ATV

Author: G.O.

  • KRU “Prishtina” në aksion për borxhlinjtë e mëdhenj

    KRU “Prishtina” në aksion për borxhlinjtë e mëdhenj

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” pritet të ndërmarrë një aksion për shkyçjen e të quajturve borxhlinj të mëdhenj ndaj kësaj kompanie.

    Sipas njoftimit, aksioni për ndërprerjen e shërbimeve të ujësjellësit për borxhlinjtë e mëdhenj dhe konsumatorët ilegal do të filloj nga ora 10:30.

    “Kompani Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, nis aksion në Prishtinë për borxhlinjtë e mëdhenj të shërbimeve të ujit dhe konsumatorët ilegal. (Nisja bëhet nga KRU “Prishtina”, ora 10:30)”, thuhet në njoftimin e KRU-Prishtina.

  • Çështja e dinarit, kryenegociatorët e Kosovës e Serbisë takohen sot në Bruksel

    Çështja e dinarit, kryenegociatorët e Kosovës e Serbisë takohen sot në Bruksel

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen sot në Bruksel për të gjetur zgjidhje pas skadimit edhe të periudhës kalimtare të BQK-së, e cila e përcakton euron si valutën e vetme për transaksione në Kosovë.

    Emisari evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ka ftuar kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, për të vazhduar, sot në Bruksel, diskutimet mbi dinarin, me shpresën për gjetjen e një zgjidhjeje.

    “Kryengociatorët do të takohen të mërkurën këtu në Bruksel, dhe do të vazhdojnë diskutimet për gjetjen e zgjidhjes së përkohshme të qëndrueshme për personat e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme. Dhe në pritje të këtij takimi të mërkurën, Bashkimi Evropian pret që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për të arritur një kompromis”, tha të hënën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    Do jetë ky takimi i shtatë me radhë ku diskutohet zbatimi i rregullores së BQK-s. Palët akoma nuk kanë gjetur zgjidhje, teksa në tryezë është ende propozimi për kompromis i prezantuar nga Miroslav Lajçak, në fund të muajit mars.

    Me 12 maj, ka kaluar periudha kalimtare e Bankës Qendrore dhe nga e diela, euro është valuta e vetme për transaksione në Kosovë.

    Sipas kryeministrit të vendit, Albin Kurti, nëpërmjet rregullores së BQK-së po synohet ligjshmëria, transparenca.

    “Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, e ka sqaruar se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi. Janë ata të cilët janë më lartë se para nesh dhe prin në këtë proces të tranzicionit sa më të lëmuar të kalimit si mjet pagese. Rregullorja e BQK-së nuk është për të dalë kundër dinarit, por për euron si mjeti i vetëm për pagesa në Kosovë”, është shprehur Kurti.

    BQK, ka njoftuar se e ka përmbyllur edhe periudhën tremujore tranzitore për siç thuhet, “zbatim i lehtësuar i rregullores për operacione me para të gatshme”. BQK-ja ka sqaruar, ditë më parë, se pas përmbylljes së periudhës transitore ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit, duke vendosur edhe 38 bankomatë apo pajisje të ngjashme të vetëshërbimit financiar.

  • Kjo është data kur Reali pritet ta zyrtarizojë Mbappen

    Kjo është data kur Reali pritet ta zyrtarizojë Mbappen

    Kylian Mbappe e zyrtarizoi së fundmi largimin nga Paris Saint-Germaini në fund të sezonit.

    E të gjithë po e presin zyrtarizimin e klubit të tij të ri, i cili sipas të gjitha gjasave do të jetë Real Madridi.

    Sigurisht, siç raporton mediumi francez “RMC Sport”, transferimi i tij nuk do të bëhet publik para finales së Ligës së Kampionëve, e cila do të luhet më 1 qershor.

    Transferimi i tij tek “Los Blancos” më saktësisht do të bëhet zyrtar më 3 qershor.

    Sa i përket prezantimit të tij, duhet të pritet muaji gusht, kur edhe do të jenë prezentë plot 80 mijë persona në stadium, pastaj sponsorët, por edhe Zinedine Zidane në një “Santiago Bernabeu” të ri.

    Javier Tebas, president i La Ligas, e ka dhënë sot një intervistë për të përditshmen argjentinase “Olé”, në të cilën e ka bërë “zyrtarizimin” e Mbappes.

    “Mbappe do të vijë në Madrid nga sezoni i ardhshëm. Është njëri prej lojtarëve më të mirë në botë, por janë edhe Vinicius e Bellingham. Reali do ta ketë një skuadër të madhe. Është e qartë se kjo nuk jep garanci për ta fituar kampionatin”, deklaroi Tebas.

    Kurse, ish-futbollisti i Monacos i është shmangur pyetjes për klubin e ri.

    “Kur do ta zbuloj klubin tim të ri? Në jetë duhet të marrësh kohë për gjithçka. Gjëja e vetme për ta ditur është se do të largohem nga PSG-ja. Për pjesën tjetër ndoshta nuk është momenti i duhur për ta zbuluar”, deklaroi Mbappe për “RMC Sport”.

  • Ngrihet aktakuzë në mungesë ndaj tre personave për krime lufte kundër popullatës civile

    Ngrihet aktakuzë në mungesë ndaj tre personave për krime lufte kundër popullatës civile

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate për media, njoftoi se ka ngritur sot aktakuzë në mungesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër tre të pandehurve të nacionalitetit serb, me inicialet L.Č., P.B dhe M.I.

    Siç njoftoi PSRK-ja njofton se i pandehuri L.Č., në cilësi të personit zyrtar-Drejtor i burgut të Qarkut në Prishtinë, gjatë periudhës së konfliktit të armatosur, përkatësisht luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe në paralelen në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të këtyre burgjeve, në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ‘’Krime Lufte Kundër Popullatës Civile’’.

    Ndërkaq, të pandehurit P.B dhe M.I., në cilësinë e personave zyrtar-gardian të Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, gjatë periudhës së konfliktit të armatosur, përkatësisht luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe në paralelen në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të këtyre burgjeve, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Krime Lufte Kundër Popullatës Civile’.

  • KRU “Prishtina” paralajmëron shkyçje të borxhlinjëve të mëdhenj

    KRU “Prishtina” paralajmëron shkyçje të borxhlinjëve të mëdhenj

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka paralajmëruar se të mërkurën do të zhvillojë një aksion të gjerë, për shkyçjen e siç kanë thënë borxhlinjve të mëdhenj të ujit dhe konsumatorëve ilegalë.

    “Nuk ka ujë të pijshëm pa paguar faturat e ujit! Nesër 15 maj 2024, e mërkurë duke filluar nga ora 10:30 do të kemi aksion të madh me disa ekipe të shkyçjes dhe inspektorë, me fokus konsumatorët që kanë borxhe tejet të mëdha në komunën e Prishtinës”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

    Në këtë aksion thuhet se do të asistojë edhe Policia e Republikës së Kosovës.

  • Aksident trafiku në Sllatinë, një i vdekur

    Aksident trafiku në Sllatinë, një i vdekur

    Një aksident trafiku ka ndodhur mesditën e sotme në Sllatinë ku u përfshi një automjet. Për pasojë, shoferi i automjetit ka vdekur.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Baki Kelani.

    “Sot, në mesditë është raportuar për një aksident trafiku të ndodhur në Rrugën Pejë-Prishtinë, konkretisht në Sllatinë. Në këtë rast është përfshirë një automjet, në të cilin drejtuesi i mjetit ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e kanë konstatuar mjekët kompetent. Në lidhje me rastin në vendngjarje kanë dalë njësitet relevante policore, ekipi mjekësor dhe prokurori kompetent, përderisa trupi i pajetë është dërguar në IML”, ka thënë ai.

  • Man Utd zyrtarizon largimin e Varanes

    Man Utd zyrtarizon largimin e Varanes

    Manchester United sapo ka konfirmuar se Raphael Varane do të largohet në fund të sezonit si futbollist i lirë.

    Mbrojtësi francez është ndarë me marrveshje të dyanshme me skuadrën e madhe angleze. Varane asnjëherë nuk ka arritur të tregoi vlerat e tij te United, që nga transferimi nga Real Madridi.

    Për Varanen ka interesim nga Franca, Itali dhe liga arabe.

  • Rizvanolli: Kosova krenohet me rritjen e përqindjes së grave të punësuara, 40 për qind e vajzave përfshihen në tregun e punës

    Rizvanolli: Kosova krenohet me rritjen e përqindjes së grave të punësuara, 40 për qind e vajzave përfshihen në tregun e punës

    Demokracia për Zhvillim (D4D) ka mbajtur konferencën Rajonale “Gratë e Fuqizuara – Fuqizojnë Gratë”, ku u shpalosën, sfidat, dhe problemet me të cilat përballen gratë dhe rëndësia e tyre në shoqëri, nga pesë rajone, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, raporton Ekonomia Online.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Kosova ka shumë për tu krenuar, për faktin e rritjes së përqindjes në punësim të grave.

    “Kemi 40 për qind të përfshirjes së vajzave në tregun e punës, kemi përfaqësime shumë të mira. Që nga luftimi i dhunës në baza gjinore, janë lehtësuar masa për punësimin e viktimave të dhunës seksuale. Rezultatet janë impresive me rritjen e punësimit të grave nga 13 për qind në 18 për qind”, tha ministrja.

    Ajo shtoi se është rritur edhe pjesëmarrja e punësimit të grave në borde.

    “Kemi rritur pjesëmarrjen e grave në borde nga 10 për qind deri në 45 për qind dhe synojmë ta bëjmë në 50 për qind.  I kemi përkrahur nënat vetëushqyese më 50 për qind, 2438 gra i kemi subvencionuar. Synojmë që 5 për qind të pronave të jepet si masë shtesë afirmative në regjistrimin falas të pronës. 10 milionë dollarë të përfshirjes së grave në sektorin e efiçiencës së energjisë”, tha Rizvanolli.

    Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, tha se kemi zbatuar masën për punësimin e grave ku kanë përfituar 6 mijë gra.

    “Në platformën super puna është ruajtur barazia gjinore ka përfituese mbi 50 për qind të grave. 240 kuponë për teknologji informative, ku kanë ndjekur mbi 300 orë trajnime, 240 të trajnuar në sektorin e IT-së. 44 biznese përfituese janë shumë prej grave. Në fund vitin 2023  151 mijë gra të punësuar trend që vazhdon në rritje”, tha ai.

    Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia ( ABGJ), tha se roli i gruas vazhdon dhe mbetet i rëndësishëm në shoqërinë tonë, duke theksuar se gruaja në shoqëri shpesh është dëshmuar si faktor me ndikim.

    “Obligimet dhe përgjegjësitë mbesin në përkujdesjen ndaj familjes, duke i mbajtur ato në mirë sigurimin e shoqërisë. Gratë po përballen me humbje të vendeve të punës, ky nënvlerësim është i lidhur ngushtë me përgjegjësinë e grave. Sa më i thellë hendeku i politikave aq më shqetësues bëhet dënimi i të qenit grua, e gjithë kjo e afirmon domosdoshmërinë e punës së grave. Në ngritjen e solidaritetit mes grave, gratë janë dëshmuar shpesh si faktor ndryshimi. Kemi nevojë për platforma të reja. Agjencia për Barazi mbetet e hapur në bashkëpunim rajonal për të mësuar nga përvoja pse jo edhe nga dështimet”, tha Gusia.

    Judita Krasniqi Hajdari, nga Demokracia për Zhvillim (D4D), tha se gratë shpesh herë iu mungon vetëbesimi për të punuar.

    “Ne si shoqëri civile të bazohemi edhe në formula që janë aplikuar në rajon dhe të kopjojmë nga njëri-tjetri për të mirë. Si fillim kemi nisur bazën e pozitës së gruas në vendet e Ballkanit Perëndimor, të flasim për punën e pa paguar të gruas në tregun e punës. Shpesh gratë nuk kanë vetëbesim për kryerjen e ndonjë pune në treg të punës. Në Kosovë dhe rajon ne kemi fokus në nxjerrjen e përvojave të grave në aspektin menaxherial. Gratë kanë marrë një mbështetje që e kanë pritur si në vende rurale dhe rajonale, kanë potencuar elemente të rëndësishme të grave që ato kanë nevojë”, tha ajo

    Ndërsa, Kristjan Trajkovski, nga Qendra për Hulumtim dhe Politikbërje, nga Maqedonia e Veriut, tha se ka edhe shumë punë për të bërë në mënyrë që të fuqizohet pozita e gruas në shoqëri, dhe një nga shembujt që duhet ndjekur tha se është presidentja Osmani.

    “Situata është më e keqe se që duket, kemi dy komuna të mëdha dhe nëse analizojmë 301 kandidatë vetëm 20 për qind kanë qenë gra. Të shpresojmë se një model i tillë të ndikojë te të rejat”, tha ai.

    Trajkovski, tha se nëse bëjmë krahasim, gruaja vite më parë e ka pas të vështirë të punësohet, mirëpo sot është ndryshe ka shumë mundësi, megjithatë iu mungon siguria.

    “Ne kemi hulumtuar pozitën e grave, vetëm pesë nga ministritë janë të udhëhequra nga gratë dhe është një numër i vogël. Situata është më e keqe se që duket kemi dy komuna të mëdha dhe nëse analizojmë 301 kandidatë vetëm 20 për qind kanë qenë gra. Institucionet arsimore në vend akoma bien ndesh me kompanitë e ndryshme për ofrimin e mundësive që të arrijnë sa më shumë që është e mundur. Para 20 vite ka qenë shumë vështirë të gjejnë punë por këto ditë gratë kanë liri në gjetjen e një vendi pune, kanë pasiguri dhe frikë”, tha ai.

    Kurse, Jelena Kojashi, nga Qendra për Hulumtim dhe bërje të Politikave (CRPM), Shqipëri, tha se gratë e kanë shqetësim diskriminimin në vendin e punës, si dhe përballen me mungesën e planeve të monitorimit dhe rrjetëzimit.

    “Natyra e eksperiencave të grave është e larmishme, i shqetëson mungesa e planeve të monitorimit dhe rrjetëzimit. Pjesëmarrësit theksuan mungesë të punës në përgjithësi, tek rastet e diskriminimeve në vend të punës. Është i rëndësishëm përfshirja e Kodit të Etikës në vend pune. Gratë dhe vajzat që kanë poste të larta në vend pune theksuan se është e rëndësishme monitorimi. Kemi bërë pyetësor, shumë gra nuk kanë qasje në program monitorimi,” tha ajo.

    Andela Luçiq, nga Instituti për Studime Strategjike dhe Prognoza (ISSP) nga Mal i Zi, tha se secili qytetar atje beson se nuk mund ta arrihet barazia gjinore dhe besojnë se punësimi ka të drejta ligjore.

    “Qëndrueshmëria e qytetarëve, 60 për qind besojnë se gratë duhet të punojnë në shtëpi. Gratë e përbëjnë 1/3 sa i përket pozitave. Gratë në Mal të Zi, 50.6 për qind janë gjysma e të papunësuarve, 86 për qind të burrave dhe 73 për qind të grave”, tha ajo.

    “Te pjesa e legjislacionit, parlamenti i Malit të Zi ka 19 gra, pra 23 për qind. Mali i Zi, ka për synim të ketë plane dhe ligje ndërkombëtare sa i përket barazisë”, shtoi Lucic.

    Svetlana Stefanoviq, BFPE për Shoqëri të Përgjegjshme nga Serbia, tha se pjesëmarrja e grave në vendimmarrje është e rëndësishme.

    “Nuk e njohim rëndësinë e të drejtave që na ipen disa gra luftojnë për to. Përballemi me diskriminim në nivelin lokal. Gratë nuk luftojnë për të drejtat e tyre, nuk kemi politika të mira sa i përket barazisë gjinore. 350 të pyetur nga pyetësori, thuhet se 37 për qind të grave, akoma nuk kanë mundësi të barabarta me burrat.  32 për qind e tyre kanë ndonjë program monitorimi në fillim të karrierës së tyre. Përballemi me sfidat kur duam të ngrihemi në ndonjë pozitë, kanë përvoja të këqija”, tha ajo.

    Tutje u bë edhe ndarja e çmimeve për gazetari, ‘Mbështetja e Grave në Tregun e Punës’, ku çmimi i parë iu dha gazetarit, Besian Behaj, me temën “FSK-ja pa asnjë grua nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”.

    Çmimi i dytë iu dha, gazetares, Mediana Halili, me temën “Radio Televizioni i Burrave”.

    Kurse, çmimi i tretë, iu dha Agnesa Qorrit, me temën “Përpjekjet që nuk arrihen”.

  • Akuzohet Goran Rakiqi, fshehu dy paga shtesë që merrte në Kosovë

    Akuzohet Goran Rakiqi, fshehu dy paga shtesë që merrte në Kosovë

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër ish-kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, të cilin e akuzon se në cilësinë e ministrit për Komunitete dhe Kthim, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë.

    Aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton të jetë përpiluar më 2 maj 2024 nga prokurori Ali Ajdini.

    Sipas aktakuzës, thuhet se Rakiq, në cilësinë e ministrit të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, me dashje ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për Deklarim, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve së Lartë Publikë, ashtu që i njëjti edhe pse ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë në formularin e deklarimit të pasurisë, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara.

    Aktakuza thotë se Rakiq në formularin për deklarimin e pasurisë të dorëzuar më 31 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara për vitin 2020, respektivisht nuk ka deklaruar të hyrat vjetore të përfituara nga funksioni si asistent në Shkollën e Lartë Ekonomike në Pejë dhe funksionin në Ndërmarrjen Publike “Standard” në Mitrovicë.

    Me këto veprime, Rakiq po akuzohet se ka kryer veprën penale nga kapitulli i korrupsionit “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave ose dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

    Në arsyetimin e aktakuzës, thuhet se Rakiq në deklaratën e tij të dhënë në Prokurori në tërësi e ka pranuar kryerjen e veprës penale dhe i njëjti është shprehur i gatshëm që të hyjë në negociata për pranimin e fajësisë.

    E një gjë të tillë për “Betimi për Drejtësi”, më 25 prill 2024 e kishte konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, kur në objektin e kësaj Prokurorie ishte parë tani i akuzuari Rakiq.

  • Zbulohen veçoritë e reja me Al që do të marrë iOS 18 i Apple

    Zbulohen veçoritë e reja me Al që do të marrë iOS 18 i Apple

    Apple pritet që gjatë vitit 2024 të prezantojë sistemin e ri operativ, iOS 18.

    Të gjithë përdoruesit e iPhone po presin për të zbuluar veçoritë me Al të sistemit të ri operativ dhe përditësimet që thuhet të marrë Siri.

    Por, tani thashethemet për ndryshime janë shtuar, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    Thuhet se iOS 18 do të mbështesë transkriptimin dhe përmbledhjen automatike të audiove.

    Nëse këto thashetheme dalin të jenë të vërteta, përdoruesit do të kenë qasje në transkripte në kohë reale të audiove të regjistruara.

    Bëhet e ditur se një ndër aplikacionet e para që do të marrë përditësime do të jetë Voice Memos.

    Versionet e hershme të tij do të ofrojnë transkriptime të cilat me sa duket do të integrohen edhe në Notes.

    Për më tepër, përditësimet do të përfshijnë edhe një opsion që përmbledh pikat kryesore nga teksti ose audio e regjistruar. /Telegrafi/