ATV

Author: G.O.

  • Inteligjenca gjermane paralajmëron për rritje të kërcënimit terrorist islamik

    Inteligjenca gjermane paralajmëron për rritje të kërcënimit terrorist islamik

    Kërcënimi nga sulmet terroriste islamike në Gjermani është dukshëm më i lartë se në vitet e mëparshme, pjesërisht për shkak të luftës në Gazë, tha agjencia e inteligjencës e Gjermanisë.

    “Rreziku i sulmeve xhihadiste është më i lartë seç ka qenë për një kohë të gjatë”, tha për DPA-në kreu i shërbimeve vendase të inteligjencës, Thomas Haldenwang.

    “Situata në Lindjen e Mesme, pas sulmit terrorist nga Hamasi [grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera] sigurisht se kontribuon në kërcënimin e shtuar që paraqet terrorizmi islamik”, tha ai.

    Sipas tij, Gjermania është më shumë në fokusin e xhihadistëve sesa vendet e tjera evropiane, sepse “së bashku me SHBA-në, konsiderohet të jetë një nga mbështetëset më të rëndësishme të Izraelit”.

    Përveç kësaj, Haldenwang përmendi edhe ndikimin nga udhëheqja talibane në Afganistan, si dhe forcimin e grupit militant, Shteti Islamik Khorasan, në Pakistan dhe Afganistan.

    Në muajin maj, një 25-vjeçar afgan plagosi pesë persona me thikë në një tubim të organizuar nga lëvizja anti-islamike, Pax Europa, në qytetin jugperëndimor të Gjermanisë, Manhajm.

    Ai gjithashtu sulmoi një polic, i cili vidiq më vonë nga plagët.

    Hetuesit dyshojnë se motivi pas këtij sulmi lidhet me ekstremizmin islamik. Haldenwang tha se Gjermania, aktualisht, përballet me tri sfida kryesore: kërcënimin nga terrorizmi islamik, rritjen e ekstremizmit të krahut të djathtë që kontribuon në tensione sociale, dhe ndikimin nga spiunazhi i shteteve të huaja./REL

  • Temperaturat e larta – pse nuk duhet ta konsumoni ujin e shishes që ka qëndruar në diell

    Temperaturat e larta – pse nuk duhet ta konsumoni ujin e shishes që ka qëndruar në diell

    Është e rëndësishme të qëndroni të hidratuar mirë, veçanërisht në muajt e verës. Mos pirja e mjaftueshme e ujit mund të shkaktojë dhimbje koke, marramendje dhe konfuzion midis efekteve të tjera anësore të padëshiruara.

    Prandaj, është thelbësore që të pini rregullisht ujë gjatë gjithë ditës, shkruan Express.co.uk.

    Kur jeni të etur dhe me nxitim, mund të jetë tunduese të kapni shishen e parë të ujit që gjeni.

    Por, një eksperte ka paralajmëruar për rreziqet shëndetësore të pirjes së ujit të ngrohtë në shishe, veçanërisht nëse ka qëndruar në një vend shumë të nxehtë sikurse brenda një makine.

    Kjo për shkak se kimikatet nga plastika mund të depërtojnë në ujë.

    “Mos pini ujë në shishe që ka qëndruar në diell ose në një mjedis të nxehtë, si një makinë”, tha Sarah Lawdon, një eksperte e sigurisë ushqimore nga Storage Box Shop.

    “Nxehtësia mund të shkaktojë që kimikatet e dëmshme të rrjedhin nga plastika në ujë”.

    Sipas Lawdon, kur uji në shishe nxehet, kimikatet nga plastika mund të futen në ujë.

    Këto kimikate, si BPA-ja dhe ftalatet, mund të jenë të dëmshme nëse i pini.

    Pirja e ujit me këto kimikate mund t’ju bëjë të ndiheni keq dhe të keni probleme shëndetësore.

    Ajo paralajmëroi për efektet anësore nga pirja e këtij uji, të cilat janë:

    Probleme me stomakun: Mund të përjetoni të përziera ose të keni dhimbje barku

    Dhimbje koke: Këto kimikate mund t’ju shkaktojnë dhimbje koke

    Marramendje: Kjo është një tjetër simptomë që mund t’ju shfaqet

    Problemet me hormonet: Disa kimikate mund të prishin hormonet tuaja, duke shkaktuar probleme më serioze shëndetësore me kalimin e kohës.Për të shmangur këtë, ajo rekomandoi që gjithmonë të ruani shishen me ujë në një vend të freskët dhe të mos e lini atë në rrezet e diellit direkte. /Telegrafi/

  • Hipotiroidizmi, si të eliminoni peshën e tepërt

    Hipotiroidizmi, si të eliminoni peshën e tepërt

    Shtimi në peshë është një nga simptomat kryesore të luhatjeve hormonale të tiroides.

    Kjo gjendër konsiderohet e shenjtë në organizëm dhe çdo shqetësim i vogël nxit simptoma që shpesh bëhen ekstreme.

    Prodhimi i tepërt i hormoneve nga ana e tiroides (hipertiroidizëm) mund të nxisë rënie të shpejtë nga pesha.

    Mungesa e hormoneve (hipotiroidizmi) nga ana tjetër mund të nxisë shtimin në peshë.

    Hipotiroidizmi ngadalëson metabolizmin, thonë ekspertët.

    Sipas tyre, një person që vuan nga hipotiroidizmi ka nevojë të kryejë përpjekje të shtuara jo vetëm sa i përket akvititetit fizik por edhe ushqyerjes apo mbajtjes nën kontroll të stresit.

    Ekspertët thonë se dy faktorët më të rëndësishëm që duhen marrë përsipër në përpjekjet për të humbur kilogramët e tepërt është angazhimi dhe qëndrueshmëria.

    Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni këshillat e ekspertëve për pacientët që vuajnë nga hipotiroidizmi dhe duan të heqin peshën e tepërt që shkakton ky problem.

    Zgjidhni Llojin dhe Sasinë e Duhur të Karbohidrateve
    Duke mbajtur në konsideratë faktin që tiroidja ruan ekuilibrat në organizëm, është e rëndësishme që të mos e teproni me karbohidratet.

    Ju duhet të zgjidhni karbohidrate që vijnë nga ushqime natyrale siç janë drithërat e plota, frutat dhe perimet dhe të qëndroni larg ushqimeve të përpunuara.

    Më Shumë Minerale
    Tiroidja ka nevojë për jod dhe selenium që të funksionojë siç duhet. Mungesa e këtyre mineraleve mund të shkaktojë probleme me tiroiden.

    Jodi gjendet në shumë produkte deti ndërsa seleniumi gjendet tek kërpudhat dhe farat chia.

    Një mineral tjetër i rëndësishëm për tiroiden është zinku. Atë mund ta gjeni tek mishi i viçit, karkalecat e detit, fasulet, spinaqi dhe farat chia.

    Më Shumë Kefir
    Kefiri dhe lakra turshi e bërë vetë në shtëpi, janë dy produkte të fermentuara shumë të nevojshme jo vetëm për shëndetin e stomakut por edhe për tiroiden.

    Ato kanë baktere të shëndetshme të cilat fuqizojnë florën bakteriale të organizmit.

    Më Shumë Brokoli Dhe Lulelakër
    Perimet si brokoli, lulelakra, lakra, barishtet dhe kale janë shumë të mira për shëndetin e tiroides, por ato duhen konsumuar të gatuara sa më pak.

    Sa më pak që të gatuhen këto perime, aq më të paprekura do të jenë depozitat e vitaminave dhe mineraleve që ofrojnë.

    Yndyrnat
    Ekspertët këshillojnë konsumin e yndyrnave të shëndetshme siç është omega-3, që vijnë në ndihmë kundër çrregullimeve të tiroides.

    Më të mirat janë arrat, farat chia, farat e linit, salmoni, sardeli dhe skumbria.

    Më Shumë Proteinë
    Vezët, mishi i pulës, peshku, legumet, arrorët dhe farat janë ndër burimet më të pasura të proteinës e cila mbështet shëndetin e tiroides.

    Produktet e bulmetit kanë proteinë por struktura e saj molekulare nuk e bën të përshtatshme për tiroiden./AgroWeb.org

  • ShBA-ja dhe Polonia bashkojnë forcat kundër dezinformimit rus në Ukrainë

    ShBA-ja dhe Polonia bashkojnë forcat kundër dezinformimit rus në Ukrainë

    Shtetet e Bashkuara dhe Polonia krijuan një grup për të ndihmuar Ukrainën në luftimin e dezinformimit rus, njoftoi Qendra Globale e Angazhimit e Departamentit amerikan të Shtetit.

    Qendra Globale e Angazhimit, e cila punon për të nxjerrë në pah dezinformatat nga ato që i konsideron shtete armiqësore, tha se Grupi i përbashkët i Komunikimit për Ukrainën, ose UCG, u formua në Varshavë.

    Qëllim i tij është t’i jepet mbështetje Ukrainës “në luftën kundër agresionit të Rusisë në hapësirën e informacionit”.

    Departamenti amerikan i Shtetit tha se grupi i ri do t’i bashkojë aleatët “për të koordinuar mesazhet, për të promovuar raportimin e saktë rreth pushtimit rus të Ukrainës, për të përforcuar zërat ukrainas dhe për të ekspozuar manipulimin e informacioneve nga Kremlini”.

    Departamenti i Shtetit tha, po ashtu, se Kremlini “përdor gënjeshtra dhe manipulime në mënyrë të përsëritur, për të nxjerrë pretekste të rreme për pushtimin e pajustifikueshëm”, si dhe “për të bërë përpjekje për të prishur solidaritetin mbarëbotëror me popullin ukrainas”.

    Kremlini i mohoi pretendimet se përhap dezinformata dhe akuzoi Perëndimin për përfshirje në “terrorizëm informacioni”.

    Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, zyrtarët polakë thonë se Polonia është bërë, gjithashtu, objektiv i sabotazhit dhe masave të tjera përçarëse nga shërbimet sekrete ruse.

    Polonia, anëtare e NATO-s, është strehë për një numër të konsiderueshëm refugjatësh ukrainas, të cilët ikën nga vendi i tyre prej se Rusia nisi pushtimin e tij në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022./REL

  • Komuna e Prishtinës organizon aktivitete me rastin e Ditës së Çlirimit të saj

    Komuna e Prishtinës organizon aktivitete me rastin e Ditës së Çlirimit të saj

    Komuna e Prishtinës ka një agjendë që do ta zhvillojë sot me rastin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës.

    “09:00 – 09:15: Vizitë – Ish Batalioni i V-të Gardist i Zonës Operative të Llapit – (Ndërtesa e vjetër e Kryeqytetit)

    09:30 – 09:50: Homazhe në Velani (Varrezat e Dëshmorëve)

    10:00 – 10:20: Homazhe te statuja e “Zahir Pajaziti”

    11:00 – 12:00 : Seanca Solemne – Dita e Çlirimit”.

  • 16 vjet nga miratimi i himnit shtetëror të Kosovës

    16 vjet nga miratimi i himnit shtetëror të Kosovës

    Himni shtetëror i Kosovës sot mbush 16 vjet nga miratimi në Kuvendin 120 anëtarësh që kishte shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008.

    Propozimi me shifrën “Europa” u miratua më 11 qershor 2008 në një seancë të veçantë si himn shtetëror me 72 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenime.

    Kur ishte propozuar melodia e autorit Mendi Mengjiqi, himni ka pasur edhe vargjet e shkruara, por për shkak të restrikcioneve nga pakoja e ish-presidentit Martti Ahtisaari, komisioni përzgjedhës ishte detyruar të heqë tekstin.

  • Mblidhen dy komisione parlamentare

    Mblidhen dy komisione parlamentare

    Në Kuvendin e Kosovës sot do të mbahen dy komisione.

    Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në orën 11:00 shqyrton raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji – ZRRE.

    Ndërkaq në ora 12:00 Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të RTK-së. Të ftuar janë Bordi i RTK-së dhe drejtori i Përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj.

  • Mbahet sot samiti “The Western Balkans 2024”

    Mbahet sot samiti “The Western Balkans 2024”

    Në Prishtinë sot mbahet samiti “The Western Balkans 2024”.

    Në këtë samit pritet të marrin pjesë kryeministri Albin Kurti, George Robertson ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s, Jeffrey Hovenier ambasador i SHBA-së në Kosovë, Tomas Szunyog shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, Matteo Renzi ish-kryeministri i Italisë, Liburn Aliu ministër i Mjedisit.

    Gjithashtu, pjesëmarrës do të jenë edhe ministra tjerë të qeverisë së Kosovës, si dhe biznesmen të ndryshëm.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Për të martën parashikohet të mbajë mot i nxehtë, i karakterizuar me diell dhe vranësira. Ka mundësi të ketë ndonjë reshje të izoluar në zona të caktuara.

    Sipas Meteo Kosova, pluhuri Saharian do të vazhdojë.

    Era do fryjë nga kuadrati i jugperëndimit dhe perëndimit, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-57 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 13 deri në 16°C, ndërsa ato maksimale prej 28 deri në 31°C.

  • Real Madridi sërish mbret i Evropës, fitojnë Ligën e Kampionëve për herë të 15-të

    Real Madridi sërish mbret i Evropës, fitojnë Ligën e Kampionëve për herë të 15-të

    Real Madridi është fitues i Ligës së Kampionëve për edicionin 2023-24.

    Madrilenët kanë triumfuar në finalen e madhe të Wembleyt ndaj Dortmundit me rezultat 2-0.

    Dani Cavajal (74′) dhe Vinicius Jr (85′) ishin dy golashënuesit dhe heronjtë madrilen që i dhanë triumfin spanjollëve.

    Me këtë triumf, Real Madridi tani është fitues i kësaj gare për herë të 15-të në histori të klubit, shumë larg skuadrave të tjera.