ATV

Author: G.O.

  • Irani paralajmëron për mundësinë e nisjes së prodhimit të bombave bërthamore

    Irani paralajmëron për mundësinë e nisjes së prodhimit të bombave bërthamore

    Një zyrtar i lartë iranian paralajmëroi se Teherani mund të ndryshojë doktrinën e tij bërthamore dhe të nisë ndërtimin e bombave bërthamore, nëse kërcënohet ekzistenca e shtetit.

    Kamal Kharrazi, kreu i Këshillit Strategjik iranian për Marrëdhënie të Jashtme dhe këshilltar i lartë i liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, tha në një intervistë për Al-Jazeera në gjuhën arabe se Irani “ka kapacitet për të prodhuar bomba”, edhe pse shteti nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për ndërtimin e bombave.

    “Dy vjet më parë në një intervistë për Al-Jazeera, unë njoftova se Irani ka kapacitet të prodhojë bombë bërthamore. Edhe sot kemi këtë kapacitet, por ne nuk kemi qëllim që të prodhojmë bombë bërthamore. Megjithatë, nëse kërcënohet ekzistenca e Iranit, ne do të ndryshojmë doktrinën tonë bërthamore”, tha ai.

    Deklaratat e Kharrazit u bën në kohën kur janë përshkallëzuar tensionet mes Iranit dhe Izraelit, përderisa komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësim lidhur me ambiciet bërthamore të Iranit. Republika Islamike vazhdimisht ka pretenduar se programi i saj bërthamor ka qëllime civile, pavarësisht se posedon aftësi teknike që ai të shndërrohet në program armësh.

    Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 hoqi sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, por më 2018 presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, u largua nga marrëveshja dhe që atëherë Uashingtoni ka rivendosur sanksionet ndaj Iranit që kanë ngufatur ekonominë e Republikës Islamike.

    Përpjekjet për ringjalljen e marrëveshjes kanë dështuar dhe Teherani ka shkelur kushtet e marrëveshjes duke prodhuar uranium me nivel të lartë të pasurimit.

    Në mars, Bloomberg News citoi një zyrtar të lartë të Departamentit amerikan të Mbrojtjes i cili tha se Irani është më pak se 12 ditë larg që të posedojë materialet e nevojshme për prodhimin e një bombe bërthamore.

    Paralajmërimi për ndryshimin e doktrinës bërthamore pason incidentin e muajit të kaluar, kur Izraeli thuhet se shënjestroi një sistem radarësh në një bazë afër qytetit iranian, Isfahan.

    Sulmi pasoi incidentin e 13 prillit, kur Irani iu kundërpërgjigj një sulmi izraelit në Konsullatën në Damask, që mori jetën e shtatë zyrtarëve të lartë të Forcave Kuds të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit. Irani lëshoi qindra dronë, raketa balistike dhe raketa lundruese drejt Izraelit, edhe pse pothuajse të gjitha dështuan që të qëllonin caqe brenda Izraelit.

    Pasi Khameni lëshoi një fatva – vendim fetar – kundër armëve bërthamore më 2005, zyrtarët kanë insistuar se programi bërthamor i Teheranit në mënyrë rigoroze ishte për qëllime civile. Por, viteve të fundit retorika ka ndryshuar.

    Gjatë intervistës, Kharrazi po ashtu ka paralajmëruar kundër sulmeve ndaj ndërtesave bërthamore të Iranit.

    “Nëse ata duan të sulmojnë kapacitetet bërthamore të Iranit, kjo do të çonte në ndryshimin e doktrinës bërthamore të Iranit”, tha ai.

    Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, më herët gjatë këtij muaji paralajmëroi se Irani është vetëm disa javë larg posedimit të uraniumit të pasuruar, mjaftueshëm për të prodhuar bombë bërthamore. Ai kritikoi Teheranin për mosbashkëpunim të duhur me agjencinë dhe i kërkoi Teheranit të ndryshojë politikën bërthamore.

    Kharrazi po ashtu la të kuptohet se ka mundësi që Teherani të tërhiqet nga Traktati për Mospërhapje Bërthamore dhe potencialisht të lëvizë drejt zhvillimit të armëve bërthamore. Edhe në të kaluarën, Irani ka paralajmëruar se do të largohet nga ky traktat, nëse regjimi do të ndihej i kërcënuar./REL/

  • Në ​Tiranë gjenden pa shenja jete dy ukrainase

    Në ​Tiranë gjenden pa shenja jete dy ukrainase

    Antonina Kozachenko dhe Anastasia Lopukhova, nga Ukraina, janë gjetur të vdekur në Tiranë. Viktimat janë të moshës 25 dhe 40 vjeçe.

    Top Channel bën me dije se ato janë gjetur nga shoqja e dhomës së tyre, në zonën e “Selvisë”.

    Ndërkohë pak ditë më parë raportohet se ato janë konfliktuar me një farmaciste, pasi ajo nuk kishte pranuar që t’u jepte medikamentin xanax pa recetë.

    “Më datë 10.05.2024, rreth orës 13:35, në Rrugën e Dibrës, në banesë, janë gjetur nga shoqja e tyre e dhomës, pa shenja jete shtetaset ukrainase A. K., 25 vjeçe dhe A. L., 40 vjeçe.

    Paraprakisht dyshohet se dy shtetaset kanë humbur jetën për shkak se kanë konsumuar mbidozë ilaçesh me përmbajtje lëndësh narkotike”, bën me dije policia.

    Njoftohet se është ngritur grupi hetimor së bashku me ekspertë të ADN-së dhe Ekspertimeve Biologjike pranë Institutit të Policisë Shkencore të cilët ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

  • Kurti në Çabrat të Gjakovës: Sakrifica e këtyre burrave dhe grave gjendet në themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës

    Kurti në Çabrat të Gjakovës: Sakrifica e këtyre burrave dhe grave gjendet në themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, i shoqëruar nga ministra, deputetë, zëvendësministra, asamblistë, aktivistë e bashkëqytetarë, bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule në varrezat e martirëve në kodrën e Çabratit në Gjakovë, me rastin e ditëve përkujtimore të Epopesë së Çabratit.

    Kryeministri Kurti në fjalën e tij para familjarëve të pranishëm, tha se sakrifica e këtyre burrave dhe grave të Gjakovës, gjendet në themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

    Vrasjet në numër të madh të burrave, grave, pleqve e fëmijëve, trupat e të cilëve gjenden këtu e në vende tjera, tregojnë se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe tentativë për shfarosjen e popullit shqiptar, projekt ky i cili ka dështuar si rezultat i luftës sonë të shenjtë çlirimtare.

    Sot 25 vite më vonë, shteti i Kosovës është në mënyrë të pa diskutueshme më i fortë, me ushtrinë e policinë e Kosovës të cilët nuk do të lejojnë që kurrë të përsëritet diçka e ngjashme, pavarësisht se fqinji ynë verior vazhdon sulmet ndaj shtetit të pavarur të Kosovës, tha ndër të tjera kryeministri Kurti.

  • Ambasadori Rohde e përgëzon Xhakën me shokë për kalimin në finale të Ligës së Evropës

    Ambasadori Rohde e përgëzon Xhakën me shokë për kalimin në finale të Ligës së Evropës

    Ambasadori i Gjermanisë për Kosovë, Jorn Rohde ka shkruar për suksesin e mbrëmshëm të Bayer Leverkusen, që arriti në finale të Ligës së Evropës.

    Rohde uroi Granit Xhakën dhe bashkëlojtarët e tij për këtë sukses dhe rekordin prej 49 ndeshjeve pa humbje.

    “Një tjetër natë emocionuese në Leverkusen. Granit Xhaka dhe bashkëlojtarët e tij – të pamposhtur prej 49 ndeshjesh – kalojnë në finalen e Ligës së Evropës në Dublin më 22 maj! Këtë vit, klubet gjermane patën një parapërgatitje vërtet të mirë përpara se të fillojë EURO2024 pas rreth një muaji”, shkroi ambasadori gjerman.

     

  • Dënohet me 400 euro gjobë i akuzuari se kanosi deputeten Kusari-Lila

    Dënohet me 400 euro gjobë i akuzuari se kanosi deputeten Kusari-Lila

    Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me 400 euro gjobë Emin Latin, i cili akuzohet se ka kanosur dhe ka përhapur gjuhë të urrejtjes ndaj deputetes së Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

    Shpallja e aktgjykimi është bërë të premten nga gjykatësi i rastit Driton Berisha derisa prezentë ishte vetëm mbrojtësi i të akuzuarit Lati, Agon Rrecaj kurse munguan e dëmtuara dhe përfaqësuesi i saj.

    Emin Lati ngarkohet me dy vepra penale, për “kanosje” dhe për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.

    I akuzuari u dënua me 400 euro gjobe pasi paraprakisht me pëlqimin e tij dënimi me burgim prej 120 ditësh i është shndërruar ne gjobe prej 400 për veprën penale kanosje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Nëse i njëjti nuk mund ta paguajë dënimin me gjobë atëherë mund te mbajë dënimin me burgim ku për një ditë burg do t’i llogaritet 20 euro.

    Sipas aktakuzës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Lati akuzohet se në emisionin “Frontal”, në “T7”, në korrik të 2023-ës, ka kanosur Kusari-Lilen, e cila është edhe shefe e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

    Sipas aktakuzës, në emisionin televiziv kishte thënë se: “Jena ligë na veteranët se atë duhet me e ngreh zhag nëpër asfalt derisa të ja qesim eshtrat në tokë”.

    Veç kësaj, Lati akuzohet edhe se ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje ndaj deputetes Kusari-Lila në mënyrë që të prishë rendin publik.

    Aktakuza ndaj Latit është ngritur më 11 janar 2024 nga prokurorja Rukije Sheshivari.

    Në Polici, Lati kishte thënë se ka deklarimet në emisionin Frontal i ka pasur emocionale. Ai ka thënë se ishte ndier i ofenduar dhe keq emocionalisht kur kishte dëgjuar përgjimet e Mimoza Kusari-Lilës me një deputet serb që ka folur për heqjen e veteranëve nga ligji për pagën minimale.

    Kusari-Lila kishte ushtuar kallëzim penal ndaj Latit, duke deklaruar para organeve të hetuesisë se qenë periudhë sfiduese për sigurinë e saj dhe të familjes së saj pas deklaratave të Latit.

    “Deklaratat e tilla po që ka ndjellë dhunë, ka bërë thirrje për cenimin e integritetit tim fizik, dhe si e tillë jam e bindur se duhet të sanksionohet me të gjitha masat ligjore në mënyrë që si praktikë të mos persëritet ndaj askujt…”, kishte deklaruar Kusari-Lila.

    Kusari-Lila ka deklaruar se ndjehet e kërcënuar dhe e abuzuar nga deklaratat publike të Latit.

  • KE: Kosova kualifikohet për pagesa nga Plani i Rritjes, nëse i përmbush kushtet

    KE: Kosova kualifikohet për pagesa nga Plani i Rritjes, nëse i përmbush kushtet

    Komisioni Evropian (KE) ka thënë të premten se Kosova, njëlloj si vendet e tjera, do të kualifikohet për t’i pranuar pagesat nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor, nëse i përmbush kushtet e kërkuara.

    Por, zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero, nuk është përgjigjur drejtpërdrejt në pyetjen e Radios Evropa e Lirë (REL) nëse masat e tanishme ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës do të vlejnë edhe për mjetet nga kjo paketë e veçantë financiare.

    “Kosova, sikur edhe pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor, konsiderohet e kualifikuar për fondet nga Plani i Rritjes, nëse i përmbush kushtet për pagesa”, tha Pisonero për REL.

    Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.

    Pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.

    Autoritetet kosovare argumentojnë se i kanë plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e këtyre masave.

    BE-ja është duke e shqyrtuar tani heqjen shkallëzore apo të menjëhershme të këtyre masave. Për këtë pritet një raport i përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

    Ndërkohë, në lidhje me planin 6 miliardë eurosh që u miratua zyrtarisht së fundmi për Ballkanin, Pisonero e ka përsëritur se, për Kosovën dhe Serbinë, parakusht për të përfituar pagesa nga kjo paketë është angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.

    “Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh për gjashtë partnerët nga Ballkani Perëndimor paraqet një ofertë gjithëpërfshirëse të BE-së për t’iu forcuar kushtet socio-ekonomike. Po ashtu, ai parasheh edhe qasje progresive në tregun unik të BE-së, me kusht që të arrihet përparim edhe në tregun e përbashkët rajonal dhe mekanizmat për reforma intensive” shtoi ajo.

    Ajo nënvizoi se Plani i Rritjes nuk është alternativë për procesin e zgjerimit në BE-së, “por është një ofertë, e cila do ta ndihmojë dhe përshpejtojë këtë proces”.

    Pisonero ka përsëritur se janë disa kushte të rrepta që do të kërkohen nga vendet e rajonit për të siguruar pagesat nga kjo paketë.

    “Pagesat nga paketa e rritjes do t’iu nënshtrohen kushteve strikte. Kjo nënkupton edhe reformat në fushat kryesore edhe ato socio-ekonomike. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, ka një parakusht të përgjithshëm që të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, me qëllim të zbatimit të plotë të të gjitha obligimeve të tyre përkatëse, që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksin e zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara në dialog dhe të angazhohen në negociata për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, nënvizoi ajo.

    Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

    Pisonero u bëri jehonë deklaratave të vazhdueshme të zyrtarëve të BE-së se zbatimi i këtyre marrëveshjeve është thelbësor në rrugën e Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së, pasi i cilëson ato si detyrim për të dyja palët.

  • Hailey dhe Justin Bieber po bëhen prindër për herë të parë

    Hailey dhe Justin Bieber po bëhen prindër për herë të parë

    Dyshja e njohur, Justin Bieber dhe Hailey Baldwin Bieber janë në pritje të fëmijës së tyre të parë.

    Këtë lajm, çifti e konfirmoi përmes Instagramit, ku modelja shfaqet me barkun e rrumbullakosur.

    Ndryshe, Hailey dhe Justin kanë qenë shumë të hapur për dëshirën për të pasur fëmijë.

  • Zemaj pret në takim një delegacion nga Landi i Bavarisë, i njofton për zhvillimin e historikun e Kuvendit

    Zemaj pret në takim një delegacion nga Landi i Bavarisë, i njofton për zhvillimin e historikun e Kuvendit

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka pritur në Kuvendin e Kosovës një delegacion nga Landi i Bavarisë, raporton Ekonomia Online.

    Zemaj ka thënë se me përfaqësuesit e Landit bavarez kanë biseduar për zhvillimin parlamentar të Kosovës, historikun e Kuvendit dhe temat me aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova.

    “Ishte kënaqësi të presim në Kuvendin e Kosovës delegacionin nga Landi i Bavarisë i kryesuar nga Dr.Günther Beckstein dhe në shoqërim të dy miqve të mijë Christian Hoferer, Kryetar i Bordit ekzekutiv të Unionit Pan-Europian në Gjermani dhe Kryetarja e LDK-së për Bavari znj.Saranda Musliu. Bashkëbiseduam për zhvillim parlamentar të Kosovës, historikun e Kuvendit, nga vitet 90-ta dhe temat me aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova. Të gjitha këto personalitete mbi 30 përfaqësues të CSU-së njerëz të dalluar të biznesit, të kulturës bavareze dhe të besimit të krishterë janë ura të forta të miqësisë në mes të dy popujve tanë”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

  • Hoxha: Hetuesit nga policia u larguan me dëshirë, s’ka pasur presion

    Hoxha: Hetuesit nga policia u larguan me dëshirë, s’ka pasur presion

    Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, të premten gjatë raportimit në Komisionin për Sigurisë ndërsa ka folur për raportimet e mediave për largimin e hetuesve nga Policia e Kosovës që po trajtojnë aferat korruptive ku janë të përfshirë zyrtarët e pushtetit, ka thënë se të gjitha këto lëvizje janë bërë “me kërkesën e policëve”, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari Komisionit për Siguri, Bekë Berisha, të premten tha se të gjithë hetuesit që po hetojnë aferat korruptive të Qeverisë së Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti po largohen.

    Megjithatë një gjë të tillë e ka mohuar Hoxha, duke potencuar se asnjë policë e as eprorë nuk është larguar nga kjo njësi “pa kërkesën dhe vullnetin e tyre”.

    “Nga njësia e veçantë e hetimeve nuk ka pasur largime apo transferime të asnjë polici apo eprori jashtë njësisë, përveç major Shemsi Haziri, i cili është transferuar në kuadër të reformave që unë kam zbatuar me qëllim të arritjes së vizionit dhe objektivave të mia si drejtor i ri i policisë”, tha ai.

    Hoxha ndër të tjera ka potencuar se ata nuk i janë nënshtruar asnjë presioni.

    “Jo s’ka pasur presion. Shumica e kërkesave ka qenë për nevojat e tyre personale”.

    Hoxha ka njoftuar se hetuesit policor po sistemohen, meqë njësia nga 30 policë ka rënë në 27 pas strukturës së re.

    “Struktura e Njësisë ka pasur 30 policë, me strukturën e re dhe është paraparë tash të ketë 27 policë. E tash ne kemi obligim që nga këta 30, t’i sistemojmë dhe janë bërë disa reforma brenda njësisë. Disa grada janë rritur në pozicione që kanë pasur, të tjerët janë zvogëluar. Kosova është e vogël me nda në territore, nuk e di sa veta janë prej Drenasit në Njësi”.

  • Shkarkimet në Policinë e Kosovës – Hoxha përballet me akuza nga opozita, LV-ja e mbron

    Shkarkimet në Policinë e Kosovës – Hoxha përballet me akuza nga opozita, LV-ja e mbron

    Me akuza e kundërakuza është përcjellë raportimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes. Anëtarët e këtij komisioni kërkuan informacione rreth transferimeve e ndryshimeve që janë bërë në njësinë e veçantë të hetimeve, raporton Ekonomia Online.

    Derisa nga opozita ngritën akuza se këto lëvizje janë bërë për të fshehur për t’i fshehur “aferat korruptive”, por nga Policia e Kosovës u mohuan këto pretendime.

    “Me shkarkimin e Shemsi Hazirit në krye të njësisë së veçantë të hetimeve erdhi Besim Berisha. Me ardhjen në krye të shefit të ri, në njësinë e veçantë të hetimeve nis një fushatë presioni. Në emër të strukturimit në njësi filloi një fushatë kundër atyre që po hetojnë aferat e qeverisë. Kemi rastin e Martin Berishaj e Nagip Krasniqit, disa janë në burg disa të akuzuar. Hetuesit janë duke u zhvendosur janë duke ardhur të tjerë. Kjo është e vërtetë. Unë nuk jam duke e akuzuar askënd. Veç le të thotë drejtori për ndonjërën që nuk është ashtu”, tha kryesuesi i komosionit, Bekë Berisha.

    Por akuzat i mohoi i pari i policisë, Gazmend Hoxha.

    “Nga cilësia e drejtorit ju njoftoj se nga kjo njësi nuk ka pasur largime apo transferime përveç major Shemsi Hazirit, i cili është transferuar në kuadër të reformave. Unë ju garantoj me gjithë autoritetin tim që katër lëvizjet që janë bërë, janë bërë me kërkesën e policëve. Nuk kanë pasur presion. Ju garantoj se shumica e kërkesave ka qenë për nevoja të tyre personale. Kjo njësi dikur ka pasur një shtesë prej 300 eurove e cila është ndaluar pastaj. Ndoshta edhe kjo është një prej çështjeve se pse policët kërkojnë të largohen nga njësia”, tha Hoxha.

    Reagime pati edhe nga anëtarë tjerë të komisionit.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka hedhur akuza në drejtim të kryetarit të komisionit, Bekë Berisha për krqpërdorim të pozitës së kryetarit.

    “E shfrytëzove postin e kryetarit të komisionit, por asesi nuk është në rregull që të keqpërdoret pozicioni i kryetarit e komisioni ta humb komplet rolin për çka jemi. Nuk po e di tash momentalisht a jemi në gjykatë, gjyqtarë nuk po shoh këtu. E para herë që po ndodh në këtë Kuvend kur thirret një institucion kaq i lartë i drejtorit të policisë dhe i bëhen këso akuza direkte, të cilat nuk e di edhe prokurori a është në gjendje ta bëjë një gjë të tillë”, ka thënë Dugolli.

    Ai ka kërkuar që të kurset drejtori i policisë nga akuzat.

    “Nuk është detyrë e komisionit të lëshohet në këtë nivel, e kam mirëpritur kërkesën për drejtorin. Ka pasur prononcime nëpër media publike ku janë potencuar emrat që i përmende ti këtu, e të cilët në pamundësi ta shfrytëzojnë të drejtën për me paditë sepse këtu ka akuza të rënda që më vjen keq që iu ka potencuar emri i tyre. Iu bëj thirrje që le t’i shohin nëpër media dhe t’i padisin. Është cenuar integriteti i tyre. T’iu kallëxojmë drejtorit si të vlerësohen policët. U leshu akuza që po vlerësohen dobët, po vlerësohen me nota të larta. Na e murëm rolin e drejtorit” është shprehur ai.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, kërkoi që prokuroria të merret me akuzat e ngritura në këtë mbledhje.

    “Edhe unë kur jam nis për takim jam nis për natyrë tjetër të takimit duke besuar se do të flasim për çështje që kanë të bëjnë për performancën e Policisë nevojat e tyre. Kjo që u ngrit nga ju e ndryshoi natyrën e takimit. Është fakt se të gjitha që listuat ju mund të gjenden në media, në portale të ndryshme. Në kujtesë po na ktheni disa zhvillime e ngjarje të cilat nuk kanë epilog. Pajtohem me ju për të gjitha çështjet që ju ngritët dhe jam i interesuar me dëgju nga drejtori i Policisë, si i adreson të gjitha këto. Nëse këto qëndrojnë është shqetësuese, dhe do të duhej me u shqetësu edhe kolegët e mi deputetë. Nuk mundemi me kalu përtej këtyre pretendimeve dhe thjesht me hesht. Nëse këto qëndrojnë nuk është problem i Policisë por edhe i shoqërisë, shtetëror. Prokuroria do të duhej me u marrë ose me kryetarin për shpifje, ose me drejtorin për këto zhvillime”, tha Quni.