ATV

Author: G.O.

  • PDK-ja konfirmon pjesëmarrjen në takim me Kurtin, LDK-ja e refuzon

    PDK-ja konfirmon pjesëmarrjen në takim me Kurtin, LDK-ja e refuzon

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Tri partitë opozitare kanë konfirmuar se kryeministri Albin Kurti i ka ftuar në një darkë pune për të hënën e 13 majit.

    Qëllimi i takimit u tha se do të jetë koordinimi me opozitën për agjendën e Kuvendit për sesionin pranveror.

    Pjesëmarrjen në takimin që është planifikuar të fillojë në orën 18:30, e ka konfirmuar Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës.

    Por vendim ndryshe mori kryetari i Lidhjes Demokratike. Lumir Abdixhiku e refuzoi takimin e thirrur nga kryeministri Albin Kurti, duke e cilësuar si ftesë të vonuar.

    Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë ditës konfirmoi se ky subjekt po e shqyrton pjesëmarrjen ose jo në takim.

    Sigurimi i votave për ta votuar Kodin Civil, vlerësohet se mund të jetë njëra nga arsyet që kryeministri Kurti vendosi t’i takoj kundërshtarët politikë.

    “Mendoj që është  një ftesë e pasinqertë por shpresoj se partitë opozitare do t’i përgjigjen pozitivisht. Natyrisht se do te ketë tema të tjera që do të fliten por edhe sigurimi i votave për kalimin e Kodit Civil do të jetë përpjekje e pashmangshme e Kurtit.”, tha Fidan Ukaj, politolog.

    Teksa Projektligjin për Kodin Civil dhe ai për shëndet riprodhues kanë mbetur pa u votuar që nga viti i kaluar, prej muajsh Kuvendi ka dështuar që t’i ratifikojë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare, vlera e të cilave aktualisht është mbi 300 milionë euro.

    Sipas një raporti të Institutit të Kosovës për Drejtësi, vetëm 34% e Agjendës Legjislative për vitin 2023 është përmbushur.

    Sidoqoftë, tema për të cilën kryeministri Albin Kurti i ka ftuar krerët opozitarë në takim, për njohësin e çështjeve politike, Artan Muhaxhirin kjo është e pakuptimtë.

    “Kosova ka probleme të shumta të natyrave të tjera. Duke e pasur si çështje të hapur anëtarësimin në Këshillin e Evropës, presionin e për formimin e Asociacionit dhe dialogun, të ftohet opozita për të folur për agjendë legjislative është ftesë jo e sinqertë e çuditshme dhe e pakuptimtë, por natyrisht qe në ketë takim do të flitet edhe për çështjen e zgjedhjeve sepse duket se do të jenë të pashmangshme.”, deklaroi Muhaxhiri.

    Në darkën e përbashkët të së hënës, siç është cilësuar nga ekzekutivi, përveç krerëve opozitarë janë ftuar edhe shefat e grupeve parlamentare të tri partive. /atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Policia: Ligji i ri për trafikun ka bërë që numri i aksidenteve të bie

    Policia: Ligji i ri për trafikun ka bërë që numri i aksidenteve të bie

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ   

    Që nga ashpërsimi i gjobave me ligjin e ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, disa vozitës kanë shtuar vëmendjen në zbatimin e rregullave të komunikacionit.

    Por, të dhënat zyrtare tregojnë se vozitësit tani po bëjnë më pak shkelje të rregullave në komunikacion.

    Sipas drejtorit të Policisë, gjatë muajit të parë pas hyrjes në fuqi të ligjit, është ulur ndjeshëm numri i aksidenteve.

    Ekspertë të komunikacionit vlerësojnë se në uljen e numrit të aksidenteve, kanë ndikuar edhe faktorë tjerë.

    Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor i cili në krahasim me të vjetrin, parasheh gjobat më të ashpra posaçërisht për ata që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, nuk respektojnë semaforin apo nuk vendosin rripin e sigurisë, ka hyrë në fuqi më 3 prill./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Rita Ora shfaqet ‘e nxehtë’ nga pushimet në Meksikë me bashkëshortin dhe motrën e saj

    Rita Ora shfaqet ‘e nxehtë’ nga pushimet në Meksikë me bashkëshortin dhe motrën e saj

    Rita Ora dukej spektakolare teksa kombinoi një bikinit me pantallona të shkurtra xhinse për një udhëtim ëndërr në Tulum.

    Këngëtarja 33-vjeçare e hitit “Hot Right Now” është në një pushim të qetë bregdetar me motrën e saj të madhe, 35-vjeçare, dhe ka ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale disa fotografi nga eksplorimi i saj atje.

    Ajo dhe burri i saj, regjisori Taika Waitit, publikuan disa imazhe të përbashkëta nga plazhi meksikan, me motrën e Ritës, Elenën që gjithashtu mori ca poza pranë palmave, shkruan The Sun.

    Ndërkohë, Rita zgjodhi një palë bikini në formë trekëndëshe ngjyrë jeshile dhe pantallona të shkurtra të vogla derisa shtrihej mbi një dysheme të pikturuar, duke i shpëtuar nxehtësisë për freskinë e gurit.

    Gjatë një dite tjetër jashtë, ajo gjithashtu zgjodhi pantallona sportive të bardha me një vijë të lartë dhe një bluzë tjetër noti, e mbuluar me një jelek të bardhë.

    Ajo ndryshoi pamjen e zakonshme për një fustan dantelle gjysmë-transparent dhe këpucë flip-flop të zeza për një dalje në mbrëmje, përpara vizitës në një muze natën.

    Ndërsa stili i këngëtares pop mund të ketë bërë përshtypje në pushimet e saj, ndjekësit me sy të mprehtë vunë re se produktet e saj nga linja e modës me markën “Primark” janë ulur ndjeshëm në çmim.

    Shumë prej fansave kanë pyetur gjithashtu nëse fustani i saj shumë provokues dhe i hapur në ‘Met Gala 2024’ ishte nga dyqani “Primark”.

    Por në fakt, fustani i saj i “Met Gala” ishte nga realizuar nga dizajneri italian Marni dhe këngëtarja shpjegoi në një postim në Instagram se fustani “përfshin në mënyrën më delikate dhe të fuqishme një tapiceri të vërtetë të zanateve njerëzore që shtrihen në një periudhë prej dy mijëvjeçarësh nga Egjipti në Romë”. /Telegrafi/

  • Ftesa e Kurtit për opozitën, Memli Krasniqi konfirmon pjesëmarrjen

    Ftesa e Kurtit për opozitën, Memli Krasniqi konfirmon pjesëmarrjen

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka pranuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti, për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror. Në këtë takim do të marrë pjesë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, mëson Ekonomia Online.

    Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka thënë për Ekonomia Online se në këtë takim pjesëmarrja e kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja.

    “Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për një takim pune, për të hënën dhe mund ta konfirmoj që Kryetari Memli Krasniqi do të marrë pjesë në këtë takim. Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”, ka thënë Abdullahu për EO.

  • Izraeli përsëri urdhëron palestinezët të evakuohen nga Rafahu

    Izraeli përsëri urdhëron palestinezët të evakuohen nga Rafahu

    Izraeli i ka urdhëruar të shtunën palestinezët në disa pjesë të tjera të qytetit jugor Rafah në Rripin e Gazës, të evakuohen dhe të shkojnë në, siç i quan, zonat e zgjeruara humanitare në Al-Mawasi.

    Ky është një tjetër tregues se ushtria izraelite e ka ndër mend ta zbatojë planin për pushtimin e plotë të Rafahut.

    Në një postim në rrjetet sociale, një zëdhënës i ushtrisë izraelite u bëri thirrje banorëve dhe të zhvendosurve në zonën Xhabalia dhe në 11 lagje të tjera në enklavë, të shkojnë menjëherë në perëndim të Gaza City për t’u strehuar.

    Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha të shtunën se së paku 37 palestinezë, 24 prej të cilëve nga zonat e Gazës qendrore, u vranë gjatë sulmeve të natës nëpër enklavë, përfshirë në Rafah.

    Ushtria izraelite tha se avionët e vet luftarakë goditën dhjetëra caqe nëpër Rripin e Gazës gjatë ditës së fundit.

    Në Rafah, banorët thanë për Reuters se urdhrat e rinj për evakuim nga ushtria izraelite vlejnë për zonat në qendër të qytetit dhe se nuk ka dyshim se Izraeli synon ta kryejë ofensivën e planifikuar në këtë qytet.

    “Gjendja është shumë e rëndë, njerëzit po ikin nga shtëpitë e tyre në panik”, tha Khaled, një banor 35-vjeçar i lagjes Shaboura, banorët e së cilës janë urdhëruar të largohen.

    Me gjithë trysninë e madhe nga SHBA-ja dhe aleatët, Izraeli ka thënë se do ta pushtojë Rafahun, ku mbi 1 milion palestinezë të zhvendosur kanë kërkuar strehim gjatë luftës tashmë shtatëmujore.

    Izraeli thotë se nuk mund ta fitojë luftën pa e çrrënjosur Hamasin – grupin e shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – luftëtarët e të cilit beson se janë vendosur në Rafah.

    Rreth 300.000 palestinezë janë zhvendosur deri tani në qytezën Al-Mawasi, e cila ndodhet në bregdetin lindor të enklavës, sipas ushtrisë izraelite.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i japin Izraelit armë për të kryer ofensivë në Rafah.

    Por, një ditë më vonë të enjten, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se kërcënimi i Shteteve të Bashkuara për ta pezulluar furnizimin me disa armë, nuk do ta parandalojë Izraelin nga vazhdimi i luftës së tij në Rripin e Gazës, duke lënë të kuptohet se ai mund ta pushtojë qytetin e mbipopulluar Rafah.

    Netanyahu tha se “nëse na duhet qëndrojmë të vetëm, do të qëndrojmë të vetëm. Nëse detyrohemi, ne do të luftojmë me thonjtë e gishtërinjve tanë. Por, ne kemi shumë më shumë se vetëm thonj”.

    Lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë ka nisur shtatë muaj më parë, kur pjesëtarët e këtij grupi kryen sulme befasuese në tokën izraelite, duke vrarë mbi 1.200 njerëz.

    Në luftën hakmarrëse të Izraelit në Gazë janë vrarë afro 35.000 palestinezë prej atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë./REL/

  • ​Fundi i një epoke, Modric do të largohet nga Real Madridi

    ​Fundi i një epoke, Modric do të largohet nga Real Madridi

    Ndërsa po hyjmë në javët e fundit të sezonit 2023/24, Real Madridi nuk ka vendosur ende të ardhmen e disa prej lojtarëve të tyre yje si Luka Modric dhe Toni Kroos, kontratat e të cilëve skadojnë më 30 qershor.

    Modric, për një kohë të gjatë, dukej se po shkonte drejt dyerve të daljes, por raportet e fundit sugjeruan se 38-vjeçari do të vazhdojë edhe një sezon në klub, raporton KosovaPress.

    Duke pasur parasysh se ai bëri disa paraqitje kryesore në ndeshjet e fundit në Ligën e Kampionëve, u sugjerua që Carlo Ancelotti dhe shefat e Realit vendosën që ata donin ta mbanin atë për një sezon më shumë, ndërkohë që edhe lojtari ndihej sërish i rëndësishëm.

    Megjithatë, tani, sipas raportimeve të gazetarit Ramon Alvarez, Luka Modric nuk do të vazhdojë te Real Madrid përtej sezonit aktual. 38-vjeçari besohet se do të takohet menjëherë me presidentin e klubit Florentino Perez për të diskutuar çështjen e së ardhmes së tij.

    Ndërsa është e paqartë nëse takimi ka ndodhur apo jo, tani po pretendohet se Modric do të largohet nga Reali pasi të përfundojë sezoni në vazhdim dhe t’i skadojë kontrata.

    Nëse është e vërtetë, do të jetë një goditje e jashtëzakonshme për Real Madridin, sepse Modric ka qenë një ikonë për më shumë se një dekadë në klub dhe ka treguar se ai ende mund të japë kontribute të vlefshme.

  • Juventusi nuk heq dorë nga Zhegrova, e ka gati ofertën

    Juventusi nuk heq dorë nga Zhegrova, e ka gati ofertën

    Juventusi po vazhdon të ruajë interesimin për Edon Zhegrovën.

    Sipas “TuttoJuve”, “Bardhezinjtë” po e ndjekin me kujdes dhe mund ta nënshkruajnë për ta përfshirë në skuadër në vend të Filip Kosticit.

    Juventusi thuhet se po punon për ta shitur serbin në Premierligë ose në Arabinë Saudite, duke synuar të arkëtojë 10 milionë euro nga një lëvizje e tillë.

    “Zonja e Vjetër” pastaj mund të blejë Zhegrovën për 15 milionë euro, për të mbushur vendin e lënë bosh nga shitja e mundshme e Kosticit.

    36 herë kampionët e Italisë po ndjekin reprezentuesin e Kosovës tash e një kohë. Madje, drejtori sportiv, Cristiano Giuntoli, ka zhvilluar edhe bisedime me Lillen dhe përfaqësuesit e lojtarit.

    25-vjeçari me Lille ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2026.

    Klubi nga Ligue 1 synon të përfitojë deri në 15 milionë euro nga shitja eventuale e Zhegrovës.

    Ylli kosovar deri më tani ka kontribuar me 12 gola dhe nëntë asistime në 45 paraqitje në të gjitha garat, duke u bërë një prej futbollistëve më të rëndëishëm në skuadrën e Paulo Fonsecas.

    Mbetet të shihet në verë nëse Edon Zhegrova do të bëjë një tjetër hap të madh në karrierën e tij.

  • Qindra të vdekur nga vërshimet në Afganistan

    Qindra të vdekur nga vërshimet në Afganistan

    Qindra njerëz kanë vdekur dhe një numër i madh i tyre janë lënduar si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nga reshjet sezonale, tha një zyrtar taliban të shtunën, pa dhënë shifrat të sakta.

    Pjesa veriore e vendit pësoi përmbytjet më të mëdha. Provinca Baghlan ishte më e goditura të premten, me zyrtarët që raportuan fillimisht se së paku 50 njerëz humbën jetën dhe se shumë prona u shkatërruan në qarqe të shumta.

    Në provincën e afërt, Takhar, mediat shtetërore raportuan se të paktën 20 njerëz u mbytën si pasojë e vërshimeve.

    Zabihullah Mujahid, zëdhënësi i qeverisë talibane, shkroi në rrjetin social X të shtunën se “qindra njerëz vdiqën nga këto vërshime katastrofike, dersia një numër i madh njerëzish kanë pësuar lëndime”.

    Mujahid nënvizoi se provincat Badakhshan, Baghlan, Ghor dhe Herat, kanë pësuar më së rëndi nga vërshimet.

    Ai shtoi se “shkatërrimi i madh” ka rezultuar në “humbje të jashtëzakonshme financiare”.

    Sipas tij, Qeveria ka urdhëruar grumbullimin e të gjitha resurseve për shpëtimin e njerëzve, transportimin e të lënduarve dhe nxjerrjen e trupave të viktimave.

    Më herët, zyrtarët kishin thënë se në prill, para vërshimeve të së premtes, së paku 70 njerëz kishin vdekur nga reshjet e mëdha të shiut dhe përmbytjet në vend.

    Rreth 2.000 shtëpi, tre xhami, dhe katër shkolla u dëmtuan, gjithashtu./REL/

  • Haziri flet për ftesën e Kurtit për opozitën: Kjo Qeveri nuk e fton në takim për asgjë opozitën

    Haziri flet për ftesën e Kurtit për opozitën: Kjo Qeveri nuk e fton në takim për asgjë opozitën

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar në një darkë punë liderët e tri partive parlamentare opozitare (LDK, PDK dhe AAK) për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror.

    Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka folur rreth kësaj ftese.

    Haziri ka thënë se nuk është në dijeni nëse LDK do të merr pjesë ose jo, dhe se për të Kurti asnjëherë nuk e ka ftuar opozitën për një çështje të tillë.

    ‘’Nuk kam njohuri. Nuk është në metodën e tij, asnjëherë nuk ka ftuar në takim për asnjë çështje, përjashtuar dy takime për formatin e dialogut’’ deklaron ai.

    Nënkryetari Haziri, shton se Qeveria nuk e fton për asgjë opozitën dhe se nuk është në dijeni nëse ka diçka tjetër ose jo, duke shtuar se edhe presidentja Vjosa Osmani ka bërë ftesa për raste të veçanta.

    ‘’Edhe presidentja po ashtu në raste të veçanta. Pra Qeveria dhe këta bartës nuk ftojnë opozitën për asgjë, nuk e di a ka diçka tillë apo jo. Tani për tani nuk mund të paragjykoj për temat që do të diskutohen’’ thotë Haziri.

    Në letrën të cilën Kurti i’a ka dërguar kreut të LDK-së të premten (10 maj), Lumir Abdixhiku, bëhet e ditur se takimi është paraparë të mbahet të hënën më 13 maj në orën 18:30 në një nga hotelet e kryeqytetit.

    Hera e fundit kur Kurti kishte ftuar në takim opozitën ishte në nëntor të vitit 2022, ku ishte thirrur për të diskutuar rreth situatës në Veri të Kosovës.

  • Holanda përjashtohet nga finalja e Eurovisionit

    Holanda përjashtohet nga finalja e Eurovisionit

    Artisti holandez Joost Klein është përjashtuar nga finalja e Eurovisionit të këtij viti që mbahet sot [e shtunë].

    Klein pati një incident në prapaskenë pas performancës në gjysmëfinale të enjten. Një anëtare e grupit të produksionit pretendoi se këngëtari holandez tentoi ta frikësonte. Policia suedeze më pas nisi hetimet.

    Në një deklaratë, organizatorët e Eurovisionit thanë se “nuk do të ishte e përshtatshme që Kleini të vazhdonte në garë” derisa të zhvillohet procesi ligjor.

    “Klein ka thyer rregullat e garës”, thuhet tutje në reagimin e Eurovisionit.

    Klein kishte qenë ndër favoritët për të fituar garën e këngës me “Europapa”.

    “Europapa” i kushtohet babait të Kleinit të cilën e humbi kur ishte 12-vjeçar. Tani 26-vjeç, këngëtari i kishte premtuar babait se një ditë do të arrinte në skenën e Eurovizionit.

    Me largimin e Holandës, në finale do të garojnë 25 këngë.