ATV

Author: G.O.

  • Ligji i ri i trafikut rrugor, për një muaj shqiptohen mbi 36 mijë gjoba

    Ligji i ri i trafikut rrugor, për një muaj shqiptohen mbi 36 mijë gjoba

    Mbi 36 mijë gjoba janë shqiptuar për një muaj nga Policia e Kosovës pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri të trafikut rrugor.

    Sipas një njoftimi nga Policia bëhet e ditur se 27,003 gjoba janë shqiptuar për tejkalim të shpejtësisë dhe 4,548 për rrip të sigurisë.

    Tutje bëhet e ditur se për mjete të paregjistruara deri në 30 ditë janë shqiptuar gjithsej 659 gjoba, dhe 317 gjoba të shqiptuara për mjete të pa regjistruara mbi 30 ditë.

    Ndërkaq, janë konfiskuar 511 vetura të cilat nuk kanë qenë të regjistruara si dhe 11 kamion e 100 motoçikleta.

    “Me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore, mbrojtjen e jetës dhe zhvillimin normal të rrjedhës së trafikut, Policia e Kosovës gjatë muajit të parë të implementimit të ligjit të ri të trafikut ka ndërmarrë fushata për vetëdijesimin dhe sensibilizimit e qytetarëve në respektim të rregullave dhe kontributit të përbashkët për parandalimin e aksidenteve në trafik”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Policia e Kosovës, ka apeluar të gjithë pjesëmarrësit në trafik të respektojnë rregullat e trafikut që të kontribuohet në në sigurinë rrugore duke shpëtuar veten dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik.

  • Presidentja Osmani bisedon me homologun gjerman – kërkon përkrahjen për anëtarësim në Këshill të Evropës

    Presidentja Osmani bisedon me homologun gjerman – kërkon përkrahjen për anëtarësim në Këshill të Evropës

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në prag të takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës ka folur me presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier lidhur me anëtarësimin e Kosovës në KiE.

    Presidentja Osmani në një postim në platformën X thotë se në bisedën me homologun gjerman ka theksua rëndësinë për përfundimin me sukses të këtij procesi.

    “Dje fola me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier për të diskutuar anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

    Theksova rëndësinë për përfundimin me sukses të këtij procesi, për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të përfitojnë sa më shpejt nga instrumentet e Këshillit.

    Anëtarësimi ynë nuk do të ishte vetëm një fitore për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe një fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat ai qëndron fuqishëm”, shkruan Osmani.

  • Zelensky anulon vizitat në Spanjë e Portugali

    Zelensky anulon vizitat në Spanjë e Portugali

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka anuluar vizitat e planifikuara në Spanjë dhe Portugali, bënë të ditur autoritetet të mërkurën. Televizioni “CNN Portugal” dhe media të tjera kanë raportuar se anulimi ka ndodhur për shkak të shtimit të luftimeve në vendin e tij.

    Zelensky pritej të takohej me Mbretin Felipe të Spanjës dhe të nënshkruante një marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi në fushën e sigurisë me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez, pas një deklarate të përbashkët të NATO-s vitin e kaluar.

    Qeveria e Spanjës tha se nuk mund të komentonte anulimin e vizitës për arsye sigurie.

    Bashkë me vende të tjera evropiane, Spanja është zotuar për ta mbështetur Ukrainën me ndihma financiare e ushtarake pas fillimit të pushtimit rus.

  • Knaus: Ka ende një rrugë të mirë përpara që Kosova të anëtarësohet në KiE

    Knaus: Ka ende një rrugë të mirë përpara që Kosova të anëtarësohet në KiE

    Kryetari i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus ka thënë se ende ekziston një rrugë e mirë përpara që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

    Knaus në një postim në “X”, ka shtuar se kjo kërkon lidership dhe që të zbatohen të gjitha standardet e Këshillit të Evropës për të gjitha shtetet anëtare.

    “Përkundër disa raporteve pesimiste, ka ende një rrugë të mirë përpara që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës së shpejti. Kjo kërkon lidership, ashtu siç kërkon çdo përparim në politikë. Dhe një referencë të qartë ndaj standardeve të Këshillit të Evropës që zbatohen për të gjitha shtetet anëtare. As më shumë, as më pak. Mundësi për një përparim në raportin e ri të Iniciativës Evropiane për Stabilitetit më vonë gjatë ditës së sotme”, ka shkruar Knaus.

    Knaus ditë më parë i kishte reaguar ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde lidhur me anëtarësimin e Kosovës në KiE.

    Ai kishte deklaruar se do të ishte fiasko diplomatike ndërsa pyeti se “përse t’i besohet drejtësisë së anëtarëve të BE-së, pavarësisht meritave?”.

  • Dafina Zeqiri publikon fotografi me Rita Orën dhe bashkëshortin e saj, në sy bie shqiponja e vendosur mbi ballin e Taikas

    Dafina Zeqiri publikon fotografi me Rita Orën dhe bashkëshortin e saj, në sy bie shqiponja e vendosur mbi ballin e Taikas

    Këngëtarja shqiptare Dafina Zeqiri ka ndarë një fotografi të rrallë përmes InstaStory me fansat e saj, ku shfaqet së bashku me yllin me famë ndërkombëtare Rita Ora dhe bashkëshortin e saj, regjisorin e njohur hollivudian Taika Waititi.

    Pavarësisht se nuk ka dhënë detaje shtesë në postim, imazhi flet vetë për mikpritjen dhe gëzimin e këtij takimi.

    Fotografia duket se është realizuar në ditëlindjen e 33-të të Ritës, e cila është mbajtur në Prishtinë në nëntorin e vitit të kaluar. Rita Ora dhe Taika Waititi vizituan kryeqytetin shqiptar, duke u takuar me disa prej figurave më të njohura të skenës politike dhe shoqërore të vendit.

    Në foto, Dafina dhe Rita shfaqen duke qeshur dhe duke shkëmbyer momente të lumtura, ndërsa Taika Waititi duket se ka pranuar me krenari simbolet kulturore të Shqipërisë, duke mbajtur në ballë një shqiponjë dykrenare dhe duke formuar me duar një simbol të ngjashëm me shqiponjën.

    Ky takim simbolizon një urë midis yjeve shqiptare me ata ndërkombëtarë, dhe tregon fqinjësinë dhe vlerat e kulturës shqiptare. /Telegrafi/

     

  • Ka mbi dhjetë vite karrierë, por Bella Hadid largohet nga bota e modës për një arsye të veçantë

    Ka mbi dhjetë vite karrierë, por Bella Hadid largohet nga bota e modës për një arsye të veçantë

    Supermodelja Bella Hadid ka vendosur të tërhiqet nga karriera e saj magjepsëse dhe të bëjë një jetë të re në Teksas së bashku me partnerin e saj, Adan Banuelo.

    Pas dhjetë vitesh në industrinë e modelingut, Hadid e kuptoi se ajo duhej t’i jepte përparësi mirëqenies mbi karrierën e saj.

    Në një intervistë me revistën Allure, zeshkania ndau ndjenjën e saj të re të lirisë dhe autenticitetit. Bukuroshja shprehu se si jeta e saj në Teksas ndryshon nga përvojat e saj të së kaluarës, duke theksuar rëndësinë e kalimit të kohës me miqtë e vërtetë dhe fokusimit në kujdesin për veten.

    Vendimi i Hadid për t’i dhënë përparësi shëndetit të saj mendor dhe fizik vjen pasi luftoi në heshtje me sëmundjen ‘Lyme’ dhe çështje të tjera shëndetësore gjatë vitit të kaluar.

    Pavarësisht suksesit të saj të mëparshëm në industrinë e modës, ajo zbuloi se kërkesat e modelingut nuk po e përmbushnin atë në nivel personal.

    Zhvendosja në Teksas e ka lejuar Hadidin të nisë një kapitull të ri në jetën e saj. Ajo e përshkruan kohën e saj në Teksas si “kohën më të mirë”, duke theksuar gëzimin e lidhjeve të vërteta dhe lirinë për të qenë vetvetja pa presionin e mbajtjes së një imazhi të caktuar.

    Edhe në ditët sfiduese, Hadid vlerëson mundësinë për t’i dhënë përparësi mirëqenies së saj dhe për të marrë kohë për veten.

    Ky ndryshim në perspektivë i ka sjellë asaj një ndjenjë të re të lumturisë dhe kënaqësisë. /Telegrafi/

  • Sot mbahet Samiti Rajonal i liderëve të Ballkanit Perëndimor, merr pjesë edhe Kurti

    Sot mbahet Samiti Rajonal i liderëve të Ballkanit Perëndimor, merr pjesë edhe Kurti

    Në Mal të Zi sot e nesër mbahet Samiti Rajonal i liderëve të Ballkanit Perëndimor.

    Në këtë takim që mbahet në Kotorr pritet të marrë pjesë edhe ndihmëssekretari amerikan në Byronë për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, James O’Brien.

    “Angazhimet e tij në samit do të fokusohen në integrimin ekonomik rajonal dhe mundësinë e rritjes të ofruar nga Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor të BE-së, si dhe do të përforcojnë mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në komunikatë e Departamentit të Shtetit.

    Në samit pritet të marrin pjesë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ai i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri aktual i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq si dhe Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheley.

  • ShBA-ja planifikon një paketë të re armësh për Izraelin

    ShBA-ja planifikon një paketë të re armësh për Izraelin

    Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, u ka thënë ligjvënësve se do t’i dërgojë edhe 1 miliard dollarë shtesë armë dhe municione Izraelit, thanë tre këshilltarë të Kongresit. Por, ende nuk dihet se sa shpejt do të dërgohen armët.

    Kjo është dërgesa e parë e armëve për Izraelin që bëhet publike që kur administrata vendosi gjatë këtij muaji që të ndalonte dërgimin e një dërgese – ku përfshihen 3.500 bomba – në Izrael. Administrata amerikane tha se pauzoi dërgimin e këtyre bombave për shkak të shqetësimeve për numrin e civilëve të vrarë në Gazë dhe që Izraeli të mos i përdorë këto municione në ofensivën e tij në qytetin Rafah të Gazës.

    Paketa, për të cilën njoftuan këshilltarët të martën, më 14 maj, përfshin 700 milionë dollarë municione për tanke, 500 milionë për makina taktike dhe 60 milionë për municione për mortajat, thanë këshilltarët të cilët folën në kushte anonimiteti, pasi kjo dërgesë e armëve ende nuk është bërë publike nga administrata.

    Ende nuk ka tregues se kur këto armë do të dërgohen në Izrael. Dy këshilltarë thanë se dërgesa nuk është pjesë e paketës së ndihmës që Kongresi miratoi dhe më pas Biden e nënshkroi në ligj muajin e kaluar. Po ashtu, nuk dihet nëse këto armë janë pjesë e ndonjë shitje ekzistuese të armëve apo ndonjë marrëveshje e re.

    Administrata Biden është përballur me kritika nga spektri politik për shkak të mbështetjes ushtarake për luftën e Izraelit kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – në Gazë që tashmë është në muajin e shtatë. Këto kritika vijnë në kohën kur Biden po lufton që të mposhtë në zgjedhjet presidenciale ish-presidentin Donald Trump.

    Disa nga bashkëpartiakët e tij demokratë i kanë kërkuar Bidenit që të kufizojë transferimin e armëve në Izrael në mënyrë që këtij shteti t’i bëhet presion që të bëjë më shumë për mbrojtjen e civilëve palestinezë.

    Ligjvënësit republikanë e kanë përdorur pauzën për transferimin e bombave, duke thënë se zvogëlimi i mbështetjes amerikane për Izraelin – aleatit më të afërt në Lindjen e Mesme – dobëson shtetin, i cili po lufton kundër Hamasit dhe grupeve të tjera që mbështeten nga Irani. Dhoma e Përfaqësuesve, kanë thënë republikanët, planifikon që gjatë kësaj jave të shtyjë përpara miratimin e dërgimit të armëve ofensive në Izrael.

    Pavarësisht se kanë pauzuar dërgesën me bomba, Biden dhe zyrtarët e administratës së tij e kanë bërë të qartë se ata do të vazhdojnë të dërgojnë dërgesa me armë në Izrael.

    Në fillim të javës, zëdhënësi për siguri kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve se presidenti Biden do të shohë nëse “Izraeli i ka të gjitha mjetet e nevojshme ushtarake për të mbrojtur veten kundër të gjithë armiqve, përfshirë Hamasin”.

    Ai tha se Biden do t’i ofrojë Izraelit të gjitha aftësitë që i duhen, por ai “nuk do që disa kategori të posaçme të armëve amerikane të përdoren në lloje të caktuara të operacioneve”./REL/

  • Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mbi Rezolutën për Srebrenicën, mbahet javën tjetër

    Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mbi Rezolutën për Srebrenicën, mbahet javën tjetër

    Sesioni i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në të cilën do të diskutohet Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë është caktuar për 23 maj në ora 10:00.

    Më poshtë ju kujtojmë propozimin përfundimtar të rezolutës:

    – Vendos të shpallë 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995, e cila do të festohet çdo vit;

    – Dënon pa rezerva çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë si një ngjarje historike dhe u bën thirrje shteteve anëtare që të ruajnë faktet e vërtetuara, duke përfshirë edhe sistemet e tyre arsimore, duke zhvilluar programe të përshtatshme, edhe si shenjë kujtimi, për të parandaluar mohimi dhe shtrembërimi i fakteve dhe ndodhja e gjenocidit në të ardhmen;

    – Ai gjithashtu dënon pa rezerva veprimet që lavdërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë;

    – Thekson rëndësinë e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të viktimave të mbetura të gjenocidit në Srebrenicë dhe dhënies së një varrimi dinjitoz dhe bën thirrje për vazhdimin e ndjekjes penale të atyre autorëve të gjenocidit në Srebrenicë, të cilët ende nuk janë përballur me drejtësinë;

    – U bën thirrje të gjitha shteteve që të respektojnë plotësisht detyrimet e tyre sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, siç është e zbatueshme, dhe të drejtën zakonore ndërkombëtare për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit, duke respektuar vendimet përkatëse të GJND-së,

    – I kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të krijojë një program informativ të titulluar “Gjenocidi në Srebrenicë dhe Kombet e Bashkuara”, duke filluar me aktivitetet dhe përgatitjet e tij për 30 vjetorin në 2025, dhe më tej i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të tërheqë vëmendjen e të gjitha shteteve anëtare për këtë. Rezoluta, organizatat e sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizatat e shoqërisë civile për respektin e duhur,

    – U bën thirrje të gjitha shteteve anëtare, organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara, organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale dhe shoqërisë civile, duke përfshirë organizatat joqeveritare, institucionet akademike dhe pjesëmarrësit e tjerë relevant për të shënuar Ditën Ndërkombëtare, duke përfshirë përkujtime dhe aktivitete të veçanta për të përkujtuar dhe nderuar viktimat e gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, si dhe aktivitetet e duhura edukimi dhe ndërgjegjësimi publik.

  • Komandanti i KFOR-it: Siguria e brishtë, por jemi gati t’i përgjigjemi çdo sfide

    Komandanti i KFOR-it: Siguria e brishtë, por jemi gati t’i përgjigjemi çdo sfide

    Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, deklaroi se situata e sigurisë në Kosovë është e qëndrueshme por e brishtë. Ai tha se 4600 trupa në kuadër të KFOR-it që vijnë nga 28 vende partnere dhe anëtare të NATO-s janë gati t’i përgjigjen çdo lloj sfide.

    Gjeneralmajori Ulutash nuk e komentoi kërkesën e pak muajve më parë të kryeministrit Albin Kurti për trupa shtesë por tha se në varësi të situatës mund të rishohin dislokimin e trupave shtesë.

    “NATO rishikon vazhdimisht qëndrimin e saj dhe mbetet e gatshme ta rregullojë atë sipas nevojës ose ta përshtasë. Përmes një rritjeje prej 1000 trupash, NATO vendosi forca shtesë rezervë në Kosovë pas dhunës që ndodhi vitin e kaluar. Për të parandaluar çdo rrezik të përshkallëzimit ose rritjes së përtërirë të dhunës, ne jemi të gatshëm t’u përgjigjemi sfidave të mundshme. Nëse është e nevojshme, ne mund të rregullojmë qëndrimin tonë sipas nevojës, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, tha Ozkan Ulutash për “A2 CNN”.

    Në lidhje me paralajmërimet e disa agjencive të huaja të inteligjencës për ngritje tensionesh në veriun e Kosovës, komandanti i KFOR-it siguron se janë të gatshëm t’i përgjigjen çfarëdolloj sfide.

    “Jemi të pajisur mirë dhe të gatshëm për të trajtuar çdo situatë që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe vazhdojmë të operojmë si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët jemi në koordinim të ngushtë”, theksoi Ulutash.

    E sa i përket bazave ushtarake serbe që gjenden në kufi dhe pretendimet se Serbia po stërvit njerëz për ta sulmuar Kosovën, ai tha për “A2 CNN”, se do të vijojnë përpjekjet për të parandaluar çdo përshkallëzim të situatës.

    “Ne monitorojmë nga afër çdo zhvillim që mund të ndikojë në sigurinë në mbarë Kosovën dhe stabilitetin rajonal. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide që mund të ndodhë, duke rregulluar qëndrimin tonë sipas nevojës dhe duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës, Forcat e Armatosura të Serbisë dhe EULEX-in”, deklaroi komandanti i KFOR.

    Komandanti i KFOR-it kërkoi përgjegjësi për aktin terrorist të Banjskës por nuk tha nëse ata vetë kishin ndonjë hetim për ngjarjen.

    “NATO vazhdon të kërkojë përgjegjësi për sulmet e dhunshme të 29 majit dhe 24 shtatorit. Hetimet për incidente si ai që ndodhi në Banjska përfshijnë koordinim me autoritetet lokale dhe palët e interesuara. Prandaj, ne u kemi kërkuar autoriteteve përkatëse në Prishtinë dhe Beograd që të kryejnë hetimet e nevojshme ligjore për të vërtetuar faktet dhe për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë”, shtoi Ulutash.

    Gjeneralmajori Utulash, që mori pjesë edhe në stërvitjen e fundit të ushtrisë serbe, tha se e ka të rëndësishëm komunikimin me gjeneralin e Forcave të Armatosura të Serbisë për të identifikuar sinjalet e hershme për ndonjë tension të mundshëm./A2CNN