ATV

Author: G.O.

  • Prishtina pritet të zgjedhë sot projektin fitues për shtatoren e Adem Jasharit

    Prishtina pritet të zgjedhë sot projektin fitues për shtatoren e Adem Jasharit

    Komuna e Prishtinës pritet që sot të shpallë projektin fitues për shtatoren e komandantit legjendar Adem Jashari, e cila do të vendoset në kryeqytet.

    Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, gjatë një deklarimi publik, ku është theksuar se procesi i përzgjedhjes po shkon drejt përfundimit.

    Sipas komunës, ky projekt është pjesë e nismës për krijimin e një sheshi monumental kushtuar Adem Jasharit, për të nderuar figurën e tij historike dhe rolin në historinë e Kosovës.

    Më herët, zyrtarë komunalë kanë zhvilluar edhe takime konsultative me përfaqësues të familjes Jashari lidhur me lokacionin dhe konceptin e projektit.

    Shpallja e fituesit pritet të hapë fazën e realizimit të projektit në terren në periudhën e ardhshme.

  • Publikohen çmimet e reja të derivateve në Kosovë – kaq do të kushtojë nafta, benzina dhe gazi sot

    Publikohen çmimet e reja të derivateve në Kosovë – kaq do të kushtojë nafta, benzina dhe gazi sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë publike çmimet e reja maksimale të lejuara për derivatet e naftës për ditën e sotme.

    Sipas vendimit të publikuar, çmimi maksimal i naftës është caktuar 1.55 euro për litër, ndërsa benzina do të shitet deri në 1.49 euro për litër.

    Ndërkaq, qytetarët do ta paguajnë gazin me çmim maksimal prej 0.74 euro për litër.

    Këto çmime vlejnë për 24 orë dhe janë të obligueshme për të gjitha pikat e shitjes së derivateve në vend.

  • Shefi i spiunazhit rus pretendon se NATO-ja po planifikon një “konflikt të madh në lindje”

    Shefi i spiunazhit rus pretendon se NATO-ja po planifikon një “konflikt të madh në lindje”

    Shefi i spiunazhit të Rusisë, Sergei Naryshkin ka akuzuar NATO-n se po përgatitet për një “konflikt të madh në lindje”, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA.

    Sergei Naryshkin, kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme ruse SVR, ka pretenduar se aleanca po bën përgatitje praktike për një konflikt të tillë.

    Ai është cituar gjithashtu të ketë thënë se Bashkimi Evropian po armatoset me shpejtësi dhe po shndërrohet në një aleancë ushtarake “të drejtuar kundër Rusisë”.

  • Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën, Erion Veliaj mbetet në burg

    Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën, Erion Veliaj mbetet në burg

    Gjykata e Lartë në Shqipëri ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Erion Veliajn, duke rrëzuar kësisoj rekursin e kryebashkiakut.

    Me këtë vendim, Veliaj do të vazhdojë të qëndrojë në qelitë e paraburgimit të Durrësit, raporton A2CNN.

    Shqyrtimi i këtij rekursi vjen vetë tre ditë pasi Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht ankimin e kryebashkiakut kundër masës “arrest në burg” të caktuar në 3 shkallët e gjyqësorit.

    Kushtetuesja ktheu çështjen për rigjykim në Gjykatën e Lartë, pasi konstatoi se kjo gjykatë nuk kishte arsyetuar në vendim disa nga pretendimet e Veliajt.

  • Në korrik nis gjykimi ndaj 21 të akuzuarve për masakrën e Reçakut

    Në korrik nis gjykimi ndaj 21 të akuzuarve për masakrën e Reçakut

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 20 korrik 2026 pritet të mbahet seanca fillestare ndaj 21 të akuzuarve për masakrën e Reçakut.

    Kështu konfirmoi për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2025 ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, konkretisht për masakrën e Reçakut. Ata akuzohen për vrasjen e 42 civilëve më 15 janar 1999.

    “Të pandehurit O.S.,R. M., K.J., G. R., Ž.T., B. J., M. L., R. M., D. DJ., B.M., D. J., M. Š., D. A., S. V. , B. M., Z. S., M. J., G. P., D. N., Č. A. dhe Z. J., akuzohen se gjatë një operacioni të foracve policore serbe, më 15 janar 1999, në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, kanë vrarë dyzet e dy (42) civilë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

    Të akuzuarit ngarkohen se si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë dhe si pjesëtarë të MUP-it serb, kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.

    “Sipas aktakuzës, në periudhën 1998 – 1999, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës ‘’243 të Mekanizuar ’’, Armatës së III- të, e njohur si ‘’Korpusi i Prishtinës’’, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”, thuhej në njoftim.

    Sipas PSRK-së, hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta.

    “Të pandehurit fillimisht e rrethuan fshatin Reçak nga vendet e quajtura ‘’Pishat“, ‘’Gështenjat“ dhe ‘’Çesta“. Më pas, nga distanca e granatuan fshatin me mjetet ushtarake, kontrolluan shtëpi më shtëpi, dhe ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, ku i detyruan të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan. Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta. Rreth 20.000 civilë të fshatrave Reçak, Topill, Petrovë, Kraisht, Mullapolc, Dremjak ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre”, njoftoi PSRK.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, bazuar në Kodin e Procedurës Penale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë mbajtjen e gjykimit në mungesë, meqenëse të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë. /BetimipërDrejtësi

  • Parlamenti i Ukrainës miraton paketën historike të ndihmës së BE-së me vlerë 90 miliardë euro

    Parlamenti i Ukrainës miraton paketën historike të ndihmës së BE-së me vlerë 90 miliardë euro

    Parlamenti i Ukrainës miratoi të enjten një kredi prej 90 miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian, sipas Komisionit Evropian.

    Mbështetja me kredi pritet t’i sigurojë Ukrainës fonde kritike për mbrojtjen e saj, veçanërisht për të forcuar mbrojtjen e saj ajrore.

    Këshilli Evropian e kishte miratuar marrëveshjen në prill, pasi Hungaria dhe Sllovakia i hoqën kundërshtimet e tyre, duke i dhënë fund një periudhe të zgjatur mosmarrëveshjesh që kishte bllokuar paketën më të madhe financiare të BE-së për Kievin.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke iu referuar miratimit, foli për “një nga votat më të rëndësishme” , duke falënderuar deputetët që e ratifikuan shpejt marrëveshjen.

    Pagesa në dy këste vjetore

    Financimi do të shpërndahet në dy këste vjetore prej 45 miliardë eurosh , me afërsisht dy të tretat që do të shkojnë për shpenzimet e mbrojtjes dhe pjesa tjetër për buxhetin e shtetit.

    BE-ja e ka paraqitur ndihmën si një kredi, por Ukraina do ta shlyejë atë vetëm nëse merr kompensim në të ardhmen nga Rusia – një skenar që konsiderohet i pamundur. BE-ja do të mbulojë gjithashtu interesin, shkruan Euronews.al.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se pagesat e para priten në qershor.

  • Maqedonci takon ndihmëssekretarin amerikan të Luftës, diskutohet thellimi i bashkëpunimit Kosovë-SHBA

    Maqedonci takon ndihmëssekretarin amerikan të Luftës, diskutohet thellimi i bashkëpunimit Kosovë-SHBA

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është pritur nga Ndihmës Sekretari i Luftës, Daniel Zimmerman, me të cilin ka biseduar për situatën e sigurisë, zhvillimin e mëtejmë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe zgjerimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes.

    Në takim është diskutuar gjithashtu për angazhimet e përbashkëta për paqe dhe stabilitet global, si dhe për projektet strategjike që synojnë forcimin e partneritetit Kosovë–SHBA dhe avancimin e rrugës së Kosovës drejt NATO-s.

    Sipas Maqedoncit, përfaqësuesi amerikan ka vlerësuar rritjen e investimeve të Kosovës në fushën e mbrojtjes, zhvillimin e kapaciteteve ushtarake, si dhe vendimet për pjesëmarrjen e ushtarëve kosovarë në operacione ndërkombëtare të paqes dhe përkrahjen ndaj Ukrainës.

    Ai ka theksuar se partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbetet themel i sigurisë së Kosovës dhe garanci për ndërtimin e një ushtrie moderne dhe profesionale.

  • KQZ: Vazhdon aplikimi për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhjet e 7 qershorit

    KQZ: Vazhdon aplikimi për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhjet e 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vazhduar periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor.

    Periudha e aplikimit për akreditim të vëzhguesve, e cila ka filluar më 5 maj, do të përfundojë më 30 maj 2026.

    Gjatë kësaj periudhe 26-ditore, KQZ thotë se subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve.

    Si bëhet aplikimi?

    Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar (i organizatës joqeveritare, organizatës qeveritare/ndërqveritare, organizatës ndërkombëtare të specializuar në zgjedhje dhe të drejtat e njeriut; mediave; dhe përfaqësuesi i vendeve të huaja) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org

    Hapi i dytë: Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP, do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online në mënyrën që të bashkangjesë edhe të dhënat për personat e organizatës / medias që kërkon të akreditohen.

  • OKB: Deri në 2030 do të kemi temperatura rekord

    OKB: Deri në 2030 do të kemi temperatura rekord

    Një seri vitesh me temperatura rekord është “pothuajse e sigurt” deri në vitin 2030, ndërsa kriza klimatike vazhdon të përkeqësohet, ka paralajmëruar Organizata Botërore Meteorologjike e OKB-së (Organizata Botërore Meteorologjike).

    Sipas raportit të ri, i përgatitur nga Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar, ekziston një probabilitet prej 86% që të paktën një vit midis 2026 dhe 2030 të thyejë rekordin e vitit 2024 si viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë. Po ashtu, ka 75% shans që temperatura mesatare globale për periudhën 2026–2030 të kalojë 1.5°C mbi nivelet para-industriale.

    Shkencëtarët paralajmërojnë se rritja e vazhdueshme e emetimeve të dioksidit të karbonit nga lëndët djegëse fosile po “bllokon” nxehtësi në atmosferë, duke shtuar valët ekstreme të të nxehtit, thatësirat dhe përmbytjet në shumë rajone të botës.

    Raporti thekson gjithashtu ndikimin e mundshëm të një fenomeni El Niño, i cili pritet të rrisë temperaturat globale. Sipas parashikimeve, ka deri në 96% mundësi për zhvillimin e një El Niño midis dhjetorit 2026 dhe shkurtit 2027, çka mund ta bëjë vitin 2027 një kandidat të fortë për rekord të ri të temperaturës globale.

    Drejtori i OKB-së për klimën, Simon Stiell, ka paralajmëruar se valët ekstreme të të nxehtit tashmë po shkaktojnë pasoja serioze për jetën dhe ekonomitë, duke theksuar nevojën urgjente për largim nga varësia ndaj karburanteve fosile dhe kalim drejt energjisë së pastër.

    El Niño është një nga faktorët natyrorë që mund të përforcojë përkohësisht ngrohjen globale, duke çliruar nxehtësi të akumuluar nga oqeanet në atmosferë.

    Ndërkohë, shkencëtarët theksojnë se tejkalimi i 1.5°C rrit ndjeshëm rrezikun e fenomeneve ekstreme të motit, ndërsa çdo ulje e emetimeve mund të ndihmojë në kufizimin e dëmeve të ardhshme.

  • Hamza thirrje për fushatë të ndershme: Mos përdorini resurset shtetërore për garë

    Hamza thirrje për fushatë të ndershme: Mos përdorini resurset shtetërore për garë

    Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka bërë thirrje për një fushatë të ndershme tek të gjitha partitë, raporton Ekonomia Online.

    Në një konferencë për media, Hamza tha se pushteti ka përgjegjësi që të garantojë barazi dhe ndershmëri në zgjedhje, duke shtuar se nuk duhet lejuar përdorimi i resurseve shtetërore në funksion të fushatës.

    Hamza tha se veprimet nga pushteti ditëve të fundit, garën për fushatë e bëjnë të pabarabartë.

    “Sot më 28 maj, në Ferizaj do të hapim zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet e datës 7 qershor. Në orën 20:00, në sheshin te komuna e Ferizajt, ftoj të gjithë qytetarët të na bashkohen. Po hyjmë në këtë fushatë me respekt për qytetarët, me besim te demokracia, dhe me vizion të qartë për ta nxjerr Kosovën nga kriza. Prandaj, dua të iu bëj thirrje të gjitha partive politike që kjo fushatë të jetë e qetë, demokratike, me korrektësi të ndërsjellë dhe me respekt për standardet e zgjedhjeve të lira”, tha Hamza.