ATV

Author: G.O.

  • Gërvalla pritet në takim nga O’Brien, diskutohet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare

    Gërvalla pritet në takim nga O’Brien, diskutohet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare

    Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, është pritur në takim nga Ndihmëssekretari i Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike i Departamentit të Shtetit Amerikan, James O’Brien.

    Takimi u zhvillua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atje ku zëvendëskryeministrja po qëndron për vizitë zyrtare.

    Në mesin e pikave të cilat u trajtuan gjatë takimit ishte edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare.

    “Në frymën e marrëdhënieve të posaçme ndërmjet dy shteteve gjatë takimit janë trajtuar aspekte të shumta të thellimit të bashkëpunimit dypalësh, forcimit të sundimit të ligjit e demokracisë dhe jetësimit të aspiratave për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare”, shkruan në njoftimin e MPJD-së.

    Gjatë takimit u diskutua edhe për përkushtimin e institucioneve në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, sipas asaj që thuhet në komunikatën e Ministrisë.

    “Ministrja Gërvalla dhe Ndihmës Sekretari O’Brien diskutuan po ashtu rreth zhvillimeve të tjera aktuale në vend, duke vënë theksin në përkushtimin e institucioneve në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon si dhe zmbrapsjen e kërcënimeve të sigurisë”.

  • Kusari-Lila: Nuk ka shpërndarje të Kuvendit pa dakordim edhe të LDK-së e AAK-së

    Kusari-Lila: Nuk ka shpërndarje të Kuvendit pa dakordim edhe të LDK-së e AAK-së

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se nuk do të pranojnë shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës pa dakordimin e përbashkët të opozitës. Ajo thekson se mazhoranca nuk do të pranojë të votojë  për shpërndarjen e legjislaturës së tetë pa unifikim të opozitës, madje këtë gjë thotë se ia kanë bërë të ditur edhe Partisë Demokratike të Kosovës.

    Rrjedhimisht, sipas saj, javën e ardhshme nuk do të ketë asgjë të jashtëzakonshme dhe se Kuvendi do të vazhdojë punën normalisht. Megjithatë, ajo shton se pushteti ka interes të ketë një legjitimitet të ri popullor para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Kusari-Lila në një intervistë për KosovaPress, deklaron se nisma për shpërndarje të Kuvendit me vetëm kërkesën e PDK-së nuk mund të jetë e garantuar të ketë sukses.

    Përkundër kësaj, Kusari-Lila thotë se mbesin të hapur për diskutim nëse vjen një kërkesë e përbashkët e opozitës për shpërndarje të Kuvendit. Kjo e fundit sipas saj është e vetmja mundësi për zgjedhje të parakohshme.

    Shefja e deputetëve të LVV-së shton se pushteti jo domosdoshmërish është i interesuar për zgjedhje të parakohshme, por ka shprehur gatishmërie që të bisedojë duke marrë parasysh proceset e tjera zgjedhore në BE dhe SHBA.

    Ajo potencon se preferencë e pushtetit është që zgjedhjet të mbahen në vjeshtë edhe për shkaqe logjistike, por shton se të njëjtat do të jenë të rregullta në bazë të kalendarit zgjedhor.

  • Analistët politikë: Qeveria Kurti pa program të qartë, po synohet përçarja e opozitës

    Analistët politikë: Qeveria Kurti pa program të qartë, po synohet përçarja e opozitës

    Qeverinë aktuale të Kosovës, analistët e përshkruajnë me një notë kaluese shumë të dobët, pa një program të qartë, objektivë dhe fokus. Sipas analistëve, kryeministri Kurti më shumë se shkuarja në zgjedhje, i intereson përçarja e opozitës në mënyrë që të mos ketë një frymë të fuqishme e cila do ta dëmtonte në kuptim të numrave.

    Ndërsa, rreth qasjes së opozitës për zgjedhje, ata e komentojnë se ka filluar të shkojë në drejtim të gabuar, sepse në vend që të sulmojë dhe kritikojë për të rrëzuar qeverinë si zakonisht, tashmë ka filluar një luftë e brendshme ndërmjet opozitës duke kritikuar njëra-tjetrën se po i bënë favore pushtetit.

    Sipas analistit e profesorit universitar, Rrahman Paçarizi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me një veprim finok ka arritur që ta orientojë energjinë e opozitës në një luftë të brendshme ndërmjet vete në vend se ajo luftë të bëhej kundër Qeverisë.

    Ndërsa, analisti tjetër politik, Dritëro Arifi, ka thënë për KosovaPress se opozita përveç deklaratave në rrjete sociale dhe konferencë për shtyp nuk ka pasur ndonjë lëvizje tjetër më serioze për ta lëkundur pozitën e qeverisë.

    Tema e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë është riaktualizuar pas takimit në mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, takim ky që ndodhi pas ftesës së shefit të ekzekutivit ndaj krerëve të partive opozitare, por që u refuzua nga LDK e AAK.

    Krasniqi, i cili ishte i vetmi nga opozita që iu përgjigj ftesës së Kurtit për të diskutuar agjendën legjislative, kishte thënë se zgjedhjet janë të domosdoshme.

    Ai tha se PDK-ja është e gatshme të gjejë dakordim me të gjitha partitë parlamentare për të shpërndarë Kuvendin “përmes një mocioni të përbashkët”.

    Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, të lëshuar më 14 maj, kishte thënë se nuk do të bëhet pjesë e asnjë “marrëveshjeje të pre-aranzhuar prapa dyerve të mbyllura e darkave”.

    Dorëheqjen apo shkarkimin e kryeministrit Kurti e kërkoi edhe partia tjetër në opozitë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Data për mbajtjen e zgjedhjeve caktohet nga presidentja e vendit, pas konsultimeve me partitë politike. Kjo ndodh pasi të shpërndahet Kuvendi.

    Në bazë të kalendarit zgjedhor zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të duhej të mbaheshin në vitin 2025.

  • Italia premton 35 milionë euro ndihmë për palestinezët

    Italia premton 35 milionë euro ndihmë për palestinezët

    Italia do të rinisë financimin e organizatës për ndihmë të palestinezëve, UNRWA, duke ofruar një pako të ndihmës humanitare në vlerë prej 35 milionë eurosh, tha ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.

    Tajani e bëri këtë premtim më 25 maj gjatë një takimi në Romë me kryeministrin palestinez, Mohammad Mustafa.

    Kryediplomati italian tha se 5 milionë euro do të shkojë për projekte të UNRWA-s, ndërkaq pjesa tjetër e ndihmës është destinuar për nismën italiane “Ushqim për Gazën”.

    Italia është një prej shumë shteteve që bllokuan ndihmën për UNRWA-në, pas akuzave të bëra nga Izraeli se disa pjesëtarë të stafit të kësaj agjencie ishin përfshirë në sulmin e 7 tetorit që Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – kreu ndaj Izraelit, sulm që nxiti luftën në Gazë.

    “Italia ka vendosur të rinisë financimin e projekteve specifike të destinuara për të ndihmuar refugjatët palestinezë, por vetëm pas kontrolleve të ashpra që garantojnë se asnjë cent nuk do të përdoret për të mbështetur terrorizmin”, tha Tajani.

    UNRWA punëson 13.000 persona në Gazë dhe udhëheq shkollat e enklavës, klinikat e kujdesit primar shëndetësor dhe shërbime të tjera. Kjo organizatë po ashtu shpërndan ndihmë humanitare.

    Në javët e fundit, disa shtete kanë rinisur financimin e kësaj organizate. Muajin e kaluar, Gjermania tha se do të rinisë bashkëpunimin e UNRWA-në pas një raporti, të udhëhequr nga ish-ministrja e Jashtme franceze, Catherine Colonna, lidhur me procedurat e UNRWA-s për të siguruar respektimin e parimeve të neutralitetit./REL

  • Nga sot mblidhet Asambleja Parlamentare e NATO-s, në agjendë edhe Kosova

    Nga sot mblidhet Asambleja Parlamentare e NATO-s, në agjendë edhe Kosova

    Asambleja Parlamentare e NATO-s, do të mblidhet në Sofje të Bullgarisë duke filluar nga sot ku në agjendën e kësaj mbledhje e cila do të zgjasë për tre ditë rresht është edhe Kosova.

    Kuvendi i Kosovës, synon ta avancojë statusin e tij nga anëtar vëzhgues në anëtar të asocuar.

    Sipas një njoftimi të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, deputetët e saj mes tjerash do të vendosin për kërkesat e Maltës dhe Kuvendit të Kosovës.

    Gjithashtu në takim do të trajtohen, sfidat e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, strategjitë për mbështetjen e partnerëve në rrezik, dhe rritja e angazhimit me Jugun Global, thuhet në komunikatë.

    Në punimet e Asamblesë, do të marrin pjesë edhe deputeti Driton Hyseni dhe Xhavit Haliti, të cilët e përfaqësojnë Kosovën atje.

  • Putin: Rusia po kryen rregullisht stërvitje për përdorimin e armëve bërthamore, kjo nuk përbën përshkallëzim

    Putin: Rusia po kryen rregullisht stërvitje për përdorimin e armëve bërthamore, kjo nuk përbën përshkallëzim

    Presidenti rus, Vladimir Putin, së fundmi ka thënë se Rusia po kryen rregullisht stërvitje për përdorimin e armëve bërthamore.

    Megjithatë, ai ka theksuar se kjo e fundit nuk përbën përshkallëzim.

    Putin tha se ndryshimi i vetëm këtë herë ishte se stërvitjet përfshinin Bjellorusinë.

    Putin i bëri këto deklarata duke folur në një konferencë për shtyp në Minsk pas bisedimeve dyditore me homologun e tij bjellorus, Alexander Lukashenko.

  • Stoltenberg: Ukraina është e lirë të përdorë armët e aleatëve për të goditur Rusinë

    Stoltenberg: Ukraina është e lirë të përdorë armët e aleatëve për të goditur Rusinë

    Jens Stoltenberg u ka bërë thirrje aleatëve të NATO-s që furnizojnë Ukrainën me armë për t’i dhënë fund ndalimit të përdorimit të tyre për të goditur objektivat ushtarake në Rusi.

    Lajmin e ka bërë të ditur ‘Economist’, e cila intervistoi Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës. Objektivi i qartë i politikës së Stoltenberg, megjithëse nuk e ka thënë kurrë, është politika e presidentit amerikan Joe Biden, për të kontrolluar atë që Ukraina mund dhe nuk mund të sulmojë me sistemet e ofruara nga amerikanët.

    “Ka ardhur koha që aleatët të shqyrtojnë nëse do të heqin disa nga kufizimet që ata kanë vendosur në përdorimin e armëve që i dhuruan Ukrainës. Sidomos tani që shumë luftime po zhvillohen në Kharkiv, afër kufirit, duke i mohuar Ukrainës aftësinë për të përdorur këto armë kundër objektivave legjitime ushtarake në territorin rus, e bën shumë të vështirë për ta që të mbrohen”, tha Stoltenberg.

    Përsa i përket rrezikut të përshkallëzimit, Stoltenberg përsëriti nevojën për të “parandaluar që konflikti të kthehet në një luftë të vërtetë midis Rusisë dhe NATO-s në Europë”, megjithëse shpjegoi se ka një ndryshim midis ofrimit të armëve, trajnimit dhe angazhimit të drejtpërdrejtë ushtarak.

    “Ne nuk do të përfshihemi në operacione luftarake, siguroi ai, nuk kemi ndërmend të dërgojmë trupa tokësore të NATO-s në Ukrainë. Ne duam të mbështesim Kievin, por gjithashtu të sigurojmë që situata të mos kthehet në një përshkallëzim konflikti në shkallë të plotë”.

    Stoltenberg theksoi se vetëmbrojtja “është e përfshirë në Kartën e OKB-së”. “Është e ligjshme dhe ne po ndihmojmë Ukrainën që ta mbrojë këtë të drejtë dhe kjo duhet të përfshijë aftësinë për të goditur gjithashtu objektiva në territorin rus”, shtoi ai.

  • Orban: Hungaria nuk merr pjesë në operacionet e NATO-s në ndihmë të Ukrainës

    Orban: Hungaria nuk merr pjesë në operacionet e NATO-s në ndihmë të Ukrainës

    Hungaria do të kërkojë të mos marrë pjesë në operacionet e NATO-s që synojnë të mbështesin Ukrainën, tha të premten kryeministri Viktor Orban, duke sugjeruar se aleanca ushtarake dhe Bashkimi Evropian po shkojnë drejt një konflikti më të drejtpërdrejtë me Rusinë.

    Orban i tha radios shtetërore se Hungaria është kundër një plani që po shqyrtohet nga NATO për t’i ofruar mbështetje më të qëndrueshme ushtarake Ukrainës në vitet në vazhdim, për t’iu kundërvënë sulmit frontal nga Moska, ndërsa forcat më të mirëpajisura ruse po përpiqen të dominojnë në fushëbetejë.

    “Nuk e miratojmë këtë dhe as nuk duam të jemi pjesë e mbështetjes financiare apo me armatime (për Ukrainën), qoftë edhe në kuadrin e NATO-s”, tha Orban, duke shtuar se Hungaria është pozicionuar si “jopjesëmarrëse” në operacionet e ardhshme të NATO-s për të ndihmuar Kievin.

    “Duhet të ripërkufizojmë pozicionin tonë brenda aleancës dhe juristët dhe oficerët tanë po punojnë për këtë… se si Hungaria mund të ekzistojë si anëtare e NATO-s, por duke mos marrë pjesë në veprimtarinë e NATO-s jashtë territorit të saj”, tha ai.

    Kryeministri Orban, i konsideruar partneri më i afërt në BE i presidentit rus Vladimir Putin, theksoi rolin e NATO-s si një organizatë mbrojtëse dhe tha se nuk ndan të njëjtat shqetësime si ato të disa vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore se ushtria ruse nuk do ta ndalte agresionin e saj edhe nëse do ta fitonte luftën në Ukrainë.

    “Fuqia e NATO-s nuk mund të krahasohet me atë të Ukrainës”, tha ai. “Nuk e konsideroj propozim logjik që Rusia, e cila mezi po merret me Ukrainën, do të vijë krejt papritur dhe do të gllabërojë të gjithë botën perëndimore”.

    Hungaria ka refuzuar ta ndihmojë Ukrainën me ndihma ushtarake në dallim nga shumica e vendeve të tjera të BE-së dhe Orban ka kundërshtuar me forcë sanksionet e unionit ndaj Moskës, megjithëse në përfundim ka votuar gjithnjë pro miratimit të tyre.

    Udhëheqësi nacionalist po përgatitet për zgjedhjet për Parlamentin Evropian që mbahen në 6-9 qershor dhe e paraqet partinë e tij si garantuese të paqes në rajon. Ai i ka karakterizuar Shtetet e Bashkuara dhe vendet e BE-së që kërkojnë mbështetje më të madhe për Ukrainën si vende “pro luftës” që po përgatisin një konflikt global./VOA

  • Arrestohet një person, raportoi rrejshëm 17 herë

    Arrestohet një person, raportoi rrejshëm 17 herë

    Policia e Kosovës e ka arrestuar dje një person në Fushë Kosovë, meqë i njëjti përmes telefonit dhe aplikacionit “Lajmëro Policinë” ka denoncuar rrejshëm 17 herë një burrë, kinse ka kryer vepra penale.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.

    “NGACMIMI /LAJMËRIMI APO KALLËXIMI I RREMË – Fushë Kosovë 07.01/23.05.2024 – Koha e panjohur. I dyshuari mashkull kosovar përmes telefonit dhe aplikacionit ‘Lajmëro Policinë’ ka denoncuar rrejshëm 17 herë viktimë mashkull kosovar, kinse ky i fundit ka kryer vepra penale. I dyshuari është arrestuar, i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti nën hetime”, thuhet në raport.

  • “Masakrat vetëm sa po shtohen”, palestinezët thonë se Izraeli s’po e ndal ofensivën në Rafah

    “Masakrat vetëm sa po shtohen”, palestinezët thonë se Izraeli s’po e ndal ofensivën në Rafah

    Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, të premten dha urdhër Izraelit që të ndalojë ofensivën në Rafah.

    Kjo shënoi një vendim historik emergjent për një çështje të ngritur nga Afrika e Jugut e cila akuzon Izraelin për gjenocid në sulmin e saj në Rripin e Gazës.

    Ndonëse u dha një urdhër i tillë, duket që diçka e tillë nuk paraqet problem për Izraelin që duket që nuk po i vë veshin sa duhet.

    “Masakrat vetëm sa po shtohen. Ata nuk duhet të thonë një gjë, ndërsa veprimi është diçka ndryshe”, tha Salwa al-Masri.

    Gruaja e cila u detyrua nga shtëpia e saj nga ofensiva izraelite në Gaza, ka pak shpresë se gjendja saj mund të lehtësohet.

    GjND-ja, edhe pse dha urdhër për ndaljen e ofensivës, ajo nuk ka mjete për të zbatuar atë që ajo vendos në momentin kur rrihet çekani.

    Ministri izraelit i kabinetit të luftës, Bennz Gantz, tha se Izraeli do të vazhdojë luftën e saj, të cilën ai e vlerëson si të drejtë dhe të nevojshme.