ATV

Author: G.O.

  • “Ishim të gatshëm ta japim jetën për Kosovën”, Osmani përcjell mesazhin e ushtarëve amerikanë

    “Ishim të gatshëm ta japim jetën për Kosovën”, Osmani përcjell mesazhin e ushtarëve amerikanë

    Presidentja Vjosa Osmani ka vizituar ushtarët amerikanë të Gardës Kombëtare të Teksasit, të cilët kanë shërbyer në Kosovë, në kohën e sulmit në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar.

    “Ne ishim të gatshëm ta japim jetën për ta mbrojtur Republikën e Kosovës”, ka thënë se ishte mesazhi që dëgjoi nga ta.

    Ajo ka thënë se Kosova është e bekuar që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    “Gra e burra nga ushtria amerikane për 25-vjet shërbyen me devotshmëri për lirinë dhe paqen, e edhe sot vazhdojnë të qëndrojnë bashkë me ne në mbrojtje të shtetit dhe kufijve tanë. Prandaj dje i vizitova për t’ju shprehur falënderime në emër të popullit të Kosovës. Kosova është e bekuar që e ka këtë mbështetje”, ka shkruar Osmani, derisa ka publikuar edhe fotografi me ta.

  • Arrestohet një burrë në Prishtinë pasi sulmoi fizikisht nënën e tij

    Arrestohet një burrë në Prishtinë pasi sulmoi fizikisht nënën e tij

    Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në Prishtinë, meqë i njëjti dyshohet se ka sulmuar fizikisht nënën e tij.

    Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Prishtinë 10.05.2024 – 06:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se e kishte sulmuar fizikisht nënën e tij, viktimën femër kosovare, e cila ka pësuar lëndime trupore. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Ahmeti: Sanksionet e BE-së dhe ShBA-së ndaj Kosovës duhet të jenë alarm për Qeverinë

    Ahmeti: Sanksionet e BE-së dhe ShBA-së ndaj Kosovës duhet të jenë alarm për Qeverinë

    Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se klasa politike e Kosovës, e ne veçanti qeveria e saj duhet të jenë në alarm nga vendosja e sanksioneve, tash e një vit ndaj Kosovës, nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

    Ai ka thënë se nuk ndjehet mirë kur lexon në media ndërkombëtare për ndëshkimin që BE-ja dhe ShBA-ja i kanë bërë Kosovës, me këtë rast edhe ka bërë thirrje që qeveria të bashkëpunoj me aleatet e saj.

    Ai ka thënë se ShBA-ja se bashku me aleatët e saj në NATO ishin ata që e ndihmuan çlirimin e Kosovës nga Serbia.

    “Nuk ndjehem mirë kur shohë nëpër media ndërkombëtaret por edhe në mediat kombëtare, që Amerika ka vendosur sanksione ndaj Kosovës, se Evropa ka vendosur sanksione ndaj Kosovës. Unë mendoj që të gjithë klasën politike në Kosovë, në veçanti qeverinë e Kosovës duhet ta vënë në alarm sepse të gjithë këta aleat, ShBA me aletet e vetë në NATO ishin ata që na ndihmuan në çlirimin e Kosovës. Lirinë e paguam me gjake, por çlirimin e bëmë më aleatët. Kështu që këto lajme që unë i lexoj nuk janë të mira për Kosovën, nuk i bëjmë mirë shëndetit të Kosovës”, ka thënë ai.

    Ahmeti ka thënë se Kosova ka një proces tepër të rëndësishëm përpara  për anëtarësimin në BE, NATO e organizata të ndryshme, dhe sipas tij, për të pasur sukses në këtë rrugëtim Kosovës i duhen miqtë ndërkombëtar.

    “Kosova ka një proces përpara tepër të rëndësishëm që duhet ti përmbyll çështja që akoma janë të hapura. Duhet bërë demarkacioni me Serbinë, Kosova duhet të vazhdoj drejt anëtarësimit të vetë në institucione ndërkombëtare si në NATO, si në BE, si në OSBE e kështu me radhë, me dhjetëra e dhjetëra institucione ndërkombëtare. Kështu që për tu bërë ky proces i suksesshëm Kosovës i duhen miqtë, i duhet Washington, i duhet Brukseli, i duhet Berlini, i duhet Londra, Parisi, Vjena të gjithë i duhen për ta përmbyllur me sukses të gjithë procesin e shtetit të kompletuar”, ka thënë ai për EO.

  • Gjendet pa shenja jete një shtetase serbe në Ferizaj, policia nis hetimet

    Gjendet pa shenja jete një shtetase serbe në Ferizaj, policia nis hetimet

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një grua shtetase e Serbisë është gjetur pa shenja jete.

    Rasti ka ndodhur në Ferizaj, në mbrëmjen e së premtes.

    Siç njofton policia, me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

  • MAShTI publikon datat kur do të mbahet testi i arritshmërisë

    MAShTI publikon datat kur do të mbahet testi i arritshmërisë

    Ministria e Arsimit, Shkencës,Teknologjisë dhe Inovacinit ka marrë vendimin për datat kur do të mbahet testi i arritshmërisë në këtë vit.

    Testimi, sipas vendimit,  do të jetë i ndarë në dy faza, ku pjesa e parë përmban pyetjet nga lëndët shoqërore, ndërsa pjesa e dytë ka pyetje për lëndët shkencore.

    Më 26 qershor do të mbahet pjesa e parë e testimit e cila përmban njohuri nga gjuha amtare, gjuha angleze, historia dhe gjeografia.

    Ndërkaq, më 28 qeshor do të mbahet testimi i njohurive për lëndën e matematikës, informatikës, kimisë, fizikës dhe biologjisë.

    Kjo mënyrë e organizimit të testimit ishte praktikuar edhe vitin e kaluar, me ç ‘rast nxënësit u testuan në dy data të ndryshme për lëndë të ndryshme.

  • Sindikata e Policisë së Kosovës distancohet nga kryetari i suspenduar

    Sindikata e Policisë së Kosovës distancohet nga kryetari i suspenduar

    Me rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës është suspenduar kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës (SPK), Imer Zeqiri, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “fotografim dhe incizime të tjera të paautorizuara”, pasi dyshohet se pa autorizim ka incizuar bisedat e nënkryetarëve të sindikatës.

    Për suspendimin e tij reagoi edhe sindikata, ku në njoftim thuhet se Këshilli Drejtues i SPK-së kanë bërë të ditur se distancohen nga çdo veprim kundërligjor, të kujtdo qofshin.

    “Sot me datë 10.05.2024, Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë se Kosovës me shqetësim ka ndjekur zhvillimet rreth përfshirjes se njërit nga anëtarët e Kryesisë Ekzekutive të SPK-së, respektivisht kryetarit te SPK-së në veprime të kundërligjshme, ku me rekomandim të IPK-së edhe është suspenduar kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës zt. Imer Zeqiri, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale Fotografim dhe incizime tjerat te paautorizuara nga neni 202 i KPRK-së.

    Këshilli Drejtues i SPK-së distancohet nga veprimet kundërligjore të kujtdo qofshin ato, duke premtuar angazhim të plotë dhe të vazhdueshëm në përmirësimin e kushteve te punës dhe ngritjen e mirëqenies se punonjësve të PK-së. Ditëve në vijim KD i SPK – së do të dalë me njoftim shtesë rreth zhvillimeve të fundit ne SPK”, thuhet në njoftim.

  • Moti për sot

    Moti për sot

    Për të shtunën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira.

    Sipas Meteo Kosova, era do fryjë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi prej 13-38 km/h.

    Temperaturat do të shënojnë ngritje, me minimale që do të lëvizin prej 6 deri në 9°C, ndërsa ato maksimale prej 19 deri në 22°C.

  • Disa arsye pse mpihen duart – Kur duhet të shqetësoheni?

    Disa arsye pse mpihen duart – Kur duhet të shqetësoheni?

    Duart përmbajnë disa nga nervat më të ndjeshëm në trupin tuaj.

    Sikur edhe njëri nga këto nerva ose një pjesë e tyre është e ndrydhur ose disi e dëmtuar, fillojnë problemet.

    Truri juaj nuk mund të marrë të gjitha informacionet ndjesore që duart tuaja po e dërgojnë.

    Rezultati është mpirja. Studimet thonë se një nga shkaqet më të zakonshme të mpirjes së dorës është sindroma e tunelit të kyçit të dorës.

    Nervi i mesëm, që shkon poshtë parakrahut deri në pëllëmbën tuaj, qëllon të ndrydhet.

    Kjo gjendje është mjaft e zakonshme për njerëzit që shpenzojnë shumë kohë duke punuar në kompjuter ose edhe në telefonat celularë.

    Së bashku me mpirjen, simptomat e tunelit të kyçit të dorës përfshijnë një ndjesi që një ose më shumë gishtërinj – fryhen dhe japin pickime.

    Çfarë tjetër mund të jetë shkak për mpirjen e duarve tuaja?

    Çrregullime të tiroides

    Edhe një çrregullim i tiroideve mund të çojë në mpirjen e dorës. Një gjendër tiroide nën-aktive ose hipotirodizmi mund të rezultojë në dëmtimin e nervave që transportojnë informacion midis trurit, palcës kurrizore dhe gjymtyrëve.

    Teprimet me alkoolin

    Pirja e rëndë afatgjatë mund të çojë në neuropati alkoolike ose dëme nervore.

    Afërsisht gjysma e të gjithë përdoruesve të alkoolit të rëndë zhvillojnë një formë të kësaj gjendje, thonë studimet.

    Shenjat përfshijnë mpirje në krahë ose këmbë, ndjesi të çuditshme dhe pickime në gjymtyrët tuaja, dhe dobësi të muskujve.

    Kistet dhjamore

    Këto janë grumbullime dhjamore jo-kancerogjene që mund të formohen kudo në trupin tuaj, por kanë tendencë të shfaqen edhe rreth kyçeve tuaja.

    Sipas studimeve mjekësore, kistet dhjamore janë shumë të zakonshme. Dhe nëse formohet në dore, mpirja është një simptomë e zakonshme. Këto kiste nganjëherë zhduken vetë.

    Skleroza e shumëfishtë

    Skleroza e shumëfishtë është një sëmundje në të cilën sistemi imunitar sulmon një substancë yndyrore që mbron fibrat nervore të trurit dhe palcës kurrizore. Kjo mund të rezultojë në mpirjen e dorës.

    Ndërkohë që sëmundja mund të godasë në çdo moshë, ka më shumë gjasa të shfaqet gjatë moshave 20 dhe 30 vjeçare.

    Femrat kanë dy herë më shumë të ngjarë se meshkujt të vuajnë nga skleroza e shumëfishtë.

    Goditja në tru

    Mpirja e duarve ose ndjesia e shpimeve mund të jetë një shenjë se jeni duke marrë një goditje në tru. Rreth 10% e të gjitha viktimave të goditjes janë më të rinj se 45 vjeç.

    Edhe duke qenë të aftë dhe fizikisht aktivë, nuk do të thotë që nuk jeni në rrezik.

    Diabeti

    Deri tani ju ndoshta e dini se urinimi i shpeshtë, etja e tepruar dhe nivelet e larta të sheqerit në gjak janë të gjitha shenjat e paradiabetit.

    Por shumë njerëz që zhvillojnë diabet të tipit të plotë 2 nuk e kuptojnë atë. Dhe, nëse nuk trajtohet, mpirja e duarve mund të zhvillohet si pasojë e dëmtimit nervor të lidhur me diabetin, thonë studimet.

  • Ukraina thotë se zmbrapsi përpjekjen e Rusisë për përparim në Harkiv

    Ukraina thotë se zmbrapsi përpjekjen e Rusisë për përparim në Harkiv

    Trupat ruse kanë tentuar të hapin një front të ri duke thyer vijat ukrainase të frontit në rajonin e Harkivit, një veprim që Kievi tha se e ka zmbrapsur, pavarësisht se luftimet po vazhdojnë.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një konference për media tha se sulmi rus mëngjesin e 10 majit dështoi që të zinte në befasi trupat ukrainase.

    “Ukraina i priti me trupa: brigada dhe artileri”, tha Zelenksy, duke paralajmëruar se Moska mund të dërgojë më shumë trupa për të mbështetur përpjekjet e saj për të bërë përparim.

    Sipas burimeve, Rusia po synon që të krijojë një “zonë neutrale” për të parandaluar forcat ukrainase që të granatojnë territorin rus.

    Rajoni verilindor ukrainas i Harkivit gjendet në kufi me Rusinë, dhe në periferi gjendet dhe kryeqyteti rajonal me po të njëjtin emër. Ky qytet ndodhet 25 kilometra nga vijat e frontit.

    Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës raportoi se trupat ruse kanë sulmuar për orë të tëra, pasi paraprakisht kishin kryer sulme me artileri.

    “Pasi ra terri, pushtuesit rusë intensifikuan presionin ndaj vijave tona të frontit. Rreth orës 05:00, armiku tentoi të thyente vijat tona të mbrojtjes”, tha Ministria.

    Njësitë e rezervistëve janë dislokuar për të forcuar vijat e mbrojtjes dhe forcat ukrainase po vazhdojnë t’i bëjnë ballë ofensivës së armikut, tha Ministria, duke shtuar se luftimet ende po vazhdojnë.

    Më herët, Oleh Synyehubov, guvernator i rajonit të Harkivit raportoi se qytet Vovçansk, që gjendet 70 kilometra në verilindje të Harkivit dhe vetëm 4 kilometra nga kufiri rus, ishte nën sulm nga granatimet ruse.

    Me një popullsi prej 1.4 milion banorësh – sipas të dhënave të popullsisë para se të niste lufta – Harkivi është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës dhe një prej qyteteve në të rëndësishme ekonomike dhe industriale. Ai ishte ndër qytetet e para që u përball me sulmet ruse, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

    Kundërofensiva e suksesshme ukrainase në shtatorin e vitit 2022 çoi në çlirimin e pothuajse të gjithë rajonit të Harkivit.

    Por, muajve të fundit, Rusia ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa në këtë rajon dhe kryeqytetin e tij, përderisa forcat ukrainase po përballen me mungesë të municioneve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore./REL/

  • Qytetari nga Ferizaj gjen para në rrugë dhe i dorëzon në polici

    Qytetari nga Ferizaj gjen para në rrugë dhe i dorëzon në polici

    Një qytetar nga Ferizaj ka dorëzuar në polici një shumë të hollash pasi i kishte gjetur në rrugë.

    Për këtë ka njoftuar Policia e Kosovës, e cila i ka bërë thirrje pronarit që të paraqitet për t’i marrë.

    “Me datën 08.05.2024 rreth orës 17:10 qytetari nga Ferizaj z. D.Sahiti , i moshës 32 vjeçar,  në rrugën ‘’Reçaku ‘’ afër një barnatore në Ferizaj ka gjetur një shumë të caktuar të parave dhe menjëherë ka njoftuar policinë dhe ato i ka dorëzuar në stacionin e policisë në Ferizaj. Lusim pronarin e vërtetë të parave të paraqitet në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas verifikimit t’i kthehen ato”, njoftoi Policia.