ATV

Author: G.O.

  • Policia nis hetimet për vdekjen e një burri në Prizren, dyshohet se vdiq si pasojë e kontaktit me rrymën

    Policia nis hetimet për vdekjen e një burri në Prizren, dyshohet se vdiq si pasojë e kontaktit me rrymën

    Një burrë në Prizren, dyshohet se ka vdekur si pasojë e kontaktit me rrymën.

    Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, përmes raportit 24-orësh, ku ka bërë me dije se tashmë ka nisur hetimet për rastin.

    “HETIM I VDEKJES – Fsh. Hoq e Qytetit, Prizren 17.05.2024-19:30. Raportohet se viktima mashkull kosovar, ka humbur jetën si pasoj e kontaktit me rrymë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendim e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”, thuhet në raport.

  • Moti për sot, këto janë temperaturat

    Moti për sot, këto janë temperaturat

    Moti sot parashihet të mbajë kryesisht me diell.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 9 deri në 13°C, ndërsa ato maksimale prej 25 deri në 28°C.

    Vonë pasdite apo në mbrëmje, ka mundësi të ketë shtim të vranësirave, të cila mund të gjenerojnë ndonjë reshje të izoluar.

    Pluhuri Saharian do të vazhdojë të jetë prezent.

    Era do fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 14-46 km/h.

  • Kurti e Murati bëjnë sot lansimin e pilotimit të projektit për reformën e asistencës sociale

    Kurti e Murati bëjnë sot lansimin e pilotimit të projektit për reformën e asistencës sociale

    Kryeministri Albin Kurti, bashkë me Ministrin e Financave, Punëve dhe Transfereve, do të bëjnë sot Lansimin e Pilotimit të Projektit për Reformën e Asistencës Sociale.

    Konferenca do të mbahet në orën 13:30.

    “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati bëjnë Lansimin e Pilotimit të Projektit për Reformën e Asistencës Sociale”, thuhet në njoftim.

  • Kurti uron Plenkoviqin për mandatin e ri: Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të fuqishëm

    Kurti uron Plenkoviqin për mandatin e ri: Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të fuqishëm

    Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti ka uruar homologun e tij, Andrej Plenkoviq i cili fitoi edhe një mandat tjetër si kryeministër i Kroacisë.

    Kroacia mori një qeveri të re të 16-të të kryesuar nga Andrej Plenkoviq i partisë Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ).

    Parlamenti kroat votoi për një qeveri të re me 79 vota, ndërsa një deputet abstenoi dhe 61 deputetë votuan kundër.

    E kryeministri i vendit, Kurti me anë të një postimi në rrjetin social ‘X’ e uroi homologuën e tij, duke thënë se Kosova e vlerëson miqësinë me Kroacinë dhe mezi preisn që të vazhdojnë bashkëpunimin.

    “Urime kryeministrit kroat @AndrejPlenkovic për mandatin tuaj të tretë dhe për qeverinë e sapoformuar. Kosova e vlerëson thellësisht miqësinë e saj me Kroacinë dhe ne mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të fuqishëm”, deklaroi ai.

    Qeveria e re do të ketë 18 ministri dhe shtatë zëvendëskryeministra në vend të 16 sa ishin deri më tani.

    Qeveria e re e Kroacisë u formua nga Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) dhe Lëvizja për Atdheun (PD), me mbështetjen e disa deputetëve të partive minoritare, por pa Partinë e Pavarur Demokratike Serbe (SDSS).

  • Bujar Osmani në mbledhjen e Komitetit të Ministrave: Kosova e meriton të bëhet anëtare e KiE-së

    Bujar Osmani në mbledhjen e Komitetit të Ministrave: Kosova e meriton të bëhet anëtare e KiE-së

    Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, gjatë takimit të Komitetit të Ministrave në Strasburg, ka lobuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Duke shtuar se Kosova e meriton të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, Osmani theksoi se anëtarësimi do të ndikojë edhe në stabilitetin e bashkëpunimit rajonal

    “Është e një rëndësie të madhe që ne të mos i shmangemi përqafimit të anëtarëve të rinj që ndajnë vlerat dhe angazhimet tona. Kjo është arsyeja pse ne vazhdimisht e kemi mbështetur ofertën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe mirëpresim opinionin që rekomandon Komitetin e Ministrave që ta ftojë Kosovën për anëtarësim në këtë organizatë”, tha Osmani.

    “Besojmë se qytetarët e Kosovës meritojnë të mbrohen nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe instrumentet tjera dhe se anëtarësimi i hershëm do të lehtësojë vazhdimin e reformave dhe gjithashtu do të kontribuojë në stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal”

    Kosova ka dështuar të jetë pjesë e agjendës së këtij takimi në Strasburg, për shkak të refuzimit nga Qeveria e Kosovës të kërkesave të Gjermanisë, Francës dhe Italisë për të ndërmarrë hapa konkretë për Asociacionin.

    Ndërsa, gjatë ditës, kryesuesi aktual i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, ka bërë të ditur se ky komision është duke shqyrtuar se si të procedohet për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

  • ​Ministria e Mbrojtjes shpall konkurs për pranim të kadetëve

    ​Ministria e Mbrojtjes shpall konkurs për pranim të kadetëve

    Ministria e Mbrojtjes shpall konkurs për vitin akademik 2024/2025 për pranim të kadetëve të FSK-së nga data 3 qershor deri më 17 qershor 2024.

    Kadetët e pranuar do të studiojnë në Qendrën për Studime Universitare e FSK-së – Universiteti Amerikan në Kosovë; Republika e Shqipërisë/Akademia Ushtarake – Teknologji Informative në fushën e mbrojtjes, Marrëdhënie Ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes, Shkenca Komunikimi në fushën e mbrojtjes; Republika e Turqisë – Akademia Ushtarake Tokësore dhe Akademia Ushtarake Mjekësore; Republika e Kroacisë- Akademia Ushtarake/Universiteti i Zagrebit- Lidershipi dhe Menaxhmenti Ushtarak.

    Aplikimi është online në adresën https://rekrutimi.fsk-rks.org/Apply;

    Njoftimi për shpalljen e konkursit gjendet në web faqen e MM-së: https://mod.rks-gov.net.

    Mosha për aplikim 18 deri 22-vjeç, ndërsa për Turqi të mos ketë mbushur 21-vjeç.

    Ministria e Mbrojtjes mirëpret aplikacione të femrave dhe meshkujve për kadetë të FSK-së, pa dallim nga përkatësia e tyre etnike.

  • Të hënën rihapet Klinika e Onkologjisë pas renovimeve

    Të hënën rihapet Klinika e Onkologjisë pas renovimeve

    Të hënën, më 20 maj, do të bëhet ceremonia e përurimit të renovimeve në Klinikën e Onkologjisë.

    Në këtë ceremoni, do të marrin pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Ngjarja sipas njoftimit, nis në orën 09:00.

  • ​FSK-ja tregon përgatitje të lartë profesionale në stërvitjet në Turqi

    ​FSK-ja tregon përgatitje të lartë profesionale në stërvitjet në Turqi

    Kontingjenti i FSK-së, po tregon përgatitje të lartë profesionale gjatë realizimit të ushtrimit ndërkombëtar “Efes 24” në Izmir të Turqisë.

    Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci tha se stërvitjet po bëhen me qëllim të shkëmbimit të përvojës ushtarake dhe ndërveprimit me shtetet partnere.

    “Ushtarakët tanë kanë përfunduar fazën e parë, ndërsa në fazën e dytë parashihen operacione më të ndërlikuara me forcat ajrore dhe në bashkëveprim me forcat Komando Turke”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.

  • Presidentja Osmani: Kosova do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës, është çështje kohe

    Presidentja Osmani: Kosova do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës, është çështje kohe

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi sot në Komitetin e Ministrave nuk është futur në rend dite çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

    Megjithatë, Osmani ka thënë se Kosova do të jetë anëtarja e 47 e Këshillit të Evropës dhe se kjo është vetëm thjeshtë çështje kohe.

    Osmani tutje ka thënë e në këtë rrugë, Kosova nuk do të bëjë kompromise me vlerat që përbëjnë themelin e shtetit.

    “Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë. Pasi të arrijmë aty, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcakton Këshilli i Evropës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike. I jemi mirënjohës të gjitha vendeve që na kanë mbështetur deri tani. Së bashku, ne do të punojmë për ta bërë realitet këtë fitore të të drejtave të njeriut herët apo vonë”.

  • Kryediplomati i Hungarisë: Nuk e votojmë anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Kryediplomati i Hungarisë: Nuk e votojmë anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto, ka thënë se shteti i tij nuk e voton anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

    Szijjarto, që foli para nisjes së takimit të Komintetit të Ministrave të 46 vendeve anëtare të KiE-së, që zhvillon punimet në Strasburg të Francës, theksoi se për qëndrimin e Budapestit zyrtar ka njoftuar edhe autoritetet e Republikës së Kosovës.

    “Ne kemi një qëndrim shumë të qartë, se ne nuk e përkrahim anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, dhe këtu ne kemi një qëndrim parimor për të cilin i kemi njoftuar miqtë tanë në Kosovë, po ashtu. Ky pozicion parimor është kështu. Ne do të donim të shihnim finalizimin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe ne besojmë, po flas nga përvoja se sa herë Kosova ka aplikuar për anëtarësim në një organizatë ndërkombëtare, kjo ka qenë një prapakthim në dialog”, theksoi kryediplomati hungarez.