: Mirëmbajtje preventive.

    3.

    Nga TS 220/35/10(20)kV Podujeva do të ndërpritet:

    TS 10/04kV Pompa Dini (kodi: 14000009088) prej orës 09:00 deri në ora 14:00.

    TS 10/04kV Konushevc 1 (kodi: 14000009089) prej orës 09:00 deri në ora 14:00.

    TS 10/04kV Burric (kodi: 14000009091) prej orës 09:00 deri në ora 14:00.

    TS 10/04kV Konushevc-Visokët (kodi: 14000009222) prej orës 09:00 deri në ora 14:00.

    TS 10/04kV Konushevc-Berishët ZPRR 2015(kodi: 14000009254) prej orës 09:00 deri në ora 14:00.

    TS 10/04kV Sibovc Llapi (kodi: 14000009365) prej orës 09:00 deri në ora 14:00.

    TS 10/04kV Sibovc Zeka (kodi: 14000009366) prej orës 09:00 deri në ora 14:00.

    TS 10/04kV Sibovc I epërm (kodi: 14000009224) prej orës 09:00 deri në ora 14:00.

    Vendet: Konushevc, Sibovc dhe Burricë.

    Arsyeja: Mirëmbajtje preventive.

    4.

    Nga TS 35/10kV Mazgiti do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Montingu-Bërnicë (kodi: 15019007) prej orës 10:00 deri në ora 13:00

    Vendet: Bërrnica, NSH Monting dhe Noti.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, energjizimi i NS 10/0.4 k V Mazgit Syn Hill.

    Gjakovë

    Punime në projekte investive

    1.

    Nga TS 110/35/10kV Rahoveci (H05) do të ndërprehet:

    NS 35/10kV Malisheva (H07) dhe pa tension mbesin të gjitha daljet 10kV prej orës 09:00 deri në ora 16:00.

    Vendet: rrugët: 603 Adem Jashari (një pjesë), 605 Rilindja Kombëtare (1 konsumator), 606 Pavarësia (1 konsumator), 610 Hisni Mazreku (1 konsumator), 603 Adem Jashari (1 konsumator), Imer Krasniqi (7 konsumatorë), 605 Hamdi Berisha (1 konsumator), 606 Pavarësia (1 konsumatorë), Spitali i Qytetit në rrugën 608 Hamdi Berisha, 535 Prof. Hamdi Berisha, 554 Viliam Voker, 601 Sheshi i Dëshmorëve, 602 Gjergj Kastrioti – Skendërbeu, 603 Adem Jashari, 604 Imer Krasniqi, 605 Rilindja Kombëtare, 606 Pavarësia, 608 Hamdi Berisha, 610 Hizri Mazreku, 611 Jahir Mazreku. 612 Uiliam Uoker; fshatrat: Burim, Carallukë (një pjesë), Dardania, Gërmiz, Lubizhdë (1 konsumator) dhe Senik (1 konsumator), 605 Rilindja Kombëtare (1 konsumator), 608 Hamdi Berisha (1 konsumator), 605 Rilindja Kombëtare (3 konsumatorë), 608 Hamdi Berisha (1 konsumator), 557 Bedri Berisha (1 konsumator); fshatrat: Carallukë, Dragobil, Drenoc, Panorc, Shkarashnikë, Tërpezë e Poshtme, Vërmicë dhe Vërmicë e Malishevës, Bubël, Burim, Carallukë (3 konsumatorë), Damanek, Gurbardhë, Llapçevë, Lubizhdë, Lubizhdë e Malishevës, Lumnishtë, Mirushë, Mrasor, Panorc (një pjesë) dhe Turjakë, Balincë, Bardhë, Bellanicë, Javor, Lladroc, Lladroviç, Lubizhdë, Lluzhnic, Ngucat, Senik dhe Temeqinë, Astrazub, Dragobil, Drenoc, Guriq, Janqishtë, Kërvasari, Marali, Maxharrë, Pagarushë dhe Shkozë, Balincë, Bubavec, Drenoc, Gollubovc, Kijevë, Llazicë, Lubizhdë, Mleqan, Plloçic, Polluzhë dhe Stapanicë, Banjë, Bellanicë dhe Gajrak.

    Arsyeja: Projekte investive, instalimi i përçuesit ACCC në linjën 35 kV Rahovec – Malishevë si dhe ndërrimi i izolatorëve 35kV.

  • Ngritja e çmimeve, qytetarët ankohen se u është rënduar jeta

    Ngritja e çmimeve, qytetarët ankohen se u është rënduar jeta

    Ngritja çmimeve të produkteve ushqimore ka rënduar jetën e qytetarëve, thonë qytetarë të intervistuar nga Ekonomia Online. Shumë prej tyre ankohen se me pagat që marrin e kanë të vështirë të mbulojnë nevojat më elementare për jetë.

    Rritja ose ndryshimi i çmimeve po vazhdon të jetë një nga shqetësimet e tyre të cilët, për Ekonomia Online thanë se inspekcioni duhet të ketë një kontrolle më të shpeshtë në mënyrë që çmimet të mos ndryshohen sepse në krahasim me të ardhurat e tyre ato janë alarmante.

    Sanije Neziri, tha se çmimet po ndryshojnë brenda ditës, është një lloj stresi sepse nuk po e din se çka po ndodh dhe nuk merr dikush përgjegjësi për rrije të çmimeve.

    “Shkon e merr atje, e sheh çmimin tjetër kur të vish te arka është çmim tjetër, a din jena pak të stresum nuk e di se çka është ka bëhet këtu. Kur është zyrtare e sheh çmimin aty mirë shkrun çmimi e merr me atë çmim, kur vjen këtu del ndryshe. Na po folim se nuk po ke çare, pa fol se këtu po jetojmë i dina si ke dje si sot. Po ndërrojnë brenda ore mundem me thënë, ndërron çmimi duhet me pas rënie dhe inspekcion më shumë, me i kontrollu. Përpara ka pas inspeksiona tash nuk ka, kërkush nuk i kontrollon tash çka dojnë bëjnë, brenda gjysmë ore t’i rrotullojnë çmimet qysh dojnë i bëjnë, nuk është në rregull. Ndikojnë, varet nga standardi jonë, por është çudi të kish sa të kish kur e sheh që kjo kushton 5 euro shkon atje kushton 8 euro, qajo po na habit se kur janë zyrtare atëherë nuk ki çka”, tha qytetarja.

    Ndërsa, Hajrullah Tërnava, rritjen e çmimeve e konsideron jo edhe diçka të papritur, për faktin se sipas tij Kosova nuk ka ndonjë vlerë të garantuar se ajo nuk mund të ndodhë. Megjithatë, e keqja më e madhe, sipas qytetarit Tërnava është se rritja e çmimeve nuk po bëhet në raport me rritjen e pagave.

    “Ato ndodhin në mënyrë permanente sepse shteti jonë nuk ka ndonjë vlerë të garantuar që nuk ndodhin inflacione e krejt këto. Këtu ato gjëra ndodhin sepse na pak prodhojmë këtu dhe të gjitha çka nevojiten si gjërat ushqimore si të tjerat i konsumojmë apo i blejmë prej shteteve të pasura të Evropës, botës prandaj është e kuptueshme, se këto ditë për ditë ndodhin edhe që ndodhin nuk është befasi. Por e mira e keqja e madhe është se të kishin shku me shtrenjtime dhe në hap me çështje të pagave”, tha ai.

    Një tjetër qytetar, tha për EO se duke pasur parasysh pagat e ulëta, rritja e çmimeve te qytetarët ndikon negativisht. Madje, ai shton se ka dy vite që çmimet janë në rritje dhe nuk e sheh diçka të papritur, por që është shqetësuese, nuk e mohon.

    “Rritje të produkteve ka pas që një kohë të gjatë kështu që s’po më duket diçka. Nuk kam vërejt diçka, me siguri ka por tash jena mësu me rritje prej dy, tri vjet s’po na duket ndonjë ndryshimi i madh. Pas për bazë pagat mesatare, pagat që i kanë njerëzit të ulëta, tash s’po e marrim një pjesë të qytetarëve që i kanë rrogat më të mira, normal që ndikon. Shumë kanë obligime, shumë kur nuk munden me ia dalës, ndikimi është hazër”, tha ai.

  • Konjufca uron Ditën e Evropës: 9 maji është i veçantë, për faktin se e gjen Kosovën më afër Evropës

    Konjufca uron Ditën e Evropës: 9 maji është i veçantë, për faktin se e gjen Kosovën më afër Evropës

    Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë me rastin e 9 Majit, Ditës së Evropës.

    Konjufca tha se kjo datë shërben si dëshmi për vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Kosovës për rrugën drejt familjes evropiane dhe mishërimin me vlerat demokratike që promovon ajo.

    “Duke shprehur mirënjohje për organizimin e një pritjeje të tillë dhe duke theksuar se është viti i 16-të që Kosova shënon dhe feston Ditën e Evropës, kryetari Konjufca tha se kjo datë shërben si dëshmi për vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për rrugën drejt familjes evropiane dhe mishërimin me vlerat demokratike që promovon ajo”, thuhet në njoftim.

    I pari i Kuvendi gjatë tha se këtë vit 9 maji është i veçantë pikërisht, për faktin se e gjen Kosovën më afër Evropës, si rezultat i fillimit të zbatimit të vendimin për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në Zonën Schengen, pas një procesi të stërzgjatur padrejtësisht.

    Po ashtu, kryeparlamentari potencoi se Kosova ka shënuar një hap tjetër të suksesshëm në rrugëtimin e saj evropian, me rastin kur Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i ka thënë po anëtarësimit të shtetit tonë, duke përmbyllur kështu me sukses fazën e parë të anëtarësimit në këtë organizatë.

    ‘’Ndonëse kanë mbetur edhe pak ditë deri në mbledhjen e Këshillit Ministror, ne besojmë që Kosova meriton dhe duhet të anëtarësohet pa kushtëzime shtesë, të jetë anëtarja më e re me të drejta të plota në Këshillin e Evropës’’, tha ndër të tjera Konjufca.

    Konjufca potencoi se për Kosovën dhe gjithë rajonin anëtarësimi në Bashkimin Evropian është i rëndësisë së veçantë, duke shtuar se përfitimet nga anëtarësimi janë të dyanshme.

    ‘’Më shumë paqe, siguri dhe prosperitet zhvillimor për Kosovën dhe rajonin do të thotë një Evropë më e fortë dhe më e sigurt’’, tha më tej Konjufca.

    Ndryshe, Konjufca u ka uruar të gjithëve 9 majin, Ditën e Evropës, ku uroi një Evropë sa më të bashkuar me Kosovën pjesë integrale të saj.

  • VMRO-DPMNE fiton zgjedhjet presidenciale e parlamentare në Maqedoni

    VMRO-DPMNE fiton zgjedhjet presidenciale e parlamentare në Maqedoni

    Këshilli Shtetëror Zgjedhor ka numëruar mbi 95 % të votave, sipas të cilave partia fituese VMRO-DPMNE ka marrë 43.14 % ose 414 mijë e 134 vota që i sigurojnë aktualisht 59 mandate në Kuvendin e ri të Maqedonisë së Veriut.

    Këshilli Shtetëror Zgjedhor ka numëruar deri më tash 95.65 % të votave, sipas të cilave partia fituese VMRO-DPMNE ka marrë 43.14 % ose 414 mijë e 134 vota që i sigurojnë aktualisht 59 mandate në Kuvendin e ri të Maqedonisë së Veriut.

    Në vendin e dytë renditet Koalicioni për të ardhmen evropiane LSDM me 146 mijë e 488 vota ose 15.26 % që aktualisht i siguron 18 mandate.

    Fronti Evropian me BDI-në e Ali Ahmetit ka fituar 14.01 % ose 134 mijë e 473 vota – 19 mandate, ndërsa koalicioni tjetër shqiptar VLEN 10.90% ose 104 mijë e 672 vota – 13 mandate.

    Pjesëmarrje në përbërjen e re të Kuvendit të Maqedonisë e kanë siguruar edhe partia politike E Majta me 6.76 % ose 64.926 vota që aktualisht i sigurojnë 6 mandate dhe Lëvizja Unë di – Për Maqedoninë Tonë ka fituar 5.30 % ose 50.835 vota që aktualisht i sigurojnë 5 mandate.

    VMRO- DPMNE ka fituar edhe në garën për presidentin e shtatë të Maqedonisë së Veriut, pasi në raundin e dytë kandidatja Gordana Silanovska-Davkova ka fituar 539.686 vota ose 65.07% përballë presidentit aktual Stevo Pendarovski nga LSDM, i cili mori 242.760 vota ose 29.27%, pas numërimit të 96.62 % të votave.