ATV

Author: G.O.

  • Aksident në Ramnishtë të Vitisë, vdes 70-vjeçari

    Aksident në Ramnishtë të Vitisë, vdes 70-vjeçari

    Një 70-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në rrugën Viti – Ramnishtë

    “Sot, më 28.05.2026, rreth orës 08:30, në rrugën Viti – Ramnishtë, ka ndodhur një aksident trafiku ndërmjet dy veturave. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Trafikut Rajonal, ndërsa sipas hetimeve të para, lëndime trupore kanë pësuar të dy drejtuesit e automjeteve, të cilët janë banorë të Komunës së Vitisë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

    “Si pasojë e aksidentit, njëri prej tyre ka pësuar lëndime të rënda trupore. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal në Gjilan për trajtim mjekësor. Personi i lënduar, rreth 70-vjeçar nga fshati Lubishtë i Komunës së Vitisë, përkundër përpjekjeve të mjekëve dhe trajtimit të ofruar në Spitalin e Gjilanit, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë”.

    “Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që ndaj drejtuesit tjetër të automjetit të caktohet masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa trupi i pajetë i viktimës të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”.

    “Hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti të rëndë janë duke u zhvilluar nga hetuesit rajonalë të aksidenteve të trafikut të Policisë së Kosovës në Gjilan’.

  • Sveçla: Xhandarmëria do të mbrojë kufijtë dhe sovranitetin e Kosovës

    Sveçla: Xhandarmëria do të mbrojë kufijtë dhe sovranitetin e Kosovës

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se është themeluar grupi punues që do të analizojë dhe propozojë modalitetet për krijimin e Xhandarmërisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Sveçla tha se themelimi i kësaj strukture synon forcimin e kontrollit kufitar dhe reagimin ndaj kërcënimeve të sigurisë.

    “Në kuadër të kompetencave të mia si Ministër i Punëve të Brendshme, unë kam themeluar grupin punues për analizimin dhe propozimin e modaliteteve për themelimin e xhandarmërisë, me qëllim të forcimit të kontrollit në vijën kufitare, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe reagim të shpejtë ndaj kërcënimeve në përmasa të ndryshme”, tha ai.

    Ai shtoi se grupi punues tashmë ka nisur punën për analizimin e aspekteve të ndryshme që lidhen me krijimin e këtij institucioni.

    “Tashmë grupi punues është duke punuar në analizimin e aspekteve ligjore, institucionale, organizative, financiare dhe operacionale të themelimit të xhandarmërisë si agjenci ekzekutive në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme përmes ligjit të veçantë”, tha ai.

    Sipas Sveçlës, funksionalizimi i Xhandarmërisë do t’i mundësojë Policisë së Kosovës të fokusohet më shumë në detyrat e saj të rregullta.

    “Themelimi dhe funksionalizimi i xhandarmërisë do t’i mundësojë Policisë së Kosovës që të fokusohet në sigurinë dhe rendin publik, parandalimin dhe hetimin e krimit, sigurinë në komunikacion si dhe detyra të tjera sipas autorizimeve ligjore”, tha ai.

    Ai foli edhe për numrin e pjesëtarëve që mund të ketë Xhandarmëria, duke thënë se kjo çështje do të përcaktohet nga grupi punues.

    “Për sa i takon numrit unë siç e theksova grupi punues do të punoj intensivisht për përcaktimin e të gjitha modaliteteve dhe nevojave operacionale përfshi edhe numrin e nevojshëm të pjesëtarëve të xhandarmërisë në momentin kur takimi të përcaktoj patjetër që ne jemi gati”, tha ai.

  • Kurti: Mbështetjet financiare nuk lidhen me fushatën zgjedhore, janë përgjigje ndaj inflacionit

    Kurti: Mbështetjet financiare nuk lidhen me fushatën zgjedhore, janë përgjigje ndaj inflacionit

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ndihmat dhe mbështetjet financiare të fundit për qytetarët nuk lidhen me nisjen e fushatës zgjedhore, por me nevojën për t’u përballur me rritjen e kostos së jetesës dhe inflacionin, raporton Ekonomia Online.

    I pyetur nëse ndihmat e fundit kanë lidhje me fillimin e fushatës zgjedhore, Kurti tha se Qeveria kishte planifikuar një pako të re për përballjen me inflacionin, por sipas tij kjo u pamundësua nga zgjedhjet e parakohshme.

    “Siç e dini ne kemi pasur në plan të bëjmë pakon për përballjen me inflacion, 2.0. Mirëpo kjo nuk u mundësua për shkak se u shkaktuan zgjedhjet e parakohshme, të panevojshme, meqenëse patëm një bllokim opozitar sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit. Dhe tash ne po përpiqemi të bëjmë çfarë është e mundur në mënyrë se qytetarët e Republikës në përballje me nevojat e shtuara në njërën anë dhe me pritjet tërësisht të arsyeshme në anën tjetër t’ju dalim zot atyre”, tha ai.

    Kurti përmendi mbështetjet financiare që, sipas tij, janë dhënë gjatë mandatit të qeverisë së tij për kategori të ndryshme të qytetarëve.

    “Tash ne jemi të mirënjohur ta zëmë për shtesat për fëmijë, për mbështetjen financiare për nënat lehonë, pastaj për mbështetjen financiare për punëtorët, mandej për studentët dhe pa harruar pensionistët. Ta zëmë për pesë vjet qeveria jonë ka mbështetur shtatë herë gjithsej pensionistët me mbështetje të njëhershme 100 euro. Pensionin që e kemi gjetur bazik 90 euro e kemi bërë 100 euro, që është për 2/3 më i lartë se që e kemi gjetur. Pra, rritjen ekonomike të vendit tonë nuk e mbajmë për shtet, e shpërndajmë në popull, më së shumti, më së pari tek ata të cilët i kanë nevojat më të mëdha”, tha ai.

    Ai foli edhe për alokimin e fundit të mjeteve buxhetore në vlerë prej 2 milionë eurosh për avikompanitë, duke thënë se bëhet fjalë për mbulim të nevojave gjatë sezonit veror.

    “Ndërkaq sa i përket alokimit të mjeteve buxhetore prej 2 milionë euro , këtë e kam shpjeguar me një tekst në faqen time në Facebook dje pasdite. Ju kisha inkurajuar të gjithëve që keni dilema të lexoni e ta rilexoni dhe gjithçka është në shërbim të qytetarëve dhe bëhet fjalë për një mbulim të një gjendje jo të zakonshme që po e bëjnë edhe shtetet e tjera. Dhe nuk ka të bëjë me muajin qershor, po ka të bëjë me komplet stinën e verës deri në fund të tetorit. Pra, do të vepronim ndryshe po të kishim Kuvend. Meqë s’kemi Kuvend, veprojmë me çfarë mundemi e dimë dhe besojmë që po bëjmë shumë mirë”, tha ai.

  • OVL-UÇK thotë se sulmi ndaj Clark dhe Rubin është politik, jo juridik

    OVL-UÇK thotë se sulmi ndaj Clark dhe Rubin është politik, jo juridik

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka reaguar ndaj Prokurorisë Speciale, duke e akuzuar për përpjekje për të diskredituar dëshmitarë ndërkombëtarë në proceset gjyqësore që lidhen me luftën në Kosovë.

    Në reagimin e saj, OVL UÇK thekson se etiketimi i figurave si Wesley Clark dhe James Rubin si të njëanshëm apo të pabesueshëm është i papranueshëm.

    Sipas organizatës së veteranëve, dëshmitarët ndërkombëtarë nuk kanë paraqitur qëndrime të fabrikuara për luftën në Kosovë.

    OVL UÇK vlerëson se kontestimi i dëshmive të tyre përbën qasje të motivuar politikisht dhe jo juridikisht.

    Postimi i plotë:

    OVL UÇK hedh poshtë përpjekjen e Prokurorisë Speciale për të diskredituar dëshmitarët ndërkombëtarë që dëshmuan për të vërtetën e Luftës Çlirimtare të Kosovës. Etiketimi i figurave si Gjeneral Wesley Clark dhe James Rubin si të njëanshëm apo të pabesueshëm, e nxjerr Prokurorinë nga argumentimi ligjor dhe e zhyt në armiqësi politike, madje edhe në absurditet profesional.

    Këta dëshmitarë nuk trilluan histori. Nuk i shërbyen asnjë agjende personale. Ajo çfarë deklaruan është ajo që pa e gjithë bota: UÇK-ja zhvilloi luftë të drejtë dhe të domosdoshme kundër shtypjes jugosllave, përkrah një aleance euroatlantike që e njihte dallimin mes çlirimit dhe agresionit. Të sulmosh ata që i qëndruan pranë Kosovës në orën e saj vendimtare, do të thotë të sulmosh vetë historinë që e bëri të mundur lirinë.

    Sjellje të tilla shfaqin panikun e tyre përballë fakteve që refuzojnë t’i nënshtrohen një vendimi të paracaktuar. Asnjë zyrë prokurorie, sado e paprekshme të jetë nga llogaridhënia, nuk ka të drejtë të përqeshë dëshmitë e ndershme, thjesht sepse ato ia rrëzojnë akuzën.

    Kërkojmë që Gjykata t’i trajtojë këto manovra me përbuzjen që meritojnë, duke peshuar provat dhe jo mërinë politike. Historia e kësaj lufte u shkrua me gjak. Arroganca institucionale nuk do të mund ta përmbysë.

  • Kurti për Xhandarmërinë: Është domosdoshmëri e kohës – do ta plotësojë boshllëkun mes Policisë dhe FSK-së

    Kurti për Xhandarmërinë: Është domosdoshmëri e kohës – do ta plotësojë boshllëkun mes Policisë dhe FSK-së

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se krijimi i Xhandarmërisë është i domosdoshëm për adresimin e sfidave aktuale të sigurisë dhe për plotësimin e boshllëkut mes Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

    Duke folur për gjendjen e sigurisë në vend, Kurti ka thënë se ajo po ndryshon me shpejtësi dhe se rreziqet aktuale nuk janë të njëjta me ato të një dekade më parë.

    “Kërcënimet me të cilat përballemi sot nuk janë ato të një dekade më parë. Sfidat kryesore përfshijnë grupe të armatosura paraushtarake dhe kapacitete superiore ndaj atyre policore, kontrabandë të vazhdueshme me armë e mallra që cenojnë sigurinë përgjatë vijës kufitare, si dhe infiltrime të grupeve të armatosura që kërcënojnë sovranitetin tonë”, u shpreh Kurti në një konferencë për shtyp.

    Ai ka përmendur gjithashtu përdorimin e teknologjive moderne, përfshirë dronët, në cenimin e sigurisë, duke theksuar nevojën për mbikëqyrje të vazhdueshme të terrenit dhe infrastrukturës kritike.

    Sipas tij, Policia e Kosovës po kryen punë të jashtëzakonshme, por ka mandat të kufizuar në ruajtjen e rendit publik dhe luftimin e krimit.

    “Kemi pasur sulme të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, veçanërisht në veri, ndaj institucioneve të Kosovës, Policisë, qytetarëve dhe misioneve ndërkombëtare. Kjo tregon se grupet e armatosura me organizim paraushtarak kanë rrezikuar dhe mund të rrezikojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

    Kurti theksoi se përballja me këto sfida kërkon krijimin e një strukture të re të specializuar.

    “Me qëllim të adresimit të këtyre sfidave dhe rreziqeve, themelimi i Xhandarmërisë si strukturë e re, e specializuar, moderne dhe e disiplinuar është domosdoshmëri e kohës. Ajo do të plotësojë boshllëkun mes Policisë dhe Ushtrisë, përkatësisht FSK-së”, deklaroi Kurti.

    Sipas tij, Xhandarmëria do të ketë mandat të qartë për sigurimin e vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore, operacionet kundër grupeve të armatosura, luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

    Ai shtoi se modeli i Xhandarmërisë është praktikë e njohur evropiane, duke përmendur Francën, Italinë, Spanjën dhe Portugalinë si shembuj.

  • Të paktën 11 të vrarë në sulmet ajrore në Liban

    Të paktën 11 të vrarë në sulmet ajrore në Liban

    Ministria e Shëndetësisë e Libanit ka thënë se të paktën 11 persona janë vrarë në sulmet izraelite këtë mëngjes.

    Kjo shifër përfshin dy fëmijë, ndërsa 21 persona të tjerë janë plagosur.

    Ministria ka bërë të ditur se një sulm ndaj një ndërtese në qytetin Sidon ka vrarë pesë persona – shih postimin tonë të mëparshëm për pamjet nga pasojat.

    Dje, Ministria e Shëndetësisë tha se 31 persona janë vrarë në sulme izraelite në një nga ditët më vdekjeprurëse që nga hyrja në fuqi e armëpushimit të brishtë mes Izraelit dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani, muajin e kaluar.

  • 3 persona plagosën me thikë nga një person që bërtiste ‘Allahu Ekber’ në një stacion treni afër Cyrihut

    3 persona plagosën me thikë nga një person që bërtiste ‘Allahu Ekber’ në një stacion treni afër Cyrihut

    Tre persona kanë mbetur të plagosur pasi një burrë i ka sulmuar me thikë në një stacion treni në qytetin zviceran Winterthur, pranë Cyrihut, ka bërë të ditur policia lokale të enjten.

    Policia ka thënë se sulmi ka ndodhur rreth orës 06:30 dhe se autori i dyshuar, një shtetas zviceran 31-vjeçar, është arrestuar.

    Tre viktimat e sulmit po marrin kujdes spitalor, sipas deklaratës së policisë.

    Gazeta zvicerane Blick ka thënë se ka siguruar një video që tregon një burrë duke vrapuar jashtë hollit të stacionit duke bërtitur “Allahu Akbar”, një frazë arabe që do të thotë “Zoti është i madh”.

    Gazeta citoi një dëshmitar okular i cili ka thënë se burri mbante një thikë, ndërsa njerëzit përreth tij bërtisnin dhe iknin. Incidenti ka shkaktuar një operacion të madh policor, shkruan gazeta.

    Policia ka thënë se motivi i sulmit po hetohet.

  • Haxhiu pret në takim kryesuesin dhe sekretaren e përgjithshme të Këshillit Konsultativ për Komunitete

    Haxhiu pret në takim kryesuesin dhe sekretaren e përgjithshme të Këshillit Konsultativ për Komunitete

    U.d. presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në një takim kryesuesin dhe sekretaren e përgjithshme të Këshillit Konsultativ për Komunitete.

    Në takim u diskutua për rolin e këshillit si mekanizëm i rëndësishëm i komunikimit ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve të republikës, si dhe për nevojën që shqetësimet, propozimet dhe prioritetet e komuniteteve të trajtohen me kujdes të rregullt institucional.

    Haxhiu theksoi se barazia merr kuptim kur qytetarët kanë qasje në institucione, në shërbime dhe në vendimmarrje.

    Ajo konfirmoi përkushtimin e presidencës për bashkëpunim të vazhdueshëm me këshillin, në shërbim të të drejtave, përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së të gjitha komuniteteve në jetën publike të Republikës së Kosovës.

  • Arrestohet një grua në Prishtinë, dyshohet se sulmoi me thikë një burrë

    Arrestohet një grua në Prishtinë, dyshohet se sulmoi me thikë një burrë

    Një grua është arrestuar në Prishtinë pasi dyshohet se sulmoi me thikë një burrë

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë, rasti u iniciua si “Lëndim i rëndë trupor”, kurse e dyshuara fillimisht u dërgua për trajtim në Psikiatri e më pas në mbajtje.

    “Prishtinë 27.05.2026 – 13:30. Është arrestuar e dyshuara femër kosovar pasi që dyshohet se ka sulmuar me thikë viktimën mashkull kosovar i cili është dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me rastin e dyshuara është dërguar për tretman mjekësor në spitalin psikiatrik dhe më pas me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.

  • Kallas thotë se ShBA-ja dhe Irani janë në një ‘gjendje të çuditshme midis luftës dhe paqes’

    Kallas thotë se ShBA-ja dhe Irani janë në një ‘gjendje të çuditshme midis luftës dhe paqes’

    Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ka deklaruar se situata në Lindjen e Mesme do të jetë në fokus të diskutimeve të ministrave të jashtëm të BE-së, në një takim që po mbahet në Qipro.

    Duke folur për gazetarët me të mbërritur në takim, Kallas ka thënë se Bashkimi Evropian kishte pritur nënshkrimin e një marrëveshjeje, por deri tani kjo nuk ka ndodhur.

    “Ne po prisnim nënshkrime në marrëveshje, deri tani nuk i kemi”, ka deklaruar ajo.

    Ajo është ndalur edhe te situata në Ngushticën e Hormuzit, të cilën e ka përshkruar si të paqëndrueshme.

    “Në këtë moment, Ngushtica e Hormuzit është në një gjendje të çuditshme mes luftës dhe paqes”, ka thënë Kallas.

    Sipas saj, liria e lundrimit është në interes të të gjithëve, ndërsa ka paralajmëruar se bota po paguan një “çmim shumë të lartë” për zhvillimet aktuale në rajon.