ATV

Author: E.R.

  • Protestat në Beograd, analistja amerikane: Egoja e Vuçiqit s’po mund ta pranojë që miliona serbë nuk mund ta durojnë atë

    Protestat në Beograd, analistja amerikane: Egoja e Vuçiqit s’po mund ta pranojë që miliona serbë nuk mund ta durojnë atë

    Analistja amerikane Ivana Stradner ka komentuar protestat që po ndodhin në Beograd.

    Stradner me anë të një shkrimi në Twitter thekson se presidenti se Aleksandar Vuçiq nuk mund të pranoj se miliona serbë nuk mund ta durojnë atë.

    “Do të ketë protesta masive në Beograd të Serbisë kundër Qeverisë. Vuçiq pretendon se një shërbim inteligjent nga Lindja ka ndarë informacionin se një revolucion i ri me ngjyra është në horizont”, ka shkruar Stradner.

    Ajo shton se Kremlini pretendon se Perëndimi në Serbi po komploton një revolucion të stilit Maidan.

    “Këtë javë qeveria ruse tha se Perëndimi po komploton një revolucion të ri të ‘stilit Maidan’ në Serbi. Egoja e Vuçiqit nuk mund të pranojë që miliona njerëz në Serbi nuk mund ta durojnë atë dhe kjo është një lëvizje bazë”, shton ajo.

     

    Në fund, Stradner pohon se Vuçiqi është kthyer në objekt taljeje në Serbi.

    “Vuçiq në intervista i pëlqen të theksojë se ai është një aktor racional, por ai është shumë i shtyrë nga emocionet që ai nuk mund t’i rregullojë – veçanërisht pakënaqësia dhe urrejtja. Madhështia e tij, pasi ai dëshiron të jetë një Josip Broz Tito i ri, është shpesh objekt talljeje në Serbi”, përfundon Stradner.

    Kujtojmë se gjatë të shtunës së kaluar, në qendër të Beogradit, dhjetëra mijëra persona protestuan nën sloganin “Serbia kundër dhunës”.

    Kjo protestë u thirr nga opozita dhe është e katërta e këtij lloji që organizohet në Serbi, për të kundërshtuar përgjigjen e Qeverisë pas dy sulmeve masive që ndodhën në maj në këtë shtet, kur u vranë 18 persona.

  • Tentoi t’i vras policët në Gjilan duke i goditur me veturë: Policia kërkon ndihmën e qytetarëve

    Tentoi t’i vras policët në Gjilan duke i goditur me veturë: Policia kërkon ndihmën e qytetarëve

    Një rast sikur në filmat aksion kishte ndodhur të enjten mbrëma në Gjilan. Një person, ka tentuar t’i godas policët me veturë. Njëri nga policët e ka gjuajtur me armë, por pa pasur sukses ta ndalë. I Dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes, në drejtim të panjohur.

    E Policia e Kosovës, këtë të shtunë ia ka publikuar fotografinë së bashku me detaje të tjera Burim Agajt, i cili ndër të tjera po akuzohet për veprën tentin vrasje ndaj policëve.

    Policia e Kosovës kërkon ndihmën e qytetarëve, për ta lokalizuar të dyshuarin.

    KOMUNIKATË PËR MEDIA

    Kërkesë për bashkëpunim

    Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, njësiti i hetimeve që operon në kuadër të stacionit policorë në Gjilan, me autorizim nga Prokuroria Themelore në Gjilan, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personit që shihet në fotografi.

    I dyshuari kërkohet për përfshirje në disa raste të veprave penale (tentim vrasje ndaj policëve në detyrë), që janë raportuar kohëve të fundit në Policinë Rajonale në Gjilan.

    Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personit apo vendndodhjen e tij, mund të lajmëroni në stacionin më të afërt të Policisë së Kosovës apo përmes numrit 192.

     

  • ​Zgjedhjet e reja në veri, mundësi për de-eskalimin e situatës

    ​Zgjedhjet e reja në veri, mundësi për de-eskalimin e situatës

    Propozimi evropian për organizmin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore në Kosovë, po konsiderohet si mundësi e mirë për de-eskalimin e situatës nga spektri politikë, por me kushtin që edhe Lista Serbe garanton për pjesëmarrje në këtë proces zgjedhor. Nga partia në pushtet thonë se kjo nuk është dorëzim, por e drejtë ligjore që qytetarët atje mund të përdorin për zgjedhje të reja. Në anën tjetër, në partitë opozitare potencojnë nevojën për shtensionimin e situatës në veri, por kritikojnë Qeverinë e Kosovës se po prapakthen funksionimin e çdo mekanizmi institucional në veri.

    Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nga Lista Guxo, Haxhi Avdyli thotë se Qeveria e Kosovës, por edhe Presidenca janë duke e bërë të pamundshmen për qetësimin e situatës në veri dhe përfundimin e protestave në tri komunat veriore, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

    Ai shton se pas diskutimeve të fundit me aleatët ndërkombëtar, zgjedhjet e reja në veri mund të konsiderohet si opsion, por gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    “Kosova nuk ka pasur rrugë tjetër përveç që t’i mbajë zgjedhjet dhe t’i mbushë këto institucione me përfaqësues, sado që ne e kuptojmë se është një përqindje e daljes në zgjedhje e ulët, po ashtu duhet të kuptojmë se është e drejtë e qytetarëve që të kenë përfaqësuesit e tyre legjitim. Në këtë kontekst, mendoj se qeveria është duke bërë të pamundshëm, po ashtu edhe presidenca për të bërë qetësimin e situatës. Por, është e padrejtë që tërë presionin apo kritika të drejtohet ndaj Kosovës, pasi Kosova nuk është shkaktare e kësaj krize, Kosova nuk ka shkuar me i pushtuar komunat dhe me largu askënd prej komunave, por janë vet ata që i kanë lëshuar komunat… Gjithmonë në kuadër të ligjit, qytetarët kanë të drejtë të ngritin një peticion dhe 20 për qind e votuese mund të kërkojnë zgjedhjet e reja. Institucionet tona vendimmarrëse kanë shprehur gatishmëri që t’i dëgjojnë me vëmendje këto kërkesa. Asesi kjo nuk është dorëzim por është një e drejtë shumë legjitime e qytetarëve”, deklaron ai.

    Zgjidhjen e situatës në veri e quan emergjencë edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu. Ajo thotë për KosovaPress se qasja e njëanshme e kryeministrit Kurti për të shtrirë sovranitetin dhe integritetin në veri, sado që është e ligjshme nuk mund të bëhet pa një koordinim me ndërkombëtarët.

    “Ne jemi të vetëdijshëm që në veri funksionojnë ende strukturat kriminale dhe bandat që janë të joshura dhe nxitura nga Serbia. Por, një qasje e tillë e njëanshme, e cila nuk është bërë në koordinim me partnerët e zhvendos pozicionin e Kosovës në një pozicion, i cili nuk është në përputhje dhe harmoni me aleatët, të cilët e kanë ndihmuar Kosovën. Kjo qasje e njëanshme e kryeministrit për të shtrirë sovranitetin dhe integritetin në veri sado që është e ligjshme dhe sado që është legjitime dhe kushtetuese nuk mund të bëhet pa një koordinim… Bojkoti që e ka bërë Lista Serbe e ka pamundësuar funksionimin e zgjedhjeve në atë pjesë. Kosova është prapakthyer në funksionimin e çdo mekanizmi institucional në veri, sado që është dukur një fitore e vogël kjo që ka ndodhur për kryeministrin. Por, prapakthimi i Kosovës në shtrirjen e sovranitetit në atë pjesë të vendit po shihet çdo ditë e më shumë. Kur kjo bëhet edhe me ankesa ose sanksione të drejtpërdrejta të aleatëve tanë, siç ishte deklarata e sekretarit Blinken, atëherë kjo ka peshë edhe më të madhe dhe është e dhimbshme për Kosovën”, thekson Deliu.

    Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj deklaron për KosovaPress se Qeverisë së Kosovës i takon të vendosë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri apo jo. Ajo shton se si parti opozitare do të përkrahin atë që është më e mirë për Kosovën.

    “Sa herë që zotëri Kurti gjendet në një situatë që duhet të jetë vendimmarrës për shkak se është kryeministër i vendit, ai e bënë një zhvillim të tillë që dialogun të kthejë në pikën zero… Kurti duhet të konsultohet edhe me aleatët tanë, ne e pamë edhe në takimin që e kishte presidentja e vendit me Macron dhe Scholz, ku ishte një propozim që të mbahen zgjedhjet e reja me pjesëmarrjen e komunitetit serb. Mbetet që kjo qeveri të vendosë dhe t’i organizojë. Ne do të përkrahim atë që është e mirë për Kosovën”, deklaron ajo.

    Kurse, njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Seb Bytyçi kërkon nga Qeveria e Kosovës të koordinohet me aleatët ndërkombëtar të Kosovës, për çfarëdo zgjidhjeje të shtensionimit të situatës në veri.

    “Situata në veri është një thirrje për vëmendje nga ana e Kosovës, për shkak se janë toleruar nga shtetet perëndimore deklaratat e Serbisë kundër marrëveshjes dhe veprimet e marrëveshjes Bruksel-Ohër. Kështu që, kjo gjë ka shkaktuar frustrime në Kosovë dhe rrjedhimisht Kosova e ndjen se duhet të bëjë diçka për të marrë më shumë vëmendje nga shtetet perëndimore….Gjithashtu, është e rëndësishme që të koordinojë veprimet me miqtë ndërkombëtar dhe të punojë që vazhdimisht t’i bindë ata që të mirëkuptojnë qasjen e Kosovës”, thotë Bytyçi.

    Përndryshe, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se mund të bëhen zgjedhjet në veri, duke respektuar ligjet në fuqi. Ajo ka treguar edhe disa procedura që duhet përmbushur.

    “Korniza jonë ligjore e lejon këtë mundësi dhe ne jemi të gatshëm ta konsiderojmë atë në përputhje me ligjin e Kosovës për zgjedhjet. Kjo do të thotë se qytetarët serbë, rreth 20% e tyre që janë në listat zgjedhore, mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes kësaj, ata mund të inicojnë procesin e zgjedhjeve të reja dhe ne jemi të gatshëm të zbatojmë ligjin. Është shumë e lehtë, është një proces shumë demokratik, ne i lejojmë qytetarët tanë të përcaktojnë se kur duan zgjedhje të reja dhe besoj se pa problem mund të ecim përpara me këtë, por duhet pjesëmarrje nga ana e tyre. Ata mund të zgjedhin kryetarin e komunës me një legjitimitet më të lartë, por duhet të marrin pjesë”, ka thënë ajo.

    Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Të hënën (29) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar e djegur vetura të mediave.

    Si pasojë e tensioneve atje, Bashkimi Evropian, përmes përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka paraqitur tri kërkesa për de-eskalimin e situatës në veri.

    Ai ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në to dhe të nisë puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

  • Vazhdojnë protestat në Zveçan e Leposaviq

    Vazhdojnë protestat në Zveçan e Leposaviq

    Po vazhdojnë edhe sot protestat në Zveçan dhe Leposaviq, gjersa raportohet se situata është e qetë dhe numri i protestuesve është më i vogël.

    Protestat në veri po hyjnë në ditën në javën e dytë, ndërsa ajo e 29 majit ishte më e dhunshmja ku u lënduar 30 pjesëtarë të KFOR-it.

    Një ditë më parë kryeministri i vendit, Albin Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës bëri publike listën e personave dhe grupeve kriminale që kanë përdorë dhunë gjatë protestave.

  • Rita Ora mahnit me linjat trupore në fotografitë e reja nga palestra

    Rita Ora mahnit me linjat trupore në fotografitë e reja nga palestra

    Rita Ora tregoi figurën e saj të pabesueshme të trupit teksa dha një pasqyrë të regjimit të saj të stërvitjes intensive ndërsa kalonte kohë në Sydney të shtunën.

    Këngëtarja 32 vjeçe, hyri në Instagram për të hedhur një vështrim në jetën e saj shumë aktive, duke u treguar veten e saj përmes fotografive duke ngritur pesha dhe duke bërë ushtrime ‘pilates’.

    Ajo ndau me ndjekësit një mori fotografish të saj duke punuar shumë në palestër me veshje aktive të pakta, si dhe një fotografi të saj duke u përgatitur për të dalë në skenë, shkruan DailyMail.

    Në një fotografi tjetër, Rita tregoi barkun e saj me një palë sytjena të zezë dhe pantallona të shkurtra çiklizmi të markës “Nike”, të cilat i kombinoi me atlete të hirta.

    Ajo i kishte lënë flokët e saj të arta në valë të lirshme dhe tregoi muskujt e saj ndërsa ngrinte pesha të rënda.

    Interpretuesja e hitit “You Only Love Me” i forcoi tiparet e saj mahnitëse në makijazh, teksa aplikoi një buzëkuq rozë me shkëlqim.

    Për një pamje tjetër, Rita tregoi edhe një herë figurën e saj të lakmueshme të trupt, e veshur me një bralet blu të ndezur dhe dollakë të ngjashëm.

    Ajo i futi flokët e saj të artë nën një kapele të koordinuar me ngjyra ndërsa u gjunjëzua mbi një tapet të jogës me printe tigri ndërsa bënte ushtrime ‘pilates’.

    Rita punoi me pesha të vogla dhe një brez rezistence teksa tregoi forcën e saj në stërvitje.

    Këngëtarja shqiptare përndryshe ndodhet në kontinentin australian për spektaklin e talenteve “The Voice Australia”, ku për të tretin vit radhazi do të jetë anëtare e jurisë.

    Edhe pse aktualisht po shijon pak kohë në Sydney, ajo nuk ka hequr dorë nga rutina intensive e palestrës.

    Rita po kalon kohë në Australi me bashkëshortin e saj Taika Waititi, me të cilin u martua gjatë verës.

  • U raportua i zhdukur, momenti kur shpëtohet 84 vjeçari nga Prishtina që kishte rënë në një gropë

    U raportua i zhdukur, momenti kur shpëtohet 84 vjeçari nga Prishtina që kishte rënë në një gropë

    Sinan Duli, 84-vjeçar ishte raportuar i zhdukur nga familjarët e tij pasi nga data 1 qershor, kishin humbur kontaktin me familjarin e tyre. Pas publikimit të njoftimit në rrjete sociale, për gjetjen e Sinanit ishin angazhuar Pjesëtarët e Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim.

    Mbrëmjen e 2 qershorit, ky grup njoftoi se e kanë gjetur personin e moshuar.

    84-vjeçari është gjetur rreth orës 22:30 në zonën te antena në lagjen “Kolovica” në Prishtinë.

    Sipas Pjesëtarëve të Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, 84-vjeçari ishte gjetur në një gropë.

    Më pas, të moshuarin e kanë dërguar në me autoambulancë në Emergjencë të QKUK-së.

  • Apeli ndryshon vendimin e Themelores, dënohet me 1 mijë euro gjobë i akuzuari për dhënie ryshfeti

    Apeli ndryshon vendimin e Themelores, dënohet me 1 mijë euro gjobë i akuzuari për dhënie ryshfeti

    Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, përmes të cilit i akuzuari për dhënie ryshfeti, Hasan Selimi, ishte dënuar me një vit burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë, pasi ka gjetur se është shkelur Ligji Penal në dëm të të akuzuarit.

    Me vendimin e 23 shtatorit 2022, ndaj të dënuarit Selimi, Apeli ka vërtetuar vetëm dënimin me gjobë prej 1 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykata Themelore në Mitrovicë më 5 gusht 2022, në rigjykim, e kishte shpallur fajtor dhe dënuar me një vit burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë të akuzuarin Hasan Selimi, për dhënie ryshfeti.

    Kundër këtij aktgjykimi, ka ushtruar ankesë i akuzuari Selimi, për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal, duke propozuar që Apeli t’i shqiptojë dënim më të butë.

    Sipas vendimit të Apelit ankesa nuk është e bazuar, me arsyetimin se pretendimet ankimore të të akuzuarit për një dënim me të butë nuk qëndrojnë, pasi Themelorja me rastin e caktimit të dënimit ka vlerësuar të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese, të cilat ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit konform nenit 69 dhe 70 të KPRK-së.

    “Një vlerësim të tillë të rrethanave relevante për matjen e dënimit si të drejtë dhe të ligjshëm e pranon edhe kjo gjykatë dhe gjen se rrethanat e pretenduara në ankesën e të akuzuarit veç se kanë qenë objekt vlerësimi nga gjykata e shkallës së parë”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Gjykata e Apelit ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë, në këtë rast, ka bërë shkelje të Ligjit Penal në dëm të të akuzuarit, duke i shqiptuar dënim komulativ, sepse për veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429, par.1 të Kodit Penal të vitit 2013, parashihet dënimi me gjobë ose me burg dhe jo dënimi me burg dhe me gjobë, siç ka përcaktuar shkalla e parë.

    Tutje, Apeli ka vlerësuar se dënimi me gjobë prej 1 mijë euro ndaj të akuzuarit Selimi, është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale, shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit si ekzekutor, intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara dhe se me të do të mund të parandalohet i akuzuari nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të parandalohen personat tjerë nga kryerja e veprave penale.

    Ndryshe, të akuzuarit Selimi i është shqiptuar dënimi i njëjtë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë edhe më 18 shkurt 2022, kur në atë kohë, nga gjyqtari i rastit Radosllav Markoviq ishte shpallur fajtor dhe dënuar me një vit burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë.

    Kundër këtij aktgjykimi, në afatin ligjor ankesë kishin ushtruar Prokuroria Themelore në Mitrovicë, për shkak të shkeljeve të Ligjit Penal dhe vendimit mbi sanksionin penal, dhe i akuzuari Hasan Selimi, për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal.

    Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, sepse aktgjykimi i ankimuar ishte përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, nuk është përpiluar konform dispozitës së nenit 370, par.7 të KPPK-së, e cila përfshin dhe zbatimin e dispozitave të caktuara të ligjit penal ndaj të akuzuarit dhe veprës së tij.

    Apeli kishte gjetur se përkitazi me dënimin e shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë, me gjobë dhe me burg, sipas nenit 429, par.1 të KPRK-së, është shkelur Ligji Penal në dëm të të akuzuarit, pasi që dispozita e lartcekur për këtë vepër penale parasheh dënim me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, dhe jo të dy dënimet siç ka vepruar gjykata e shkallës së parë.

    Ndryshe, gjyqtari Markoviq kishte njoftuar se ka vendosur në mënyrë të njëjtë edhe në rigjykim, për arsye se versioni i gjuhës serbe i Kodit Penal të vitit 2013, për veprën penale “Dhënia e ryshfetit” parasheh dy lloje të dënimeve, pra dënim me burgim dhe dënim me gjobë.

    Ndryshe, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, për veprat penale dhënie e marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumentit zyrtar në të njëjtin akt akuzues me Hasan Selimin, ngarkohen edhe Vlora Ibrahimi, Donika Sylejmani dhe Kujtim Shaqiri, ku për këtë të fundit është veçuar procedura që në nëntor 2021, ndërsa për dy të akuzuarat Ibrahimi dhe Sylejmani nga gjyqtari Markoviq u veçua procedura më 16 shkurt 2022 gjatë shqyrtimit fillestar në të cilin munguan dy të lartpërmendurat.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 9 qershor 2021, kishte ngritur aktakuzë kundër Hasan Selimit, Vlora Ibrahimit, Donika Sylejmanit dhe Kujtim Shaqirit.

    Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, Hasan Selimi akuzohej se në tetor të vitit 2016, i ka dhënë para në vlerë prej 300 euro personit zyrtar, Vlora Ibrahimi, si pronare e autoshkollës “Klinton” dhe NN personit, me qëllim që i njëjti të kryejë procedurat dhe të pajiset me patentë shofer të kategorisë “B” në mënyrë të kundërligjshme, pa mbajtur orë praktike dhe teorike, e po ashtu të mos hyjë në test teorik, ndërsa u premtoi se do t’ua japë edhe 500 euro tjera kur të pajiset me patentë shofer.

    Më këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhënie e ryshfetit” nga neni 429, par.1 të Kodit Penal.

    Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, Vlora Ibrahimi thuhet se në cilësinë e pronares së autoshkollës “Klinton” në bashkëpunim me NN personin me qëllim që të fitojë në mënyrë të kundërligjshme, ka pranuar para në cilësinë e personit zyrtar në bashkëpunim me NN personin, shumën e parave në vlerë prej 300 euro si dhe ka pranuar premtimin se të njëjtit do të pranojnë edhe 500 euro të tjera në mënyrë që mos të veprojnë në pajtim me detyrën e tyre zyrtare.

    Tutje në aktakuzë thuhet se Vlora Ibrahimi ka regjistruar në mënyrë të kundërligjshme si kandidat të kategorisë “B” për patentë shofer personin Hasan Selimi dhe të njëjtit në këmbim të parave të lartcekura i ka mundësuar mbajtjen e orëve teorike dhe praktike si dhe ka lëshuar dokumentin “Libreza e kandidatit” për aftësim të kandidatit, ku aty thekson se kandidati ka mbajtur orët praktike si dhe orët teorike, duke i vërtetuar me nënshkrimin e vet.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, e njëjta akuzohet se në fund ka lëshuar dokumentin “Vërtetim”, mbi aftësimin e kandidatit Hasan Selimi, ku me këto veprime e njëjta ka përgatitur dosjen si të vërtetë për ta proceduar në njësinë e patentë shoferëve në Mitrovicë.

    Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprat penale “Marrje e ryshfetit” nga neni 428, par.1 të KPRK-së, dhe veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 434, par.1 të KPRK-së.

    Ndërsa, në dispozitivin e tretë të aktakuzës Donika Sylejmani akuzohet se në cilësi të personit zyrtar, si instruktore e vozitjes pranë autoshkolles “Klinton” në Mitrovicë, në dokumentin “Libreza e kandidatit” ka theksuar se kandidati Hasan Selimi ka mbajtur orët praktike, duke e vërtetuar me nënshkrimin e vet si dhe në dokumentin “Vërtetim” mbi aftësimin e kandidatit Hasan Selimi, duke nënshkruar se është aftësuar kandidati Selimi, ku ky i fundit në polici ka mohuar se ka mbajtur këto orë praktike.

    Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve zyrtare” nga neni 434, par.1 të Kodit Penal.

    Ndërsa, në dispozitivin e katërt të aktakuzës, Kujtim Shaqiri po akuzohet se më 31 janar 2017, në njësinë e patentë shoferëve në Mitrovicë me rastin e organizimit të dhënies së provimit teorik për patentë shofer, ka tentuar të vë në lajthim organin kompetent që në një dokument publik të vërtetojë një çështje të pavërtetë.

    Tutje thuhet se me dokumentin e rrejshëm – letërnjoftim të falsifikuar, kishte tentuar të hyjë në test teorik për kategorinë “B” në njësinë e patentë shoferëve në Mitrovicë për kandidatin Hasan Selimi, me qëllim që personi zyrtar të vendosë në regjistër kinse Selimi ka kryer testin teorik.

    Mirëpo, thuhet se gjatë kontrollit së ekzaminerëve, është vërejtur dhe i njëjti ka ikur nga vendi i ngjarjes.

    Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” nga neni 403, par.1 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal.

    Kujtim Shaqiri, ngarkohet se me datën dhe vendin e njëjtë si më lartë me dije ka përdorë dokumentin publik – Letërnjoftimin e falsifikuar në emër të Hasan Selimit, ashtu që të njëjtin ia ka prezantuar personit zyrtar pranë njësisë së patentë shoferëve në Mitrovicë edhe pse e ka ditur se i njëjti është i falsifikuar.

    Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 389, par.2 të Kodit Penal.

  • 288 të vdekur, mbi 800 të lënduar nga përplasja e trenave në Indi

    288 të vdekur, mbi 800 të lënduar nga përplasja e trenave në Indi

    Të paktën 288 persona tanimë dihet se vdiqën dhe 850 u lënduan si pasojë e përplasjes së trenave të premten në shtetin lindor të Indisë, Odisha, thanë zyrtarët.

    Më shumë se 200 ambulanca u dërguan në vendngjarje në distriktin Balasore, tha kryesekretari i Odisha-s, Pradeep Jena.

    Një tren pasagjerësh mendohet se doli nga shinat para se të goditet nga një tjetër në shinat ngjitur.

    Ky është aksidenti më i rëndë i trenave këtë shekull në Indi.

    Zyrtarët thanë se numri i të vdekurve pritet të rritet më tej.

    Drejtori i përgjithshëm i Shërbimeve të Zjarrfikësve Odisha, Sudhanshu Sarangi tha se numri i të vdekurve ishte 288, shkruan BBC, përcjell KosovaPress

    Kryeministri indian, Narendra Modi u shpreh se ishte i shqetësuar nga incidenti dhe mendimet e tij ishin me familjet e viktimave.

    “Operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar në vendin e fatkeqësisë dhe e gjithë ndihma e mundshme po u jepet të prekurve” shkroi ai në Twitter.

    Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Amit Shah e etiketoi incidentin “thellësisht shqetësues”.

    Në Indi është shpallur ditë zie.

  • Vuçiq thotë se nga e marta nisin negociatat për zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës

    Vuçiq thotë se nga e marta nisin negociatat për zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ende nuk është vendosur nëse serbët do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme që mund të mbahen në katër komunat veriore të Kosovës. Ai ka thënë se nga e marta do të nisin diskutimet për zgjedhjet e reja.

    Vuçiq nuk ka dhënë detaje se me kë do t’i zhvillojë këto diskutime.

    “Nuk e di, më lejoni të negocioj, të flas. Unë do të flas vetëm nga e marta”, ka deklaruar Vuçiq në mediat serbe.

    “Nuk kam zgjidhje për momentin, nuk kam shkop magjik, duhet të mendoj për ditë të tëra, duhet të masë gjithçka… Duhet të flas me në ditët në vijim dhe të shohim se çfarë do të marrin serbët, çfarë sigurie kanë”, ka theksuar Vuçiq.

    Ndërkohë, mediat kanë raportuar se në javën e ardhshme i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkan Gabriel Escobar pritet të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin.

    Vizita e tyre, sipas këtyre burimeve, do të ketë dy qëllime kryesore: Qëllimi i parë është gjetja e zgjidhjes për të dalë nga situata aktuale e cila rrezikon të dëmtojë gjithë atë që BE-ja e konsideron si sukses në dialog. Pra, fokusi së pari do të jetë në uljen e tensioneve dhe vazhdimi i përpjekjeve në bazë të asaj që është propozuar pas takimit në Moldavi.

  • A ka pajtim mes Osmanit e Kurtit për zgjedhje të reja në veri – këto janë procedurat për organizim

    A ka pajtim mes Osmanit e Kurtit për zgjedhje të reja në veri – këto janë procedurat për organizim

    Për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, duket se ka një pajtim ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit Albin Kurti, thonë njohësit e proceseve politike Agon Maliqi dhe Albert Krasniqi.

    Mbajtja e zgjedhjeve po flitet si mundësi pas presionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

    Në këto komuna për pesë ditë me radhë kanë protestuar grupe të qytetarëve serbë duke kundërshtuar kryetarët shqiptarë atje. Këto protesta më 29 maj u shndërruan në përleshje të dhunshme me pjesëtarë të misionit të NATO-s, KFOR, ku mbetën të lënduar dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it, por edhe protestues.

    Për dalje nga kjo gjendje nga samiti i Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz kërkuan nga Kosova mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Kësaj kërkese i është bashkuar edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

    Presidentja Osmani ka konfirmuar se Kosova është e gatshme që të organizojë zgjedhje të reja në pjesën veriore të Kosovës.

    Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti gjatë një bisede telefonike me zëvendëskëshilltarin për siguri kombëtare të SHBA-së, Jon Finer, tha se duhet t’i jepet fund menjëherë dhunës së shkaktuar nga “turmat e sponsorizuara nga Beogradi kundër zyrtarëve të sigurisë” deri në zgjedhjet e reja në ato komuna.

    “Nuk dëshiroj ta paragjykoj këtë pjesë, a janë konsultuar apo jo. Por, deri sa nuk ka ndonjë mohim nga kryeministri, ajo çka nuk mund të përjashtohet është se presidentja mund të ndërmarrë edhe hapa të njëanshëm duke parë se situata po del nga kontrolli dhe duke qenë se edhe ajo e ka peshën e vet politike, të cilën ndoshta po e përdor duke u bërë presion të gjitha palëve, përfshirë edhe kryeministrin”, thotë pë Radion Evropa e Lirë njohësi i proceseve politike, Agon Maliqi.

    Radio Evropa e Lirë ka pyetur edhe Zyrën e presidentes dhe Zyrën e kryeministrit se a ka një dakordim ndërmjet tyre për zgjedhje të reja, por deri në publikimin e këtij teksti nuk janë përgjigjur.

    Albert Krasniqi nga Demokraci Plus (D+), konsideron se ka një pajtim mes dy përfaqësueseve të shtetit (presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti) që të shkohet në organizimin e zgjedhjeve të reja në komunat veriore, siç thotë ai, dhe të dërgohet si akt dorëheqja e kryetarëve të zgjedhur.

    Sipas tij, nuk ka ndonjë skenar ose rrugë tjetër për të dalë nga veprimet e panevojshme në veri të Kosovës, përveç se të pranohet propozimi i aleatëve ndërkombëtarë.

    “Veprimet në veri vetëm sa kanë rritur kërkesën e serbëve lokalë që të ketë një asociacion dhe për më tepër do t’i forcojë kompetencat dhe është rreziku që ato tashmë të shkojnë edhe në sektorin e sigurisë për shkak se kemi treguar se me këto veprime nuk po jemi në gjendje që t’i qeverisim serbët lokalë atje dhe ata duhet të kenë qeverisje autonome”, thekson Krasniqi.

    Zgjedhjet dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe

    Sipas Agon Maliqit, zgjedhjet në veri nuk kanë kuptim nëse nuk sjellin rezultate, të cilat do të ndihmonin në përmbylljen e Marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.

    “Zgjedhjet e reja sjellin rezultat në rast se paralelisht ka proces dhe hapa përpara nga ana e Qeverisë së Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, sepse në atë rast do të mund të kemi institucione që do mund ta zbatonin këtë marrëveshje”, vlerëson Maliqi.

    Zgjedhjet në katër komuna në veri të vendit (Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan) janë mbajtur më 23 prill. Kryetarët e këtyre komunave – të gjithë shqiptarë, kanë bërë betimin më 19 respektivisht 25 maj. Këto zgjedhje ishin bojkotuar nga komuniteti serb.

    Situata atje u tensionua më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi këta kryetarë të hyjnë në zyrat komunale, me gjithë rezistencën e serbëve lokalë.

    Nga zgjedhjet e fundit, kryetar në Mitrovicën e Veriut është zgjedhur Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, Lulzim Hetemi në Leposaviq po ashtu nga Lëvizja Vetëvendosje, kurse nga Partia Demokratike e Kosovës, në Zubin Potok është zgjedhur Izmir Zeqiri, dhe në Zveçan Ilir Peci.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se as presidentja Vjosa Osmani dhe as kryeministri Albin Kurti “nuk kanë diskutuar për këtë temë” [për zgjedhjet e reja në veri të Kosovës] me PDK-në.

    Presidentja Osmani, nga Moldavia ka thënë se organizimin e zgjedhjeve e lejon rregullimi ligjor i Kosovës. Kjo, sipas saj, mund të bëhet përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e qytetarëve që janë në listën votuese, të cilët mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja.

    Cilat janë procedurat për organizimin e zgjedhjeve të reja?

    Përveç peticionit të përmendur nga presidentja Osmani, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, tregon se mundësia tjetër është edhe dorëheqja e kryetarëve aktualë.

    “Ekzistojnë dy zgjidhje ligjore për të pasur zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komunat veriore. E para është që të arrihet ndonjë dakordim më i madh politik dhe kryetarët e rinj të japin dorëheqje. Ndërsa, mundësia e dytë arrihet nëse 20 për qind e votueseve me të drejtë vote nënshkruajnë një lloji peticion apo kërkese që i dërgohet kryetarit të Kuvendit përkatës komunal”, sqaron Cakolli.

    Pastaj, tregon Cakolli, duhet të organizohet një proces votimi ku qytetarët e komunave përkatëse pyeten nëse janë për ose kundër shkarkimit apo largimit të kryetarit të komunës se tyre, pavarësisht se cila mund të jetë arsyeja. Ky është një mini-referendum që kërkon të paktën 50 për qind plus një e votuesve të votojnë për largimin e kryetarëve.

    Përveç organizimit të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhje dhe të nisë puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.