ATV

Author: E.R.

  • Ujërat e zeza ndotin lumenjtë e Klinës

    Ujërat e zeza ndotin lumenjtë e Klinës

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI 

    Banorët e qytetit të Klinës kërkojnë pastrimin e lumenjve, të cilët u përmbytën gjatë janarit të këtij viti. Për shkak të ujërave të zeza, lumenjtë e këtij qyteti, sipas banorëve, nuk mund të përdoren as për peshkim. Komuna thotë se e ka gati projektin për ta zgjidhur këtë problem.

    Ndotja e lumenjve nga ujërat e zeza në qytetin e Klinës, është kthyer në një problematikë për banorët, si dhe për peshkatarët që e frekuentojnë këtë pjesë.

    Viktor Gjergjaj çdo ditë ecën mbi 3 km për të peshkuar në lumenjtë e Klinës.

    Por, peshqit që kap, thotë se nuk janë të shëndetshëm për t’i ngrënë, për shkak të ndotjes që u shkaktua nga përmbytjet e janarit.

    “Lumenjtë janë shumë të ndotur. Këto derdhje të kanalizimeve në lumë ndikojnë te peshqit se ne e vërejmë tash kur e kapim peshkun, i vjen erë e keqe, edhe natyrisht që nuk është i shëndetshëm si ushqim… Sa ma i pastër të jetë lumi, aq më i shëndetshëm do të jetë peshku.”

    Banorët ankohen se tash e 5 muaj nuk kanë as ujë të pijshëm, pasi ujërat e zeza, sipas tyre, derdhen në burimet prej të cilave furnizohen me ujë.

    “Na furnizohemi prej këtij uji, por era që i vjen tash mundet me na pru sëmundje të ndryshme, nëse përdoret për pirje”.

    “Shumë i papastër. Këtu jon mledhë krejt ujërat e këqija, edhe s’bon me pi këtë ujë”.

    Drejtori i Shërbimeve Publike në Klinë, Qëndrim Millaku, ka një përgjigje për shqetësimet e bashkëvendësve.

    “Gjatë këtyre dy viteve të ardhshme, do të përfundojnë impiantet për trajtimin e ujërave të zeza, në të gjithë lumenjtë e qytetit të Klinës, pasi që kemi pasë çrregullime nga periudha e janarit, por do të marrim masa që një gjë e tillë të mos përsëritet.”

    Përmbytjet që ndodhën në fillim të vitit kanë prekur lumenjtë Klina, Bistrica e Deçanit, Lumbardhin e Pejës, si dhe Drinin e Bardhë për rregullimin e të cilëve dhe filtrimin e ujërave të zeza komuna ka ndarë 650 mijë euro.

  • Ashensorët në QKUK jashtë funksionit, pacientët ecin shkallëve

    Ashensorët në QKUK jashtë funksionit, pacientët ecin shkallëve

    PËRGATITI: SARA SHEHU

    Ashensorët në disa nga klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë jashtë funksionit. Pacientët dhe përcjellësit e tyre ankohen se kjo situatë po u shkakton telashe në qarkullim. Derisa deputetë të opozitës e kritikojnë për menaxhim të dobët ShSKUK-në, ajo është e kënaqur me gjendjen e ashensorëve.

    Në disa nga klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nuk funksionojnë ashensorët.

    Si rrjedhojë pacientët në klinikën e Emergjencës, me gjendje të rënduar shëndetësore, detyrohen të ecin shkallëve.

    “Është shqetësuese sidomos për të moshuarit, se ka raste ashensori ndalet në moment, madje ka pasur raste që kanë mbetur njerëzit.”

     

    Kjo situatë po i shqetëson edhe familjarët e pacientëve, të cilët disa herë në ditë i frekuentojnë klinikat e QKUK-së, për t’i ndihmuar të afërmit e tyre të hospitalizuar.

    “Është shumë problem me u ngjitë shkallëve e me zbritë. Duhet me punu ashensorët”.

    Gjendje e njëjtë shihet edhe në Klinikën e Internos.

    Këtë situatë, ish-Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e quan keqmenaxhim.

    “Kjo është një fatkeqësi se buxhet kemi, por kemi keqmenaxhim, mbikëqyrje nuk kemi, mungon përgjegjësia sepse pjesa e udhëheqjes është e paaftë. Kjo situatë krijon shqetësim për pacientët, madje edhe të shëndoshët sëmuren nga kjo situatë”.

    Megjithatë, drejtoria e ShSKUK-së, përmes një përgjigje me shkrim i ka thënë ATV-së, se janë të kënaqur me gjendjen e ashensorëve.

    “Gjendja e ashensorëve është e kënaqshme dhe janë me standard. Me numrin e tanishëm të ashensorëve të cilët të gjitha janë në funksion, nuk kemi hasur në kërkesa për ashensorë shtesë, apo që ka ankesa për numër të ashensorëve”.

    Ndryshe, sipas Drejtorisë së ShKUK-së, ashensorët certifikohen nga kompania e cila është kontraktuar për servisim dhe mirëmbajtje të ashensorëve.

  • Panairi i 23-të i librit në Prishtinë me mysafirë special

    Panairi i 23-të i librit në Prishtinë me mysafirë special

    PËRGATITI: NEXHMIE HYSENI

    Nga 6 qershori në Prishtinë fillon edicionit i 23-të i Panairit të Librit. Pjesë e panairit, që këtë vit vjen me moton “Libri Triumfon” do të jenë edhe shkrimtarë të njohur botërisht.

    Përgatitjet tashmë kanë filluar. Nga 6 qershori dhe gjashtë ditë me radhë, Panairi i Librit do të bëjë bashkë në Prishtinë mbi njëqind shtëpi botuese.

    Edicioni i 23-të i këtij panairi, këtë vit sjell një mysafir të veçantë.

    “Është Ismail Kadare i ftuar nderi në panairin e 23-të të librit i cili vjen ktu me shkak nuk është këtu i ftuar nderi për veprat që janë botuar e të mos ketë ndonjë risi është botimi i kompletit 7 vëllimesh që përbejnë 7 dekada veprimtari letrare nga Ismail Kadare”.

    Tutje në kuadër të këtij panairi, Kadare do të promovojë edhe kompletin më të ri të krijimtarisë së tij. E vet autori, përgjatë tre ditëve sa do të qëndrojë në Prishtinë pritet të ketë edhe takime me figura të shquara të botës kulturore.

    Dhe përpos mysafirëve të spikatur këtë vit do të ketë edhe ndryshime në hapësirën ku do të mbahet panairi.

    “Sivjet jemi munduar qe pjesën e jashtme ta përshtatim që të jetë sa më bukur sidomos për botuesit për fëmijë në mënyrë qe edhe estetikisht por edhe të jetë më e qasshme për fëmijët.

    Panairi i Librit organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Komuna e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë.

    Numri i titujve të rinj që do të ofrohen arrin në 2 mijë.

    Përvjetorët që shënohen në Panairin e 23-të të librit janë: 120-vjetori i lindjes së Ernest Koliqit, 110-vjetori i lindjes së Petro Markos dhe 100-vjetori i lindjes së Jakov Xoxës.

  • Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje varet nga Beogradi e SHBA-ja

    Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje varet nga Beogradi e SHBA-ja

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Zgjedhjet e 23 prillit serbët e veriut i bojkotuan por, në një proces të ri zgjedhor për të cilin institucionet e Kosovës janë shprehur të hapura, sipas shoqërisë civile në Mitrovicën e Veriut, ka shumë gjasa që serbët të marrin pjesë sidomos pas insistimit të ShBA-së dhe Bashkimit Evropian.

    Për të tetën ditë me radhë, janë duke protestuar kundër kryetarëve shqiptarë që dolën fitues nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit që vet i bojkotuan.

    Serbët e katër komunave veriore, sipas njohësve të politikës, vendimin për të mos dalë në zgjedhje, nuk e morën vet.

    “Kush e ka marrë vendimin për bojkotimin e zgjedhjeve? Beogradi. A e kanë bojkotu vetëm votuesit e Listës serbe? Jo. E kanë bojkotu të gjithë serbët, me përjashtim të 13 votave që janë fare pak.

    Megjithatë, të njëjtit, mund ta kenë edhe një tjetër rast të zgjedhin kryetarë të tjerë, meqë mbajtja e procesit tjetër zgjedhor po konsiderohet si opsion serioz.

    Andaj, analisti Bransilav Krstic, është i bindur se serbët kësaj radhe do marrin pjesë në zgjedhje, posaçërisht nëse SHBA-ja do jetë garantuese.

    “Nuk ekziston problem mes Bogradit zyrtar dhe Amerikës. Bogradi është I shantazhuar nga amerika, andaj ata bëjnë çkado që garanton amerika. Problemi është te kryeministri Kurti, I cili nuk e kupton se kush janë zotat e tokës.”

    Por, për t’u arritur dakordimi për pjesëmarrje në zgjedhjet e reja, duhet të plotësohen disa kushte.

    “Garancitë për pjesëmarrje, mund të arrihen vetëm nëse shohim udhëheqësit politikë ta arrijnë një marrëveshje, në këmbim të sëcilës duhet të largohet njësia speciale nga Veriu, fillimisht nga objektet komunale. Pastaj një garanci tjetër për formimin e asociacionit.”

    Në zgjedhjet që u mbajtën në katër komunat veriore, morën pjesë vetëm 1567 qytetarë, apo 3.47 për qind.

  • Protesta të qeta e pa trazira të shtunën në veri

    Protesta të qeta e pa trazira të shtunën në veri

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Edhe sot ka pasur protesta të banorëve lokalë në tre komunat në veri të vendit. Derisa situata ishte e qetë, në objektin e komunë së Leposaviqit vazhdon të qëndrojë kryetari, Lulzim Hetimi. Por familjarët ani pse nuk kanë pasur kontakt fizik me të tash e 6 ditë, ATV-së i kanë thanë se nuk janë të shqetësuar për sigurinë e tij.

    Të paktë në numër por, u grumbulluan edhe sot para objektit të komunës.

    Dhjetëra protestues serbë edhe këtë të shtune qëndruan afër objektit të komunës së Leposaviq për të kundërshtuar punën e kryetarit Lulzim Hetimi.

    Një pjesë të madhe të ditës, sa qëndruan afër komunës ishin të qetë. Me të filluar shiu, u shpërndanë.

    Ndërkaq objekti i komunës, ku që nga e hëna është duke qëndruar kryetari, Lulzim Hetemi po mbrohet nga ushtarët e KFOR-it italian.

    Prania e ushtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës e bënë familjen e kryetarit të mos shqetësohet për sigurinë e tij.

    Atë, më shumë po e shqetësojnë ca deklarata.

    Ditë e qetë, ishte edhe në Zveçan.

    Për dallim nga ditë e tjera, sot pranë komunës së Zveqanit janë duke qëndruar një numër i vogël i protestuesve serb.

    Bashkë me protestuesit qëndroi edhe nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq.

    Serbët në veri janë duke protestuar rregullisht që nga 26 maji duke kundërshtuar punën e katër kryetarëve të ri, të gjithë shqiptarë.

  • Kryetarët shqiptarë në veri të ndarë rreth zgjedhjeve të reja

    Kryetarët shqiptarë në veri të ndarë rreth zgjedhjeve të reja

    STUPËRGATITI: ARTON HAMITI 

    Është hera e parë që katër komunat veriore të Kosovës të kenë kryetarë shqiptarë. Por, ndonëse punën e kanë filluar vetëm para pak javësh, kundërshtitë mes tyre tashmë janë shpërfaqur. Ata nuk kanë mendime të njëjta sa i përket zgjedhjeve të reja të mundshme në veri, kërkesë kjo e bashkësisë ndërkombëtare.

    Ndonëse është çështje javësh prej kur katër kryetarët shqiptarë të komunave në veri kanë filluar punën, përçarjet mes tyre dolën në pah.

    Derisa, zgjedhjet e reja shihen si alternativë për të dalë nga kriza, kryetarët që vijnë nga radhët e Partisë Demokratike, për dallim nga ata të Vetëvendosjes, nuk e kanë ndërmend të japin dorëheqje.

    “Neve nuk jemi duke menduar për një tërheqjeje apo zgjedhje të reja ne këto momente për pa e analizuar mirë situatën.”

    Se nuk janë në linjë të njëjtë u dëshmua edhe kur ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier i ftoi në takim. Izmir Zeqiri i Zubin Potokut e Ilir Peci i Zveçanit takuan ambasadorin, derisa Erden Atiq i Mitrovicës së Veriut e Lulzim Hetemi i Leposviqit nuk morën pjesë fare në takim.

    Për mospjesëmarrjen e kryetarëve e Vetëvendosjes në takim me ambasadorin, kryeministri Albin Kurti pati një sqarim. Sipas tij, takimi ishte organizuar gjatë orarit të punës.

    Koordinim mes katër kryetarëve shqiptarë nuk ka as për çështje të tjera sikurse rryma.

    “Zyra e Rregullatorit për Energji, ka pranuar kërkesa zyrtare nga Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe Kryetari i Komunës së Leposaviqit. Kërkesa e kryetarëve ka të bëjë me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme lidhur me kyçjen dhe pagesën e energjisë elektrike për të gjitha institucionet e sektorit publik të cilat bien në kompetencën e nivelit lokal. ZRRE-ja është në proces të shqyrtimit të kësaj kërkese dhe është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura ligjore. ZRRE-ja nuk ka pranuar kërkesa nga kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit.”

    Kryetari i Mitrovicës së Veriut Erden Atiq, gjithashtu ka dorëzuar kërkesën që kjo komunë me shumicë serbe, t’i bashkohet Asociacionit të Komunave të Kosovës. Një kërkesë të tillë nuk e kanë bërë edhe homologët e tij.

    Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.

    Hyrja e tyre në objektet komunale u përcoll me trazira pas rezistencës së serbëve, derisa u lënduan pjesëtarë policisë dhe KFOR-it dhe u regjistruan mbi 20 sulme ndaj gazetarëve.

  • BE-ja i kërkon Kosovës mbajtje të zgjedhjeve të reja

    BE-ja i kërkon Kosovës mbajtje të zgjedhjeve të reja

    PËRGATITI: BENITA ZENELI

    Bashkimi Evropian ka reaguar sërish lidhur me situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Duke dënuar veprimet e dhunshme kundër qytetarëve, KFOR-it, policisë e mediave BE-ja u ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të ndërmarrin masa “për qetësim të situatës të ndalojnë retorikën përçarëse dhe veprimet e pakoordinuara”. Derisa Brukseli kërkon zgjedhje të reja, kryeministri insiston në vendosjen e sundimit të ligjit.

    Bashkësia ndërkombëtare vazhdon të insistojë që në katër komunat veriore, zgjedhjet të mbahen sa më parë si rrugëdalje e vetme nga kriza dhe tensionet.

    Në një deklaratë të Bashkimit Evropian, të lëshuar nga kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, kërkohet që Kosova t’i pezullojë menjëherë edhe operacionet policore e kryetarët shqiptarë të kryejnë funksionin e tyre nga objektet alternativ.

    “Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur në të katër komunat, dhe ato të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse.”

    Idenë e zgjedhjeve të reja, nuk e ka kundërshtuar kryeministri, Albin Kurti. Megjithatë sipas tij nevojitet paraprakisht vendosje e sundimit të ligjit si dhe zgjedhje të lira e pa presion.

    “Prandaj, pas zgjedhjeve të reja mund të ketë kryetarë të rinj, e nuk mund të ketë kryetarë pa zgjedhje të reja dhe zyrat e ndërtesat e komunave në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok janë asete të Kosovës”

    Adresa për trysni, tha kryeministri është Beogradi i cili siç tha nuk po distancohet nga krimet e Milosheviqit.

    “Adresa ku duhet të bëhet trysnia nuk është Prishtina që është kryeqyteti i shtetit më demokratik e policinë më profesionale në Ballkan, por është Beogradi i cili duke mos u distancuar nga krimet e Millosheviqit”

    Disa ditë pas trazirave në veri, Gjermania e Franca propozuan zgjedhjet e reja për katër komunat veriore si mundësi për dalje nga kriza. Me t’ia përmendur këtë në një takim në Moldavi të enjten, presidentja Vjosa Osmani kishte treguar një mundësi që çon drejt zgjedhjeve të reja.

    Derisa palët ende janë në kërkim të zgjidhjes përpos peticionit zgjedhjet mund të shpallen edhe nëse kryetarët aktual japin dorëheqje.

    Veç zgjedhjeve të reja, me pjesëmarrjen e serbëve në to bashkësia ndërkombëtare kërkoi nga Kosova edhe angazhim rreth themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

  • NATO-ja mirëpret vendosjen e ushtarëve turq në Kosovë

    NATO-ja mirëpret vendosjen e ushtarëve turq në Kosovë

    Komanda e Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli e cila i shërben Aleancës së NATO-s përmes përgatitjes, planifikimit dhe kryerjes së operacioneve ushtarake, e ka mirëpritur vendosjen e Batalionit Rezervë Operacional të Turqisë në Kosovë për ta përforcuar KFOR-in.

    JFC Napoli ka shkruar në Twitter se po monitoron nga afër situatën dhe se KFOR-i mbetet i përkushtuar në ndërtimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë.

    “Mirëpresim vendosjen e Batalionit Rezervë Operacional të Turqisë në Kosovë për ta përforcuar KFOR-in. JFC Napoli po monitoron nga afër situatën dhe KFOR-i mbetet i përkushtuar në ndërtimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë në Kosovë”, thuhet në reagimin e tyre.

     

    Në vazhdën e tensioneve në veri të Kosovës, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë njoftoi të shtunën se me kërkesë të Komandës së Forcës së Përbashkët të NATO-s, është caktuar një batalion komando dhe se kanë filluar përgatitjet për transferimin e ushtarëve turq në Kazermën Sulltan Murat në Kosovë deri më 5 qershor.

    Në një deklaratë me shkrim nga Ministria lidhur me zhvillimet në Kosovë, thuhet se Turqia vazhdon të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global në kuadër të misioneve të OKB-së, NATO-s, BE-së dhe OSBE-së dhe marrëdhënieve bilaterale.

  • Protestë masive në Beograd – aktorë, studentë dhe qytetarë: Vuçiq ik

    Protestë masive në Beograd – aktorë, studentë dhe qytetarë: Vuçiq ik

    Në orën 18:00 ka filluar protesta e re “Serbia kundër dhunës” para Kuvendit të Serbisë, e pesta me radhë pas tragjedive në shkollën fillore të Beogradit dhe dy fshatra afër Mlladenovcit, ku mbetën të vdekur 18 persona.

    Protesta e sotme mund të jetë edhe më masive për shkak të reagimeve të ashpra në opinion pasi përfaqësuesit e Partisë Progresive Serbe në pushtet në Kuvendin e Serbisë i quajtën “llum” aktorët që mbështesin protestuesit dhe kërkesat e tyre.

    Këtë javë, aktorët publikuan një proklamatë duke i cilësuar si dhunë vlerësimet e përfaqësuesve të SNS-së, raporton nova.rs.

    Në protestë u lëshua në ajër një poster me imazhin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe me shkrimin “Vuçiq ik”. Gjithashtu disa protestues mbanin në duar edhe fotografinë e politikanit të ndjerë nga Kosova, serbit Oliver Ivanoviq, i cili u vra vite më parë në Mitrovicë.

    Organizatorët e protestës kërkojnë edhe shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Bratislav Gashiq, drejtorit të BIA-s, Aleksandar Vulin dhe pranimin e dorëheqjes së ministrit të Arsimit, Branko Ruzhiq.

    Ndryshe, Vuçiq nuk ka dhënë shenja se do t’i plotësojë kërkesat e protestuesve.

  • VV prishi koalicionin me PDK-në në Gjilan, Haziri: LDK do të jetë opozitë agresive

    VV prishi koalicionin me PDK-në në Gjilan, Haziri: LDK do të jetë opozitë agresive

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas prishjes së koalicionit qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike në Gjilan, duke thënë se ka qenë e pritshme.

    “Zhvillimet në Komunën e Gjilanit kanë qenë të befasishme, por gjithashtu edhe të pritshme nga ana jonë. Kjo për shkak se koalicioni i ndërtuar VV-PDK në Gjilan, nuk ishte ndërtuar në bazë të një programi për Gjilanin e zhvilluar, por për interesa personale e partiake”, ka shkruar ai.

    Më tej, ish-kryetari i Gjilanit ka thënë se dalja e PDK-së nga koalicioni dhe deklaratat e tyre pas daljes nga ky koalicion, tregojnë se mundësia për të bashkëpunuar me të parin e ekzekutivit për të mirën e përbashkët publike, ka qenë minimale apo s’ka ekzistuar fare.

    “Edhe njëherë para jush, konfirmoj qëndrimin e LDK-së se jemi opozitarë deri në fund të këtij mandati, duke mos shprehur gatishmërinë për bashkëqeverisje me partinë në pushtet. LDK do të jetë opozitë agresive e këtij pushteti që projektet tona po i konsideron si të huaja”.

    “14 këshilltarët tanë pasqyrojnë shumicën e qytetarëve në Kuvendin Komunal, dhe presim që ky besim qytetar të respektohet nga Kryesuesi i Kuvendit, duke liruar pozitën e të parit të Kuvendit që me legjitimitet i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës”, është shprehur Haziri.

    Në të kundërtën, ai ka thënë se LDK-ja gjatë javës së ardhshme do të fillojë me procedurat e nevojshme për marrjen e mandatit që i takon, në koordinim me partnerët opozitarë dhe partinë e sapo dal në opozitë.

    “Gatishmëria jonë për të kontribuar në një bashkëpunim që do të sillte politika të mira e zhvillimore për komunën nuk ka munguar asnjëherë, por gjithmonë në bazë të parimeve të demokracisë, ligjshmërisë dhe politikave të duhura për qytetarët”, ka përfunduar ai.