ATV

Author: G.O.

  • Kurti merr pjesë sot në përurimin e Shtegut të Lirisë “Pashtriku”

    Kurti merr pjesë sot në përurimin e Shtegut të Lirisë “Pashtriku”

    Kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë sot në përurimin e Shtegut të Lirisë “Pashtriku”, në Has-Pashtrik.

    Përurimi do të bëhet në orën 10:00.

    “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, merr pjesë në përurimin e Shtegut të Lirisë “Pashtriku”, Has-Pashtrik”, thuhet në njoftim.

  • Itali-Shqipëri, formacionet e mundshme

    Itali-Shqipëri, formacionet e mundshme

    Kombëtarja e Shqipërisë e nis sonte aventurën në Kampionatin Evropian Euro 2024 në Gjermani.

    Duke filluar mbrojtjen e titullit të saj evropian, Italia takohet me rivalin e Grupit B, Shqipërinë sonte në mbrëmje, kur të dy kombëtaret nisin fushatën e tyre në Euro 2024, raporton KosovaPress.

    Ndërsa “Azzurri” përfundimisht synon të fitojë Evopianin për të dytën herë me radhë, Shqipëria shpreson të avancojnë nga faza e grupeve në paraqitjen e dytë në këtë turne.

    Shqipëria dhe Italia janë përballur katër herë mes vete, ku në të katër ndeshjet kuqezinjët kanë pësuar humbje.

    Sa i përket ndeshjes së sotme, formacionet e mundshme mund t’i gjeni më poshtë:

    Italia (4-2-3-1): Donnarumma; Di Lorenzo, Buongiorno, Bastoni, Dimarco; Cristante, Jorginho; Frattesi, Pellegrini, Chiesa; Scamacca

    Shqipëria (4-2-3-1): E. Berisha; Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj; Asllani, Ramadani; Asani, Bajrami, Seferi; Broja

  • ShBA-ja, Kievi dhe aleatët, refuzojnë ofertën e Putinit për armëpushim

    ShBA-ja, Kievi dhe aleatët, refuzojnë ofertën e Putinit për armëpushim

    Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe NATO-ja kanë hedhur poshtë kushtet për një armëpushim në Ukrainë të vendosura të premten nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili tha se do të ndalte sulmin në Ukrainë me kusht që Kievi të tërhiqet nga territoret e pretenduara nga Moska dhe të heqë dorë nga përpjekjet për t’u anëtarësuar në NATO.

    “Putini ka pushtuar, okupuar ilegalisht, territorin sovran të Ukrainës. Ai nuk është në asnjë pozitë për t’i diktuar Ukrainës se çfarë duhet të bëjnë për të sjellë paqen”, tha Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin në fund të një takimi të NATO-s në Bruksel.

    “Ai mund t’i japë fund kësaj sot, nëse do të vendoste ta bënte këtë, dhe ne i bëjmë thirrje që ta bëjë këtë dhe të largohet nga territori sovran ukrainas”.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e hodhi poshtë propozimin që e cilësoi “një ultimatum të Putinit për të dorëzuar më shumë territor”.

    Zoti Putin tha se propozimi i tij synon “zgjidhje përfundimtare” për konfliktin në Ukrainë dhe jo “ngrirjen e tij” dhe theksoi se Kremlini është “i gatshëm të fillojë negociatat pa vonesë”.

    “Do t’i ndërmerrnim këto hapa në mënyrë të menjëhershme”, tha zoti Putin në një fjalim në ministrinë e Jashtme ruse në Moskë.

    Këto deklarata zoti Putin i bëri në një kohë që udhëheqësit e 7 vendeve më të industrializuara u takuan në Itali dhe ndërsa Zvicra përgatitet të presë shumë udhëheqës botërorë, por jo nga Rusia, në një takim ku do të diskutohet mbi hapat e parë drejt paqes në Ukrainë.

    Ndër të tjera, në kushtet për vendosjen e paqes, udhëheqësi rus renditi kërkesën që Kievi të mos ketë armë bërthamore, të kufizojë forcën ushtarake dhe të mbrojë interesat e popullsisë rusisht-folëse në Ukrainë.

    Të gjitha këto duhet të jenë pjesë e “marrëveshjeve themelore ndërkombëtare” dhe të gjitha sanksionet perëndimore kundër Rusisë duhet të hiqen, tha zoti Putin.

    “Ne po bëjmë thirrje për ta lënë pas këtë periudhë tragjike të historisë dhe për të rikthyer, hap pas hapi, unitetin mes Rusisë dhe Ukrainës dhe Evropës në përgjithësi”, tha ai.

    Këto komente shënuan një rast të rrallë në të cilin zoti Putin parashtroi qartë kushtet e tij për përfundimin e luftës në Ukrainë, por nuk përfshijnë ndonjë kërkesë të re. Kremlini ka thënë më parë se Kievi duhet të njohë kontrollin e Moskës mbi territor dhe të heqë dorë nga synimi për anëtarësim në NATO.

    Presidenti Zelenskyy, i cili ndodhet në Itali për takimin e G7, tha se propozimi i Putinit nuk ishte një propozim i ri dhe bëhej në formë “ultimatumi”. “Ajo që kërkon Putini është t’i japim një pjesë të territoreve tona, të pushtuara dhe të pa pushtuara, duke folur për disa rajone të vendit tonë,” tha ai.

    Përveç anëtarësimit në NATO, Ukraina kërkon që forcat ruse të largohen nga territori i saj, përfshirë Krimenë që u aneksua ilegalisht në 2014, rivendosjen e integritetit territorial të Ukrainës dhe që Rusia të mbahet përgjegjëse për krimet e luftës.

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha në selinë e NATO-s në Bruksel se zoti Putin “ka pushtuar ilegalisht territorin sovran të Ukrainës. Ai nuk është në pozita për t’i diktuar Ukrainës se çfarë duhet të bëjë për rikthimin e paqes.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shtoi se “ky nuk është një propozim për paqe. Ky është një propozim për më shumë agresion, më shumë pushtim dhe në një farë mënyre tregon se qëllimi i Rusisë është të kontrollojë Ukrainën”.

    Rusia nuk kontrollon plotësisht asnjë nga katër rajonet që aneksoi ilegalisht në vitin 2022, por zoti Putin këmbënguli të premten se Kievi duhet të tërhiqet plotësisht prej tyre dhe në thelb t’ia dorëzojë Moskës sipas kufijve të tyre administrative.

    Në Zaporizhzhia në juglindje, Rusia ende nuk e kontrollon qendrën e rajonit me 700,000 banorë dhe në rajonin fqinj Kherson, Moska u tërhoq nga qyteti më i madh i tij, me të njëjtin emër, në nëntor të vitit 2022.

  • Krejt çka dihet deri tash për armatimin e fshehur nga pjesëtarët e grupit terrorist që kryen sulmin në Banjska

    Krejt çka dihet deri tash për armatimin e fshehur nga pjesëtarët e grupit terrorist që kryen sulmin në Banjska

    Policia e Kosovës ka konfirmuar se të premten ka konfiskuar sasi të armatimit në pjesën veriore të Kosovës. Nga armatimi i prezantuar që është gjendur në veri ka armë të gjata të kalibrave të ndryshme, pistoleta, granata dore etj.

    Policia rajonale e Kosovës në Mitrovicë ka dalë me detaje nga aksioni i djeshëm për kapjen e armëve ilegale në veri.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se në kuadër të aktiviteteve operative në bashkëpunim me AKI-në kanë arritur të identifikojnë disa lokacione ku ndodhej armatimi i fshehur, nga ish-pjesëtarë të Mbrojtjes Civile dhe pjesëtarë të grupit terrorist të Banjskës.

    Lokacioni i parë është në veri të Mitrovicës, në afërsi të Tre Rrokaqiejve, ndërlidhet me personin në kërkim, Marjan Radojeviq, ndërsa lokacioni tjetër është në rrugën “Çeta e Minatorëve”, në veri i Mitrovicës që ndërlidhet me subjektin në kërkim Zharko Cvetkoviq.

    Në lokacionin e parë janë gjetur tri armë të gjata AK-47, katër karikatorë me 60 fishekë, një krehër me 11 fishekë, një këllëf revoleje, një çantë ushtarake.

    Ndërsa në lokacionin e dytë janë gjetur një rrip brezi me 25 fishekë për armë gjuetie, 23 fishekë për armë gjuetie, pistoletë TT me një karikator me tetë fishekë, tre karikatorë me nga tetë fishekë, dy karikatorë në fotrollë, 28 fishekë për armë të gjata, 10 krehër me fishekë të armës së gjatë (99 fishekë), një kuti me fishekë 7×62, katër pastruese të armës, kuti me lëndë të dyshimtë.

    Në lokacionin e tretë janë gjetur armë e gjatë me bajonetë, një pistoletë me dy karikatorë me nga tetë fishekë 7×62 dhe një fotrollë, çantë e zezë me pajisje për pastrim të armës, dy kuti me nga 50 fishekë 7×62, tre karikatorë me fotrolla me nga tetë fishekë, armë e gjatë gjuetie me çantë.

    Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i publikoi pamjet në platformën “X”.

    Ai tha se kërcënimet destabilizuese nga Beogradi do të kundërshtohen me ligj dhe rend.

    “Sot, më shumë eksplozivë, armë dhe municione u konfiskuan edhe një herë në veri falë forcave tona vigjilente të sigurisë dhe rritjes së bashkëpunimit me qytetarët tanë në veri. Kërcënimet destabilizuese nga Beogradi do të kundërshtohen me ligj dhe rend”, shkroi Sveçla.

  • Në fund të qershorit votohet Projektligji për Sigurime Shëndetësore, Vitia: U vonua për shkak të komenteve

    Në fund të qershorit votohet Projektligji për Sigurime Shëndetësore, Vitia: U vonua për shkak të komenteve

    Një nga premtimet kryesore të qeverisë Kurti në sektorin e shëndetësisë, Projektligji për Sigurimet Shëndetësore, pritet që të finalizohet dhe të dërgohet për miratim në Qeveri deri në fund të muajit qershor. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Vitia ka thënë se pas pandemisë, MSh-ja ka filluar menjëherë me studimin e fizibilitetit për sistemin informativ shëndetësor, studimi i cili ka përfunduar, dhe se ky projektligj ka kaluar të gjitha proceduarat dhe është në fazën finale të adresimit të komenteve.

    Ai ka theksuar se paralelisht me këtë ligj janë duke u bërë edhe shumë punë të tjera, si në infrastrukturë e në barna, punë këto që janë pjesë e procesit për sigurime shëndetësore.

    “Po ma thonë shpesh, premtimi kryesor në mandatin e vitit 2019, në zgjedhjet e viti 2019, kanë qenë sigurimet shëndetësore dhe sistemi informativ shëndetësor. Premtimi kryesor në zgjedhjet e vitit 2021, ka qenë sigurimi i vaksinave dhe vaksinimi i 60 për qind të popullatës brenda vitit të parë gjë që e kemi bërë. Ka ndodhur pandemia dhe menjëherë pas pandemisë që ka qenë 2020, 2021 dhe 2022 ne kemi filluar menjëherë me studimin e fizibilitetit për sistemin informativ shëndetësor, studimi i cili ka përfunduar, kemi ndërtuar planin e veprimit për të vepruar”.

    “Tani pritet vetëm nënshkrimi nga ana e ministrit të financave për kredi nga Banka Botërore për të marr mjete për të filluar me punë për implementimin e sistemit informative shëndetësor. Ligji tani ka kaluar të gjitha proceduar dhe është në fazën finale të adresimit të komenteve pas konsultave paraprake dhe diskutimeve publike. Kështu që ligji për sigurimet shëndetësore po bëhet dhe si përfundim sistemi informativë shëndetësor në fazat e fundit para se me ja filluar punën, ligji në fazat e fundit para se të procedohet në qeveri për tu proceduar në Parlamentin e Republikës dhe paralelisht shumë gjëra të tjera, në infrastrukturë në barna dhe të tjera që janë pjesë e procesit për sigurime shëndetësore”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se ky projektligj ka qenë i paraparë që të përfundoj gjatë muajit maj por që sipas tij kanë marrë kohë shumë komentet. Vitia shpreh bindjen se i njëjti do të procedohet për Qeveri shumë shpejtë.

    “Ky ligj gjatë qershorit po them, ka pasur gjatë majit mirëpo për shkak të komenteve të ndryshme që kanë qenë me dhjetar faqe komente, pasi është një ligj shumë i rëndësishëm që përcakton shëndetësinë kosovare në vitet e ardhshme jemi jo vonuar, por ka marr kohë deri sa janë përgjigjur të gjitha këtyre komenteve dhe ky ligj do të procedohet shumë shpejt në Qeverinë e Kosovës dhe pastaj në Parlamentin e Republikës, ku pritet që të votohet pastaj dhe të filloj menjëherë punën”, ka thënë ai.

    Kreu i MSh-së ka deklaruar se problem po u sjellë problemi i borxheve të grumbulluara për trajtim jashtë vendit. Me ndihmën e Ministrisë së Financave, Vitia ka thënë se janë duke i shlyer këto borxhe.

    “Me këtë çështje qëndrojmë mirë. Fatkeqësisht vitin e kaluar jemi përballur me një problem për shkak të borxheve të grumbulluara për shumë, e shumë vite. Natyrisht kjo ka ndikuar që ta humbim pak kredibilitetin edhe si institucione karshi disa spitaleve të cilat kanë trajtuar pacientët tanë jashtë vendit. Mirëpo këtu me ndihmën edhe të Ministrisë së Financave, pjesa më e madhe e borxhit tashmë është shlyer dhe vazhdon për të gjitha diagnozat të cilat nuk mund të shërohen në Kosovë vazhdojnë që të trajtohen jashtë vendit. E mira e mira në këtë raste është se ne po investojmë vazhdimisht duke i targëtuar këto diagnoza të cilat për momentin nuk mund të shërohen në Kosovë dhe siç keni mundur ta shihni kohën e fundit ne kemi hapur plotë shërbime të reja në QKUK por jo vetëm në mënyrë që pacientët tanë mos të kenë nevojë të shkojnë jashtë vendit por ato shërbime t’i marrinë në Kosovë”, u shpreh ai.

    Vitia ka thënë se rreth 9 milionë euro janë kërkesat për shërim jashtë vendit. Por kjo shumë sipas tij do të ulet me funksionalizimin e aparaturës PET SCAN që bën skanimin e detajuar të trupit të njeriut për të zbuluar qelizat kancerogjene.

    Për këtë shërbim, Vitia ka thënë se janë paguar dhjetëra miliona euro për shërim jashtë vendit.

    “Kërkesat varet janë diku rreth 8-9 milionë euro për shërim jashtë vendit, mirëpo ato kërkesa vetëm të ju marr një shembull. Më herët ka pasur diku rreth 6 milionë euro për oftalmologji me dalë jashtë vendit, tash ajo është ulur në një milion, do të thotë pesë fish. Më herët kemi pasur mbi 300 raste që kanë kërkuar me aparaturë PET SCAN (skanimin e detajuar të trupit të njeriut për të zbuluar qelizat kancerogjene) të shkojnë jashtë vendit, që ka kushtuar nga 1 mijë deri 1500 euro, tash PET SCAN më datën 26 qershor do të lëshohet në funksion dhe këta pacientë nuk kanë nevojë të dalin jashtë vendit”, ka thënë Vitia.

    Vitia ka shtuar se janë duke punuar për shërbime tjera për ta ulur koston e shërimit jashtë shtetit.

  • Sot fillon Samiti për Ukrainën, Osmani në Zvicër për ta përfaqësuar Kosovën

    Sot fillon Samiti për Ukrainën, Osmani në Zvicër për ta përfaqësuar Kosovën

    Sot do të fillojë Samiti për paqe për Ukrainën, që do të mbahet në Burgenstok të Zvicrës, ku do të marrë pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani do ta riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore, si dhe do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme.

    Samiti i nivelit të lartë, i cili do t’i mbledhë liderët botëror për të diskutuar rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën, do të përqendrohet edhe në rëndësinë kritike të arritjes së paqes në Ukrainë.

    “Presidentja Osmani do ta riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore, si dhe do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme. Përgjatë qëndrimit në Zvicër, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë botëror”, thuhet në njoftim.

    Gati 90 vende dhe organizata do të marrin pjesë në samit, sipas presidentes së Zvicrës, Viola Amherd.

    Sipas saj, pjesëmarrësit në samit – rreth gjysma e të cilëve do të jenë udhëheqës shtetesh ose qeverish – do të përpiqen të gjejnë një rrugë për t’i ndalur luftimet.

    Pjesëmarrës në samit pritet të jenë presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

  • Kroacia e ndihmon Kosovën në zhvillimin e kapaciteteve të Ushtrisë

    Kroacia e ndihmon Kosovën në zhvillimin e kapaciteteve të Ushtrisë

    Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla ka qëndruar në Kroaci me rastin e konferencës ASDA, e cila u mbajt të enjten në Zagreb, ku është takuar me Sekretarin e Shtetit të këtij vendi, Zdravko Jakop.

    Siç njofton ministria e Mbrojtjes e Kroacisë, Jakop bashkë me Sylën konfirmuan bashkëpunimin e shkëlqyer të mbrojtjes ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës.

    “Bashkëpunimi i mbrojtjes ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës ka për qëllim kryesisht mbështetjen e përpjekjeve të Kosovës në procesin e anëtarësimit në organizatat dhe iniciativat euroatlantike dhe rajonale, si dhe në zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Gjithashtu, shumë anëtarë janë shkolluar në Akademinë Ushtarake Kroate ‘Dr.Franjo Tuxhman’”, u tha në njoftimin e ministrisë kroate të Mbrojtjes.

    Me këtë rast, Sekretari i Shtetit kroat shprehu mbështetjen e tij për Republikën e Kosovës në procesin e anëtarësimit në integrimet euroatlantike.

  • ​Më shumë se 600 padi për moszbatim të pensionimit të dyfishtë

    ​Më shumë se 600 padi për moszbatim të pensionimit të dyfishtë

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në kuadër të “Javës së Ndihmës Juridike Falas”, ka organizuar sot tryezën e diskutimit me temën “(Mos) Zbatimi i të drejtave të pensionistëve në praktikë dhe ngarkimi i gjyqësorit me lëndë”.

    Edhe pse ishin të ftuar, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, nuk iu përgjigjen ftesës për pjesëmarrje në këtë tryezë.

    Drejtori Ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, informoi se Qendra për Ndihmë Juridike Falas e IKD-së ka depozituar mbi 600 padi për moszbatim të pensionimit të dyfishtë.

    Ai shtoi se IKD ka analizuar mohimin e pensioneve të dyfishta për kategoritë e caktuara, duke u fokusuar në ligjet për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve të UÇK-së, viktimave civile dhe familjarëve të tyre.

    “Në zyrat e Qendrës për Ndihmë Juridike falas të IKD-së vijnë qytetarë të cilët janë të moshave të shtyra, ka edhe 80-90 vjeçar, të cilët fatkeqësisht enden jo vetëm zyrave të IKD-së, por edhe zyrave në departamente të pensioneve, në komunat ku ata janë”, ka thënë Miftaraj.

    Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, shprehu shqetësimin e tij për trefishimin e lëndëve në sistemin gjyqësor për shkak të moszbatimit të ligjeve në mënyrë të drejtë.

    “Situata e pensionit të dyfishtë ose me dy skema pensionale veçse po merr dimension në procedura gjyqësore dhe besoj që duhet kjo të reflektojë në përmbushje të vullnetshme. Të gjitha kategoritë meritojnë respektin, por nuk duhet harruar asnjëri prej nesh që norma ligjore në fakt e ka edhe dimensionin social dhe human brenda vetes dhe në këtë rast të gjitha skemat sociale ndërtohen mbi këtë koncept, andaj ky dimension duhet të shtrihet edhe në zbatimin e normës dhe jo në këtë situatën kur njerëzit vendosen në dilemë dhe në vështirësi për realizimin e së drejtësi”, tha Zogaj.

    Gjyqtari Rexhep Gashi informoi se gjatë muajve mars-maj kishin ardhur rreth 1200 padi lidhur me pensione, duke sjellë një ngarkesë të madhe për gjykatën.

    “Unë nga shkrimorja e gjykatës të Departamentit Administrativ e kam marr një statistikë për muajt mars- maj këtij viti tremujor ku ka rezultuar që vetëm për lëndë e kësaj natyre që kanë të bëjnë me pensione në gjykatë kanë ardhur diku 1.194 padi apo përafërsisht rreth 1.200 padi duke marr parasysh faktin që jemi vetëm 7 gjyqtarë kjo paraqet ngarkesë për gjykatën”, tha Gashi.

    Zëvendësuesja e Drejtores së Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Flutura Berbati-Zena, vuri në dukje se kërkesat nga qytetarët për pensione të dyfishta janë dyfishuar.

    “Sa i përket vitit 2023, ky numër ka pësuar rritje me 50 për qind. Gjatë vitit 2023 janë trajtuar 503 raste që kanë të bëjnë me çështjet e pensioneve dhe 77 kanë qenë këshilla juridike, 120 padi, 185 ankesa, 24 parashtresa, 94 kërkesa dhe 4 lëndë të referuara e avokatët”, ka shtuar ajo.

    Sipas saj, në pesë muajt e parë të këtij viti në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, janë proceduar 2 mijë 775 padi në drejtim të Departamentit për Çështje Administrative në Gjykatën Themelore në Prishtinë, 23 ankesa dhe 4 kërkesa në departamentin e pensioneve në Ministrinë e Financave.

    Koordinatorja e Qendrës për Ndihë Juridike Falas, Arrita Rezniqi, tha se nga tetori dhe nëntori i vitit të kaluar, kanë pranuar rreth një mijë kërkesa nga qytetarët dhe rreth 600 padi janë dërguar në gjykatë.

    “Si zyrë e kemi krijuar një strategji të brendshme të funksionimit, për trajtimin e të gjitha këtyre rasteve dhe falë punës së madhe të stafit të qendrës, të gjitha trajtohen me një afat shumë optimal nga qendra jonë, por pastaj e ngarkojmë gjyqësorin që pastaj është një problematikë tjetër”, ka deklaruar Rezniqi.

    Avokati i Popullit, Naim Qelaj, kritikoi veprimet e autoriteteve publike për mosrespektimin e të drejtave të qytetarëve në këtë çështje, ndërsa Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur ndau sfidat që përballet në zgjedhjen e pensioneve për personat e zhdukur.

    Tryeza përfundoi punimet me konkluzionet se Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Financave të bëjnë zbatimin e drejtë të ligjit në raport me pensionistët e Kosovës, të cilët janë edhe përfitues të pensioneve sipas ligjeve të tjera të veçanta.

  • Mbi tre mijë ankesa të konsumatorëve në MINT, Hyseni: Projektligji adreson çdo manipulim në treg

    Mbi tre mijë ankesa të konsumatorëve në MINT, Hyseni: Projektligji adreson çdo manipulim në treg

    Përfaqësues të institucioneve dhe organizatave në vend kanë dhënë propozimet e tyre sa i përket plotësimit dhe ndryshimit për Projektligjin për Mbrojtjen e konsumatorit. Në dëgjimin publik për këtë projektligj i mbajtur nga Komisioni për Ekonomi, është theksuar nevoja e zbatimit të këtij projektligji me ndryshimet e propozuara nga të njëjtit.

    Kryesuesi i Grupit për Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, deputeti Driton Hyseni ka theksuar se ky ligj synon të mbrojë konsumatorët nga çdo manipulim që mund të jetë prezent në tregun e ofrimit të produkteve dhe shërbimeve në vend.

    “Ligji trajton sidomos aspektet e të drejtave të konsumatorit në thelb, por sigurisht edhe pjesën e praktikave të padrejta tregtare. Synon që në mënyrë më të mirë të mbrojë konsumatorët nga çdo manipulim që mund të jetë prezent në tregun e ofrimit të produkteve dhe shërbimeve në vendin tonë. Në këtë drejtim, ligji është jashtëzakonisht përmbajtjesor, ndoshta është tentuar që në mënyrë maksimale me gjitha pjesët e neneve që janë të përfshira në ligj, të përmbush çdo nevojë të mundshme që ka konsumatori drejt mbrojtës së drejtave të tij”, tha Hyseni.

    Ndërsa, në emër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, Nijazi Shala ka thënë se ky projektligj mundëson rregullimin e tregjeve në vend, derisa shton se ka prioritet të mbrojë interesat ekonomike të konsumatorit.

    “Rëndësia e projektligjit është gjithashtu e natyrës ekonomike, sepse mundëson gjithashtu rregullimin e tregjeve synim drejt një kompeticioni perfekt, që çon drejt një ekonomie diferencimi, apo konkurrence të ndërtuar mbi kualitetin dhe cilësinë e produkteve dhe shërbimeve, të një ekonomie të shëndosh…(pjesët që janë risi në këtë projektligj) kisha veçuar dy prej tyre, është harmonizimi me rregulloren e Ministrisë së Ambientit për kthimin e ambalazhit dhe trajtimin e qeseve plastike, si dhe ndalimin e konsumimit të pijeve energjike nën moshën 18 vjeçare”, tha ai.

    Në këtë dëgjim publik, Shala bëri të ditur se janë rreth 3 mijë ankesa nga konsumatorët, që sipas tij, 60 për qind prej tyre janë trajtuar nga MINT-i.

    “Ankesa përgjatë vitit 2023 janë rreth 3 mijë dhe rreth 60 për qind prej tyre, janë trajtuar”, tha ai.

    Ndërsa, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Valentina Rexhepi-Bunajku u shpreh skeptike për zbatimin e ligjeve në vend. Ajo theksoi ka shumë ligje që nuk zbatohen në vend.

    “Neve po na intereson se cili nen duhet plotësuar apo ndryshuar që t’i dilet në ndihmë konsumatorëve apo në të mirën e tyre. Sa i përket implementimit dhe ankesave është pjesë e inspektoratit, ka shumë ligje në vend që janë mirë të shkruara, por pak të zbatueshme, por për zbatueshmërinë e ligjeve nuk është tema”, tha Rexhepi-Bunjaku.

    Ndërsa, nga Shoqata e Bankave, Partin Pruthi ka thënë se nuk kanë probleme me ligjin, pasi sipas tij, nuk ka shumë dallim sa i përket kredive konsumuese në këtë ligj prej atij që është në fuqi.

  • Në Kosovë fillon të jepet terapia për parandalimin e infeksionit nga virusi HIV

    Në Kosovë fillon të jepet terapia për parandalimin e infeksionit nga virusi HIV

    Nga kjo javë, në Kosovë ka nisur të jepet terapia për parandalimin e infeksionit para ekspozimit ndaj virusit HIV, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Murat Mehmeti, shef i repartit për sëmundje seksualisht të transmetueshme në Klinikën Infektive në Prishtinë.

    Virusi HIV e dëmton sistemin imunitar të personit të prekur, duke e lënë atë të ekspozuar ndaj infeksioneve të rënda.

    Virusi mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të ndryshme trupore nga individët e infektuar.

    Terapia “PrEP” (profilaksia para ekspozimit) është medikament, i cili përdoret te njerëz që janë HIV negativ, për të zvogëluar rrezikun e marrjes së virusit.

    Sipas Mehmetit, terapia në formë të tabletave, fillimisht do t’u jepet personave LGBTI+, por edhe të tjerëve që e kanë partnerin pozitiv me HIV, ose kanë nevojë për të.

    Sigurimi i kësaj terapie ka qenë një projekt i përbashkët i institucioneve të Kosovës, Fondit Global (Global Fund) dhe Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Sociale nga Prishtina, tha Mehmeti.

    Organizata ndërkombëtare financiare, Fondi Global, me fokus në parandalimin si dhe trajtimin e të sëmurëve me HIV/AIDS, i ka siguruar barna për dy vjet. Pas kësaj periudhe, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës do ta marrë përsipër sigurimin e tyre, shpjegoi ai.

    Terapia në formë tabletash me paketim 30 copë, do të mund të merret në barnatoren e Klinikës Infektive, pas konsultimeve me mjekun.

    Agron Nuhiu, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Sociale, tha për Radion Evropa e Lirë se në këtë projekt është punuar prej vitit 2016.

    Kosova, sipas Nuhiut, është shteti i dytë në rajon që e ofron këtë terapi falas, pas Maqedonisë së Veriut.

    Dita Ndërkombëtare e Luftës Kundër HIV/AIDS-it, më 1 dhjetor 2023, e ka gjetur Kosovën me 13 raste të reja të personave të prekur me këtë virus gjatë atij viti.

    Në vitin 2022 në Kosovë ishin shënuar 17 raste të reja me HIV/AIDS – shifër që paraqiti dyfishim rastesh në krahasim me vitin 2021, kur ishin regjistruar tetë të tilla. /REL