ATV

Author: G.O.

  • Miratohet kërkesa e Ministrisë së Infrastrukturës për menaxhimin e flotës me GPS

    Miratohet kërkesa e Ministrisë së Infrastrukturës për menaxhimin e flotës me GPS

    Është miratuar kërkesa e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, për zbatimin e marrëveshjes me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, raporton Ekonomia Online.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se bëhet fjalë për një projekt që do të zbatohet në bashkëpunim mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

    “Siç e theksuat edhe ju, bëhet fjalë për një projekt i cili, pra, transmetohet në bashkëpunim mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit dhe UNDP-së. Dhe për këtë pra kërkohet një ndarje e buxhetit apo financimit prej 188,250 eurove në mënyrë që të mbulohet ky projekt.

    Projekti ka për qëllim implementimin e sistemit për menaxhimin e flotës me gjurmim GPS, gjë që është tejet e nevojshme, sidomos ku të kihen parasysh nga mbikëqyrja e punimeve në projektet e infrastrukturës dhe shumat e kontraktuara që janë të ndërlidhura për realizimin e këtyre projekteve, si dhe në anën tjetër po ashtu ndërlidhet edhe me nevojën për ekonomizim, pra, të resurseve që kemi, marrë parasysh edhe koston e lartë të derivateve që tashmë vjen si pasojë e krizës apo tronditjeve globale”, tha Murati.

  • OEAK: Mungesa e shkathtësive po rrit kostot e bizneseve dhe po kufizon potencialin për rritje

    OEAK: Mungesa e shkathtësive po rrit kostot e bizneseve dhe po kufizon potencialin për rritje

    Mungesa e fuqisë punëtore dhe e shkathtësive të nevojshme po rrit kostot e bizneseve, po ul produktivitetin dhe po kufizon potencialin për rritje.

    Këto janë ndër të gjeturat kryesore të dy studimeve të publikuara nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë: “Shkathtësitë e Fuqisë Punëtore dhe Nevojat e Bizneseve në Kosovë” dhe “Ndikimi Ekonomik nga Mungesa e Fuqisë Punëtore dhe Shkathtësive në Kosovë”, të realizuara në kuadër të Iniciativës për Zhvillimin e Fuqisë Punëtore, me mbështetjen e Qendrës për Ndërmarrje Private Ndërkombëtare (CIPE), që është pjesë e Odës Ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Përmes, një komunikate për media thuhet se studimet përfshijnë biznese të madhësive të ndryshme nga prodhimi, shërbimet financiare, TIK-u, tregtia, shërbimet profesionale, hoteleria dhe turizmi, shëndetësia dhe sektorë të tjerë. Të gjeturat tregojnë se 63.7% e bizneseve e konsiderojnë të vështirë ose shumë të vështirë rekrutimin e punëtorëve të kualifikuar. Shkathtësitë teknike janë më të vështirat për t’u gjetur, ndërsa mungesa të theksuara evidentohen edhe në shitje, menaxhim, lidership, inxhinieri dhe shkathtësi digjitale. Pasojat reflektohen drejtpërdrejt në performancën e bizneseve: 50% raportojnë produktivitet të reduktuar, 33.3% kosto më të larta të punës dhe 21.6% investime të vonuara.

    Në aspektin sektorial, prodhimi del ndër sektorët më të prekur. 87.5% e bizneseve prodhuese raportojnë vështirësi ose vështirësi të mëdha në rekrutimin e punëtorëve të kualifikuar, veçanërisht për profilet inxhinierike, teknike dhe të prodhimit, ndërsa 62.5% raportojnë ulje të produktivitetit si pasojë e mungesës së punëtorëve të kualifikuar. Presion i lartë vërehet edhe në tregtinë me pakicë, ku 80% raportojnë vështirësi në rekrutim.

    Përballë këtyre sfidave, sektori privat po investon konsiderueshëm në zhvillimin e fuqisë punëtore. 92.1% e bizneseve ofrojnë trajnime rregullisht ose herë pas here, ndërsa 84.4% investojnë deri në 20,000 euro në vit në trajnimin e punonjësve. Tek kompanitë me 250 ose më shumë punonjës, 71.5% investojnë mbi 20,000 euro në vit. Megjithatë, punëdhënësit e vlerësojnë përputhjen e shkathtësive të të diplomuarve me nevojat e biznesit mesatarisht vetëm 48.2 nga 100, duke evidentuar nevojën për lidhje më të fortë ndërmjet arsimit dhe tregut të punës.

    Ndikimi financiar i mungesës së fuqisë punëtore evidentohet më tej në studimin e dytë të ndikimit ekonomik, ku 82% e bizneseve raportojnë mungesë stafi ose boshllëqe në shkathtësi. Këto mungesa sjellin shpenzime shtesë për rekrutim, punë jashtë orarit, punëtorë të përkohshëm dhe kontraktorë, si dhe për trajnim e aftësim. Në tregtinë me pakicë, disa kompani raportojnë mbi 20,000 euro shpenzime vjetore vetëm për punën jashtë orarit. Njëkohësisht, 73% e bizneseve vlerësojnë se qasja adekuate në punëtorë me shkathtësitë e duhura mund t’ua rriste prodhimin ose të hyrat për të paktën 6% gjatë 12 muajve të ardhshëm, ndërsa më shumë se një e treta vlerësojnë potencial për rritje mbi 10%.

    Bazuar në këto të gjetura, mund të konkludohet se mungesa e fuqisë punëtore dhe e shkathtësive përbën jo vetëm sfidë të tregut të punës, por edhe kosto konkrete, produktivitet të humbur dhe potencial ekonomik të parealizuar. Investimet që bizneset tashmë bëjnë në zhvillimin e stafit nuk mund ta adresojnë të vetme mospërputhjen ndërmjet shkathtësive që ofron tregu dhe atyre që kërkon ekonomia.

    Oda Ekonomike Amerikane rekomandon forcimin e arsimit dhe aftësimit profesional sipas kërkesave të tregut, zgjerimin e praktikave dhe mësimit në vendin e punës, përfshirjen e bizneseve në zhvillimin e kurrikulave dhe krijimin e stimulimeve për trajnim dhe aftësim. Gjithashtu, nevojitet përmirësimi i informacionit për tregun e punës dhe mekanizmave të rekrutimit, si dhe mbështetja e investimeve në teknologji që rrisin produktivitetin. Një bashkëpunim më i strukturuar ndërmjet sektorit privat, institucioneve arsimore dhe institucioneve publike është thelbësor që zhvillimi i fuqisë punëtore të trajtohet si prioritet i konkurrueshmërisë dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike.

  • Kurti në konferencën për zhvillimin rural: Duam ta transformojmë bujqësinë në Kosovë

    Kurti në konferencën për zhvillimin rural: Duam ta transformojmë bujqësinë në Kosovë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në Konferencën XXII të Rrjetit Evropian për Zhvillimin Rural, e cila po mbahet në Mitrovicë nga 29 shtatori deri më 1 tetor. Konferenca organizohet nga Kolegji Publik Ndërkombëtar i Biznesit Mitrovica (IBCM), në bashkëpunim me Rrjetin Evropian për Zhvillimin Rural.

    Në fjalën e tij, Kurti ka theksuar rëndësinë e zhvillimit rural për Kosovën, duke përmendur tokën pjellore, burimet natyrore, traditën bujqësore dhe potencialin njerëzor të vendit.

    Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë jeton në zona rurale, ndërsa bujqësia, blegtoria, përpunimi i ushqimit dhe bizneset e vogla rurale përbëjnë burim të rëndësishëm të të ardhurave për shumë familje.

    Kurti ka thënë se qeveria po investon në bujqësi dhe zhvillim rural, me synimin që sektori të kalojë nga një model i mbështetjes kryesisht të bazuar në sipërfaqe dhe numër krerësh, drejt një sistemi që nxit prodhimin, cilësinë, produktivitetin dhe konkurrueshmërinë.

    “Përkundër vështirësive, nga sfidat strukturore e deri te ndryshimet klimatike, synimi ynë është që, përveçse ta mbështesim, ta transformojmë bujqësinë”, ka deklaruar Kurti.

    Ai ka përmendur gjithashtu nevojën për investime në ujë dhe ujitje, shëndetin e tokës, si dhe në kapacitetet e përpunimit dhe magazinimit. Sipas Kurtit, këto investime do t’u mundësonin fermerëve që t’u shtojnë vlerë produkteve të tyre, në vend të eksportimit të produkteve të papërpunuara dhe importimit të produkteve të gatshme.

    Kryeministri ka theksuar edhe rëndësinë e ndërtimit të një sistemi ushqimor ku siguria e konsumatorëve, konkurrenca e ndershme në treg dhe besimi në institucionet publike janë parime themelore.

    “Fshati i zhvilluar dhe bujqësia produktive janë parakusht i shtetit të fortë dhe ekonomisë së qëndrueshme, sikurse shoqëria e shëndoshë kërkon sistem ushqimor të sigurt”, ka përfunduar Kurti.

  • Sulm me thikë në një shkollë në Sllovaki, një mësuese vritet dhe dy persona plagosen

    Sulm me thikë në një shkollë në Sllovaki, një mësuese vritet dhe dy persona plagosen

    Një sulm i rëndë në një shkollë në veriperëndim të Sllovakisë ka përfunduar me një viktimë dhe dy persona të plagosur, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për ngjarjen.

    Sipas shërbimeve të emergjencës, një nxënës dyshohet se sulmoi me një objekt të mprehtë persona brenda shkollës në qytetin Staškov, në distriktin e Čadcës.

    Një grua 61-vjeçare, e cila ishte mësuese, humbi jetën si pasojë e plagëve të marra. Dy persona të tjerë, një fëmijë dhe një grua, u plagosën dhe u transportuan me urgjencë në spital.

    Fëmija ndodhet në gjendje kritike, ndërsa gruaja 44-vjeçare kishte një plagë në gjoks dhe u dërgua për trajtim në spital, transmeton Telegrafi.

    Në vendngjarje u mobilizuan dy ambulanca tokësore dhe dy helikopterë të shpëtimit. Policia tha se situata është nën kontroll dhe se nuk ka më rrezik të menjëhershëm për publikun.

    Motivi i sulmit dhe rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta dhe janë objekt hetimi. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota për autorin apo për mënyrën se si ndodhi sulmi. /Telegrafi/

  • Arrestohet një person në Mitrovicë, dyshohet për ngacmim seksual

    Arrestohet një person në Mitrovicë, dyshohet për ngacmim seksual

    Policia ka arrestuar një person të dyshuar për ngacmim seksual ndaj një gruaje.

    Sipas raportit policor, rasti është raportuar më 4 shtator, ndërsa i dyshuari është arrestuar më 28 shtator.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Rasti po trajtohet nga organet kompetente.

  • Nesër nis turi ballkanik i Von der Leyen – Tirana ndalesa e parë e presidentes së KE, do sjellë planin e anëtarësimit për 4 shtete

    Nesër nis turi ballkanik i Von der Leyen – Tirana ndalesa e parë e presidentes së KE, do sjellë planin e anëtarësimit për 4 shtete

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të nisë nesër turin ballkanik dhe ndalesa e saj e parë do të jetë Tirana.

    Në kuadër të vizitës, Von der Leyen do të zhvillojë takime me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.

    Ndërsa më 1 tetor, ajo do të nisë me takimet në Kosovë me presidenten në detyrë, Albulena Haxhiun dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Në të njëjtën ditë, kreu i KE do të vijojë edhe në Malin e Zi me presidentin Jakov Milatović dhe kryeministrin Milojko Spajić.

    Përmbyllja e turneut do të bëhet ditën e premte, në Maqedoninë e Veriut, ku do të takohen me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.

    Në këtë turne, Von der Leyen nuk do të vizitojë Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Sipas njoftimit, këto dy vende janë lënë jashtë itinerarit për shkak të zgjedhjeve të ardhshme që do të zhvillohen atje.

    Presidentja e KE vjen edhe me një plan për një udhërrëfyes të posaçëm për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën që do t’i ndihmojë ato në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, shkruan Tch.

    Plani parashikon reforma prioritare, afate orientuese dhe objektiva për përfundimin e fazave të negociatave. Në këmbim, edhe vendet anëtare të BE-së do të kenë angazhime për të avancuar procesin. Vendimet kyçe kërkojnë miratimin unanim të vendeve anëtare.

  • “Nuk i falet skenës politike”, Gruda kërkon nga Qeveria procedimin e Ligjit për Specialen në Kuvend

    “Nuk i falet skenës politike”, Gruda kërkon nga Qeveria procedimin e Ligjit për Specialen në Kuvend

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta procedojë në Kuvend Ligjin për Specialen, duke thënë se kanë mbetur pak ditë deri në mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

    Gruda tha se nuk duhet të lejohet që një Kuvend i konstituuar të shpërbëhet pa e trajtuar, siç e cilësoi ai, një prej ligjeve më të rëndësishme.

    “Për të kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës që sa më shpejt, sa më shpejt të japë mendimin e saj për ligjin siç e kërkon procedura legjislative dhe ta sjellë ligjin në Kuvend për miratim, sepse siç e dini na kanë mbetur edhe pak ditë kur edhe mund të shpërndahet Kuvendi, më 6 tetor Kuvendi mund të shpërndahet, prandaj nuk i falet askujt në  Parlamentin e Kosovës, në skenën politike, që një Kuvend që është i themeluar, i konstituruar, të shpërndahet pa e trajtuar ligjin, ndoshta ligjin më të rëndësishëm që ka trajtuar prej vitit 2008 kur ka miratuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kur kemi ndërtuar shtetin”, ka thënë ai.

    Gruda, ka shtuar se ligji është hartuar me ekspertizë të lartë.

    ​“Ligji është hartuar me një ekspertizë të lartë të njerëzve që kanë punuar në Partinë Demokratike të Kosovës, jashtë Partisë Demokratike të Kosovës. Sigurisht që kjo nuk do të thotë që nuk jemi të hapur për të dëgjuar opinione të tjera për ta përmirësuar cilësinë e ligjit, por atë do ta bëjmë në Kuvend.

    Asnjë zyrë administrative e Qeverisë e asnjë zyrë tjetër kudo qoftë brenda institucioneve të Kosovës nuk ka autorizim të mbajë peng vullnetin kaq të madh të popullit të Kosovës, vullnetin kaq të madh të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të miratuar një ligj që mbron historinë e Kosovës. Ky nuk është ligj i PDK-së, ky nuk është ligj që i jep asnjë lloj pushteti PDK-së, asnjë lloj privilegji. Është një ligj për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për mbrojtjen e historisë tonë dhe këtë duhet ta bëjmë të gjithë së bashku në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

    Sipas tij, ky ligj nuk prish asnjë detyrim ndërkombëtar që ka Kosova.

    “Ky ligj, më lejoni të shpjegoj, nuk prish asnjë detyrim ndërkombëtar që Kosova ka marrë me amendamentin kushtetues për themelimin e Dhomave të Specializuara, me marrëveshjen që kemi me Bashkimin Evropian përmes shkëmbimit të letrave të ratifikuara në Kuvend, dhe as marrëveshjen që kemi me Holandën. Të tria këto dokumente kanë themeluar Gjykatën Speciale me qëllimin thjesht, thelbësor për të hetuar trafikimin e organeve.  Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve dhe aktgjykimi në shkallë të parë ka vërtetuar që ata të akuzuar nuk kanë lidhje me trafikim organesh. Pra vetë Gjykata Speciale ka konstatuar që ata nuk kanë lidhje me trafikim organesh”, ka thënë dnër të tjera Gruda.

    “Duke qenë se ata akuzohen përtej kësaj, pra për krime lufte, as për trafikim organsh e as për krime kundër njerëzimit, ne mendojmë që është e mundur që në shkallë të tretë përmes këtij ligji të garantohet një gjykim në Kosovë, sepse nuk mund të kemi dy sisteme paralele juridike, një në Kosovë për krime luftë dhe një në Hagë, ku qytetarët e të njëjtit shtet trajtohen në mënyra të ndryshme. Dhe në këtë mënyrë ne mendojmë, jemi të bindur në fakt, që përmbushim detyrimin ndërkombëtar për të vazhduar me ekzistencën e Gjykatës Speciale”, ka thënë ai.

  • “Ata burra duhet sa më shpejt të jenë të lirë”, Tahiri: Qeveria, urgjentisht ta sjellë Ligjin për Specialen

    “Ata burra duhet sa më shpejt të jenë të lirë”, Tahiri: Qeveria, urgjentisht ta sjellë Ligjin për Specialen

    Shefi i grupit parlamnetar të PDK-së, Arian Tahiri, ka kërkuar që sa më shpejt të sillet në Kuvendin e Kosovës Ligji për Dhomat e Specializuara, raporton Ekonomia Online.

    Në një konferencë për media, ai ka thënë se ndryshimet e këtij ligji tashmë janë draftuar dhe Qeveria e Kosovës sipas tij, duhet të veprojë me urgjencë për ta sjellë atë në legjislativ.

    “Nga këtu, u bëj apel të gjitha partive politike për maturi politike, përgjegjësi, unitet dhe kontribut konkret. UÇK-ja është e secilit shqiptar. UÇK-ja është e të gjitha partive politike. Është e popullit dhe për këtë duhet të angazhohemi të gjithë. Ky proces kërkon unitet, përgjegjësi dhe veprime konkrete. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë pjesën tonë. Ligjin e kemi draftuar, e kemi procesuar dhe tashmë është në Qeveri.  Edhe një herë i bëj thirrje Qeverisë, sepse Kuvendi e ka kryer punën e vet, e ka shprehur vullnetin politik, që sa më shpejt ta kthejë ligjin në Kuvend, dhe Kuvendi ta argumentojë vullnetin që e shprehi dje me votë konkrete për ligjin”, ka thënë Tahiri.

    Ai ka thënë se institucionet e Republikës së Kosovës duhet të sigurojnë mbështetje të plotë për procesin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Tahiri ka deklaruar se tani është koha për veprime konkrete institucionale.

    “Ata burra që dhanë kontributin e tyre që ne sot të jetojmë të lirë, duhet të jenë sa më shpejt të lirë dhe të dëshmohet e vërteta për luftën tonë çlirimtare.  Nuk do të ndalemi. Si grup parlamentar dhe si Parti Demokratike e Kosovës, do të bëjmë më të mirën për të kontribuar në këtë process, e kemi obligim ne dhe e kemi obligim të gjithë”, ka shtuar ai.

    “Miratimi i deklaratës së Kuvendit në mbështetje të UÇK-së, dje në Kuvendin e Kosovës, është vetëm hapi i parë.  I falënderoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që me votën e tyre votuan për këtë deklaratë. Por kjo nuk mjafton. Kjo shpreh vullnet të plotë politik të secilit deputet të Kuvendit të Kosovës, për ta dhënë mbështetjen si e tillë, është shprehje e vullnetit politik. Prandaj, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet ta nisë pa vonesë procedurën për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara”, ka thënë ai.

    ​“Qeveria e Kosovës nuk duhet të guxoj ta zvarris këtë process. Institucionet e Republikës duhet të garantojnë mbështetje të plotë institucionale për çlirimtarët e UÇK-së në Hagë. Është koha për veprime konkrete institucionale. Ne, si përfaqësues të popullit, po e përcjellim kërkesën e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Qytetarët e Republikës së Kosovës me plot të drejtë, secilën ditë, secilën mbramjë, në secilin qytet në Evropë, Amerikë, Kanadë e kudo tjetër, duke protestuar, duke shprehur revoltën ndaj vendimit të 16 shattorit, padrejtësinë historike ndaj kombit shqiptar dhe shtetit të Kosovës”, ka shtuar Tahiri.

  • Dyshohet se shantazhoi për vite me radhë viktimën, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Dyshohet se shantazhoi për vite me radhë viktimën, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Policia e Kosovës, në raportin 24-orësh, ka bërë me dije se një person është dërguar në mbajtje në lidhje me veprën penale “Shantazh”.

    Ndonëse nuk është bërë e ditur se kur ka ndodhur arrestimi, vepra mësohet të jetë kryer përgjatë viteve 2023-2025.

    Sipas njoftimit, i dyshuari mashkull gjatë kësaj periudhe e ka shantazhuar viktimën, po ashtu mashkull, duke i kërkuar para, dhe së fundmi viktima edhe i ka dhënë një shumë parash atij.

    “Prishtinë / 2023-2025. Është arrestuar i dyshuari m/k, mbi dyshimin e bazuar se, që disa vite e kishte shantazhuar viktimën m/k duke i kërkuar para ku deri me tani viktima i ka dhënë një shume te konsideruar parash”.

    “Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia.

  • Arrestohen dy persona në Fushë Kosovë, dyshohen se vodhën 80 litra naftë

    Arrestohen dy persona në Fushë Kosovë, dyshohen se vodhën 80 litra naftë

    Dy persona janë arrestuar në Fushë Kosovë, pasi dyshohet se kanë vjedhur rreth 80 litra naftë nga kamioni i një personi.

    Sipas njoftimit të Policisë, rasti është raportuar më 27 shtator 2026, ndërsa më 28 shtator janë identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuarit.

    Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    “Fushë Kosovë / 27.09.2026 – 21:30. Me 28.09.2026 janë identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuar m/k, pasi që kishin vjedhur rreth 80 litra naftë nga kamioni i viktimës m/k. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.”, thuhet në raportin e policisë.