ATV

Author: G.O.

  • Humbi ndjenjat dhe ra në tokë, vdes një person në Kamenicë

    Humbi ndjenjat dhe ra në tokë, vdes një person në Kamenicë

    Një person derisa ishte duke punuar në Kamenicë ka humbur ndjenjat dhe ka rënë në tokë.

    Policia, përmes raportit 24 orësh bën të ditur se viktima është dërguar në QKMF ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.

    Ndërsa, me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    Njoftimi i plotë:

    VDEKJE E DYSHUAR

    Kamenicë 28.05.2026, 17:46. Është raportuar se viktima mashkull kosovar derisa ishte duke punuar ka humbur ndjenjat dhe ka rënë në tokë. Viktima është dërguar në QKMF ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

  • Pesë persona sulmojnë me thikë katër të tjerë në Lipjan, tre nga të dyshuarit arratisen ndërsa dy arrestohen

    Pesë persona sulmojnë me thikë katër të tjerë në Lipjan, tre nga të dyshuarit arratisen ndërsa dy arrestohen

    Dy persona janë arrestuar pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje së bashku me tre të dyshuar të tjerë të cilët janë arratisur, kanë sulmuar fizikisht me thikë katër persona të tjerë.

    Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të enjten rreth orës 20:00, në Lipjan.

    Tutje bëhet e ditur se njëri nga të dyshuarit dhe dy viktimat kanë pranuar tretman mjekësor.

    “Lipjan 28.05.2026, 20:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje së bashku me tre të dyshuar të tjerë, të cilët kanë ikur në drejtim të panjohur, kanë sulmuar fizikisht me mjet të mprehtë (thikë) katër viktimat meshkuj kosovarë. Njëri nga të dyshuarit dhe dy viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Rutte: Sjellja e Rusisë është rrezik për të gjithë – NATO do të mbrojë çdo centimetër të territorit aleat

    Rutte: Sjellja e Rusisë është rrezik për të gjithë – NATO do të mbrojë çdo centimetër të territorit aleat

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka dënuar ashpër “sjelljen e pamatur të Rusisë”, duke e cilësuar atë si një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e vendeve anëtare të Aleancës.

    Në një deklaratë publike, Rutte tha se i ka siguruar presidentit të Rumanisë, Nicușor Dan, se NATO është plotësisht e gatshme të mbrojë “çdo centimetër të territorit aleat”.

    Ai theksoi se Rusia vazhdon sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës në Ukrainë, duke shtuar se pasojat e luftës nuk kufizohen vetëm brenda territorit ukrainas.

    Sipas tij, incidentet e fundit tregojnë se rreziku i konfliktit po shtrihet përtej kufijve, ndërsa NATO do të vazhdojë të forcojë mbrojtjen kolektive dhe të mbështesë Ukrainën në përballje me agresionin rus.

  • FSK merr pjesë në konferencën e ushtrive evropiane në Gjermani

    FSK merr pjesë në konferencën e ushtrive evropiane në Gjermani

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po merr pjesë në konferencën e ushtrive evropiane, e cila po mbahet në Gjermani, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

    Në këtë ngjarje, FSK përfaqësohet nga zëvendëskomandanti i saj, gjeneralmajor Enver Cikaqi, i cili po merr pjesë së bashku me përfaqësues të lartë ushtarakë nga vendet evropiane dhe aleatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Sipas njoftimit zyrtar, konferenca organizohet nga Ushtria amerikane për Evropë dhe Afrikë dhe shërben si platformë për koordinim dhe diskutim mbi sfidat aktuale të sigurisë në Evropë dhe më gjerë.

    Në këtë takim të nivelit të lartë, komandantë të forcave tokësore dhe zyrtarë ushtarakë trajtuan çështje që lidhen me bashkëpunimin ndërmjet ushtrive dhe forcimin e marrëdhënieve në kuadër të aleancave ekzistuese.

    FSK thekson se pjesëmarrja në këto forume ndërkombëtare kontribuon në rritjen e bashkëpunimit dhe zhvillimin profesional të institucionit në arenën ndërkombëtare.

  • Von der Leyen: Sulmi me dron në Rumani shënon përshkallëzim të ri të luftës së Rusisë

    Von der Leyen: Sulmi me dron në Rumani shënon përshkallëzim të ri të luftës së Rusisë

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se lufta e Rusisë në Ukrainë ka kaluar “një kufi tjetër”, pas incidentit ku një dron rus goditi një ndërtesë banimi në Rumani dhe la të plagosur dy persona.

    Në një reagim në rrjetin social X, von der Leyen theksoi se sulmi ka ndodhur në territor të Bashkimit Evropian dhe e cilësoi ngjarjen si një përshkallëzim serioz të konfliktit.

    Ajo shprehu solidaritet të plotë me Rumaninë dhe qytetarët e saj, duke paralajmëruar se BE do të vazhdojë të forcojë masat e sigurisë dhe mbrojtjes në kufijtë lindorë të unionit.

    Sipas saj, incidenti tregon rrezikun në rritje të zgjerimit të pasojave të luftës përtej territorit të Ukrainës dhe nevojën për vigjilencë të shtuar nga vendet anëtare të BE-së.

  • Millanoviq, Vuçiqit: Mos e frikëso popullin, s’ka aleancë me shqiptarët për të sulmuar Serbinë

    Millanoviq, Vuçiqit: Mos e frikëso popullin, s’ka aleancë me shqiptarët për të sulmuar Serbinë

    Presidenti kroat Zoran Millanoviq tha të enjten se “do të ishte komike nëse nuk do të ishte shqetësuese” që presidenti serb Alleksandar Vuçiq i frikëson vazhdimisht qytetarët e tij se Kroacia po krijon një aleancë ushtarake kundër Serbisë.

    Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq nënshkroi një Deklaratë për Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes me homologët e tij nga Kosova dhe Shqipëria vitin e kaluar, dhe pas kësaj, Vuçiq filloi të kritikonte Zagrebin për krijimin e një aleance ushtarake me Prishtinën dhe Tiranën kundër Beogradit.

    “Presidenti i vendit tonë fqinj nuk po heq dorë nga frikësimi i qytetarëve të tij me perspektivën e një sulmi nga Kroacia dhe shqiptarët ndaj Serbisë. Kjo do të ishte komike, nëse nuk do të ishte e pavlerë dhe shqetësuese në fakt”, tha Millanoviq në një akademi ceremoniale me rastin e Ditës së Forcave të Armatosura Kroate, raporton N1.

    Ai shtoi se, duke pasur parasysh që deklarata të tilla vijnë nga kreu i një shteti, njerëzit po pyesin veten nëse është e vërtetë.

    “Dhe e di që është inferiore ta shpjegosh dhe ta justifikosh vazhdimisht, por unë e bëj këtë për hir të popullit tonë. Dhe pjesërisht për hir të serbëve, në mënyrë që ata të kuptojnë se çfarë lloj çështje e kotë është”, tha presidenti kroat.

  • Trump kërkon që fytyra e tij të vendoset në kartëmonedhën 250 dollarëshe

    Trump kërkon që fytyra e tij të vendoset në kartëmonedhën 250 dollarëshe

    Në Shtetet e Bashkuara ka nisur një debat i ri politik pasi është propozuar që në një kartëmonedhë të re prej 250 dollarësh të vendoset portreti i ish-presidentit Donald Trump.

    Sipas deklarimeve të Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, Shtëpia e Bardhë ka kërkuar nga Kongresi miratimin e këtij projekti, i cili lidhet me shënimin e 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së.

    Megjithatë, realizimi i kësaj nisme kërkon ndryshime në ligjin federal, i cili aktualisht ndalon vendosjen e figurave të gjalla në monedhat amerikane.

    Propozimi ka shkaktuar reagime të menjëhershme në skenën politike, ku përfaqësues të opozitës e kanë kritikuar idenë si të papërshtatshme dhe simbolikisht të diskutueshme për traditën amerikane.

    Debati pritet të vazhdojë në Kongres, ku vendimi përfundimtar do të përcaktojë nëse projekti do të kalojë në fazën e realizimit apo do të bllokohet.

  • Itali: Hetime për rrëmbimin dhe dhunimin e një turisteje – pesë persona në pranga

    Itali: Hetime për rrëmbimin dhe dhunimin e një turisteje – pesë persona në pranga

    Autoritetet italiane kanë arrestuar pesë persona nën dyshimin për përfshirje në rrëmbimin dhe abuzimin seksual të një turisteje 32-vjeçare nga Kolumbia, në periferi të Romës.

    Sipas hetimeve paraprake, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pasi viktima kishte takuar një burrë pranë stacionit “Roma Termini”, i cili e kishte joshur me pretekstin e blerjes së drogës. Më pas ajo dyshohet se është dërguar në një ndërtesë të braktisur në zonën Tor Cervara.

    Autoritetet thonë se gruaja është mbajtur për rreth 72 orë kundër vullnetit të saj dhe gjatë kësaj kohe dyshohet se është abuzuar në mënyrë të përsëritur nga disa persona.

    Viktima ka arritur të arratiset dhe është gjetur nga një kalimtar, i cili e ka dërguar menjëherë në spital. Mjekët kanë konstatuar lëndime të rënda dhe kanë njoftuar policinë.

    Policia italiane ka identifikuar dhe arrestuar pesë të dyshuar, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë rast të rëndë.

  • Aksident në Gjermani: Përplasen dy tramvaje në Hanover, plagosen 12 persona

    Aksident në Gjermani: Përplasen dy tramvaje në Hanover, plagosen 12 persona

    Një aksident hekurudhor urban ka ndodhur në qytetin Hanover të Gjermanisë, ku dy tramvaje janë përplasur me njëri-tjetrin, duke lënë të plagosur të paktën 12 persona.

    Sipas autoriteteve lokale, shumica e të lënduarve kanë pësuar plagë të lehta dhe disa prej tyre janë transportuar me urgjencë në spital për trajtim mjekësor.

    Policia gjermane dyshon se shkak i aksidentit mund të ketë qenë një defekt në sistemin e kontrollit të binarëve, i cili ka bërë që njëri prej tramvajeve të devijojë nga linja e tij.

    Pas përplasjes, të dy tramvajet kanë dalë nga shinat, ndërsa një pjesë e platformës në një stacion është dëmtuar nga goditja.

    Shërbimet emergjente kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje, duke evakuuar pasagjerët dhe duke rikthyer më pas tramvajet në shina me pajisje të specializuara.

    Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit, ndërsa qarkullimi i tramvajeve është rikthyer në normalitet pas disa orësh ndërprerjeje.

  • KQZ mban mbledhje për përgatitjet e zgjedhjeve të 7 qershorit 2026

    KQZ mban mbledhje për përgatitjet e zgjedhjeve të 7 qershorit 2026

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të zhvillojë mbledhjen e radhës, ku në rend dite janë përfshirë disa çështje që lidhen me përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë caktuar të mbahen më 7 qershor 2026.

    Në këtë takim pritet të diskutohen dhe miratohen një sërë vendimesh të rëndësishme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, përfshirë akreditimin e vëzhguesve, caktimin e këshillave në vendvotime dhe ekipeve të numërimit, si dhe miratimin e planit operacional për ditën e zgjedhjeve, bëhet e ditur nga zyra për informim e KQZ-së.

    Gjithashtu, në agjendë janë edhe çështje teknike dhe organizative që lidhen me administrimin e procesit zgjedhor, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt, të sigurt dhe transparent.