ATV

Author: G.O.

  • “Opozita të bëhet gati”, Kurti deklarohet sërish për mbajtjen e zgjedhjeve

    “Opozita të bëhet gati”, Kurti deklarohet sërish për mbajtjen e zgjedhjeve

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur edhe njëherë gatishmërinë e tij që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka pasur edhe një porosi për opozitën që të jenë gati për një proces të tillë, në të kundërtën ka thënë se do të përfundojë mandati.

    “Opozita duhet të bëhet gati. Ne jemi gjithmonë gati, përndryshe nëse ata janë rehat shkon mandati”, ka thënë Kurti në ceremoninë e hapjes së edicionit të 23-të të Panairit Ndërkombëtarë EXPOKOS.

  • ​Gjykata Speciale liron Isni Kilajn nën kushte të rrepta

    ​Gjykata Speciale liron Isni Kilajn nën kushte të rrepta

    Isni Kilaj u lirua në Kosovë sot, më 15 maj, me kushte të rrepta, në bazë të vendimit të gjykatësit të vetëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) të datës 3 maj 2024. Në vijim ky vendim u konfirmua edhe nga një Panel i Gjykatës së Apelit i DHSK-së më 13 maj 2024.

    Në vendimin mbi rishikimin e paraburgimit të Isni Kilajt, gjykatësi i vetëm konstatoi se ende ekziston dyshimi i bazuar se Kilaj ka kryer, vetë ose së bashku me të tjerë, vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

    “Gjykatësi i vetëm konstatoi gjithashtu se vazhdon të ekzistojë rrezik i moderuar që Kilaj të arratiset dhe mund të pengojë ecurinë e procedurave penale dhe të kryejë vepra penale të tjera. Ai konstatoi më tej se asnjë prej kushteve të paraqitura nga Mbrojtja e Kilaj dhe asnjë nga kushtet e tjera të vendosura nga Gjykatësi i Vetëm nuk mund të kufizojnë plotësisht aftësinë e Kilaj për të penguar ecurinë e procedurave të DHSK-së dhe për të kryer vepra penale të tjera. Megjithatë, Gjykatësi i Vetëm arriti në përfundimin se zgjatja e paraburgimit të Kilaj në rrethanat aktuale do të ishte e paarsyeshme, duke marrë në konsideratë prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën e tij për liri në rrethanat e zhvillimeve të reja. Gjykatësi i Vetëm mbajti parasysh se (i) Kilaj është mbajtur në paraburgim për pothuaj gjashtë muaj; (ii) për veprat penale për të cilat Kilaj konsiderohet i dyshuar mund të dënohesh nga një deri në 5 vjet; dhe (iii) kërkesa e kohëve të fundit që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i paraqiti Gjykatësit të Vetëm për pezullimin e shqyrtimit të Aktakuzës së dorëzuar prej saj, për shkak se synon të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar, vonon në mënyrë të konsiderueshme kalendarin e procesit. Për këtë arsye, Gjykatësi i Vetëm vendosi që rreziqet që do të rezultonin prej lirimit të z. Kilaj nuk peshojnë më shumë se e drejta e tij themelore për liri”, thuhet në komunikatën e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

    Më 13 maj, Paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi apelin e ZPS-së kundër vendimit.

    “Apeli i ZPS-së fokusohej në kushtet e lirimit të Kilaj të urdhëruara nga Gjykatësi i Vetëm. Ndonëse është liruar, Kilaj vazhdon të jetë i dyshuar në proceset e DHSK-së dhe lirimi i tij është objekt i kushteve të rrepta të vendosura nga Gjykatësi i Vetëm, ndër të tjera, që ai: duhet t’i japë Administratores një garanci financiare (dorëzani) në shumën 30.000 euro si kusht paraprak për lirimin e tij; nuk duhet të largohet nga territori i Kosovës, përveçse me leje të një paneli kompetent të DHSK-së dhe t’i dorëzojë Administratores pasaportën dhe çfarëdo dokumenti tjetër udhëtimi të tij; duhet të japë adresën në të cilën do të banojë gjatë kohëzgjatjes së procesit gjyqësor dhe të paraqitet çdo javë në policinë e Kosovës, në përputhje me procedurat e përcaktuara nga Administratorja; nuk duhet të bëjë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, deklarata publike në media dhe/ose mediat sociale lidhur me DHSK-në, ZPS-në dhe ose proceset e DHSK-së, përfshirë deklarata që përmbajnë kërcënime, dhunë ose frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të hetimit penal; duhet të marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore të kërkuar nga DHSK-ja dhe të përmbushë çdo vendim apo urdhër tjetër të Gjykatës. Gjykatësi i Vetëm theksoi se në rast të mospërmbushjes së ndonjë prej kushteve, do të lëshohet menjëherë urdhër për arrestimin e Kilaj”, thuhet në komunikatë.

  • Sot varroset polici i vrarë në Fier

    Sot varroset polici i vrarë në Fier

    Sot varroset efektivi i policisë së forcave “Shqiponja”, Novruz Cenalia.

    Në hollin e Teatrit Bylis në Fier është vendosur arkivoli i efektivit të policisë, ku po kryhen homazhe nga familjarë, kolegë, qytetarë dhe autoritetet për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

    Në homazhe morën pjesë edhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku.

    Siç raporton Tv Klan, 28-vjeçari do të prehet në varrezat e fshatit Baltëz.

    Efektivi i policisë Novruz Cenalia u vra mesditën e së hënës, pas një konflikti të çastit me 23-vjeçarin Azgan Mërnica, i cili pas kryerjes së kësaj vrasje është në arrati.

    Prej dy ditësh forcat e policisë, forcat speciale RENEA kanë vijuar kërkimet për gjetjen e autorit duke u shtrirë në disa qytete të jugut të vendit.

  • Një shtetase e Shqipërisë raportohet e zhdukur në Prishtinë

    Një shtetase e Shqipërisë raportohet e zhdukur në Prishtinë

    Një shtetase e Shqipërisë është raportuar e zhdukur në Prishtinë.

    Rastin në polici e ka lajmëruar një burrë, po ashtu shtetas i Shqipërisë i cili ka thënë se viktima është larguar nga shtëpia dhe nuk ka njohuri për vendndodhjen e saj.

    Pas konsultimit me prokurorin rasti vazhdon në procedurë hetimore.

  • Ministri Murati në Armeni, takohet me homologun e tij

    Ministri Murati në Armeni, takohet me homologun e tij

    Gjatë qëndrimit në Armeni ku po merr pjesë në takimet vjetore të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati u prit sot në takim nga ministri i Financave të Armenisë, Vahe Hovhannisyan.

    Përgjatë këtij takimi, dy ministrat diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe thellimin e raporteve marrë parasysh ngjashmëritë mes të dyja vendeve. U diskutua edhe për mundësinë e organizimit të vizitave të ndërsjella të delegacioneve biznesore.

    Gjithashtu, Ministri Murati shfrytëzoi rastin të falenderojë Ministrin Hovhannisyan për mbështetjen e ofruar nga Armenia në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Në përfundim të takimit, palët u dakorduan për thellim të bashkëpunimit në procesin e reformave përmes shkëmbimit të njohurive dhe praktikave më të mira të të dyja vendeve.

  • Memli Krasniqi fton qytetarët të regjistrohen: Proces jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen e vendit

    Memli Krasniqi fton qytetarët të regjistrohen: Proces jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen e vendit

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njoftuar se bashkë me familjen e tij kanë përfunduar procesin e regjistrimit të popullsisë.

    Ai i ka ftuar të gjithë qytetarët të cilët ende nuk janë regjistruar, që të bëhen pjesë e këtij procesi.

    “Këtë javë, bashkë me familjen time, edhe ne e përfunduam procesin e regjistrimit të popullsisë. Një proces i shpejtë, i lehtë, por edhe jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen e vendit tonë. Përmes regjistrimit të popullsisë, ne do të dijmë saktë se sa janë dhe ku jetojnë qytetarët tanë anekënd vendit – por edhe në mërgatë. Do të kemi shumë të dhëna të vlefshme, mbi të cilat do të mund të planifikojmë efektivisht politika zhvillimore për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim, nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat”, ka shkruar Krasniqi.

    “Andaj, nëse ende s’e keni bërë, ju ftoj që të shfrytëzoni edhe këto dy ditë të mbetura për t’u regjistruar”, ka përfunduar lideri i PDK-së.

  • 27-vjeçari nga Kosova përplas për vdekje këmbësorin në Rrugën e Kombit

    27-vjeçari nga Kosova përplas për vdekje këmbësorin në Rrugën e Kombit

    Një shofer nga Kosova ra në prangat e policisë në Kukës pasi përplasi për vdekje një person.

    Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi mbrëmjen e së martës në autostradën “Milot-Morinë”. Viktimë nga kjo ngjarje mbeti një këmbësor rreth të 60-tave, identiteti i të cilit nuk dihet ende.

    “Shërbimet e Njësisë së Sigurisë Rrugore në autostradën “Milot-Morinë” arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 27 vjeç, banues në Prishtinë, pasi rreth orës 21:30, të datës 14.05.2024, në fshatin Gjegjan, me automjetin që drejtonte, ka përplasur një shtetas ende të paidentifikuar, këmbësor, rreth 60 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën në vendngjarje. Vijon puna për identifikimin e këtij shtetasi. Materialet  procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme”, tha policia në një njoftim për mediat, shkruan tvklan.

  • Vdekja e polices në Gjilan, Sindikata e PK-së: Urgjentisht të merren hapa për përmirësimin e mirëqenies së policëve

    Vdekja e polices në Gjilan, Sindikata e PK-së: Urgjentisht të merren hapa për përmirësimin e mirëqenies së policëve

    Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së zyrtares policore, Lumnije Dervodeli Borovci.

    Përmes një komunikate për media, SPK vlerëson se Policia e Kosovës duhet të marrë urgjentisht hapa në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës, mirëqenies dhe gjendjes shëndetësore të pjesëtarëve të Policisë.

    “Me rastin e vdekjes së koleges tonë, zyrtares policore Lumnije Dervodeli Borovci, Sindikata e Policisë së Kosovës i shprehë ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe gjithë atyre që e njohën të ndjerën.

    SPK vlerëson se Policia e Kosovës duhet urgjent të ndërmarr hapa konkret në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës, mirëqenies dhe gjendjes shëndetësore të pjesëtareve të PK-së.

    SPK do të jetë në dispozicion të familjes së të ndjerës për të ofruar gjithçka që është në fuqinë tonë me shpresën që në të ardhëm raste të tilla asnjëherë të mos na përsëriten”, thuhet në komunikatë.

  • Konjufca priti në takim Zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj

    Konjufca priti në takim Zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike, njëherazi Ministër për Zhvillim Ekonomik i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj.

    Duke e falënderuar zëvendëskryeministrin Gjeloshaj për vizitën në Kosovë, kryetari Konjufca vlerësoi lart marrëdhëniet midis Kosovës dhe Malit të Zi, si dy shtete me raporte të mira bashkëpunimi.

    Konjufca vlerësoi mbështetjen e Malit të Zi ndaj Republikës së Kosovës, duke e konsideruar këtë si tregues të vullnetit dhe gatishmërisë për thellimin e këtyre raporteve.

    Kreu i Kuvendit vuri në pah se Republika e Kosovës i bashkëndan dhe i qëndron përkrah synimeve zhvillimore dhe atyre të integrimit evropian të Malit të Zi. Sipas tij, ky qëndrim forcohet edhe më shumë prej faktit të nevojës së përparimit të rajonit tonë dhe dëshirës për t’i parë gjithnjë e më mirë bashkëkombasit tanë shqiptarë të Malit të Zi.

    Teksa biseduan për zhvillimet politike në Kosovë dhe Mal të Zi, kryetari Konjufca tha që me Gjeloshaj u pajtuan se zhvillimi dhe siguria e shteteve tona, si dhe e rajonit kërkon angazhim të pandërprerë në mbrojtje të sovranitetit, shtetit të së drejtës dhe demokracisë, kërkon qëndrim të palëkundur kundër agjendës dhe influencës ruse në rajon.

    Zëvendëskryeministri Gjeloshaj e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, duke shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit të mëtejmë për të avancuar interesat e përbashkëta.

  • Fillon takimi trepalësh në Bruksel

    Fillon takimi trepalësh në Bruksel

    Pak para orës 10:00, ka nisur rundi i gjashtë i diskutimeve në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë janë takuar sot në Bruksel për të gjetur zgjidhje pas skadimit edhe të periudhës kalimtare të BQK-së, e cila e përcakton euron si valutën e vetme për transaksione në Kosovë.

    Kur bëhet fjalë për pritshmërisë e BE-së nga ky takim, ata janë shprehur optimistë edhe këtë herë.

    Një gjë të tillë, Lajçak e tha edhe gjatë ditës së hënë.

    Ndërmjetësi evropian ka konfirmuar se do të jetë nikoqir i takimit të kësaj jave mes ndërmjetësuesve nga Kosova dhe Serbia.

    Ai është shprehur i bindur se do të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit.

    Takimi i pestë ndërmjet palëve ishte në javën e fundit të prillit.

    Pas takimit të fundit me 25 prill, i dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet, Miroslav Lajçak tha se u ka paraqitur palëve një dokument kompromisi në një përpjekje për të tejkaluar dallimet, por pa dhënë hollësi se për çfarë propozimi bëhet fjalë.

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë pas takimit akuzuan njëri tjetrin për dështimin e bisedimeve.

    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi më 25 prill tha se Serbia kishte “qëndrime shqetësuese” sa i përket çështjes së transferimit të mjeteve financiare në valutën dinar nga Serbia në Kosovë”.

    Pas takimit me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, Bislimi tha se tani ndërmjetësi evropian, Mirosllav Lajçak ka dalë me një propozim të ri rreth zgjidhjes së kësaj çështjeje.